Faleminderit Dibër/ Fitorja dhe besimi i marrë nga qytetarët si asnjëherë më parë, është sfidë dhe përgjegjësi
Në Dibër vijoi sot turi i mirënjohjes ndaj qytetarëve, që zgjodhën të votëbesojnë kandidatët e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit 2023. Kryeministri Rama njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, falenderoi të gjithë votuesit dibranë, teksa theksoi se fitorja e thellë e arritur në Dibër, është një sfidë dhe një përgjegjësi shumë e madhe për Partinë Socialiste dhe qeverinë.
* * *
Kryetari i PSSH Edi Rama: Gjithmonë më ka bërë përshtypje këtu në Dibër sa shumë gra janë të përfshira dhe janë aktive dhe sot duket shumë qartë se kush është arsyeja kryesore e fitores edhe në Bulqizë dhe në Dibër.
Natyrisht që duhen edhe burrat, por pa gratë ne nuk do të kishim fituar sepse Rahimi nuk e tha deri në fund atë, ishim duke ecur aty dhe kthehet Belinda dhe thotë “Rahim ku je?”. Aman, thotë ky, se më mbyte. Gjithë fushatën “Ku je, ku je”. I thashë “Po deri sa je mbrapa gjithmonë, kështu do thotë, ku je, ku je? Çfarë t’i bëj, – më tha, – kjo është si lepur, ikën me vrap përpara.
Megjithatë, dëshiroj sinqerisht që t’iu falenderoj nga zemra të gjithëve ju që jeni këtu, padiskutim, por nuk e di se sa jeni këtu sot, megjithatë nuk jeni aq sa ishin votat dhe prandaj, përveç jush, dua që të falenderoj edhe të gjithë ata, të cilët nuk janë këtu sot, por kanë dhënë votën e tyre për Festën dhe për Rahimin dhe jo një votë dosido, por një votë jashtëzakonisht kuptimplotë, për të cilën dua të falenderoj edhe ata që nuk janë pjesë e jona, nuk janë pjesë e Partisë Socialiste. Plot prej tyre nuk kishin votuar ndonjëherë ndryshe nga seç kishin votuar gjithmonë, por këtë herë qartësisht kanë bashkuar votat e tyre për Rahimin, për Festën sepse kanë menduar për veten e tyre, kanë menduar për familjen e tyre, kanë menduar për fshatin apo për qytetin e tyre dhe kanë votuar me mendje. Edhe pse me zemrën të thyer, kanë votuar me mendje për të vetmen zgjedhje që kishin në 14 maj për t’i çuar punët e Dibrës vetëm përpara.
Përveç të gjithë atyre që votuan, dua të falenderoj edhe ata të tjerët që nuk e kapërcyen dot ylberin, kur i thonë fjalës, por edhe nuk dolën të votojnë, ata që i thonë vetes të djathtë, ata që kanë një histori në familjen e tyre, e cila i pengon ta shikojnë të majtën, ta shikojnë Partinë Socialiste, qendrën e majtë si alternative, por megjithatë, në respekt të vetes, në respekt të familjes, në respekt të historisë së tyre familjare, ku ka plot drama, madje dhe tragjedi, njerëz të humbur, njerëz të zhdukur, njerëz të burgosur, nuk e ndyen dorën për të vënë votën tek një koalicion, i cili ka ngrënë shuplakën më të rëndë ndonjëherë nga shqiptarët që u bënë bashkë.
U bënë bashkë duke votuar ose duke mos votuar, por ama kishin një drejtim dhe unë dua shumë të besoj dhe dua shumë të shpresoj dhe patjetër që do bëj cdo përpjekje që është në dorën time, patjetër që do kërkoj që të gjithë ata që janë bashkë me mua, që janë bashkë me ne që të bëjnë çdo përpjekje që është në dorën e tyre që ajo harta elektorale, e cila për herë të parë është harta e një Shqipërie që nuk është e ndarë, të mos jetë e tillë dhe për herë të fundit, jo sepse duhet gjithmonë që gjithë Shqipëria të votojë Partinë Socialiste, në asnjë mënyrë nuk them këtë, por duhet që ne ta shtyjmë përpara këtë vend dhe ta shtyjmë përpara këtë shoqëri që të votojë gjithmonë e më shumë me mend dhe jo me tifozllëk, që të votojë gjithmonë e më shumë duke kërkuar llogari dhe duke ngarkuar përgjegjësi.
