Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit! Dua ta filloj ndryshe sepse besoj që ky është momenti i duhur për t’ju dhënë të gjitha grave të Korçës një lajm, besoj që të mirë. Ne jemi duke punuar me qeverinë e Azerbajxhanit dhe projektin e parë i cili po finalizohet e për të cilin është gati dhe financimi, është projekti i ndërtimit të sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje të të gjitha shtëpive të Korçës dhe besoj që ky është një lajm i mirë për gratë, që nuk do kenë më nevojë të luftojnë me burrat që tu gjejnë dru për zjarr.
Ky është një lajm i mirë për familjet e Korçës që nuk do kenë më një dhomë të nxehtë dhe gjithë dhomat e tjetra të ftohta. Një dhomë e ftohtë mbase do duhet që të fusin burrat aty kur nuk sillen mirë, por atë mund ta zgjidhni me çelësin e gazit. Ky është një lajm shumë i mirë për pyjet. Ky është një lajm shumë i mirë për shëndetin, ju e dini më mirë se unë që ajo aroma e këndshme e tymit në dimër, nuk është dhe aq e shëndetshme e patjetër që ky është një lajm shumë i mirë dhe për gjithë biznesin, gjithë hotelerinë, gjithë sistemin e mikpritjes në Korçë dhe ky nuk është një projekt që do të nisë pas shumë vitesh.
ky është një projekt që do të nisë shumë shpejtë. Bashkë me të tjera projekt që i kemi përgatitur sepse ju e dini që Korça është i vetmi vend në Shqipëri po e po, por mbase dhe në Europë që ka dy kryetarë bashkie. Një e ka këtu, një e ka në qeveri në Tiranë. Megjithëse i kemi lënë mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë, prap se prapë, un nuk ka takim që bëj më Nikon, që pasi flet për Ukrainën e flet për gjithë ato problemet e projektet për forcimin e strukturës së Forcave të Armatosura, thotë, “Kryeministër, ke edhe minuta për Korçën?” dhe fillon! Kështu që mesa duket Korça Nikos është një hall që do ti dalë me shpirtin, nuk do dorëzohet dot kurrë.
Për hir të vërtetës, Sotiraqi është i lindur me dy këmisha. Kemi atë në tiranë, ai është i lindur me një këmishë por ky këtu ka dy këmisha, se ky ka edhe një kryetar bashkie në krah edhe kryeministrin në krahun tjetër dhe besoj është e kotë të flasim për garë e për kundërshtar, nuk ia vlen fare. Këtu duhet të flasim për çfarë do bëjmë më tutje dhe ajo që tha Delina është shumë e rëndësishme. Korça është bashkia që në dekadën e fundit ka pasur zhvillimin më të madh ekonomik dhe social pas Tiranës, duke pasur parasysh se nga u nisëm.
Edhe këtu në këtë aspekt, kur vjen puna për kujtesën, kujtesa e grave funksionon më mirë se e burrave. Se kujtesën e burrave e mjegullon kafeneja, e mjegullon tifozllëku, e mjegullon kush jam unë e kush je ti, e mjegullon pak dhe rakia por këtu e mjegullon pak dhe ajo kitara, ndërkohë që kujtesa e grave është e kthjellët.
Në Korçë, kur Korça i ka dhënë Nikos mandatin e parë dhe kur unë kam ardhur këtu, kishte vetëm një hotel. Hoteli që kishte mbetur nga koha e komunizmit. Një të vetëm! Një vend të vetëm për të fjetur në një qytet të tërë si Korça. Rrugët e Korçës nuk kishin ndriçim. Kalldrëmet e Korçës ishin copë-copë, treçereku i tyre kishin humbur fare dhe as nuk mund të ktheje sytë nga pazari se ishte një vend i frikshëm. As nuk mund të vije këtej, se këtu kishte vetëm baltë e asgjë tjetër.
