Partia Socialiste e Shqipërisë

Durrës, Asambleja e Zgjeruar e PS/ Një riangazhim për të krijuar të gjithë energjinë e nevojshme për fitore të mëtejshme

Në Durrës vijoi sot cikli i takimeve të Asambleve të zgjeruara, të cilat i paraprijnë Kongresit të Partisë Socialiste që do të mbahet në fillim të muajit dhjetor. Diskutimet e zhvilluara lidhen me proceset transformuese të partisë, si dhe me situatën aktuale të vendit, duke analizuar aspekte të fushave të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, iu adresua Asamblesë së zgjeruar me një fjalë:

* * *
Shumë faleminderit! Po rri ulur edhe sepse kam këtë dosjen këtu përpara dhe më vjen shumë mirë që jam këtu, sinqerisht, është gjithmonë kënaqësi sepse siç e them gjithmonë kur vij këtu, kjo është një parti e cila është shembull dhe e cila në vijimësi ka bërë atë gjë që duhet të bëjnë të gjitha degët e partisë e që duhet të bëjë Partia Socialiste në tërësi, pas çdo fitoreje, një riangazhim për të krijuar të gjithë energjinë e nevojshme që duke nxjerrë mësime nga çfarë mund të shkonte më mirë, të shkojë më mirë në zgjedhjet e ardhshme.
Në ndërkohë, mendova që ia vlente në këtë fazë, në prag të kongresit të Partisë Socialiste në fillim të muajit dhjetor, për të bërë edhe një farë panorame të situatës së përgjithshme ekonomike, në radhë të parë, por edhe politike, në funksion të sfidave tona, duke u nisur natyrisht nga arritjet, por duke parë tek arritjet potencialin e jashtëzakonshëm që ka Shqipëria e që ne kemi detyrë ta çlirojmë sa më shumë në funksion të zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit.
Mbase është pak por është absolutisht e sigurt që këtë vit ne kemi përjetuar që të gjithë, e besoj këtu të gjithë janë të gjithë, jo thjesht ne në këtë familje të madhe politike, një moment jashtëzakonisht domethënës kthese të mishëruar tek turizmi.
Kemi arritur një shifër që deri përpara jo shumë vite më parë do të dukej komplet e paimagjinueshme dhe në ndërkohë, kemi arritur në muajin tetor që nuk është piku i sezonit, të kemi një kapërcim befasues të numrit të turistëve që kanë hyrë në Shqipëri. Nga 365 mijë në tetorin e vitit të shkuar, në 611 mijë, pra thuajse por mbi 80% plus. Nga janari në tetor, kemi prekur pothuajse shifrën e 9 milionë turistëve. Më saktë, 8 milionë e 920 mijë dhe nëse ky trend do të vazhdojë edhe deri në fund të vitit, do ti afrohemi me siguri shifrës së 10 milionë turistëve që për Shqipërinë është një shifër jashtëzakonisht domethënëse ekonomike pasi bëhet fjalë për 10 milionë konsumatorë. Konsumatorë për një ditë, për tre ditë, për një javë, për 15 ditë apo 20 ditë e flas këtu për pasaporta të huaja. Këtu nuk hyjnë shqiptarë që kanë pasaportë shqiptare që janë jashtë dhe vijnë, por hyjnë pasaportat e huaja.
E natyrisht që kjo përkthehet në një konsum shumë më të lartë, në një nevojë në rritje për shërbime, shërbime në të gjitha nivelet, për prodhim të brendshëm bujqësor, blegtoral dhe po të shikohet këtë vit krahasimi me vjet i eksporteve, me konsumin brenda të prodhimeve bujqësore e blegtorale, ka një ndryshim që reflekton pikërisht këto.
Natyrisht kjo përkthehet edhe në një nevojë në rritje për infrastrukturë mikpritjeje dhe patjetër në një nevojë në rritje edhe për cilësi shërbimi, jo vetëm për sasi. Unë jam i bindur që nëse ne do të jemi ambiciozë çdo ditë e nëse ne do të bëjë gjërat e duhura çdo vit, ne pas asnjë diskutim mund t’i afrohemi deri në 2030 shifrës së 20 milionë turistëve dhe kjo sot mund të duket po aq e paimagjinueshme sa dukej 10 milionëshi disa vite më parë, por është më e arritshme sot se sa ishte i arritshëm 10 milionëshi sepse ne kemi vendosur një bazë të re. Shqipëria është sot në një nivel të ri në çdo aspekt. Nuk jemi absolutisht në majën ku duhet të shkojmë me patjetër në 2030, për ta kaluar pastaj stafetën tek të tjerët për ta çuar më lart se kjo nuk është diçka që mbaron, por jemi në një nivel të ri. Nëse shikon të gjithë të dhënat edhe të institucioneve ndërkombëtare që vlerësojnë financat tona, që vlerësojnë ekonominë tonë edhe shifrat e buxhetit tonë, shikon që është hapur një portë e re për Shqipërinë e për shqiptarët.
Sigurisht, pas një porte të re ka prapë një rrugë tjetër për të bërë drejt një porte tjetër e kështu me radhë. Nuk po bëj këtu bilancin e një mrekullie, por thjesht po mundohem të them që realisht jemi në një fazë që po mbledhim përditë e më shumë, atë çka kemi mbjellë dhe kemi kultivuara me shumë përpjekje në vitet e mëparshme kur na është dashur të nisemi nga pika realisht shumë të ulta në çdo aspekt.
E di që shifrat nuk janë gjithmonë ose përgjithësisht nuk janë tërheqëse në bisedë, por disa shifra dua t’i them sepse janë të rëndësishme dhe njëkohësisht, përgjithësisht unë nuk jam një citues i rregullt i organizmave ndërkombëtare por është shumë e rëndësishme edhe kjo. Kur Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë që Shqipëria ka një nga ekonomitë më rezistente të rajonit. Është shumë e rëndësishme kur për herë të parë pas 7 vitesh kur arritëm të jemi në një pozicion B stabël, B+ stabël, tani kalojmë në B+ me perspektivë pozitive nga Standard & Poor’s që do të thotë që nëse ne do të konsolidojmë uljen e borxhit i cili faktikisht u rrit ndjeshëm për shkak të goditjeve që morëm. Tërmeti, pandemia dhe ka rënë aktualisht thuajse në 60% nga 74% që ishte zyrtarisht kur u ngjit lart, pra nëse do të zbresim nën 60% nga njëra anë e nëse do të ecim më tutje mirë me negociatat për anëtarësim në BE, ne do të kalojmë në një tjetër vlerësim që edhe ky pavarësisht se është një e dhënë teknike që mund të mos i thotë gjë atyre që nuk merren me këtë punë, por është njësoj po aq i paimagjinueshëm po aq vite më parë sa është shifra e 9 milionë turistëve këtë vit nga janari në tetor, që është Shqipëria të kalojë nga B+ me perspektivë pozitive në 2B.
Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme dhe kjo në fakt është diçka që besoj se njerëzve u thotë më shumë se sa nga çfarë thashë deri tani, që janë shifra të rëndësishme por disi abstrakte pasi kjo ka të bëjë direkt me shpenzimet, që inflacioni në Shqipëri që është prej disa kohësh si pasojë e situatës post-covid dhe e luftës në Ukrainë n një problem shumë i madh botëror edhe i Europës, është, mbetet, se ka qenë vazhdimisht kështu, në vlerësimin e organizmave financiarë ndërkombëtare jo tonin, më i ulëti në rajon dhe nga ana tjetër, është me tendencë akoma më ulëse vitin e ardhshëm kur do të stabilizohet në normën e zakonshme midis 2 dhe 4 ndërkohë që është nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian. Pra, sigurisht që ka pasur probleme me inflacionin, sigurisht që janë rritur çmimet, por krahasimisht me vendet e tjera në rajon, është një kurbë shumë më e butë dhe sigurisht që kjo ka ardhur edhe si rezultat i politikave që kemi bërë.
Nga ana tjetër, është e rëndësishme ta theksoj sepse më bën përshtypje që kur njerëzit pyeten për energjinë, përgjigjen që është rritur çmimi i energjisë. Në fakt nuk ka pasur rritje të çmimit të energjisë në Shqipëri dhe ka pasur po një rritje shumë të lartë të çmimit të energjisë në blerje nga importi, por nuk ka pasur rritje të çmimit në shitje tek qytetarët. Pse? Sepse gjithë diferencën midis çmimit real të rritur deri në pikat që ishin të paimagjinueshme në blerje dhe çmimit në faturë, qeveria ka vendosur një shumë të konsiderueshme parash në mënyrë që fatura në çdo familje të mos ndryshojë dhe faktikisht konsumatorët familjarë në Shqipëri, kanë paguar faturën e energjisë elektrike njësoj si të mos kishte asnjë rritje në treg.
Po ashtu, ne sot që përgatisim, jemi në proces për të miratuar buxhetin e vitit të ardhshëm, shikojmë një tjetër shifër që është shumë domethënëse. E kemi marrë buxhetin e shtetit 3 miliardë euro. Sot jemi një buxhet 7 miliardë euro dhe një buxhet 7 miliard euro i rritur në këtë periudhë mes gjithë këtyre vështirësive që kanë qenë vështirësi objektive të shkaktuara nga forca jashtë nesh, fatkeqësi natyrore, luftë e kështu me rradhë, është një tjetër arsye për të parë, se është hapur një portë e re për Shqipërinë dhe kjo përkthehet në një ndryshim të drejtpërdrejtë të natyrës financiare për të gjithë ata që punojnë. Buxheti ka 400 milionë euro rrite pagash dhe vitin e ardhshëm, përpara se sa ne e parashikonim, për të qenë brenda e për të qenë të sigurtë, në mes të vitit të ardhshëm, paga mesatare në Shqipëri do të shkojë në 900 euro. Kjo në sektorin publik ku do të rriten përsëri pagat për mjekët e përgjithshëm, për të cilët u bë një rritje më e ulët vjet e u tha që do të plotësohet gjithë kjo politikë e re pagash, u tha që do të plotësohet me këtë buxhet dhe plotësohet me këtë buxhet. Për infermierët, për mësuesit, për punonjësit e rendit, për forcat e Armatosura të cilat kur ne kemi marrë detyrën dhe jo vetëm kur ne e kemi marrë, por dhe për një periudhë kohe kur ne e kishim të pamundur që të bënim ndërhyrje siç dëshironim, kanë qenë Forcat e Armatosura më të keqpaguara të gjithë ushtrive të NATO-s.
Sot, forcat tona të armatosura janë në nivelin e lartë të rajonit dhe ambicia jonë është që t’i çojmë mbi mesataren e ushtrive të NATO-s. E patjetër për të gjithë punonjësit e tjerë do të ketë rritje por ajo që ne kemi parë në pagat e deklaruara, se këtu përsëri kemi një problem. U bë një formalizim relativ, por sidoqoftë u bë një formalizim pagash pasi dolën ato pagat rrugëve dhe shërbyen në këtë rast për mirë, pra ishte një e keqe që solli një të mirë sepse ekspozimi i atyre pagave solli një nxitje të vetvetishme për formalizim, por sot kemi përsëri një rritje pagash në sektorin privat dhe këtë e dëshmojnë të gjithë ata që japin punë apo kanë marrë punë në sektorin privat, të deklaruara dhe ka një rritje ekstra patjetër pagash të padeklaruara. Pra, kjo politikë pagash që ne kemi bërë ka tërhequr shumë fort edhe sektorin privat sepse sektori privat nuk mund ta pranojë, jo këtu por në të gjithë botën, nuk mund ta pranojë konkurrencën që i bën sektori shtetëror dhe patjetër për të marrë njerëz e për të marrë njerëz të përgatitur, rrit pagat, ndër të tjera, kjo arsye dhe sot, në industrinë e turizmit, unë e them me plot gojën, ne jemi në kushtet kur mund të themi që në 2-3 vitet që vijnë, duke filluar nga viti i ardhshëm, pagat do të jenë konkurruese me vendet ku të rinjtë tanë shkojnë për të punuar në atë sektor jashtë Shqipërisë.
Pashë që, se tani këtu është bërë një histori që edhe dimë tani si funksionon, që këtu nuk ka më asnjë lloj përgjegjësie ndaj lexuesve kur merren fjalët që themi dhe publikohen nëpër ato kanale, portale e çfarë janë, po kjo ështe tani që të humbasim kohë, po kjo është kështu siç është edhe prandaj sa më shumë njerëz të na dëgjojnë drejtpërdrejtë dhe sa më shumë njerëz të flasin drejtpërdrjetë, aq më mirë se kur je drejtpërdrejtë, e the mirë apo s’e the mirë, e the ti, kur shkon e lexon me Rama dy pika,pas atyre dy pikave më mirë të mos shkohet deri në fund sepse mund të të bjerë pika ty para se të mbarosh ça thuhet pas dy pikave.

