Kavaja është stacioni i radhes në rrugëtimin e gjelbër drejt 14 majit, ku me shkurtimin e shpenzimeve elektorale u mbollën pemë të reja në parkun në qendër të qytetit, për më shumë gjelbërim dhe oksigjen dhe jo më për ndotje mjedisore, akustike e vizuale.
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH prezantoi sot në Kavajë, Kandidatin për Kryetar Bashkie Redjan Krali.
* * *
Shumë faleminderit për mikpritjen!
Kur po hyja në rrugën që të sjell këtu mu kujtua sesi ishte hyrja e Kavajës kur ne morëm detyrën dhe si ajo hyrje që dukej realisht në atë kohë si hyrje ne një vatër të dëshpërimit, harresës, të rrënimit, ishte e gjithë Kavaja. I kam para syve pamjet e Kavajës dhe e kam parasysh edhe gjithë punën, projektet, përpjekjet për të nisur ndryshimin e saj të madh dhe këtu në Kavajë ndryshe si në shumicën e bashkive na ka ndodhur që gjatë rrugës përsëri Kavaja të kthehet në duart e atyre që në 30 vjet që kur ka zgjedhje demokratike vendore në Shqipëri nuk kanë mundur të krijojnë një shembull të vetëm se dinë të kujdesen për një bashki, dinë të kujdesen për një qytet, dinë të kujdesen për një fshat.
Më kujtohet që kur Kavaja u kthye përsëri në duart e tyre, të vetmet probleme që patëm ne me Kavajën nuk ishin më si të financojmë dhe një projekt më shumë, si të bëjmë dhe një kopsht më shumë, si të bëjmë dhe një shkollë më shumë, si të hapim dhe një tjetër hapësirë të gjelbër, si të krijojmë diçka të re, si të kemi edhe më shumë pastërti në bregun turistik të Kavajës, por të vetmet probleme që kishim ishin lejet në rërë. Lejet e dhëna në kundërshtim me çdo ligj, në kundërshtim me çdo interes publik, në kundërshtim me çdo sens të së bukurës dhe së ardhmes. E vetmja gjë që mbaj mend, në ato vite kur ata e ri morën Kavajën ishte sesi përsëri bashkia e Kavajës u vu në dispozicion të një grupi që funksionon tamam si një bandë grabitqarësh, kudo dhe kurdo herë atyre iu besohet pushtet. Kjo është e vërteta!
Kjo është e vërteta, siç është e vërtetë që Kavaja u rikthye tek pisllëku, papastërti kudo, as plehrat nuk mblidheshin më siç mblidheshin zakonisht dhe ju e mbani mend shumë mirë. Tani unë dua t’iu them atyre që vazhdojnë votojnë për ata, po mirë, keni një minimum ndjeshmërie, në mos për vete, për fëmijët tuaj, për fëmijët tuaj që i rrisni në këtë qytet? Se ka shumë ndryshim, nëse fëmijët dalin në një qytet që është i pastruar apo në një qytet që janë plehrat në të katërta anët. Ka shumë ndryshim nëse fëmijët shkojnë në një shkollë që jo vetëm është e ndërtuar, se shkollat nuk mjafton t’i ndërtosh por duhet t’i mirëmbash, apo shkojnë në një shkollë që pasi të ndërtohet nuk mirëmbahet më. Se ne kemi ndërtuar këtu plot shkolla. Kemi ndërtuar kopshte, çerdhe, ja ku janë edhe gjithë apartamentet e atyre që humbën shtëpitë. Por kjo nuk mjafton, ato duhen mirëmbajtur. Shtëpia mirëmbahet, pastrohet, lyhet, rregullohet dhe shtëpia ka nevojë për përkujdesje.
Tani ku hyn këtu, mes fëmijëve apo të moshuarve që më në fund pas shumë e shumë vitesh këtu në Kavajë kanë hapësirat e tyre, kanë frymëmarrjen e tyre, kanë qetësinë e tyre dhe interesave banale për halle e probleme personale me ligjin dhe me botën të dy hijeve, të hijeve të së kaluarës që janë bërë bashkë për të marrë peng çfarë të munden, Kavajën e kë të munden tjetër. Ku hyn këtu tani logjika? Me çfarë logjike mund të vazhdohet të mendohet se vota për shtëpinë këtu, vota për pastërtinë këtu, vota për ndriçimin këtu, vota për gjelbërimin këtu, vota për shkollat, për çerdhet, vota për strehimin social, vota për biznesin e vogël, vota për biznesin e madh, vota për ndryshimet e infrastrukturës, mund të shkojë pa asnjë logjikë tek dy hije që nuk e duan Kavajën për ta bërë më të bukur, se kur e kishin vetëm e shëmtuan dhe e degjeneruan. Nuk i duan bashkitë për t’i bërë më të bukura se sa herë iu kanë rënë në dorë vetëm i kanë shëmtuar dhe i kanë degjeneruar. Ose ndryshe le të dalë njëri dhe të ma tregojë një bashki. Të më thotë, “e ke gabim”. Një! Të më thotë, “jo e ke gabim se në vitin 1994 ne e kemi pasur atë bashkinë atje dhe shihe se çfarë kemi bërë”. Noc Rrokun! Asnjë gjë! Asnjë gjë!
