Partia Socialiste e Shqipërisë

Tiranë, Asambleja e Zgjeruar e PS/ Shifra dhe fakte domethënëse që flasin se Shqipëria ndodhet në një nivel të ri zhvillimi

Takimet e Asamblesë së Zgjeruar të Partisë Socialiste vijuan sot në Tiranë, ku Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH bëri një panoramë të situatës aktuale në vend, duke nisur nga ecuria e sektorëve të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, të analizuara në këndvështrimin e disa arritjeve domethënëse, si dhe në këndvshtrimin e sfidave po kaq domethënëse që duhen përballuar me sukses.
* * *
Mirëmbrëma dhe faleminderit shumë! Unë po rri ulur si ju, se kam dhe këto letrat këtu e dëshiroj që të ndaj me ju disa përshtypje të miat lidhur me situatën aktuale, duke filluar nga ajo që është më kryesorja dhe që na takon si përgjegjësi, që është ecuria e vendit dhe patjetër, e parë në këndvështrimin e disa arritjeve domethënëse sipas meje, por dhe në këndvështrimin e sfidave, po kaq domethënëse që ne duhet të përballojmë me sukses.
Së pari, dua ta nis me atë që tha dhe Erjoni lidhur me turizmin. Tirana për herë të parë ka qenë më shumë se sa një pikë mbërritje e turistëve që pastaj shpërndahen në destinacione të tjera dhe ka qenë shumë më shumë se sa çdo herë tjetër një destinacion më vete, diçka që realisht do të ishte e vështirë të imagjinohej deri disa vite më parë, që edhe në gusht, me temperaturat shumë të larta, njerëzit do të vinin si turistë në Tiranë, për të qëndruar në Tiranë.
Shifra e përgjithshme e turistëve këtë vit është një shifër që sipas meje ka një domethënie shumë të madhe, jo thjeshtë në sensin e ngushtë të turizmit, por në një sens më të gjerë, pasi Shqipëria të arrijë drejt tavanit të 10 milionë turistëve në një vit është një tregues domethënës për një sërë gjërash të ndryshuara rrënjësisht. Gjëra që shkojnë që nga kapacitetet, që do të thotë ka filluar të funksionojë volumi i investimeve të bëra, që është një volum shumë më i madh, qoftë në çlirim e sipër, por qoftë dhe në vijim, sepse kërkesat për investime në turizëm po vijnë duke u rritur, por jo vetëm ky aspekt. Edhe aspekti tjetër që ka të bëjë me rendin dhe sigurinë ka një ndryshim të madh, të maturuar në vite dhe të materializuar në shifra që janë një kapërcim nga progresi gradual për sa i përket numrit të vrasjeve, për sa i përket figurave të tjera të krimit që shqetëson njerëzit në jetën e përditshme, që shqetëson dhe turistët në perceptimin e tyre për një vend. Faktikisht këtë vit, ne kemi më pak se gjysmën e figurave të krimit të rëndë, krahasuar me vitin e shkuar që ishte dhe ai viti më i mirë sepse çdo vit për hir të vërtetës ka ardhur në progresivitet pozitiv.
Nga ana tjetër, janë disa shifra të thjeshta dhe domethënëse që flasin shumë për këtë nivel të ri të vendit. Duke filluar nga ekonomia, ku, jo vetëm FMN e karakterizoi ekonominë e Shqipërisë si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, por ku inflacioni është më i ulëti në rajon dhe ka qenë i tillë qysh nga fillimi i kurbës rritëse të inflacionit, për shkak të luftës, të rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike e kështu me radhë apo një vend që për herë të parë pas shtatë vitesh kur morëm një rritje në atë klasifikimin e agjencisë Standard and Poor’s, jemi sot vlerësuar me një B+ me perspektivë pozitive, nga një B+ stabël që kishim deri vitin e shkuar.
Shifra tjetër që besoj është shumë kuptimplotë është shifra e borxhit publik.
Ne ishim të detyruar me ato që ndodhën, qoftë nga tërmeti, pastaj nga pandemia që si të gjitha vendet e tjera në rastin e të dytës, por ndryshe nga vendet e tjera në rastin e të parës sepse ajo ishte një fatkeqësi ekskluzive nëse mund të përdor këtë shprehje, që të bënim rritje të borxhit. E jo vetëm që e përballuam shumë mirë atë rritje, por në buxhetin e ri për vitin 2024 ne zbresim borxhin në kufirin e 60%. Është një zbritje prej thuajse 15 pikësh, që përsëri flet për shëndetin e ekonomisë tonë, e theksoj, gjithmonë në raport me të djeshmen.
Natyrisht që kur vjen puna për si duhet të jetë ekonomia jonë e sa më shumë akoma ekonomia jonë duhet të japë për njerëzit, këtu është sfida dhe absolutisht nuk mund të kërkojmë nga askush që të ndjehet i lumtur me këto që po them, por ama i sigurt, po i sigurt në raport me atë që vjen sepse inflacioni vërtetë dhe në Shqipëri është rritur, por është rritur më pak se kudo tjetër në rajon dhe kjo ka ndihmuar shumë që ekonomia e familjes të mos preket në mënyrë të papërballueshme nga inflacioni, siç ka ndodhur në vende të tjera, në vende të ngjashme me ne apo në vende shumë më të zhvilluara se sa ne dhe dolëm nga lista gri e aktivitetit financiar. Natyrisht që ky është një proces, se nuk do të thotë që hyrja në listën gri është fundit i botës, se dolëm ne dhe hyri Kroacia me Bullgarinë, që janë vende të Bashkimit Europian, por është shumë e rëndësishme dhe erdhi si rezultat i një përpjekjeje disa vjeçare, sistematike dhe patjetër që është një plus i rëndësishëm.
