Partia Socialiste e Shqipërisë

Dibër, Asambleja e Zgjeruar e PS/ Në Shqipëri nuk ka individë të pandëshkueshëm, kjo duhet të bëjë krenar çdo anëtar të kësaj familje politike

Në Dibër vijoi sot Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste, një takim ku u fol gjerësisht mbi situatën politike në vend, mbi faktin se si drejtësia në Shqipëri është në një udhë krejt të re, ku të gjithë janë të prekshëm dhe miti i pandëshkueshmërisë është rrezuar.
“Kjo duhet, që të bëjë krenar çdo anëtar të kësaj familje politike sepse këtë hap historik në gjithë rrugëtimin e këtij vendi, që kur ngriti flamurin e pavarësisë, mund t’ia mundësonte Shqipërisë dhe shqiptareve vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë.” – u shpreh ndër të tjera Kryetari i PSSH Edi Rama.

* * *

Mirë se ju gjeta! Faleminderit shumë! Duke qenë se kam disa gjëra, të cilat i kam renditur këtu, po rri dhe unë ulur bashkë me ju për të bërë këtë bisede.
Në një moment që është një moment i rëndësishëm për ne si forcë politike, në vigjilje të një Kongresi dhe patjetër edhe në një fazë të jetës së vendit që ka shumë gjëra pozitive, po patjetër ka edhe sfida dhe vështirësi që duhen kapërcyer, Belinda e preku pak në fjalën e saj situatën politike. Unë nuk kam dashur dhe nuk dëshiroj të shpenzoj kohë, kohën e askujt për këtë, por e rimora për të nënvizuar faktin që kjo situatë që të gjithë ju e shihni dhe gjithë shqiptarët e shohin, është një situatë ku arsyet që thuhen për këtë përshkallëzim të ri të marrëzisë, nuk janë ato që dihen. Arsyet e vërteta pse shqiptarët po ballafaqohen sërish për të kushedi sa të disatën herë me skena dhe me akte te cilat asnjë familje, asnjë prind, as ata vetë që i vënë në jetë këto akte, nuk ia lejon fëmijëve të vet. S’ka prind në këtë vend që i thotë fëmijës futu nga penxherja dhe pastaj baballarët hynë nga penxheret sepse diçka shumë e fortë i shtyn në këto akrobacira qesharake që mund të shkojnë në shfaqjet e Portokallisë, por jo në zyrat e tempullit të demokracisë, të një vendi që është Parlamenti dhe kjo lidhet sigurisht me drejtësinë.
Juve patë besoj dje, e ndoqët, e dëgjuat që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që është gjykata supreme, gjykata më e lartë e të gjitha vendeve evropiane, çdo çështje e një vendi të veçantë që mund të gjykohet në të gjitha shkallët këtu në ketë vend, ka dhe një shkallë tjetër kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut që është ajo dhe vendimet e asaj gjykate janë udhërrëfyes për Europën, për shtetin e së drejtës në Europë dhe janë detyruese për çdo vend europian dhe Gjykata e të Drejtave të Njeriut dje nxori vendimin duke, praktikisht e rrezuar të gjithë procesin farsë që është zhvilluar në Shqipëri për 21 janarin.
Duke nënvizuar atë që është më elementarja në trajtimin e asaj ngjarjeje dhe që do të ishte trajtuar pa diskutim ashtu siç e nënvizon sot Gjykata e të Drejtave të Njeriut nga çdo vend demokratik, europian ku drejtësia është e pavarur dhe ku pushteti ekzekutiv, qeveria, shumica që qeveris nuk ia mban dorën drejtësisë do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit . Aty nuk është fjala për cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau dhe cili nuk vrau. Aty janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesish që nuk paraqitnin asnjë rrezik për askënd dhe prandaj çështja është, si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarët të këtij shteti dhe si ka mundësi që pasi u vranë qytetarët e këtij shteti me pushkët e këtij shteti, si pasojë e hapjes të një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit, ky vend nuk pa asnjë lloj drejtësie të drejtë, por pa vetëm një ri vrasje të dytë, një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre dhe ky vendim i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut është mishërimi më konkret, më i freskët i shkrehjes “drejtësia mund të vonojë, po drejtësia nuk harron”.
E kam thënë shumë vite më parë, 21 janari është një nga ato krime për të cilat mund të ndodhë që vonesa e drejtësisë të jetë më e gjatë sesa drejtësia më e vonuar, por është njëkohësisht një nga ato krime që kurrën e kurrës nuk mbeten pa ndëshkuar në cilindo moment sado vonë. Nuk është e mundur sepse është një krim shtetëror, është një krim me urdhër të drejtpërdrejtë qeverie, të drejtpërdrejtë dhe të paligjshëm dhe ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të re që sapo është hapur për drejtësinë në Shqipëri. Në një rrugë të re, ku për herë të parë qysh nga themelimi i shtetit shqiptar në 1912, populli shqiptar po shikon që si një qytetar i zakonshëm, si një njeri i veshur me pushtet, sado lart në shkallët e pushtetit, mund të jenë të barabartë dhe për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, njerëz të veshur me pushtet, njerëz që deri dje dukeshin të paarritshëm nga dora e drejtësisë, njerëz që e bënin Shqipërinë të dukej edhe në demokraci një vend ku pandëshkueshmëria kishte mitin e saj.
Sot janë të gjithë të prekshëm dhe miti i pandëshkueshmërisë në Shqipëri është rrezuar. Në Shqipëri nuk ka individë të pandëshkueshëm. Kjo duhet, mendoj unë, që të bëjë krenar çdo anëtar të kësaj familje politike sepse këtë hap historik në gjithë rrugëtimin e këtij vendi që kur ngriti flamurin e pavarësisë mund t’ia mundësonte Shqipërisë dhe shqiptareve vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë.
