Fjala e Kryeministrit, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama me të rinjtë e të rejat gjatë prezantimit të kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit:
Shumë faleminderit dhe përgëzime për këtë organizim të veçantë të prezantimit të deputetëve!
Në të vërtetë, simbolikisht ky format prezantimi thotë dhe diçka tjetër që është përtej vetë emrave që u prezantuan që kjo është një hapësirë, Partia Socialiste, ku tanimë është koha për t’i dhënë gjithnjë e më shumë zë atyre që janë më të rinj, për t’i dhënë gjithnjë e më shumë zë vajzave dhe djemve që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës, që vijnë nga qendra apo periferia, që vijnë nga kryeqyteti apo nga qytete të tjera, që vijnë nga qyteti apo nga fshati dhe që kanë dëshirë të thonë fjalën e tyre dhe nga ana tjetër, kanë edhe këmbënguljen që të dëgjohen për fjalën që thonë dhe unë jam shumë i lehtësuar, kjo është fjala e duhur, i lehtësuar, që pas një përpjekjeje jo të shkurtër, e kemi nisur që në shtator këtë proces me të gjithë drejtuesit politikë, ne kemi arritur që t’i japim shqiptarëve kudo ku janë, në Shqipëri ose jashtë kufijve të Shqipërisë dhe t’i japim çdo qarku, t’i japim çdo bashkie, t’i japim çdo komuniteti një mundësi zgjedhjeje që nuk e ka pasur më parë duke i dhënë përmes kësaj skuadre dhe një ide të qartë se cila do të jetë, jo vetëm skuadra jonë përfaqësuese e mandatit të 4, por se cila do të jetë Partia Socialiste e 2030 dhe një nga deputetët tuaj në Kuvend do të jetë Bora por mos harroni, kijeni parasysh që 4 vite më parë Bora ishte si një prej jush, si njëri apo njëra prej jush që konkurruan përmes platformës Deputeti që Duam dhe që nuk shkoi në Kuvend.
Nuk shkoi në Kuvend megjithatë filloi një rrugëtim dhe sot ajo vjen pas një eksperience në një rrugë të filluar nga një aplikim me shpresën se aplikimi nuk ishte thjesht një lojë nga ana jonë, por ishte një mundësi dhe të jeni të bindur që mundësitë e shtuara për ata që janë më të rinj janë sot qëllimi im më i madh në mënyrën sesi unë besoj se Partia Socialiste duhet të kryejë me sukses duke fituar, duke qeverisur por dhe duke ndryshuar dhe duke përgatitur kalimin e stafetës nga një gjeneratë tek tjetra dhe mos harroni që dikush këtu nga vajzat dhe djemtë e prezantoi Evisin si politikane me përvojë. Në të vërtetë, Evisi që po, është sot një politikane me përvojë, e ka nisur këtë rrugëtim si një pedagoge mosbesuese si fillim sepse mund të përfshihej në politike, se këta të Kalasë janë dhe kështu që të shohin dhe e mendojnë 7 herë përpara se të vendosin herën e 8-të dhe pastaj ta thonë vetëm herën e 9-të se çfarë konkluzioni kanë nxjerrë dhe si Evisi janë dhe të gjithë të tjerët, edhe Arbi dhe të tjerë që sot janë në pozita drejtuese edhe në qeveri, janë pjesë e një gjenerate që hyri në Partinë Socialiste për të marrë një stafetë dhe sot është koha për të përgatitur kalimin tjetër të stafetës dhe sot është koha kur deputetët që janë në skuadër që vijnë nga platforma Deputeti që Duam apo vajza dhe djem që kanë aplikuar në platformë, por që nuk janë pjesë e skuadrës këtu në Elbasan apo në të gjithë Shqipërinë apo edhe ndonjë nga këta që folën që do ketë kurajon të dalë prapë në skenë dhe pas lapsuseve nga emocionet, që do ketë këmbënguljen të vazhdojë të punojë do jenë ata që shumë më shpejt sesa duket sot do të përfaqësojnë Partinë Socialiste kur Partia Socialiste të jetë në krye të punëve përsëri në Shqipërinë që do të jetë anëtare e Bashkimit Europian.