Buxheti i 2024 ka praktikisht 400 milionë euro vetëm për rritje pagash dhe mos harrojmë tjetrën që ne sot vërtetë kemi një pagë minimale 400 mijë lekë të vjetra por për shkak të shëndetit të ekonomisë e të forcimit shumë të ndjeshëm të lekut do të thotë që kemi një pagë minimale 400 euro. Ndërkohë që me rritjen që do tu bëjmë pagave për mjekët e përgjithshëm, për mësuesit, për infermierët, për Forcat e Armatosura, për punonjësit e Policisë së Shtetit si dhe për të gjithë punonjësit në administratën e shtetit, ne do të arrijmë përpara kohës së parashikuar praktikisht në mesin e vitit të ardhshëm, që të kemi një pagë mesatare 900 euro dhe besoj që një pagë mesatare 900 euro është një shifër domethënëse për të treguar atë që është bërë. Natyrisht që ambicia është për ende shumë më tepër por ama për të treguar që gjithë reformat e bëra, këmbëngulja tek zbatimi i reformave dhe pavarësisht të gjitha atyre aspekteve të reformave që nuk janë ende të plotësuara, kemi sot mundësinë që të kemi këtë volum financimi masiv për rritjen e pagave që është rritja e dytë pas asaj të këtij viti dhe është një rritje që është aty për të qëndruar, nuk është një bonus.
Paralelisht me këtë kemi 250 milionë euro të tjera që shkojnë për pensionet, qoftë për indeksimet, qoftë për bonuset e pensionistëve. Shpesh herë e dëgjoni dhe ju të gjithë që ne kritikohemi apo tregohemi si një Parti Socialiste që ka humbur sensibilitetin ndaj shtresave në nevojë e që punon, që i qëndron më pranë të pasurve, por nuk ka një gënjeshtër më të madhe se sa kjo kur sheh se 33% e buxhetit të shtetit tonë, – që mos harrojmë, është një buxhet që është rritur më shumë se dyfish nga koha kur ne morëm detyrën, – shkon për mbrojtje sociale, që nga pensionistët, deri tek bebet e porsalindura, duke kaluar përmes gjithë kategorive të tjera, familjet në ndihmë ekonomike, invalidët, personat me aftësi të veçanta, pastaj ish të përndjekurit, ish pronarët, pra gjithë ky grup kategorish është në mbrojtje dhe në përkujdesje dhe një proporcion i tillë në buxhetin e përgjithshëm të shtetit duhet të na shqetësonte për të kundërtën sepse asnjë vend rreth e rrotull nesh nuk e ka këtë proporcion, 33% mbrojtje sociale.
Natyrisht që tek njerëzit, të cilët kjo mbrojtje shkon individualisht patjetër që do të duhej të ishte më shumë, por ama në kushtet ku jemi dhe me mundësitë që kemi, nuk kemi lënë asgjë nga këto mundësi pa e shfrytëzuar për ta. Po të kishim më shumë mundësi, do të bënim më shumë e kur të kemi më shumë mundësi, do të bëjmë më shumë, siç ndodh me pagat.
Nuk e kemi pasur mundësinë më parë që të bënim këtë rritje masive pagash 2 vjet rresht. Nuk e kemi pasur, jo se nuk kemi dashur, por krijuam mundësinë duke rritur ekonominë. Krijuam mundësinë duke fuqizuar sektorët dhe njëkohësisht duke rritur dhe duke përmirësuar administrimin. Kemi patjetër shumë për të bërë dhe në këtë drejtim sepse të ardhurat që ne marrim janë më pak se sa ato që na takojnë si shtet, si rezultat i shmangieve që ne i kemi luftuar e për këtë arsye dhe kemi marrë më shumë, por ama duke rritur më shumë akoma ekonominë e duke rritur më shumë të ardhurat për individët, për sipërmarrjet duhet të kemi ambicien për të rritur edhe më shumë të ardhurat e shtetit nga pjesa e tyre e fitimit. Do duhet që 10 milionë turistë të mos reflektohet vetëm tek të ardhurat e përgjithshme të ekonomisë e patjetër tek gjithë ai zinxhir i gjatë i individëve dhe familjeve që janë të përfshira por të reflektohet dhe tek të ardhurat e shtetit me të njëjtin kapërcim. Këtë nuk e kemi, për shumë arsye, por po sjell një shembull. Ju e dini të gjithë që në verë ishte e pamundur që të gjeje një dhomë sot për sot, në bregdetin shqiptar. Atëherë kjo nuk shkon, nuk pajtohet me pasqyrat e hoteleve, që nuk tregojnë 100% okupim, por tregojnë më pak, që do të thotë gënjejnë, që ti biem shkurt se kemi dhe Luan Bregasin këtu dhe mos nuk na kupton çfarë duam të themi. Këtë nuk mjafton që ta themi por duhet ta adresojmë e duhet të gjejmë mekanizma të tjerë për të adresuar këtë problem e probleme të tjera që kanë të bëjnë me evazionin, pa rënë në kurthin e kontrolleve stresuese dhe atyre inkursioneve që prodhojnë më shumë stres dhe më shumë probleme se ato që duan të zgjidhin.
Tani kemi sfida shumë të rëndësishme dhe nuk dua të hyj me radhë por dua vetëm të prek njërën prej tyre, që është domosdoshmëria e kësaj ekonomie gjithmonë e më shqetësuese për krah të kualifikuar pune, për njerëz me zanate, për njerëz që janë në gjendje ti përgjigjen nevojës gjithnjë e më të madhe të tregut për të dhënë shërbime më cilësore apo për prodhim më cilësor. Duke u kthyer prap tek turizmi, është një kontradiktë e madhe midis rritjes së kërkesës që vitin e ardhshëm do të jetë dhe shumë më e madhe dhe do të jetë një sfidë më vete për të mos zhgënjyer ata të cilët do të vijnë në Shqipëri pas gjithë kësaj zhurme që u bë këtë vit për Shqipërinë si destinacion dhe nevojës së operatorëve dhe të gjithë sistemit të mikpritjes për njerëz që bëjnë punën dhe dinë ta bëjnë punën.
Nuk mundet dot një vend që synon të jetë në Champions League se s’ka ku është tjetër të konkurrencës së turizmit që është konkurrencë gjithmonë e më fortë që të ketë qoftë edhe kamerier të pa trajnuar, jo më pjesa tjetër e zinxhirit.

