Rrugëtimi drejt Shqipërisë Turistike 2030, përmes shifrave dhe fakteve të këtij sezoni turistik që ende po vijon, – ishin tema e një takimi të zgjeruar, me drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të strukturave të lidhura me turizmin, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës Blendi Gonxhe.
Në fjalën e tij, Kryeministri theksoi se rritja në numër e turistëve nuk është më prioriteti i parë, duke u zëvendësuar me një prioritet edhe më të rëndësishme që është cilësia. Përmes shembullit të eurobarometrit të realizuar së fundmi nga Komisioni Europian, Kryeministri tha se ka një përmirësim të perceptimit për Shqipërinë, falë zhvillimit të turizmit.
* * *
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Përshëndetje! Do mundohem të jem shumë i kursyer në marrjen e kohës tuaj sepse shumë gjëra u thanë. Dua të përsëris që ndryshe nga çfarë është thënë, është komentuar, është publikuar në media apo rrjete sociale lidhur me prurjen e këtij viti dhe këto janë shifra, nuk janë opinione, sezoni turistik veror ka sjellë që për periudhën e deritanishme, ne të kemi mbi 9 milionë vizitorë ose e thënë ndryshe 500 mijë vizitorë më shumë se sa në vitin e kaluar, gjysmë milionë më shumë.
Kjo është “rënia” e komentuar gabimisht ashtu sikundër edhe një e dhënë tjetër që dua ta theksoj, është që nuk është e vërtetë që numri i vizitorëve nga Kosova ka rënë. Nuk figuron në asnjë lloj shifre konkrete, përkundrazi ka një rritje e cila nuk është një rritje e madhe për shkak se faktikisht ka pak ose aspak shqiptarë në Kosovë që nuk kanë qenë më parë në Shqipëri, ashtu sikundër ka rritje edhe Italia, edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia e Veriut dhe pa dyshim edhe Greqia, por ajo që vlen të theksohet është rritja e madhe nga Franca, nga Gjermania, rritja e konsiderueshme nga Kina, India, Brazili, Australia, po ashtu ka rritje apo edhe rritja nga Turqia ose Irzaeli. Pra në tërësi, destinacioni po sjell rritje dhe kjo e thënë thjeshtë dhe vetëm për të dhënë një informacion të saktë, jo se ne tanimë kemi objektiv rritjen në numër, nuk është ky objektivi ynë. Rritja në numër për ne, nuk është më prioritet i parë. Për ne, prioritet i prioriteteve është rritja e cilësisë dhe rritja e numrit të turistëve dhe vizitorëve që konsumojnë më shumë këtu në vendin tonë.
Një gjë do theksoj nga të dhënat për të thënë se sa turizmi dhe Shqipëria turistike e ndihmon kombin tonë në aspektin e imazhit ndërkombëtar dhe ndihmon perceptimin e të tjerëve për ne, ka një përputhshmëri shumë interesante midis rritjes së numrit të vizitorëve dhe përmirësimit të perceptimit. Sjell këtu si shembull Francën që në euro-barometrin e bërë së fundmi nga Komisioni Evropian për të parë pëlqyeshmërinë e vendeve kandidate në sytë e popujve të shteteve anëtare, ka një perceptim pozitiv për Shqipërinë populli francez, që as nuk mund të imagjinohej deri jo shumë vite më parë kur Shqipëria dhe shqiptarët në Francë shikoheshin si një vrimë e zezë që sillte dele të zeza.
E dyta, që dua të theksoj duke e lidhur me atë që thashë lidhur mbi numrin dhe cilësinë, është që kemi pa diskutim standarde të tjera sot në turizëm, krahasimisht me nga jemi nisur dhe këtu kam parasysh operatorët turistikë të certifikuar; kam parasysh udhërrëfyesit turistike të certifikuar që sot janë afro një mijë, ndërkohë që s’kishim asnjë; kam parasysh strukturat akomoduese të certifikuara e kështu me radhë. Kam po ashtu parasysh, gjithë sistemin e administrimit të plazheve, sistemin e administrimit të shërbimit shëndetësor, sistemin e administrimit të shërbimit policor në një sezon ku faktikisht kemi pasur 0 ngjarje të rënda kriminale, apo ku kemi pasur afro 70 mijë vizita të realizuara në qendrat shëndetësore, të posaçme që hapen për sezonin, por nuk duhet të na interesojë shumë krahasimin me më parë dhe nuk duhet të na interesojë shumë as pozitiviteti i këtij momenti sepse kemi probleme dhe sfida që nuk presin për t’u adresuar dhe po e filloj me plazhet e dhunuara sipas meje.