Unë do flas dhe për një sërë gjërash të tjera që janë të rëndësishme, që janë gjëra që janë arritur, por asgjë nga ato të cilët janë në një listë të gjatë gjërash që ne kemi arritur t’i realizojmë nuk ka peshën e kësaj të drejtësisë. Dhe të gjitha bashkë përsëri nuk e kanë peshën e rëndësisë historike që ka kjo reformë në drejtësi, që ne e ëndërronim denbabaden dhe kur them “ne e ëndërronim”, kam parasysh të gjithë socialistët. Kam parasysh të gjithë anëtarët e kësaj familje politike sepse për fat të keq, punët në Shqipëri dhe politika në Shqipëri qysh në krye të herës u nda në mënyrë të atillë ku politikën dhe anën e keqe të saj socialistet e kanë vuajtur në lëkurën e tyre prej ditës së parë. E kanë vuajtur në lëkurën e tyre kur hidheshin në rrugë si leckë nga puna, kur jo ata vetë, por edhe familjarët e tyre nuk shikonin dot një derë të shtetit që t’ju hapej, por e kanë vuajtur dhe kur fitonin zgjedhjet dhe nuk arrinin dot të gëzonin fitoren sepse kërciste një dajak që s’kishte asnjë lidhje me vendet europiane dhe s’kishte asnjë lidhje me aspiratat europiane të polit shqiptar. Dhe e kanë vuajtur edhe sepse në historinë e lirisë dhe pluralizmit në këtë vend iu ka takuar gjithmonë barra socialistëve të rindërtojnë atë që të tjerët kanë shkatërruar.
Nëse ia jep çdo fëmije, mjafton që të ketë marrë mësim shkrimi dhe këndimi në klasë të tretë, në klasë të katërt panoramën e gjithë këtyre viteve nga viti ’91 e deri më sot dhe i thua: “ja kush është njëra palë, ja kush është pala tjetër. Ja dhe fusha dhe ja çfarë kanë bërë. Tani ti vëri emrin. Ke dy emra: ndërtues dhe shkatërrues. Kujt do ia vesh shkatërrues dhe kujt do ia vesh ndërtues”? Çdo fëmijë dihet se kujt do t’i vërë emrin e shkatërruesit, dihet se kujt do t’i vërë emrin e ndërtuesit. Qysh nga viti ’91! Dhe kjo parti ka pasur qysh nga viti ’91 përtej të gjitha vështirësive, përtej të gjitha të metave, boshllëqeve, gabimeve, çfarë të doni, ka pasur gjithmonë sensin e shtetit. Ka pasur gjithmonë sensin që shteti vjen përpara pushtetit, pavarësisht, e përsëris, momenteve kur edhe Partia Socialiste ka gabuar dhe nuk është e rastit që kjo reformë të cilën të gjithë socialistët në radhë të parë, jo vetëm e donin dhe e ëndërronin si të gjithë shqiptarët, por e dënonin edhe si njerëz që nevojën për drejtësi e shikonin të lidhur me jetën e tyre te përditshme, u kthye në një projekt, u bë pjesë e programit.
Kjo është një parti që mund të ketë bërë shumë gabime në gjithë historinë e vet, kjo është një parti që mund të ketë pasur momentet e saj të përshkallëzimit dhe të shfryrjes së tensionit në jetën politike, por kjo është e vetmja parti në historinë e pluralizmit që më shumë se një herë ka tentuar që të bëjë dialog, ka tentuar që të bëjë bashkëpunim për shtetin dhe shumë kohë më parë se sa ne të na jepej mundësia që ta vinim në jetë projektin tonë për ta kaluar reformën në drejtësi, përpara sesa të hynim në zgjedhje të 2009 ne i kemi ofruar qeverisë së asaj kohe një pakt kombëtar për drejtësinë. Ishim në opozitë! I kemi ofruar një pakt kombëtar për drejtësinë, për të bërë pikërisht atë gjë që pastaj e bëmë vetë më pas, për të hapur kantierin e një reformë të domosdoshme të drejtësisë, pa të cilën të gjitha gjërat e tjera janë shumë relative.
Natyrisht që u refuzuam harbutërisht, por nuk hoqëm dorë nga ideja dhe pastaj në vitin 2013 filluam të punojmë për atë ide dhe nëse sot ka dritë në fund të një tuneli që është ende i gjatë, se është vetëm fillimi, është vetëm fillimi sepse reforma në drejtësi duhet të shkojë të shtrihet në të gjithë organizmin e sistemit të drejtësisë. Reforma në drejtësi nuk është thjeshtë të kemi një strukturë speciale që merret me krimin e organizuar dhe me korrupsionin, por reforma në drejtësi është që të kemi në gjithë sistemin Prokurori dhe Gjykata që këtë sens të barazisë para ligjit të cilin kanë filluar ta vënë në vend, ka akoma shumë për të bërë dhe nuk janë fare perfekte këto, por kanë filluar ta vënë në vend organet e reja të drejtësisë, SPAK dhe Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duhet ta vënë në vend jo në raport me politikanët dhe në raport me eksponentë të krimit të organizuar, por në raport me çdo qytetar, prokuroritë dhe gjykatat e gjithë legjislacionit shqiptar. Ama kjo dritë që duket në fund të tunelit është si rezultat i një faktori themelor që është Partia Socialiste.
Është sot kollaj që të fillosh e të thuash “ja se këta janë njësoj. Tani erdhi SPAK, do ua tregojë qejfin të gjithëve”. A thua se SPAK erdhi nga Hëna. SPAK as nuk erdhi nga Hëna, as nuk erdhi nga Amerika, as nuk erdhi nga BE-ja. SPAK erdhi nga ajo nevojë e madhe e shoqërisë shqiptare për drejtësi, të cilën e mori përsipër ta adresojë Partia Socialiste e Shqipërisë dhe patjetër kjo reformë nuk do të bëhej dot, nëse nuk do të kishim mbështetjen e fuqishme të aleatëve tanë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, dihet, por ama Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian në Shqipëri kanë qenë që në ’91, nuk kanë ardhur në Shqipëri, as në 2013, as në 2023, kanë ardhur në ’91 dhe nëse kjo do të ishte një çështje e një prodhimi të gatshëm që vjen me avion, do e kishin sjellë me kohë, por nuk është.

