Asambleja e Zgjeruar e Partisë Socialiste, Shkodër, qyteti që ka marrë kthesën e rëndësishme drejt zhvillimit të pandalshëm
Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht kryetar i PSSH Edi Rama: Faleminderit shumë që të gjithëve! Po rri ulur si ju për ta bërë pak dhe në formë bisede komunikimin.
Së pari, më vjen shumë mirë që sot patëm mundësinë për disa orë që të shohim pak qytetin dhe në një kohë shumë të shkurtër, ndjesia e energjisë të qytetit është krejt tjetër.
Në radhë të parë, është e dukshme sapo hedh sytë në qytet që Shkodra nuk është më qyteti i plehrave dhe të paktën në ato pjesë që unë pashë, që janë akset kryesore, qyteti është realisht shumë i pastër dhe shpresoj që të jetë kështu edhe në lagje, por ajo që është e rëndësishme është që ky është një proces që ka nisur dhe është një process, që për hir të vërtetës në një kohë shumë të shkurtër, ka filluar jetë mjaft i dukshëm dhe kjo nuk është e lehtë, aq më tepër kur ke parasysh që institucionet vendore, bashkia dhe strukturat e tjera këtu në Shkodër kanë qenë përgjithësisht të fokusuara tek punët e asaj partisë, që sot është ndarë në shumë pjesë dhe tek hallet private të njerëzve.
E dyta, edhe kjo në një kohë shumë të shkurtër, ju e dini më mire, por nga informacioni i vazhdueshëm që unë marr, përderisa e ndjek, këtë periudhë të paktën, Shkodrën me një përparësi të veçantë me jo shumë mund, por me përkushtim dhe me vëmendje, është arritur që Shkodra të ketë një situatë krejt tjetër të ndriçimit publik. Ishte një situatë e vështirë dhe ajo, e cila kishte të bënte shumë më tepër me kujdesin dhe me mirëmbajtjen sesa me ndonjë investim të posaçëm.
Ndërkohë, duket qartë edhe këtu kur erdhëm tani që edhe puna e nisur me mbështetjen e qeverisë përmes Fondit të Zhvillimit për rrugët, për përmirësimin e infrastrukturës rrugore të qytetit me shtresa të reja asfaltike në akse shumë kryesore që ishin për ibret, është e dukshme, është e prekshme dhe do të vazhdojë.
Janë 11 kilometra rrugë brenda qytetit të rëndësishme që do të ribëhen plotësisht, ndërkohë që, sigurisht, këto janë ato, është buka e përditshme e punës së një bashkie dhe i sjell këtu si shembull qysh në fillim për të evidentuar faktin se me sa pak dhe për sa pak, ky qytet ka vuajtur për vite e vite të tëra dhe ka mbajtur mbi supe pluhur dhe shëmti, siç mund të parafytyrohet pluhuri dhe shëmtia në një shtëpi që sado e bukur të jetë, në qoftëse është e pa pastruar, nëqoftë se është e rrëmujshme, nëqoftëse nuk ka asnjë sens përkujdesjeje bëhet pastaj shumë e shëmtuar.
Por, nga ana tjetër, nuk është edhe aq pak sepse në themel ka të bëjë me vendimmarrjen e qytetarëve dhe vullnetin qytetar dhe Shkodra, midis këtyre dy epokave do thosha unë, në një periudhë kohe prej disa muajsh, ofron dy pasqyra shumë domethënëse për këdo që gabimisht mendon që vota nuk ka rëndësi, që të gjithë janë njësoj sepse nëqoftëse ne do të ishim të gjithë njësoj, edhe Shkodra do ishte njësoj si para zgjedhjeve, por nuk është njësoj. Nëqoftëse do të ishim të gjithë njësoj, atëherë edhe Shqipëria do të ishte njësoj edhe qytetet që kanë hyrë në një rrugë të re, pavarësisht problemeve që kanë, por edhe shumë njësi rurale që kanë hyrë në një rrugë të re, pavarësisht problemeve që kanë, do ishin njësoj. Nëqoftëse do ishim njësoj, nuk do vinin në Shqipëri gati 10 milionë turistë brenda një viti, do vazhdonin të vinin aq pak sa vinin përpara sesa vota ta ndryshonte rrugën e Shqipërisë, ku turistët më europianë ishin nga Kosova, nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që vinin përsëri, ndërkohë që, kush vinte njëherë nuk donte të kthente më sytë nga Shqipëria për shkak se gjëja e parë që i binte në sy ishte papastërtia, ishte kaosi, ishte mungesa e sigurisë.
Ndërkohë që, përveç këtyre, ne kemi filluar të hyjmë në projektet e rëndësishme që i premtuam qytetarëve të Shkodrës dhe që me shumë shpejtësi kanë filluar të realizohen disa prej tyre, disa të tjera janë në rrugën, në fazën e projektimit, por brenda një periudhe prej katër muajsh apo më pak sesa katër muajsh po të marrësh punën aktive në zyrë të kryetarit të bashkisë, ne i kemi vendosur në dispozicion Shkodrës pothuajse apo rreth 20 milionë euro për fillim.
E them këtë me bindjen që në qoftëse më dëgjon kryetari i bashkisë së Lezhës tani dhe do ta dëgjojë me siguri se është dhe polic dhe nuk lë gjë pa dëgjuar… ish-polic, e vërtetë, por kur ke qenë njëherë polic, je gjithmonë polic, nuk ndryshon kjo punë sepse ke instinktin e kontrollit të të tjerëve, apo edhe të tjerë, por është diçka që është përtej një bashkie sepse, unë e kam thënë gjithmonë, por u desh kohë, madje-madje unë nuk besoj që shkodranët në të vërtetë, pas shumë kohësh besuan, por pas shumë kohësh kuptuan që ishte një budallallëk i madh që të vazhdonin t’i bienin fyellit në një vrimë dhe të prisnin një muzikë tjetër edhe në njëfarë mënyre nga kjo përfituam ne, por nuk ka rëndësi.