Ajo që është e rëndësishme të kuptohet dhe të dëgjohet nga të gjithë është se sot në industrinë e turizmit nuk është paga më problemi i atyre që ofrojnë shërbime, nuk është paga, është njerëzit.

Pra, “s’ka problem – thotë – se sa mund t’i jap, po problemi është ta kem” dhe nëse ne mund të bëjmë ndonjë gjë të madhe për të mbështetur këtë, mora turizmin, por në të gjitha industritë është e njëjta gjë, sot ka kohë që është kështu si po e them, por sot ka një ndryshim. Ka kohë që nuk ka kompani shqiptare që nuk kanë vende pune, por sot, kompanitë shqiptare që kanë vende pune, pra që duan njerëz në punë, janë të gatshme të paguajnë paga shumë më të larta, shumë më të larta.
Dhe ajo paga 900 euro që ne do ta ngjisim me duke shtyrë me buxhetin e shtetit për sektorin publik, nuk diskutohet që do të bëjë një tjetër ngjitje pagash në sektorin privat, siç ndodhi me pagat e këtij viti dhe kontradikta është, gatishmëria e kompanive për të paguar paga shumë më të larta sesa ato që janë paguar deri përpara pak vitesh dhe më të larta se ata që deklarohen, kjo është pjesë tjetër e problemit me mungesën e njerëzve që kanë mjaftueshëm njohuri për punën për të cilën kërkohen.