Mua më vjen shumë mirë që ne kemi arritur që t’ju japim shqiptarëve mundësinë që të zgjedhin duke zgjedhur Partinë Socialiste të zgjedhin partinë më të re dhe partinë më të vjetër, të zgjedhin partinë me më shumë vajza dhe djem por dhe partinë me më shumë eksperiencë sepse kjo nuk është një zgjedhje si zgjedhja e një kontesti bukurie, as zgjedhja e një gare se kush është më i riu; kjo është një zgjedhje për të vendosur se kush do të qeverisë Shqipërinë, kush do të administrojë punët e përbashkëta të vendit dhe aq sa është e rëndësishme që të ketë shumë të reja dhe të rinj siç kemi ne në skuadër dhe ne të rejat dhe të rinjtë nuk i kemi si dekor, nuk i kemi as si mbulesë me lule të një tavoline të vjetër, nuk i kemi lënë në gjithë në fushën e betejës duke e kyçur brenda në listat e mbyllura të gjithë ata që, në fakt, janë në një masë të madhe në rastin tonë në fushë të betejës. Unë bashkë me pak të tjerë jemi në listat e mbyllura për arsyen e thjeshtë sepse donim që të mos zinim hapësirat e garës.
Nga ana tjetër, është e sigurt sot, që sot, që një pjesë e atyre që janë në listën e parlamentit të ardhshëm, siç është Adi këtu për shembull, janë deputetë apo Ermali, pra janë deputetë, janë sot deputetë dhe këtu në Elbasan këtu keni një shembull tipik të këtij dallimi, Dash Sulën. Dash Sula, që unë i them gjeli i detit, fitoi primaret. Dash Sula është, po i thosha qëparë, “Nëse mua do më thonin që nga të gjithë këta që dalin e flasin aty në parlament hiqe njërin”, unë Dash Sulën do hiqja sepse është më i vështiri dhe më i lodhshmi që del atje. Është tamam gjel deti, nuk mundej dot ta mbante këneta dhe e nxori jashtë komplet pavarësisht se ai fitoi primaret, mua më vjen mirë që Dash Sula nuk do jetë në parlament, që të kuptohemi, dhe nuk ka gjë më të ëmbël në këtë lloj fushe kur kundërshtarin më të vështirë ta vret kundërshtari i vet, por kjo për të thënë që heqja e tij apo heqja e disa të tjerëve që dolën, siç ishte kryetari i Partisë Demokratike të Kavajës. Ai doli i pari në të gjithë primaret e Tiranës, ai nuk figuron në listë fare.
Apo të tjerë akoma, njerëz me vota, ato votat e kënetës, po vota. Çfarë tregojnë ato në tërësinë e tyre? Pse i hoqën? Sepse në fakt ne kemi bërë një listë dhe kemi përgatitur një skuadre për të qeverisur sot dhe për të siguruar që Shqipëria edhe pas hyrjes në Bashkimin Europian është në duart e sigurta të një force politike që në përpjekjen e vet për të ndryshuar Shqipërinë ka në ADN-në e vet ndryshimin e vetvetes. Ndërkohë që ata bufi, është përgatitur për opozitë. Dash Sula nuk është hequr për 11 majin, është hequr për 12 majin. Edhe si Dash Sula edhe ai kryetari demokrat i Kavajës është heq për 12 majin. Edhe shumë të tjerë njerëz që nesër mund të ishin potencialisht rrezik. Se kur bufi të dali të thotë me 12 maji, “na i vodhën” “çohuni” “revolucion” “të largojmë mafien Rama ik” zor se gjeli i detit do ti shkonte mbrapa bufit të kënetës dhe gjithë bretkosave që janë mbledh aty për të bërë këtë budallëk dhe 4 vjet të tjera. Edhe bufi i mori dhe i kullufiti një e nga një. Po Dashi i shpëtoi sa e kishte këtu në gurmaz duke e gëlltit, fluturoi gjeli edhe është i lirë nëpër fushat e Peqinit.
Se po më tregonin që kishte dalë bufi, e kishte pranuar që është buf njëherë, ky është hapi i parë, mirëpo më tregonin që kishte thënë se bufi është një gjë shumë e mençur që në shekuj është vlerësuar për mençurinë e vet dhe që e kanë mbajtur si simbol. Po patjetër! Bufi ai i kënetës së vërtetë meriton respekt, po jo kur bufi vjen në Tironë me bo politikë. Për kënetën e Karavastasë jemi gati të gjithë ta mbështesim bufin e kënetës në Tironë, të shkojë në Karavasta, po jo buf kënete i vesh me kostum edhe me kravatë që na tregon ne se si do të bëhet Shqipëria madhështore me Kujtim Gjuzin. E meqë ra fjala ai Kujtim Gjuzit i merr të keqen. Se është më seriozi se të gjithë në atë koalicion, boll ti shofësh mustaqet, të paktën i ka një palë mustaqe madhështore, se këta të tjerët.