Nëse nuk ka vullnet shtetbërës të forcës qeverisëse, nuk ka fuqi në botë që mund të bëjë me telekomandë shtetin për një vend e për një popull. Kjo është forca shtetbërëse e Partisë Socialiste dhe më vjen shumë keq për atë që ndodh dhe për atë çfarë njerëzit duhet të shikojnë akoma, më vjen keq sepse dëmtohet ideja e politikës dhe forcohet ai mendimi i gabuar që politika është diçka e keqe.

Politika nuk është diçka e keqe. Politika është gjëja më e mirë që njerëzit kanë në dispozicion për të ndryshuar jetën e tyre, por mund të jetë dhe gjëja më e keqe nëse përdoret për keq. Një armë, kur është për t’u mbrojtur është gjëja më e mire, por një armë kur përdoret për të sulmuar është gjëja më e keqe dhe këto situata ju krijojnë njerëzve një neveri dhe një ndjesi të tmerrshme nga politika dhe pastaj ushqehet ai perceptimi që këta janë të gjithë njësoj.

Po të ishin të gjithë njësoj, sot nuk do ndodhte asgjë nga këto që njerëzit shohin. Prokurorë dhe gjykatës të ndershëm, prokurorë dhe gjykatës të zotë, prokurorë dhe gjykatës të dëshiruar për të bërë drejtësi ka pasur në të gjitha kohërat qysh nga viti 1912. Nëse nuk kanë mundur ta bëjnë, nuk kanë mundur ta bëjnë sepse nuk e bën dot po qe se kush ka pushtetin të kap dorën dhe të thotë “Mos lëviz”. Nuk e bën dot.
Janë ditë të shëmtuara shumë për politikën, por janë ditë shumë të mira për Shqipërinë. Janë shfaqje shumë të neveritshme që e ulin shumë politikën në sytë e njerëzve, por arsyet pse ndodhin këto shfaqje janë shumë pozitive.

Është një shfaqje që nëse do vihej në skenën e teatrit të Peshkopisë, do ta kishte titullin “Kërcejnë priftërinjtë nga belaja”. Belaja është problem i madh dhe kjo është një lloj belaje që kush e ka, e ka kërkuar vetë. Prandaj, ta mbajë vetë.

Këtu kam parasysh të gjithë ata, të cilët kanë pasur, kanë apo do kenë punë me organet e reja të drejtësisë. Nëse e kanë kërkuar belanë dhe e gjejnë, ta mbajnë vetë. Ajo që ne mund të bëjmë dhe përpiqemi të bëjmë, është që të përzihemi sa më pak në këtë shfaqje. Nuk mund të jemi komplet të papërzier sepse jemi pjesë e asaj skene, jemi pjesë sepse ju dhe shumica këtu e dibranëve, por edhe shumica e shqiptarëve na kanë dhënë detyrën që të jemi në parlament dhe duhet të shkojnë në parlament sepse përndryshe të jeni të sigurt që nuk na merr malli fare që të shohim dhe të jemi të pranishëm në shfaqje të asaj natyre. Por, nga ana tjetër, minimumi që ne mund të bëjmë është që të mos e ushqejmë atë shfaqje, që të mos i japim asaj shfaqjeje asnjë kontribut.

