Fjala përmbyllëse e takimit të Grupit Parlamentar Socialist në hapjen e vitit të ri kuvendor

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:

Në radhë të parë shumë faleminderit për këtë ditë të gjatë, edhe pse jeni mësuar me ditë dhe netë të gjata, por besoj që ndajmë së bashku mendimin që ishte një takim i nevojshme dhe ishte një shkëmbim i nevojshëm informacioni dhe opinionesh. Këtë takim siç thashë do ta bëjmë të përmuajshëm, natyrisht me një përmbajtje që do t’i përgjigjet nga njëra anë ekzigjencave të përditshme të procesit të negociatave dhe nga ana tjetër, aktualitetit të procesit të jetës parlamentare, si edhe të jetës politike.

Dua që, të bëj si fillim një vlerësim për qasjen dhe profilin e Kryetarit të Kuvendit në sesionin e parë, ndërkohë që, kam besim që edhe ato aspekte të domosdoshme të punës jashtë sallës së parlamentit që lidhen me rolin e kryetarit do të ecin përpara.

Nga ana tjetër, dua të bëj një vlerësim të posaçëm për kryetarin e grupit. Nuk është një rol bujar, nuk të jep shumë mundësi për të gëzuar dashurinë e pandërprerë të të gjithëve, sepse është siç e tha edhe Taulanti në fakt në gjuhën angleze quhet “thupra”, pasi duhet të merret në mënyrë të veçantë me disiplinën me organizimin, me koordinimin, me prezencën e të gjitha këto me radhë dhe besoj që fakti që u rikthyem përsëri deri Taulanti për këtë rol, flet vetë për aftësinë e tij për ta bërë këtë punë dhe e falënderoj.

Dhe më vjen jashtëzakonisht mirë, që nga të gjitha diskutimet që bëmë, doli në pah edhe nga pasqyra e sjellë këtu nga Sekretari i grupit, angazhimi dhe përkushtimi i deputetëve dhe deputeteve që janë për herë të parë në grupin tonë parlamentar, i përgëzoj, shpresoj që të vazhdojnë në këtë drejtim edhe të kenë ambicie për t’u përmirësuar në vijimësi.

Tani një gjë është shumë e qartë dhe besoj që është më e qarta nga të gjitha. Ky vit që nis dhe viti i ardhshëm do të kenë një ngarkesë si asnjëherë më parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe si asnjëherë më pas. Numri i ligjeve që do të duhet të kalojnë në filtrin dhe pastaj në seancën e vendimmarrjes së kuvendit do të jetë më i larti ndonjëherë për shkak të procesit negociatave.

Nga ana tjetër, na duhet të kalojmë ligje, po na duhet edhe, siç thamë, të jemi sa më cilësorë në këtë proces. Kjo shton nevojën për të rritur angazhimin, për të rritur orët e punës dhe për të konsideruar mundësinë e rritjes së numrit të seancave të parlamentit.

Nuk është i përballueshëm ky proces me këtë numër seancash dhe mbase mund të konsiderohet përfshirja në kalendar e seancave të posaçme vetëm për procesin e negociatave. Seanca që, për natyrën e tyre dhe për përmbajtjen e tyre nuk janë seanca që kërkojnë gjatësi orësh, por janë seanca që kërkojnë përqendrim dhe numër prezence.

Duke vazhduar me kuvendin, dua t’i referohem konkluzioneve lidhur me domosdoshmërinë e rritjes së aktivitetit diplomatik parlamentar gjë që do duhet të jetë në fokusin e kryetarit të kuvendit, por jo vetëm edhe në fokusin e të gjithë deputetëve të përfshirë në grupet e miqësisë me parlamente të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe në mënyrë të veçantë me parlamentet e atyre vendeve, ku nevoja për më shumë komunikim, për më shumë prani, për më shumë shpjegime është më e madhe.

Nga ana tjetër, besoj që është e qartë për të gjithë që ky proces kërkon edhe një administratë apo një shërbim administrativ të Kuvendit më cilësor.
Kemi folur për reformën e brendshme në Kuvend prej disa vitesh, janë bërë disa hapa, por një administratë, e cila numëron rreth 350 vetë, nga të cilët rreth 300, në mos gabohem, janë nëpunës civilë, është goxha e madhe në numër, në ndërkohë që barra e punës mbështetëse për komisionet, për deputetët, për Kryetarin e Kuvendit bie pa dyshim mbi një numër shumë më të vogël sesa numri i përgjithshëm.

Kjo kërkon një vëmendje të veçantë dhe, nga ana tjetër, nëse për arsyet që i dimë, që lidhen edhe me sigurinë juridike e tjerë, e tjerë, të atyre që janë tanimë aty, do duhen forca të reja, duhet të shtojmë forca të reja.

Ekspertizë në funksion të komisioneve përkatëse për pikërisht çështjet që lidhen me negociatat në mënyrë që ai mekanizmi që folëm që lidhet me koordinimin më të mirë mes qeverisë dhe grupit parlamentar të funksionojë ashtu siç duhet, do të duhet që Kryenegociatorja, ZV/kryenegociatorja dhe skuadra negociatore të ketë një kundërpalë që të ketë dhe ekspertizën e nevojshme.

Dhe së treti, për këtë pjesën e Kuvendit duhet ta ritheksoj që në ndarjen e mandateve në kuvend diferenca është shumë e madhe. Në ndarjen e orëve të fjalës në kuvend, po të shikosh nga orët duket sikur jemi në një parlament 51 me 49, që do të thotë që orët e vënë në dispozicion të deputetëve të opozitës janë anomalisht shumë më tepër sesa orët që opozitat parlamentare marrin në parlamentet e Bashkimit Evropian.

