Partia Socialiste e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama: Njeriut nuk i gjendet karari sepse unë sa hap sytë në mëngjes mërzitem se nuk ka shi. Tani që sa mora fjalën filloi shiu. Megjithatë, më mirë shiu se fjala ime, se fjalët e mia ju i keni dëgjuar dhe do vazhdoni t’i dëgjoni në televizor, në frigorifer, ishalla jo dhe në ëndërr.

Gjithsesi, po përpiqem të fitoj pak kohë deri kur shiu të imponohet dhe nuk pretendoj të rrini këtu dhe të dëgjoni edhe sikur të bëheni qull, përkundrazi.

Së pari, nuk mund të rri dot pa e thënë që gjatë gjithë kohës kur po vija këtu, kam pasur në mend Shpiragun sepse ka ardhur një moment që po numërojmë ditët në pritje të çfarë do të thotë në fund fare Shpiragu sepse mbetet për tu konfirmuar fakti që një pasuri e madhe, një rezervë e madhe e zbuluar në Shpirag është apo jo e tregëtueshme, por që është aty një rezervë e madhe, ky tanimë është një fakt. Ajo që presim është sa mund të jetë e tregëtueshme për shkak të thellësisë dhe formacionit gjeologjik. E them këtë në funksion të asaj që do të vazhdoj më pas dhe që lidhet me këtë kohë që ne jetojmë, por lidhet dhe me çfarë kemi bërë dhe me padurimin krejt legjitim të shumëkujt që “Pse nuk kemi bërë më shumë, pse pagat nuk janë më të larta, pse pensionet nuk janë më të larta” sepse pavarësisht të gjithë të tjerave, njerëzit natyrshëm në fund të ditës, llogarinë e bëjnë me çfarë arrijnë të çojnë në shtëpi.

Ajo që duhet thënë, që është sigurisht që po të kthejmë kokën pas, pagat janë më të larta, pensionet janë më të larta edhe paga minimale është shumë më e lartë, por të gjitha këto, po të shohim përpara dhe duke pasur parasysh dhe shtrëngimin e madh të kësaj kohe, janë larg fare së qenurit të mjaftueshme. Në rast se Shpiragu do të na japë një përgjigje siç do të dëshironim të gjithë, atëherë do të mund të bëjmë një tjetër projeksion për pagat dhe për pensionet, por le ta lëmë për një moment mënjanë këtë sepse kësaj aq sa i dihet, aq dhe nuk i dihet.

Ajo që vlen sot të thuhet është që Berati i sotëm nuk ka krahasim me Beratin e djeshëm dhe për këtë flasin të gjitha faktet. Nuk diskutohet që në Beratin e sotëm, në këtë kohë të re kërcënimi që na përfshin dhe ne sepse jemi pjesë e një bote e cila ka hyrë në një kohë kërcënimi, sigurisht që jetesa nuk është e thjeshtë, aq më tepër pastaj nuk është e thjeshtë të përballosh një situatë të tretë radhazi, me një stres shumë të madh dhe nën një presion shumë të madh. Kjo është më e keqja e të trejave sepse nëse tërmeti goditi dhe vuri në stres gjithë popullin tonë, gjithë kombin tonë, në fund të ditës humbën fatkeqësisht disa jetë, u shkatërruan disa mijëra shtëpi ndërkohë që pjesa tjetër nuk u prek. Nëse pandemia i goditi të gjithë, përsëri një pjesë e madhe nuk u prek dhe ndryshe nga pandemia që mjafton të ruheshe dhe nuk të prekte dot, kjo e treta të gjen në shtëpi sepse kështu është edhe qëllimi, të të gjejë në shtëpi. Madje edhe po ta mbyllësh derën,  të kërkon poshtë derës nëpërmjet faturës së energjisë elektrike.