Thonë që duan të drejta që po u mohohen!

Kjo është e pavërtetë. Asnjë e drejtë nuk po iu mohohet. Po iu mohohet, mbase po, abuzimi me të drejtën për të bërë detyrën; tejkalimi i të drejtës në emër të të qenit deputet. Nuk është e vërtetë, është gënjeshtër që çdo deputet dhe një grup deputetësh kanë të drejtë të bëjnë cfarë t’iu teket dhe kanë të drejtë që ta shfrytëzojnë Kushtetutën dhe të shfrytëzojnë ligjet për t’i kapërcyer Kushtetutën dhe ligjet. Kjo nuk është e vërtetë, kjo është gënjeshtër.

Patjetër që opozita ka të drejtë kushtetuese që të bëjë hetime parlamentare, kjo nuk diskutohet por ama në të njëjtën kohë, është shumë e qartë që hetimet parlamentare të opozitës nuk duhet të prekin Kushtetutën, nuk duhet ta tejkalojnë Kushtetutën dhe për këtë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur një kornizë shumë të qartë, shumë të prerë, çfarë bëhet me këtë të drejtë dhe çfarë nuk mund të bëhet me këtë të drejtë dhe ato që nuk mund të bëhen me këtë të drejtë, jo nëpër penxhere, por sikur të arrijnë deri në terracë dhe të kapërcejnë shtatë penxheret, nuk ka shans që t’i bëjnë me miratimin tonë.

Kjo nuk ndodh sepse ne jemi këtu për të bërë komplet diçka tjetër. Ne jemi këtu për të qeverisur. Patjetër që ne jemi këtu për të dëgjuar dhe respektuar të gjithë ata që kanë detyrën, por edhe që kanë të drejtën që të thonë çdo gjë që mendojnë kundër atyre që mendojmë ne, por ne nuk jemi këtu në asnjë mënyrë për t’ja lejuar vetes që të humbasim kohë edhe të humbasim mundësi për këtë vend për të harxhuar kohën dhe për të gjetur mundësi për ata të cilët qysh prej vitit 2013, po ua sjell në kujtesë që ta mbyll këtë kapitull, kanë bërë të njëjtën gjë.

