Shkodër, skuadra e re për Shqipërinë 2030
Fjala e Kryeministrit, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në prezantimin e kandidatëve për deputetë:
Shumë përshëndetje dhe shumë faleminderit për praninë tuaj këtu në këtë moment të bukur të vigjiljes së fushatës, jemi akoma në nxemje dhe për mundësinë që kjo skuadër e re për Shkodrën të prezantohet para djemve dhe vajzave të gjeneratës së re të shkodranëve që unë dua të besoj, do të jetë në 11 maj në mbështetje të forcës sonë politike.
Arsyeja pse ndryshe nga herët e tjera ne siç e keni, mbase parë, po siç e shihni sot këtu, kemi zgjedhur të bëjmë takime me pjesën më të re të elektoratit, është se në 11 maj ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme ka diçka shumë të rëndësishme për pjesën më të re të elektoratit, që nuk lidhet thjesht me kush do fitojë zgjedhjet në Shqipëri, sa do marrë një parti, sa do marrë një parti tjetër, ça do bëhet për Shkodrën, ça do bëhet për Malësinë e Madhe, ça do bëhet për Pukën, për Fushë Arrëzin, për Vaun e Dejës, por më shumë se kaq. Në 11 maj ne të gjithë si shqiptarë dhe shqiptare jemi thirrur të marrim një vendim shumë të qartë për t’i dhënë një mbështetje shumë të fortë procesit të anëtarësimit në BE dhe për të përcaktuar kohën e fatit tonë europian, që do të thotë që ndryshe nga herët e tjera, kur siç e keni dëgjuar BE na ka thënë që vendi juaj është këtu me ne, e ardhmja juaj është bashkë me ne, perspektiva juaj është drejt nesh, sot Bashkimi Europian është i gatshëm që realisht të na bëjë pjesë të vetën dhe sot, për herë të parë qysh se ne kemi filluar këtë rrugëtim në fillim të viteve ’90, mundësia që ne të bëhemi anëtarë të BE, është reale, është konkrete dhe është aktuale dhe për ta realizuar këtë, na është dhënë dhe kemi rënë dakord së bashku me Komisonin Europian që të gjitha negociatat për anëtarësim t’i mbyllim brenda 2027.
Tani kini parasysh që ne sot bashkë me Malin e Zi jemi dy vendet me shanset më të mëdha për t’u anëtarësuar në BE. Ne i kemi nisur negociatat zyrtarisht, jemi ulur në tryezë me ta, vjet. Mali i Zi i ka nisur në 2012. Kjo është dhe për ata që thonë ‘’po ç’është ky muhabet, 3 mandate nuk hymë në BE. Tani vjen Edi Rama thotë duam dhe një mandat të 4-ët’’. Ekzakt pra, sepse procesi është tejet i ngatërruar dhe është tejet i ndërlidhur jo vetëm më ça bën ti po edhe me ça duan ata. Dhe arsyeja pse Mali i Zi negocion prej vitit 2012, ndërkohë që ne negociojmë prej vitit të shkuar dhe ndërkohë ne na jepet mundësia t’i mbyllim negociatat për dy vitet e ardhshme dhe të hyjmë bashkë me Malin e Zi në BE, është sepse në këtë moment janë përputhur edhe ëndrra edhe ambicia jonë që të bëhemi pjesë e BE , edhe dëshira dhe vullneti i tyre që të na bëjnë pjesë. Kjo e dyta nuk ka qenë siç është sot dhe jo sepse ne kemi bërë ndonjë mrekulli dhe jo vetëm për arsyen se ne kemi bërë detyrën tonë po sepse BE gjendet në një situatë të re gjeopolitike, gjendet në një situatë të re ndërkombëtare dhe një nga gjërat që kërkon të bëjë tani më këmbëngulje është të zgjerohet dhe të kompaktësojë të gjithë perimetrin e kontinentit që është në kufi me Rusinë. Dy kandidatët më të mundshëm dhe më afër jemi ne dhe Mali i Zi.