Por pse e thashë këtë; sepse e thashë në Asamble dhe them prapë dhe s’e kam fare problem ta përsëris, kjo lidhet me një rast. Pashë në një kronikë që kishin bërë për një djalë që kishte ardhur nga Gramshi, kishte ardhur në Tiranë, kishte marrë një punë dhe thoshte“me pagën që kam nuk blej dot shtëpi”, por dhe ajo që unë e përsëris, është që cili është ai djalë në atë moshë, në punë, me atë punën e tij, me pagën atje në Angli, në Francë, në Gjermani, kudo që të doni ju në Europë që blen shtëpi? Nuk ka. Nuk ekziston.

Koha kur Europa ishte vendi ku kush shkonte me punë, – flas për ata që bëjnë punë të ndershme dhe të zakonshme, nuk flas për ata që kanë punëra, po themi shkencëtarë. Po flas për të gjithë nivelin e zakonshëm – dhe kishte shumë hapësirë në fund të muajit, ka mbaruar. Nuk është më.

Takova një djalë nga Zvicra, sa po mbaronte studimet e larta në Zvicër dhe po më thoshte: “jam në dilemë sepse nëqoftëse do rri në Zvicër do mar me punën që mund të bëj dhe me ato ça mund të më ofrojnë, 5 mijë franga, janë shumë më tepër se këtu, por në fund të muajit mua nuk më mbetet asgjë. Patjetër që do jetoj, do kem një shtëpi me qera, do shkoj në punë, do ushqehem, etj, por në fund të muajit nuk më mbetet asgjë. Dhe ndërkohë jam në një vend të huaj. Ndërkohë që këtu, vërtetë në fund të muajit përsëri, – fjalët e tij, jo të miat, – mund të mos më mbetet diçka, por pëveçse do të bëj një jetë njësoj, jam në vendin tim dhe janë dhe ca gjëra të tjera që atje nuk gjej’’.
Ky është realiteti sot. Krahasimet “shih sa është atje” me “shih sa është këtu” dhe vetëm kaq, nuk të tregojnë të vërtetën. Pse? Sepse mbas asaj page që është atje, ka edhe detyrime, ndërkohë që tek buxheti sot, ne jemi përsëri i vetmi vend në rajon, se në Europë as nuk diskutohet, taksat janë, i vetmi vend në rajon që kemi 0 taksën për biznesin e vogël, për këdo që do të hapë një biznes të vogël , që do të vetëpunësohet vetë, që do të vetëpunësojë familjen ose dikë tjetër, dhe 0 TVSH për xhiron deri në 100 mijë euro dhe në buxhetin e ri, ku nuk ka vetëm 400 milionë për paga, por ka dhe 250 milionë për indeksime pensionesh që bëjnë 650 milionë euro, nuk ka asnjë rritje taksash dhe 33% e buxhetit prej 7 miliardësh shkon për mbrojtje sociale,për gjithë ata që janë kategori që kanë nevojë për kujdesin social të shtetit, që nga pensionistët deri tek ish-pronarët, deri tek ish-të përndjekurit, deri te bebet që sapo lindin marrin bonusin me çek prindërit e tyre, për t’i uruar mirëseardhjen dhe plus kësaj, arrijmë në buxhetin tani, atë objektivin e përbashkët, nuk është objektiv i Shqipëris, është i përbashkët i të gjithë vendeve të NATO-s, 2% të buxhetit shkon për Forcat e Armatosura dhe i gjithë ky kuadër nuk është kuadër që tani të jemi të lumtur, por është një kuadër që thotë, e para, që kemi hapur një portë të re, e dyta, që këtë e kemi bërë ne dhe ne që kemi bërë këtë, sigurisht që dijmë dhe do të bëjmë edhe atë që duhet bërë më tutje, se nuk është kjo pikëmbërrritja e gjithë kësaj përpjekjeje të përbashkët. Por është një stacion i rëndësishëm ku mund t’i shohim gjërat me krenari, besoj unë, me krenari sepse historia e Shqipërisë që ishte një vend ku turisti më evropian ishte nga Maqedonia, është një histori e së shkuarës.

Historia e Shqipërisë ku ata pak turistë që vinin nga perëndimi iknin për të mos u kthyer kurrë më dhe të vetmet shkrime që bëheshin ndonjëherë jashtë, ishin shkrime “sa pis është vendi”, është një Shqipëri e së shkuarës. Kjo është një histori e re. Nuk është më ajo histori dhe këtë histori të re që është për t’u shkruar më tutje hap pas hapi, këtë faqe të re, s’kemi as fushatë, s’kemi as … jemi midis nesh, nuk është se na dëgjon njeri, mund ta shkruante dhe mund ta shkruajë vetëm PS, nuk ka tjetër. Askush tjetër.