Unë jam i bindur, mund të duket si absurditet, por jam i bindur që kjo disfatë monumentale, skandaloze e atyre që e kanë marrë peng të djathtën shqiptare, opozitën shqiptare dhe e cila nuk është disfata e të gjithë njerëzve që mendojnë ndryshe nga ne, nuk është disfata e gjithë njerëzve që besojnë në zgjedhje të tjera, por është disfata e një grushti njerëzve, e dy njerëzve dhe një rrethi të verbërish rreth tyre, do ta përshpejtojë, padiskutim, edhe procesin e rilindjes, ripërtëritjes, të ringritjes edhe të opozitës sepse më keq nuk ka, por edhe nëse do ketë edhe më keq, akoma më shpejt do të vijë dita kur do të normalizohet jeta politike dhe për këtë, meritën kryesore e kanë padiskutim ata, të cilët nuk dolën të votojnë.
Kjo është tanimë një temë që nuk është për ne.
Ne jemi këtu sepse Dibra na ka bërë një sfidë shumë të madhe, ne kemi fituar edhe herë të tjera në Dibër, kjo nuk është hera e pare, por ama, si këtë herë asnjëherë më parë dhe përtej meritave të padiskutueshme të të gjithë skuadrës me në krye Belindën që e vuri gjithë energjinë, gjithë këmbënguljen dhe gjithë kokëfortësinë e vet në shërbim të kësaj fitoreje, thelbi është që kjo është një sfidë për ne, është një përgjegjësi shumë e madhe për ne sepse gjithë komuniteti këtu në gjithë qarkun e Dibrës, jo vetëm në bashkinë e Dibrës, na ka sfiduar duke na ngarkuar me një barrë besimi të jashtëzakonshme si asnjëherë më parë, natyrisht për të na dhënë mundësinë që ne të provojmë se ne e mbajmë këtë barrë.
Unë e kam përsëritur shumë në fushatë muhabetin e kuajve, muhabetin e gomerëve, se ka disa, i keni dëgjuar, që shajnë gomerët. Në fakt, para gomerëve, ata nuk meritojnë as të zihen me gojë sepse gomari është punëtor dhe gomari ka mbajtur perëndinë në kurriz, thonë. Kështu që, nuk ka qenë qëllimi për të ulur gomarin apo për të ulur këdo qoftë në atë krahasim, por ka qenë qëllimi për të thënë ekzaktësisht atë që në fakt bënë votuesit, duke na ngarkuar në kurriz një barrë shumë të madhe që ne kemi detyrën ta marrim dhe ta çojmë përpara, ta çojmë përpara për të sjellë shumë më tepër përmes punës sesa kemi bërë tani.
Këtu në Dibër është hapur një perspektivë e re, por ne e dimë shumë mirë që ajo duket përfundimisht e hapur kur të gjitha rrugët të hapen, kemi akoma një tunel për të hapur, kemi akoma rrugën për ta çuar deri në Lurë sepse duhet ta fusim dhe Lurën në gjithë këtë hapësirë, e cila ka nisur të zhvillohet ndryshe.