Me këtë nuk dua të them që duhet t’i ulim orët opozitës. Me këtë dua të them që duhet të shikojmë sesi do të ndërpriten orët e marra me forcë, me abuzim, në shkelje të plotë të etikes parlamentare, duke përdorur procedurën për të marr peng, jo kuvendin, por për të marrë peng publikun për një ose dy orë, kur fillon seanca e kuvendit dhe për të pushtuar sallën e parlamentit duke i vendosur deputetët e shumicës në pozitën e atyre që janë aty thjeshtë dhe vetëm spektatorë të një teatri balte.

Kjo duhet të mbarojë. Në asnjë parlament demokratik, në një asnjë parlament të BE kjo gjë nuk i lejohet asnjë force politike, prandaj duke qenë se Rregullorja e parlamentit nuk është e shkruar në gur, duke u bazuar tek rregulloret dhe praktikat e BE duhet ndërhyrë menjëherë në mënyrë që fjala “procedure” mos jetë e barabartë me konceptin “pengmarrje”.

Dhe duke folur për peng marrjen dua të shtoj dhe diçka. Në asnjë parlament demokratik nuk tolerohet, jo ndërhyrja fizike, por goditja në dinjitet e atyre që janë aty të pranishëm.

Nuk tolerohet, nuk është liri fjale dhe në këtë pikë masat duhet të jenë të menjëhershme, ashtu sicc i ka rregullorja, asgjë më shumë, asgjë më pak ama.
Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre të rinjve dhe të rejave dhe atyre familjeve që ndjekin Kuvendin e Shqipërisë. Është një goditje në nivelin psikologjik, është një goditje në nivelin edukativ dhe mbi të gjitha është një goditje në aspektin social sepse krijon vetëm nxitje të urrejtjes dhe krijon vetëm zgjerim të hendekut të pamerituar për shqiptarët, që e kanë hapur dhe e mban hapur dhe e gërmon politika. Dhe kur them politika, nuk flas sicc flasin të dërguarit me punë këtu në Shqipëri të vendeve të tjera, politika në përgjithësi, jo. Ajo pjesë e politikës, të cilën ne për fat të keq nuk e kemi dot përballë, por e kemi gjatë gjithë kohës mbrapa, duke u përpjekur me të gjitha llojet e metodave që të na pengojë të vazhdojmë më përpara.

Më tutje, dhe këtu dua ta mbyll me pjesën që ka të bëjë me funksionimin e kuvendit. E dëgjuam edhe nga kryetari i grupit dhe dua të eci me shumë vendosmëri në futjen sa më thellë të teknologjisë në punën e Kuvendit me të gjitha ato që u thanë. Dhe e kemi thënë dhe herë të tjera unë mendoj që kanali i Parlamentit në televizionin shqiptar duhet të kthehet në një kanal të parlamentit, jo thjeshtë për të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë seancat e kuvendit apo komisionet, por shumë më tepër se kaq. Vendet e tjera e kanë një kanal parlamentar, duhet ta kemi dhe ne dhe kjo do bëhet nën kujdesin e Kryesisë së Kuvendit, duke ftuar patjetër edhe përfaqësuesin e opozitës, a dha dorëheqjen a është akoma, si është situata me profesor Gjekmarkaj, është akoma kryetar, iku, si u bë? Apo ai jep dorëheqjen dhe ata e mbajnë?

Shumë mirë, profesori është një aset pozitiv, shpresoj që kjo mos t’i kushtojë ndonjë goditje nën brez.

Duke vijuar më tutje, dua të nënvizoj si konkluzion nga fjala e kryetarit të grupit edhe një herë që ne jemi këtu për të bërë punën tonë dhe për të gjitha arsyet që i dimë, puna jonë nuk pret. Puna jonë nuk pret! Do të ishte qershi mbi tortë sikur të tjerët të ishin të interesuar për të bërë të njëjtën punë, punën për vendin dhe për anëtarësimin e vendit në BE.

Nuk janë të interesuar, përkundrazi janë të angazhuar që me çdo mjet dhe mënyrë të përcjelljen jashtë kufijve të Shqipërisë hobin e zi që ky vend është një narkoshtet dhe ndërkohe këtu brenda janë të interesuar që vetëm të pengojnë.

Prandaj, pa hequr dorë në asnjë moment dhe për asnjë arsye nga gatishmëria për të bashkëpunuar nëse do vijnë të ulen në tavolinat e bashkëpunimit, ne nuk do presim për asnjë rast dhe arsye askënd për të vazhduar të bëjmë punën tonë. Kjo do të jetë shumë e qartë.

Unë e mirëkuptoj shumë edhe thirrjen e miqve, partnerëve, predikuesve të dialogut, të mirëkuptimit, të konsensusit, e mirëkuptoj, jam i gatshëm, por bashkëpunime, dialog apo ulje në një tavolinë të përbashkët me zor unë nuk kam parë.

Kështu që, për ne e rëndësishme është që asnjëherë dhe për asnjë arsye të mos mbyllim derën, asnjëherë dhe për asnjë arsye mos marrim karriget e tyre bosh edhe t’i larg qoftë djegim siç i digjnin ata. Karriget bosh janë aty, duan të vijnë? Le të ulen. Duan të bashkëpunojnë? Bujrum. Duan të japin alternativë, mirë se të vijnë. Për të tjerat, rrugët janë të ndara. Ne përpara, ata mbrapa. Ne gjithmonë e më përpara, ata gjithmonë e më mbrapa, por të keni parasysh që sa më mbrapa të mbeten, aq më e fortë do të vijë jehona e lehjes së tyre. Sepse ajo, që ata bëjnë në shqipen time quhet “lehaqenie”.

