Kolonja, qyteza e shndërruar me punën e palodhur dhe vizionin e duhur në drejtimin e bashkisë, me infrastrukturë të rindërtuar nga themelet e me projekte që presin për t’u jetësuar në mandatin e ardhshëm, ishte sot stacioni i radhës në rrugëtimin e gjelbër drejt 14 majit për të kërkuar sërish votëbesimin për kryetarin e bashkisë Erion Isai.
* * *
Shumë faleminderit edhe më vjen shumë mirë që kjo është hera e fundit që unë vij këtu dhe rruga nuk është e përfunduar sepse besoj që brenda verës ne do të kemi mundësi të rikthemi dhe të bëjmë të gjithë rrugën nga pazari i Korçës tek sheshi i Kolonjës brenda 20 minutash është një ndryshim shumë i madh.
E dini shumë herë më mirë se ça torture ishte rruga, jo vetëm një rrugë e gjatë, por edhe një rrugë shumë e lodhshme ndërkohë që kjo vepër që po ndërtohet është një vepër komplekse. Kjo ka qenë dhe arsyeja pse ka marrë më shumë kohë. Mjafton të shikoni rrugës për të kuptuar dimensionin e veprës në aspektin e kompleksitetit të saj.
Nga ana tjetër, qëllimi ka qenë që rruga të bëhet, por njëkohësisht të krijohen kushtet që natyra të ripërtërihet në dy anët e saj sepse është dashur të çahen volume të tëra dhe ndërkohë janë marrë masat që të përgatitet gjithë terreni në dy anët për t’u gjelbëruar më pas dhe kështu ky të jetë një korridor i gjelbër përmes një bashkie e cila është një nga bashkitë më të gjelbërta të vendit tonë.
E kam përsëritur disa herë dhe dëshiroj ta përsëris dhe këtu për faktin se këtu ka qenë një kërkesë e vazhdueshme dhe një plagë shumë e madhe dhe një plagë shumë e vjetër për hir të vërtetës, që në këtë fushatë për herë të parë ne nuk po flasim më që do ju sjellim ujin e pijshëm në të ardhmen sepse ujin e pijshëm 24 orë e kemi çuar në çezmat e banorëve të vendit, më shumë se sa çka shkuar edhe në kohën përpara se sa vinte periudha e rrumpallës që fillimisht u quajt demokraci nga ata të cilët vetëm me demokracinë nuk arritën dot të krijojnë një raport normal as njëherë dhe vijnë prapë këtu tani dhe nuk e di se për çfarë arsye në botë, ju gënjen mendja se mund të marrin votën e kolonjarëve.
Natyrisht kemi akoma për të bërë për ujin e pijshëm sepse ka akoma zona, ka akoma pika të ndryshme nëpër bashki që kanë nevojë për këtë shërbim që ta marrin të plotë, por ama kudo, e përsëris, sot kudo uji i pijshëm po shkon dhe këtu në Kolonjë ky është një angazhim 100% i realizuar. Nuk ka një shtëpi në të gjithë perimetrin e bashkisë Kolonjë që të mos e ketë ujin e pijshëm në dispozicion dhe kjo plagë ka qenë një plagë e tmerrshme këtu dhe këtu s’ka pasur ujë të pijshëm 24 orë në të gjithë pikat, as në kohën e komunizmit dhe as në kohën e Zogut e lëre më pastaj në kohët më përpara e në kohët mbrapa me hienat që vijnë prapë vërdallë.
Nuk ka nevojë unë t’ju flas ju për ta sepse ju jeni shumë të qartë. Këtu nuk kanë ata as një shans që të kenë hapësira, por ata nuk meritojnë asnjë shans, askund në asnjë pikë të vendit dhe Kolonja është një pasqyrë kuptimplotë ku ata të cilët kanë akoma iluzione apo kanë akoma dyshime, apo akoma ngurojnë që të bashkohen me ne, të shohin se si ndryshon jeta e një komuniteti edhe atëherë kur duket se ai komunitet duket i dënuar nga gjeografia , duket i dënuar nga ndarja për fatin e keq prej një prapambetjeje të gjatë në aspektin e infrastrukturës.