Tani sigurisht që në këtë fazë, ne duhet të jemi të vetëdijshëm që duhet të bëjmë disa gjëra të tjera, të cilat na japin mundësi të shkojmë më larg dhe jo vetëm të mos jemi të kënaqur për çfarë është bërë, por të jemi të nxitur që të bëjmë shumë më tepër dhe të bëjmë shumë më mirë dhe ta bëjmë shumë më shpejt. Në këto kushte, kur turizmi është qartësisht një industri e re, me një potencial të jashtëzakosnhëm, ne na duhet dhe jo vetëm turizmi, po flas në radhë të parë turizmi, ne na duhet të forcojmë jashtëzakonisht shumë arsimin profesional.
Ne na duhet të rrisim jashtëzakonisht shumë dhe shpejt kapacitetet e njerëzve tanë e më të rinjve, për të pasur, për të zotëruar ato zanate, të cilat është e pamundur. Këtë mund ta dëgjosh në të gjitha kompanitë shqiptare. Fatmirësisht kompanive shqiptare i ka ardhur mendja tani dhe e kuptojnë që nuk mundet të vazhdonin me teorinë “kur e mësova gomarin që të mos hajë, më ngordhi’’, që “fito për vete dhe paguaj punëtorët sa më pak”. Tani është shumë e qartë që duhet, dhe kanë filluar ta kuptojnë, por edhe ta bëjnë, të ofrojnë paga që janë paga të mira.
Tani kur vjen tek ekonomina, kur vjen puna tek pagat qenia njerëzore nuk thotë kurrë që është mirë , askund, por ama mjafton që të jetë më mirë dhe nesër më mirë, dhe pasnesër më mirë dhe është shumë më mirë sot se ç’ishte dje, por duhet të jetë shumë më mirë nesër se ç’është sot, ama nuk mjafton kjo pjesë se duan t’i paguajnë. Unë kam takuar plot personalisht, sidomos gjatë verës. “Duam t’i paguajmë, nuk është problem sa, por i duam që të vijnë të punojnë. I duam këtu. Duam ta dinë punën që do të bëjnë’’ dhe prandaj ne kemi nisur një proces dhe unë përsëri u bëj thirrje prindërve të fëmijëve që janë me 6, me 7. Jo të gjithë do të bëhen intelektualë, apo do ushtrojnë profesione me doktoratura. Një pjesë që mund të jenë po aq të talentuar, po aq të zotë, por që nuk janë të prirur për të ndenjur mbi libra, por mund të marrin një zanat dhe me atë zanatin, jo vetëm mund të jetojnë mirë, por edhe mund të hapin dhe një biznes shërbimi.
T’i çojnë fëmijët e tyre në arsimim profesional, t’u japin fëmijëve të tyre një të ardhme përmes zanatit, një punë të sigurt përmes zanatit. Mos të humbasin të ardhmen e fëmijëve duke insistuar që ata të shkojnë në gjimnaz dhe përsëri me 5, me 6, me 7. Dhe pastaj të synojnë të shkojnë në universitet për të marrë një diplomë me të cilën të vijnë vërdallë rrugëve, ose të mbetet pa universitet dhe zanat. Por t’iu japin një zanat dhe me atë zanat fëmijëve u kanë dhënë çelësin për të hapur derën e parë të jetës me një punë të tyren. Pastaj është zgjedhja e tyre, duan të punojnë këtu, apo atje, apo duan të ikin. Kjo është një zgjedhje e tyre. Po nuk është e drejtë, ndaj fëmijëve, ndaj këtyre fëmijëve, që jo gjimnaz, e pastaj ik të keqen mami se këtu nuk bëhet. Një zanat, një mundësi, që sot është kudo në Shqipëri dhe këtë e them me përgjegjësi dhe i sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën. Të shkojnë në çdo kompani shqiptare dhe kur ta gjejnë një kompani që të thotë nuk kam punë dhe nuk kam nevojë, qoftë edhe për një, se ka që kanë nevojë edhe për 20, edhe për 30, edhe për 50. Atëherë të ma prezantojë, nuk ka.
E dyta është patjetër, fuqizimi i universiteteve, ndërkombëtarizimi universiteteve që ne e kemi filluar si proces, zgjerimi i mundësive që të rinjtë të shkojnë dhe të marrin një diplomë në një universitet këtu, por një diplomë të një universiteti të barasvlershëm të një universiteti në Europë, pa patur nevojë të shkojnë atje, me më shumë më tepër kosto, por të studiojnë këtu me më pak kosto dhe të marri një diplomë të barazavlefshme, se nga kjo e kostove dolën tani para syve ata të mjekësisë. I keni parë ata? Kostoja e studimeve të mjekësisë në Shqipëri është 1/16. 1/16 e kostos reale dhe nuk ka asnjë krahasim me koston e studimeve në Gjermani, nuk ka fare.

Një nga arsyet, që sot në Gjermani ka një problem me mjekët është kostoja shumë e lartë e studimeve, bukur, atëherë për çfarë arsye, të gjithë ju nëse s’ka këtu ndonjë student të mjekësisë, nga këta që duan edhe t’i bëjnë studimet me kosto thuajse zero, që të marrin një diplomë për faktin që kostoja reale mbulohet nga taksat e të gjithëve ju, duan të ikin në Gjermani direkt. Mirë, po për kë punon populli shqiptar, për kë paguan taksa populli shqiptar, për sistemin shëndetësor gjerman? Kjo është të vësh duart në kokë.

Ne kemi ndërkohë një sistem këtu në Shqipëri prej vitesh që është magjistratura dhe prej vitesh është e qartë atje se kush shkon në shkollën e magjistraturës është i detyruar pas shkollës që të punojë këtu për një x vite. 5 vjet mos gabohem. Tani si mundet ne, si është e mundur, që të pranojmë ne këtu që të financojmë studime dhe duke qenë se pavarësisht se Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri nuk është kuotuar zyrtarisht për arsye të mënyrës se si bëhen vlerësimet, etj, etj, por është një universitet i respektuar në Gjermani dhe mjekët shqiptar janë të respektuar në Gjermani, dhe Gjermania merr mjekë nga Shqipëria dhe vende të tjera nga të mundet, ne të financojmë me një tarifë qesharake fare sistemin shëndetësor Gjerman? Po pse?