Kjo është fjala e duhur për plazhin e Ksamilit, plazh i dhunuar. Kjo është fjala e duhur për një sërë plazhesh të tjera, por po marr Ksamilin sepse është një ndër plazhet më të bukur të botës dhe nuk mund të jetë më pre’ e injorantëve që e shikojnë si një tokë për t’ u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë me turistët dhe me vizitorët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë, apo për të vendosur çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme në plazh, që janë çmime që vetëm lëndojnë imazhin e turizmit shqiptar dhe nga ana tjetër, në tërësi ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka arsye më, që plazhi i Ksamilit të jetë një plazh privat ku dendësia është e lidhur me stresin, e lidhur me çmime marramendëse, e lidhur me një shërbim mizerabël.
Plazhi i Dhërmiut nuk ka nevojë fare të ketë subjekte që vijnë nga zona të tjera, për të vendosu çadra, për të vendosur shezlongë dhe për të vendosur beach-bar që çmendin dynjanë me muzikën e tyre dhe që derdhin ujërat e zeza në det. Nuk ka nevojë. Kryetari i bashkisë së Himarës e ka treguar me një shembull konkret se si bashkia mund të administrojë një plazh në përmasa modeste në Himarë, jo thjesht duke hapur zonën që të shkosh dhe të shtrihesh në rërë, por duke pasur çadra të loguara me ngjyrat e bashkisë së Himarës dhe një shërbim absolutisht të pastër dhe absolutisht të këndshëm pa salltanete të mëdha, po pa asnjë stres. Natyrisht që plazhe si plazhi i Durrësit, si plazhi i Shëngjinit apo si plazhi i Velipojës që janë plazhe të mëdha nuk mund të kthehen në plazhe 100% të administruara nga bashkia, por duhet të vazhdojnë në shembullin më të mirë dhe me praktikat më të mira, të rrisin kërkesën për një shërbim cilësor që i përgjigjet asaj që qytetari paguan dhe natyrisht që nëse ato plazhe kanë qenë shumë më të frekuentuara, kjo ka qenë e lidhur edhe me përputhjen e cilësisë së shërbimit, me kërkesën sepse nuk mund dot të vendosësh çmime marramendëse për një shezlong thjesht dhe vetëm se je në Ksamil dhe je në një parajsë të natyrës ku ti vet s’ke asnjë kontribut as për ngjyrën e detit as për cilinë e rërës, as për bukurinë që të rrethon. Ti s’ke asnjë kontribut për to. Nëse ti vendos një çmim, ti duhet të jesh në gjendje të ofrosh cilësinë që përputhet me atë çmim, jo të ofrosh shezlong ku rrezikon të penetrojë gozhda e ndryshkur.
Kjo është një dhe për këtë patjetër që është plotësisht e mundur të shkojmë në një hap tjetër pasi eksperienca e këtij viti me ridimensionimin e plazheve publike, me ngushtimin relativ të hapësirës së plazheve private, tregojnë që është plotësisht e mundshme. Eksperienca e bashkisë së Lezhës që më vjen shumë inat që e përmend vazhdimisht, por më duhet ta përmend sepse ka pasur përsëri një rol kyç në garantimin e pastërtisë, është një eksperiencë që tregon që është e mundshme. Eksperienca e mbështetjes së gjithë bashkive nga ministria dhe nga qeveria duke i dyfishuar dhe më shumë se dyfishuar në pjesë të caktuara forcat e pastrimit përmes operacionit plazhe të pastra, ka treguar që është e mundshme. Atëherë është plotësisht e mundshme që ne ta rishikojmë dhe një herë dhe ta përmirësojmë bazuar në mësimet e këtij viti në funksion të qytetareve, në funksion të publikut dhe jo në funksion të uzurpuesve dhe të shfrytëzuesve të paskrupullt të atyre hapësirave që marrin dhe të njerëzve qe nuk kanë lidhje fare me këtë lloj biznesi, strategjinë dhe planin tonë. Ashtu sikundër bashkitë duhet ta konsiderojnë seriozisht, edhe bashkia e Durrësit dhe bashkia e Lezhës dhe e Velipojës që në pjesën e lirë për publikun, ku është plazhi publik nuk mund të ketë vetëm rërë edhe të jetë si një zonë shkretëtire por duhet të ketë shërbim. Një shërbim si ai që ofruar bashkia e Himarës apo në mos gabohem ka ofruar bashkia e Lezhës në një pikë të caktuar nëse mos gabohem. Kjo është e para.