Ja ku jemi sot dhe natyrisht që çka kemi bërë është baza e një zhvillimi që sapo ka nisur, e një zhvillimi ekonomik dhe social bazuar tek këto bukuri të jashtëzakonshme, bazuar tek agroturizmi, bazuar tek turizmi i natyrave të ndryshme, sepse ky është një vend kaq i bekuar edhe kaq i bukur dhe me këtë afërsi tani që krijohet, me rrugën e re, me këtë lidhje organike që rivendoset me Korçën, patjetër që është një vlerë e shtuar edhe për Korçën dhe Korça së bashku me Kolonjën, së bashku me Pogradecin, hyjnë në një sinergji tjetër dhe oferta turistike e zonës bëhet më e plotë.
Pra vjen në një zonë ku gjen edhe liqenin, ku gjen edhe malin, ku gjen edhe produkte fantastike nga më të ndryshmet, ku gjen edhe mikpritje, gjen edhe histori e kështu me radhë.
Unë jam shumë besimplotë se ne kemi shumë akoma për të bërë, por ama më e rëndësishme akoma, është se e dimë ekzaktësisht se çfarë duhet të bëjmë dhe dimë si ta bëjmë. Ata të tjerët as nuk dinë, as nuk duan, as nuk kanë ndërmend fare ta vrasin mendjen për këtë punë, janë lëshuar nëpër Shqipëri me ca personazhe që janë për të ardhur keq, që i kanë shkundur nga pluhurat e bauleve të historisë së tyre të palavdishme, për të kapur ku të munden ndonjë peng e për t’i marrë peng bashkitë e pastaj për të marrë ato fondet e taksave të qytetarëve se nga qeveria ata nuk dinë, jo se ne nuk duam t’i japim, por nuk dinë sepse nuk dinë të bëjnë projekte, nuk dinë të realizojnë projekte, nuk dinë të ndjekin projekte dhe për të paguar autobusë e pastaj për t’i marrë ata që duhet në fakt të jenë shërbëtorë të qytetarëve në ujësjellës, në pastrim, në ndërmarrje të tjera e për t’i futur pastaj në autobusë, e për t’i nisur në Tiranë për të bërë luftë e sherr me qeverinë, me ato dy gishtat lart, “Rama ik”. Ju e shikoni sesa shumë kam ikur unë.
Ata sa më shumë vijën pas meje me dy gishta drejt meje “ik, ik”, aq më shumë ikin në drejtim të paditur se harrojnë rrugën dhe nuk dinë nga të kthehen, por kjo është një kosto që komunitetet nuk kanë pse e paguajnë, nuk ka pse një familje e cila ka prejardhjen, nuk e di, nga ato që quhen familje të djathta apo ka anëtarë të vetët familja që janë të fiksuar që “jam i djathtë”, në fund të ditës kjo familje në 14 maj, me ata anëtarë që kanë të drejtë vote, do të shkojë të vendosë kë do marrin në punë që të na shërbejë në 4 vitet e ardhshme, nuk do shkojë të bëj luftën finale vendimtare mbi dhe kush jam unë e kush jemi ne.
Kështu që është shumë e rëndësishme që prindërit ta shikojnë votën e tyre si votë të prindërve, jo si votë “jam i majtë, a jam i djathtë, e kam pasur gjyshin partizan, e kam pasur ballist, më kanë burgosur xhaxhain, xhaxhai ka burgosur xhaxhain e tij”, por për të vendosur kush është kryetar i bashkisë dhe cila është forca që duhet të merret në punë atje në bashki që kur të dalim nga shtëpia rruga të jetë e pastër e të mos na vijnë plehrat në fytyrë të shtyra nga era, që kur çojmë fëmijët në çerdhe, në kopsht apo në shkollë, çerdhja, kopshti, shkolla të jetë ashtu siç duhet, që qendrat shëndetësore të jenë ashtu siç duhet, që në mbrëmje vonë kur vajzat kanë të drejtë njësoj si djemtë që të vonohen, të bëjnë festa dhe të kalojnë me njëra-tjetrën apo së bashku me shokët, të kthehen në shtëpi e të mos rrish me ankth se mos ta hajë vajzën ujku rrugës se nuk ka drita rruga, e kështu me radhë.