Tani pyetja që bëhet ose mund të bëjnë disa, është ‘’po mirë mo, ç’lidhje ka kjo kush fiton këtu’’. Këtu nuk ka ndonjë parti që thotë më jepni votën dhe ne nuk do shkojmë në BE po do shkojmë në ndonjë drejtim tejtër. Këtu të gjitha partitë thonë të njëjtën gjë; duam që Shqipëria të jetë në BE që është një gjë pozitive e cila buron në fakt nga vetë shqiptarët. Shqiptarët qofshin majtas, qofshin djathtas në këtë pikë nuk kanë dallime me njëri-tjetrin, në këtë pikë duan që Shqipëria të jetë anëtarë e BE por ajo që duhet shpjeguar dhe ajo që duhet kuptuar, është që në fakt nuk është e vërtetë që pavarësisht ça ndodh këtu, ne për 2 vjet do hyjmë në BE. Ne do hyjmë, do mbyllim negociatat si fillim për 2 vjet dhe do hyjmë në BE pasi të mbyllim negociatat, vetëm nëse ne do jemi të suksesshëm me negociatat. Ato nuk janë një fjalë goje , janë qindra mijëra, afro çerek milionë faqe që janë ligje, janë rregulla, janë vendime që duhen të gjitha trajtuar dhe duhen pastaj adoptuar në trupin legjislativ dhe rregullator të Shqipërisë dhe janë 1000 vetë përgjithësisht mosha juaj që çdo ditë shkojnë në zyrë dhe merren me këtë punë. Janë 40 skuadra të ndara sipas fushave që merren vetëm më ketë punë dhe është shumë e rëndësishme që puna e këtyre 1000 njerëzve, të vazhdojë e pandërprerë, e paluhatur, e palëkundur, e paçoroditur nga çfarëdo qoftë dhe lëre më pastaj nga një palë zgjedhje ku rezultati mund të jetë aritmetikisht ok për ne, por mund të mos jetë mjaftueshëm një rezultat kuptimplotë për ata që janë në anën tjetër, për ata që janë në Bruksel, për ata që janë anëtarë aktualë të BE.
Prandaj është shumë e rëndësishme që në 11 maj ndërkohë që në datën 12 ne numërojmë votat, të gjithë ata që merren me negociatat të vazhdojnë punën të patrazuar dhe ndërkohë ajo që del nga kutitë e votimit të jetë një mesazh kompakt i shqiptarëve përtej ngjyrave të partive, përtej të majtës e të djathtës, dhe të jetë një mesazh kumbues për Brukselin që duam Shqipërinë një orë e më parë në BE.
Unë besoj që kështu do të ndodhë por ama nga tjetër që kështu të ndodhë, ne duhet t jemi shumë të qartë për të gjitha pse-të e rëndësisë së 11 majit dhe duhet të jemi shumë të qartë për një fakt; që kjo mundësi që është krijuar, nuk është një mundësi që është krijuar përgjithmonë. Është një mundësi e krijuar sot për këtë fazë, për këtë moment historik. Mund të mos jetë e tillë nesër. Ka pasur në historinë e BE momente kur dera është hapur, janë futur disa dhe janë bërë anëtarë dhe prap dera është mbyllur madje ka pasur dhe një moment përpara 6-7 vjetësh, deri përpara 6-7 vjetësh kur ishte Komisioni i mëparshëm Europian qe thanë “Ne nuk do të zgjerohemi, nuk do kemi më anëtarë të rinj për një periudhë të pacaktuar”. Kjo mund të ndodhë prapë dhe nëse kjo ndodh prapë ne mbetemi jashtë dhe mund të mbetemi jashtë për një kohë të pacaktuar dhe kjo do të ishte një humbje shumë e madhe dhe do të ishte një tjetër goditje që ne do t’i jepnim vetes duke mos e marrë trenin e historisë në kohë.