Kush thotë që nuk ka luftë dhe kjo fatkeqësia e tretë është një fantazi dhe këtu problemi është se Shqipëria është në rrezik për shkak të qeverisë e të tjerë, ose nuk di çfarë flet dhe është nën efektin e propagandës së shfrenuar të atyre që e dinë shumë mirë se çfarë flasin, por që nuk punojnë për interesin e këtij vendi sepse që ka luftë, kjo nuk diskutohet dhe nuk diskutohet po ashtu që kjo luftë është konceptuar për t’i hedhur bombat dhe për të shkatërruar Ukrainën me ato arsyet e mos arsyes që  dihen, por njëkohësisht për të gjunjëzuar gjithë perëndimin e Rusisë dhe në perëndim të Rusisë jemi edhe ne, në perëndim të Rusisë është gjithë bashkësia euro-atlantike të cilës ne i përkasim dhe për ta gjunjëzuar si? Me dy armë të krijuara enkas për të goditur çdo familje në të gjithë hartën e Europës, madje me pasoja në të gjithë botën.

Imagjinoni kur në Afrikë flitet për luftë dhe për pasojat e luftës, në Amerikë flitet për luftë dhe pasojat e luftës, në Amerikën Latine flitet për luftë dhe për pasojat e luftës, këtu në Shqipëri, në mes të Europës janë disa që duan me çdo kusht ta kthejnë përmbys këtë vend me pretendimin që nuk ka luftë dhe nuk ka luftë është fiks e njëjta që thotë ai zotëria që e ka nisur luftën në Kremlin, Vladimir Putin. “Nuk ka luftë”, thotë “Çfarë është kjo luftë? Ky është një operacion policor për ca nazistë në Ukrainë”. Ndërkohë që gjithë ato të tjerat thotë, “janë përralla, ç’lidhje ka Rusia me çmimin e energjisë, ç’lidhje ka Rusia me inflacionin e  luftës”? Ka shumë lidhje. Të dyja janë të krijuara, të fabrikuara enkas për të krijuar një turbullirë, për të çuar në stres ekstrem popujt, komunitetet, opinionet publike dhe për t’i goditur të gjithë qeveritë e vendeve demokratike, e vendeve të aleancës euro-atlantike nga brenda.

Imagjinoni tani kur nga brenda gjenden dhe shërbëtorë të gatshëm të vihen në dispozicion për interesat e tyre dhe hallet e tyre totalisht personale. Njerëz pa fe dhe thonë “është fyerje”. Jo, fyerje është e kundërta; fyerje është të vazhdojmë të dëgjojmë njerëz pa atdhe. Thonë “Është fyerje”. Jo, fyerje është e kundërta; fyerje është që të vazhdojmë të shohim njerëz pa din dhe pa iman. Thonë “Është fyerje”. Jo, fyerje është e kundërta; të vazhdojmë t’i kemi nëpër këmbë, jo nëpër këmbët e qeverisë por nëpër këmbët e këtij populli, që ka që në 1912 që përpiqet të dalë matanë detit, në kuptimin e kapërcimit të historisë dhe të shkrimit të një historie të re dhe nuk i ndahen. Një degë e shtrembër e pemës sonë gjenealogjike ku krijesa të mbushura me një ligësi dhe me një ankth të madh godasin vazhdimisht, helmojnë vazhdimisht, sokëllijnë vazhdimisht për t’i thënë shqiptarëve se ky vend është i mallkuar pa ua thënë drejtpërdrejt.

