Komunikimi për media i Kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka
Përshëndetje të gjithëve,
Sot Komisioni i Venecias ka publikuar opinionin në vijim të kërkesës që Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali i adresoi në fund të shtatorit të këtij viti në lidhje me raportin midis demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe urdhërimeve taksative të Gjykatës Kushtetuese në kontekstin e rolit të Kuvendit në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Kërkesa për Opinion u parashtrua nëpërmjet pesë pyetjeve specifike dhe konkretisht në mënyrë të përmbledhur.
Amundet të detyrohen deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe nëse po cili mund të jetë mekanizmi për të detyruar ato të votojnë kështu?
Mbi cilat standarde bëhet konstatimi i papajtueshmërisë së mandatit të deputetit nga organet legjislative të shteteve të ndryshme dhe cili organ bën konstatimin e papajtueshmërisë?
Cili është standardi për të bërë interpretimin e raportit mes mandatit përfaqësuese jo-detyrues dhe rolit të deputetit si anëtar i Kuvendit kur shqyrtohet një mocion për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit?
Cili është roli i organit legjislativ në konstitimin e papajtueshmërisë në shtetet e tjera dhe nëse ka kontrolle gjyqësore ndaj vendimeve të tyre cili prej këtyre organeve ushtron kontroll thelbësor të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë?
A mundet Gjykata Kushtetuese të krijojë një normë të re Kushtetuese që nuk ka lidhje me kopetencën e saj interpretuese të një norme në fuqi?
Për këto pesë pyetje Komisioni i Venecias është shprehur në Opinionin që u publikua sot për të cilin më lejoni që të bëj një përmbledhje të përgjigjeve të paraqitura në këtë Opinion.
Përpara se të ndalem në përgjigjet e dhëna në këtë Opinion për shqetësimet e ngritura në pyetjet që i janë drejtuar Komisionit të Vencias dëshiroj të shpreh konsideratën më të lartë për anëtarët dhe ekspertët e Komisionit të Venecias, personalitete të shquar në fushën e të drejtës nga mbarë Europa të cilët e trajtuan me seriozitet, profesionalizëm dhe në një kohë rekord këtë çështje të rëndësishme për leximin e drejtë të vullnetit të kushtetutbërësit për autonominë parlamentare.
Padyshim që ky është një shembull më shumë për të nënvizuar rolin e rëndësishëm të Komisionit të Venecias në funksion të forcimit të demokracisë dhe të parimeve të shtetit të së drejtës dhe për këtë ka mirënjohjen tonë më të thellë.
Duke u ndalur në çështjet e trajtuara në këtë Opinion, Komisioni i Venecias shprehet qartë se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar por është vetëm në gjendje të votojë për çështje që janë brenda kopetencës së vet.
Komisioni i Venecias konstaton se për më tepër se parimi që deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre është konfirmuar dhe nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare në vendimin 44 të vitit 2011.
Sikurse organet e Kuvendit kanë theksuar disa here, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të bëhen objekt vlerësimi nëse zbatohen apo jo.
Komisioni i Venecias konstaton se Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka nuk duheshin kushtëzuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre.
Me fjalë të tjera vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën.
Komisioni i Venecias konfirmon qëndrimin e mazhorancës se sipas jurispurdencës së vetë Gjykatës Kushtetuese Shqiptare Kuvendi dërgon për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti, vetëm kur konstatohet se jemi para rasteve të pikës tre të nenit 70 të Kushtetutës. Kjo do të thotë kur vetë deputeti përdor pasuritë e shtetit dhe përfiton prej tyre, rastet e tjera Kuvendi i shqyrton vetë.
Komisioni i Venecias më tej konstaton se në vendimin e vitit 2016 Gjykata Kushtetuese konsideroi nenin 70 të kushtetutës i cili parashikon mocionin e 1/10 së deputetëve si një normë që mbizotëron mbi nenin 134 të Kushtetutës që parashikon të drejtën e 1/5 së deputetëve për t’iu drejtuar drejtpërdrejt Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni i Venecias shprehet në këtë opinion se pas vendimit të 2018 Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, neni 66 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese është ndryshuar me qëllim që ti jepet e drejta 1/5 së deputetëve të mund të referojnë drejtpërdrejti në Gjykatën Kushtetuese një çështje për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Megjithatë, shprehet Venecia, në vendimin e fundit, dhe bëhet fjalë për çështjen e deputetes Xhaçka, Gjykata Kushtetuese duke mos ju referuar, duke mos e trajtuar ndryshimin e nenit 66 mban pozicionin se 1/5 e deputetëve nuk mund të bëjë një kërkesë të tillë në Gjykatë Kushtetuese sipas nenit 70 të Kushtetutës.