E dyta është çështja e mbetjeve. Kemi shumë rezultate pozitive nga operacioni “plazhe të pastra”. Kemi një transformim rrënjësor në pastrimin e territorit falë udhëheqjes jo nga zyra por nga terreni i ministres së Turizmit dhe Mjedisit ose ndryshe i krye pastrueses së Shqipërisë, por nuk mund të bëjë dot gjë, jo kaq por sikur gjithë ushtria popullore e dikurshme të vijë për të pastruar plazhet, nëqoftese paralelisht me ata që pastrojnë janë dhe ata që hedhin plehrat. Turistë jo anglisht, spanjisht, frëngjisht, italisht folës por shqip folës, nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut. Shqipe që mblidhen për të shijuar bukuritë dhe për të shijuar pushimet që ndalojnë dhe në pikat turistike panoramike, bëjnë dhe selfie “oh sa e mirë je ti moj Shqipëria ime” dhe në të njëjtën kohë shkarkojnë plehrat nga veturat e tyre. Dhe po të shikosh pikat panoramike, po të shikosh pikat ku është e mundur të ndalohet janë dhe pikat ku ka grumbullimet më të mëdha të plehrave të përdorimit personal që hidhen dhe jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ulëritësit më të mëdhenj të stadiumit kombëtar, jam i bindur që ndotësit më të mëdhenj janë ta që thyejnë karriget në stadium dhe që synojnë ti kthejnë në luftëra ndeshjet kur ato qëllon që të jenë me Serbinë apo me ndonjë tjetër që këta janë gati ta luftojnë në stadium. Ndërkohë këta janë ndotës të Shqipërisë kur vjen puna tek qëndrimi në plazh.
Ndërkohë trajtimi i mbetjeve sic e kemi thënë është një problem i madh. Qeveria nuk mund të pastrojë Vlorën me gjithë vullnetin dhe dëshirën e të gjithëve ne që Vlora të jetë e pastër, duhet ta pastrojë bashkia. Qeveria s’mund të bëjë pastrimin e qytetit por qeveria do të angazhohet për të bërë trajtimin e mbetjeve e të gjithë qyteteve dhe të gjithë bashkive në nivel kombëtar. Ashtu sikundër kemi folur dhe për furnizimin me ujë dhe nuk po zgjatem.
Një tjetër element që duhet parë përfundimisht është zhurma. Është muzika. Është tallavaja e beachbar-eve të vendosura jo për të shërbyer, por për stresuar gjithë dynjanë. Zona të tëra të banuara ku 99% e pushuesve nuk janë prezent në ato beachbar-e, 99.99 duhet të vuajë ngritjen e muzikës në kupë të qiellit kështu që ne do ta ndalojmë muzikën. Nuk do ketë më muzikë në beachbar dhe madje do të bëjmë një ridimensionim edhe me kërkese të kryetareve të bashkive të numrit të beachbar-eve dhe të mënyrës sesi beachbar-et do të lidhen pastaj me shërbimin në tërësi. Se u habitëm fare. Hap beachbar dhe nga beachbar në beachbar është si të kalosh gjithë historinë e Rock and Roll me një volum konkurrues që këtej të bërtet Metalica dhe nga mbrapa të gjëmon ndonjë tjetër. Kështu që edhe kjo duhet parë. Muzika duhet ndaluar plotësisht jashtë orëve të plazhit dhe në orët e plazhit muzika duhet të jetë për ata që shkojnë te beachbar jo dhe për ata që kalojnë te bypass-i i Fierit.
Janë gjëra të thjeshta, por sot janë të mundshme të bëhen dhe të mbarojnë gjithë këto makthe. Dhe kush do të bëjë muzikë dhe kush do të dëgjojë muzike me zë të lartë deri në 5 të mëngjesit duhet ta ofrojë dhe duhet ta marrë në territore në zona ku nuk është i gjithë qyteti dhe nuk është e gjithë bashkia që duhet të dëgjojë jehonën.
Në Dhërmi erdhën për herë të parë besoj sipas statistikave dhe një grup turistesh japonez të cilët u larguan të nesërmen pasi kishin prenotuar 10 ditë, u larguan të nesërmen të terrorizuar nga muzika. Thjesht u larguan. Ja ku është dhe Vangjeli që mezi i priste japonezet, ikën japonezët, morën malet e Shqipërisë dhe u qetësuan lart në Theth.