E sot ne jemi në këto kushte, kur këta njerëz janë të ekspozuar. Nuk janë më një hipotezë. As një krahasim metaforik në të shkuarën. Janë të ekspozuar njësoj si ata që janë vënë në këtë vend në shërbim të së keqes së këtij vendi, që kur ka lindur shteti shqiptar. Janë të ekspozuar sepse këta njerëz kanë marrë para. Këtë e di gjithë bota. Këtë e dini të gjithë ju. Kanë marrë para nga ai vendi që ka filluar tani këtë luftë dhe i kanë marrë paratë për të rrëzuar qeverinë e vendit të tyre. Gjysmë milioni dollarë! Për çfarë arsye një vend tjetër jep gjysmë milioni dollarë dhe pse pikërisht këtyre? Sepse ka pasur një garanci që do të thotë, sepse këta kanë dhënë prova. E sot, është shumë e qartë, të paktën njëra nga provat është publike se si kur ishin në qeveri të këtij vendi, bashkuan forcat me atë vendin atje, bashkuan votat me përfaqësuesit e atij që sot ka hapur luftë me Perëndimin dhe për çfarë e bënë? Për të goditur me akuzat më monstruoze Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Kosovën dhe Shqipërinë. Këta! Çfarë duhet të bëjnë më shumë këta dhe çfarë i duhet kërkuar më pak sesa çdo shqiptari që të jetë në lartësinë e nevojës që ka Shqipëria për ta mbrojtur me krenari Shqipërinë, pavarësisht gjithë problemeve që ka dhe për të qenë krenar për emrin shqiptar. Asnjë gjë më pak s’mund t’i kërkohet dhe kush e mbron me krenari Shqipërinë dhe kush është krenar për emrin shqiptar, nuk mund të përzihet me këtë lloj fare të keqe e cila siç ju thashë ka mbirë në 1912 dhe nuk i ndahet këtij vendi dhe nuk ka për t’iu ndarë deri kur shqiptarët, jo një shumicë, po të tërë të ndahen prej kësaj fare.

Ka 1001 arsye për të qenë të pakënaqur sot. Ka 1001 arsye për të thënë, “pse kjo qeveri nuk më pëlqen. Pse dua një qeveri tjetër”. 1001 arsye, por nuk ka asnjë arsye në botë, për tu ndarë me thikën e një konflikti ekstrem, a ka luftë, a s’ka luftë dhe a duhet ne të jemi krenarë për Shqipërinë dhe a duhet ne të jemi një kur flasim për Shqipërinë dhe kur flasim për shqiptarët apo duhet të jemi edhe këtu të ndarë?!

Faktikisht juve e patë çfarë ndodhi dhe çfarë po ndodh akoma me shqiptarët në Britaninë e Madhe. Përtej të gjitha gjërave që mund të themi këtu e mund të thuhen mes njëri-tjetrit këtu. Kur vjen puna për jo një komunitet shqiptarësh, 140 mijë që janë atje që iu bie djersa deri në fund të kurrizit nëpër punë nga më të vështirat apo që janë atje dhe nderojnë emrin shqiptar në lartësitë e botës akademike, por dhe për një shqiptar të vetëm sikur të ishte, një tek, shqiptar i vetëm, ne nuk mund të flasim në dy mënyra. Ne kemi vetëm një mënyrë për të folurnga çdo pozicion që jemi dhe nuk ka asnjë arsye të brendshme që justifikon që kur flasim atje, në gjuhën e tyre, për mediat e tyre, të merremi me çfarë na ndan këtu. Ne atje dhe kudo ku flasim për Shqipërinë duhet të merremi vetëm me atë që na bashkon ne me krenari të të qenit shqiptarë dhe duhet t’iu themi të gjithëve që s’ka rëndësi sa të mëdhenj, sa të pasur, sa të fortë janë që kur vjen puna te njeri me njeri, te popull me popull, te shtet me shtet ne duam po atë respekt që japim dhe ne nuk pranojmë kurrë që njerëzit tanë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë e aq më pak pastaj të quhen pushtues.

Si ka mundësi që ndërkohë është kjo që kërkohet dhe ndërkohë që është kjo gjëja më e natyrshme  dhe në ata 140 mijë që janë atje, një pjesë e tyre, e madhe apo e vogël nuk e di sa janë, mezi presin që të mos jetë kjo qeveri. E çfarë rëndësie ka kjo? Kjo s’ka pikë rëndësie. Qeveritë shkojnë e vijnë ndërkohë që emri i Shqipërisë mbrohet dhe lartësohet përditë, pavarësisht nga qeveritë.