Këto janë arsyet e 14 majit dhe patjetër, mbi të gjitha është arsyeja e madhe që duhet mbrojtur dhe Shqipëria në këtë proces sepse është në pikën e vet më të lartë ndërkombëtarisht.
Nuk kemi qenë kurrë më të respektuar dhe nuk kemi qenë kurrë më të barabartë në çdo tryezë në nivelin ndërkombëtar, nuk ka pasur mundësi ta imagjinonte njeri deri ca vite më parw që Shqipëria do ulej në Këshillin e Sigurimit, bashkë me fuqitë më të mëdha atje?
E keni parë Oltën, shkon atje ulet bashkë me ministrat e vendeve më të mëdha në Këshillin e Sigurimit në një kohë si kjo? Shqipëria të drejtonte OSBE-në, një organizatë që shtrihet nga Kanadaja deri në Vladivostok?
Shqipëria të priste Samitin e parë që BE-ja organizon jashtë kufijve të vet? Shqipëria të presë pas ca muajsh Samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe të vijë Kancelari bashkë me të tjerët në Shqipëri për ta bërë takimin?
Të gjitha këto nuk kanë ardhur nga asgjëja, nuk kanë rënë nga qielli dhe nuk na i ka dhuruar njeri; i kemi fituar duke arritur të ndryshojmë komplet shkallën e respektit për vendin tonë në arenën ndërkombëtare.
Asnjë vend sot nuk bën dot pa miq e pa partnerë e pa aleatë, por ne jo e jo.
Si mundemi dhe si mundet një shqiptar, një qytetar, një prind, një njeri i përgjegjshëm, një njeri që ka pak sens dashurie për atdheun dhe përgjegjësie për atdheun të shkojë dhe të votojë për persona për të cilët pikërisht ata miq, ata aleatë të pazëvendësueshëm, ata partnerë pa të cilët ne nuk kemi mundësi të shikojmë të ardhmen të sigurt, na e kanë thënë me shkrim “Janë të padëshirueshëm, nongrata”.
Si mundet? Ah, për nostalgji?! Për nostalgji mbaje për fotografi në dhomë të gjumit po të duash të nongratës, nuk të pengon njeri, mbaje atje në dhomë gjumi, shikoje në mëngjes kur të çohesh, shihe dhe në darkë para se të flesh, mbylli sytë fëmijëve se mos tremben dhe kënaqu por t’i japësh votë dhe t’i thuash botës “Shiko se ne nuk pyesim fare se çfarë mendoni ju”? Se nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara; Bashkimi Europian nuk e ka atë praktikë, por nuk ka derë të hapur për ata asgjëkund. I keni parë? Nuk ka, nuk i llogarit njeri, nuk i flet njeri, nuk do të dijë njeri për ta. Tani si i themi ne? I themi “Shiko se këta në fakt vendosim ne”?
Aq më tepër për korrupsion madhor dhe për minim të demokracisë, gjëra shumë të rënda se janë gjëra që ne i dimë, janë gjëra që kanë ndodhur. Minim të drejtësisë masivisht, njerëz që duhet të shkojnë të përgjigjen përpara ligjit prej vitesh dhe akoma sot ndjehen të pandëshkueshëm. Pse?
Sepse krijojnë këtë idenë që kemi popull me vete, kemi njerëz me vete dhe i duan këto bashki për sherr dhe i duan për të thënë “Shiko se ne nuk prekemi se kush na prek ne, prek dhe popullin”, bashkë me Like floririn, se është dhe Likja, që nuk lamë dy gurë bashkë që ta sillnim në rrugë të mbarë. Nuk vjen në rrugë të mbarë, nuk bëhet. Nuk lamë dy gurë bashkë që ta bëjmë Liken të sillet mirë; ka bërë çka bërë, të sillet mirë, të futet në rrugën e duhur. Jo mo, nuk ka, po nuk ktheu mbrapsht, nuk jeton dot. Epo atëherë, në rregull, punë e tij, të jenë mirë me shëndet, nuk i duam asnjë gjë të keqe por të lënë rehat këtë milet dhe ta lënë rehat Shqipërinë në rrugën e vet se e rrokanisën me lloj lloj budallëqesh, me lloj-lloj poshtërsish e me lloj-lloj pisllëqesh.