Kemi edhe rrugën që lidh Peshkopinë me Maqellarën sepse nuk mund të durojmë dot mbas jo shumë kohe kur të fillojnë të na tallin këtu “E çfarë Rruge e Arbrit, ajo është kot der në Maqellarë, ne se kemi fare”, se e di unë sesi ndodh këtu. Kështu që, duhet ta bëjmë dhe atë. Por këto janë vetëm disa vepra infrastrukturore pa diskutim, pjesa tjetër është gjithë pjesa e zhvillimit ekonomik, e zhvillimit social, duke shtyrë gjithmonë e më shumë ajo që në fakt është thelbi i këtij vizioni, që është integrimi i plotë i Tiranës me Dibrën, për ta bërë Dibrën atë që është në fakt, po ta shikosh nga harta dhe po ta shikosh nga mënyra sesi janë ndarë edhe pasuritë natyrore midis zonës së Tiranës dhe zonës së Dibrës, për ta bërë jastëkun e gjelbër të kryeqytetit. Duke krijuar mundësitë që gjithmonë e më shumë investime të bëhen këtu. Dhe gjatë fushatës unë e kam thënë dhe e përsëris tani se nuk e thashë për të marrë vota, e thashë sepse unë e besoj këtë gjë dhe ne do punojmë për këtë gjë. As mos u çudisni fare kur të shikoni që gjithmonë e më shumë njerëz do duan të kenë shtëpinë e dytë këtu në Dibër duke jetuar në Tiranë, gjithmonë e më shumë njerëz do duan që të bëjnë pushime këtu në Dibër. Gjithmonë e më shumë vizitorë dhe turistë do vijnë këtu në Dibër sepse bukuritë dhe mundësitë që këtu ofron natyra janë të jashtëzakonshme dhe janë komplet të pashfrytëzuara, ashtu sikundër ato agroturizma që kanë nisur do shtohen e do të shtohen dhe edhe ai aktivitet i rëndësishëm, por ende jo shumë i madh bujqësor do të zhvillohet.
Ashtu sikundër patjetër do të zhvillohet dhe agropërpunimi. Unë jam i bindur që e ardhmja e Dibrës është absolutisht e shkëlqyer. Sfida jonë është ta afrojmë atë sa më shumë, që të jetë një e ardhme, të cilën e prekim dhe prej të cilës marrin frutet e tyre të gjithë ata që sot punojnë për të dhe jo thjeshtë vetëm për fëmijët tanë. Kjo është sfida që na ka bërë Dibra dhe ne e pranojmë këtë sfidë dhe do punojmë shumë fort që ta fitojmë këtë sfidë shumë fort në funksion të mirëqenies të të gjithëve.
Përveç numrit të madh të grave dhe vajzave të përfshira këtu në Dibër dhe është një gjë fantastike që prania e tyre është shtuar ndoshta dhe për shkak të Belindes, ndoshta dhe për shkak të krijimit të një fryme dhe krijimit të një energjie që ka sjellë Rahimi në bashki, duke qenë shembull i përkushtimit dhe i punës, por pak rëndësi kanë shkaqet, rëndësi ka fakti.
Ashtu sikundër është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë akoma shumë e shumë sepse jemi shumë në borxh me fëmijët, me fëmijët që rriten këtu, me nxënëset dhe nxënësit që shkollohen këtu për t’u krijuar kushte sa më të larmishme që ata të zhvillojnë fizikun e tyre përmes sportit, gjë që e kemi filluar por të zhvillojnë talentet e tyre përmes artit, zejeve dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre përmes futjes në botën digjitale
Kështu që, ne do investohemi seriozisht që përveç futjes sa më shumë të laboratorëve të inovacionit në shkolla, të bëjmë edhe këtu në Dibër një qendër fillimisht të vogël, por me potencialin për t’u rritur, të mësimit të teknologjisë dhe do punojmë me këtë specifikisht, bashkarisht me bashkinë në mënyrë që ta bëjmë realitet pa humbur shumë kohë dhe t’u japin mundësi shumë vajzave dhe djemve që të kenë akses në mësimin e teknologjisë pas shkolle dhe aftësohen për të përdorur kompjuterin dhe për të filluar të krijojnë të ardhura për veten, për familjen e tyre akoma pa e mbaruar shkollën, pa mbaruar universitetin. Pastaj është zgjedhja e tyre se çfarë do bëjnë.