E solla këtë shembull sepse faktikisht ne duhet të ndihemi mirë që i kemi dhënë një tjetër fytyrë Shqipërisë. I kemi dhënë një tjetër fytyrë të gjitha zonave të Shqipërisë. Që Berati sot të ketë mbi 300 mijë turistë, vizitorë të brendshëm ose të huaj nuk ka rëndësi, që vijnë këtu dhe që shënohen këtu. Kjo është diçka që hajde të çohet kush e imagjinonte vetëm 5-6 vite më parë. Kush e imagjinonte kur ne për të ardhur këtu dhe kur kërkuam besimin e njerëzve, s’kishte rrugë nga të vije. Ju kujtohet apo jo?! Nga Lushnja në Berat, s’kishte rrugë. Këtu ishte hoteli i famshëm historik edhe nuk e di ku tjetër mund të ndaloje, për të mos folur më thellë e më tutje.

Sot 300 mijë e kusur turistë vetëm këtu. E po ju them që në Berat ky numër do të shkojë 600 mijë, 700 mijë, 800 mijë dhe kjo pasuri vetëm sa ka filluar të zgjohet si një pasuri që i shërben njerëzve për të krijuar mirëqenie se kësaj i shërben turizmi. Në mes të kësaj pasurie që e ka falur Zoti, e kanë ndërtuar njerëzit më pas, çdokush duhet të ketë një mundësi. E të jeni të sigurt që çdokush do ta gjejë një mundësi. E nëse sot jemi akoma në kohën kur më shumë ikin sesa vijnë nga Shqipëria, koha kur më shumë do të vijnë sesa do të ikin, nuk është e largët. Nuk është e largët sepse dhe fantazia e madhe që nisu e ik atje, se atje është fushë me lule, po shkon drejt shterimit. Jo thjesht sepse nuk ka si vendi yt, sepse këtë gjë, unë nuk hyj tek ata që e thonë, “nuk ka si vendi yt. Prandaj lër çdo gjë andej dhe hajde këtu, nuk ka si kjo botë për mundësitë që ofron”. Patjetër, nuk ka si vendi yt, por ky nuk mund të jetë si shtrëngim apo një detyrim ose një imponim, kjo duhet të jetë një mundësi dhe që ky vend të ofrojë një mundësi më shumë sesa çdo vend tjetër duhet ende shumë kohë, duhet ende shumë punë, duhet ende shumë durim, por ama situata ku jemi sot na mjafton për të thënë që rruga është hapur dhe këtë rrugë e kemi hapur ne, nuk e kanë hapur të tjerët. Qeshin, përqeshin, përbuzin kur flasim për 24 orë ujë, por ka por ka 24 orë ujë sot? Sot që flasim në qytetin e Beratit ka 24 orë ujë! Tani, duhet të kemi ne turp ta themi këtë? Apo duhet të na vijë turp pse e bëmë 24 orë ujin, që 24 orë ujë në qytetin e Beratit s’ka patur as përpara, as në kohën e komunizmit. Duhet të kemi ne turp? Duhet të ndihemi ne në pozitë të vështirë? Se dëgjoj këta që thonë ose shkruajnë, “akoma flisni për ujë 24 orë, po si nuk keni turp”? Po pse të na vijë turp ne? Turp duhet tu vijë të gjithë atyre më parë që nuk bënë asgjë, përkundrazi gjithë këtë pasuri e kthyen në një sënduk në mbyllur e të hedhur në rrugë ku askush nuk kishte asnjë akses. Sot është komplet ndryshe siç është komplet ndryshe imazhi i Shqipërisë, sado që mundohen dhe nuk lënë dy gur bashkë për ta goditur çdo ditë, jo nga jashtë, nga brenda.

