Partia Socialiste e Shqipërisë

Kamza, simboli i rilindjes së arsimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve, stacioni i radhës në rrugëtimin drejt 14 majit

Në Kamëz, bashkinë ku në katër vitet e fundit bilanci i sukseseve ka qenë mbresëlënës në arsim, infrastrukturë, rindërtim, etj – vijoi sot rrugëtimi i gjelbër drejt 14 majit, ku u mbollën pemë të reja me shpenzimet e shkurtuara të fushatës elektorale dhe ku Kryeministri Rama njëkohësisht kryetar i PSSH prezantoi kandidatin për Kryetar Bashkie Rakip Suli:
* * *

Shumë faleminderit!
Në radhë të parë dua t’ju falënderoj nga zemra të gjithëve ju që jeni këtu dhe të gjithë ata që na ndjekin dhe që kanë lidhje me këtë falënderim, për mbështetjen tuaj në momentin e ndërhyrjes time për të hequr apendicitin. Me këtë rast e mësova që apendiciti qenka përgjithësisht një hall për të rinj, por në të gjitha rastet erdhi në një moment kur kemi një apendicit më të rëndësishëm për të hequr që është apendiciti i dhimbshëm i shumë viteve me dy koka, emrat e të cilave nuk po i përmend që të mos e prishim kënaqësinë e kësaj feste të gjelbër dhe duke luftuar me mjekët, duke luftuar dhe me stafin tim për të dalë nga kafazi, ata kanë të drejtën e tyre, më në fund iu mora një takim jashtë zyre dhe shtëpie dhe midis të gjitha opsioneve i thashë do shkoj te Rakip Suli në Kamëz sepse këtu është pasqyra më kuptimplotë e fjalës rilindje. Mendova që do marr dhe unë pak nga rilindja juaj dhe rilindja e Kamzës për të rilindur me shpejtësi që të heqim apendicitin e 14 majit.
Duke qenë se po më ankohej Rakipi, tha: “fonia është e ulët, njerëz janë më shumë sesa ç’ishin parashikuar, janë ca mbrapa që s’dëgjojnë”, unë dua të kërkoj, nuk e di a realizohet, por se ndër të tjera kam qenë dhe i bezdisur shumë nga disa kritikë me buzë shumë të holla në Tiranë që janë mërzitur me tallavanë tonë. Sikur të ishin njerëz që dëgjojnë gjithë ditën Beethoven-in hajde se do ua falja, por janë ata që dëgjojnë gjithë ditën Saliun me Ilirin dhe u mërzitën me tallavanë. Se ata që dëgjojnë Beethoven-in nuk mërziten me tallavanë se janë njerëz të lirë dhe kur njeriu është i lirë dhe kur nuk i pranon diktaturat e shijeve atëherë pëlqen edhe himnin e Beethoven-it, e gëzimit edhe gëzimin e Tit Vullkanit.
Herë tjetër sigurohuni që fonia të jetë më e lartë sidomos kur jemi në Kamzë dhe ndërkohë shiheni, qielli i pastër edhe filluan pikat e bekuara të shiut sepse kemi ardhur këtu të mbjellim pemë, kemi ardhur këtu jo mbi tribunë që të dukemi se jemi më lartë se ju edhe me një ekran që t’ju tregojmë ju shkollat ku çoni fëmijët dhe i shihni vet, kopshtet ku çoni më të vegjlit dhe i shihni vet, çerdhet ku çoni bebet dhe i shihni vet. Në një bashki e cila është pasqyra më rrezatuese e rilindjes së arsimit dhe të kujdesit për fëmijët, në një bashki që është… jam dobët me zërin prandaj kërkova Tit Vullkanin, mos bërtisni shumë se nuk ju mund dot me zë, jam akoma dobët me zërin, kështu që më lini t’i them dhe këto që kam për të thënë. Kjo është një bashki që në fillim u krijua nga ëndrra, ëndrra e atyre që erdhën nga realitete më të varfra, më të izoluara, më të harruara të Shqipërisë dhe nuk e harroj kurrë pamjen në fillimin fare, ku shumë nga këtu të rinj nuk kishin lindur akoma, ishte fusha poshtë te Instituti e mbushur me tenda me qese plastike. E filluan me qese plastike dhe menduan se demokracia që erdhi me mundësinë e lëvizjes së lirë ishte e lidhur me ata të cilët krijuan Partinë Demokratike dhe pastaj e kthyen Kamzën, kthyen ëndrrën, kthyen vet konceptin e të qenit të djathtas në barut për topat e interesave të tyre gjithmonë e më të zymta, gjithmonë e më të ulëta.