Na ka ndodhur dhe në të shkuarën, e kemi humbur trenin e historisë duke u marrë me njëri-tjetrin dhe për këtë arsye unë besoj që është shumë e rëndësishme që njerëzit ta dinë, ju ta dini, bashkëmoshatarët tuaj ta dinë, prindërit tuaj ta dinë, gjyshërit dhe gjyshet ta dinë se çfarë humbin nëse në 11 maj luajmë me porta të vogla, kur i thonë fjalës, nëse në 11 maj rrinë të merremi me gjëra që mund të kenë rëndësinë e tyre, patjetër e kanë rëndësinë e tyre por nuk janë aq të rëndësishme sa gjërat që lidhen me këtë që po flas, me anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Para se të vija këtu po shkëmbeja mesazh me dikë që po më shkruante “Për kë të votoj unë?”. I thashë “Vota është e jotja, nuk është e imja. Është e lirë, është e fshehtë, voto si ta shohësh të arsyeshme”. “Po jo, unë kam votuar për ju por tani “ dhe më përshkruante një problem, një problem që për të ishte i rëndësishëm dhe nuk dyshoj që është i rëndësishëm që ai kishte dhe nuk po e zgjidhte dot, çështje gjyqesh e historish. Tani, ai problem është shumë i rëndësishëm, ai vetë një pjesë të problemit ose mbase të gjithë problemin ia linte faktit që nuk po e ndihmonte partia për të cilën ai kishte votuar. Po ta zëmë se kjo është e vërtetë, është kjo një arsye që në 11 maj ai të mos shkojë dhe të votojë Partinë Socialiste dhe të mos shkojë të votojë për të dhënë edhe ai me atë votën e vet kontributin që mesazhi i përgjithshëm i popullit shqiptar të jetë shumë i qartë që “Duam Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe duam që negociatat të përfundojnë brenda kohës së dakordësuar dhe nuk duam më jo po kështu, jo po ashtu?”
Jo, nuk është sepse drejtpërdrejtë për atë, ai është prind, nuk e di sa i ka në moshë fëmijët por normalisht ma ha mendja duhet të jenë 12, 14, 15 vjeç, 10 vjeç. Është kjo një arsye që ai fëmijëve të tij t’i kërcënojë mundësinë që të marrin pasaportën e Bashkimit Europian brenda pak vitesh dhe të luajë bixhoz me faktin që mundësia mund të ikë dhe pastaj ne mund të mbetemi edhe 10, 15, 20 vjet të tjera? Mos harroni që Maqedonia e Veriut është bërë kandidate për Bashkimin Europian në vitin 2005.
Fishkëllima çfarë nënkuptonte apo ishte një cicërimë nga ankthi që a do hyjmë apo nuk do hyjmë në Bashkimin Europian?
Në 2005 një pjesë e juaja kanë qenë fare fëmijë, kanë qenë në çerdhe, kanë qenë në kopsht, mbase ndonjëri këtu edhe nuk kishte lindur në 2005. Atëherë e ka marrë Maqedonia statusin e kandidatit, ishin më përpara nga të gjithë dhe mendonin që do hynin të parët. Janë mbrapa nesh sot.
Serbia ka filluar të negociojë në 2014, është mbrapa nesh sot për arsyet e tyre të brendshme dhe ja që sot, kur është krijuar ky moment dhe është hapur dera, tek dera jemi ne është dhe Mali i Zi, të tjerët janë më larg. Unë nuk dua të vazhdoj me sikur por imagjinojeni sikur ne që jemi sot tek dera siç ka qenë Maqedonia tek dera përpara dhe shikojeni se sa larg është tani, për arsye të brendshme tonat, për lloj-lloj mendimesh që kanë rëndësinë e tyre, të kuptohemi, por që nuk janë aq të rëndësishme sa kjo, ne t’ia mbyllim vetes derën dhe të privojmë veten në radhë të parë nga ajo që përfitojmë drejtpërdrejtë, individualisht. Nga hyrja në Bashkimin Europian çdo shqiptar, kudo ku të jetë, kudo ku të jetë jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, jo vetëm shqiptarët që jetojnë në Bashkimin Europian, edhe ata që jetojnë në Amerikë, edhe ata që jetojnë në Australi, duke përfituar pasaportën e BE-së, pasaportën shqiptare të BE-së kanë disa përfitime që përndryshe nuk i kanë dot.