E prandaj ne do ta adresojmë këtë kontradiktë, duke fuqizuar arsimin profesional, duke rritur vetëdijen e prindërve në radhë të parë, për fëmijët e tyre që nuk janë të prirur të bëjnë studime të mëdha dhe që shkojnë në gjimnaz e marrin nota mesatare ose të ulta që t’i drejtojnë te arsimi profesional. Ata mund të mos jenë të prirur për t’u bërë shkencëtar, por mund të jenë shumë të prirur për t’u bërë sipërmarrës, mund të jenë shumë të prirur për t’u bërë ustallarë në kuptimin më të mirë kësaj fjale dhe për të nxjerrë një pagë shumë të mirë nga puna. Aq më tepër në kushtet kur koha kur të rinjtë mund të niseshin për në Europë dhe të kishin atje një ofertë të pakrahasueshme me ofertën këtu, ka ikur. Ka ikur, jo thjeshtë sepse oferta këtu është përmirësuar, por dhe sepse oferta atje është përkeqësuar në mënyrë drastike. Është përkeqësuar për shkak të rritjes të madhe të kostos së jetës dhe për shkak të një gjëje shumë të thjeshtë, nuk mbetet gjë në fund të muajit për ata që nisen për të bërë një punë të zakonshme. Nuk flas këtu për mjekë, nuk flas këtu për njerëz që ushtrojnë profesione të kategorisë së lartë. Flas për masën e njerëzve, të rinjve që marrin dhe rrugën dhe mendojnë se atje do t’iu dali më mirë.

Vetëm para pak ditësh ka ardhur të punojë këtu me ne, një djalë që ka kryer studimet e larta në Zvicër dhe që kishte disa oferta pune. Edhe u takuam rastësisht e më tha jam në dilemë të madhe se kam disa oferta. Patjetër që do të marri një rrogë 5000, 5500 franga në muaj, por problemi është se në fund nuk mbetet asgjë. Ndërkohë që, në Tiranë, ku ka edhe prindërit, sigurisht që do marrë një rrogë shumë më të ulët, por ama në fund edhe pse përfundimi është njësoj për momentin ka komplet një tjetër jetë. Dhe ky nuk është një personazh i shpikur, është një njeri real, që erdhi dhe ka filluar të punojë me ne. Por është e njëjta histori që mund ta tregojnë shumë të tjerë që janë sot në perëndim që është vështirësuar shumë.

Kështu që ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Duhet të bëjmë pjesën tonë edhe duhet të nxisim. Kemi folur gjatë edhe me ministren e arsimit, kemi folur gjatë dhe me të gjithë të tjerët që janë në strukturat e institucioneve shtetërore që ndërlidhem me arsimin profesional për të krijuar një tjetër ritëm dhe një tjetër energji pozitive rreth arsimit profesional. Dhe do të investoj seriozisht edhe në infrastrukturën e arsimit profesional dhe pse e vërteta është që shkollat e sotme të arsimit profesional i kemi të investuara. Pra, janë në një nivel mbi mesataren. Mjafton t’iu them që së shpejti do të fillojmë të vëmë në jetë binjakëzimin e parë, binjakëzimin real, në kuptimin binjakëzim që përfundon me një certifikatë me një diplomë të njësuar me një nga shkollat më të mira profesionale në botë për turizmin që është shkolla zvicerane EHL a diçka e tillë. Dhe ata erdhën dhe bënë gjithë diagnozën e shkollës sonë profesionale të turizmit këtu në Tiranë. Nxorën disa problematika, të cilat do të zgjidhen në një kohë të shkurtër, pra nuk gjetën një mjedis ku të thoshin – “Ohu bëhuni njëherë gati e pastaj vijmë prapë” dhe ata kanë kritere shumë rigoroze dhe kanë kërkesa që nuk i negociojnë për asnjë arsye për të thënë që janë të investuar përgjithësisht. Na duhet të investojmë seriozisht në konviktet e shkollave të arsimit profesional për t’i dhënë mundësi fëmijëve dhe të rinjve që janë rreth e rrotull qendrave të bashkive që mund të vijnë e ta ndjekin arsimin profesional. Ashtu sikundër, na duhet të fuqizojmë edhe më shumë atë që kemi nisur me mjekësinë. Pas pak do të shkojmë me ministren në një takim me rektoret për të parë një raport të detajuar për arsimin e lartë dhe mbi sfidat dhe e kanë bërë ekspertë shqiptarë që janë jashtë dhe ndërkombëtar dhe gjëja që diskutuam sot ishte, si ka mundësi që studentët e mjekësisë nuk kuptojnë se sa e thjeshtë dhe se sa e pa diskutueshme është që merr, fal kontributit të të gjithë taksapaguesve një arsim që ty të kushton shumë herë më pak seç i kushton shtetit dhe vë në diskutim që ti për disa vite duhet t’i shërbesh këtyre njerëzve që paguajnë taksat për ty, duhet t’i shërbejnë prindërve të tyre që janë gjyshër e gjyshe, që kanë nevojë për shërbim në spitalin aty dhe jo të marrësh diplomën e të shkosh me vrap në Gjermani. Kjo është e paimagjinueshme.