U desh Rakip Suli, u desh që t’i jepej një herë të vetme në 30 vjet besimi Partisë Socialiste që shumë njerëz në Kamzë ta kuptojnë më në fund që ky liqeni nuk është as i majtë dhe as i djathtë. Që kjo ura ju shërben dhe të majtëve dhe të djathtëve. Që ky ndriçimi nuk ndriçon majtas ose djathtas. Që shkollat, kopshtet, çerdhet nuk janë të majta apo të djathta. Që palestrat për fëmijët për fëmijët ku sot Kamza po çudit gjithë Shqipërinë me kalamajtë që po fitojnë dhe po rrahin Tiranën mendjemadhe të Lali Erit nuk janë të majta dhe të djathta. Ata kalamajtë që lozin atje dhe që rrahin këta tironsit me hundën lart, ata e kanë zjarrin në sy. Ata vijnë nga familje të majta dhe të djathta, por janë bashkë për Kamzën dhe kam ardhur dhe i kam parë vetë në finale me Tiranën. Ishin dy skuadra që po t’i shihje pa luajtur, thoje fitojnë këta të Tiranës. Këta të Tiranës si më të gjatë ishin. Këta ishin më të shkurtër. Mirëpo ja që fituan të shkurtrit në lojëra për të për të gjatët. Kështu që për të gjitha këto arsye, nuk iu them juve që keni ardhur këtu, se ju që keni ardhur këtu e keni ndarë mendjen. Ju them atyre që akoma s’e kanë ndarë mendjen. Nuk ka nevojë të më doni mua, fare. Kur ju dal përpara e keni shumë kollaj. Po të jem në televizor, pap, kaloni kanalin. Po të jem në rrugë, ato dy gishtat menjëherë, pap, pap, pap. Shumë kollaj.
Nuk ka nevojë fare as të doni lali Erin. Thyejeni fare televizorin kur del lali Eri, por këtu s’është puna as për mua, as për lali Erin. Këtu është puna për gomarin që do merrni t’ju shërbejë. E doni gomarin me kurriz të fortë siç është ky gomari këtu apo e doni gomarin me dy veshë të gjata? Si e doni?
Doni që kur të shkoni tek bashkia t’ju dalë përpara gomari që ia vini drutë sipër e i thoni ec, apo doni që kur të shkoni te bashkia t’ju dalë gomari me dy veshët e gjata? Edhe ju ça do bëni pastaj? Do ngrini dhe ju veshët e do shkoni në shtëpi me bishtin ndër shalë siç keni qenë në të gjitha vitet? Dy gishtat lart dhe bishtin ndër shalë. Sepse as ujë, as kanale, asgjë. Edhe rrugët 4 metra të gjëra asfalt, 7 gropa dhe emrin e Donald Trump e të Marilyn Monroe, e të Dubait, e të Saliut. Këto doni?
Unë them që zgjedhja është shumë e thjeshtë këtë herë dhe shumë më e thjeshtë se asnjëherë tjetër. Dhe t’u them dhe një gjë tjetër e po ua them shumë troç. Kush do fusë gomarin me veshë të gjata në bashki, ta harrojë qeverinë. Ta harrojë mbështetjen nga qeveria. Ne nuk mundet kurrë të na vënë përpara faktit të kryer me demek në emër të votës dhe të na detyrojnë të bashkëpunojnë me individë të shpallur “non grata” jo nga unë, me individë të shpallur “non grata” jo nga Mali i Zi, as nga Maqedonia, por nga SHBA.
Është e habitshme se si ithtarët e demokracisë, ithtarët e lirisë, ithtarët e ndryshimit që këtu në Kamëz kanë një vatër të madhe që vjen nga historia, ta pranojnë në këtë sfidë, me SHBA do luftojnë? Po kjo nuk është luftë. Kjo është turp dhe këtë turp ne Shqipërisë nuk ia lëmë në fytyrë. Tani po ju them edhe një gjë tjetër. Ju e dini Kamzën dhe e dini më mirë se unë se i keni jetuar rrugët gjithë baltë, i keni jetuar ato çerdhet e tmerrshme, i keni jetuar ato shkollat tmerrshme, të gjitha të lyera me një blu të shëmtuar se bluja është një nga ngjyrat më të bukura, po nuk e di ku e gjenin atë blu. Se i kam parë kur kemi shkuar që i kemi rindërtuar të gjitha, të gjitha nga e para dhe nuk besoj se i ka shkuar mendja një njeriu që një kopsht në Kamëz do merrte çmim ndërkombëtar si kopshti më i bukur i ndërtuar në Europë atë vit. Në Evropë!
