Gratë dhe vajzat e Elbasanit ishin sot mikpritëset e takimit elektoral të zhvilluar në Pallatin e Sportit të qytetit, dedikuar forcës, guximit dhe kurajës së tyre për të ecur vetëm përpara.
* * *
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama: Më pyeti një mik para nja dy ditësh, “Ore çfarë janë këto takime që bëni ju?”- tha. “Takime në rrugë ku mbillni pemë dhe takime nëpër pallate sporti dhe sheshe të mëdha vetëm me gra”. I thashë, “besoj që është mënyra më e mirë për ta bërë këtë fushatë”.
E para, duke kursyer një pjesë të konsiderueshme të fondeve që Partia Socialiste ka në dispozicion për propagandën elektorale për zgjedhjet për të blerë pemë, për t’ia dhuruar bashkive dhe për të lënë pas kësaj fushate më shumë se 25 mijë pemë në qytetet e vendit, në vend se të shpenzojmë për të varur flamurë të Partisë Socialiste nëpër shtylla, për të ngjitur postera nëpër të gjitha muret e qytetit me kandidatët, për të vendosur skena të mëdha me foni e me të gjitha këto që mund t’i bëjmë vetëm në pjesën e fundit të fushatës dhe e dyta, me gratë sepse mua eksperienca më ka mësuar që Margaret Thatcher kishte të drejtën e Zotit kur thoshte “Nëse do të bësh muhabet, ulu bëje me burra. Nëse do të mbarosh punë, çohu dhe mbaroje me gra”.
Kur unë kam filluar këtë mision në krye të Partisë Socialiste, ka qenë një pasqyrë komplet tjetër e realitetit të grave dhe vajzave në Partinë Socialiste, në të gjitha rolet kryesore, 99% ishin burra. Në të gjitha mbledhjet e strukturave drejtuese 85% ishin burra dhe është dashur vërtetë një punë e madhe, është dashur vërtetë një përpjekje e madhe, janë dashur hap pas hapi e pas hapi që këtu në Elbasan, edhe pse gratë dhe vajzat kanë qenë në shumicë krahasim me pjesën tjetër, më palën tjetër në mbështetje të partisë sonë kudo, ne të kalojmë nga një realitet ku jeta bashkë me disa prej grave socialiste dhe duke luftuar deri në kapje për flokësh, në kuptimin metaforik, jo real, me burrat për të pasur një vend dhe për të pasur zërin e tyre, sot janë bashkë me kaq shumë gra dhe vajza që vijnë këtu vetëm nga bashkia e Elbasanit.
Më vjen mirë edhe për një gjë tjetër që sekretari jonë i përgjithshëm Damiani, që përgjithësisht është njeri skeptik për ato që unë besoj se ne duhet të bëjmë, se do gjithmonë që të jetë i sigurt në gjërat që bën, tani është bindur përfundimisht që pa gratë dhe vajzat Partia Socialiste jo vetëm nuk ka ku shkon, por përkundrazi, vetëm me gratë dhe vajzat mund të shkojë më larg përpara sesa të gjithë të tjerët.
Faleminderit shumë Jeta dhe dua një duartrokitje të madhe për Jetën dhe për të gjitha socialistet e brezit të parë të këtij transformimi.
Nuk a qenë dhe nuk është e thjeshtë. Sot ne kemi pjesën më të madhe të qeverisë me ministre gra, sot ne kemi 50% të Këshillit Bashkiak, pjesën më të mirë të Këshillit Bashkiak për hir të vërtetës, me gra dhe vajza në Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë. Sot ne kemi më shumë sesa 50% të drejtueseve në gjithë institucionet në administratë që janë gra dhe vajza sepse është bërë një proces i rëndësishëm dhe edhe me imponim, duke i imponuar që të vendosen kuotat me ligj, duke imponuar që të shikohet nga gratë dhe vajzat shumë më tepër sepse, parafytyroni vetëm për një moment sikur ju të merrnit një 15-ditësh, jo më shumë, pushime larg Elbasanit dhe në Elbasan të mbeteshin vetëm burra dhe djem dhe shtëpinë t’ia lenit burrave dhe çunave ta pastronin, rregullonin, parafytyroni se çfarë do kishit gjetur pas 15 ditësh këtu.
Më besoni, nuk është ekzagjerim, është e njëjta gjë sikur t’i nxjerrësh të gjitha gratë nga qeveria, nga bashkia, nga institucionet dhe t’i mbushësh me burra, më besoni, është e njëjta gjë. Do ta çonin këtë vend jo mbrapa, por mbrapa dhe poshtë në gropë dhe jo për shumë kohë, por për shumë pak kohë.