E fundit që kam, por jo për nga rëndësia, ose më saktë e parafundit që kam, por jo për nga rëndësia është dua të them se përtej fitores së Rahimit që nuk diskutohet ishte një fitore shumë e bukur, përtej fitores së Agronit në bashkinë e Matit, fitoret në Klos dhe në Bulqizë janë shumë shumë domethënëse. Janë shumë domethënëse sepse Klosi mendoj që ishte bajraku i Bedrive, domethënë në Klos po të mos quheshe Bedri nuk bëheshe dot kryetar bashkie. Aq sa ishte krijuar një fiksim në tru që nëqoftëse larg qoftë do të zgjidhej një kandidate grua do të quhej Bedrie.
Mirëpo faktikisht dinastia e Bedrive mori fund në Klos dhe fitoi një grua, duke dëshmuar atë që unë për veten time dhe këtu s’dua të flas për veten, por e dinë të gjithë ata që kanë qenë me mua që kur unë u bëra kryetar i PS, kam dëshmitar Astritin se Astriti përveç autobusit të PS, ka dhe një furgon të vetin që shkon parti më parti dhe prapë vjen te PS. Por Astriti është dëshmitari im këtu dhe e di shumë mirë qysh në fillim kur hyja nëpër organizata dhe shihja vetëm burra iu thoja: ku janë gratë? Nuk ka ta ardhme pa gratë. Nuk ka gra këtu shef. Po mirë kur shkoni në shtëpi ju me kë rrini ju me njeri-tjetrin, ju thosha. Po jo në shtëpi është muhabet tjetër. por në fakt jo në shtëpi nuk është muhabet tjetër, sepse siç është shtëpia është dhe bashkia, është shtëpia e përbashkët nuk diskutohet dhe patjetër është dhe Shqipëria. Shqipëria është grua, larg qoftë të ishte burrë.
Dhe përtej asaj që ndodhi në Klos, për hir të së vërtetës qershia mbi tortë është ajo që ka ndodhur në Bulqizë. Sepse Bulqiza parafytyrohej si një xhungël ku vetëm luanët dhe tigrat mund të dëgjoheshin dhe ku gjithë të tjerët duhet të rrinin urtë se erdhën luanët, dolën tigrat, u shfaqen panterat gjithë krom dhe aty nuk fitoje dot po mos të merreshe vesh me filan luan që kishte lidhje me filan tigër, që ishte i lidhur me krushqi me filan panterë dhe që mund të balanconte filan ujk se ai ujku ishte i lidhur me filan çakall.
Një tmerr! Mirëpo ndodhi ajo që ndodhi, ju e dini historinë, pak ditë para regjistrimit të kandidatëve, SPAK-u bëri punën e vetë, siç e bën, se për këtë punë e kemi krijuar SPAK-un edhe Belinda ishte shumë e shqetësuar. Erdhi tha, “s’di çfarë të bëj. E kemi shumë të vështirë aty, se ky nuk merret vesh me atë, po ai tjetri thotë po u zgjodh ky, unë do dal kundër, po se po doli ky kundër, dy të tjerë do bëhen pro, po jo me ne, me atë tjetrin”. Ajo, historia e tigrave dhe luanit. Dhe unë i thashë, “për mua bjeri shumë shkurt, vendos një grua”. “Për grua kam Festën”, tha, “po kam hall se do ma ‘’grinë’’ se është e ndarë nga burri”. I thashë unë, “varet sesi do ta përballoni grirjen, se mund t’i grini ju, ti thoni kjo ndau burrin e vetë, po pyet për ju, burrat e tjerë, s’pyet fare”.
Si përfundim, u vu Festa dhe ja ku është sot me fitoren më të madhe të Partisë Socialiste në Bulqizë. Kjo është e vërteta e madhe e popullit të Shqipërisë. Kjo është e vërteta e madhe e komuniteteve dhe kjo është e vërteta e madhe e asaj që them unë gjithmonë ku shtetin e vërtetë, nuk e kanë burrat, e kanë gratë dhe sa më thellë të shkosh aty ku burrat bëjnë të fortin dhe sa më shumë burrat të bëjnë të fortin nëpër klube, aq më shumë të forta janë gratë në shtëpi.
