Partia Socialiste e Shqipërisë

Londër, me shqiptarët emigrantë të Britanisë së Madhe, Krenarë për Shqipërinë

Në një bashkim flamujsh kuqezi, shqiptarët që jetojnë e punojnë prej vitesh në Britaninë e Madhe u mblodhën sot në Londër në një takim me Kryeministrin Edi Rama.

“Ne së bashku do të kërkojmë nga ky dhe nga çdo vend vetëm respekt për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë dhe jashtë pragut të shtëpisë.” – iu drejtua kryeministri të pranishmëve ndërsa theksoi se “Ju sot nuk jeni thjeshtë bashkëatdhetarë jashtë atdheut me të drejtë vote në Shqipëri, por jeni votues që për herë të parë do të mund të merrni pjesë në zgjedhjet politike të Shqipërisë, duke e gëzuar dhe ushtruar të drejtën e votës nga këtu ku jeni.”

* * *

Faleminderit dhe mbase nuk më takon mua, por duke qenë se u bëra unë shkak që të vini ju sot këtu në një ditë pushimi, dua t’ju kërkoj ndjesë për një grusht “të verbërish” atje tek dera që të nxitur nga “të verbrit” në Tiranë kishin marrë me vete librin e shtëpisë tonë dhe e bërtisnin aty përballë.

Megjithatë, me keqardhje, por pa asnjë dyshim me vetëdijen që edhe ata janë pjesë e familjes sonë të madhe, unë kam besim se kjo ndasi e vjetër është drejt fundit të saj.

Po vija këtu dhe po bëja bashkë mendimet për të ndarë me ju, mu kujtuan fjalët e asaj politikanes britanike dhe besoj që e mbani mend të gjithë, ish ministre e brendshme e këtij vendi përpara, pak a shumë një viti dhe më detyroi që të kujtoj se përpara disa ditësh këtu erdhi për një takim partia tjetër, ajo parti që nxit të tilla akte anti-shqiptare në tokë të huaj dhe kishin çuar një ftesë për ambasadorin tonë. Ambasadori ktheu përgjigje se ishte i gatshëm të shkonte në takim dhe pastaj ata nuk u bënë më të gjallë.

Por për t’u kthyer tek biseda, po thosha që ju e mbani mend të gjithë një ish/ministre të brendshme të këtij vendi përpara një viti, pak a shumë, një tip që u bë mishërimi i politikës djallëzore të diskriminimit etnik, duke na treguar me gisht ne shqiptarët si një rrezik për Mbretërinë e Bashkuar. Pa pikën e drojës ajo zonja doli në parlamentin britanik dhe tha se çka po ndodhte në kufirin e këtij vendi me prurjen e shqiptarëve ishte një pushtim i Britanisë së Madhe, na bëri pushtues sikur shqiptarët të ishin ushtarë të një armate zaptuesish dhe plaçkitësish të këtij vendi dhe jo pjesë e masës njerëzore që dhe sot e kësaj dite i punon këto toka dhe ndërton në këto toka.

Zonja na quajti pushtues, a thua se kishim ardhur për të kërkuar kokën dhe kurorën e mbretëreshës dhe jo për të punuar me kokën ulur dhe me kurorën e djersës rreth ballit, duke ndihmuar edhe ekonominë britanike, e cila vuan gjithnjë e më shumë për krah pune. U ngritën dhe ca të tjerë pas zonjës dhe na treguan me gisht sikur ishim viking me shpata edhe me sëpata në duar, jo karpentier, murator, bujq, shoferë, kamionistë, recepsionist, pastrues, burra të gatshëm për çdo punë dhe minoren ëndërrimtarë për çdo majë. Dhe ambasadori ynë këtu në Londër është njëri prej tyre. I ardhur që i vogël me gomone dhe i rritur dhe i bërë burrë në korridoret e shkollave dhe universiteteve më prestigjoze britanike nga ku doli me rezultate të larta për t’u integruar denjësisht në shoqërinë e këtushme.

Edhe shqiptari nga Malësia e Madhe që bëri shoferin për mua këtë herë, ka ardhur me kamion nga Italia, 28 orë i mbuluar mes mallrave, ndërsa sot ka një kompani private sigurie me 120 punonjës, jo veç shqiptarë, por edhe anglezë, portugezë, polakë, italianë, pakistanezë, indianë. Ai nuk është ‘’pushtues’’, ai është një kontributor në këtë vend dhe për këtë vend dhe kur isha disa kohë më parë në Londër për të folur në emër të Shqipërisë, për ju të gjithë, ndodhi diçka që për mua ishte e këndshme, por për truprojat angleze që qeveria britanike kishte vënë në dispozicion, ishte shumë e çuditshme.