Më besoni që ata burra që janë përballë në fletën e votimit në zgjedhjet e 14 majit janë tre burra; dy në Tiranë, njëri nga ata të dy nuk mundet as ta shënojë emrin në fletë të votimit sepse është non-grata,. Tjetri nga ata të dy e njihni mirë se e njohim mirë, i kemi bërë të gjitha që ta sjellim në rrugë të mbarë, por nuk i ndahet rrugës mbrapsht dhe nuk ka lidhje fare me të shkuarën përpara. Kurse, i treti është këtu në Elbasan. Është këtu në Elbasan dhe më besoni, unë mendoja që Lul Basha ishte kulmi i artistit që të rren edhe kur e pyet sa është ora, por Luli është shumë më i vërtetë dhe shumë më serioz sesa Luluçi që keni ju këtu.
Unë nuk besoj që në historinë e zgjedhjeve, jo në Shqipëri, por në botë, ka pasur ndonjë kandidat që e ka filluar me një skenë filmi, kandidati bashkë me një investitor, konsulent që do sillte 400 milionë euro këtu në Elbasan, që dalin përpara popullit dhe firmosin marrëveshjen dhe në marrëveshje thuhe: “Kryetari i ri i bashkisë”, një status që nuk ekziston. Nuk ka “Kryetari i ri i bashkisë”, ka, o je kryetari i bashkisë, o je një artist i ri që ke dalë në skenë për tu tallur me popullin tënd. Nuk ka “Kryetari i ri i bashkisë” në kontratë dhe firma e konsulencës dhe më e bukura është që as njëri nuk është kryetari dhe as tjetri nuk është konsulenti. Njëri gënjen për llogari të atyre të dyve në Tiranë, tjetri gënjen për llogari të këtij këtu në Elbasan sepse ai konsulent nuk ekziston.
Ka pas qenë dikur një artist shumë i madh në Tiranë, Tit Sojli. Shiste Sahatin e Tiranës. Shkonte tek treni, zbrisnin njerëz që vinin nga rrethet, i thoshte “hajde me mua se kam një gjë për të shitur”. Arrinin tek sheshi, është histori e vërtetë, ithoshte: “E sheh sahatin?” – “E shoh”. – “A do me e ble?” – “Po, mo, po e blej. Sa bën?” – “10 mijë lekë”.
I jepte 10 mijë lekëshin ai i shkreti. Ky merrte 10 mijë lekëshin dhe ikte. Sahati mbetej aty, po ai ishte një njeri në një kohë tjetër e në fund të fundit bënte një lojë me njerëzit në një nivel shumë individual, kurse Luluçi, njësoj si Luli, kjo kategori njerëzish, nuk e kanë për problem fare që të përpiqen të gënjejnë të gjithë popullin. Kush ta hajë, ta hajë.
Njësoj si ata të piramidave që dilnin nëpër rrugë dhe e bënë fushë me lule jetën dhe pastaj e përvëluan gjithë Shqipërinë. Dhe pastaj hapi i dytë që ky njeri bën, se m’i çon Damiani se e di që unë qesh shumë me këtë dhe m’i çon. Shihe, shihe, thotë.
Është shumë i madh. Është i jashtëzakonshëm, është artist. Më heq edhe malin e Lulit se më ka marrë malli për Lulin. Hapi i dytë, thotë Elbasani është një shesh xhirimi, do ta bëjmë qendër për xhirimin e filmave.
Domethënë do ta bëjë Elbasanin kinostudio edhe vetë do jetë aktori kryesor. Nëqoftëse elbasanllinjtë do ta hanë atë tek, që të shkojnë në datën 14 e t’i japin votën këtij, gjë që s’ka për të ndodhur kurrë, po unë po them se çfarë mendon ai.
Dhe prandaj do më falni që t’ju drejtohem jo juve, po t’u drejtohem grave dhe vajzave të Elbasanit që janë nëpër shtëpitë e demokratëve e të djathtëve të Elbasanit. Se Elbasani ka një pjesë që realisht beson, realisht mendon, realisht ndihet e djathtë. Unë dua t’i drejtohem grave dhe vajzave atje.
Tani si mund t’i lejoni burrat tuaj të dalin nga shtëpia në datën 14 e të shkojnë tek qendra e votimit dhe aty të votojnë një njeri që thotë do e bëjë Elbasanin shesh xhirimi dhe një njeri tjetër që nuk ka lidhje në botë me të djathtën e me Partinë Demokratike, Like Floririn, i cili sa herë i është afruar Partisë Demokratike, sikundër dhe partisë tonë, i është afruar vetëm për të kafshuar dhe për të gllabëruar ça të mundet nga trupi i saj?