Sot në Korçë, janë 160 bujtina, njëra më e bukur se tjetra dhe vetëm nga bujtinat janë krijuar 3000 vende pune. Po që të vinim tek bujtinat, duhet ta fillonim nga ajo që na kanë sulmuar gjatë gjithë kohës. Nga fasadat! Korça ishte si një grua e bukur e lënë rrugëve, komplet e pakrehur, komplet e rreckosur dhe krejtësisht e padukshme në hiret e veta.
Sot Korça është një zonjë! Patjetër që sot Korça është një zonjë e cila duhet të kthehet për të gjithë vajzat e djemtë që lindin dhe rriten këtu, si nëna e Sotiraqit, duhet të kujdeset që të ketë të ardhme e për këtë arsye ne po punojmë shumë me projektet që faktikisht, të rinjtë e Korçës, të rejat e Korçës, vajza dhe djem të talentuar këtu janë të parët që i prekin. Krijohen si modele të vogla që pastaj shpërndahen dhe në vende të tjera.
Ajo piramida e madhe në Tiranë që po kthehet në qendrën më të madhe dixhitale të rajonit nuk do kishte ndodhur nëse këtu nuk do kishte filluar modeli i parë për të lidhur të rinjtë me teknologjinë. Ne duam të bëjmë një qendër të madhe të transferimit të teknologjisë bujqësore, një qendër ultramoderne në zonën e një poli të ri zhvillimi, se emrat këtyre zonave ia gjen Sotiraqi. Projektet i bëjmë bashkë, pastaj lekët ia sjell qeveria, por për emrat ky është më i miri, se i mban shënim e nuk i harron. Si quhet ai, poli i zhvillimit? Ok, gjeja e na e thuaj, por ne ndërkohë po vazhdojmë projektin.
Sot unë do të shkoj të fle tek ish materniteti. Nuk kam probleme gjinekologjike, por ish materniteti që ishte i rrënuar është kthyer në atë që ne e quajmë qendra e mikpritjes. Po presim që Sotiraqi ta pagëzojë me emrin e duhur por ajo është një qendër e mikpritjes e projektuar nga bashkia e Korçës, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit e ku përveç se do të ketë një infrastrukturë hotelerie, do të ketë edhe një infrastrukturë në shërbim të të rinjve për të krijuar startup-et e tyre, për të zhvilluar industrinë kreative. Këtu ka të rinj që janë fantastik që kanë ato bizneset e veta të vogla që merren me industrinë kreative duke shfrytëzuar traditën e kështu me radhë e ndërkohë, nesër në mëngjes do ta fillojmë ditën me konkursin ndërkombëtar për stadiumin e ri të Korçës, sepse i kam thënë Nikos. Unë nuk para shkoj të shoh futboll por i kam thënë, nuk ka kuptim stadium në Korçë nëse shkojnë vetëm burra. Në Korçë duhet të shkojnë edhe gratë në stadium. Mirëpo gratë nuk mund të shkojnë në këtë stadium ku të vjen të bërtasësh nga halli dhe kur nuk bëhet gol, se nuk ke ku ulesh. Do të bëjmë një stadium që të jetë tamam si një vend ku jo vetëm të ketë ndeshje, të ketë dhe gëzim dhe argëtim dhe djem e vajza, gra e burra, familje të shkojnë e të kënaqen, duke ndjekur ndeshjen, duke parë Skënderbeun. Por nuk do të jetë vetëm një stadium. Do të jetë edhe një tjetër destinacion zhvillimi, ekonomie, biznesi, argëtimi.
Stadiumi do të jetë një strukturë që do të ketë rreth e rrotull tamam një zonë ku do të jetohet ditën, do të jetohet edhe në mbrëmje. Ndërkohë, për eventet e mëdha të natës, do të ngremë dhe qendrën e madhe jashtë Korçës, jo me zhurmë në mes të qytetit, që do të jetë një qendër për eventet e mëdha muzikore se duam që të sjellim gjithmonë e më shumë njerëz në Korçë, që të ketë gjithmonë e më shumë ofertë.