Hyj në hotel sapo arrita dhe u ula të marr një kafe, vjen kamarieri dhe më flet shqip. Truproja e sheh dhe unë i them: Don’t worry, I’m home’’.

Dhe ka ndodhur tamam kështu, dal të nesërmen në mëngjes dhe tek dera e hotelit dëgjoj nga lart britma “Edi Rama, Edi Rama’’. Truprojat u vunë në lëvizje, unë ngrita kokën dhe shoh atje lart tre punëtorë në skela, tek godina ngjitur. Ata në shqip; “Kthehu për një kafe, o burrë nga ora 4’’.

Unë i kthehem truprojës dhe i them prapë ’’ Don’t worry, I’m home’’.

Po kulmi ishte në parlamentin anglez mu tek dera. Një roje i parlamentit; ‘’Ku je, bre Kryeminsitër? Mirë se ke ardhur në Londër’’.

Aty i them truprojës: “Are you from Albania too, my friend’’?

Po çfarë të thuash? Këto janë kohët. Kohët në të cilat jeton bota dhe ne shqiptarët bashkë me të, por ama një gjë është e sigurtë, ajo teta që ju drejtonte ju me gisht, iku nga pushteti bashkë me shpurën e saj kurse ju ja ku jeni. Jeni këtu ku ishit, shqiptarët e Europës në Londër, qytetarët e botës që më në fund sot emri Shqipëri ju bën krenarë edhe këtu në Angli.

Në retorikën e ashpër të politikës, këtu apo gjetkë në Europë, ku, kur më të mëdhenjtë si i thonë asaj fjalës sonë “s’kanë ç’i bëjnë gomarit e i bien samarit’’, shqiptarët janë thjesht viktimat e verbërisë së luftës për pushtet. Ajo lloj retorike nuk deformon vetëm të vërtetën, por edhe mjegullon të tashmen dhe të ardhmen. Harrohet rëndom historia, e cila mes Shqipërisë është, jo thjesht shumë më e gjatë sesa mandatet e qeverive të radhës, por edhe shumë më e mprehtë në domethënien e saj sesa sëpata e vërbërisë politike që pret sa andej-këtej për të zgjeruar hapësirën e influencës elektorale.

Harrohet për shembull që kur bie fjala për udhëtarët pa viza, prurja e parë që njeh historia mes nesh, ka ndodhur në drejtimin tjetër, jo nga Shqipëria për këtej, po nga këtej për në Shqipëri, jo me varka, por me mushka, jo përmes dallgëve, por përmes maleve. Ishte koha kur Lord Bajroni, Edward Lear, Edith Durham udhëtonin drejt trojeve shqiptare, zbulonin mrekullitë e vendit tonë dhe largoheshn të frymëzuar nga bukuria e natyrës, kostumet dhe doket e popullit tonë, por mbi të gjitha nga veçoritë fizike dhe shpirtërore të shqiptarëve.

‘’Më pëlqejnë shumë shqiptarët ‘’ – i shkruante Lord Bajroni së ëmës nga Preveza në 12 nëntor 1912.

‘’Ata nuk janë të gjithë turq’’, ai e kishte fjalën për fenë. –“Disa fise janë të krishtera, por feja e tyre bën shumë pak ndrysim në sjelljen apo në qëndrimin e tyre. Jo më shumë se një javë më parë një kryetar shqiptar pasi na ndihmoi të dilnim nga një anije turke në vështirësi, na ushqeu dhe na strehoi mua dhe shoqëruesit e mi. Refuzoi çdo shpërblim përveç një letre ku thuhej se isha pritur mirë. Ngula këmbë që të pranonte disa monedha por jo, u përgjigj ai. Dua që të më duash, jo t’më paguash’’.

Sa mirë do ishte sikur ne që i kapërcyem malet dhe detet për t’u dashur me po atë dashuri që e deshëm Europën dhe jo thjesht për t’u paguar për punën dhe kontributin tonë në shoqërinë europiane, të mos kishim qenë të detyruar gjatë gjithë këtyre dekadave të vuanin njollosjet etnike dhe të duronim poshtërimet antidemokratike, të cilat i sfiduan dhe i sfilitën shqiptarët në rrugën e tyre të bashkimit me Perëndimin e shumë ëndwrruar.