Kjo është një gjë që është jashtëzakonisht e rëndë në dy aspekte: njëri aspekt ka të bëjë me atë që thashë, me faktin që këta njerëz nuk kanë lidhje fare, fare, as me të djathë e as me të majtë dhe me asgjë tjetër dhe mbi të gjitha janë ndërkohë njerëz të padëshirueshëm për aleatët tanë më të mëdhenj strategjikë, por edhe aleatët tanë evropianë. Europa nuk e ka praktikën të nxjerrë non grata njerëz të caktuar por Europa nuk ua hap derën kurrë atyre që i nxjerr non grata aleati ynë strategjik, SHBA. Atëherë çfarë është kjo? Si mundet gjithë ajo familje, gjithë ai komunitetit, gjithë ajo bashkësi njerëzish që besojnë tek e djathta të mos kenë asnjë lloj oferte tjetër përveçse të shkojnë pas një non grate dhe detyrohen që në fletën e votimit të vënë kryqin për Like Floririn? Si ka mundësi?
Ka mundësi dhe kjo është ana tjetër e medaljes dhe kjo është arsyeja e dytë pse as nuk duhet t’i shkojë mendja kujt e do me të vërtetë Elbasanin që të vazhdojë të shkojë përpara, kujt e do vërtetë Elbasanin që të jetë një qytet i pastër, kujt e do vërtetë Elbasanin një qytet ku çerdhet, kopshtet, shkollat të bëhen gjithmonë e më të mira, kujt e do vërtetë Elbasanin që punësimi të vijojë të rritet, që investimet të vazhdojnë të rriten, ku e ardhmja të vazhdojë të afrohet më shumë që për të zgjedhur njeriun që do marrë Elbasani në punë për të bërë gjithë këto punë, ta çojnë votën tek këta njerëz që janë pa lidhje me punën. Këta nuk e duan fitoren në Elbasan që ta bëjnë Elbasanin më të bukur, më të pastër, për ta bërë Elbasanin me më shumë investime, për të sjellë në Elbasan më shumë shpresë, më shumë të ardhme sikundër ne.
Këta e duan për ta marrë peng politikisht, për ta kthyer në një kështjellë të tyre, për t’i rezistuar drejtësisë se dy të parët, se Luluçi s’ka probleme me drejtësinë. Luluçi është thjesht dhe vetëm një aktor. E kanë marrë për të luajtur një film dhe filmi quhet “kryetari i ri i bashkisë”. Kështu e ka titullin filmi “Kryetari i ri i bashkisë’’.
Regjisoret , producentët dhe ata që janë të interesuar për ta shpërndarë këtë film me këtë aktor, janë dy njerëz për të cilët drejtësia vonon, vonon shumë, prej kohësh po nuk ka më asnjë shans të harrojë, asnjë shans.
Ndërkohë gratë dhe vazjat, nënat, përsëri po ju drejtohem nënave demokrate, e kuptojnë më mirë këtë që po them se burrat nuk e kanë ndonjë problem edhe kur ka plehra, përgjithësisht, s’ka problem; burrat nuk e kanë ndonjë problem të madh edhe kur nuk funksionon ndriçimi në rrugë, s’ka ndonjë problem; burrat nuk e kanë ndonjë problem të madh se si është çerdhja, si është kopshti, si është shkolla e kalamajve, këto janë të gjitha probleme të mëdha të nënave dhe një nënë sado e djathtë të jetë, nuk mund të vërë në rrezik, për asnjë sekondë, punën për këto gjëra për shkak të tifozllëkut.
“Jam e djathtë”, shumë mirë. “Nuk dua ta shoh me sy Edi Ramën”. S’ka asnjë problem. Ndërro stacion sa herë dal unë, ndërro stacion, je në rregull.
Ke nostalgji, do të shohësh e do të dëgjosh çfarë thotë non grata? Shko tek ai syri i ‘’zorrës qorre’’, rri gjithë ditën atje, shihe, dëgjoje, kënaqu, por jo kur vjen puna tek gjërat qe kanë të bëjnë me jetën e përditshme sepse ne nuk jemi më të mirët, nuk diskutohet, ka absolutisht gjëra që ne duhet t’i kishim bërë më mirë . Ka gjëra për të cilat unë nuk jam krenar, por ne jemi shalqi me provë dhe në zgjedhjet e 14 majit është njësoj si të shkosh në pazar për të marrë kalin për karrocën. Kur do të tërheqësh karrocën përpara, nuk shkon të marrësh, nuk e di, se s’po përmend se të gjitha kafshët që mund të përmend, janë më të respektueshme sesa njerëzit që s’dua t’i përmend fare, që ju i dini dhe që duhen lënë prapa.
Duhen lënë prapa!