Sot akoma ka njerëz që megjithëse unë flas e flas për këtë punë kundërshtojnë dhe thonë “Po çfarë është ky muhabet? Ne e kemi pasaportën, ne mund të ikim ku të duam”. E vërtetë është, ne mund të ikim por ne nuk rrimë dot atje, ne duhet të kthehemi, ne kemi të drejtë të lëvizim, por nuk kemi të drejtë të ndalojmë, ne shkojmë në një kufi dhe gjëja e parë që na thonë është “Dilni këtej” dhe futemi në një radhë që është një radhë tjetër nga radha që shpejt e shpejt kalon nga porta ku janë ato yjet. Pse? Sepse ne duhet të kalojmë tek polici, polici duhet të na pyesë “Ku po shkoni? Sa lekë keni me vete? Kush ju ka ftuar? A keni ndonjë hotel të rezervuar? Sa do rrini? Kur do ikni?” Domethënë është e vetmja derë ku pa hyrë akoma, ai që është tek dera të thotë “Kur do ikësh?” dhe nëse ne duam të qëndrojmë duhet të marrim azil, të kërkojmë azil ose të bëjmë punë të zeza, të fshihemi derisa të na kapë policia ose më e keqja akoma, në moshë të re të futemi nëpër marrëdhënie me rrjetet kriminale sepse duam patjetër të rrimë atje sepse po të kthehemi e kemi shumë të vështirë të shkojmë mbrapa. Kështu që, kjo pasaportë na jep mundësinë që kjo histori e diskriminimit të marrë fund dhe që shqiptarët të bëhen 100%, jo 99% por 100% të barabartë me të gjithë të tjerët brenda perimetrit të Bashkimit Europian. Ajo pasaportë na jep mundësinë që cilado dhe cilido prej jush që do të shkojë të studiojë atje të mos jetë më student i huaj në BE, të mos jetë më në kërkim të vendit brenda kuotave për studentët e huaj e as të mos jetë më i detyruar të paguajë tarifa më të shtrenjta sesa ç’paguajnë ata që janë studentë brenda BE-së por të jetë një student i BE-së ku kudo ku shkon ka të njëjtat, absolutisht të njëjtat të drejta njësoj si studentët që janë nga ai vend, njësoj si francezët në Francë, njësoj si spanjollët në Spanjë etj.
Jo vetëm kaq por kur bën shkollën do të tentojë të gjejë një punë, mund të tentojë pa asnjë problem. Sot nuk e bën dot, sot nuk nisesh dot të shkosh atje me pasaportën që kemi e të shkosh t’i biesh derën e t’i thuash “Dua të punoj” sepse të thotë “Ke leje për të qëndruar?”. Jo, ik. Ndërkohë që me pasaportën e BE-së sot je në Shkodër, nesër në mëngjes merr makinën, del në Kroaci, shkon në Suedi, kthehesh e shkon deri në Portugali e nuk të thotë askush as ku po shkon, as sa do rrish, ndalon njësoj si të nisesh nga Shkodra e të kërkosh punë në Tiranë ose të nisesh nga Shkodra e të shkosh të punosh në Theth, e njëjta gjë.
Me hyrjen në Bashkimin Europian BE-ja bëhet e vogël sa Shqipëria, e Shqipëria bëhet e madhe sa BE-ja, bëhemi pjesë e të njëjtit vend, ekzaktësisht të njëjtit vend. Madje, madje edhe kur kemi nevojë për shërbim shëndetësor sot ça bëjmë do përpiqemi të bëjmë çmos ta kalojmë me çaj. Me limon me hudhra sepse me shku tek doktori kushton shumë, ndërkohë që po të jemi me pasaportën e BE-së shkon te doktori kudo ku je nëpër BE dhe ke kartën e rrjetit të sigurimeve shëndetësore të të gjithë Bashkimit Europian dhe ke të njëjtin trajtim si të jesh italian në Itali, apo si të jesh gjerman në gjermani dhe rimbursohesh po njësoj. E njëjta gjë vlen edhe për pensionet nuk kemi nevojë më të bëjmë negociata për të bërë marrëveshje për njohjen e pensioneve sepse imediatisht kur ke pasaportën e Bashkimit Europain të njihen gjë gjitha ditët e punës që bën në një vend apo vend tjetër dhe të njihen e drejta që menjëherë të bësh transferimin e pensionit nga këtu atje, sipas dëshirës tende.
Madje kur ke pasaportën e Bashkimit Europain dhe shkon diku larg në një vend që s’ka ambasade shqiptare fare dhe ke nevojë për një ndihmë, ambasada e parë më e afërt e BE-së është ambasada jote dhe ajo të merr menjëherë në mbrojtje dhe kujdeset për ty sepse je qytetar i Bashkimit Europian, pa llogaritur faktin që me pasaportën e BE-së ne bëhemi pjesë e sistemi zgjedhor të BE-së, kështu që bëjmë zgjedhje për Parlamentin Europian dhe këtu, çojmë përfaqësuesit tanë në Parlamentin Europian. Ndërkohë që të gjithë shqiptarët kudo që janë në BE me atë pasaportë mund të votojnë atje ku janë për përqafuesit e Parlamentit Europian të atij vendi të caktuar dhe nga një anë vetë shqiptarët mund të zgjidhen në Parlamentin e BE-së. Nga ana tjetër plot vajza dhe djem nga Shqipëria kanë mundësinë, iu hapen vendet, me kuotat që të shkojnë të punojnë në Parlamentin dhe në institucionet e Bashkimit Europain.