Bajroni u mahnit nga heroizmi dhe krenaria e shqiptarëve.

Edith Durhami u bë një nga zërat më të fortë për mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Edward Lear la në histori piktura të bukura të qënies së Shqipërisë mesdhetare.

Ata dhe të gjithë britanikët që erdhën në Shqipëri në harkun e kohëve, ishin dëshmitarë të mikprtijes së një populli që dinte si pakkush të nderonte miqtë dhe të dallonte armiqtë. Një popull që kurrë nuk ka luftuar me popuj të tjerë në tokën e tyre. Një popull që kurrë nuk u ka mbyllur derën të tjerëve kur kanë kërkuar mbrojtje. Një popull që megjithëse në shumicë myslimane i dha Shqipërisë kurorën e artë të nderit kur pas Luftës së Dytë Botërore, vendi ynë i vogël kishte më shumë hebrenj se përpara saj sepse shqiptarët pa dallim feje, u bënë ëngjëjt mbrojtës të hebrenjve dhe nuk ia dorëzuan hebrenjtë nazistëve siç bënë plot të tjerë.

Disave prej jush, edhe këtu në Britani u është dashur të fshehin identitetin e tyre. Disa të tjerëve të bëjnë punë që nuk i kishin parë as në ëndrrën më të keqe kur morën rrugën për këtej, ndërsa disa ende sot kalojnë vështirësi burokratike për regjstrimin e fëmijve në Shqipwri, pasi tjetër emër kanë në pasaportën angleze, e tjetër duan të kenë në certifikatën e lindjes shqiptare.
Ne do të ndërmarin së shpejti një nismë ligjore për regjistrimin pa telashe në Shqipëri të të gjithë fëmijëve të prindërve që u regjistruan si kosovarë këtu në Angli dhe po ashtu do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike pranë qeverisë së re britanike për t’ju mundësuar të gjithëve ju, që keni një emër nga ajo kohë, rikthimin e emrit të babës dhe të nënës, në të gjitha rastet kur ju e dëshironi këtë.
Ishte viti i egër 1999, ku refugjatët nga Kosova u dyndën drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar ‘’stuhisë’’ mizore të spastrimit etnik që ngriti kasapi i Beogradit. Populli shqiptar endej i plagosur nga ‘’tërmeti’’i piramidave famëkëqia të ’97, u ngrit në këmbë për ta mikpritur, strehuar dhe mbrojtur çdonjërin prej gjysmë milioni të shqiptarëve të Kosovës, të cilët sosën në vendin tonë me zemrën e djegur nga flakët e shtëpive dhe veç me rrobat e trupit.
Ishte pikërisht në atë kohë kur shumë prej nesh, që iknin nga gërmadhat e piramidave, udhëtuan drejt Britanisë së Madhe, ku u regjistruan si refugjatë politikë nga Kosova për të fituar letrat e qëndrimit dhe të drejtën për të punuar. Sot është kollaj të thuhet që ata nuk duhet të ishin fshehur në radhët e refugjatëve politikë dhe duhet të kishin qenë të sinqertë drejt statusit të tyre si emigrantë ekonomikë. Sot është kollaj të thuhet se ata abuzuan me sistemin e këtushëm, duke ndërruar emër dhe mohuar vetveten në emër të nevojës për t’u paguar nga një punë sado e vështirë dhe ndërtuar një jetë sadopak më të mirë, por vetë ndarja mes refugjatëve politikë dhe atyre ekonomikë, jo thjeshtw në kushte si ato të atij viti e të asaj kohe, por në çdo kohë, është vetëm një mjet për të justifikuar përjashtimin shoqëror dhe për të ushqyer politikën e frikës nga tjetri në një Europë që është e kapur moralisht në kurthin e politikës dritëshkurtër të zgjedhjeve të radhës. Ju shqiptarët e Britanisë së Madhe keni përfituar nga ky vend më pak sesa ka përfituar ky vend nga ju dhe kjo nuk është një retorikë është një e vërtetë që vlen për të gjithë shqiptarët e Europës, të cilët sot janë krenaria kombëtare e një Shqipërie e cila më në fund ka nisur t’iu bëjë edhe ju krenar në sytë e Europës, siç ju e bëni krenar Shqipërinë me sukseset tuaja në art, shkencë, biznes këtu dhe kudo në botën e lirë, mjafton të shikosh rreth e rrotull.
Ajo që mua më ndodhi gjatë asaj vizite nuk është rastësi, por është realiteti i shqiptarëve të Britanisë që punojnë në spitale, punojnë në ndërtim, punojnë në bujqësi, punojnë në biznese lokale, të hapura nga ata vetë pas vitesh të tëra rropatje dhe kursime. Punojnë në universitete, shquhen në katedra akademike në botën e artit dhe të modës. Në qytete dhe fshatra shqiptarët janë kudo, ju jeni kudo dhe ju meritoni vetëm mirënjohje nga ky vend dhe ne së bashku do të kërkojmë nga ky dhe nga çdo vend vetëm respekt për çdo shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë dhe jashtë pragut të shtëpisë.