Tani përtej kënetës, bufit të kënetës e përtej të gjithë moçalishteve përtej kentës, sepse kjo është në fakt e gjitha. Ne jemi në mes të 2 zgjedhjeve që janë shumë shumë të qarta. Ne, kur them ne shqiptaret. Njëra zgjedhje është në Bashkimin Europian brenda 2030 për të mbyllur negociatat deri në 2027, dhe tjetra është në kënetë. Duke zgjedhur rrugën e Bashkimit Evropian, krijojmë kushte që të thahet edhe këneta. Ndërsa duke zgjedhur kënetën, jo vetëm që pengojmë një mision historik dhe i biem ndesh një ëndrre shekullore, por mbajmë kënetën në jetë, ky është. Dhe prandaj unë i them, i them në radhë të parë atyre që janë në atë kategorinë që thashë më parë, të gjithë ata që në primare dolën fitimtarë dhe bufi i kullufiti të gjithë dhe të gjithë ata të tjerët që votuan për këta, që janë demokratë, iu them kurrë, kurrë nuk ka për të pasur hajër, asnjë zgjedhje e lirë e juaja, asnjë votimi juaj, asnjë njeri që ju zgjidhni, sepse e doni për sa kohë nuk do thani kënetën.
Askush nuk ju fton dhe nuk ju thotë që në 11 maj, hajde merrni testerin e Partisë Socialiste, hajdeni bëhuni socialist, ndërroni ngjyrë e ndërroni bindje e ndërroni rrugë, por ama në 11 maj edhe për arsyen tuaj tërësisht personale, që vota juaj e atyre pseudo primareve është bërë objekt i një tallje të madhe dhe që ata që ju zgjodhët, ju humbën rrugës, ju të gjithë duhet të votoni 5. Ju të gjithë duhet që me votë të investoni për Shqipërinë, Bashkimin Europian dhe të merrni pasaportën europiane të Shqipërisë. Dhe patjetër t’i jepni edhe një mësim bufit të kënetës, edhe gjithë asaj kënete duke i treguar se ju nuk jeni numëror topi, po se kur ju e ktheni votën në anën tjetër, ata ngelen komplet pa asnjë mundësi për të bërë sikur fituan dhe kjo është gjëja që ju duhet.
Tani, natyrisht që dikush mund të thotë, po pse ç’të duhet ty me ne? Po qan hallin ti që Partia Demokratike po shkon poshtë e më poshtë, jo s’qaj hallin fare të kësaj. Me thënë të drejtën, sa më poshtë, aq më mirë, edhe më poshtë, edhe më mirë. Poshtë fare, mirë fare, por këtë herë, dhe pikërisht këtë herë, si asnjëherë më parë, mua më duhet kjo për diçka krejt tjetër. Më duhet kjo për atë mesazh që populli shqiptar do t’i japë 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe do t’i japë Brukselit ku dhe qeveria e Europës si shprehje të një vullneti që është më i madh se shumica aritmetike e Partisë Socialiste për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027 dhe për të bërë anëtarë të Bashkimit Europian.