Ndërkohë që, një shtet paguan universitetin, mbulon kostot, u jep mundësi studentëve që të studiojnë në degët që dëshirojnë, por sidomos në ato që janë të rëndësishme për shërbime, në mënyrë që t’i përgjigjet qytetarëve të vet kur ka nevojë për kujdes shëndetësor. Dhe atëherë ne shumë thjeshtë e kemi marrë vendimin që kjo gjë do të ndahet në dy pjesë. Nuk ia ndalojmë njeriu që të iki në Gjermani, por nëse do të iki në Gjermani do të paguajë tarifën që përsëri nuk është ajo e plota, por do të paguajë një tarifë tjetër. Paguaje tarifën tjetër, mos i rri në kurriz taksapaguesve shqiptarë, merr diplomën, shko në Gjermani. Por, nëse do marrësh diplomën me tarifën që ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë, ti ke detyrimin që për një periudhë kohe që nuk janë as 50 vjet, 20 vjet, as 10 vjet, por sipas atyre niveleve është nga 1, 2 deri në 5 vjet mos gabohem, ta bësh këtu. T’ua kthesh këtu investimin që kanë bërë tek ti. Si qenka kjo? Si është kjo? Ku jemi këtu? Dhe nuk jemi në kohëra normale, sepse jemi në një kohë tjetër, kur e gjithë Europa është turrur për “mish njeriu kur i thonë fjalës”, sepse kudo ka nevojë për krah pune. Dhe konkurrenca më e madhe dhe lufta më e madhe në vijim do të jetë kush të kapi krahët e punës dhe në një sektor si ky që është jeta e njerëzve, shëndeti i njerëzve, ne nuk mund të rrimë të shikojmë se si kalojnë vitet në universitet, studentët dhe pastaj ikin të nesërmen, mbasi kanë shfrytëzuar një lehtësim të jashtëzakonshëm që ua bën djersa e atyre që paguajnë taksa në arkën e shtetit shqiptar. Jo, atyre këta mjekë, të rinjtë duhet t’i kthejnë investimin, duke shërbyer nëpër spitale, nëpër poliklinika, nëpër qendra shëndetësore për një periudhë kohe dhe ta kenë për nder bile. Ta kenë për nder.