Ju përballuat sfida të rënda, por sot jeni më të fortë se kurrë më parë, edhe Shqipëria ka përballuar sfida të rënda, por sot është përditë më e fortë se një ditë më parë. Ama sot ju shqiptarët e botës së lirë tani më shumica prej jush ka dal në dritë dhe e ka lënë pas hijen e të kaluarës së paragjykimeve dhe ndalimeve e cila është vetëm një mësim historie, mund dhe duhet ti jepni Shqipërisë diçka më shumë. Diçka që fillon dhe që është historike në fuqinë e vet, e kam fjalën për forcën tuaj vendimmarrëse përmes votës për drejtimin dhe udhëheqjen e Shqipërisë drejt oborrit të Europës së bashkuar ku më në fund edhe flamuri ynë kombëtar duhet dhe të ngihet si i barabartë mes të barabartëve si përfaqësi simbolike e shtetit tonë në Bashkimin Europian.
Të dashur bashkëqytetar dhe bashkëqytetare këtu në Britani!
Ju sot nuk jeni thjeshtë bashkatdhetar jashtë atdheut me të drejtë vote në Shqipëri, por jeni votues që për herë të parë do të mund të merrni pjesë në zgjedhjet politike të Shqipërisë duke gëzuar dhe duke ushtruar të drejtë e votës nga këtu ku jeni. Fare hapur unë iu them juve dhe të gjithë shqiptarëve kudo janë këtu në Britani se pranverën e ardhshme unë e dua votën tuaj nga ky gadishull për t’iu bërë të gjithëve ju edhe më krenar për Shqipërinë në sytë e botës dhe për ta bërë bashkë me ju Shqipërinë edhe më të mirë për çdo shqiptar edhe për të gjithë fëmijët e këtij vendi, përfshi edhe fëmijët e atyre që ishin sot aty te dera të verbuar dhe të keqkuptuar.
Së bashku me ata pak që ishin futur këtu si diversantë të cilët nuk janë fajtor, sepse përgjegjësinë për fajin e tyre e kanë ata të cilëve ju të të gjithë së bashku pranverën e ardhshme duhet t’i tregoni se duhet të largohen njëherë e mirë nga oborri i mexhelisit tonë ku ka vend për të qenë të ndarë në pikëpamje, ku ka vend për të qenë të ndarë në ide, ku ka vend për të qenë të ndarë në shumë qajse për se si mund ta bëjmë më të mirë Shqipërinë, por nuk mund të këtë më vend për të qenë të ndarë në këtë formë ku ndasia u shfaq sot me 3 mijë veta këtu dhe 30 veta atje jashtë të cilët nuk ndalonin së shari në shembullin e atyre që e kanë bërë Parlamentin e Shqipërisë sokakun e të marrëve që shajnë, e shajnë, e shajnë dhe vetëm predikojnë shkatërrim.
Sot ju nuk jemi më ata që ishit kur erdhët këtu me emër tjetër, po as Shqipëria nuk është më ajo që ishte 11 vjet më parë kur emri i saj përgojohej dhe përçmohej nëpër sallonet dhe pasqyrat mediatike të Europës. Kur unë mora detyrën që ta udhëheq Shqipërinë në mes të detit të paragjykimeve nga bota, e cila ishte mësuar ta shihte vendin dhe shtetin tonë me nënçmim nuk e gjeje dot, për qamet një shkrim apo një përshkrim pozitiv për vendin tonë në gazetat dhe televizionet e kontinentit. Shqiptarët e Europës hasnin vështrime dhe reagime përçmuese kur tregonin se nga vinin, ndërsa në sytë e politikës europiane Shqipëria ishte një vend i qeverisur keq e mos më keq e i zhytur thellë si s’ka më keq në kënetën e krimit dhe korrupsionit. Vendi ynë kishte telashe të mëdha ekonomike dhe financiare. Qeveria e mbytur në dështime dhe në borxhe. Rrugët e vendit të mbetur rrugëve, bashkë me daullet e inaugurimeve që ishin numëruar si rrugë të reja sapo qenë prerë shiritat dhe u ishte kthyer kurrizi.
Gjysma e miletit nuk paguante, apo madje vidhte energjinë eklektike në mungesë të çdo kontrolli dhe kolapsi energjetik ishte mbrapa derës për të gjithë. Spitalet pa ilaçet bazë, pa çarçafë, pa batanije, me mjete operimi të kohës së miqësisë shqiptaro-kineze që e kishin bërë Shqipërinë vendin mes shifrën më
Korrupsioni për të cilin po ta vini re flitet sot më shumë se dje, ishte një fakt i pranuar në çdo takim të qytetarit me shtetin, deri dhe për të marrë një certifikatë të gjendjes civile mund të duhet të paguaje rryshfet ndërkohë që për çdo copë letër nga shteti duhet të rrije në radhë.