Pra shkurt fjala është një jetë e re, në një botë të re për të gjithë gjeneratën e re. Tani a mund të diskutohet më se ça duhet votuar dhe si duhet votuar në 11 maj, kur faktikisht kjo është koha e duhur, ky është vendi i duhur dhe ne jemi forca që jemi këtu në këtë vend dhe këtë kohë. Mund të kesh 100 rezerva ndaj nesh mund të kesh shumë kritika për ne, mund të mos duash ta dëgjosh fjalën socialist, mund të jesh demokrat 24 karat kur i thonë, po kjo nuk ka pikë rëndësie. Kjo është po njësoj siç ishte kur një shumicë si asnjëherë më parë dhe më pas votoi Partinë Demokratike në ’92. Ata nuk ishin të gjithë me Partinë Demokratike, një pjesë e madhe s’ishin fare në Partinë Demokratike, por koha ishte e duhur, vendi ishte i duhur dhe ajo ishte forca që gjendej aty për t’i dhënë mbështetjen në mënyrë që të realizohej shkëputja përfundimtare nga ai sistem tjetër dhe të bëhej futja në një sistem të ri. Në 11 maj është ekzaktësisht e njëjta gjë. Realizohet shkëputja përfundimtare nga historia qindra vjeçare e të qenit vetëm dhe futemi në fazën përfundimtare të të qenit një me kontinentin tonë dhe të qenit pjesë e një familje, ku jo vetëm trimi i mirë me shokë shumë, po ku do të kemi mundësi që të jemi në pjesën e asaj familje, që është pjesa përfituese, se ashtu ndahen aty shtetet.
Janë shtetet që kontribuojnë, janë shtetet që përfitojnë. Shtetet kontribuuese janë ato që japin më shumë para për atë familje për BE-në se sa marrin. Natyrisht që kanë përfitime të tjera përfitimet e tregut të përbashkët dhe të tjerët e tjerë, por ama, kontributet në buxhetin e BE-së, të Francës, Gjermanisë, të Holandës dhe me radhë janë kontribute më të mëdha se sa ç’a ata marrin nga BE-ja, ndërkohë që kontributet e vendeve të tjera ku hyjnë përfituesit janë kontributet shumë më të vogla se ç’a marrin nga Be-ja. Dhe me futjen në atë familje, ku më të mëdhenjtë dhe më të zhvilluarit kujdesen që më të vegjlit edhe më të dobëtit të rriten faktikisht, ne i marrim një buxhet ekstra çdo vit.
Për shembull, në gjithë këtë periudhë kohe 10 vjet, ne kemi marrë nga BE-ja një mbështetje, diçka më shumë se 1 miliardë euro 90% kredi, 10 % grant, domethënë para falas merre dhe bëj çfarë duhet të bësh. Me futjen në BE, ne marrim diçka më shumë se 1 miliard çdo vit dhe 90% është grant dhe 10% është kredi, ose të gjithë këto vite, ne për bujqësinë kemi marrë nga BE-ja shumë më pak se 200 milion euro, me futjen BE çdo vit, marrim 300 milionë euro. Dhe të njëjtën gjë mund të them për rininë, për arsimin, universitetin e kështu me radhë. Pra, është një jetë e re.
Tani pa diskutim që të gjitha të tjerat janë shumë të rëndësishme, por a ka gjë më të rëndësishme se kjo që po flasim? Unë besoj që nuk ka. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për një arsye tjetër, që nuk ka të bëjë me paratë, që nuk ka të bëjë me fondet, që nuk ka të bëjë me ato përfitimet individuale, por që ka të bëjë me dy gjëra, të cilat shqiptarët nuk i kanë pasur kurrë, i kanë fituar së fundmi njërën, tjetrën po përpiqet ta fitojnë, por nuk dihet a e fitojnë deri në fund nëse nuk futen Bashkimin Europian.