Sot pashë një nga revistat më të rëndësishme në botë të turizmit ‘Lonely Planet’ e cila e kishte vendosur Shqipërinë në 5 destinacionet kryesore për vitin 2023 dhe ju e keni parë këtë vit, meqë ky është vend turizmi, se sa shumë revista, sa shumë portale globale, sa shumë gazeta të mëdha globale kanë shkruar për Shqipërinë si destinacion dhe nuk është e rastësishme që Shqipëria në terma relativë ka rritjen më të madhe të vizitorëve dhe të turistëve krahasuar me vitin 2019, përpara se të godiste pandemia dhe nuk është rastësi që të gjitha këto investime që po bëhen në agroturizëm, në turizëm, po tregojnë që ja vlejnë sepse mund të shkosh të punosh në Greqi dhe mund të shkosh të punosh në Itali, e mund të shkosh në Angli e ku të duash, por nuk ka shans që nëse ti atje punon për dikë tjetër me një punë të zakonshme të fitosh sa ç’fiton duke ardhur këtu tek toka e stërgjyshit apo duke marrë një tokë me qira në çdo cep të Shqipërisë, le të jetë i largët sa të dojë dhe duke rindërtuar shtëpinë e vjetër apo duke ndërtuar një shtëpi të re për të hapur një derë dhe për të ofruar përveç bukurisë së jashtëzakonshme të natyrës, traditën, trashëgiminë, mikpritjen. Nuk ka, është pak por është e sigurt.

Kush hap një derë për mikpritje duke u bërë pjesë e gjithë lëvizjes që ka filluar për agroturizmin, fiton të paktën dyfishin e asaj që fiton duke qëndruar jashtë dhe duke punuar për të tjerët. Dhe atë dyfishin në fund e merr dhe pjesërisht e ri investon sepse me çfarë fiton atje do paguajë 1001 gjëra për të vazhduar të qëndrojë atje.

Thënë të gjitha këto, unë dua ta mbyll me dy gjëra.

E para, deri tani pavarësisht se koha nuk ka ndihmuar fare, ja dhe shiu që thashë se filloi, ndaloi prapë. Mbase po mendohet për ata që folëm, për xhagajdurët dhe u tremb, por e para, pavarësisht se koha nuk na ndihmon, arma që është krijuar për të ardhur dhe për t’ju goditur në çdo shtëpi, përmes faturës së energjisë deri tani është tërësisht e neutralizuar. Fatura e energjisë elektrike që shkon në çdo familje shqiptare ka të njëjtin çmim që kishte për kËh përpara se të niste kriza e energjisë dhe kriza e energjisë ishte preludi i asaj që erdhi më pas dhe mbase ndonjërit dhe i kujtohet, kur unë dola dhe thashë: “jemi përballë një krize energjie që po vjen drejt nesh”. Ju kujtohet besoj, kujt i kujtohet kjo i kujtohet dhe tjetra që thanë “ky vetëm fatkeqësi do se ky ndryshe nuk qeveris, se ky di të qeverisi vetëm përmes fatkeqësive. Nuk ka krizë”. Në fakt, e vërteta është që në ato faturat e energjisë elektrike 20% deri në 30% paguani ju, paguajmë ne familjarët dhe 70% deri 80% i paguan qeveria përmes buxhetit dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Ka një kosto shumë të lartë, por jo vetëm për familjarët por dhe për biznesin e vogël se në rast se ne nuk mbrojmë çmimin për biznesin e vogël, atëherë çdo dyqan ku njerëzit shkojnë për të blerë do paguajë energjinë më shtrenjtë dhe në rast se do paguajë energjinë më shtrenjtë do t’ju kalojë një pjesë të kostos njerëzve tek ato që blejnë.