Në ndërkohë dua të vazhdoj duke thënë se duhet të mendohet përveç tjerash dhe ngritja e një grupi nismëtar për ndryshimet kushtetuese. Ne kemi shtruar qysh në krye të këtij mandati nevojën që parlamenti i Shqipërisë të zvogëlohet në numër. Kemi një parlament me 140 vetë dhe fare mirë mund të kemi një parlament me 100 vetë, gjë që do ta mirëpriste publiku. Gjë që do të normalizonte forcat dhe burimet etj, por nuk është vetëm kjo, ka dhe aspekte të tjera që duhen ri vizituar nga sigurisht njerëzit që dinë se çfarë shohin, dinë çfarë lexojnë, dine çfarë thonë dhe çfarë shkruajnë kur vjen fjala të Kushtetuta e Shqipërisë.
Kështu që, duhet ngritur një grup që pastaj të hapë një proces, natyrisht shumë më tepër sesa një reformë zgjedhore apo një reformë administrative territorial, kështu që, kërkon shumë më tepër hapësirë, angazhim, burime etj, por duhet nisur kjo punë. Ambicia jonë duhet të jetë që në fund të mandatit në të kalojmë dhe një reformë kushtetuese. Në ndërkohë dua të vazhdoj me çfarë u tha këtu, duke iu referuar një momenti të ngritur nga kryetari i Komisionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili iu referua organizimit të një dëgjese me ministren e Brendshme, si një shembull që në këndvështrimin e tij, unë nuk e kam ndjekur, është një shembull për tu zhvilluar më tej sepse krijon mundësi që të ketë dialog dhe të ketë përpjekje konstruktive që disa gjëra që janë thjeshtësisht të vërteta dhe mbulohen nga balta, nga tymi, nga mjegulla, të mund të dalin në pah. Është mirë që këtë temë ta trajtojmë dhe të krijojmë më tepër hapësirë si grup parlamentar për të pasur dëshmi të ministrave apo të të tjerëve, lidhur me çështje që kanë interes për publikun, pra dëgjesa të Parlamentit.

Ka shumë pak dëgjesa sepse nga ana tjetër kemi “një çetë” e cila nuk e njeh dëgjesën por njeh vetëm Komisionin Hetimor, ose e thënë ndryshe, ftesën për një ‘’teatër balte’’. Dëgjesat janë praktikë e konsoliduar parlamentare në vendet normale dhe ne nuk mund të presim që, se zakonisht dëgjesat, zakonisht, por në shumë raste ato i organizon dhe shumica, por zakonisht janë një instrument i palës që është aty për të bërë opozitë me shumicën, kështu që mirë do të jetë t’i organizojmë. Na duhen dëgjesat edhe si instrument institucional për të trajtuar çështje të cilat janë çështje të një rëndësie të dorës së parë për vendin, por degradojnë në copëza trillimesh edhe historish që hidhen për të helmuar publikun. Për shembull, në Shqipëri po ndodh diçka që është tërësisht e re; shteti po merr pjesë në sipërmarrje, krejt e kundërta e rrugës që çon në abuzim me asetet publike, në abuzim me fondet publike dhe kur them abuzim, nuk kam parasysh thjesht abuzimin për qëllime përfitimi, por edhe abuzimin në mungesë të një qasjeje largpamëse.

Sot, jo më larg se sot ndërkohë që ne flisnim këtu, zhvillohej seanca e fundit e negociatave dhe mund të jetë akoma në zhvillim, me një nga ekselencat ë të mëdha të botës, që është Fincantieri, kompania e madhe publike italiane, e cila është lider në prodhimin e anijeve, të të gjitha përmasave dhe falë kompanisë tonë publike që ne kemi ngritur, KAYO-s, ne kemi hyrë në një marrëveshje me Fincantierin për një kompani të përbashkët ku 51% do t’i kenë italianët, 49% do t’i ketë shteti shqiptar. Shteti shqiptar! Dhe ku aktiviteti i kompanisë në bordin e Pashalimanit do të bëjë që nga njëra anë, ushtria shqiptare të vazhdojë të ngrejë forcën e vet detare duke i prodhuar në vend anijet në dispozicion të saj; do të bëjë mirëmbajtjen e tyre me një kompani ku shteti shqiptar është aksioner dhe patjetër që do të krijojë punësim të specializuar me paga të larta.

Nga ana tjetër kjo kompani do të marrë porosi nga vende të tjera dhe do të ndërtojë anije të kalibrave të ndryshëm nga ato që ndërton Fincantieri në kantierin e vet, të cilat do t’i shesë dhe nga shitja shteti shqiptar, Forcat e Armatosura do të përfitojnë 49%. Do të bëjë mirëmbajtjen e anijeve të Rojes Bregdetare të vendeve të NATO-s. Në Shqipëri! 49% shteti shqiptar! Dhe patjetër që kjo linjë prodhimi do të thotë dhe transferim teknologjie, do të thotë dhe shumë të tjera më pas. Ky është vetëm një shembull.