Turizmi në Shqipëri mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë. Qytetet, që ju i mbani mend mirë, ishin mbuluar nga pluhuri i harresës së shtetit, ndërkohë që Triana, kryeqyteti ynë, kishte ngecur në vend si akrepat e sahatit mbi kokën e qeveritarëve të paaftë, të cilët nxirrnin deri dhe pushkët kundër protestuesve paqësorë në bulevard.

Fshati ishte si mos më keq, kanalet ujitëse dhe kulluese të mbuluar çdo vit e më shumë prej ferrave e prej plehrave, më shumë se gjysma e tokave të bukës ishin djerrë sepse nuk shkonte dot uji pasi nuk kishte kanale.

Paga minimale ishte 150 euro dhe paga mesatare në shtet ishte 370 euro.

Prodhimi i përgjithshëm kombëtar i vendit tonë ishte më pak se 10 miliardë euro dhe angazhimi i forcave të punës në punë ishte nën 50%. Siguria ishte përtokë, vrasjet kishin arritur në 115 mesatarja vjetore ose 1 në 3 ditë, por ishin bërë të zakonshme si kronika e motit dhe këtu më lejoni të bëj një parantezë. Çdo vrasje është një fatkeqësi dhe pastaj kur ndodh të merret një jetë krejt e re, tragjedia është e madhe, jo vetëm për familjen e atij që humbet jetën, por për të gjithë shoqërinë, por kur tragjedia e një vrasjeje e prek sot vendin tonë shumë më rrallë se deri dje, del në pah edhe për një arsye tjetër nevoja që Shqipëria ka nevojë për ju dhe për votën tuaj dhe të të gjithë atyre që jetojnë në botën e lirë.

Pse e them këtë në këtë pjesë?

Një fëmijë vritet tragjikisht nga një fëmijë tjetër, por në vend se të ketë respekt e vetëpërmbajtje në nderim të viktimës dhe të familjarëve, reflektim të përbashkët dhe angazhim të të gjithëve në kërkim të më të mirës, siç ndodh për shembull në Amerikë, kur plumbat e armëve prodhojnë masakra nëpër shkolla apo dhe këtu në Britani, ku krimi prek një jetë të pafajshme, ndërsa në Shqipëri fryhen me një ngut kriminal, kanalet e ujërave të zeza të politikës dhe të medias.

Askush nuk pyet më për viktimën, as për familjen e viktimës, as për dhimbjen e të afërmve, as për nevojën e komunitetit për të gjetur rrugë dhe për të kuptuar së bashku cili është roli i gjithësecilit në rrugën më tutje, por kush të mundet përpiqet ta tërheqë opinionin publik në ato kanale, duke ushqyer urrejtje, nxitur ndasi, duke e përzier shqetësimin e të vërtetës me helmin e gjithëfarë gënjeshtrave e duke tjerrë me ditë e netë lloj-lloj fjalësh e teorish, sajuar lloj-lloj marifetesh dhe deri në protesta kundër qeverisë për ta kthyer viktimën në mish për topat e interesave të politikës dhe biznesit mediatik.

Ku bën vaki, ju jeni këtu, ju jetoni këtu, ju ndiqni këtu jetën e përditshme të një vendi kaq të madh, të një vendi kaq të pasur, të një vendi me kaq shumë gjëra për të admiruar, por edhe me plot probleme. Ku bën vaki, në cilin vend demokratik që pa u varrosur ende kufoma e një viktime të pafajshme të dalin të gjithë djajtë nga shishet dhe t’ia marrin valles, valles të luftës për pushtet, valles së mllefeve, inateve, të ndasive duke shkelur mbi trupin e të ndjerit dhe duke shqelmuar trurin e njerëzve të lënduar me plot të drejtë prej tragjedisë?