Tjetra është thellimi i procesit të digjitalizimit.
Ne kemi bërë e-Albanian, por ka shumë akoma për të bërë në mënyrë që shërbimet dhe gjithë ndërveprimet e qytetarëve me shtetin të jenë ndërveprime që kalojnë përmes celularit. E kam thënë prej kohësh që ambicia ime është ta fusim shtetin në pasqyrën e çdo celulari dhe çdokush ta ketë shtetin aty për çdo gjë. Nuk ka nevojë fare shkojë të takojë njeri, të njohi njeri, të bëjë njeri. Kemi bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, por ka akoma hapa të tjerë të rëndësishëm për të bërë, duke shfrytëzuar tani edhe inteligjencën artificiale që na jep mundësinë të bëjmë gjëra të jashtëzakonshme dhe t’i bëjmë në një kohë të shkurtër.
Shumë shpejtë do të shikoni që “e-Albania” nuk do ta keni më kështu siç është sot por do ta keni me chat dhe do komunikoni me “e-Albania” duke bërë pyetje, duke marrë përgjigje, duke marrë orientime, duke pasur në dispozicion një asistencë fillimisht me chat pastaj edhe me video. Dhe ky është një shembull që vjen pikërisht nga aplikimi dhe po e bëjmë tani, nuk është në 2025-ën. Është një gjë që do ta bëjmë në muajt që vijnë dhe do ta shihni që do ta keni “e-Albania” në telefon, fillimisht me chat pastaj me video, me inteligjencën artificiale dhe po kështu në plot drejtime të tjera që nuk po zgjatem.
E fundit është ajo që kur ne kemi fituar zgjedhjet ka qenë e para. Mbaj mend në fushatën e 2013 kudo, ne çdo vend njerëzit thoshin “aman vetëm na hiqni krimin, kriminelët se na mbytën”, të të gjitha niveleve që nga ata me kthetra të gjata deri tek hajdutët e pulave. Nuk e them unë këtë, nuk e themi ne, Shqipëria është vendi me numrin më të ulët të vjedhjes së shtëpive në Europë, në gjithë Europën.
Nga ana tjetër, ky vit, këtë vit kemi një rënie drastike të numrit të vrasjeve, që çdo vit kanë qenë më pak, por krahasuar këtë vit me vitin e kaluar janë më shumë se gjysma dhe gjëja që e dëgjon nga të gjithë ata që vijnë turistë në Shqipëri, është siguria. Siguria që do bëhet një mall gjithmonë e më i shtrenjtë në Europë, ku sot të vjen të habitesh, por është shumë e thjeshtë dhe ndodh shumë shpesh që vijnë të huajte dhe thonë “Çfarë bëhet këtu, del natën dhe s’ke asnjë ndjesi pasigurie”. Dil një herë natën ku të duash, vëri emrin që mos të thonë pastaj që ky bën krahasime. Bëj krahasime që çke me atë punë dhe ky është një moment shumë i rëndësishëm për ne, por sigurisht që ka dhe më mirë, ka dhe më shumë dhe nuk diskutohet që tani kemi hyrë në një fazë tjetër dhe të gjithë ju e shikoni.
Të gjithë ju e shikoni që lufta për reformën në drejtësi ka qenë lufta e drejtë, lufta e duhur, lufta që do të na çojë aty ku duhet, por sigurisht që nuk ndodh gjëja sa hap e mbyll sytë se nuk mjafton ta votosh reformën në drejtësi që të nesërmen të kesh drejtësi. Duhet të kalojë disa kohë dhe kanë kaluar disa vite dhe tani pas këtyre viteve kanë filluar të shikohen shenja domethënëse. Në Shqipëri ka rënë miti i pandëshkueshmërise, nuk ka më person të paprekshëm dhe të pandëshkueshëm, gjë që dukej e pamundur, e pamundur deri disa kohë më parë. Dhe më kujtohet atëherë kur bënim anketimet për reformën në drejtësi, të gjithë e mbështesnin, pyetjes, “a mendon se do ta jetosh ti ditën kur do shohësh një ministër në burg”, njerëzit thoshin “Kurrë!”