E para është liria individuale. Ne nuk e kemi pasur të njëjtën vëlla një gjë të garantuar dhe e kemi pasur vazhdimisht të kërcënuar, ndërkohë që BE-ja është tempulli ku liria individuale është e shenjtë dhe nuk cenohet, dhe nuk i lejohet asnjë anëtari, vendi i anëtarit të BE-së që të cenoje lirinë individuale. E dyta që është thembra e Akilit e shtetit shqiptar dhe që është ajo që shqiptarët se kanë pasur kurrë, kurrë, kurrë në historinë e tyre është barazia para ligjit. Për herë të parë ne sot po shohim një përpjekje për të pas liri para ligjit. Për herë të parë ne sot po shohim që njerëz të fuqishëm të lidhur me pushtetin politik të thirren e po u kërkohet llogari përpara një drejtësie që nuk kontrollohet nga pushtetit politik. Por kjo mund të mbarojë, kjo mund të kthehet mbrapsht një ditë. Sot jemi ne këtu, unë dhe ju që do të jeni garant që kjo do të jetë kështu. Ne kemi pushtetin, ne kemi bërë dorëzimin e shpatës së ndëshkimit që normalisht është në duart e drejtësisë, nuk është asnjëherë në duart e pushtetit politik në një demokraci, por që faktikisht shpata ishte te zyra ime, para se të isha unë, ishte te zyra e atij që ishte para meje, deri në 1912. Nga qeveritë e para, te mbreti, te diktatori, tek, tek, tek. Drejtësia ishte komplet nën urdhrat e pushtetit politik. Bënte punët e veta kur nuk kishte lidhje me pushtetin politik, por kur ishte pushteti politik në mes, drejtësia nuk bënte asgjë dhe ua thosha edhe atyre dje. Altin Dumani për shembull. Po t’ju them a e njihni, të gjithë e njihni por Altin Dumani nuk është 22 vjeç. Mund të ketë 20 vjet që është prokuror. E kishit dëgjuar më përpara Altin Dumanin ju? Kishit parë përpara apo kishit dëgjuar që ndonjë ministër apo ndonjë person me pushtet nga ata që shihen, hyjnë e dalin në televizor të shkonte në prokurori të jepte llogari, të shkonte në gjykatë, të dënohej apo të arratisej. Kishit parë ndonjëherë nga këto? As ju s’kishit parë, as prindërit tuaj nuk kishin parë, as gjyshërit tuaj nuk kishin parë, as prindërit e gjyshërve tuaj nuk kishin parë. Që kur është krijuar shteti shqiptar ka pasur vetëm njerëz të dënuar me urdhër nga i pari i qeverisë. Nuk ka pasur kurrë njerëz të dënuar, flas figura, profile të larta publike nga një gjykatë ose nga një prokuror i pavarur. Si ndodhi kjo? Ra nga qielli apo një ditë të bukur u çua një grup prokurorësh dhe morën hov. Kjo ndodhi dhe kjo ndodh vetëm për një arsye, gjithçka tjetër që thonë dhe thuhet është si muhabetet e kafeneve në Shqipëri që nuk ia gjen kurrë fundin. Kjo ndodhi dhe ndodh sepse ne, Partia Socialiste e Shqipërisë vendosëm t’i hyjmë detit në këmbë dhe të marrim përsipër sprovën më të egër që të pavarësojmë drejtësinë nga pushteti politik, domethënë të dorëzojmë pushtet nga pushteti që ishte pjesë e pushtetit tonë dhe t’ia lëmë një trupe tjetër komplet që nuk ka lidhur fare me pushtetin tonë dhe njëkohësisht të ekspozohemi karshi asaj trupe se puna e asaj trupe është ekzaktësisht që të bëjë barazinë para ligjit njësoj për të gjithë. Vetëm kështu ndodhi kjo.
Dëgjoja një që thoshte: e vërtetë, ligjin këta e bënë por kush e kërkoi? Se kush e kërkoi nuk ka nevojë të diskutojmë shumë. Mjafton të kthehesh shumë mbrapa dhe të shohësh kur ne ishim në opozitë. Të shohësh në 2007 kur ne kemi kërkuar një pakt kombëtar, ia kemi kërkuar bufit të kënetës atëherë, ishte kryeministër. Një pakt kombëtar për drejtësinë. Në 2009, pastaj në 2013 kemi pasur në program, pastaj kur u bë reforma të tjerët s’donin të futeshin në sallën e parlamentit. U ngujuan në bulevard me Lulin atje. Vinte Luli çdo natë këndonte himnin aty poshtë zyrës time, që nuk dorëzohemi thoshte dhe nuk u dorëzua në fakt. Asnjëherë Luli nuk dorëzohet dhe ka fituar me thënë të drejtën. Sa herë ka luftuar gjithmonë i ka fituar të gjitha.