Kështu që unë nuk rri dot pa i ndarë në këtë falenderim të posaçëm duke i thënë se ja kam kërkuar këtë ndihmë grave, po këtë rast nuk e kam me ju se ju keni bërë atë që keni bërë dhe ju përulem me shumë respekt, po e kam me gratë e atyre të djathtëve që kanë ndikuar te një pjesë e mirë e atyre burrave që të mos dalin nga shtëpia atë ditë. I falenderoj shumë dhe duke ardhur tek e fundit dua të them këtë dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme për ne dhe prandaj unë gjëja e parë qe mendova, ishte që kjo nuk kalon dot si fillim në një fjalim te PS-ja dhe me një falenderim nga larg. Kjo kërkon si fillim, ti takoj të gjithë ata që janë kontributët kryesorë, siç jeni të gjithë ju këtu, për t’i thënë shumë, shumë, shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje, por nga ana tjetër kjo nuk mbaron këtu se dhe ky falenderim bukur shumë, por harrohet nesër. Nesër janë problemet për tu zgjidhur, janë hallet për tu adresuar, janë ankesat, janë kërkesat.
Në çdo familje, ju e dini shumë mirë, kurrë nuk arrihet që ajo çfarë do, të jetë ajo që ke. Gjithmonë do më shumë se ç’ke. Është në natyrën e njeriut. Nuk janë asnjëherë mundësitë sa janë kërkesat dhe jo më pastaj të llogarisësh të rinjtë që po dalin, këta të inteligjencës artificiale, që kërkojnë çfarë s’kërkojnë dhe që prindërit ‘’dridhen’’ kur zgjohen këta nga gjumi që fillojnë me kërkesa. Është e pamundur!
Ashtu sikundër për çdo shtet edhe më i zhvilluari, edhe Amerika, shteti më i zhvilluar, më i pasur nuk ia plotëson dot të gjitha kërkesat njerëzve. Nuk ja plotëson dot të gjitha kërkesat të gjitha shtresave e të tjerë, por duke u kthyer te realiteti jonë, si mund të plotësohen të gjitha kërkesat dhe të gjitha nevojat në Dibër, apo në Bulqizë, apo në Mat apo në Tiranë, apo kudoqoftë? Nuk plotësohen, por ka një gjë që është e mundur të plotësohet dhe për mua është kryesorja. Është ajo që thotë populli shqiptar dhe që e ka thënë mrekullisht, hallin që s’ma zgjidh të paktën ma qaj. Që do të thotë, askush nuk është budalla e lërë më pastaj shqiptarët që të japin ujë në bisht të lugës. E lërë pastaj dibranët që larg qoftë të kesh punë me ta. E di se kam punë me Belindën, mos e merrni personale. Por një gjë është e sigurtë, të kuptojnë shumë mirë kur ti nuk e ke të mundur tua zgjidhësh një hall apo kur ti i thua kjo që kërkoni ju nuk bëhet. Por kurrë nuk ta falin që ti mos ulesh, tua shpjegosh njerëzisht, pasi ti kesh dëgjuar njerëzisht dhe për mua pika e parë e programit të qeverisjes vendore, pas kësaj që ka ndodhur më 14 maj, pika e parë e programit do të ketë vetëm një fjalë: Njerzillëk!
E di që është e tmerrshme, nuk është e lodhshme. Është e tmerrshme nga pikëpamja e nevojës për durim që të rrish t’i dëgjosh, t’i respektosh, t’i begenisësh njerëzit dhe në fund tu thuash kjo s’bëhet ose kjo bëhet, por ama t’i dëgjosh.