Duke mbrojtur çmimin edhe për biznesin e vogël ne kemi bërë që ky inflacioni i luftës që është arma tjetër që nuk neutralizohet dot siç është neutralizuar deri tani çmimi i rritur i energjisë, të mos jetë aq agresive sa ç’është në vendet e tjera të rajonit. Dhe tërmeti, pandemia, kjo luftë e cila vetëm për të mbajtur mburojën financiare tek familjet dhe tek biznesi i vogël që të mos i godasë çmimi i energjisë, vetëm për këtë, kushton në total këtë vit që po flasim, pra deri në fund të vitit mund të shkojë deri 420 milionë euro. Pa llogaritur paketat mbështetëse, pa llogaritur të tjerat. Sikur të gjitha këto të mos kishin ndodhur, sigurisht që të gjithë këto të ardhura do të kishin shkuar për të pasur shumë më tepër gjëra në aspektin e atyre që njerëzit kërkojnë, patjetër, por këto ne nuk i zgjodhëm, këto na zgjodhën. Dhe ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër përveçse të përballemi dhe edhe nga kjo situatë të dalim më të fortë, siç dolëm më të fortë dhe siç po dalim më të fortë, se ky nuk është slogan, ditë për ditë ata që humbën shtëpitë nga tërmeti sepse sot kanë dhe po hyjnë përditë në shtëpi që as nuk mund t’i kishin kurrë me mundësitë e tyre dhe të gjitha këto shtëpi i kanë falas. Janë pasuri të reja si rezultat i kthimit të një krize në një mundësi për ata njerëz, janë shumë, nuk janë pak, janë mijëra e mijëra familje.

Po kështu sot ishim tek Spitali i ri Infektiv, një spital që mund ta vendosesh në çdo kryeqytet të Europës dhe qëndron pa asnjë lloj ndryshimi. Por jo vetëm ai, por një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës shëndetësore sot, janë gjëra që janë bërë me shumë vështirësi dhe do vazhdojnë të bëhen.

Ama e dyta që dua t’ju them dhe këtu është mbyllja, shikoni se çfarë ndodh këto ditë me investimin më të madh direkt të huaj, në rajonin tonë që është investimi për transformimin e Portit Detar të vjetër, ndotës në mes të qytetit të Durrësit në një port turistik që do të jetë ndër më të mëdhenjtë në Mesdhe. Dhe pse është e rëndësishme edhe për Beratin, edhe për Korçën, edhe për Tropojën, edhe për Kukësin, për të gjithë sepse ai Port do të jetë një portë e madhe e hapur e një Shqipërie që ndryshoi komplet pozicionin në drejtimin e destinacioneve turistike të Mesdheut dhe duke ndryshuar komplet pozicionin, nuk do të jetë atraktive vetëm për të ardhur tek porti, por do të jetë atraktive për të shkuar më thellë dhe për të parë më shumë.

Shikoni sot Malin e Zi. Mali i Zi ende sot me pagat më të larta në rajon, prej kohësh, prej disa kohësh. Pse Mali i Zi ka pagat më të larta në rajon? Çfarë ka Mali i Zi? Nuk ka ndonjë industri nxjerrëse, nuk ka ndonjë veprimtari të madhe. Sepse Mali i Zi ka ndërtuar shumë vite më parë një port që është shumë më i vogël sesa ky që do bëjmë ne, që është shumë më pak atraktiv sot, në kontekstin e sotëm, por që në atë kohë ishte një portë e madhe e hapur në Mesdhe, e re, e cila bëri pikërisht këtë që po iu them; e ngriti Malin e Zi në një nivel tjetër dhe e shkëputi komplet nga gjithë pjesa tjetër e rajonit, duke bërë që përmes kësaj porte të hyjnë turistë që shpenzojnë shumë dhe të hyjnë investime që sjellin shumë më tepër punësim cilësor dhe paga të larta.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me portin e Durrësit.  Ndërkohë që, ne paralelisht po ndëtojmë edhe Portin e Ri Tregtar, një port tregtar për sfidat ekonomike të kësaj kohe sepse porti ekzistues i Durrësit është njësoj, në të gjitha aspektet siç ishte Stadiumi Kombëtar në Tiranë që nuk pranonte të luante më asnjë skuadër e huaj dhe që UEFA dhe FIFA thanë stop.