Natyrisht, ajo xhevahiri më i rëndësishëm i kurorës që do ta përmbyllë planin tonë për Korçën, për këtë fazë kuptohet, se nuk mbaron kurrë zhvillimi. Unë flas për çfarë më takon mua me Nikon, pastaj Sotiraqi do vazhdojë me Pandi Majkon. Se këta janë të dy njësoj. Këta nuk vdesin kurrë. As vdesin, as plaken, asgjë. Ja, urdhëro, njësoj. Shihe! Ky dhe Pandi Majko do na përcjellin të tërëve, do na mbajnë dhe fjalimet atje, po për sa më takon mua me Nikon, ajo që është ambicia fundore si të thuash, është të ndërtojmë dhe polin e skive që Korça të bëhet një destinacion turistik i nivelit të lartë.
Aeroportin sportiv e kemi premtuar, projekti ka mbaruar. Tani bëhet gara, lidhet kontrata. Do jetë aeroporti sportiv në Korçë, aeroporti sportiv në Gjirokastër dhe aeroporti sportiv në Vlorë. Por, destinacioni i skive është shumë i rëndësishëm për të sjellë këtu shumë turistë dhe shumë vizitorë që do të vijnë këtu, do argëtohen dhe do shpenzojnë shumë dhe kështu do të rriten të ardhurat e Korçës, siç janë të ardhura të larta në të gjitha zonat në Europë ku ka ski.
Tani nuk jemi më në kohën që të krahasohemi me ata të tjerët.
S’kemi çfarë krahasohemi me ata të tjerët.
Ne nuk jemi në garë fare me ata të tjerët.
Ne jemi në garë me kohën për ta ngritur Shqipërinë në majën që meriton.
Ne jemi në garë me kohën për ta bërë Shqipërinë e 2030-s kamione të Ballkanit në turizëm e që Shqipëria të jetë kampione e Ballkanit në turizëm, nuk mjafton vetëm bregdeti. Duhen dhe Alpet, duhet dhe turizmi i dimrit dhe në turizmin e dimrit, Korça me siguri ka gjithë potencialin, po ka dhe aftësinë që përsëri të bëhet lokomotiva që tërheq të tjerët me forcën e shembullit.
Ne nuk kemi çfarë krahasohemi me të tjerët. Ne jemi në garë me kohën për të rritur fuqishëm të ardhurat e njerëzve tanë. Jemi në një kthesë historisë të ekonomisë edhe pse në këtë përpjekje të madhe që ka filluar qysh sa e morëm detyrën, dhe ju e dini shumë mirë se ç’ishte ekonomia, ç’ishin financat tona në atë kohë.
Kemi ndeshur pengesa befasuese, të jashtëzakonshme që na kanë ardhur nga forca krejt jashtë kontrollit tonë. Tërmeti, i cili na ka detyruar që të ndalojmë një sërë projektesh edhe për Korçën, edhe për bashkitë e tjera që fondet t’i çojmë për të futur në shtëpi dhjetra, mijëra familje që mbetën në qiell të hapur për disa sekonda. Dhe e keni parë se çfarë kemi bërë dhe po bëjmë. Të gjitha familjet që po kthehen në shtëpi dhe janë kthyer dhe do vazhdojnë të kthehen deri në fund, kanë shtëpi shumë më të mira se ato që humbën.
Të gjithë nxënësit që po kthehen në shkolla, i kanë jo vetëm më të mira se ato që humbën, por kanë shkolla njësoj si në Europë. Siç janë dhe shkollat këtu që kemi ndërtuar, kemi rindërtuar dhe siç janë shkollat që ne ndërtojmë dhe rindërtojmë kudo, por pas tërmetit na erdhi pandemia. Përsëri duhej të merrnim një pjesë të fondeve ta vinim në dispozicion për të mbrojtur njerëzit nga goditja, qoftë e virusit me vaksina, qoftë e pasojave të rënda ekonomike dhe bëmë ato paketat mbështetëse, të cilat sigurisht kushtuan shumë.