E tha shumë më bukur se unë Lavdrimi pak më parë kur ishim me këshilltarët në Mat, kur tha, se këtë gjë po e mendoj dhe e kam provuar vetë, ajo që ndodh është nëse dikujt ja zgjidh diçka, të thotë një herë faleminderit. Nëse dikujt ja qan një hall që nuk ja zgjidh dot, të thotë 10 herë faleminderit. Dhe e kam provuar kur isha kryetar bashkie në Tiranë. Më zinin rrugën ndonjëherë aty te dera. Se unë futesha bashkë me hoxhën. Hoxha futej te xhamia, unë futesha te bashkia. Kam punuar me një hoxhë dy metra larg murit të zyrës se këndonte te dritarja ime dhe mesa duket më ka ndihmuar pa e ditur ai, po për hir të së vërtetës, se unë nuk para duroj shumë, asnjëherë nuk ia kam marrë për keq që më këndonte aty rregullisht. Përkundrazi dhe kur dilja nga makina në mëngjes më dilnin njerëz përballë. Kishte raste që më thonte, “kam këtë hall”, i thoja, “në rregull, u zgjidh”. “Po prit njëherë”, thoshte. “Po çfarë të pres, u zgjidh”! “Po prit o burrë, dëgjo”! “Ore ta zgjidha, çfarë të dëgjoj, më lër të iki”. “Ore, të është rritur mendja”. “Po si më është rritur mendja, më thua kam këtë hall, po të them ta zgjidh, të vazhdoj unë punët e tjera”. “A, ke punë shumë ti, po më dëgjo pra”.
Nevoja për tu dëgjuar ishte më e madhe sesa nevoja për të dëgjuar ‘’ik, se ta zgjidha’’. Ndërsa kur ndodhte që rrija dëgjoja dhe në fund thoja, dakord, ti ke të drejtë, po kjo s’bëhet se nuk e kam unë në dorë, duhet të shkosh këtu, 10 herë faleminderit. E këtë gjë duhet ta kemi shumë parasysh, se kjo është mënyra sesi mund të krijojmë komunitet, si mund të krijojmë më shumë energji dhe më shumë fuqi për të çuar përpara të gjitha punët që kemi. Se që ne do ti bëjmë të gjitha ato që kemi thënë, kjo nuk diskutohet, por për t’i bërë të gjitha ato që duam të bëjmë dhe për të bërë të gjitha ato që kemi thënë, duhet durim. Dhe ju e dini shumë mirë që tek shqiptarët, durimi është një mall që shumë zor se e gjen, ama na duhet patjetër të kemi durim dhe që durimi të jetë i mundshëm, duhet që dyert e bashkive që ne qeverisim, të hapen në të katër kanatet e duhet që njerëzit të kenë mundësi, tu krijohet mundësia që ta shohin kryetarin e bashkisë, ta shohin kryetaren e bashkisë në sy, t’ia thonë ato që kanë për të thënë, ,tu dëgjohet fjala e pastaj të marrin përgjigje si njerëz. Të marrin përgjigje si pjesë e të njëjtës familje, e të njëjtit komunitet sepse vetëm kështu ne do mund të bëjmë shumë më tepër e vetëm kështu ne do mund ta garantojmë këtë vend që të shkojë vetëm përpara.
Për hir të vërtetës, duke ju parë kështu unë mund të vazhdoj deri nesër sepse është vërtetë kënaqësi shumë e madhe të jem këtu me ju dhe është vërtetë një ndjenjë shumë e veçantë kur mendoj që të gjithë ju që jeni këtu, keni bërë secili dhe secila përpjekjen e vetë për ta arritur këtë rezultat.
Keni dëgjuar gjatë fushatës që çështja e rritjes së pagave ishte një blof sepse faktikisht ligji që shkoi në Parlament, ngeci aty, por në fakt e vërteta është që ligji për rritjen e pagave kalon në Parlament këtë javë dhe arsyeja pse ligji ngeci ishte sepse unë thoja, “qeverisë e deputetëve do tu rritet paga të fundit fare, pasi të ketë mbaruar rritja për të gjithë”. Mirëpo, me ministrat bëra si bëra e ranë dakord. Kur shkoj në Parlament deputetë thanë “jo, i duam pagat tani se lodhemi shumë”. Kështu që ju do ti mirëkuptonin por ajo që ka rëndësi është një gjë, që me kalimin e ligjit të pagave i cili do garantojë fillimin e asaj rritjes së madhe që kemi thënë që mbyllet në harkun e një viti, pagat e rritura do të merren që nga 1 prilli që shkoi, pra problemi i vetëm do jetë që kur të merret paga e parë, mos kujtojnë se ajo është paga e muajit, se aty do jetë paga e prillit dhe e majit dhe kështu do jenë dy paga.
