Tiranë, 9 shtator 2025 –  Prezantohet paketa e re e ndërhyrjeve ligjore, në kuadër të thellimit të reformës për mbrojtjen e territorit.

Në nisje të takimit të organizuar me përfaqësues nga institucionet dhe nga grupet e interesit, Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se “Kjo paketë është një tërësi masash që do të na japin mundësinë që të kemi në dorë instrumente te reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, mbase gjatë gjithë mandatit të ri për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje dhe duke vazhduar me një sërë projektesh të tjera deri tek mbrojtja e projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj periudhe kohe qyshes në Shqipëri ka filluar të ndërtohet nga sipërmarrja e lirë janë deformuar dhe ndonjëherë përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve.”

* * *

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama:

Mirëdita!

E organizojmë këtë takim me përfaqësues nga institucionet dhe nga grupet e interesit lidhur me një thellim të reformës për mbrojtjen e territorit përmes një paketë të re ndërhyrjesh ligjore të cilat do të jenë në tryezën e qeverise së re si një ndër vendimet më të para. Pa u zgjatur unë paraprakisht dua që t’i jap fjalën drejtores së Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit Adelina Grecës, pastaj drejtores së Agjencisë të Zhvillimit të Territorit. Më pas ministrit të Drejtësisë i cili do bëjë një paraqitje përmbledhur të të gjitha masave të parashikuara por dua t’ju bëj me dije se për këtë pakete të re ligjore që do të prezantojmë është punuar shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertesh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar faktikisht pa ndalim gjatë gjithë periudhës së verës. Besoj shumë që duke bërë parantezën që pa diskutim siç nuk ka asgjë të përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme mbase gjatë gjithë mandatit të ri për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje. Dhe duke vazhduar me një sërë aspektesh të tjera deri tek mbrojtja e autorësisë së projekteve auto tektonike të cilat gjatë gjithë kësaj periudhe kohe qysh se në Shqipëri ka filluar të ndërtohet nga sipërmarrja e lirë, janë deformuar dhe nganjëherë përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht thuajse formale vendimmarrjen që bëjnë njësitë përkatëse të qeverise vendore, filtrat që vendosen për të garantuar  që në procesin e vendimmarrjes, projekti plotëson standardet dhe një tjetër pasoje e konsiderueshme mashtrimi që iu bëhet blerësit duke iu shitur objektin që ka marrë leje me pamjen e lejes së marrë, ndërkohë që në fund fare ai objekt është si një kushëri shumë i largët i cili sapo ka dalë nga berberi i qethur dhe i rruar totalisht dhe me trupin gjithë vraga nga shkelmat dhe nga grushtet. Parafytyroheni një kushëri të largët që ju vjen këtë forme tek dera e shtëpisë, ja kështu janë dhe projektet që deformohen.

Megjithatë le ta fillojmë me prezantimin dhe pastaj do ta rimarr fjalën në fund.