Erdhi dhe lufta, erdhi dhe inflacioni, erdhi dhe kriza e çmimit të energjisë dhe përsëri ne shpenzojmë çdo muaj që faturën e energjisë në familjet tuaja, mos ketë asnjë qindarkë më shumë seç kishte përpara krize. Por çmimi nuk është ai. Çmimi është shumë më i lartë, dhe e paguan qeveria, qoftë për familjet, qoftë për bizneset e vogla. E megjithatë, ne kemi arritur të futim marshin tjetër për një rritje pagash si asnjë herë tjetër, e cila ka nisur. Këto ditë që merren pagat, mjekët specialistë do të kenë 50 mijë lekë të reja më shumë dhe jo këtë muaj, po çdo muaj të karrierës së tyre.
Ashtu sikundër, të tjerët do të kenë rritje të pagave, sektori i administratës, sektori i punonjësve të sigurisë, gjithë sektori i shëndetësisë, gjithë sektori i arsimit dhe kjo rritje do të bëhet hap pas hapi, që sot, ose më saktë, prill me prill, se tani jemi 1 maj, paga mesatre në sektorin publik në Shqipëri, nga 530 euro që ishte përpara fillimit të kësaj rritje, të shkojë në 900 euro. Dhe 900 euro paga mesatare, është një kapërcim i madh, ashtu sikundër ne kemi vendosur pagën minimale 40 mijë lekë dhe të gjitha ato gra dhe vajza këtu në Korçë, që punojnë në ato industritë me material porositësi, pagën e re do ta kenë 40 mijë lekë.
Me këtë rast, kam një mesazh, sot e kam pa emër. Herën tjetër kur të vij në Korçë, mbas fushatës, nëse ky mesazhi im nuk do të dëgjohet, do ta kem me emra, dhe ata emra do të vuajnë të zitë e ullirit. Bëhet fjalë për dy a tre individë që janë pronarë dhe sipërmarrës në industri me material porositësi dhe që nuk u japin atë që u takon grave që punojnë aty. Ne i dimë kush janë. Ne e dimë çfarë bëjnë ata dhe unë po u çoj një mesazh që të rregullojnë urgjentisht marrëdhëniet me gratë punëtore që kanë, 40 mijë lekëshi, jo vetëm që nuk duhet të diskutohet se është me ligj, po duhet të jepet në kohë, duhet të jepet në bankë, duhet të jepet pa i shkuar më mendja atyre se mund t’i shkojnë nga mbrapa t’u thonë “më jep mbrapsht mua kesh, sepse mua nuk më del”. Dhe bëjnë mirë të marrin avokat në qoftë se janë analfabetë dhe nuk dinë të lexojnë ligjin, bëjnë mirë të marrin avokat, ta lexojnë ligjin se çfarë pasojash kanë, të lexojnë dhe ndryshimet e fundit që janë bërë pas këshillimit popullor, ku kemi pasur një votë masive të popullit për të ndëshkuar shumë rreptë ata, të cilët u hanë hakun punëtorëve te paga dhe ta dinë mirë që nëse nuk do të futen në kornizën e ligjit, do më kenë mua tek dera e fabrikës bashkë me ministren, bashkë me inspektorët, jo për ligjin, por për t’i bërë leckë në sy të të gjithë popullit shqiptar e pastaj t’iu rrojnë miliardat, t’iu rrojnë milionat, t’iu rrojnë dhe veturat, t’iu rrojnë dhe shtëpitë e dyta dhe të treta sepse do ta kenë për turp të shikojnë në sy fëmijët e tyre sepse ato gra punëtore janë njësoj si motrat, njësoj si gratë e tyre dhe nuk kanë asnjë gjë më pak dhe meritojnë as më shumë e as më pak, por hakun e tyre.
Ky mesazh vlen për të gjithë këta xhagajdurët që vazhdojnë të mendojnë se ekonomia shqiptare duhet të ketë forcë konkurruese krahun e lirë të punës. Ka marrë fund ajo kohë.
