Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama nga selia e PS:

Shumë faleminderit të gjithëve dhe mbi të gjitha faleminderit deputetëve të legjislaturës së shkuar këtu në Tiranë që nuk janë aktualisht deputetë, por që janë sot të pranishëm, ndërkohë që në takimin tjetër do të duhet të ftojmë të gjithë deputetët e qarqeve të tjera me banim këtu në Tiranë.
Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia lidhur me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm në raport me Erion Veliajn, por të detyrueshëm në raport me fatin e kryeqytetit të Shqipërisë.

Këshilli Bashkiak miratoi dje shkarkimin e kryetarit në mungesë prej 7 muajsh për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja, dhe rindezjes me orë të plota të makinerisë së bashkisë të Tiranës.

Janë thënë dhe janë llomotitur shumë gjëra lidhur me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi as me ata të cilëve iu ka rënë “diella” në kokë, as me ata, të cilët e quajnë diktaturë, kur shumica parlamentare detyrohet të kalojë në votimin e programit, pasi i ndalohet t’ia paraqis programin Kuvendit me metodat famëkëqija të “rrylave të fytit” edhe të “brylave në sallën e Kuvendit dhe as me ata, që tre herë rresht nuk e mundën dot Erionin me luftën e tyre patologjike, me kandidaturat e tyre politike dhe me karikaturat e tyre mediatike, që sot “fryjnë gjokset” me sebepin e një letre anonime ndaj një kundërshtari të lidhur duart dhe këmbët.

Megjithatë, gjyqi i tyre prej “tellallësh të tezgave të pazarit mediatik” dhe |pasqyrave të gjykatave sociale” është një temë tjetër, ashtu sikundër është një temë krejt tjetër edhe çekuilibri i peshores së drejtësisë në rastin e kryetarit të bashkisë.
Por, qoftë tezgat dhe pasqyrat e gjysëm vërtetave linçuese ndaj tij, qoftë procesi i drejtësisë për të, janë tema ku ne nuk mund të hyjmë si palë, sepse të merresh me kandidaturat dhe me karikaturat është humbje kohe, ndërsa të merresh me drejtësinë është humbje busulle.
Tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi është që një histori drejtësie plot “pikëpyetje”, “pikëçuditëse” dhe “pikëpresje” që s’dihet për më tepër, sa do të zgjasë, të mos e marrë peng pafundësisht kryeqytetin e Shqipërisë dhe punët e tij.

Tema jonë si palë përgjegjëse në mbarëvajtjen e punëve në këtë vend është që të adresojmë pa humbur kohë boshllëkun për ditë e më të dëmshëm në krye të bashkisë Tiranës, sepse Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset pafundësisht si një trup pa kokë dhe qytetarët e Tiranës nuk mund të bashkëjetojnë pafundësisht me një bashki “kokëkëputur”, e cila, duke mos pasur një të zgjedhur prej tyre në krye të saj, nuk mund ta ketë as legjitimitetin demokratik për t’i udhëhequr ata drejt të ardhmes.

Tema jonë si Partia Socialiste e Shqipërisë është që sot, krahas të gjitha punëve të tjera të nisim punën për zgjedhjet e reja në Tiranë, ku me kandidaten e duhur, me vizionin, me ambicien, aftësinë dhe përkushtimin e duhur, dhe patjetër edhe me organizimin dhe mbështetjen e duhur, do të marrim rezultatin e duhur, për t’i dhënë lokomotivës, Shqipërisë, shpejtësinë e duhur për Tiranën 2030, në Shqipërinë 2030.
Më vjen shumë mirë që siç edhe ju të gjithë, besoj e keni konstatuar kandidatura e Ogertës ka gjetur menjëherë mbështetjen e plotë të familjes sonë të madhe politike, ku të gjithë e çmojnë kandidaten tonë për Tiranën dhe janë të një mendje për faktin se është radha e saj ta udhëheqë Tiranën me ambicien, qartësinë dhe qetësinë që e ka karakterizuar gjithnjë në të gjitha detyrat ku ka spikatur deri tani. Aq e fortë është me sa unë shoh mbështetja e Partisë Socialiste ndaj Ogertës, sa që është krejt pa interes se kush do të jetë apo cilët do të jenë kandidatët e saj rivalë, të cilët do të hyjnë në garë të humbur, por do dalin nga gara edhe më të humbur.