Në 2013 fituam ne, nuk kaluar 2-3 muaj filluan avazin “Nuk njohim zgjedhjet”. Në 2015 fituam përsëri. Përsëri i njëjti avaz. Në 2017 u futën në çadër për të mos hyrë në zgjedhje, por në fakt për të mos ardhur në parlament që të votojnë Vetting-un. Qëkur ne kemi nxjerrë flamurin e Reformës në Drejtësi, a thua se nxorëm një rrobë të kuqe që sa e shohin i turren sikur janë dema të tërbuar. Mirëpo, nëse dikur ishin dema, tani e keni parasysh vetë se çfarë lloji..Në 2019 ikën fare, ikën fare u zhdukën morën malin dhe menduan që gjithë Shqipëria do të ngjitej në mal e t’i thoshte aman kthehuni se o ju, o ne do hidhemi në greminë nga maja malit. Asnjë njeri nuk shkoi në maje të malit, u kthyen vetë. Në 2021 përsëri e njëjta gjë dhe mbasi të gjithë së bashku thanë “fituam” se ata fitojnë gjithmonë dhe taksirati jonë është se ata fitojnë, por ne duhet të qeverisim. Mbani mend ndonjë palë zgjedhe ku ata nuk kanë fituar, ata i kanë fituar të gjitha zgjedhjet. Po mbani mend ndonjë palë zgjedhje ku ata kanë qeverisur? Jo, se kështu është ndarë kjo punë, ata fitojnë, ne qeverisim.
Mbasi ndodhi dhe ajo pastaj thanë të gjithë që fituam, pastaj filluan të gjejnë kush e ka fajin. Kush e ka fajin për çfarë, që fituan? Dhe sot nuk dihet më ku e kanë kokën, ku i kanë këmbët, ku i kanë duart, ku e kanë trupin, dihet vetëm ku e kanë mendjen. Mendjen e kanë te 7 penxheret. Nuk i ndihmojmë dot.
Ndërkohë që sot ne kemi arsye të jemi shumë të inkurajuar e të jemi shumë besimplotë për të vazhduar më tutje një punë që pasi e nisëm nga një pikë shumë e ulët në të gjitha aspektet, në një vend që ishte i diskretituar ndërkombëtarisht komplet që se merrte askush seriozisht, në një vend që ishte i zhytur nëpër gropa borxhesh dhe në një vend ku ju kujtoj, Policia e Shtetit shtynte makinën se i mbaronte benzina rrugës. Në një vend ku e mbaj mend gjithmonë kur bënim fushatën përpara zgjedhjeve të 2013 në çdo pikë të Shqipërisë, në ato këndet e fjalës që bënim, kryefjala ishte: na mbytën hajdutët, na futen nëpër shtëpia. Aman se nuk po marrim dot frymë nga hajdutët. Aman krimi. Në një vend sot që deri në fund të muajit tetor numëronte 9 milion turistë brenda vitit. Në një vend ku aeroporti i Tiranës ka kapërcyer aeroportin e Beogradit, që historikisht ka qenë aeroporti rajonal i Ballkanit, të tjetër nuk diskutohen. Në një vend ku nëse shohim çfarë thonë organizatat, institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare, Shqipëria ka një nga ekonomitë me rezistente të rajonit. Shqipëria në rajon ka qysh prej momentit kur ka filluar kriza e madhe e çmimeve, inflacionit, si rezultat i luftës, s’po e zgjas se këtë e dini, ka inflacionin më të ulët në rajon dhe vitin e ardhshëm norma e inflacionit do të jetë e normalizuar plotësisht 2 – 4 %. Në një vend ku monedha vendase leku është sot i barabartë me euron që do të thotë nëse ne e kemi rritur pagën minimale 400 mijë lekë, paga minimale është 400 euro. Nuk ka qenë kështu më parë sepse euro ishte më e fortë se leku. Sot jemi 1 me 1. Pse? Sepse ekonomia është rezistente dhe sepse rruga e ngjitjes është në një nivel tjetër. Nuk jemi absolutisht në majën ku duhet të ngjitemi që ta konsiderojmë të kryer misionin e kësaj faze, të historisë së pluralizmit dhe të kalimit nga diktatura në demokraci, por jemi në një nivel tjetër sot.
Pse jemi në një nivel tjetër në buxhetin e këtij viti pra që kemi përgatitur për 2024, do të rrisim pagat e mësuesve më shumë se asnjëherë më parë, do të rrisim pagat e infermierëve, do të rrisim pagat e punonjësve të rendit, do të rrisim pagat e ushtarakëve, do të rrisim pagat e të gjithë punonjësve të shtetit dhe në mesin e vitit të ardhshëm, paga mesatare në Shqipëri do të jetë 900 euro. Janë 400 milionë euro që do të shkojnë për pagat, plus. Dhe natyrisht që kjo nuk vjen si rezultat se kemi ne dëshirë, se ne dëshirë kemi patur t’i bënim këto që ditën e parë, por vjen si rezultat i faktit që kemi forcuar bazën e ekonomisë, kemi zgjeruar burimet dhe kemi rritur të ardhurat, duke rritur mundësitë për të shpërndarë shumë më shumë.
Ashtu sikundër edhe në sektorin privat rritja e pagave është e ndjeshme dhe do të jetë shumë më shumë e ndjeshme vitin e ardhshëm. Prandaj dua që t’ju them të gjithëve, sidomos atyre që janë në emigracion. Se ata e dinë më mirë kush e shikon emigracionin nga këtej, që sot në Europë ka mbaruar koha kur shkoje edhe bëje një punë të zakonshme dhe në fund të muajit kishe mundësi të kurseje, t’i çoje dhe familjes. Ka mbaruar! Nuk mbetet më asgjë në fund të muajit. Për ata që bëjnë një punë të zakonshme, nuk flas për ata që kanë punëra të shumë paguara se janë shkencëtar, ku di unë. Nuk flas as për ata që bëjnë punëra të zeza. Punët e zeza mund të sjellin shumë në fund të një muaji, por muajin tjetër e shef veten në çimento e t’i marrin të gjitha. Flas për punën e zakonshme.
Ndërkohë që sot duke ardhur hymë edhe tek ai tuneli i Murrizit që na është bërë si ai burri nënës që nuk po na ndahet, me atë gjeologjinë e vet që duhet, nuk ecet më shumë se një metër e pak në ditë, e pastaj duhet vënë në fillim një strukturë mbajtëse e veçantë me hekurat e dynjasë aty. E pastaj duhet lënë një muaj e gjysmë që të shohësh deri ku bën pendencë, pastaj duhet bërë edhe veshja me beton, megjithatë duke duruar edhe dibranët që thonë, “S’ke tunelin e Murrizit, iku ska…” S’ke ça të bësh, do t’i durosh, s’kanë faj ata, duan tunelin. S’ka rëndësi për ata se ç’po na punon tuneli ne. 100 metrat, 100 e pak metrat e fundit dhe shkuam edhe në atë fshatin lart, Rabdishtë. Se tani po dalin në dritë dhe fshatra që duhet t’ i mësosh emrin tamam, që është një fshat shumë i bukur në fakt me një rrugë të re që lidh 4 fshatra, që janë prodhues që prodhojnë dhe 300 ton patate në vit, por në një natyrë që e pyet veten, “Çfarë ka në alpet e Zvicrës apo alpet e Austrisë ndryshe”? S’ka asgjë.
E ndërkohë sa herë vij, numri i bujtinave rritet, prandaj ajo që u them atyre që janë në emigracion, nëse kursimet apo një pjesë të kursimeve vihen këtu sepse është një vend që sot që flasim, i ka, i kishte 9 milionë turistët deri në fund të nëntorit dhe mund të shkojë deri në 10 milionë deri në fund te dhjetorit për një arsye, se këta nuk kanë vajtur të gjithë në det, por ajo që kemi parë këtë vit dhe që është dhe rezultati i punëve që kemi bërë, edhe i akseseve që iu kemi dhënë, por edhe i njerëzve që kanë investuar në këto struktura, është që nuk ka cep të Shqipërisë që nuk është një cep turistik dhe ku nuk ka pasur turistë.