Dhe pse? Për një arsye shumë të thjeshtë sepse pavarësisht se Universiteti ynë i Mjekësisë nuk është i rankuar në nivelin e universiteteve gjermane, praktika ka treguar që është një universitet që nxjerr profesionistë të besueshëm, ata e dinë këtë dhe i pranojnë.

Mirëpo ai shoku gjerman atje, ose shoqja gjermane e këtij shokut tonë këtu apo shoqes tonë që del nga fakulteti, ka paguar në mënyrë marremendëse për të hyrë në të njëjtin korridor. Dhe pse? Për çfar arsye? Për arsyen se ti ke pasur shtetin tënd shqitar që të ka dhënë këtë mundësinë që t’i bësh këto studime dhe të të hapet dera në Gjermani, duke pguar shifra qesharake, të cilat ky shtet është i gatshëm të vazhdojë t’i paguajë, por ama para se të ikësh në Gjermni do t’ia kthesh njerëzve që kanë kontribuuar për ty, që janë ata që ti as nuk i njeh, duke i shërbyer disa vite prindërve të tyre të moshuar në spital apo të afërmve të tyre e pastaj ik ku të duash dhe kudo.

Unë nuk i diskutoj vendimet e gjykatave sepse s’merrem me vendimet e gjykatave po edhe pezullimi që i bëri Gjykata Kushtetuese kërkesës absurde për ta hedhur poshtë këtë gjë, është absurd. Është absurd dhe po e diskutoj thjeshtë se është pezullim, sepse në Shqipëri ka një shkollë tjetër që quhet Shkolla e Magjistraturës, që për shumë vite tani, nuk e di sa vite ka, që e ka kusht; ti mund të hysh ne Shkollën e Magjistraturës, por ti nuk merr dot diplomën nga shkolla e magjistraturës po nuk punove më duket 5 vjet, nuk di sa vjet apo diçka më tepër, si magjistrant.

Dhe shkolla e Magjistraturës është një nga shkollat më të mira të Shqipërisë dhe shpresoj që të mos prishet tani me këtë fluksin në rritje, por fakti është që, as nuk është shkelur ndonjë e drejtë kushtetuese, as nuk është vënë ndonjeherë në disktim dhe këtë sistem, ne do ta zgjerojmë, që të jemi shumë të qartë.

Në arsimin publik, që e kemi absolutisht shumë, shumë të favorshëm dhe që praktika po tregon gjithmonë e më shumë që nuk e kemi absolutisht aq larg kërkesave të Evropës, përderisa kush shkon në Evropë mirëpritet, do ta zgjeorjmë. Nuk diskutohet. Ose është edhe varianti tjetër që ia kemi dhënë studentëve të mjekësisë: S’ka problem, do të ikësh që të nesërmen? Sa të marrësh diplomën në dorë do t’i kthesh kurrizin këtij vendi dhe do të ikësh të shërosh gjermanët? Do paguash një tarifë tjetër, do paguash atë që kushton. Dhe ik atje pastaj. Më pak se në Gjermani është edhe kjo, shumë më pak, por do paguash. Po e deshe me një tarifë simbolike, do rrish këtu, 5 vjet, 6 vjet, 7 vjet, nuk e di sa, 5 është maksimumi. Dhe më e bukura është që 5 është për ata që hyjnë në vit të parë. Këta që i ka gjetur rrugës, e kanë 2 vjet, 3 vjet, 4.. epo këta as 2 vjet nuk pranojnë të rrijnë. Epo nuk ka. Nuk ka.