Edhe në anketimin që kemi bërë enkas ditët e fundit për Tiranën, është shumë e qartë që shumica dërmuese e qytetarëve nuk e kanë gjëkundi mendjen tek ndonjë rival i kandidates së Partisë Socialiste, po e kanë me plot të drejtë hallin tek problematikat që kërkojnë adresim dhe zgjidhje nga bashkia e Tiranës. Duke filluar nga uji i pijshëm, i cili si asnjëherë më parë në këtë periudhë është kthyer në problem, është një problem i keqadministrimit dhe për këtë arsye, ne do të ndërhyjmë përsëri në drejtimin e ujësjellësit të bashkisë Tiranës.

Ndërkohë që, siç e kemi bërë me dije publikisht, një reformë shumë më e thellë dhe më gjithëpërfshirëse në aspektin e territorit të Shqipërisë, pra jo vetëm për Tiranën, ka nisur të marrë jetë, duke u konceptuar paraprakisht, sikundër e kemi prezantuar së bashku me ministren për Energjinë dhe Infrastrukturën drejt krijimit të një Operatori Kombëtar, i cili do të funksionojë njësoj si Operatori Kombëtar i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me komponentin e prodhimit, me komponentin e transmetimit, me komponentin e shpërndarjes dhe qeveria nuk do të qëndrojë më anash, duke pritur dhe shpresuar që bashkitë të kryejnë shërbimin e duhur cilësor për qytetarët, por do t’iu bashkohet atyre, sepse bashkitë do të jenë pa diskutim aksionere në këtë kompani të madhe publike, ama do të udhëheqë duke marrë të gjithë përgjegjësinë, për ecurinë e gjithë këtij procesi që shumë ka zgjatur me thënë të drejtën, duke pritur që të ngrihet në nivelin e duhur në të gjitha pjesët e territorit, duke u bazuar tek vendimmarrjet shpeshherë të pakënaqshme, le ta themi kështu, në nivelin lokal.

Do krijojmë një kompani publike, e cila, ashtu sikundër edhe në fushën e energjisë, do të jetë e pozicionuar krejt ndryshe, duke filluar nga burimet njerëzore të cilat nuk mund të jenë burime partie, por duhet të jetë burimet e kompetencës profesionale dhe teknike që mund të vërë në dispozicion të këtij komponenti të rëndësishëm jetik republika e Shqipërisë.

Qytetaret kanë shqetësim mbledhjen dhe trajtimin e mbetjeve dhe për këtë, jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë territorin ka filluar sikur dhe e kemi prezantuar me ish ministren e turizmit dhe mjedisit që sot ka marrë një detyrë tjetër, procesi i krijimit të një autoriteti kombëtar, të një operatori kombëtar për trajtimin e mbetjeve. Ndërkohë që, patjetër mbledhja e mbetjeve do vazhdojë të mbetet detyrë ekskluzive e bashkive, mbajtur parasysh që përgjithësisht niveli i pastrimit është përmirësuar, jo mjaftueshëm, por ndjeshëm dhe ka akoma vend për përmirësim, gjë për të cilën do t’ju qëndroj mbi kokë bashkive, por nga ana tjetër, trajtimi i mbetjeve që ka hyrë në një fazë krejt të re me ardhjen tonë në qeveri sepse jetonim në një vend me një numër marramendës pikash ilegale të hedhjes së mbeturinave dhe me një numër më të vogël të gishtave të dorës së pikave të trajtimit të mbetjeve dhe që sot ka shumë më tepër investim dhe ka shumë më tepër infrastructure, do duhet të ngrihet gjithsesi në një nivel krejt tjetër.
Qytetarët e Tiranës duan të shohin të shkojë deri në fund ajo që ka nisur me hapësirat publike, jo vetëm si çmontim dhe çlirim i ngrehinave të kudondodhura që paskan qenë shumë më tepër sesa ç ‘mund të na jenë dukur siç po shohim, por që do t’i largojmë në çdo cep të Tiranës, por edhe për atë që vjen mbrapa, nuk mund që ato hapësira të mbeten thjesht hapësira nga ku është hequr një ngrehinë, por duhet kthehen në hapësira publike cilësore dhe nuk mundet dot që ato platformat t’i zëvendësojnë karriget që janë bërë si këmbët e pafundme të ushtarëve në lojërat e kalamajve që mbushin ato dyshemetë me figura ushtarësh.