Edhe këtu, ju e dini shumë mirë, keni parë më shumë të huaj se ç’keni parë herë tjetër. Ça do të thotë kjo? Kjo do të thotë që vitin tjetër do të vijnë me shumë e me shumë, po do vijnë më shumë e ne çfarë duhet të bëjmë? Duhet të mendojmë si t’i mbajmë.

Si t’i mbajmë 1 ditë më shumë? Si t’i mbajmë 2 ditë më shumë? Si t’i mbajmë 3 ditë më shumë sepse ata janë konsumatorë. Ata kanë nevojë të flenë, kanë nevojë të ushqehen, kanë nevojë të blejnë prodhime artizanale, pra kanë nevojë për atë gjë që e gjejnë turistët dhe kur shkojnë në alpet e Austrisë. Pse, ça ka atje?! Borë, bujtina, ushqim dhe natyrë fantastike. Të tjerat janë nëpër qytete. Unë flas për zonat dhe është e sigurtë, mjafton të pyesësh ata, të cilët i kanë bërë këto që nëse investon, kursimet e tua duke bërë një bujtinë, le të jetë ku të dojë, nuk ka fare rëndësi , vijnë turistët vetë. .. pse , te kulla e Hupit që kur kam vajtur herën e parë, mendoja që a do kthehem dot apo do të rri sonte që të kthehem nesër? Se u tall dikush sot me mua se dje apo pardje kur ishim në Fier thashë; “është një kullë atje në fund të botës’’, edhe më shkruante njëri e më thoshte se “në fund të botës është Surreli se Bulqiza është më afër” me rrugën e Arbrit’’. Po, një dibran, kuptohet.
Dhe sot tek ajo kulla duhet të rezervosh përpara. Nuk shkohet, hajde po nisemi se do gjejmë vend bosh. Një familje që punon, dhe me siguri 100% ua them, që kanë bërë ketë investime, në fund të muajit kanë më shumë sesa ç’do të kishin nëse do të rrinin të punonin për të tjerët ne Evropë. Kjo është e vërteta, le të thonë ça të duan.

Ajo pastaj, krahasimi, rroga këtu është 600 euro, atje rroga është 3000 euro, nuk vlen. Fare. Pse? Pyetja është ça i mbetet në fund të muajit atyre? Asgjë. Ndërkohë që, këtu është hapur një derë e re, është hapur një portë e re oportunitetesh për të gjithë. Turizmi është eksporti më i madh, po është një lloj eksporti që ti nuk ke nevojë ta marrësh mallin nga këtu ta çosh matanë detit, po se vijnë ata matanë detit këtu tek ty. Nuk ka nevojë ti të prodhosh ushqim, çfarëdo qoftë, domate e ku di unë, në një cep mali e te thuash “po dal poshtë tani e t’i shes’’. Jo. I prodhon atje dhe i mban atje se vijnë t’i hanë aty tek ty. Edhe në fund të ikin të lumtur e t’i thonë të gjithëve “shkoni atje”. Unë jam i bindur që pas disa vitesh nuk do të ketë nevojë fare t’i bëjmë këto diskutime, sepse do i tregojë realiteti. Me përfundimin e rrugës së Arbrit, dhe tani se tani po bëhet dhe kjo sepse projekti i parë nuk e kishte këtë Maqellarë –Peshkopi.

Po u pa qartë që ça ishin nga kjo anë, thoshin “s’është bërë rruga e Arbrit, ku ka rrugë Arbri”, s’është bërë fare.’
Ou, në Maqellarë? Ah, Maqellarë ..s’është fare. Ne jemi Neë York-u. Kështu që do ta bëjmë deri në Neë York dhe nga ai moment Dibra është ‘’jastëku i gjelbër’’ i Tiranës dhe mundësitë bëhen pastaj shumë të mëdha për të gjithë ata që duan të punojnë, ata që s’duan të punojnë është tjetër çështje.

Tjetra që dua të shtoj, është nevoja për të kuptuar se këto oportunitete janë të lidhura ngushtësisht, jo vetëm me dëshirën apo me investimin e kursimeve apo me hapjen dyerve të tjera, me shtimin e shtretërve, me fuqizimin e insfrastrukturës sepse turizmi tani është një industri e re, por është një industri që sa po merr formë. Do të jetë një industri e jashtëzakonshme. Ne, nuk ka asnjë lloj çudie nëse do t’ju them, që ne duhet dhe do të shkojmë në 20 milionë turistë, në 30 milionë turistë. Nuk ka limit këtu. Por ama, ana tjetër janë shërbimet, janë njerëzit me formim profesional. Sepse është një zinxhir i tërë shërbimi, nuk është vetëm ai që hap hotelin dhe ai që hap bujtinën, por janë të gjithë ata që punojnë për gjithë furnizimin dhe furnizimi ka gjithë një zinxhir të tërë, që nga frutat dhe perimet, tek ushqimet e tjera, tek gjithë çfarë ka të bëjë me arredimin, mirëmbajtjen etj.