. Ja pra që kjo ditë ka ardhur dhe kjo ditë ka ardhur dhe nuk ka ardhur për të ikur, kjo ditë ka ardhur për të qenë pjesë e jetës shoqërore të këtij vendi, ku kush del nga rruga e Zotit dhe e ligjit mund t’i ndodhë dhe kur i ndodh duhet të përballet me ligjin se natyrisht ndodh dhe që, kudo, jo çdokush të bjerë në rrjetën e ligjit, por ama nëse ky i rënies në rrjetën e ligjit deri dje ka qenë përjashtimi, sot është e qartë që ky do të jetë rregulli. Kush merr besimin e njerëzve apo merr mbështetjen e njerëzve apo merr një detyrë që është aty për njerëzit, për shtetin në interes të publikut dhe pastaj me forcën që i jep ajo detyrë kërkon të fitojë në mënyrë të paligjshme do përballet me ligjin, kushdo qoftë. Dhe kur ne thoshim që nuk duam një reformë të majtë, një reformë të djathtë, një reformë që të sjellë një drejtësi që të godasë majtas-djathtas, të mos pyesë fare kush është kush, sigurisht që shumëkush mendonte që është propagandë, por faktet thonë që nuk është propagandë, është fakt! Dhe këtë kemi dashur të bëjmë dhe këtë kemi bërë dhe këtë do të mundohemi të mbështesim pa kushte deri në fund. Nuk është e lehtë, nuk është një ndjesi e kënaqshme kur sheh njerëz me të cilët ke ndarë pjesë të rrugës tënde që papritur shfaqin një tjetër fytyre për shkak se dalin të përzier në punë që nuk janë punët e përbashkëta, por nga ana tjetër është gjëja e duhur. Dhe kjo është gjëja që kemi kërkuar, kjo është gjëja që po ndodh dhe duhet të bëjmë çmos që kjo gjë të bëhet e pakthyeshme dhe kjo do të bëhet e pakthyeshme.
Nga ana tjetër gjithë kjo situatë, me rënien e numrit të vrasjeve, me rritjen e sigurisë, reflekton një moment tjetër, edhe këtu jemi në një nivel tjetër të luftës me kriminalitetin dhe patjetër që edhe kjo do të thellohet në të gjitha dimensionet e veta. E gjithë panorama është një panoramë kuptimplotë për çfarë kemi bërë, por është kuptimplotë dhe për çfarë duhet të bëjmë.
Për ta mbyllur, se mbase u zgjata, më vjen shumë mirë që edhe këtu në këtë rajon, në këtë qark shumë gjëra kanë ndryshuar, por Durrësi që është jo vetëm qendra e qarkut, po është një zonë me një rëndësi strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por për rajonin për shkak të pozicionit të vetë gjeografik, do të jetë kantieri i një sërë ndryshimesh shumë të mëdha. Këtu nuk flas për ndryshimet thjeshtë ne infrastrukturën e bashkisë, jo rruga këtu, rruga atje, këto gjëra patjetër po flas për sistemin hekurudhor. Tani jemi në një fazë shumë të avancuar të punimeve me hekurudhën Durrës-Tiranë dhe me Tiranë-Rinas, por jemi në një fazë të avancuar dhe me punën me projektet dhe me financimet e Korridorit të 8, flas për hekurudhën prapë dhe me rrugën.
Nga ana tjetër, porti i ri tregtar është në proces dhe hapet gara ndërkombëtare pasi është bërë projekti dhe të gjitha dhe brenda gjysmës së vitit të ardhshëm besoj do lidhim kontratën për fillimin e punimeve. Do të jetë një super vepër për krejt rajonin, jo thjeshte për Shqipërinë dhe njëkohësisht dhe projekti dhe pastaj financimi për hekurudhën Durrës-Prishtinë-Nish, për tu lidhur më lartë është në rrugë të mbarë.
Nuk po i hyj tani projekteve për Durrësin, për Krujën apo për Shijakun se janë një sërë projektesh, po edhe këtu te ky teatri këtu, do bëjmë komplet rindërtimin e teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe këtë e meritojmë ne, të Partisë Socialiste se këtu jemi mbledhur shumë shpesh dhe ky teatër na ka sjellë shumë mbarësi, kështu që, kur të bëhet i ri do të sjelli patjetër edhe fitore të reja, më të forta.
Edhe amfiteatrin, edhe puna për ndërtimin e Akademisë së Manchester City në Durrës do të fillojë së shpejti që është një kampus sportiv i jashtëzakonshëm dhe ku nuk do jetë aspak çudi, përkundrazi është pjesë e ambicies që të vijnë në stërvitje edhe skuadra të huaja dhe besoj shumë që me këto ndryshime, kjo zonë, ky qark dhe Durrësi do të kenë një rritje të rëndësishme ekonomike dhe patjetër edhe një rritje të rëndësishme të mundësive për punë të mirëpaguara.