U zgjata pak tek kjo për të ardhur në mbyllje me atë që po e quaj për lehtësi komunikimi, situatë politike,që në fakt ështe më shumë një situatë neurologjike, që ka të bëjë me një përshkallëzim të natyrës psikologjike në Kuvendin e Shqipërisë dhe që është si të thuash, një lloj autoradiografie që grupet e opzitës e ofrojnë falas, një lloj autodiagnostifikimi që e shpallin para publikut si një gjendje të rënduar emocioanle, nervore, po edhe fizike. Nuk kam bërë prej kohësh, shumë kohësh komente për opozitën se nuk është puna ime po entusiazmi dhe eksitimi për se si ajo flaka e ndezur në Parlament mori dhenë nëpër mediat e botës, më bën që të mos rri pa e komentuar këtë gjë sepse e vërteta është që përsëri, kanë eskportuar jashtë Shqipërisë një produkt të një shëmtie të jashtëzakonshme dhe ata që i kanë publikuar atë produkt, e kanë publikuar si një kuriozitet zoologjik, jo si një revolucion.

Të nxjerrësh nëpër rrjete, nëpër media, nëpër ekrane flakë në një parlament të Evropës, është sensacion. Nuk diskutohet, është sensacion. Është sikur papritur një grup njerëzish kanë ngatërruar parlamentin me një shpellë dhe kanë ndezur një zjarr, por efekti mbi Shqipërinë për çdo lloj spektatori të painteresuar për të hyrë në detaje që bën ato, i bie me gisht asaj pasqyrës së telefonit dhe e sheh aty, patjetër që është ky; ore ça bëhet aty? Ore ç’është ky vend? Ore si ka mundësi në parlament zjarr? Ore ia vlen të ikim aty vitin tjetër me pushime?