Ndërkohë ju dëgjoni që është krijuar një kompani KAYO për të kanalizuar paratë e drogës dhe për t’i hapur rrugë kontrabandës së armëve. Kjo është akuza, apo jo? Kjo nuk është kompani private, nuk është një kompani pas së cilës fshihet ndonjë person privat, kjo është kompani e shtetit shqiptar. Dhe pse është krijuar kjo kompani? Rritja e buxhetit të NATO-s për të gjitha vendet, bëri që qysh në momentin e lançimit, Kryeministria të bëhej si një supermarket, ku hynin dhe dilnin shitës që donin të takoheshin me mua nga të gjitha vendet për të më thënë: “kemi motora, kemi makina , kemi aeroplanë, kemi helikopterë, kemi pushkë, kemi raketa”. Tani, më fal, ne jemi budallenj këtu, që paratë e buxhetit t’i përdorim thjesht dhe vetëm për të blerë, ndërkohë që me ato para ne sigurisht do blejmë çfarë nuk e prodhojmë dot, se ne nuk prodhojmë dot helikopterë. Ne makinat e ushtrisë do t’i prodhojmë vetë dhe ju do të shikoni që do t’i prodhojmë vetë dhe do t’i prodhojmë vetë jo vetë për ushtrinë shqiptare, por do t’i prodhojmë vetë dhe për eksport. Po mirë, jemi budallenj ne që vazhdojmë të bëjmë tendera uniformash që përfundojnë gjithmonë me Komisionin e Prokurimit në hetim dhe pastaj me njerëz që shkojnë në burg për perimetrin e kapeles së policit, që policët e kanë kokën kaq dhe ia keni bërë të vogël dhe nuk i bën se keni vjedhur çerekun e kapeles? Apo se rripat e ushtarëve? Ndërkohë që ne kemi dijen më të madhe në Europë këtu për të qepur, 30 vjet që qepim për “Versaqe” dhe gjithë ‘’saq”-et e botës dhe tani do të vazhdojmë ne? Jo. Ne kemi krijuar edhe këtu kompaninë e përbashkët ndërkohë që ushtria suedeze, Ministria e Mbrojtjes e Suedisë, porosit uniforma për ushtrinë suedeze në Shqipëri, në një kompani fasone, në Shqipëri. Ne, histori e pafundme tenderash për uniforma. Jo, të gjitha uniformat e shtetit shqiptar do të prodhohen në Shqipëri dhe do të prodhohen nga shqiptarët në këtë rast. S’kemi nevojë as për kompani të huaja dhe natyrisht kjo kompani do të prodhojë uniforma edhe për vende të tjera dhe kjo kompani do të shërbejë edhe si bazë prodhuese, edhe si porositës për fabrika të cilat janë në pikë të hallit sepse “Versaqe” nuk i çon më aq porosi sa duhet, sepse euro, sepse kështu, sepse ashtu. Dhe kështu do ngremë një rrjet. Dhe kjo nuk është një gjë që do ta bëjmë në të ardhmen, kjo po ndodh aktualisht. Do të jeni shumë të mirëpritur kur të fillojë prodhimi dhe të dalin produktet e para të kësaj kompanie dhe do dalin brenda këtij viti, nuk do të dalin në 2030.

Po mirë, jemi budallenj ne që për çdo lloj droni të shkojmë “të kuturisemi” për t’ua blerë të tjerëve. Pse nuk i prodhojmë dot ne dronët inteligjent në Shqipëri? Çfarë na pengon? Dhe ne kemi filluar punën për të prodhuar dronët inteligjent në Shqipëri dhe jo dron të thjeshtë, dron të sofistikuar, përsëri me shtetin brenda. Tani çfarë është kjo përralla që i tregohet shqiptarëve çdo ditë, se ne po ngremë nga të katërta anët fantazma për të marrë lekë? Nëse ne do të ishim njerëz ose do ishim një forcë që punon për të marrë lekë, ne nuk do ngrinim një sistem të tërë prokurimesh që praktikisht po shkon drejt mbylljes së të gjitha hapësirave të abuzimit me prokurimet. Dhe nuk do ishim sot që flasim, sot, vendi i parë në klasifikimin e vendeve kandidate për Bashkimin Europian, për integritetin në prokurimet publike.

Natyrisht që kjo është një histori që vazhdon. Kështu që, ne do të kemi një industri ushtarake që do të prodhojë në vend gjithçka që mund të prodhohet në vend dhe që nuk do vazhdojë ta mjelë buxhetin e shtetit, sepse këtu është fjala sesi taksat që ne marrim nga shqiptarët për t’iu përgjigjur detyrimeve të NATO-s të mos heqin asgjë nga çfarë na duhet për t’iu përgjigjur detyrimeve ndaj njerëzve, për shërbimet, për kopshtet, për shkollat, për çerdhet, për spitalet, për qendrat shëndetësore, “për, për, për” janë shumë. Si do ta bëjmë këtë ne? Këtë mund ta bëjmë, duke e bërë shtetin sipërmarrës, jo thjeshtë merr buxhet shteti, harxho buxhet shteti, dhe ngre duart lart “dua më shumë buxhet”.

Të njëjtën gjë i kemi kërkuar bashkive, por kjo është një temë tjetër. Dhe bashkitë, jo për ushtrinë, por për të ndërtuar kompanitë, duhet të hyjmë në këtë fazë. Sot, në Shqipëri nuk merr dot tokë për shembull meqë flasin për AIC-në. Një çetë injorantësh të lig, jo vetëm injorantë, por edhe të lig, flasin për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Korporata Italiane e Investimeve, e njëjta, është i njëjti model nga ata e kemi marrë dhe nga spanjollët, por po flas për italianët sepse me italianët bashkëpunojmë. Ka 460 miliardë euro asete vlerë.