Krahu i lirë i punës nuk mund të jetë më forcë konkurruese dhe qeveria që unë drejtoj dhe Partia Socialiste do të vendoset me të gjitha fuqitë e veta në krah të punëtorëve dhe punonjësve të këtij vendi dhe sipërmarrësve ju them “Jua kemi bërë të gjithë hyzmetin, jua kemi bërë të gjitha lehtësimet, jua njohim të gjitha kontributet, ju vëmë në piedestal sepse ju jeni ata që krijoni punë dhe që rrisni të ardhurat në Shqipëri, nuk është shteti, por ama atyre sipërmarrësve që nuk do të kuptojnë se kemi hyrë në një luftë në Europë, në një luftë të të gjitha vendeve për krahun e punës, për kapitalin njerëzor; ata që nuk do e kuptojnë se ne nuk mund të lëmë njerëzit të ikin sepse ata nuk duan t’u japin hakun, ne do t’i godasim pa asnjë mëshirë, do t’i bëjmë shembull, do t’i vëmë nëpër rrugë nëpër tabela dhe do tu themi “Turp, turp”.
Më falni, por e patëm një bisedë me ministren para se të vinim këtu dhe me Nikon, se Sotiraqin e kemi për këto planet e mëdha, për një rast konkret dhe realisht është e pamundur që gratë të kenë hijen e punëdhënësit në kurriz dhe të kenë frikë të flasin sepse u kërcënohet buka e gojës të fëmijëve të tyre dhe këta që u mbajnë rrogën nga dy muaj e tre muaj dhe i thonë “Nuk ta jap rrogën që të mos ikësh” këta duhet urgjentisht të kthehen në rrugën e Zotit. Nuk ka hallall, por ka vetëm haram nga cilido që prek një nënë dhe të ardhurat e një nëne për të çuar në shtëpinë e vet hakun e punës.
Ka vetëm haram dhe do tua nxjerrim nga hundët, nëse nuk do të futet, por unë kam besim që do ta kuptojnë që nuk luhet më me zjarrin sepse ato gra dhe ato vajza nuk janë pa mbështetje, nuk janë njeri pa njeri.
Edhe një të fundit kam, e kam për burrat me kokën mbrapsht që dinë të shikojnë vetëm djathtas, sipas tyre. Në fakt, kur ata thonë djathtas, ajo që shikojnë është drejtim i paditur, por atyre burrave nuk kam çfarë t’u them, por po ju drejtohem grave dhe po ju drejtohem ju, që derisa keni ardhur këtu e keni ndarë mendjen dhe e dini shumë mirë nga është drejtimi, që deri në 14 maj ju të mos lini fqinje, kushërirë, krushkë që ka burrin me kokën që sheh mbrapsht pa i thënë të bëjë burrin zap, të bëjë burrin zap se këtu nuk luhet me të ardhmen.
Këto zgjedhje nuk janë për tifozllëk, këto zgjedhje nuk janë për të ndërruar qeverinë në Tiranë, këto zgjedhje nuk janë për t’i rënë gjoksit “Unë jam i majtë e unë jam i djathtë” se këto nuk kanë pikë rëndësie.
Këto zgjedhje janë për të vendosur kë do marrim në punë që të na shërbejë 4 vjet, këto zgjedhje janë për të vendosur kush do na pastrojë rrugën përpara shtëpisë, kush do të na ndriçojë rrugët që kur vajzat të kthehen vonë, se do kthehen vonë vajzat se do bëjnë festa, do rrinë me shoqe, do rrinë me shokë e nuk mund t’u thoni vajzave “Hajdeni herët në shtëpi se nuk ka drita”, të vijnë në rrugë të ndriçuar dhe prindi të mos rrijë në ankth që do humbi rrugës. Kush do t’i ndërrojë këtu llampat kur digjen? Kush do merret me parqet? Kush do merret me gjithë ato punë që sot janë me provë, nuk janë me llafe?