Dhe ky është efekti. Dhe të entuziasmohesh për këtë, është realisht një shëmti e jashtëzakonshme. Këtë e kanë bërë gjithmonë. Nuk kanë lënë kurrë një mundësi pa e bërë Shqipërinë të duket keq në sytë e botës, por kjo e fundit është realisht një sensacion zoologjik. S’ka lidhje fare me ato për të cilat, medemek u vu zjarri. Se po diskutonim sot; ne e kemi nisur para, nuk e di sesa muajsh, inisiativën për të ndërhyrë në ligjin e komisioneve hetimore.
Unë e kam thënë qysh në mbarim të një komisioni hetimor që ne nuk do ngremë më komisione hetimore pa adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese që janë detyruese për t’u zbatuar dhe nuk ka pasur, jo flakë, po flaka nuk koincidon me faktin që ne s’po ngremë komisione hetimore se kjo ka shumë kohë që po ndodh. Flaka koincidon me tjetër gjë, me tjetër gjë që e dinë të gjithë se çfarë është dhe nuk ka jo një njeri, po s’ka asnjë anëtar të faunës shqiptare që po të kishte gojë ta pyesje do thoshte; ore po s’ka lidhje kjo me komisionet hetimore, as me Kushtetutën, as me liritë dhe të drejtat themelore të opozitës. S’ka lidhje fare me këto. Ka lidhje me hallin e madh të një individi që shumëkush e mendonte të paprekshëm dhe që faktikisht sot duhet të përballet me drejtësinë dhe unë nuk komentoj më gjatë për këtë rast konkret, por kjo është lidhja dhe s’mund të jetë e drejtë kushtetuese e padiskutueshme fare që të ngresh një komision hetimor se përndryshe nuk do kishte komisione të nxjerra anti kushtetuese nga gjykata kushtetuese. Pra, ti mund ta ngresh një komision hetimor, patjetër është e drejta jote kushtetuese që të ngresh komision hetimor, por ama mënyra si bëhet kjo është e përcaktuar në një kornizë të mbyllur nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe më tepër baza e ligjit tonë është ligji gjerman dhe ne do t’i referohemi ligjit gjerman dhe për disa elementë të tjerë që nuk janë marrë në konsideratë kur është bërë ligji ynë dhe pastaj mund të bëjmë komisione hetimore pa problem. Ta votojmë dhe të bëjmë komisione hetimore, por komisione hetimore sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit, jo komision hetimor “kemi dëgjuar ne që…”, shto ujë e shto miell pastaj e do ngremë komision hetimor. Jo nuk ka më. “Kemi dëgjuar ne që kryeministri harxhon 20 milionë euro në vit për avion” dhe do ngremë një komision hetimor. Ku jemi këtu? Kjo është një gjë që s’ka nevojë fare për komision hetimor se kjo është një gjë lehtësisht e verifikueshme. Kërkoni një dokument zyrtar dhe merr përgjigje. Dhe e kanë marrë përgjigjen, por nuk i pëlqen. Dhe kështu janë të gjitha akt persona për të përdorur Parlamentin për të përdorur me demek instrumentin kushtetues dhe për të bërë vetëm përbaltje. Dhe kjo dihet se pse bëhet, dihet nga vjen dhe është vazhdimi i një konfuzioni total që ka nisur në 2013 dhe ka vazhduar duke u intensifikuar në 2015, 2017, 2019, 2021 dhe tani në 2023. I vetmi ndryshim që ka ndodhur është që në këtë fazë është dhe halli me drejtësinë i materializuar, se halli me drejtësinë ka qenë qysh në krye të herës. Se në 2017 nuk hynë në çadër për zgjedhjet, hynë në çadër për vettingun. Nuk donin gjallë të kalonin vettingun dhe kapën çadrën.
Në mbyllje dua ta ri them atë që kam përsëritur kohët e fundit sepse është shumë e rëndësishme për ne, Partinë Socialiste, për të tjerët mbase s’është e rëndësishme, nuk ka rëndësi, por për ne është shumë e rëndësishme; që kjo që po ndodh sot dhe që ka një domethënie shumë të madhe pavarësisht çfarë mund të ketë probleme, mund të ketë gjëra që janë të vetvetishme në një proces ku sapo ka nisur të japë frutet e para reforma në drejtësi, është diçka që nuk ka ndodhur kurrë në 100 e kusur vite të shtetit shqiptar.
Këto institucione të reja të drejtësisë, SPAK, Gjykata Speciale bashkë me strukturat e tjera, por këto që janë në front, në frontin e veprimit janë krijesat e para në historinë e shtetit shqiptar që e përfaqësojnë drejtësinë përmes trupash totalisht të pavarura nga pushteti ekzekutiv i radhës, totalisht. Dhe kur thonë që këtë e bëri Amerika, kjo erdhi nga qielli, jo!
Është e rëndësishme për ne, për këtë familje politike që mos e lëmë pa thënë që jo, fare. Amerika këtu ishte që në ’91 dhe avionë kishte që në ’91 dhe po ta kishte me avion Amerika SPAK-un dhe Gjykatën Speciale dhe reformën në drejtësi, do e kishte sjell përpara. Pse nuk e solli përpara? Sepse që të ndodhi kjo reformë duhet një vullnet i madh për të bërë një shtet që është edhe shtet, edhe demokratik dhe këtë lloj vullneti me të gjitha defektet e veta në këtë vend e ka vetëm Partia Socialiste dhe mos të harrojmë ne, të tjerët janë aty për të harruar, nuk ka problem. Mos ta harrojmë ne që Partia Socialiste e ka dashur këtë reformë qysh kur ka qenë në fillimet e veta në opozitë, jo sot. Jo kur erdhi në pushtet. Kur ka qenë në fillimet e veta në opozitë dhe në vitin 2007 ne kemi bërë dokumentin e parë për këtë punë dhe pastaj e kemi përsëritur disa herë si një ofertë për qeverinë. Imagjinojeni ju tani që opozitat sot, por opozita që ne kemi pasur të bëjmë që në 2013 të na kishte ardhur ne me një ofertë për të bërë një reformë. Keni parë ndonjë ofertë për të bërë një reformë?
Ne i kemi propozuar përmes një dokumenti të paktit kombëtar për drejtësinë qysh atëherë dhe çfarë donim të bënim? Këtë që bëmë! Natyrisht koha, eksperienca, analizat e bëra e sofistikuan edhe falë mbështetjes së padiskutueshme të aleatëve, por aleatët për ta dhënë mbështetjen kanë nevojë për partnerë këtu se ata gati kanë qenë ta bëjnë edhe më përpara, por as ia ka kërkuar njeri dhe as ia ka mbushur syrin njeri që mund t’i japin mbështetje dhe nuk do t’i bëjë hile rrugës.
Për këtë arsye ne jemi garantët e kësaj reforme.
Për këtë arsye ne nuk kemi mundësi, nuk e kemi të mundur, nuk na lejohet që të hyjmë nëpër komente të veprimeve dhe të vendimeve të institucioneve të reja të drejtësisë sepse ato janë larg shumë së qeni perfektë, por ama janë krijesa të reja që kanë nevojë për frymëmarrje, kanë nevojë për mbështetje dhe aktorë dhe faktorë këtu që duan t’ju pengojnë frymëmarrjen ka sa të duash rreth e rrotull, ne nuk mund t’i shtohemi këtij kori, se përndryshe e bëjmë shumë të vështirë që kjo që po ndodh të mos jetë thjeshtë një eveniment në histori, por të jetë realisht themeli i një muri që nuk lëviz më. Dhe nëse deri kur u miratua reforma dhe më tutje për të ardhur deri këtu, Partia Socialiste kishte rolin që ta udhëhiqte dhe ta mbështeste reformën, tani detyra më e madhe dhe më e vështirë por e pashmangshme që ka Partia Socialiste është që ta bëjë të pakthyeshme. Të garantojë që kjo s’kthehet dhe kush mendon këtu, jo tek ne, kush del dhe thotë që kjo nuk kthehet dot, sido që të jetë puna se këtë e mbajnë amerikanët me gjermanet e me italianët, këtu e ka gabim ditën dhe natën.
Këtë shtet dhe çdo proces e mbajnë shqiptarët, e mbajnë forcat që qeverisin Shqipërinë! Nëse qeveria dhe nëse shumica që qeveris nuk ka vullnet që ta çojë përpara një proces, e kthen mbrapsht dhe Shqipëria në të gjitha drejtimet, jo vetëm te kjo, sot është në një nivel tjetër, por nuk është e konsoliduar në pikën që mos të bjerë prap poshtë dhe ka vetëm një forcë që e mban aty dhe që mund ta ngjisë dhe do ta ngjisim më lart, aty ku ne kemi detyrën ta lëmë pastaj stafetën, që është Partia Socialiste. Nuk ka tjetër! Nuk ekziston!
Kemi qendruar rob të mirë. Ka më mirë, por si kemi parë. Kur të dalin, do i shohim.