Korporata Italiane e Investimeve ndërton ekzaktësisht si AIC pallatet e drejtësisë, ndërton godinat për institucionet, ndërton godina sociale, duke bërë çfarë ekzaktësisht, duke përdorur asetet ekzistuese dhe duke hyrë në bashkëpunim me privatët. Shqipëria e deridjeshme bashkëpunimin me privatët e shihte ndryshe, kjo është Shqipëri tjetër. Këtu ne përfaqësojmë shtetin, privati përfaqëson veten dhe një pjesë të suksesit financiar e merr shteti. Nëse ne do ishim ata që thuhet se jemi, pse do i bënim këto ne? Ne i bënim vërtet ato që na i thonë, ata që i kanë bërë ose që kanë dashur t’i bëjnë ose që s’i bëjnë dot më, edhe tregojnë përralla.

Kështu që, në këtë pikë do të vazhdojmë me këmbëngulje, por na duhet të ndjejmë dhe kuptojmë nevojën e madhe për informim të njerëzve. Nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë, sepse mjedisi i informimit është i kontaminuar, është i kontaminuar. Nuk është e lehtë, sepse kur në ditët e përmbytjes, ditë dramatike të gjithë ata që shikojnë prej shumë vitesh “ëndrrën në beze”, thonë tironsit, të rrëzimit tim dhe tonë, e shikonin shiun dhe borën si anëtarët e mirëseardhur të koalicionit, moderatori më i famshëm i Shqipërisë i cili ka vizituar 148 vende të botës e hap penxheren e tij të darkës dhe lëshohet mbi shikuesit e tij, a thua se i kishin hyrë në shtëpi forca të errëta dhe shpif haptas. Nuk e di a me vetëdije a pa vetëdije, por shpif haptas. Unë mendoj që ishte i acaruar nga fakti që ministrat përkatës, ishin gjithandej në terren, në shi, flisnin me mediat dhe e tjerë, e tjerë, ndërkohë që sigurisht ai dhe gjithkush atje brenda, që ftohet prej tij apo në penxheret e tjera, ministrat i konsiderojnë ministra vetëm kur bëjnë parakalimin te stacioni i trenit, përndryshe nuk janë, nuk ekzistojnë ose janë duke mashtruar.

Dhe ndërkohë, edhe kur kapet, s’po them “me presh në duar” se nuk do ishte e përshtatshme, po duke bërë një gjë tillë, refuzon të pranojë, refuzon të kërkojë ndjesë, refuzon t’i referohet faktit dhe flet në jerm dhe merret me gjëra të tjera që mund të jenë të drejta, mund të jenë të vërteta, por nuk kanë lidhje me çështjen.

E solla këtë shembull për të thënë që nuk është e lehtë, nuk është e lehtë të informosh kur në debatet politike t’i shkon dhe e ke përballë njerëz që nuk kanë ardhur të bëjnë debat me ty. Kanë ardhur të të sulmojnë, të të godasin, të dekurajojnë të baltosin sa të munden. Dhe ku problemi më i madh është të marrësh fjalën, nuk merr dot fjalën, sepse nuk janë aty për të pyetur, janë aty për të të bërë atë që thashë dhe në ndërkohë moderatori me shkop atje, sa bie pak qetësi turret që ndezi prapë sherrin dhe ky është një model, që nuk është thjesht një.

Kështu që, si bëhet për të informuar publikun në kushtet kur ka 700 tenxhere të tilla që ziejnë përditë, bubullojnë përditë, gërr, gërr, gërgërojnë përditë dhe dezinformojnë përditë.Si bëhet? Duhet të këmbëngulim, duhet të përdorim çdo hapësirë, do të përdorim çdo hapësirë.

Nuk ka interes për t’i thënë publikut se çfarë po bëjmë ne, nuk ka interes për asnjë nga punët që bëjmë ne, për t’ia transmetuar publikut dhe ato që bëjmë ne nëpër rrjete sociale janë nga halli i madh që ndryshe ku do t’i marrin vesh të paktën njerëzit tanë, ata që na ndjekin dhe na votojnë dhe na besojnë, duhet të marrin vesh se me çfarë merremi ne se nëqoftëse ne nuk i bëjmë ato në rrjete sociale njerëzit tanë do mendojnë që e vetmja gjë që ne bëjmë është ajo që tregojnë ata.

Prandaj na duhet shumë këmbëngulje dhe prandaj këtu duhet një ri angazhim i plotë i gjithë grupit parlamentar, i gjithë deputetëve, i gjithë ministrave, ish ministrave për të shfrytëzuar hapësirën e Parlamentit, për të shfrytëzuar hapësirat e tjera kudo dhe kurdo që është e mundur dhe për të treguar çfarë po bëjmë ne për Shqipërinë tjetër. Kjo është një Shqipëri tjetër, kjo nuk diskutohet dhe arsyeja pse ata nuk i voton askush dhe arsyeja pse po të shikoni anketimet tona të brendshme dhe ju e dini shumë mirë që anketimet tona të brendshme asnjëherë nuk na kanë lënë në baltë, edhe sot kur ne nuk jemi në pikën tonë më të lartë siç ishim menjëherë pas zgjedhjeve, ata janë akoma më keq se ç’ishin pas zgjedhjeve ku sigurisht ata fituan, por në fakt humbën sepse publiku vlerëson çfarë ne bëjmë gjithsesi.