Nuk është e rastit, nuk është as për arsye e thjeshtë që hajde të fitojmë ndeshjen këtu brenda, sepse në 11 maj ne nuk luajmë kampionatin kombëtar, këtë gjë do ta kuptojnë mirë të gjithë votuesit. Në 11 maj, ne nuk luajmë kampionatin kombëtar. Kampionati kombëtar nuk ka diskutim, kampionati kombëtar nuk ka diskutim. Ne nuk luajmë kampionatin kombëtar, në 11 maj, ne luajmë edhe Champions League dhe vendosja e të dy flamujve me 5-ën që i bashkon, është një mënyrë për t’i thënë të gjithëve, dëgjoni në 11 maj është një moment historik, është një moment që si asnjëherë më parë, deri sot, që kur ne kemi marrë rrugët dhe kemi ulëritur rrugëve, duam Shqipëri si gjithë Europa dhe jemi ndarë nga regjimi komunist, janë bashkuar yjet e fatit, fati ynë me fatin e Evropës dhe nuk jemi thjesht dhe vetëm ne që si gjithmonë duam të hyjmë sa më shpejt në BE por është dhe BE që do të na marrë ne brenda dhe kjo jo vetëm sepse kemi bërë detyrat, që pa bërë detyrat ata as nuk të konsiderojnë, jo vetëm se ne kemi krijuar respekt, jo vetëm se ne kemi krijuar besimin e tyre, jo vetëm sepse na vlerësojnë dhe nuk na shohin më siç na shihnin kur ne morëm detyrën, kur Shqipërinë e konsideronin vrimën e fundit të kavallit dhe thjeshtë bënin ato takimet për protokolle dhe me sy ulur‘’ hajt të mbarojmë sa më shpejt’’ dhe thonin ato fjalitë e përgjithshme; ‘’po ,po një ditë ju do jeni në BE”. Por sepse ata sot e kanë po aq të nevojshme sa ç’e kemi ne, për arsyet e tyre, jo për arsyet tona, që BE të zgjerohet dhe që një vend tjetër e një vend tjetër të hyjë në BE.
Kini parasysh që në këtë histori të 35 viteve, BE që kur ra Muri i Berlinit, BE e ka hapur derën dhe e ka mbyllur derën. Ka hapur derën, ka futur disa brenda dhe e ka mbyllur derën, pastaj prapë e ka hapur, prapë e ka mbyllur dhe që kur Kroacia hyri në BE, dera u mbyll, u mbyll madje në një moment të caktuar ata thanë që ne nuk do marrim më të tjerë, kismet më vonë po jo tani. Dhe atyre që thonë që ‘’po ç’është kjo histori me Edi Ramën që thotë “duhet dhe mandati i 4 që të futemi në BE, nuk i mjaftuan 3 mandate”, unë ju them dhe ju të gjithë duhet t’i thoni që Mali i ZI ka filluar negociatat në 2012, i ka filluar para se sa ne të vinim në qeveri dhe sot nuk është në BE, sot është krah për krah me ne sepse ndërkohë ne kemi bërë një punë kolosale dhe jemi tani në të njëjtën vijë të parë bashkë me Malin e Zi si dy anëtarët e rinj më të mundshëm të BE. Duhet t’i thoni që Serbia i ka hapur negociatat në 2014 dhe sot është prapa nesh, ishte shumë para nesh. Ne negociatat na i bllokuan dhe na i refuzuan 3 herë rresht, Komisioni Europian që është qeveria e BE që merret me shqyrtimin e të gjithë fakteve thoshte këta i kanë bërë detyrat , hapini negociatat. Mblidheshin 27 vendet, aty duhet konsensus edhe herë dilte Holanda, pastaj dilte dhe Greqia, “jo se është ky muhabeti, jo se është kjo çështja”, dhe ne u shtymë e u shtymë. Na i hapën, pastaj nuk uleshim dot në tavolinë për shkak të problemit që patëm me Greqinë dhe ka vetëm që në gjysmën e dytë të vitit që shkoi që ne kemi nisur negociatat. Ju thashë, Mali i Zi në 2012, Serbia në 2014, Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për në BE në 2005. Këtu me siguri ka vajza e djem që kanë lindur në 2005 ose s’kishin lindur fare në 2005 ose ishin 3 vjeç e 4 vjeç në 2005. Dhe na është dhënë mundësia e një kalendari 3 vjet deri në 2027 që të mbyllim negociatat. Do të jetë rekordi absolut i historisë së integrimit që një vend t’i mbyllë negociatat për 3 vjet. Pse? Sepse është puthur ylli i fatit tonë me fatin e Europës, por ajo që mund të ndodhë është që dera të mbyllet prapë. Dhe nëqoftëse dera mbyllet prapë, atëherë nuk i dihet sa vjet merr. Ju thashë, Maqedonia e Veriut akoma s’ka hapur negociatat, ishte më përpara nga të gjithë. Çfarë duhet të bëjmë ne? Ne duhet të shfrytëzojmë këtë dritare. Dhe pse është i rëndësishëm 11 maji? Dhe pse në 11 maj nuk është çështja që do fitojmë ne apo do fitojnë ata, se ata nuk kanë si fitojnë edhe nëse në të gjithë ikim në shtëpi tani dhe presim zgjedhjet. Nuk fitojnë dot ata për të fituar, problemi është që në 11 maj duhet që shqiptarët të përqafojnë njëri-tjetrin përtej të majtës e të djathtës, duhet që shqiptarët t’i tejkalojnë të gjitha llojet e tifozllëqeve, jo jam me këtë, jo jam me atë; duhet që shqiptarët t’i lënë mënjanë të gjitha , jo ky është krushku, jo ai është daja, jo këtij do t’i jap votën se më ka ardhur xhaja, këto të gjitha janë gjëra që në çdo fushatë bëjnë sens, jo në këtë fushatë. Në këtë fushatë këto nuk bëjnë sens dhe shqiptarët pavarësisht se janë majtas apo djathtas nuk e kanë pasur ndonjëherë si sot votën më të lidhur me një gjë shumë personale.