Faktikisht këtë e bëmë ne dhe sot jemi ne garantët, por nesër që garancia të jetë aty dhe mos ta ketë asnjë forcë këtu që ta preki dhe ta lëvizi ne duhet të jemi në BE se ja ku e keni bufin e kënetës që thotë: në 11 maj do fitojmë, në 12 maj do shkrijmë SPAK-un. Do shkrijë Noc Rokun, se ky është dhe qyteti Noc Rokut në fakt kështu që i shkon por që çfarë ndodh më tutje, si shkojmë gjerat pas 5 vitesh, pas 10 vitesh, pas 15 vitesh. Historia e Shqipërisë është shumë e gjatë dhe na i ka mësuar të gjitha. Mjafton që ne të kemi parasysh mësimet e historisë sonë dhe nuk kemi arsye të bëjmë gabime të renda siç kemi bërë në të shkuarën. Mjafton të kemi parasysh mësimet e historisë sonë që në datën 11 maj socialistë, demokratë, me parti pa parti të ndajnë mendjen dhe të thonë “socialistët me kokën lartë krenar të votojnë për PS, demokratët të mbyllin sytë dhe të votojnë prapë PS” sepse është e vetmja mënyrë e sigurtë që ne të përmbyllim negociatat e anëtarësimit dhe të bëhemi anëtar të BE. S’ka mënyrë tjetër.
E fundit që kam për këtë pjesë është që i keni dëgjuar që përsërisin çdo ditë, çdo ditë “jo hajdutët, jo gjithë në burg”. E para e punës përderisa ne i hymë detit në këmbë, e dinim shumë mirë se çfarë kërkonim dhe e dimë po ashtu se gjërat do shkonin pak a shumë siç po shkojnë. Them pak a shumë se dhe nga ana e drejtësisë së re ka lajthitje, ka gafa, ka gabime, por që është normale. Janë institucione shumë të reja, por e përgjithshmja është historike. Është një moment kthese historike që duhet të vazhdojë dhe ne duhet të japim gjithë mbështetjen tonë. Dhe jo vetëm që ne nuk duhet të ndihemi keq, natyrisht nga pikëpamja njerëzore njeriut nuk i vjen mirë, s’ka si ti vijë mirë kur dikush me të cilin ka punuar ose dikush që është këtu sot, nesër e sheh në televizor duke shkuar në prokurori, pasnesër e sheh para gjykatës, nuk i vjen mirë por ama nga pikëpamja e shërbimit ndaj atdheut, nga pikëpamja e misionit që kemi, nga pikëpamja e ambicies sonë për të bërë histori sot që edhe fati ynë dhe fati i Europës janë përputhur në një pikë ne duhet të jemi vetëm krenar edhe për këtë fakt sepse ndryshe kurrë nuk do ndodhte që politika të fillonte jo thjeshtë pastrohej por mbi të gjitha të fillonte të ndjente që është një hapësirë ku barazia para ligjit nuk është një slogan por është po kaq e rëndësishme dhe po kaq e vërtet sa në çdo hapësirë tjetër të jetës dhe të qenurit politikan, të qenurit shërbëtor publik nuk është një privilegj dhe nuk është as një fuqi mbi ligjin, por është thjeshtë një privilegj për të shërbyer dhe për të qenë shembull i barazisë para ligjit.
Natyrisht këtu në Shkodër nuk mund të rri pa bërë dhe një shtesë. Sot isha me Benetin tek kantieri i shkollës Ndre Mjeda në mes Shkodrës. Akoma s’më ikën aroma e lagështisë jo nga shiu, por godinat e vjetra, muret e vjetra kanë një aromë si të lagësht të brendshme që është tipike e godinave të amortizuara të shumë viteve më parë.