Për të shkuar më tutje, unë jam absolutisht i bindur dhe Milva e ngriti, por dua ta përsëris që në komisionet parlamentare duhet garantuar përfaqësimi politik. Nuk mundet dot të përfaqësohen Ministritë në komisionet parlamentare me nëpunës civil. Nëpunësit civil janë atje për të mbështetur, por nuk mund të jenë atje për të diskutuar me komisionin. Ministri dhe ministrja dhe vetëm në rastet kur është vërtete në pamundësi titullari shkon zëvendësi. Nga ana tjetër, dua ta nënvizoj atë që tha Ulsiu, me anglishten e tij të kursyer, por asnjëherë të gabuar duhet të jemi “on call” sepse në këtë proces kemi nevojë për shumë ndërveprim dhe koordinim me njëri tjetrin për të kundërvepruar në kushtet kur mjedisi politik dhe mediatik është shumë i ndotur. Natyrisht që bëhet fjalë për tenxhere, nuk bëhet fjalë për Shqipërinë dhe ne duhet nga njëra anë të evitojmë të hidhemi me kokë nëpër tenxhere dhe nga ana tjetër të shfrytëzojmë çdo hapësirë për të thënë fjalën tonë, për të mbajtur qëndrimin tonë për të bërë shpjegimet tona.

Dhe qasja proaktive e nënvizuar nga Klosi është ajo që na duhet. Nuk mund të mbarojë misioni i deputetëve as tek seanca dhe as tek komisioni sepse misioni i deputetëve buron nga ata që na kanë zgjedhur dhe duhet gjithmonë të jetë i lidhur me ata që nuk na kanë zgjedhur thjesht që të dalim në parlament dhe të mbajmë fjalime kur na jepet mundësia dhe kur nuk jemi në kushtet e demonstrimit të muskulaturave dhe të trupave, por në radhe të parë atje në territor.
Irisi foli dhe dua ta veçoj këtë se kjo ishte e rëndësishme lidhur me borxhin e televizionit publik. Tani e vërtetat historike është që ne kemi tentuar që të krijojmë kushte që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar, me suksesin më të plotë. Nuk e di çfarë do bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm, që do të thotë nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja e publikut në mospërfillje. Ne nuk e kemi një televizion publik sot në Shqipëri, kjo është e vërteta. Kemi një kanal atje, por unë personalisht hera e fundit kur e kam parë televizionin publik shqiptar dhe ju siguroj për këtë është në vitin 1990 para përmbysjes kur ishin ato protestat që ata ca i thonin, ca si thonin dhe thonin huliganet dolën këtu, huliganët dolën atje, që atëherë unë televizion publik më s’kam parë. Kam vajtur i ftuar, por ju siguroj që as veten nuk kam parë dhe janë të vetmet intervista pas të cilave, unë nuk marr asnjë mesazh. Sepse kam shkuar në një përshpirtje atje, që quhet përshpirtje publike, por më kanë parë, i kam parë ata në sallë dhe jashtë studios nuk më ka parë njeri prandaj duhet ndarë mendja.

Drejtuesit e televizionit publik të gjithë e dinë, ata që kanë qenë atje kur ne kemi qenë në opozitë, ata që janë, nga unë nuk kanë marrë kurrë asnjë mesazh, asnjë mesazh se unë nuk e shoh dhe kur ndonjëri nga ju më çon “shoh çfarë bën televizioni publik” unë habitem si e ndjek, por ama të gjithë i kam takuar mbasi janë zgjedhur. Dhe ju kam thënë vetëm një gjë “mbylleni”. Të njëjtën gjë ju kam thënë të gjithëve. Nxirreni në ekran “televizioni publik shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar, i kërkon ndjesë të gjitha familjeve në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, i kërkon ndjesë dhe për të gjithë ata që nuk jetojnë më dhe që kanë qenë të detyruar siç jeni dhe ju të marrin shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do reflektojmë dhe do rikthehemi në ekran kur të jemi gati”. Dhe të bëjnë reformë.

Si ka mundësi që televizionet e tjera me shumë më pak buxhet bëjnë më shumë sukses? Pse? Sepse buxhetin e tyre nuk e kanë të garantuar. Duhet ta krijojnë. Televizioni publik e ka të garantuar. Jemi borxh. Po pastaj se jeni borxh, çfarë doni? E duan të drejtën e Federatës Shqiptare të Futbollit për të transmetuar ndeshjet e kombëtares sepse kombëtarja duhet të dalë në televizionin publik që nuk e kemi, por leket nuk i paguajnë. Pse? Doni leket tona, shkoni te qeveria. Duke qenë se dhe ata të gjuetisë gjetën rrugën që të nxjerrin prapë çiftet shkoni dhe ju mos kapni ndonjë ashtu se aty dhe ndodhin këto gjëra. Nuk kemi për t’i dhënë televizionit publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve deri kur televizioni publik t’i meritojë taksat e shqiptarëve.

Unë kështu mendoj Iris. Unë e di që ty të qan zemra për mediat, mua më qan dhe më shumë se kam qenë dhe unë si puna jote atje i mediave, por unë jam pak ndryshe. Kështu që mendoni, unë mendoj që çdo gjë duhet, çdo opsion duhet të jetë në tavolinë. Edhe mbyllja përfundimtare, edhe privatizimi, edhe partneriteti edhe çdo gjë përveç kësaj që është, por unë nuk marr pjesë në këtë, siç nuk marr pjesë ti e di në asnjë lloj tentative për të rregulluar median.
E bëra këtë “aventurë”, thjesht dhe vetëm për pak gjëra dhe i mbeti Shqipërisë atje ai paragrafi “drafti i ligjit për median”. Ndërkohë që sot BE diskuton shumë më tepër se aq, por unë nuk e bëj këtë, nuk merrem as me televizionin shqiptar publik, as me mediat online. Ju që vuani shpifjet e tyre, merruni, unë personalisht e kam marrë parasysh që po u morëm më këtë punë, ata këtë punë kanë se këtë punë dinë të bëjnë, s’dinë të bëjnë asnjë punë tjetër. Të shpifin, të vënë gjoba edhe të sakatojnë kë të munden. Kjo është puna e tyre, jo të gjithë fatmirësisht, por në tërësi siç është bërë një sëmundje në gjithë Europën, por unë nuk merrem. Merruni ju.