Dhe është fatkeqësi shumë e madhe që ua bëjmë fëmijëve, pa dashje ose nga dëshira e mirë që t’i çojmë patjetër në gjimnaz e t’i çojmë patjetër në universitet, që t’i lëmë rrugëve pastaj si pulë pa kokë, pa asnjë zanat. Jo të gjithë mund të bëhen inxhinierë, jo të gjithë mund të bëhen shkencëtarë, jo të gjithë mund të bëhen ekonomistë dhe juristë dhe nuk ka nevojë për kaq shumë.
Por shumëkush mund të bëhet zanatçi dhe më të marrësh një fëmijë, i cili nuk i ka rezultatet ekselente, i cili ka 5, ka 6, ka 7, ta çosh në gjimnaz, është ta marrësh në qafë. Çfarë do bëje ti? Ndërkohë që nëse atij fëmije i jep një shkollë profesionale dhe i jep një zanat, i kë dhënë mundësinë jo thjeshtë që nesër të ketë një çelës për të hapur derën e punësimit të vet, por nesër ai mund të bëjë një biznes të vogël dhe më pas mund të bëjë një biznes të madh. Ata që merren me biznes nuk janë shkencëtarë. Nuk janë as njerëz në përgjithësi që kanë marrë medalje ari nëpër shkolla, por janë njerëz që kanë talent dhe që dinë të çajnë rrugën në një drejtim tjetër. Atëherë pse këtyre mijëra e mijëra fëmijëve prindërit në radhë të parë, mësuesit në radhë të dytë, strukturat e drejtorive arsimore në radhë të tretë dhe pa diskutim qeveria bashkë me ta, të mos i japim mundësinë që të marrin një zanat dhe kush ka një zanat nuk është asnjëherë vetëm, kjo dihet, nuk diskutohet! Sepse rreziku më i madh me të cilin ne përballemi është që të mos kemi mundësi të plotësojmë kërkesat e kësaj industrie për shkak të burimeve njerëzore të pakualifikuara.
Duket një gjë e lehtë “hajde se po hapim një hotel”, por s’është aspak një gjë e lehtë sepse pjesa kryesore pastaj është shërbimi dhe kënaqësia e shërbimit dhe gjithë zinxhiri i shërbimeve. Kështu që, unë e shfrytëzoj edhe këtu rastin që të them që nuk ka kohë për të humbur dhe të gjithë atyre prindërve që i japin fëmijëve, ose i mbajnë me zor nëpër gjimnaz dhe fëmijët nuk janë për të shkuar në universitete dhe për tu bërë ekspertë, por janë me talente, janë patjetër me dhunti, t’i çojnë në shkolla profesionale. Ne e kemi bërë një program, që do bëjmë një tërheqje të këtyre fëmijëve dhe shkollat profesionale nuk janë vetëm për fëmijët që nuk janë me nota të mira. Shkollat profesionale janë dhe për ata që janë me nota shumë të mira që mund të bëjnë shkollë profesionale, mund të shkojnë dhe në universitet. Ata që takova sot te shkolla e re profesionale e Dibrës, një pjesë e tyre janë nxënës shumë të mirë, që në shkollën profesionale bëjnë informatikë, bëjnë kodim. Ata direkt pa mbaruar shkollën dhe pa lëvizur nga këtu do hyjnë në punë jashtë shtetit me kompjuter dhe fare mirë mund të shkojnë dhe në universitet.
E fundit se u zgjata, por është kënaqësi që jam këtu dhe flas me ju, e fundit është nevoja që ne kemi për ta shtyrë më tutje procesin e lehtësimit të shërbimeve për njerëzit në të gjitha drejtimet me platformën e-Albania, ju e dini se e përdorni të gjithë, është bërë një lehtësim i madh, por nuk mjafton. Ne duam që ta shkëpusim komplet burokracinë dhe t’i shkëpusim komplet zyrat e shtetit nga jeta e njerëzve të cilët të gjithë shtetin do ta kenë në xhep, tek ajo pasqyra e telefonit dhe do ta kenë aty jo vetëm duke e kërkuar, por edhe shteti duke i kërkuar ato. Duket si fantashkencë, por kjo është e mundshme. Ne do ta bëjmë këtë. E-Albania do marrë një formë të re brenda pak kohe, nuk do jetë më një platformë ku njerëzit hyjnë edhe janë vetëm atje dhe pastaj kur diçka nuk funksionon duhet të shkojnë tek adresa që thotë “këtu mund të kërkosh ndihmë” dhe pastaj te presësh që të vijë, por e-Albania do jetë një platformë ku gjatë gjithë kohës do jesh në komunikim, siç komunikojmë ne me njëri-tjetrin kur shkruajmë me mesazhe.