Është e pabesueshme sesi në Shkodër është i vetmi qytet i Shqipërisë ku jo gjen shkolla të tilla por ku të gjitha shkollat i gjetëm të tilla dy vjet më parë. Është e pabesueshme. Ajo që ata i kanë bërë Shkodrës është diçka që me dash me e bë me kast nuk e bën dot aq keq, nuk ia punon dot aq keq një qyteti dhe një komuniteti siç ia kanë punuar ata që natyrisht nuk e kanë bërë me qëllim për t’ia bërë me të keq, por ato shkolla për të gjithë prindërit dhe këtu e kam për prindërit demokrat, çfarë duhet t’ju bëjnë më ata sesa t’ju lënë fëmijët të baresin nëpër ato lloj shkollash që prindërit demokratë të gjithë pa përjashtim tua kthejnë kurrizin dhe tu thonë “Përsa kohë ato lloj fytyrash do të na i ricikloni, do na i ri sillni prapë përpara në emër të Partisë Demokratike, në emër të Aleancës Madhështore, të kënetës madhështore, harrojeni votën tonë sepse ne vetëm Noc Rrokun kemi për ju”.
Dua të bëj një përjashtim, ka vetëm një zonjë aty që nuk bën pjesë tek kjo lloj, për mua të paktën, ka vetëm një zonjë aty për të cilën unë kam respekt se është gjë tjetër në atë liste që është deputete aktuale, të tjerët aty janë, nuk e di, andej nga jugu thonë “Bir Selmani nënës kë të qaje më parë”.
Nëse ka një vend që demokratët për të gjitha arsyet që thashë kanë dhe një arsye plus që t’ju bëjnë atë që nuk thuhet mu në kokë atyre që janë paraqitur si ofertë alternative e skuadrës sonë është Shkodra, janë bëmat e tyre në Shkodër dhe është kontrasti katastrofik mes Shkodrës që ishte deri sa erdhi Beneti në krye dhe Shkodrës që sot çdo ditë, çdo ditë e çdo ditë merr jetë. Ka shumë punë, ka jashtëzakonisht shumë punë, por merr jetë çdo ditë. Sot për herë të parë pash lumin aty kur hyra në Shkodër, nuk e kisha parë ndonjëherë.
E njëjta pamje ishte kur shkoje në Vlorë dhe kishte një beze të bardhë, ishte shkruajtur me dorë “Welcome to Vlora” një leckë atje e varur dhe nuk ishte “Welcome to Vlora” me det, por ishte një Welcome në një rrugicë me një karburant në të djathtë dhe me rrëpirë në të majtë dhe me gropa, Welcome to Vlora. Dhe Shkodra ishte qamet. Futeshe mes dy palë godinave, njëra më e shëmtuar se tjetra, më dukej kur futesha në Shkodër sikur futesha në Lanë, tek Lana në Tiranë ishte Lana në mes dhe godinat në të dy krahët, as liqen, as lumë, as kodër, as natyrë, qorruar sytë qytetit dhe pa pikë turpi këta tani duan prapë vota, duan vota, “Për Shkodrën madhështore”. Për Shkodrën madhështore? Po çfarë është Shkodra madhështore e tyre, cila është Shkodra madhështore me dash me pyet? Cila është se nuk Kemi as Jozefinën këtu ta pyesim se e kanë marrë e kanë mbyllur në burgun e listës së mbyllur të Tiranës? Cila është?
Shkurt fjala, jini krenarë, kemi përpara disa javë shumë intensive, kemi një datë, kemi një votë dhe kemi një mundësi, të gjithë shqiptarët kanë një mundësi që kur ta marrim pasaportën, se pasaportën e Bashkimit Europian ne do ta marrim, që kush do ta marrë në dorë dhe në 11 maj votoi për atë pasaportë të thotë “E kam dhe unë investimin tim këtu”, kush do e marrë në dorë dhe në 11 maj nuk do të votojë për atë pasaportë, sa herë ta shohë veten aty tek ajo pasaportë do t’i kujtohet që ndërkohë që duhet ta hidhte votën për atë pasaportë e hodhi për bufin e kënetës, për bufin e kënetës edhe për atë programin me qofte, me pizza, me gjithë llojet e tavave të dheut e të malit që në 12 maj do shtrohen në të gjitha rrugët e Shqipërisë, do mbushet Shkodra e gjithë trotuaret.
I thashë Benetit sot “Ore duhen pastruar trotuaret se bën vaki po fiton këneta dhe do mbushen gjithë trotuaret me tava dheut, me krap, me ngjala, me vezë, me qofte, me gjizë e me gjithë sallatra të mundshme”.
Shumë faleminderit edhe njëherë të gjithëve dhe mos harroni numrin 5!