Ky ndryshim ka ndodhur dhe kthesa ka filluar dhe siç e kam thënë më parë që “Ky e thotë se do vota” e them tani që votat i kemi marrë, që Shkodra është e vetmja nyje strategjike e zhvillimit të vendit që është e pa trajtuar ende, ndërkohë që nyjet e tjera strategjike sigurisht që kanë akoma shumë punë për t’u kthyer krejtësisht në motorr zhvillimi që punojnë me gjithë fuqinë e tyre, janë sidoqoftë prej kohësh tanimë në funksion të ekonomisë së vendit dhe për këtë arsye ne Shkodrën e kemi prioritet kryesor dhe do vazhdojmë ta kemi prioritet kryesor.
Kemi nisur projektin që, juve besoj ju kujtohet kur e nxorëm përpara zgjedhjeve, thanë që kjo është për të hedhur hi syve, se kjo s’do bëhet kurrë.
Faktikisht projekti i hyrjes së Shkodrës po bëhet, është në kantier dhe sot ishim në atë kantier ku ka filluar puna, është faza e parë. Mu duk si një rastësi shumë domethënëse që kompania që e kishte marrë kontratën është e njëjta kompani që ka bërë një pjesë të rëndësishme të punëve për Lungomaren e famshme të Vlorës, është dhe nga Shkodra ai edhe i thashë “gjithë eksperiencën që ke fituar në këto vite dhe gjithë dëshirën e shkodranëve për ta bërë Shkodrën si Vlora e ke ti në dorë i pari, duke bërë një punë të lavdërueshme siç e ka bërë në fakt dhe atje. Se projekti është shumë i bukur dhe Shkodra do të ketë më në fund një hyrje. Se Shkodra nuk ka hyrje. Në Shkodër hyhet fshehtas. Kështu hyhej në Vlorë dikur. Qyteti turistik, etj dhe ishte futeshe në një kthesë dhe aty kishte një parullë të varur “Mirë se vini në Vlorë” dhe aty mezi prisje të dilje nga kthesa se të dukej sikur do të dilnin në pritë se ishte pusi i famshëm i Mezinit. S’kishte hyrje!
Edhe Shkodra nuk ka hyrje. Hyhet, por nuk është hyrje, ajo është një shteg që futesh midis ndërtimeve të bëra në mënyrë kaotike dhe një qytet që ka bekimin e ujit nga Zoti, nga natyra dhe kur ti hyn dhe nuk sheh ujë fare sepse i ke të gjitha pamjet e zëna, është një qytet që është marrë peng, me lakun në fyt. Kështu që, do t’ia heqim lakun dhe do jetë një zhvillim shumë i bukur në atë zonë.
Ndërkohë që, kemi një tjetër projekt që fillon apo do të ketë nisur apo do jetë në rrugën e nisjes për Kalanë e Rozafës për ta bërë akoma më tërheqëse apo akoma më të disponueshme për aktivitete që zhvillohen aty. Pastaj, jemi duke punuar për një projekt tjetër për fabrikën e telave, me Benetin me Bashkinë për ta kthyer dhe atë zonë të degraduar në një destinacion kryesisht për të rinjtë, por edhe për të gjitha moshat me terrene sportive, me aktivitet sportiv kryesisht, por jo vetëm. Ishim në bashki dhe pamë projektin e ri që tanimë është bërë gati për gjithë zonën e Zdrales dhe jam shumë i kënaqur që do kem dhe unë dorë në heqjen e atij tregu të tmerrshëm mbrapa stadiumit sepse pika e kthesës në çdo qytet që qysh nga Tirana që mbaj mend si kryetar bashkie, është kur heq këto tregjet që rrinë aty si për të thënë që këtu harroje se ndryshon kjo punë se këtu do jetë gjithmonë kështu. Dhe natyrisht do hiqet tregu, por nuk do lihen pa mundësi ata që janë aty, ajo pjesë e tyre që kanë kualitet në atë punë që bëjnë dhe është një investim goxha i madh në fakt që prek një aks të tërë që e lidh gjithë zonën poshtë atje të stadiumit me pjesën qendrore, por që ia vlen dhe ne do ta bëjmë.
Aty ka shumë monumente kulturore të rëndësishme, aty ka aktivitet tregtar të rëndësishëm, aty ka një potencial shumë të madh që sot për sot nuk duket sepse është komplet i mbuluar nga gjithë ajo rrëmujë që është aty. Dhe është një projekt që praktikisht do ta programojmë për vitin e ardhshëm për ta filluar sepse është projekt shumë i madh dhe do ta fillojmë me faza, do ta realizojmë dhe ajo do të bëhet një qendër e re e Shkodrës. Nuk do jetë vetëm zona këtej historike, por do të jetë dhe ajo zonë që do të krijojnë faktikisht goxha energji për qytetin dhe që do rrisin turizmin në qytet.
Kemi rrugën Shirokë – Zogaj që është pjesë e planit për të zhvilluar gjithë këtë zonën e liqenit të Shkodrës, që është dhe ajo e financuar dhe është në proces. Do të fillojë menjëherë, projekti ka përfunduar.