Siç e shihni, kjo nuk ka të bëjë e zgjedhjet! Kjo nuk ka të bëjë me votat!
Votat i kemi marrë, zgjedhjet kanë mbaruar, po të ishte se ne do të ishim si ata që ngaqë kujtojnë që jemi si ata e që bëjnë si ata, pastaj na akuzonin që kjo ishte loja, nuk do e hapnim më këtë muhabet, por jo, pagat do ti rrisim tani dhe siç thashë, megjithëse ka kaluar kohë për shkak të vonesës, vonesën nuk do ta paguajnë ata që marrin pagën por do të marrin një për një çdo qindarkë që ne i kemi premtuar dhe si prilli që iku, me prillin që vjen, rritja do të përfundojë e gjitha dhe ne do të kemi në Shqipëri një pagë mesatare nga 530 euro që ishte para se të fillonte rritja, në 900 euro.
Kjo ka filluar tani dhe unë besoj që ata që janë këtu e që janë në sektorin privat kanë filluar ta shohin, ka filluar rritja edhe në sektorin privat me më shumë shpejtësi sepse rritja e pagave në sektorin publik do të tërheqë edhe sektorin privat por ndërkohë ne kemi shtyrë me pagën minimale dhe e kemi bërë 40 mijë lekë e që brenda këtij mandati do ta çojmë në 45 mijë lekë.
Vetëm se këto e të gjitha nuk janë për të thënë që shikoni sa mirë, sa bukur, sa të lumtur jemi, por janë për të thënë vetëm që ne po vazhdojmë çdo ditë me këmbëngulje për të arritur aty ku duam.
I kemi rritur të ardhurat për frymë nga 3400 euro në 6300 euro, por pa i çuar në 10 000 euro ne nuk e kemi bërë si duhet detyrën tonë.
Ashtu sikundër pa e çuar pagën minimale në 60 mijë lekë të reja, ne nuk e kemi bërë si duhet detyrën tonë. Kështu që këto janë objektiva për tu arritur sepse në fund fare është shumë e qartë që secili prej jush dhe çdokush llogarinë e bën me çfarë përfitoi drejtpërdrejtë familja e vetë dhe përfitimi i drejtpërdrejtë i çdo familje është objektivi ynë më kryesor.
Me këto të pagave, besoj që më mirë ta mbyll këtu. Nuk gjenden fjalët për të thënë se sa mirënjohës jam për gjithçka ju keni bërë. Është vërtetë e neveritshme kur dëgjon se si i morëm vota ne, por një gjë ju them, mos u mërzisni fare kur i dëgjoni sepse sa më vonë ta kuptojnë se si marrim ne votat, aq më shumë ne do marrim vota.
E të mendosh që vetëm me gratë ne kemi bërë takime që ata nuk i bënin dot duke mbledhur gjithë burrat e dynjasë dhe pastaj të mendosh që kjo lidhja jonë e fortë me krimin, bazohet tek gratë e që gjithë këto gra këtu janë kriminele të votës së lirë, atëherë i bie që ne jo që nuk na mund dot kush por mbas kësaj, do mendohen mirë, a ia vlen ti hysh punës për të provuar për të na mundur se për të na mundur nuk na mundin dot.
Merrini me humor këto, mos i merrni seriozisht fare se vërtetë është e neveritshme por lërini mbrapa. Ajo që kemi ne tani përpara është që të bëjmë çdo gjë që themi e të themi çdo gjë që bëjmë.
Shumë faleminderit!