Ajo pasaporta evropiane e Shqipërisë, pasaporta ku do shkruhet pasaporta e Shqipërisë –BE, do të thotë jo vetëm liri për të lëvizur, por do të thotë dhe liri për të vendosur njësoj si të gjithë evropianët e tjerë kudo qoftë brenda perimetrit të BE për të vajtur e për t’u kthyer dhe mbi të gjitha për të hequr përfundimisht pas shekujsh nga supet, atë hijen e diskriminimit, hijen e poshtërimit, hijen e një lloj përçmimi me të cilin na kanë parë gjithmonë, gjithmonë dhe nëse ka një kategori që duhet të vrapojë në 11 maj, në pikë të mëngjesit të vrapojë që të hedhë votën, është gjithë brezi juaj sepse nëse ajo pasaporta ka një vlerë pa diskutim për të gjithë edhe për gjyshërit dhe gjyshet, se ajo pasaporta do të thotë që të gjithë ata që kanë emigruar, të gjithë ata që duan njohjen e pensionit, të gjithë ata që presin dokumentat ku janë jashtë, nuk kanë nevojë për kujtdo shteti në Evropë, mjafton ajo pasaporta dhe mund të rrinë atje ku janë njësoj siç janë ata që janë lindur ata ku janë, por ajo pasaportë për ju dhe për brezin tuaj do të thotë që studimet ju mund t’i kryeni ku të doni, njësoj siç vendosni në Elbasan, në Korçë apo në Tiranë, të vendosni në Tiranë, në Romë apo Paris dhe jeni njësoj studentë të BE. Nuk jeni studentë të huaj që hyjnë me kuota dhe paguajnë tarifa shumë më të larta siç ndodh sot me shqiptarët që shkojnë e studiojnë në BE.
Po ashtu kjo do të thotë që ju mund të aplikoni nga shtëpia për një vend pune ku të doni brenda perimetrit të BE-së dhe nuk ju thotë njeri, “ti s’je, aplikimi yt nuk mund të pranohet se ti nuk je banor i BE, ti je i huaj” dhe po ashtu të gjithë duhet ta dinë që me atë pasaportë kur shkojnë lëvizin nëpër BE, nëse ka nevojë për kujdes shëndetësor, nuk i thotë askush që “prit njëherë se nuk je pjesë e këtij komuniteti” dhe duhet të paguash qimet e kokës për të bërë një vizitë se nuk je as i siguruar as i pranuar si i tillë këtu por krahas me pasaportën është dhe karta e rrjetit shëndetësor të Bashkimit Europian me të cilën ti hyn në çdo derë, në çdo klinikë dhe shërbehesh njësoj si ata që janë banorë të atij vendi.
Me pasaportën e BE-së ti mund të shkosh dhe jashtë BE-së dhe ke lehtësira që sot nuk t’i jep pasaporta shqiptare, qoftë për të shkuar, qoftë për të qëndruar, qoftë për të qenë i mbrojtur në rast nevoje, nuk ka ambasadë shqiptare, ambasada më e afërt aty e BE-së është ambasada jote. Ti shkon troket dhe ata të thonë “Hajde brenda si e ke hallin? Mos u shqetëso, do ta zgjidhim ne sepse je qytetar i BE-së”. E kuptoni se çfarë ndryshimi është ky? Ky është një ndryshim epokal, ky është një ndryshim që na ka ardhur në dorë dhe siç e kemi dorën kështu duhet ta kapim dhe ta bëjmë këtë ndryshim, të mos ta lëshojmë 5-ën, por të bëjmë ndryshimin.