Do fillojmë menjëherë me restaurimin e plotë të godinës së Bashkisë së Shkodrës. Ajo godinë flet shumë në fakt se kush e ka drejtuar Shkodrën për 30 vjet sepse është një moment kulture me shumë vlera dhe është lënë në një situatë shumë të keqe dhe është shtëpia e qytetit. Beneti ka bërë goxha mirë që e ka hapur, e ka kthyer në një farë mënyrë në një pikë të aksesueshme për njerëzit, por ajo ka nevojë për një restaurim dhe ka nevojë të jetë si të thuash një diamant në dorën e qytetit, jo një godinë që të vjen keq kur e sheh se të duket sikur nga momenti në moment do bjerë. Ashtu sikundër, jemi duke përfunduar projektin e Muzeut të Kujtesës, muzeu i historisë së dhimbshme të persekutimit që është si dyqan i Vodafone po ta shihni sot, e kanë bërë ata që iu dhembte shpirti për të persekutuarit dhe është komplet si një dyqan për të blerë nga ato kartat e patatinave. Dhe do ta kthejmë në një muze shumë dinjitoz që do të jetë aty për të dëshmuar atë histori shumë tragjike të komunizmit, por të Shkodrës për shkak të komunizmit. Ndërkohë, pamë dhe punën për gjithë transformimin e fasadave të rrugës kryesore aty që nuk është vetëm çështje bukurie, megjithëse bukuria është shumë e rëndësishme se këta që thonë “ore ç’merreni me fasada? Janë vetëm fasada! ”, nuk e kuptojnë, se kapin fare këtë punë.
Imagjinoni ju sikur gjithë vajzat dhe gratë të dilnin në rrugë pa u krehur, pa u lyer, se çfarë tmerri do ishte. Se nuk po them burrat se burrat si të krehur, si të pakrehur, – po edhe burrat krihen kur kanë flokë, -ky është një shembull shumë i thjeshtë, por është njësoj. Unë kam parë qytete të bukura dhe të varfëra, por nuk kam parë kurrë një qytet të shëmtuar dhe të pasur. Nuk ka! Shëmtia nuk prodhon ekonomi, shëmtia prodhon depresion, prodhon dekurajim, prodhon mungesë shprese. Ndërkohë që e bukura prodhon ekonomi, e bukura prodhon dëshirë për të jetuar, prodhon dëshirë për të parë, për të dalë, për të ecur, për të lëvizur.
Po nuk është vetëm ana estetike që është shumë e rëndësishme, e përsëris, por është edhe një projekt i cili është një projekt i eficienës energjetike dhe të gjitha ato, nuk e di sa janë, disa dhjetëra godina banimi, në një nga hyrjet, në një nga rrugët kryesore të Shkodrës, do të kenë 30% ato familje që jetojnë aty, ulje të shpenzimeve të kursimit të energjisë sepse me gjithë veshjen e re të fasadave, ato godina janë më të freskëta në verë dhe janë më të ngrohta në dimër, kuptohet jo se janë kaloriferë ose janë kështu vetë si ajër i kondicionuar, por ulin deri në 30% shpenzimin e energjisë që është diçka shumë pozitive dhe do vazhdojmë me atë program, plus edhe një program tjetër inovativ që ka Beneti për ta kthyer Shkodrën në një model të parë të shfrytëzimit të energjisë diellore, për banesat që shpresoj që të ecë përpara si duhet, po në atë projekt është Beneti pa qeverinë dhe unë kam besim që Beneti duke qenë me një këmbë djathtë, me një këmbe të majtë, se ne jemi me dy këmbë të majta ne të tjerët, do të dijë ta përdorë dhe këmbën e djathtë se të majtën e ka në rregull, se ia hedhim ne topat.
I thashë të gjitha këto pa harruar rrugën e Dukagjinit që ka qenë një premtim i stërpërsëritur i të tjerëve. Në fakt unë nuk e kam premtuar rrugën e Dukagjinit asnjëherë, por kur Beneti donte, Beneti s’donte fare, por kur i thashë unë që të konsideronte qe të bëhej kryetar bashkie në Shkodër, një nga gjërat që kishte shumë merak ishte që unë ta premtoja rrugën e Dukagjinit, se Beneti e di, më njeh nga afër që unë e kam zor ta them një fjalë ,por po e thashë do të bëj çmos pastaj që ta mbaj, pavarësisht se politika është njësoj si jeta, ti mund të planifikosh shumë gjëra, po shumë gjëra ndodhin rrugës që i vonojnë planet, i ndryshojnë, i modifikojnë. Ama, mbajtja e zotimeve është çështje kohe sidoqoftë edhe ne i kemi mbajtur një pjesë të madhe të zotimeve. Kemi një pjesë të tyre që ende nuk i kemi mbajtur, por arsyeja pse vazhdojmë të kërkojmë votën, të paktën unë personalisht dhe vazhdojmë të punojmë këtu, është që t’i mbajmë të gjitha zotimet.