Edhe për shpifjen që do dekriminalizohet në Shqipëri falë procesit të negociatave unë jam dakord për të gjithë gazetarët, vetëm për një gjë unë nuk do pajtohem kurrë, që të dekriminalizohet shpifja për ata që janë të zgjedhur nga populli. Për të tjerët, shpifni, shpifni se diçka do mbetet, sa të kemi fuqi do mundohemi sa të kemi fuqi, do mundohemi që të mos mbetet, kurse ata që janë në sallën e Parlamentit apo ata që janë të zgjedhur në nivelin vendor, për ata shpifja me votën time nuk dekriminalizohet.

Vijmë tek ligji i shërbimit diplomatik. Folëm këtu. Ministria e Jashtme është si Televizioni Shqiptar, është një tjetër dështim i madh i yni. E ua thashë, e kam thënë dhe po ua them se nuk është një gjë që nuk e dimë, nuk është një institucion në funksion të gjithë këtyre sfidave. Nuk është. Pse? Sepse nuk është reformuar asnjëherë. Edhe një ligj që u bë si reformë, nuk ishte reformë, ishte ‘’tualet’’, domethënë makijazh. Dhe ne nuk e kemi një shërbim diplomatik sot në lartësinë e sfidave të mëdha që ka bota dhe Shqipëria. Kështu që ligji duhet të jetë i tillë që të hapë rrugën për reformë, të hapë rrugën për të futur ajrin e pastër, për të futur njerëz të rinj. Shqipëria sot ka njerëz plot, jashtë në Diasporë dhe mos harroni, do vij dhe te Diaspora, që Diaspora është pjesë e elektoratit aktiv në Shqipëri, nuk shërbejnë dot në ato përfaqësitë tona se nuk kanë statusin ‘’grata’’ e ku di unë se çfarë. Dhe ‘’gratat’’ janë ‘’marrë peng’’ nga spikerat e politikës së jashtme të televizionit që as televizion nuk është ai, se ata as nuk dalin, nuk dihet kush janë, ku janë, sa janë, ça bëjnë. Unë sa herë shkoj atje në atë ministri, më duket sikur aty është ministri, sekretarja dhe ai roja që më shoqëron deri atje ndërkohë që nga muret e nga korridoret del një jehonë.

Vijmë tek Diaspora. Është shumë e rëndësishme që në aspektin e diplomacisë për sa i përket Parlamentit edhe grupet e ministrisë të angazhohen siç do të angazhohet Kryetari i Kuvendit, por njëkohësisht të gjithë deputetët që shkojnë jashtë, duhet të përfshihen në takimet me shqiptarët. Pak, më shumë, nuk ka rëndësi. Kontaktet duhet të mbahen. Samitin e Diasporës do ta kemi në pranverë, por na duhet një kontakt i vazhdueshëm me Diasporën.

Dhe duke shkuar drejt fundit, për të kompensuar edhe fjalimin e shkurtër që bëra në fillim, por edhe për të arritur në një farë mënyre gjatësinë e fjalimit të Taulantit, dua të vë theksin tek ajo që theksoi Fatmiri, që lidhet me domosdoshmërinë për të koordinuar punën përsa i përket realizimit me sukses të një misioni të ri. Në fakt nuk është mision i ri, është mision që e ka patur Parlamenti gjithmonë dhe është një mision për të cilin jemi të kritikuar në mënyrë të vazhdueshme nga Bashkimi Europian, nga Komisioni Europian; mbikëqyrja parlamentare. Nuk jemi kurrkund me mbikëqyrjen parlamentare, qoftë të qeverisë, qoftë të institucioneve të tjera. Është shumë e rëndësishme ama që në këtë pikë të ketë koordinim dhe komisioni i krijuar është një komision i krijuar si gjithë të tjerët dhe as nuk mund të shihet si një aneks dhe as nuk mund të funksionojë si duhet pa koordinim. Është në funksionin e shkruar të komisionit dhe duhet të ndiqet dhe të respektohet.

Duke e mbyllur me reformën zgjedhore dhe me reformën territoriale administrative, fjala ime është ajo që thashë në fillim; me ata, shumë mirë, pa ata, po aq mirë. Rëndësi ka të bëhet puna. Asnjë lloj force nuk na imponon dot ne që me vetëdije të bëjmë pengun. Jo! Reforma zgjedhore ka nisur, ose jo ka nisur, reforma zgjedhore në fakt ka nisur që kur unë isha akoma thjesht dhe vetëm piktor ‘’nën urat e Parisit’’, siç e keni dëgjuar; me thonj të paprera. Që atëherë, komisionet bipartizane mblidheshin, takoheshin, po atëherë takimet i bënin tek një zyrë këtu prapa tek OSBE. Nuk di ç’të them domethënë. Atyre, përfaqësuesve të OSBE i mungonte vetëm veladoni i priftit dhe çallma e hoxhës që të pajtonin aty dynjanë.

Sa herë mbarojnë zgjedhjet, gjithmonë duhet një reformë sepse pas zgjedhjeve ka një humbës, humbësi është po ai, rezultati është keq e më keq, kështu që o burra , të bëjmë një reformë tjetër. Problemi është që kemi bërë një reformë ne, zgjedhore, Damiani e di atë pozicionin tim, por fakti që unë ia besoj gjithmonë Damianit është që ai është në gjendje të bëjë gjëra që unë s’do t’i bëja kurrë.