Sipas Komisionit të Venecias kopetenca e Gjykatës Kushtetuese si një organ gjyqësor dhe jo politik nuk duhet të shkelë, të cënojë domenin, rolin e legjislatorit kushtetues që është parlamenti i cili ka të drejtën e krijimit të normave.
Parlamenti krijon norma, Gjykata Kushtetuese interpreton norma.
Gjykata Kushtetuese duhet të respektojnë ndryshimet kushtetuese që bëhën nga legjislatori kushtetutes në përgjigje të zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të shmanget perceptimi i qeverisë së gjyqtarëve.
Në përfundim të kësaj përmbledhje më lejoni të shtoj se bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias është qartë se pikëpyetjet e ngritura në lidhje me votimin për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastin në fjalë kanë qenë të drejta dhe të bazuara në argumente tërësisht kushtetuese dhe ligjore dhe ato lidhen me integritetin e autonomisë parlamentare, të drejtën e pakicës parlamentare që ti drejtohet direkt Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit, rolet kushtetutese të Gjykatës dhe Kuvendit sipas përcaktimeve në ligj dhe në kushtetutë.
Është e qartë se gjithë ky proces, përtej retorikës politike, përfshirë marrjen e opinionit në Komisionit të Venecias pati një karakter tërësisht teknik dhe u trajtua nga ne bazuar në argumente juridikë dhe parimë që ngrihen mbi qëndrime kushtetuese dhe jo mbi interesa politike.
Ne besojmë se një vendim gjykate e aq më tepër një opinion i një komisioni prestigjoz siç është ai i Venecias nuk mund të bëhet objekt i diskursit politik pasi një çështje juridike nuk mund të zgjidhet me mjete politike dhe koha na dha të drejtë.
Edhe njëherë çmoj të theksoj se ashtu siç edhe e nënvizon Komisioni i Venecias, dhe siç e kemi shprehur disa herë Kuvendi e njeh detyrueshmërinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka patur e nuk ka asnjëherë qëllim mos t’i zbatojë ato. Por këto vendime duhet të jenë të tilla që Kuvendi brenda kopetencave kushtetuese, të jetë në gjendje t’i zbatojë ato.
Tashmë është e qartë gjithashtu nga Opinioni i Komisionit të Venecias se Kuvendi e dërgon çëstjen në GJykatën Kushtetuese vetëm kur vlerëson se deputeti përdor pasurinë publike apo përfiton prej saj ashtu siç u çmua në fakt kur mori në shqyrtim për herë të parë mocionet e opozitës për rastin në fjalë se e drejta e 1/5 e deputetëve për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese nëse nuk bie dakord me vendimin e Kuvendit është e sanksionuar në Kushtetutë dhe në ligj dhe lejimi i ushtrimit të kësaj të drejte është i mbrojtur sipas parimeve ndërkombëtare.
Kujtoj këtu se kërkesa e 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për rastin e deputetes Olta Xhaçka edhe pse u mor një shqyrtim dhe u krye një proces kushtetues disa orësh në Gjykatë nuk u pranua dhe nuk u zgjidh në themel nëse ishte apo nuk ishte në kushtet e papajtueshmërisë me argumentimin se kërkesa duhet të shkonte nga Kuvendi.
Gjykata Kushtetuese në rolin e vet kushtetues ka kompetencën e interpretimit të kushtetutës dhe jo të krijimit të normave të reja kushtetuese. Prerogativë kjo vetëm e Kuvendit. Si gjithmonë edhe këtë herë ky proces me Komisionin e Venecias u kërkua me qëllim qartësimin e zgjidhjeve të duhura kur ekzistojnë paqartësi juridike.
Thënë këto, nuk ka pasur asnjë krizë kushtetuese për një situatë që kërkonte zgjidhje kushtetuese dhe angazhim domethënës për sqarimin e aspekteve të rëndësishme, respektim të parimeve të shtetit të së drejtës, autonomisë parlamentare, sigurisë juridike dhe ruajtjes së balancave në demokraci.
Komisioni i Venecias vë ekuilibrin midis respektit të ndërsjelltë midis nevojës për të pasur të drejtë deputetët të votojnë të lirë dhe detyrimin për të zbatuar vendime të qarta të Gjykatës Kushtetuese.
Legjislacioni shqiptar, ai që është në fuqi, i njeh të drejtën pakicës parlamentare që të përdorë dy forma për të kërkuar konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti pa qenë nevoja për të detyruar parlamentarët të votojnë në një mënyrë të caktuar ashtu siç edhe Venecia konstaton në konkluzionet e veta se Parlamenti nuk është i detyruar dhe nuk mund të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar.
Ju faleminderit!