Kjo votë ka shumë rëndësi dhe janë të gjitha arsyet, edhe për vetë Partinë e palavdishme Demokratike, ka shumë rëndësi që të ri-vijë në vete. Shikoje si janë bërë kashtë e kokërr, nga të katërta anët. Të rivijnë në vete.
Një parti që zihen kush është i vërteti. Ata në fakt janë e njëjta gjë, si ajo që i ndan përgjysmë, nuk kanë asnjë ndryshim nga njëri-tjetri, por janë të çakërdisur komplet dhe nëse duam të kemi, ne nuk e vendosim ne, por ata demokratët duhet t’i thonë “Eja në vete, nuk mund të luajmë më ne tani”.
Ne jemi në një kthesë shumë të madhe historike për ekonominë e vendit.
Nuk është rastësi që po bëjmë rritjen më të lartë të pagave ndonjëherë, nuk është rastësi që jemi futur në një proces që ka filluar me pagat tani dhe që do të kurorëzohet si proces në harkun prill me prill kur do çojmë pagën mesatare në Shqipëri 900 euro nga 530 euro.
Epo, ky është një ndryshim i madh që nuk ka ardhur nga qielli, as nuk e ka sjellë koha; e ka sjellë një përpjekje shumë e madhe e përbashkët, duke pasur parasysh edhe malet që na kanë dalë përpara befasisht në mes të rrugës; tërmeti, që na është dashur të heqim fonde nga punët e tjera për të rindërtuar shtëpitë e atyre që mbetën në qiell të hapur, pandemia që na është dashur të heqim fonde nga punët e tjera për të mbështetur bizneset e vogla, për të mbështetur njerëzit, për të blerë vaksina, e kështu me radhë. Edhe kjo lufta e inflacioni e histori që vazhdojmë paguajmë që në faturat tuaja të dritave të mos ketë asnjë qindarkë rritje dhe megjithatë, ja ku po bëjmë dhe rritjen e pagave.
E patë raportin e Bankës Botërore, shikojini të gjitha të dhënat. Jemi në një kthesë të madhe të rëndësishme për ta lënë njëherë e mirë mbrapa një të shkuar që na ka nxirë jetën si rezultat i bishtave të historisë prej 100 vjetësh, jo prej 10 vjetësh.
Tani vetëm përpara sepse të kthehemi prapë e të rrotullohemi prapë… Boll i kemi gjëmuar bishtit nga mbrapa, tani të shikojmë përpara bashkërisht, pa bërë këto ndarje jo majtas e jo djathtas, natyrisht u takon të gjithë pjesëtarëve të kësaj familje politike dhe të gjithë mbështetëse të kësaj familje politike që t’i tregojnë rrugën dhe të tjerëve dhe u takon grave dhe vajzave social
iste që të ndihmojnë gratë dhe vajzat që i kanë burrat demokratikas që t’i sjellin burrat në vijë. Unë kam shumë besim që përmes grave, burrat mund të vijnë në vijë dhe sa më shumë gra të përfshihen në sjelljen në vijë të burrave, aq më mirë është dhe vendi sepse gratë nuk kanë kohë për të humbur, nuk e kanë mundësinë të shkojnë nëpër kafe e të flasin për politikën e madhe me orë të mëdha se duhet të rrinë e të bëjnë 7 palë detyra, edhe punët e shtëpisë, edhe punët e punës, edhe punën e familjes kur janë në sektorin privat, edhe të ndjekin mësimet e fëmijëve, por edhe të lajnë e të thajnë burrat. Si i bëhet tani? Pse, për disa burra me mendjen mbrapsht do kthehemi ne dhe do të rrotullohemi rreth vetes? Jo!
Kështu që, gratë kanë misionin ta shpëtojnë këtë vend përfundimisht nga rreziku i kthimit mbrapa.
Shumë faleminderit!
Shumë respekt për ju dhe kur të mbarojë rruga në verë jam i bindur që Olta do të na ftojë, bashkë me këtë gishton këtu, që unë me Nikon të vijmë dhe të bëjmë një festë të madhe sepse realisht 20 minuta nga Korça janë aq sa duhet që Kolonja të ngrejë krye dhe të kërkojë primatin këtu.
Faleminderit.