E fillova bisedën me një kapitull që nuk e kam prekur në takimet e tjera të asambleve të zgjeruara sepse në fakt, ky është takimi i parë në një vend që ne nuk e qeverisnim më përpara dhe duke qenë se këtu qeverisim për herë të parë, ne këtu jemi në këtë takim për të mbyllur atë ciklin e takimeve përpara Kongresit, e pashë të udhës që të flas disa fjalë përpara për këtë qytet të bekuar që jetoi 30 vjet me idenë që mallkimi ishim ne dhe që vetëm sa ka filluar ta shohë në fakt që ne jemi bekimi i Shkodrës dhe mallkimi ishte tjetërkush. Po të shkuara e të harruara kur i thonë fjalës dhe besoj që në të gjitha rastet kjo tani çfarë iku nuk kthehet, por në të gjitha rastet kjo është mirë se dhe ne jemi edhe më të motivuar që të japim provën që e kemi sidoqoftë, merituar atë votë që siç e thashë, unë jam shumë i vetëdijshëm për veten time, që në një pjesë të konsiderueshme na ka ardhur më shumë si kulmi i zhgënjimit me të tjerët se sa si kulmi i besimit për ne. Edhe është e kuptueshme, pasi robi ka rënë në dashuri me një lloj kali gërmuq që e ka menduar se mund të jetë një kalë që mund ta çojë larg, edhe ngaqë ka rënë në dashuri me atë kalë, i rri besnik 30 vjet, është në fund e kuptueshme të thotë tani “Po ik tani se po i hipi këtij kalit tjetër një herë të shoh se ku po më çon’’. Edhe kali i PS do ta çojë Shkodrën shumë larg. Nuk mund t’i them askujt tjetër në asnjë qytet që s’keni parë gjë akoma se në fakt kanë filluar të shohin gjërat, po në Shkodër vërtetë s’kanë parë gjë akoma dhe kam shumë besim që do të bëjmë shumë gjëra të bukura se pse ka shumë gjëra të bukura për të bërë këtu dhe sidomos, ka një gjë Shkodra që nuk e kanë shumica e qyteteve tona për hir të së vërtetës, që ka shumë thesare të fshehura në pluhur, kulturore, qe duke i nxjerrë, duke i evidentuar, duke i përdorur për ekonominë përmes turizmit, mund ta bëjnë Shkodrën një destinacion ekstra pikërisht edhe për këtë pjesë. Dhe prandaj në Shkodër kemi nevojë të ndërtojmë e të hapim të tjera dyer kulture, Shkodra duhet të ketë patjetër një pinakotekë, një muze të pikturës sepse Shkodra është i vetmi qytet në Shqipëri që ka një traditë të pikturës që është e njehsuar me traditën e pikturës shqiptare. Piktorët e parë të Shqipërisë dhe piktorët e parë të traditës së krejt vendit, janë në fakt pjesa dërrmuese dhe ata më kryesoret janë piktorët e parë të Shkodrës dhe ky është një aset.
Nejse, nuk po zgjatem më tutje me këtë pjesë. Besoj që punët kanë filluar të flasin vetë. Sapo kanë filluar të belbëzojnë në fakt, por belbëzimi i punëve tona është gati, gati ulërimë në krahasim me ulërimat e tyre që arrinin kulmin kur hidheshin ato molotovët. Është e sigurt që ne do të përdorim fishekzjarrë në Shkodër për Vitin e Ri shumë të bukur, por molotovë maksimumi mund të dalë ndonjë nga ato rezervat që kanë mbetur nëpër këto xhepat e këtyre që ju kanë rënë pantallonat.
Për të ardhur tek situata e përgjithshme unë besoj që pa rënë në asnjë lloj kurthi vetëkënaqësie apo vetëpëlqimi, ne mund të themi me plotë gojën që tanimë kanë filluar të marrin formë frytet e një pune dhe e një përpjekje dhe e një rruge të vështirë 10 vjeçare dhe besoj që duhet të jesh komplet i padisponueshëm për të pranuar t’i thuash dritës, dritë apo ditës, ditë që të mohosh flaktin që një vend si Shqipëria, i cili arriti aty ku arriti, gati në buzë të humnerës dhe të cilin ne e morëm përsipër të drejtojmë në kushte jashtëzakonisht komplekse dhe të vështira me shumë plagë, të arrijë në një vit si ky, thuajse 10 milion turistë është i mjaftueshëm si fakt për të kuptuar tanimë që Shqipëria është në një nivel tjetër.
Nuk është kjo maja ku ne duhet dhe do ta ngjisim Shqipërinë në 2030 sepse ka shumë akoma nga çfarë kemi mbjellë që duhet ti korrim hap pas hapi, me reforma e me investime dhe me ndryshimet e ndodhura, por Shqipëria është sot në një nivel të ri. Edhe po të shohësh vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, flas për institucione financiare ndërkombëtare edhe po të shohësh disa shifra domethënëse, të thjeshta, provohet kjo që po them. Shqipëria ka kaluar situata shumë të vështira, jashtëzakonisht të vështira. Një pjesë të tyre i ka kaluar gjithë bota, një pjesë tjetër si tërmeti, e kemi kaluar vetëm ne dhe në ato situata rritja e borxhit ishte e pashmangshme, por ama në një kohë kaq të shkurtër, se nuk kanë kaluar 30 vjet nga tërmeti dhe nuk kanë kaluar 20 vjet nga pandemia, ndërkohë që efektet e luftës në Ukrainë dhe goditja e çmimit të energjisë globalisht dhe goditja e çmimeve në tërësi nuk ka ndodhur para 10 vjetësh, ka ndodhur thuajse dje.