Fatmirësisht, Raqkën e kemi bostan me provë, e dinë mirë çfarë pjekurie ka dhe po kështu dhe të tjerët, se nuk po flas për Gëzimin se Gëzimi është si bostan i çdo stine, unë nuk kam parë, jo me prove, por çdo stinë; se bie borë, se ka diell, se ka luftë, se nuk ka luftë, në çdo stinë Gëzimi është bostan i pjekur zemra kuq, kuq.
Kështu që, nuk po flasim për gjëra që do ndodhin, po flasim për gjëra që po ndodhin.
Edhe Devolli, vendin, zonën me njerëz të punës, zonën me prodhim, zonën me ambicie të madhe që nuk e kemi pasur mundësinë ta drejtojmë shumë, që gjatë gjithë viteve e kanë drejtuar ata se ne; sapo na u dha mundësia, flasin faktet vetë.
Tani, nënat që i kanë burrat e djathtë duhet ta marrin në dorë këtë punë sepse është fjala në çfarë çerdhesh do t’i çojnë fëmijët, në çfarë kopshtesh do t’i çojnë fëmijët, në çfarë shkollash do t’i çojnë fëmijët, cfarë shërbimesh do marrin për fëmijët?
Kjo nuk është fare çështje të majtësh dhe të djathtësh. Kjo është çështje e njerëzish që iu është gjetur punë apo punës që i është gjetur njeriu?
Ne kemi njerëz të cilët janë aty sepse i kemi gjetur punës njeriun. Ata duan që ca njerëz që nuk dinë nga i kanë nxjerrë t’i fusin nëpër bashki, jo për tu marrë me punët, por për të mbushur autobusët me fondet që duhen për të pastruar, për të kthyer plehrat në qytet se nuk e kanë fare problem ata bashkëjetesën me plehrat, dhe për t’i nisur në Tiranë që të thonë “Rama Ik”.
Bëhen 10 vjet këtë vit që thonë “Rama Ik”, unë këtu jam, por natyrisht që do ikim kur ta vendosim ne bashkë, ata nuk vendosin dot gjë se kur iki unë, fare por problemi është që ato thirrmat “Rama Ik” kanë kosto të lartë për ata, të cilët votojnë, ata që mbushin autobusët sepse ndërmarrja e ujësjellësit duhet për të sjellë ujin, nuk duhet për të futur punëtorët në autobus, ndërmarrja e pastrimit duhet për të pastruar rrugët e nuk duhet për të futur punëtorët në autobus dhe ata lloj punëtorësh që futen në autobus për të bërtitur “Rama Ik” ata nuk duan t’ia dinë pastaj për të shërbyer për qytetarët; ata të kapin çfarë të kapin në të gjitha nivelet. Kështu që, kjo zgjedhje është shumë e qartë.
Mos harroni, bashkia është grua, qeveria është burrë. Bashkia është grua sepse bashkia është njësoj si gruaja në shtëpi që bën të gjitha punët. Qeveria është burri. Po qëlloi burrë i mirë qeveria, bashkia është një grua që ka një burrë të mirë dhe shtëpia ecën përpara. Po qëlloi burrë i keq qeveria, sado e mirë të jetë gruaja…. ama, kur ti vë burrë aty e burrë aty se nuk është çështje gjinie aty, është çështje misioni atëherë ka marrë fund çdo gjë. I keq aty, i keq këtu, atëherë s’ka më. Mos e lëshoni, Korçën jo e jo, por as Devollin mos e lëshoni. Ju them atyre që e kanë mendjen mbrapsht, mos e lëshoni bashkinë në duar të politikës e në duar të së keqes se do humbisni ju, do të humbasin fëmijët tuaj, nuk do humbas unë në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk do humbasë partia Socialiste, nuk do humbasë qeveria jonë, do humbasë Shqipëria, shumë më keq. Mos e lëshoni!