Sot Shqipëria është më e respektuar se asnjëherë tjetër në sytë e botës. Në Shqipëri sot Bashkimi Europian vjen dhe bën samitin e parë në historinë e vet, jashtë kufijve të BE. Shqipëria sot është vendi që po përgatitet për të mikpritur takimin vjetor të Procesit të Berlinit, sot Shqipëria është e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria kishte presidencën e OSBE-së. Shqipëria është një vend ku numri i turistëve po rritet çdo vit në mënyrë eksponenciale.
Shqipëria sot shikohet si një vend i vogël, por shumë i besueshëm dhe shumë i respektueshëm nga komuniteti ndërkombëtar dhe nuk shkon më në tryezat ndërkombëtare as me kokën ulur, as duke mbajtur pantallonat se mos i bien.
Shqipëria nuk është e jona, e socialistëve, Shqipëria është e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mendojnë mirë se një votë që shkon në drejtim të non gratave është një votë që e dëmton Shqipërinë në sytë e atyre, falë të cilëve, ne kemi pasur një mbështetje të jashtëzakonshme për të shkuar përpara dhe me të cilët ne do shkojmë vetëm përpara.
Problemi këtu është që këta nuk dinë të bëjnë asnjë gjë, përveçse të bëjnë dëm, përveçse të rikthejnë pisllëkun, përveçse të rikthejnë problemet, se po të dinin të bënin gjë do të kishin mundësi të na e tregonin, do kishin mundësi të na thoshin: shiko, ju socialistët krenoheni se ç’keni bërë me Tiranën, se ç’keni bërë me Vlorën, se ç’keni bërë me Elbasanin, me Korçën, me Malësinë e Madhe etj, por edhe ne kemi bërë. Kemi bërë këtë e atë, e atë.
Më tregoni dot një bashki të vetme në 31 vjet që ka zgjedhje pluraliste vendore në Shqipëri që ata e kanë marrë drejtimin dhe kanë bërë atje një shembull siç morëm për shembull, siç morëm ne Belshin që ishte një gropë plehrash me një liqen që rrethohej nga plehra, me njerëz që donin vetëm të iknin, pa asnjë rrugë, pa drita në rrugë, pa çerdhe, pa kopshte, pa shkolla dhe sot e kemi bërë Belshin destinacion turistik. Nuk ka asnjë. Më besoni, nuk ka asnjë.
Tropoja na e dha ne mundësinë për herë të parë sepse nuk kishte, sepse ata bojkotuan zgjedhjet dhe ne morëm Tropojën si përgjegjësi për ta drejtuar 4 vjet.
Tropoja në 4 vite ka ndryshuar më shumë sesa në 104 vite dhe falë drejtimit tonë, ndërkohë që ata aty ku ne nuk kemi pasur asnjëherë mundësi të tregojmë se çfarë dimë të bëjmë për njerëzit pavarësisht se me kë janë, të majtë, të djathtë, është Shkodra. Ka që në vitin 1992 që ata drejtojnë Shkodrën. Shkodra është sot e vetmja bashki, ku plehrat rrinë mbi kazan për dy e tre ditë akoma.
Kështu që, unë mendoj që ju jeni me fat që në këtë fushatë keni një njeri me të cilin mund të bëni humor dhe mund të qeshni, këtë aktorin Luluç që më kujton Koçin e teto Ollgës, po ta shihni me kujdes kush e mban mend filmin “Zonja nga qyteti’ atë dhëndrin me ato breshkat dhe me çizmet meksikane që vinte vërdallë nëpër fshat, ai është fiks, fiks Luluçi, Boçja që nuk ka për të çel në Elbasan.
Dhe qeshni me të, pranojeni si një element dekorativ komik të fushatës dhe mobilizohuni dhe mos lini grua, mos lini vajzë pa e porositur: foli burrit t’i thërrasë mendjes dhe nëse është aq i djathtë saqë nuk e zë gjumi, të flejë gjumë në datën 14, mos të dalë të turpërojë shtëpinë, duke shkuar të vërë kryq te Like floriri.
Tani, unë e fitova, nuk humbas, por e fitova sfidën e parë me Damianin, i thashë: do ta shikosh që vetëm me gratë e bashkisë së Elbasanit pallati do mbushet dyfish sa çu mbush me burrat e Luluces. Tani, sfida e dytë është a do ta shohë tani gjithë dynjaja sesi gratë e Elbasanit çohen në këmbë edhe kërcejnë ‘të hëngsha zemrën’. Por realisht duhet, se ky është një mesazh që do t’ia çoni grave të Fierit, të Durrësit dhe atyre grave të tjera socialiste që po qe puna për ta ‘hengër zemren’ hahet zemra në Elbasan.