Mbështetja në bujqësi, në 14 prill hapet thirrja për aplikime në Skemën Kombëtare

Thirrja për aplikime në Skemën Kombëtare të mbështetjes në bujqësi për 2025 do të hapet më 14 prill dhe do të qëndrojë e hapur deri më 30 maj.

Sipas Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Skema Kombëtare synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë, të rrisë prodhimin vendas dhe të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në treg.

Nga kjo skemë mund të përfitojnë:

Fermerët individualë, grupet e fermerëve, personat fizikë dhe juridikë, si dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor — SHBB.

Skema përfshin tetë masa mbështetëse:

• Pagesa për gjedh të matrikulluar.

• Pagesa për tufën bazë të matrikulluar (dele dhe/ose dhi)

• Mbarështim i bletarisë

• Pagesa për prodhimin dhe kultivimin ne ambiente te mbrojtura per perime, rrush tavoline dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike. Përfitojnë pagesë shtesë fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve

• Pagesa për kultivimin e bimëve mjekësore dhe aromatike
• Fermat organike

• Implementimi dhe certifikimi Global GAP

• Mbështetje për naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi

Të gjitha kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim mund t’i gjeni në faqen zyrtare të AZHBR.

Për më shumë infomacion, të interesuarit mund të drejtohen pranë Agropikave dhe zyrave rajonale të AREB-it, ose mund të kontaktoni pa pagesë në numrin e gjelbër 0800 83 83 dhe në adresën e emailit info@azhbr.gov.al.