Kemi bërë një reformë zgjedhore unikale në botën demokratike. Unë i sfidoj të gjithë të na tregojnë ku është kjo që qeveria ndalon së marri frymë, 4 muaj para zgjedhjeve; që të gjitha punët ndalojnë; që kontratat ndalojnë, çdo gjë ndalon sepse duhet të sigurojmë. Dhe prapë nuk u mjaftojnë, tani duan 9 muaj. Tani e duan 9 muaj, por prapë edhe 9 muaj po të bëhet, nuk do lindë fitorja, megjithatë Damian, ti e di vetë; siç thoshte kryetari ynë ndjesë pastë, bëni siç keni bërë gjithmonë.

Ndërkohë që për reformën territoriale administrative, ne e kemi shumë të qartë vizionin dhe e kemi shumë të qartë drejtimin; më pak, jo më shumë dhe shprehja është: ‘’less is more”, më pak është më shumë.

Fjala kyçe e fundit është koordinimi. Koordinim, koordinim, koordinim. Dhe patjetër që kjo është detyrë e drejtuesve por gjithsecili duhet të jetë i vetëdijshëm që diçka mund të bëjë dhe ai ose ajo. Si? Mund ta bëjë duke kërkuar që të përfshijë edhe të tjerët ose të përfshihet. Duhet koordinimi. Nuk mund të jemi trupa të ndarë dhe nuk mund të jemi individë që nuk koordinohemi sepse na duhet që gjithë fuqia që kemi, të projektohet e gjitha jo thjesht në procesin qeverisës, por në gjithë procesin politik.

Është koha që të rindizen të gjithë motorrët dhe paralelisht grupi parlamentar, së bashku më partinë, të angazhohemi dhe në nismën e madhe kombëtare kundër ndotjes, çka është një problem shumë i madh dhe çka nuk ka asnjë zgjidhje tjetër përveçse vetëdijesimit të të gjithëve që shishet plastike dhe qeset plastike nuk mund të hidhen rrugëve sepse ndodh ajo që ndodhi.

Jo më larg sesa dy a tre netë më parë, kam marrë nga kryetarja e bashkisë së Durrësit videon live, të të njëjtës pikë që pasi u pastrua, ishte duke u rimbushur atje në Shkozet për shkak se prurjet kanë vazhduar dhe çuditërisht, jo çuditërisht, por më çon dikush një postim të një personazhi mediatik që as i përmenda emrin, as më intereson fare emri, por që thoshte ‘’fajin e ka inceneratori i Tiranës’’, domethënë thirrja e personazhit për popullin shqiptar, për aq sa e dëgjojnë ishte ‘’hidhni shishet plastike dhe hidhni qeset plastike ku të mundeni sepse fajin e ka inceneratori i Tiranës’’. Se ç’lidhje ka inceneratori i Tiranës, që është temë tjetër, temë tjetër dhe është ndryshe, por është edhe kjo bisedë tjetër, me Gjirokastrën që përjetoi përmbytje pavarësisht punës së admirueshme që ka bërë kryetari i bashkisë. E ka bërë të admirueshme sepse ai ka ‘’dhe fatin e keq’’ që ka mbi krye një drejtuese politike që i rri ‘’me shkop fshese në dorë’’, se fshesën e ka lënë, po shkopin e ka mbajtur dhe ai, ka bërë një punë të shkëlqyer bashkia, u bllokua dhe bllokimi ishte njësoj si ajo e Shkozetit. Dhe edhe në Shkozet dhe atje dhe atje, ne i kemi të evidentuara sepse i ndjek Ministria e Bujqësisë, sepse nuk është më koha kur nuk pastrohej asgjë më në Shqipëri dhe përmbytej gjithë Shqipëria nga një shi vere, i kemi ndërtuar që në nëntor të gjitha ato pika kanë qenë të pastruara, por prurjet janë kaq të mëdha sa ato mbushen menjëherë. Tani si bëhet kjo? Kjo nuk bëhet me polici, kjo nuk bëhet me inspektime, kjo nuk bëhet me gjoba, kjo bëhet me vetëdijesim kështu që Partia Socialiste do të angazhohet e gjitha në një betejë qytetare dhe vullnetare kundër plastikës, kundër shisheve plastike, kundër qeseve plastike. Një betejë shumëdimensionale sepse duhet ta bëjmë dhe krahasimisht, paralelisht me këtë, por kjo s’është temë vetëm për grupin, po në Asamblenë e ardhshme do të lançojmë edhe fushatën e re të anëtarësimeve në Partinë Socialiste, që do të jetë një, se ne e kemi bërë gjithmonë, fushata e pranverës. Sepse kur të tjerët, gjithmonë historikisht ndodh kjo, kur tjerët merren e humbjen e shkuar, ne merremi me fitoren e radhës.

Kemi zgjedhjet në 2027 dhe nëse gjërat do vazhdojnë kështu dhe nëse ata do të vazhdojnë të besojnë që ne do biem nga shiu, nga bora apo nga proceset e drejtësisë, rruga e të cilave është hapur prej nesh dhe garantohet prej nesh, ata le të jetojnë me këtë shpresë se në 2027 do habiten kur të mbeten dhe pa ato 5 – 6 bashki që i kanë sot.

Shumë faleminderit për gjithë këtë ditë! Faleminderit për durimin! Amanet Televizionin Publik dhe Ministrinë e Jashtme!