Megjithatë ne sot që flasim konkretisht shohim rënien e borxhit publik me thuajse 15 %. Pra jemi në rreth 60 % borxh publik nga 74%– 75% që ishim deri përpara pak kohe. Ndërkohë që nga ana tjetër kemi rritur volumin e investimeve dhe do të vazhdojnë ta rrisim dhe kemi mbajtur inflacionin më të ulët në rajon nga të gjitha vendet e rajonit dhe vitin e ardhshëm, rreth mesit të vitit inflacioni do të stabilizohet plotësisht duke u kthyer në normat e përpara luftës. Kemi sot një monedhë jashtëzakonisht të fortë për shkak të faktit që jemi ngjitur në një nivel të ri. 400 mijë lekë është paga minimale në Shqipëri, por para 2 vjetësh edhe më pak nuk ishin 400 euro, sot janë 400 euro sepse është forcuar dhe ka qëndruar jashtëzakonisht mirë monedha vendase dhe kjo është shumë domethënëse, por mbase më domethënësja nga të tëra, sepse është në fund të fundit diçka që e verifikon kushdo, nuk është një shifër që e dëgjon, është që në buxhetin e viti të ardhshëm që ka kaluar në parim në Parlament përmes dhe për të cilin jemi përpjekur të flasim jashtë Parlamentit sepse e keni parasysh që në Parlament është një hall tjetër shumë i madh, i dikujt thonë, por nuk është vetëm njëri, janë disa, me drejtësinë që e ka marrë në një farë mënyrë peng përkohësisht Parlamentin me akte që zakonisht i bëjnë njerëzit kur dalin nga kontrolli, pra nuk kemi mundur ta diskutojmë në parlament dhe ta themi në Parlament, por e kemi thënë sa kemi mundur jashtë Parlamentit që kemi 400 milion euro vetëm për rritje pagash. Që do të thotë pas rritjes së bërë këtë vit, vitin e ardhshëm do të bëjmë një rritje shumë më të konsiderueshme për mjekët e përgjithshëm, sepse mjekëve specialist ia kemi rritur konsiderueshëm, për mjekët e përgjithshëm, për infermierët, për punonjësit e policisë, për Forcat e Armatosura dhe për të gjithë punonjësit e tjerë të shtetit shqiptar, që për mësuesit do ta çojë pagën mesatare në mes të vitit të ardhshëm në 900 euro. Tani që Shqipëria të ketë një pagë mesatare 900 euro nuk është ndonjë mrekulli, sepse synimi ynë është që ta rrisim edhe më tepër, por që krahasuar me jo shumë, po pak vite më parë, paga mesatare 900 euro do të dukej diçka komplet elektorale, në kuptimin e një nga ato premtimet si rruga Dukagjinit që ia bënin Shkodrës sa herë që vinin për fushatë ata që ia morën votën për 30 vjet dhe jo rrugën e Dukagjinit që nuk e filluan, por edhe rrugët brenda Shkodrës harruan t’i asfaltojnë. Kjo do të sjellë përsëri një rritje pagash në sektorin privat, siç ndodhi këtë vit, që pagat në sektorin privat janë rritur, si rezultat i nxitjes që i bëri qeveria, duke rritur sektorin publik dhe faktikisht ne tani kemi hyrë në një situatë goxha stimuluese për pagat në sektorin privat dhe jam i bindur që sezonin e ardhshëm turistik do t’i çojnë paganë pagat në industrinë e turizmit në nivele ende më të lartë, janë në nivele të larta sot që flasim. Fatkeqësisht pasi kemi ulur informalitetin në një masë të konsiderueshme në paga, kemi përsëri një rikthim të informalitetin si pasojë e rritjes së pagave, ku një pjesë jepen në dorë dhe pjesa tjetër deklarohen, por është fakt që sot në industrinë e turizmit pagat janë mëse konkurse, me vendet e tjera për të gjithë ata që janë të gatshëm të punojnë në atë industri që nga kamerierët deri te menaxherët, mëse konkurse. Madje problem kryesor i industrisë sot nuk është sa do të jap pagën, po sa njerëz kam që janë të gatshëm që të punojnë për mua në kategoritë e ndryshme të shërbimit që ka struktura ime mikpritëse.
Këtu lind patjetër nevoja për të rritur ne, flas për qeverinë, bashkitë, për të rritur këmbënguljen tonë për të çuar sa më shumë në veshin e prindërve që kanë fëmijë në fund të 9 vjeçares dhe në shkollë të mesme, mesazhin që nëse fëmijët nuk kanë një prirje të fortë për të mësuar, është gjynah, shumë gjynah ndaj tyre që t’i mbash me zor në shkollë të mesme të përgjithshme dhe të mos u japësh arsim profesional, mos u japësh një zanat. Kjo është një kohë që gjithmonë e më shumë do të jetë një kohë e artë për ata që kanë zanate, jo këtu, po kudo. Po këtu, flasim për këtu sepse këtu ata që kanë zanate dhe ata që marrin zanate kanë shansin që jo thjesht të shpresojnë në hava, po kanë shansin që realisht të kenë në pak vite një pagë e cila për atë lloj pune, nuk bën diferencë në fund të muajit nga paga që mund të marrin duke ikur pas Berihait në Gjermani e ku di unë, për të filluar nga e para çdo gjë. Në fund të muajit domethënë që sot atyre që bëjnë një punë të zakonshme në Gjermani apo kudo qoftë, por po marr Gjermaninë, nuk i ngelet gjë në fund të muajit sepse shpenzimet, kostoja e jetesës është rritur në mënyrë marramendëse dhe që nga pagesa e apartamentit deri te të gjitha pagesat e tjera, një mal me letra që vijnë në fund të muajit si detyrime, bëjnë që thjesht dhe vetëm ti jeton patjetër jeton normal, por nuk ke asgjë në anë dhe ky është fakt. Nuk është një opinion i imi. Dhe nuk flas këtu për ata që bëjnë punë specifike, të veçanta, s ‘flas këtu për shkencëtarë, nuk flas këtu për mjekë që akoma diferenca është e ndjeshme, flas për të gjithë ata që marrin rrugën mbas Berihait dhe po bëjnë një punë të zakonshme. Nuk merr në ndërtim, po ju marr ndërtimin, nuk merr në ndërtim kudo qoftë sot, në Europë flas, një pagë të atillë, që në fund të muajit ti të kesh mundësi të bësh çfarë bëhej deri 5-6 vjet përpara. Ka ndryshuar struktura komplet dhe nuk është më ajo Europë që ka qenë, nga kjo pikëpamje. Është shumë më e shtrenjtë. Është shumë më stresuese dhe pa diskutim që, nuk po fus këtu komponentin psikologjik se tjetër është që të jetosh mirë dhe në fund mos të të mbetet gjë veç, në një vend ku s’ke rrënjë. Tjetër është që të jetosh mirë dhe në fund mund të mos mbetet gjë veç, nëse mbetesh në atë nivel, në një vend ku ke rrënjët.