Shiheni Shkodrën, çfarë fatkeqësie. Shkodra një nga kryeqendrat e Shqipërisë jo sot por denbabaden, një nga kryeqendrat e kulturës, e historisë, e traditës. Një nga kryeqendrat e trashëgimisë kulturore me aq shumë monumente kulture, me aq shumë histori, shiheni se çfarë është Shkodra sot. E kush e ka bërë Shkodrën ashtu? Zoti? Jo, Zoti Shkodrën e ka bërë të mrekullueshme, me lum, me liqen, me të gjitha të mirat. Historia? jo ! Historia Shkodrës i ka dhënë gjithçka i duhet që Shkodra sot të lulëzojë. Shkodrën e ka bërë ashtu vetëm vota për ata. Kaq e thjeshtë është kjo. Kush ia jep votën atyre, i pret vetes biletën për të ecur mbrapsht. Tani kthehuni dhe ecni në shtëpi duke ecur mbrapsht. Shkoni kthehuni, siç jeni filloni mbrapsht. Ku shkon?
Mirë, mirë se nuk e kam me ju, se ju gjersa keni ardhur këtu, përpara keni ardhur. Unë po flas për ata të tjerët. Sepse kur të punon mendja mbrapsht, gjërat shkojnë mbrapsht dhe është e habitshme që akoma duhet diskutuar sot kjo gjë. Është e habitshme që akoma ka njerëz këtu në Kavajë që e vënë akoma në diskutim.
Nuk do ta shohësh me sy Edi Ramën? Më e thjeshta në botë, është më e thjeshta në botë. Fik televizorin! Nuk e sheh dot më lalin se të del ditë, natë në televizor? Thyeje televizorin. Se me këtë jeni rehat se ky s’del as në televizor. Po ama të shkosh për të ngarkuar dru dhe të kesh alamet gomerësh këtu si puna jonë dhe të marrësh qen që të ngarkosh drutë, kjo s’bën vaki se qeni nuk ngarkon dot dru. Dhe në vend se të ngarkosh drutë edhe të hash ndonjë kafshim pastaj.
Kjo është historia e thjeshtë, kush i ngarkon drutë, e kush i çon drutë në vend. Për këtë është vota! Për këtë popullit i thonë sovran se sovrani, mbreti, merr shërbëtorë në punë. Për këtë në demokraci, kush zgjidhet është shërbëtori i atij që zgjedh dhe kush zgjedh, zgjedh shërbëtorët. Jo nuk më pëlqen mua ky shërbëtori se ky punon shumë, dua një që ma bën shtëpinë çorap? Po pse?
Pse? Për më tepër në zgjedhje si këto që nuk janë fare politike. Çfarë do të bëjnë ata me Kavajën, ma thoni? Ça do bëjnë? E para e punës njëherë s’do bëjnë asgjë se s’kanë bërë kurrë asgjë ndryshe nga siç janë mësuar të bëjnë sa herë e ha sovrani tekun që thotë hajde mo t’ia marrim dhe njëherë se është i joni ky? Si mor i joni? Si i joni? Po e çoni fëmijën ju të mësojë anglisht tek hidrauliku apo merrni mësuesin e anglishtes t’ju rregullojë çezmën? Çdo punë do njeriun. Pse s’merrni kushërinjtë ju t’ju rregullojnë shtëpinë po merrni ustallarët? Kushërinjtë duan muhabet, ustallarët janë për punë. Ju pëlqejnë ata? Mbajeni televizorin aty gjithë ditën, kënaquni. Apo s’thonë budallallëqë pa fund, po jo t’u besosh shtëpinë.
Kjo është e thjeshtë dhe për më tepër sot kur jo puna, se punës nuk ia kanë ditur kurrë. Lëre se ç’thonë, futëm Shqipërinë në NATO , futën ata Shqipërinë në NATO. Shqipërinë në NATO e futi Amerika që sot Shqipërinë vazhdon e do në NATO, po ata s’do me i pa më sy dhe vazhdon thotë publikisht që për Amerikën janë ‘’non gratta’’.
Tani si i bëhet kësaj pune? Çfarë do bëjmë ne? Do ta çojmë, do kthehemi prapë në kohën kur hahej brenda tek bunkeri dhe ta kenë parasysh të gjithë që edhe të duam ne, nuk bashkëpunojmë dot me ata që mund të dalin nga ndonjë votë të çuar në drejtim të paditur, mbrapsht. Nuk bashkëpunojmë dot, është e pamundur. Kështu që zgjedhja është shumë e thjeshtë, është shumë, shumë e thjeshtë. Ne kemi të metat tona sa të duash, ta dini ju se herë e rrah këtë unë. Nuk ka nevojë jo, se e para një herë ai që të rreh të do, e dyta nuk e rrah aq shumë sa thashë, e treta, e rrah, po e rrah me fjalë kuptohet në telefon, sepse dua që të rrije edhe më shumë në këmbë, se dua të bëjë edhe më shumë punë, se dua që të mos i rrëshqasë asnjë mi nën mustaqe dhe se kur marr ankesa nga njerëzit, unë nuk mërzitëm me njerëzit, unë mërzitem me këta dhe kur i përgjigjem unë njerëzve, këta duhet t’i rrinë gatitu, por ama si t’ia bëjmë ne tani që më të mirë se ky s’kemi ne tani këtu.