Ti hyn dhe thua, “Unë dua të marr një certifikatë për këtë” dhe e-Albania do të thotë “Mirëserdhe” shko këtu, shko aty, bëj këtë, bëj atë e bëj atë”. Pra, do të jetë një asistent i çdo personi aktiv. Natyrisht nuk do jenë një milion veta aty mbrapa, por nëpërmjet inteligjencës artificiale, ne po e bëjmë gati, kemi filluar të bëjmë testime dhe është në prag të finalizimit dhe pastaj vitin e ardhshëm do të jetë edhe më e thjeshtë se nuk do jetë më me mesazhe, por do të jetë me bisedë siç flet në videocall me dikë tjetër. Ti do pyesësh, e-Albania do të përgjigjet, do ta zgjedhësh vetë e do vajzë apo e do djalë atë. Do të jetë pak problem me djemtë sepse do kujtojnë se ajo vajza do jetë me të vërtetë vajzë dhe nuk është thjeshtë një vajzë virtuale dhe mund të thonë pastaj “Kur do takohemi, hajde këtej në Dibër se kemi një bujtinë të re”, por nuk ka problem. Nuk do jetë e para vajzë që nuk do ju dalë në takim djema. Kështu që, kthejeni dhimbjen në forcë dhe kërkoni për vajza të tjera.
Përveç e-Albania që do të ketë të gjitha shërbimet po bëjmë një kapërcim shumë të madh me Hipotekën dhe do ta zgjidhim shumë shpejt edhe pjesën e mbetur të problemit ku edhe shërbimin hipotekor do mund ta marrë çdokush, jo vetëm siç merret sot që është direkt online dhe nuk ka nevojë fare të shkosh tek zyra, madje edhe po të shkosh tek zyra nuk të ndihmojnë dot sepse zyra këtu merret me çështjet e një vendi tjetër sepse janë të gjithë në kompjuter, nuk është më diçka tek e tek, por do jetë dhe diçka shumë e shpejtë.
Kështu që, gjërat për tu bërë janë plot, por gjërat që kemi bërë, unë them që na mjaftojnë për të pasur shumë besim sepse në fund të fundit, nuk janë bërë vetë, i kemi bërë ne dhe siç kemi bërë gjëra që deri dje dukeshin të pamundura, se janë plot, do bëjmë edhe gjërat që nuk janë bërë ende sepse janë plotësisht të mundura dhe të jeni të bindur të gjithë që vit pas viti do të shikojmë më shumë, më shumë e më shumë dhe kjo do të përkthehet në radhë të parë, në ekonominë e familjeve të të gjithë shqiptarëve sepse kjo është pjesa më e rëndësishme.
Të mos harrojmë që nuk është vetëm rritja e pagave. Ne do donim të bënim shumë më tepër për pensionistët, megjithatë kemi bërë dhe do vazhdojmë të bëjmë edhe më shumë sesa është bërë ndonjëherë. Janë 250 milionë euro plus atij 400 milionëshit të pagave që janë vendosur në dispozicion të rritjes së pensioneve ku përfshihen indeksimet, riindeksimet dhe bonuset e pensionistëve të fundvitit, siç është dhe bonusi që do marrin tani pensionistët përpara Vitit të Ri.
Patjetër janë dhe të gjitha fondet që janë për kujdesin social, për të gjithë ata që janë me ndihmë ekonomike, për të gjithë ata që hyjnë në kategoritë e ish-pronarëve, të ish të përndjekurve dhe për të gjitha bebet që lindin në Shqipëri që do vazhdojnë të mbështeten me çekun e bebes sipas atyre kategorive që kemi thënë.
Kështu që, unë jam optimist më shumë se asnjëherë tjetër sepse kemi shumë arsye për të qenë optimist dhe ju falenderoj shumë juve sepse partia e Dibrës realisht është kthyer në një forcë të rëndësishme shembulli në gjithë organizmin e Partisë Socialiste dhe nuk e them këtë thjesht për fitoret e zgjedhjeve në të gjitha bashkitë. Fitoret janë rezultati i një pune të bërë, por e them për atmosferën e krijuar, e them për harmoninë e krijuar, e them për aktivizimin e të gjithëve në këtë riorganizim që keni bërë.
Patjetër që ka plot gjëra të tjera për të bërë, por kjo parti është realisht një nga forcat e shembullit në gjithë organizmin e Partisë Socialiste dhe unë ju jam shumë mirënjohës për këtë sepse ata që janë të rinj këtu mbase thonë “Çfarë po thotë ky”, se nuk i kanë parë gjërat që na kanë qëlluar të shohim ne që jemi pak më shumë, por për shembull, një Parti Socialiste ku Astriti vjen dhe nuk i ndjehet zëri, unë nuk e ka parë as në ëndërr në Dibër. U bë e sata herë që e shoh atje sepse e kam mikun e parë politik në Dibër unë Astritin që ta dini, që të jemi të qartë. Unë kam ardhur herën e parë në Dibër më gënjeu mendja që do bëhesha kryetar partie dhe ma tha Astriti atëherë “Ty të gënjen mendja, por dhe mua gjithë jetën më ka gënjyer mendja kështu që jam me ty”. I pari, por ama nuk kishte shans të bëhej mbledhje po të mos çohej Astriti të prishte mbledhjen. Fakti që nuk prish më asnjë mbledhje, nuk tregon që ka ndryshuar Astriti, por tregon që ka ndryshuar partia.
Faleminderit!