Nga ana tjetër, kini parasysh që futja në Bashkimin Europian ne na jep mundësinë që të kemi një buxhet ekstra, të gjitha këto diskutime që bëjmë, të gjitha këto nevoja, të gjitha këto investime, kemi bërë jashtëzakonisht shumë por do 2, 3, 4-fishohen në momentin që ne futemi në Bashkimin Europian për një arsye shumë të thjeshtë, sepse Bashkimi Europian do të na japë çdo vit një buxhet ekstra. Shembull, në të gjithë këto vite ne kemi marrë nga Bashkimi Europian mbështetje diçka më shumë se 1 miliardë. 90% kredi dhe 10% grant, por kredi të buta po themi por kredi, në gjithë këto vite. Në momentin që ne bëhemi anëtarë të BE-së ne marrim çdo vit diçka më shumë se 1 miliardë, 90% grant dhe vetëm 10% kredi.
Për bujqësinë, meqë çështja e prodhimit, ushqimit, e sigurisë ushqimore është një çështje që do të jetë gjithmonë e më e nxehtë dhe ne kemi potencial shumë të madh akoma të pashfrytëzuar; në gjithë këto vite Bashkimi Europian na ka mbështetur më pak se 200 milionë euro në total, më shumë kredi sesa grant. Me futjen në BE, 300 milionë euro çdo vit do na vijnë vetëm për bujqësinë.
Tani, si mund të jesh një prind që e ke fëmijën 14, 15, 16, 17, 18 vjeç dhe që do ta çosh me studime jashtë dhe të thuash “Unë jam demokrat, unë jam i djathtë, nuk votoj për komunistët” dhe ta marrësh votën e ta zhysësh në kënetë tek bufi dhe tek bretkosat, si mundet?
Ndërkohë që duhet ta çosh votën pikërisht aty, në mes të fletës është 5, jo për tu bërë socialist, as për tu bërë me Partinë Socialiste, por për ta përdorur Partinë Socialiste siç përdori populli shqiptar Partinë Demokratike në ’92-shin kur masivisht shkoi i dha votën, jo se u bënë të gjithë me Partinë Demokratike, një pjesë e madhe as nuk donin fare ta shikonin me sy por ama ishte aty mjeti i duhur në kohën dhe vendin e duhur për tu ndarë njëherë e mirë, përgjithmonë nga sistemi i kaluar dhe nëse për socialistët vota për Partinë Socialiste është përkatësi, për të gjithë të tjerët vota tek kutia e Partisë Socialiste në 11 maj është interes, thjesht interes dhe e kundërta, vota e marrë e hedhur në kënetë është budallëk, është votë kundër fëmijëve të tu. Je një fermer, jeton në fshat, je i djathtë dhe nuk i do 300 milionë euro në vit nga Bashkimi Europian se do kënetën, se do bufin? Ti qofsh dhe duhet ta dinë mirë të gjithë ata që nuk e kanë në mendje të votojnë për ne. këtu nuk është çështja që ne rrezikojmë të mos fitojmë, që të jemi shumë të qartë, nuk po i lutemi “Aman, aman se ne do humbasim zgjedhjet”, nuk është kjo fare sepse ne, e thashë, sikur të gjithë siç jemi të nisemi e të ikim në shtëpi dhe të themi “T’i bëjmë ndonjë telefon njëri-tjetrit në 12 maj” nuk fitojnë ata, problemi është që ne na duhet një mbështetje e fuqishme për t’i thënë Europës “Populli shqiptar u bashkua si asnjëherë më parë, i kapërceu llogoret e partive sepse do të vijë këtu, të sjellë flamurin e Skënderbeut këtu, ta ngulë këtu dhe t’i japë fund të qenit popull i kategorisë së dytë.
Shqiptarët nuk mundet më të shkojnë në aeroport dhe të dalin nga dera tjetër, kjo është dera e daljes kurse ne na thonë “Prit njëherë se do dalin njëherë këta dhe pastaj do dilni ju këtej se është kontrolli aty”. Është shumë e qartë kjo votë.