Po ju them, më tregoni një qytet, një. Ju vini nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Ju vini këtu por keni atje akoma njerëz, po shkoni atje për arsye të ndryshme. Ju i keni parë 30 vjet qytetet e Shqipërisë si kanë ndryshuar, si kanë ecur, si s’kanë ecur. Më tregoni një qytet, më tregoni një komunë, më tregoni një fshat kur e kishin në dorë veshgjatët.
Pa kollonë fare, pa kurriz, vetëm veshë të gjata edhe ku nuk shkuan gjërat vetëm poshtë, vetëm për prapa, se nuk dinë. E dëgjuat këtë figurën? Se këta të bëjnë edhe me vdek fare, nga e qeshura, kuptohet. Do hapim sheshin Skënderbej tha, do bëhet me nënkalime. Pse? Sepse këta dinë vetëm të hapin gropa. Këta, një gropë nuk dinë ça të bëjnë kur e hapin. Një. Këta hapin vetëm gropa. Kush shkon pas tyre shkon vetëm pas gropave dhe me këtë rast, besoj që ata që janë demokratë por kanë mendjen në vend, se janë plot me mendjen në vend, besoj që e kanë kuptuar që janë të gjitha të pavërteta të gjitha ato poshtërsitë, “Edi Rama nuk ju do, Edi Rama s’e do Kamzën, Edi Rama kështu”, sepse kaq mundësi, kaq. 4 vjet s’janë asgjë në një vend ku janë hapur gropa 30 vjet. 4 vjet mundësi patëm edhe ngado që shikoni, e shikoni që e shfrytëzuam këtë mundësi vetëm për të bërë mirë për Kamzën, nuk kemi parë as të majtë e as të djathtë, as demokratë e as socialistë, asgjë se të gjitha këto vlejnë për t’u ulur në tavolinë për të bërë debat. Këto nuk vlejnë kur duhet të ngarkosh gomarin. Kuptojeni mirë këtë gjë. Nuk ka të majtë e të djathtë kur shkon në punë.
Tek grupi i mjekëve që më operuan mua kishte socialist e demokratë, madje demokratë të flaktë. Po ishin bashkë se më bënë operacionin. Ju kur çoni fëmijët tek mësuesi i anglishtes, nuk i thoni “a je i majtë ti, komunist, apo je i joni ti?. Po i thoni, “a ma mëson anglisht”?
Dhe nëqoftëse mësuesi i anglishtes është i majtë, e çoni tek mësuesi i anglishtes, nuk e çoni për të mësuar anglisht te mësuesi i arabishtes, apo jo?
Kur thërrisni hidraulikun i thoni je i majtë ti? Apo merrni pastaj ndonjë karrocier për t’ju rregulluar çezmën që është i djathtë.
Këto janë muhabete tavoline. Këto janë luftra idesh, jo të djathtët kështu, të majtët…, nuk ka rëndësi, janë ide, janë vizione, janë programe, po këtu nuk është fjala as për vizione, as për programe, as për gjë nga këto. Këtu është fjala kujt “gomari’’ do t’ia ngarkoni drutë. Kaq kisha unë!
Ju jam shumë mirënjohës që më dëgjuat dhe më duruat, por për gojë të ëmbël Rakipi është mjaltë. Sipas porosisë, nuk duhet të zgjatem kaq shumë, por unë u zgjata pak nga kënaqësia. Tani po ju them, për mua është hall, jo për ju, ta vendos Rakipin prapw për mua është hall se më çmend, “duhet kjo, duhet ajo, kryeministër hajde bëj këtë, hajde këtu, o kryeministër…’’, po fjala ime e fundit. E para po ia dhatë Rakipit votën edhe 4 vjet të tjera, unë iu them do bëjmë për Kamzën, 4 herë më shumë se këto 4 vite. Po nuk ia dhatë Rakipit, do më kujtoni, po do jetë vonë e do thoni na erdhi ai “gomari i gjatë’’ na i tha të gjitha, por ne nuk e morëm shumë seriozisht. Tani, Profeti, paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë: Edhe sikur dita e kiametit të të gjejë me një pemë në dorë, mos ik pa e mbjellë!

Të vazhdojmë punën, të mbjellim pemë!

Nuk e di a i ka parashikuar Rakipi gjithë këto lopata, po të fillojmë të mbjellim pemët.

Zoti iu bekoftë të gjithëve!