Është shumë e rëndësishme që të gjitha bashkitë të vazhdojnë rrugën e nisur sepse jemi në një kthesë të madhe historike e ka shumë rëndësi pushteti vendor. Nuk do të ndodhte zhvillimi i Korçës po të mos ishte bashkia krah për krah me qeverinë që t’i printe zhvillimit. Si do zhvillohej? Me ata që kur Niko filloi të mendonte për bulevardin Republika që ishte me asfalt e me gropa për ta kthyer në një hapësirë këmbësore çonin policinë këtu për të hequr pllakat. Me ata që shkulnin pemët? Si do bëhej? Nuk do bëhej dot! Të jeni të sigurt, nuk do bëhej dot. Janë krushqi e keqe ata, janë krushqi shumë e keqe. Nuk kanë të mira. Ia kanë parë sherrin kudo ku i kanë vënë në krye.
Shikoni Shkodrën, Shkodra ka, tani le ta themi, ka një potencial më të madh se Korça. Se Shkodra ka lumë, Shkodra ka det, Shkodra ka mal, Shkodra ka liqen, Shkodra i ka të gjitha, është vendi më i prapambetur i Shqipërisë. E kanë drejtimin e Shkodrës që nga zgjedhjet e para pluraliste vendore e vazhdojnë atje luftojnë komunizmin a nuk e di se kë luftojnë dhe rrinë mes plehrave. Është e vetmja bashki në Shqipëri ku kazanët mbushen me plehra, mbulohen nga plehrat dhe rrinë 2-3 ditë qelben në rrugë, në emër të luftës me komunizmin.
Ata nuk dinë, nuk iu bën përshtypje. Kemi dhënë ne financa edhe për Korçën për shkolla, edhe për Shkodrën. Nuk ka krahasim se çfarë rezultati ka në Korçë apo në bashkitë që drejtojmë ne puna me shkollat, në Shkodër copë – copë. Se është ajo që ju thashë, nuk e kanë mendjen të ndërtojnë, e kanë mendjen të kapin ndonjë gjë anash. Içik për vete, içik për autobusët se edhe molotovët bëhen me lekë, nuk bëhen falas. Ja kështu shkon puna!
Tropojën ne nuk patëm mundësi asnjëherë deri kur erdhi viti 2019 që ata ikën fare e na u dha shansi ta drejtojmë Tropojën 4 vjet. 4 vjet me partinë socialiste dhe me kryetarin tonë atje, t4ropoja ka ndryshuar siç nuk kishte ndryshuar jo në 30, por në 50 vjet.
Thonë që Edi Rama po i kërcënon, që po votuat ata, nuk ka bashkëpunim. Nuk është kërcënim, është fakt ky. Çfarë ti bëj unë devollit nëse Devollin e çon kokën nga bishti? Çfarë ti bëjmë ne? Si bashkëpunohet me ta? Në çfarë forme? Sepse ata nuk duan bashkëpunim. Nuk jetojnë për bashkëpunimin jo për shkakun tonë por sepse ata janë aty me mision tjetër. Duan të kapin ku të munden bashki, të bëjnë kështjella, të fillojnë luftë me qeverinë. Po pse për sherr ju duhet bashkia atyre në Devoll që ta shohin sa trim është ai që do hyjë aty e do shajë qeverinë? E çfarë sjell ajo? Sjell më shumë shërbime, sjell më shumë gjelbërim? Sjell më shumë pastrim? Sjell më shumë mbështetje për bujqësinë? Asnjë gjë nuk sjell ajo. Sjell vetëm tension dhe prapambetje dhe kthim të sigurt mbrapa.
Tani para se të ndahemi, se unë mund të vazhdoj të flas me orë se ku ka më bukur se këtu? Më e bukura ishte kur erdhëm, ata burrat që rrinin atje jashtë, ishte një pamje kryevepër. Nuk i linin të futeshin. Pse? Se nuk janë gra. Kryevepër! Shyqyr ia arritëm kësaj dite. Kështu që le të ndahemi me tingujt e këngës që na e shajnë e na e kanë inat sepse nuk e kuptojnë se sa e rëndësishme është shoqnia jonë, dashnia jonë, ose siç thoni në Korçë, dashuria jonë.
Faleminderit shumë!