Ndërkohë që të gjitha të tjerat, punët për Elbasanin, punët për Belshin, punët për Gramshin, punët për Peqinin, punët për Përrenjasin e për Librazhdin e për Cërrikun janë shumë të rëndësishme, ne kemi bërë plot, do bëjmë plot të tjera, të gjitha janë procese që janë të hapura, janë kantiere që janë të hapura. Sot Elbasani si qark bëhet praktikisht një nyje shumë e rëndësishme sepse këtu kalon Korridori i 8-të, është superstrada që po ndërtohet, është hekurudha që kemi marrë mbështetjen për lotet, është dhe Bypass i Elbasanit që po negociojmë për ta financuar. Të gjitha këto janë të rëndësishme, të gjitha këto do bëhen, patjetër, por më e rëndësishmja e më të rëndësishmeve është kjo që po ju them, është që ne të mos e humbim këtë takim me historinë. Këto të tjerat janë praktike, janë të rëndësishme, janë konkrete, por nuk janë historike.
Kjo është historia, në 11 maj është takim me historinë që brenda 2027 të mbyllim negociatat. Dikush mund të thotë, se kishin dalë dhe këto pasqyrat e kënetës “BE-ja rrëzoi Ramën, BE-ja tha që nuk ka rëndësi”. BE-ja po ta pyesësh do të thotë “Hyrja në Bashkimin Europian bëhet sipas meritës së vendit”. Kjo është e vërteta por nuk ka nevojë fare të pyesësh BE-në, mjafton të dish pak fare nga historia jonë bashkëkohore. Mjafton të shohësh bufin, ta shohësh kështu fizikisht, mund të imagjinohet që në BE do pritet me krahë hapur? Nuk bën vaki. As bufi e as gjithë lukunia e kënetës nuk kanë shans fare që të respektohen, të vlerësohen, të besohen siç kemi arritur ne ta ngremë nivelin e respektit dhe besimit për Shqipërinë sepse këtu ishin kur ishim shumë më në formë dhe Shqipëria ishte një qenie e përçmuar, këtu ishin.
Përtej kësaj, është shumë konkrete gjëja. Janë 1000 vajza dhe djem që çdo ditë, çdo ditë, edhe shtunë e të dielë punojnë për negociata, janë 40 skuadra sepse në ndërkohë dëshira është por duhet bërë puna, duhen bërë detyrat. Janë çerek milionë faqe legjislacion, rregulla, masa që duhen marrë, duhen kaluar nga organizmi legjislativ dhe rregullator i BE-së në organizimin tonë dhe është çdo gjë e kronometruar deri në 2027. Iu thashë negociatat normalisht zgjasin me vite, me vite, tre vjet nuk ka ndodh, por duan ata ta bëjnë dhe vrapojmë ne, vrapojnë dhe ata.
Tashi imagjinoni del një rezultat as mish as peshk, fitoi partia Socialiste, po hiç, fitoi me atë shumicën e vet që ka, po të tjerët se dashkan BE-në, s’e paskan me ngut. Dhe nuk është vetëm kjo, po është edhe çorodija e gjithë kësaj pune. Jo, jo, 4 vjet, larg qoftë dhe 4 muaj, sikur të vonohet procesi i negociatave, mbaron nuk arrihet dot 2027. Po s’u arrit 2027, që është angazhimi i tyre dhe ata do mbyllin derën, thonë, e po tani nuk kemi ç’a bëjmë me ne u thamë deri në 2027, juve nuk ka arritët, dera u mbyll, kismet më vonë.
Janë të gjitha arsyet që ne të mos e humbim këtë tren të historisë, këtë di t’iu ju them unë sot. Dhe duke i uruar sukses deputetëve dhe të gjithëve bashkë dhe duke iu siguruar që ajo çka kemi filluar me skuadrën e deputetëve do të shtrihet në të gjitha nivelet dhe rifreskimi i të gjitha niveleve të qeverisjes, rifreskimi i të gjithë organizmit të qeverisjes me shumë më tepër vajza dhe djem dhe thellimi i procesit që duhet të na çojë tek njohja e meritës, tek njohja e potencialit, tek dhënia e dorës njerëzve që kanë çfarë t’i japin Shqipërisë, do të vazhdojë pas 11 majit dhe kush do të ketë pasion atdhetar dhe kush do të ketë këmbënguljen për të qenë pjesë e këtij transformimi do të jetë do të jetë me siguri në gjendje që të gjejë vendin e vet në këtë rrugë ku ne kemi nevojë për shumë më tepër përfaqësues të gjeneratës më të re. Shumë faleminderit!