Nxitja për arsimin profesional është jetike për ne se nëse ne duam të bëhemi kampionë të këtij rajoni në turizëm dhe do të bëhemi kampionë të këtij rajoni në turizëm. Në vitin 2030 ne do të jemi pa diskutim një vend që do jetë ndër xhevahiret e kurorës së Mesdheut për turizmin. Jemi futur në Champions League tani. Konkurrenca është shumë e fortë, por ne do bëhemi ama që ta arrijmë këtë, është jetike që të kemi jo vetëm investime shumë më tepër për turizmin, që janë jetike, të cilësisë së lartë se na duhet të sjellim turistë që konsumojnë shumë kur vijnë këtu, jo thjesht dhe vetëm ata që vijnë me çanta në krahë për tu ngjitur në Theth. Ata janë në rregull, por nuk është ajo e ardhura më e madhe. E ardhura më e madhe vjen nga ata që vijnë dhe harxhojnë shumë dhe që kanë nevojë për të tjera struktura mikpritjeje dhe kanë nevojë për tjetër lloj shërbimi dhe për ta bërë këtë, duhet të kemi shumë krah pune të kualifikuar të njerëzve tanë. Prandaj ju them të gjithë prindërve që i kanë fëmijët nëpër shkolla 9-vjeçare në fund, apo në gjimnaz dhe që i kanë me nota që nuk tregojnë që fëmija do të bëhet shkencëtar, se nuk do të bëhen të gjithë shkencëtarë, që t’i orientojnë fëmijët në këtë moshë që ta marrin një zanat. Pastaj mundësia që të shkojnë në një shkollë të lartë, nëse duan, përsëri është e hapur. Nëse në një moment të caktuar duan të mësojnë më shumë dhe të shkojnë në një shkollë të lartë, mund të shkojnë, por ama ta marrin një zanat. Ta kenë një mundësi dhe zanati nuk të bën thjesht dhe vetëm punëtor për dikë, por plot prej atyre dhe shumica dërmuese e atyre që në Europë bëhen biznese të vogla, vijnë nga ata që vijnë nga zanatet. Se ti merr një zanat për hidraulik. Mund të jesh thjesht një hidraulik i një kompanie, por mund të hapësh një kompani tënden të vogël, mund të bësh një shërbim tëndin në një qytet, në një zonë e të tjera. Pra, duke i dhënë fëmijës një zanat, i jep një armë për të përballuar jetën pa qenë rrezik të mbetet krejt jashtë rrugës së punës ndershme në pamundësi për të ofruar ai ndonjë dije. Ose do të ofrosh një dije të lartë për të cilën ka nevojë shoqëria dhe ekonomia, ose do ofrosh një aftësi tënden që të jesh pjesë e tregut.
Ka dhe shumë gjëra të tjera për të thënë, por një gjë ndër to për të mos ju marrë shumë kohë, është themelore që unë besoj se ne kemi bërë dhe po bëjmë shumë gjera të mira ashtu sikundër kemi bërë dhe gabime e të tjera, por të gjitha këto gjëra që kemi bërë do të ishin jo domethënëse për hir të së vërtetës për këtë fazë të historisë së Partisë Socialiste dhe për këtë fazë të historisë së vendit, nuk do të kishin ndonjë domethënie të madhe, të plotë nëse në krye të këtyre gjërave ne nuk do të kishim bërë atë që nuk e ka bërë askush për 1001 arsye qysh nga viti 1912. Hapjen e rrugës që edhe në Shqipëri edhe për shqiptarët të ketë një drejtësi e cila nuk pyet se si quhesh, nuk pyet a je me pushtet, a je pa pushtet dhe që ka kapacitetin të preki çdokënd sado pushtet të ketë nëse duhet të japë llogari para drejtësisë. Kjo është diçka themelore për historinë e këtij vendi dhe kjo është diçka që jo vetëm duhej, por mund ta bënim Jo vetëm duhet, por mund ta bëjmë vetëm ne sepse kjo është një nga ato gjëra që përveç Partisë Socialiste askush nuk i imagjinon dot, jo t’i marrë përsipër dhe për këtë, unë jam i bindur që kushdo që është pjesë e kësaj partie apo kushdo që e ka votuar apo e voton këtë parti, duhet të jetë krenar sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij shteti që njerëz të veshur me pushtet, njerëz të lidhur me pushtetin të shkojnë përpara drejtësisë dhe që pushteti ekzekutiv apo legjislativ ta lërë drejtësinë të ketë duart e lira, nuk ka ndodhur.