Ju falenderoj shumë për durimin dhe besoj që Kongresi është një mundësi e mirë që ne të diskutojmë për këto gjëra dhe në mënyrë më të strukturuar edhe për sfidat që kemi, por një fjalë të fundit kam për partinë.
Të gjitha ato shtyllat e Klosit janë në rregull, por ka një problem me çatinë. Na duhet absolutisht që ne ta zgjerojmë çatinë e Partisë Socialiste dhe zgjerimi i Partisë Socialiste kërkon disa masa që duhet të jenë shumë të qarta dhe shumë të prera. Ne duhet t’i hapim një zonë të lirë, të madhe, të konsiderueshme njerëzve të tjerë në forumet tona. Ne nuk mund të jemi të mbyllur më dot, sepse kemi nevojë të bëjmë atë që normalisht të tjerët e bëjnë se i çon halli, mbyllen, vetëmjaftohen, shëndoshen edhe pastaj hanë një dru dhe humbin. Ne nuk e kemi këtë luks. Luksin që të hamë dru, s’e kemi. Kështu që ne duhet të bëjmë vetë gjërat që të tjerët i bëjnë nga halli dhe t’i bëjmë me bindje siç i bëjmë gjithmonë.

Nëse kemi arritur të fitojmë kaq herë rrjesht të tjerët e shpjegojnë në mënyra të ndryshme që ju intereson se nuk duan të pranojnë që si ka mundësi që këta të fitojnë sepse ne pas çdo fitoreje nuk kemi pritur të vijnë zgjedhjet e tjera, por kemi filluar direkt të merremi se si do të fitojmë zgjedhjet e tjera dhe kjo është një eksperiencë që edhe kjo tani ka nevojë të pasurohet sepse kemi përsëritur, kemi përsëritur duke u munduar ta bëjmë pak më mirë, pak më mirë, pak më mirë, por tani kemi nevojë ta pasurojmë këtë eksperiencë dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë gjë. Dhe po ju le vetëm me një pyetje dhe pastaj mendojeni, pse duhet të jesh edhe drejtor edhe anëtar i Asamblesë Kombëtare për shembull. Një pyetje e kam unë. Një pyetje e kam, pastaj merrini këto postet dhe ofiqet dhe përshkallëzojni dhe shihni se sa vënd krijohet në Asamble Kombëtare sikur ne të lëmë drejtorët të bëjnë drejtorët dhe t’i lëmë karriget të mbajnë disa lloj njerëzish të tjerë dhe të mos mbajnë vetëm drejtorë.

Dakord! Faleminderit!