Shqetësim tjetër që duhet adresuar është shqetësimi që kërkesa për kopshte dhe çerdhe publike rritet shumë më tepër seç rritet oferta. Dhe është absolutisht e mundur, ne e kemi shumë të qartë sesi bëhet kjo dhe nga ana jonë kemi filluar që të përcaktojmë disa kritere për të gjithë ata që do ndërtojnë në Tiranë që të kontribuojnë për kopshte dhe për çerdhe, por duhet me patjetër që këtë proces ta udhëheqë bashkia.
Ne mund dhe duhet ta mbështesim duke, po ashtu, përgatitur të gjitha terrenet e nevojshme për ndërtimin e kopshteve apo dhe të shkollave të reja. Ata që janë këtu shumica deputetë të sotëm apo deri dje të Tiranës, e dinë shumë mirë sesa presion kanë nga komunitetet për të pasur një akses më të shpejtë, më të afërt në strukturat e arsimit parauniversitar, të cilat për hir të së vërtetës janë të një cilësie komplet tjetër në Tiranë, aty ku janë ndërtuar nga e para apo rindërtuar, por që janë më pak sesa çfarë Tirana kërkon në mënyrë të përvitshme.
Po ashtu, qytetarët duan zgjidhje për cilësinë e transportit urban në Tiranën e madhe, jo vetëm në bashkinë e qytetit, pjesën urbane, por në pjesën rurale ku ka problematika serioze për këtë punë dhe pa diskutim problematike janë dhe situata të ndryshme në territore të Tiranës me të prekurit nga tërmeti apo të tjerë, të cilët kanë pretendime që lidhen me regjistrimin si të tillë apo kantiere qe kërkojë financime të reja, që nga kombinati deri te 5 maji.
Bashkia për hir të së vërtetës, dua ta them këtë se do të ishte e padrejtë që të mos e thoja nën drejtimin e kryetares në detyrë dhe të grupit të zgjedhur rishtas së fundmi të nënkryetarëve të rinj ka bërë gjithçka që ka mundur në kushte të vështira në të cilat operon, por nga ana tjetër, nevoja për të legjitimuar udhëheqjen e bashkisë me votën e popullit është çdo ditë dhe më urgjente. Dhe mjafton të shohësh situatën dramatike me prokurimet publike që janë në nivelin më të ulët historik për të kuptuar që aty ka neve pikërisht për legjitimitet demokratik dhe motivim të njerëzve. Apo mjafton të shohësh rënien dramatike të realizimit të investimeve për të kuptuar që nevoja për legjitimitet demokratik është e jashtëzakonshme ne këtë fazë dhe nuk mundet të presë më gjatë.