Nuk ka ndodhur kurrë që njerëz me pushtet të përgjigjen përpara drejtësisë sepse asnjëherë pushteti nuk ka pasur vullnetin që t’u heqë duart nga kontrolli i drejtësisë dhe këtë nuk e bën dot askush, asnjë forcë e jashtme sepse keni dëgjuar që thonë “E bëri Amerika”. Amerika këtu ishte që në ’91. Edhe Bashkimi Europian ishte këtu që denbabaden dhe kanë dashur patjetër që të ndodhë kjo, por që të ndodhë kjo duhet të kesh forcën që e bën në vend. Kjo nuk është një reformë dhe ky nuk është një ndryshim që sillet me aeroplan. Ky është një ndryshim dhe kjo është një reformë që ndodh vetëm nëqoftëse një forcë brenda vendit ka fuqinë dhe vullnetin që ta bëjë të ndodhë dhe patjetër pastaj, ata nuk diskutohet që janë mbështetje dhe nuk diskutohet që pa mbështetjen e tyre, kjo nuk mund të ndodhte po ashtu sepse ne mund ta kishim gjithë vullnetin, dëshirën, por duhej mbështetja e tyre. Duhej mbështetja e tyre që të ndodhte ajo që ndodhi kur u votuan ndryshimet që i hapën rrugën reformës në drejtësi që donin 94 vota dhe unë nuk kam qenë në parlament shumë mandate si Klosi, por unë nuk kam parë ndonjëherë tjetër deputet që të ngrenë kartonin jeshil lart dhe ta mbajnë kokën poshtë, përveçse në atë rast, që e votuan reformën në drejtësi, duke kërcyer si prifti dhe hoxha bashkë, patjetër.
Por ama, nëse sot, ne shohim atë që shohim, ky është rezultat i angazhimit që kemi marrë ne përpara njerëzve dhe i vullnetit tonë, është rezultat i ekzistencës së Partisë Socialiste në krye të punëve të këtij vendi dhe asgjëje tjetër.
Natyrisht që nuk është diçka e gëzueshme, fare, kur ti je i detyruar të shohësh gjëra që nuk do doje të shikoje, njerëz me të cilët ke bashkëpunuar, që i ke pasur afër e të tjerë, që duhet të përgjigjen përpara drejtësisë, por kjo është ajo që sjell tërheqja e duarve nga kontrolli i drejtësisë dhe kjo është themelore për fëmijët tanë; një Shqipëri me të gjitha të tjerat patjetër që është një Shqipëri më e mirë sesa ajo që kishim por një Shqipëri pa këtë nuk është një Shqipëri për fëmijët tanë.
Me këtë pjesë unë dëshiroj që, ose më saktë, mendoj që ta mbyll këtë fjalë për të mos ju mbajtur më gjatë edhe pse do më pëlqente të vazhdoja të flisja sepse ka shumë gjëra për të thënë këtu në Shkodër por unë kam shumë besim që ne do të bëjmë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë sepse kemi eksperiencën, kemi vullnetin dhe mbi të gjitha sepse ne kemi një emër shumë të madh për të lartësuar që është emri i Partisë Socialiste.
Në mbyllje, dua t’i kthehem edhe njëherë bashkisë së Shkodrës për një arsye që ka të bëjë me mënyrën sesi ne duhet ta shikojmë Partinë Socialiste në këtë kohë dhe për të nesërmen. Do ta kujtoni të gjithë shumë mirë që ajo që po ndodh me atë partinë tjetër që është ndarë në copa dhe në çika dhe do të ndahet edhe më shumë, ne na jep një mesazh shumë të qartë, që ne do të kujdesemi që të bashkojmë sa më shumë njerëzit e zakonshëm. Shkodra është shembulli se si dhe pse ndarja nga lart-poshtë me kast, me këmbëngulje dhe me cinizëm i njerëzve të zakonshëm dhe vendosja e barrikadave në çdo lagje, në çdo gardh, duke i ndarë njerëzit tanët dhe të tyret është komplet në dëm të njerëzve vetë.
Nga kjo ndarje, në Shkodër kush përfitoi? Ja ku është, qyteti që e pësoi duke e besuar, fatkeqësisht, këtë lloj qasjeje politike dhe ja ku është partia që e ushqeu këtë qasje.
Të dyja, edhe qyteti edhe partia që ushqeu atë qasje, sot janë pasqyrë e faktit që këtë e pësuan vetëm njerëzit, e pësuan ata që besuan, e pësuan edhe ata të tjerët që nuk e besuan atë gjë, por nuk kishin çfarë bënin tjetër dhe ne, në këtë fazë kemi detyrën e madhe që të jemi një parti që integron dhe madje-madje të mos e shohim veten si një parti, por ta shohim si një hapësirë për të integruar njerëzit. Nuk ka ndodhur në bashkinë e Shkodrës ndonjë revolucion në aspektin e heqjes së njerëzve dhe unë shpresoj të mos ndodhë.
Ia kam thënë Benetit që ditën e parë “Mos bjer në kurthin që të heqësh njerëz se duhen hequr ata e të sjellësh njerëz se duhet të vijmë ne”. Jepi kohë vetes dhe vlerëso njerëzit për atë që janë. Kush është i zoti dhe kush mund ta mbulojë detyrën aty, nuk ka pikë rëndësie se ka votuar 30 vjet apo ka qenë 30 vjet apo mund të jetë dhe akoma. Tani do e ketë problem se me kë do jetë nga ata, që duhet të jetë, por nuk ka pikë rëndësie. Në fund të fundit, këtë ka bërë shumica këtu dhe si mund t’i fajësosh njerëz që janë aty dhe bëjnë punën e tyre dhe nëse nuk e kanë bërë punën e tyre si duhet nuk kanë pasur cfarë pune të bëhet siç duhet sepse aty nuk e kanë bërë punën siç duhet ata që kanë qenë në krye”.
Mjafton të shohësh godinën e bashkisë dhe e kupton shumë mirë se kush ka qenë në krye aty.
Atyre njerëzve të gjithëve u duhet dhënë mundësia që ta tregojnë veten se janë të zotë ose jo.
Nga ana tjetër, ata që duhet të integrohen në punën nuk mund të jenë thjesht ne. Jo, sepse midis asaj “Ne”-së së ngushtë të partisë dhe atyre marrë ngushtësisht si një parti tjetër ka një zonë të tërë me njerëz që janë të shkolluar, që janë të zotë e të tjerë që nuk janë të detyruar që të jenë ose ne, ose ata që të kenë shansin e tyre për të kontribuar për qytetin apo për vendin. Nuk janë të detyruar sepse përndryshe i bie që ne jemi të destinuar të përfundojmë keq, njësoj siç përfunduan ata të tjerët.Besojeni këtë gjë.