Kjo ishte pak a shumë panorama që doja të bëja. Për të ardhur në këto asamble të zgjeruara janë bërë diskutimet, janë bërë shumë gjëra më përpara, por gjëja e fundit që kam në raport me procesin për Kongresin, ne në kongres do bëjmë një përmbledhje, qoftë të gjërave të bëra në mënyrë më të detajuar natyrisht, po qoftë dhe të prioriteteve dhe të programit që kemi për vijimësinë sepse e thashë dhe e përsëris, është shumë, shumë e rëndësishme që të mirat që kanë rezultuar nga përpjekjet, në asnjë mënyrë të mos jenë arsye për t’u ndjerë mirë, por duhet të jenë vetëm arsye për të kuptuar se sa mirë akoma më shumë mund të bëhet dhe se sa shumë gjëra mund të bëhen akoma më mirë.

Ju falenderoj shumë dhe dua të bëj një falenderim shumë të veçantë për Kryetarin e Bashkisë së Shijakut sepse ka qenë pararojë e gjithë procesit të rindërtimit dhe është absolutisht për t’u falenderuar për lagjen e re në Shijak. Kur thoshim ne, lagjja “Lugina” do bëhet komplet e re, shijaksit na shihnin dhe thoshin me vehte çfarë të bëjmë ne që s’kemi kujt t’ia japim votën tjetër, po jua tregojmë ne Luginën. Mirëpo, edhe votën na e dhanë, edhe Luginën e morën.

Shumë faleminderit dhe për herë të parë kur flas për tërmetin nuk mund të bëj kritikë për Tur Bushin sepse më në fund, po tani mund ta them se përpara nuk e justifikoja, më në fund, mbasi doli nga të gjitha ferrat e ngatërresave të pronave në malin e Krujës dhe filloi puna dhe aty po ndërtohet realisht në mënyrë jashtëzakonisht mbresëlënëse dhe aty janë rreth 22 pallate të reja që më në fund do mund t’iu dorëzojmë familjeve të Krujës që kanë pritur gjatë, ndërkohë që për Durrësin brenda vazhdon papushim puna e milingonës, – nuk e kam për Anin,-po them “puna e milingonës”, për çdo pjesë të munguar akoma të mozaikut të rindërtimit, ndërkohë që shumë shpejt besoj dhe aty në zonën e re, do të jenë gati pallatet e asaj lagje dhe është akoma herët për ta treguar me gisht, ja ku e keni, po do të kalojë dhe pak kohë, 2 vjet apo 3 vjet, që përveç pallateve aty, kush do shkojë të banojë aty do thotë “sa mirë që erdhëm këtu” sepse ajo do të jetë një lagje, realisht, jo vetëm moderne, por edhe jashtëzakonisht e jetueshme për shkak të hapësirave, për shkak të parqeve, për shkak të shërbimeve, për shkak të aktiviteteve që do ketë rreth e rrotull dhe me rrugën e re nga Porto Romano, – që kemi plan të financojmë, e kemi në planin e financimit, jo e kemi në plan ta bëjmë nësër, por e kemi në plan ta bëjmë menjëherë, – në Durrës do të jetë fare, fare shkurt dhe fare, fare drejt për të pasur lidhje.

Shumë faleminderit edhe një herë!