Dhe një port tregtar i përmasave që ne duam dhe duhet të ketë Porti Tregtar, më i madhi i Shqipërisë që është kthyer sot në një nyje shumë strategjike, por s’dua ta zgjas këtë temë tani,  duke përpunuar volume shumë më të mëdha se ç’mund të përpunojë ky ekzistuesi, – është një vlerë e shtuar, por është njëkohësisht edhe një vepër që nuk mund të ndërtohet në mes të qytetit në të gjitha rastet.

Ajo që po bëjmë sot në vitin 2022, pas nuk e di sesa u bënë kohë vajtje-ardhjesh negociatash, etj, etj, është ajo që kanë bërë të tjera qytete që janë kthyer në histori të mëdha suksesi në Mesdhe. Mjafton të shikosh Barcelonën që ishte përpara lojërave olimpike një qytet komplet i zhytur në probleme  dhe që filloi të ndryshojë komplet trajektoren dhe një nga gjërat që bëri, ishte pikërisht ndryshimi i destinacionit të Portit të Vjetër ekzistues dhe kështu të tjera e të tjera. Por, arsyeja pse të gjithë duhet të shikojnë sot çfarë po ndodh, – të gjithë dhe të gjithë duhet ta ndjekin këtë luftë barbare të atyre të mallkimit të 1912-ës, – është për të kuptuar se çfarë janë në gjendje këta t’I bëjnë çdo shqiptari, çdo shqiptari që do ta shikojë mirë këtë vend, sepse ajo që ne do të bëjmë në Durrës do të impaktojë jetën e çdo shqiptari, direkt ose indirket, dhe aty është faktikisht një vijë e madhe, një vijë e thellë ndarëse, mes atyre qe janë krenarë për këtë vend dhe duan që këtë vend ta bëjnë gjithnjë e më shumë një arsye që të tjerët, fëmijët, nipërit, mbesat të jenë gjithnjë krenarë dhe atyre që e duan  këtë vend në koshin e plehrave në rast se nuk e kanë për vete.

Ky është dallimi atje dhe nuk diskutohet që ne do ta bëjmë portin Turistik të Durrësit, dhe nuk diskutohet që ne do t’i bëjmë të gjitha ato gjëra për të cilat e kemi nisur këtë rrugë dhe nuk diskutohet që për këdo që do të shikojë se ku ne do të arrijmë, mjafton të kthejë kokën dhe të shohë se nga ku ne u nisëm, dhe të dëgjojë këtë fjali, në raport me nga ku ne u nisëm, këtu në Berat, këtu tani, këtu është një pamje si një fushë e një stadiumi. Ishte një fushë plehrash këtu, këtu s’mund të bëheshin takime.

Ishin mbushur me plehra, me ferra. Siç është këtu Kalaja, siç është Berati, siç është gjithë Shqipëria si dita me natën në raport me ku ishte, në raport me ku ne duam, dhe duhet dhe ku do të shkojmë, jemi akoma në të gdhirë.

Pra, unë nuk flas për diellin që po ndriçon, nuk flas për gjërat që po shkojnë për mrekulli, nuk flas për sa të lumtur duhet të jenë njerëzit dhe sa mirë duhet të ndihen dhe si  ka mundësi që nuk rrinë nga mëngjesi deri në darkë të lavdërojnë qeverinë, jo, unë fare. Jam shumë i vetëdijshëm për të gjitha ato që mungojnë dhe të gjitha ato që duhen, por ama një gjë është e sigrutë, që ne e dimë shumë mirë edhe se çfarë mungon, edhe se çfarë duhet, edhe se çfarë ne nuk kemi bërë mirë, edhe se kush punon, e ka të pamundur që të mos bëjë gabimet e veta, por edhe se ne jemi absolutisht, pa diskutim, të vetmit, jo që mund ta bëjmë këtë punë, por që mund ta bëjmë Shqipërinë krenare.

Shumë faleminderit!