Ne nuk mund ta atrofizohemi duke qenë të mbyllur, duhet të hapemi vazhdimisht dhe bashkia e Shkodrës sot është një test shumë i rëndësishëm për këtë. Edhe për këtë. Dhe mua më vjen shumë mirë që deri tani nuk ka ndodhur kjo gjë dhe unë shpresoj që uroj që nuk do të ndodhë kjo gjë, jo thjesht se Beneti është demokrat, se këtë e dimë, por ky është një shembull i mirë në fakt. Ja, një demokrat që kuptoi se me kë duhet të bëhet që të bëjë punë. E kuptoi ai, ai po të ishte për zemrën, kishte ikur 7 herë, kishte kandiduar me ata të tjerët, po nuk është budalla shyqyr, se po të ishte budalla si shumë të tjerë, do shkonte e të kandidonte atje, po nuk është. Me kë? Për çfarë? Për të mos bërë asgjë. Po iu dha mundësia! Bravo. Po kush ia dha mundësinë? Ia dhamë ne dhe imagjino ta kishim dhënë këtë mundësi në vend të atij. Ti je i mirë për të bërë atë punë që bën, por jo për të bërë atë punë që bën Beneti.
Kështu që, ne duhet të jemi aq te zotë sa të kuptojmë që çdo njeri në këtë vend që flet shqip, që jo që ka mësuar shqip, por që flet shqip, që është shqiptar, nëse është i zoti të bëjë një punë, është i joni. Edhe kur ai s’e di që është i joni, ne duhet t’i shkojmë t’i themi “ore, ti je i joni’’.
Edhe kur ai s’do që të jetë i joni, ne kuptimi e asaj ‘’ne”-së së ngushtë, ne s’kemi problem, se ne kemi dy nivele: jemi ne Partia Socialiste, por jemi dhe ne shqiptarët kështu që ok, s’ka problem.
Beneti s’e ka marrë akoma teserën dhe as ka për ta marrë. Po nuk ia dha Elisa me zor, Beneti s’ka për ta marrë. Po ia dha Elisa me zor, do ta marrë do ta fusë në sirtar ta ketë gati që kur të ikë, t’i thotë Elisës “ Ke harruar këtë tek zyra ime’’.
S’ka problem. Nuk ka asnjë problem për ne kjo, kështu duhet të jetë. Ky është normaliteti, Beneti në fund të fundit mund të mos e marrë teserën, po Beneti nga ne nuk ndahet më dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.
Kemi marrë një shqiptar të zotin më shumë jashtë mureve tona dhe kështu, me këtë logjikë duhet të punojë PS sipas atyre shtyllave të Sekretarit të Përgjithshëm pas Kongresit që të jetë e hapur për sa më shumë të tjerë që janë të gatshëm dhe që kanë mundësinë të bëjnë diçka më shumë për ketë vend se në fund të ditës, mos e harroni kurrë, Partia Socialiste nuk është 70, 80 apo sa janë anëtarë nëpër regjistra, 100 mijë thotë Klosi, po një pjesë e tyre janë digjitalë. Nuk është aq. Është 800 mijë.
Tani, nga ata 800 mijë, votat e të cilëve, këtu në Shkodër PS fitoi mbi 60% apo jo? 61. Tani, i njihni ju të gjithë ata? Jo.
Atëherë cilido prej tyre që e dha votën, nuk e meriton ai një shans, megjithëse ju nuk e njihni? E meriton. E meriton patjetër. E meriton një shans që ta dha votën se beson tek ato që dëgjon edhe do edhe ai një shans.
Dhe në kushtet kur ata të tjerët nuk japin më asnjë arsye për asnjë njeri normal, që t’u shkojë nga prapa, ça do bëhet me këta njerëz normalë? S’po flas për ata që thonë “bravo” kur ndizet ajo shashka. Por flas për ata tjerët. Çfarë do bëhet me ata? Do jenë të pa përfaqësuar? Në asnjë mënyrë jo. Por kjo nuk është me fjalë. Kjo është me shembuj sepse është e vështirë për ata të besojnë që çfarë po them unë tani, është e vërtetë. Duhet ta prekin që ta besojnë. Se në fund te ditës, Shqipëria nuk është vendi i Jezu Krishtit. Është vendi i Shën Tomës qe pa prekur nuk besonte. Apo jo?
Kështu që, duhet me i dhënë mundësinë të gjithëve që ta prekin gjënë që ne flasim, edhe për këtë unë besoj që bashkia e Shkodrës e ka ekstra detyrë këtë gjë që të jetë në vijimësi një pikë referimi, ku asnjë qytetar demokrat, që nuk na voton ne, por që është njeri normal – dhe ata janë 99% njerëz normalë, tjetër gjë që kanë një mekanizëm që anormalët i nxjerrin në krye, dhe prandaj përfunduan aty ku përfunduan. -që nga anormalët që nuk flenë asnjë sekondë se kanë hallin e drejtësisë tek anormalët që flenë gjumë edhe zgjohen një herë në vit dhe thonë ‘’jam dhe unë këtu’’, po të dyja janë anormalitete. Po ata 99% janë njerëz normalë.
“Kam kaq vjet që dua të të jap një kafe”, – më tha njëri atje në rrugë. Në fakt jo, tani ai do të të më japë një kafe mua, se e pa që djalli nuk është aq i zi sa duket.
Faleminderit!