Një gjë tjetër që dua të theksoj dhe kjo është e fundit, është domosdoshmëria që të gjithë ne së bashku dhe qeveria do jetë shumë e fokusuar tek kjo pjesë, duhet të qëndisim fustanin e gjelbër të Shqipërisë në të gjitha pjesët ku e kemi shqepur dhe ku e kemi bërë copë – copë duke harruar që bukuria dhe hiret e Shqipërisë janë aseti më i madh që nuk ka kopje kolone antike në hotelin e radhës që mund ta konkurrojë. Luksi i Shqipërisë është ky, është bukuria e vet, luksi i Shqipërisë është tradita e vet. Turizëm luksi bëhet duke e kthyer natyrën dhe duke i kthyer bukuritë e natyrës në asete për të rritur çmimin.
Dhe këtë gjë do ta shohim në të gjitha përmasat, që nga rrugët kombëtare ku ka filluar lirimi i buzë rrugëve në një përmasë të caktuar, dhe ku do të vazhdojmë më pas me gjelbërimin e tyre, nga krijimi i fidanishteve, në tokat buzë rrugëve, ku faktikisht nuk ka ndërtim dhe nuk ka prodhim, te futja e natyrës më shumë në qytet, hapësirat publike që po çlirohen në Tiranë apo në qytete të tjera, duhet t’ia lënë vendin hapësirave ku futet më shumë natyra në qytet, dhe patjetër që tani që po largohen këto të ashtuquajturit ‘pergolata’ kjo do të mbetet në historinë e zhvillimit si një shpikje që u bë në Vlorë, ‘pergolat’ dhe kur njeriu dëgjon ‘pergolatë’ mendon një hardhi plot gjelbërim dhe rrush. Pergolata që lindi në Vlorë është hekur, është hekur, kartonxhesë dhe llamarinë dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë si një mortje dhe jo vetëm u shpërnda si mortje në gjithë Shqipërinë, por u kthye dhe në një argument për të legalizuar ndërtimin e paligjshëm mbi trotuar, duke marrë nga bashkitë një të ashtuquajtur leje për punime të përkohshme, a ku di unë si quhet, neni 7, se e mësova dhe unë nenin 7, që është si neni 55 i agjitacionit e propagandës dikur, një tmerr që ta sjell pseudo-pergolatën poshtë pallatit dhe pastaj bën pronar prurësin e rrushit prej çeliku. Kjo është ajo që ka ndodhur.
Tani, mbas heqjes së tyre, duhet të sjellim shumë më tepër natyrën dhe si fillim, cilido që do vërë një karrige jashtë, do duhet të kontribuojë me një pemë. Pastaj dhe një sërë rregullash të tjera që do t’i bëjmë publike.
Këto janë pak a shumë ato që kisha për të thënë dhe patjetër që gjithë kjo histori ndërtimesh dhe zhvillimesh pa leje, sjell si nevojë edhe një reformim të inspektorateve të policive. Policitë bashkiake dhe IMT-të janë disfunksionale, duhet të reformohen, duhet të kthehen në shërbime bashkiake, por me standarde dhe me kritere që certifikohen nga Akademia e Sigurisë, apo nga Universiteti sepse janë bërë vende qokash të tmerrshme dhe është e paimagjinueshme që të vazhdojë kështu, dhe nuk do vazhdojë kështu ashtu sikundër, edhe gjithë përpjekja për këtë që e quajta qëndisje të fustanit të Shqipërisë, do të vazhdojë duke përmirësuar nga pikëpamja infrastrukturore dhe plazhet patjetër, siç po bëjmë në Durrës ku kemi një projekt që do të jetë shumë mbresëlënës me zgjerimin e plazhit të Durrësit, duke marrë nga deti një sipërfaqe prej 100 metrash plus në thellësi dhe me një riarredim të plazhit ku do të rikthejmë pishat si pjesë e një historie që nuk duhet të mbetet thjesht një arsye për tu keqardhur dhe shpresoj që në këtë përpjekje të na bashkohet dhe Kavaja demokratike që uroj të ndalojë zhvillimin e mëtejshëm të pallateve në vend të pishave, ka ardhur kryetari i Bashkisë së Kavajës këtu? Rrofsh, faleminderit shumë. Domethënë hudhrën e paskemi me vete, kjo strategji do të ketë sukses.
Këto janë gjërat që kisha. Ju falënderoj shumë për praninë. Uroj shumë që të ketë dëgjuar kush duhet të dëgjojë, por do t’i përsërisim disa herë këto në mënyrë që ata të cilët janë mësuar të dhunojnë plazhet me shezlonë të ngjitur me njëri-tjetrin dhe me bishta çadrash, të mos marrin më mundimin të aplikojnë fare. Shumë shpejt do të nxjerrim edhe gjithë planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me gjithë bashkitë, do të kuptojmë ekzaktësisht se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy njëherë janë të sigurta, Ksamilin dhe Dhërmiun.
Faleminderit!