Djalë punëtor, pa llafe shumë dhe pa fjalë për hajdutërira. Kjo është kryesorja dhe po, se atë e keni merak ju, kavajs. Kavajs me pus e me carac. Po edhe atë e ka po më e rëndësishmja është që bashkëpunojmë, bëjmë projekte të përbashkëta, ulemi flasim ça do bëjmë, si do bëjmë, ça do financojmë, kjo rruga këtu, ajo aty dhe ja, ecën qyteti, ecën, ecën përpara.
Si ta ndalojmë tani? Për çfarë? Për çfarë? Për paret ruse ta ndalojmë? Se janë llafe, janë llafe po u bënë si shumë llafe. Tani po dalin dhe kontot bankare, që po vijnë si ato shishet që sjell deti kur mbytet anija. Se anija është mbytur atje. Vetëm këtu në Kavajë e në ca vende të tjera s’e kanë marrë vesh akoma. Është mbytur anija, o demokratë. Është mbytur. Është mbytur anija. Ça do bëni tani? Robinson Crusoe këtu vetëm?
Nuk dua të zgjatëm më shumë, po thjesht fola pak më gjatë se normalisht sepse më pëlqeu shumë gjithë kjo prani e juaja këtu. Ne nuk jemi angazhuar të bëjmë mitingje të mëdha me zhurma, në fund do të bëjmë edhe ca për ata që thonë: “amon mor ta bëjmë dhe një miting se nuk durohen ato kur mblidhen”.
Po lërë mo, ça do bëjnë ato? Po le të mblidhen mo. Ne edhe tani e kemi mendjen si të bëjmë ndonjë punë edhe kur jemi duke bërë fushatë dhe të mbjellim ca pemë me ato lekët e fushatës, me ca shkurtime shpenzimesh se të merreshim këtu, me vënë një tribunë e të hipnin ne sipër, do lekë.
Të vinim edhe një ekran aty prapa e të vendosnim Kavajën që e shihni çdo ditë, do lekë. Ta mbushnim edhe me flamujt të PS largqoftë, nëpër shtylla, do lekë . Tani të paguajmë lekë ne që të dalë edhe ky nëpër postera, që e njihni të gjithë edhe posterat pastaj të rrinë nëpër mure si lëkurë zgjebsi dy vjet e tre vjet, e s’durohen dot, do lekë edhe ajo.
Pse t’i harxhoimë këto lekë ne? Do vëmë ca postera vetëm për t’i kujtuar disave që e duan në lule të ballit mendimin, fjalën, ore jo mbrapa. Kurrë më mbrapa se sa herë është kthyer prapa, kokës me grushta i kemi rënë. Vetëm përpara. Po për kaq? Ndërkohë me ato lekë po blejmë pemë e po ua bëjmë dhuratë bashkive. Sepse nuk e kemi fushatën për të shfrytëzuar fondet e qeverisë e të bashkive për pemë, se pemët bashkitë i mbjellin. Ne vetëm po shtojmë disa e në fund. Tek ky parku ne do ikim, të gjitha të tjerat do harrohen, po pemët do ngelen.
E meqë jemi edhe ne Ramazan si thotë Profeti, Paqja e Zotit qoftë me të, “kush mbjell një pemë, bën një mirësi të madhe’’. Kështu që sa më shumë pemë të mbjellim, sa më pak zhurmë, sa më pak llafe, ju e patë as emrat nuk duhet me ia përmend, por taksirati jonë ndonjëherë duhet me i përmend, po ke thënë dy hije, i ke thënë të gjitha. Dy hije.
Dhe në fund fare edhe një pyetje kam unë; kur keni ndonjë problem me e zgjidh, shkoni tek ndonjë që nuk zgjidh dot as problemet e veta? Apo shkoni tek ndonjë që ka vullnetin t’ju dëgjojë edhe angazhohet qe t’ju zgjidhë problemin? Patjetër shkoni tek ky i dyti. Ata të dy kanë aq shumë probleme që s’i zgjidhin dot e tani thonë hajdeni dhe ju votoni që të bëheni pjesë e problemit tonë.
Se dëgjova Xhaferrin kur thoshte: ‘’Do bjerë monizmi, do kontrollojmë’’. Ç’do kontrollosh?! Ç’do kontrollosh?! Floririn do kontrollosh?! Të mbjellim ca pemë tani dhe Zoti iu bekoftë të gjithë!