Kështu që, kjo shtuar pastaj dhe domosdoshmërisë për një proces katarsisi burimor në kuptimin e vet pastrimit të bashkisë së Tiranës, ashtu siç bëmë dhe po bëjmë dhe me bashkitë e tjera, që Tirana e ka po aq të nevojshme, kërkonin legjitimimin e udhëheqjes së re të bashkisë së Tiranës në mënyrë që të mos kemi më situata ku hapësirat publike rezultojnë të zëna nga punonjës apo nga drejtues të njësive vendore që është një gjë e tmerrshme dhe të cilën ne praktikisht do ta adresojmë në ligjin e ri në paketën e re që do kalojmë në qeveri, që sjell edhe ndëshkimin e rënde penal për të gjithë ata që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe që shkelin ligjin.
U bë një llomotitje e madhe nga ata që siç thashë iu ka rënë Diella në kokë dhe duhet të presin gjatë sa ta marrin veten, por kur të jenë duke marrë veten do duhet të përballojnë fëmijët e Dielles, të cilët e përgojuan me shpotinë karakteristike të delirantit provincial për shkarkimin që ministrja e brendshme i beri zëvendësit për tymosjen e cigares në një lokal të mbyllur dhe të mos e përshëndesësh këtë akt dhe të mos kërkosh që ky akt të jetë norma, të jetë parimi i palëkundur i atyre që qeverisin, por të bësh hajgare me të do të thotë të jesh nje bisht cigareje i mbetur më kot në taketuken e jetës demokratike, që askush nuk ka ndërmend ta ndezë më, por dhe që askujt nuk i shkon mendja se duhet çuar për riciklim se është dhe një lloj cigareje e pariciklueshme. Kështu që, thënë të gjitha këto, unë edhe një herë dua të besoj qe të gjithë deputetet, ata që janë aktualë, ata që ishin dhe për mua mbeten pjesë e skuadrës sonë së 11 majit, por dhe të gjithë ata të tjerët, të cilët banojnë në bashkinë e Tiranës, pavarësisht se janë deputetë në qarqe të tjera, siç janë prezentë disa këtu, do të mobilizohen që të përfshihen drejtpërdrejt, duke marrë pjesën e tyre të përgjegjësisë mbi shpatulla sipas territoreve, sipas zonave, sipas njohjeve që kanë dhe sigurisht që, duke mos pasur asnjë dyshim për këtë, nuk kam po ashtu asnjë dyshim që patronazhistët mezi po presin që të hakmerren ndaj përqeshjeve të radhës, me një reagim të duhur të radhës, i cili do të pasqyrohet në rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës kur ato të mbahen sipas procedurave, se nuk jemi ne që vendosim ditën e zgjedhjeve. Po flas për Tiranën, se pastaj për Matin apo për Vlorën apo për nuk e di akoma se çfarë ka tjetër, besoj që goditja e patronazhistëve të atjeshëm, do jetë edhe më dëshpëruese sesa ajo e Tiranës, ku sidoqoftë prapë së prapë, do të zhvillohet një garë siç do zhvillohet kudo, sepse në fund të fundit ne për këtë punë jemi këtu, të fitojmë çdo garë që na del përpara me qetësinë më të madhe dhe patjetër me bindjen se pavarësisht se ne jemi fitimtarë, jemi fitimtarë pikërisht sepse vazhdojmë të zgjohemi më herët dhe të flemë më vonë sesa humbësit.
Shumë faleminderit!

Ata që janë aktualë, ata që ishin dhe për mua mbeten pjesë e skuadrës sonë së 11 majit, por dhe të gjithë ata të tjerët të cilët banojnë në bashkinë e Tiranës, pavarësisht se janë deputetë në qarqe të tjera, siç janë prezentë disa këtu, do të mobilizohen që të përfshihen drejtpërdrejt duke marrë pjesën e tyre të përgjegjësisë mbi shpatulla sipas territoreve, sipas zonave, sipas njohjeve që kanë dhe sigurisht që, duke mos pasur asnjë dyshim për këtë, nuk kam po ashtu asnjë dyshim që patronazhistët mezi po presin që të hakmerren ndaj përqeshjeve të radhës, me një reagim të duhur të radhës i cili do të pasqyrohet në rezultatin e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës kur ato të mbahen sipas procedurave, se nuk jemi ne që vendosim ditën e zgjedhjeve. Po flas për Tiranën, se pastaj për Matin apo për Vlorën apo për nuk e di akoma se çfarë ka tjetër, besoj që goditja e patronazhistëve të atjeshëm, do jetë edhe më dëshpëruese sesa ajo e Tiranës, ku sidoqoftë prapë së prapë, do të zhvillohet një garë siç do zhvillohet kudo, sepse në fund të fundit ne për këtë punë jemi këtu, të fitojmë çdo garë që na del përpara me qetësinë më të madhe dhe patjetër me bindjen se pavarësisht se ne jemi fitimtarë, jemi fitimtarë pikërisht sepse vazhdojmë të zgjohemi më herët dhe të flemë më vonë sesa humbësit.
Shumë faleminderit!