Sa më shumë bien shifrat e vrasjeve në Shqipëri, sa më shumë rritet siguria e Shqipërisë, se jo më kot miliona e miliona turistë të huaj që vijnë, tre gjëra përsërisin; shqiptarët, mikpritja e tyre, ushqimi dhe siguria dhe ju e dini më mirë sesa kushdo që e shikon Britaninë e Madhe nga larg se ç’do të thotë të çosh fëmijën në një shkollë aty ku është një lagje të pasurish dhe të çosh fëmijën në një shkollë aty ku është një lagje jo dhe aq e pasur. Kudo ka probleme, kudo ka sfida, kudo ka përpjekje, por në Shqipëri gjithçka, çdo hap përpara, çdo arritje, çdo afrim me Europën përpiqet të zhbëhet me patjetërsinë e mllefit.

Sa më shumë luftohet korrupsioni në Shqipëri, aq më shumë hienave të luftës për pushtet u bien daulleve të veshëve të shqiptarëve me shkopat e sharjeve dhe shpifjeve, duke e nxitur egërsi, duke nxitur dhunë nga mëngjesi deri në darkë, duke u bërë shembulli më i keq për rininë, shembulli më i keq për fëmijët.
Ku ka, hajde ma thoni ku ka, në realitet jo, por në në cilin film, vatër më c’edukuese, më dhunënxitëse sesa vetë parlamenti kur deputetët në vend se të flasin në emër të atyre që duan një qeveri tjetër,duan një qeveri më të mirë, duan një rrugë më të shpejtë drejt qëllimit tonë të përbashkët, shajnë me libër shtëpie orë e çast, ngrenë duart e këmbët, gjuajnë me shishe, djegin karrige dhe pastaj mezi presin që të marrin zvarrë një viktimë për ta përdorur për luftën e tyre të ulët për pushtet.

Ju e dini shumë mirë këtu se fatkeqësitë dhe tragjeditë, vrasjet dhe dhunimet apo dhe problemi i ekspozimit të fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj të këqijave të botës së sotme, përmbytjet e qyteteve apo zjarret masive nuk ndezin epshet e luftës politike për ditë dhe javë të tëra. Sado dramatike të jenë këto evente, nuk çoroditet dhe torolliset i gjithë populli kanal më kanal, portal më portal dhe nuk motivohen protesta partish të maskuara si revolta qytetarë, bashkë me gjithë arsenalin e fantazive, shpifjeve dhe sharjeve kundër njerëzve dhe institucioneve të shtetit në këto raste.

Prandaj, edhe pjesëmarrja juaj, e të gjithë shqiptarëve të Europës në jetën politike të Shqipërisë përmes votës në zgjedhjet e ardhshme ka rëndësi themelore. Ka rëndësi themelore sepse pavarësisht statusit social, pavarësisht nëse dikush këtu është profesor apo nëse dikush tjetër është punëtor krahu, ju të gjithë keni një horizont mbi jetën dhe mbi botën, mbi vështirësitë e punës dhe sakrificat e suksesit, një horizont që është një garanci dhe vlerë e shtuar për gjykimin e popullit mbi alternativat udhëheqëse të Shqipërisë.
Për më tepër, miqtë e mi, ajo që nuk kuptoj, ata të verbër, të cilët afrohen në dyert e takimeve tona apo të cilët marrin, nuk e di sesi, një nxitje për t’u ngritur dhe për të bërtitur, është që Shqipëria sot nuk është e ndarë mes të djathtës dhe të majtës, Shqipëria sot nuk është e ndarë mes socialistësh e demokratsh në kuptimin e programeve, në kuptimin e ideve, në kuptimin e alternativave apo të skuadrave.

Shqipëria sot është e ndarë mes përpjekjes së mundimshme për të bërë më të mirën dhe për të përqafuar të ardhmen që tanimë e shohim me sy, nuk e imagjinojnë si një horizont sepse Europa e bashkuar është aty disa vite pranë dhe një të shkuare, e cila e persekuton shtetin shqiptar qysh nga dita e nesërme e krijimit të tij, që në 1912, dhe që mishërohet sot haptazi në shëmbëlltyren e armiqve të betuar të drejtësisë dhe shkatërruesve të paepur të çdo ure komunikimi, paqtimi, dialogu mes përfaqësuesve të popullit.

Cila është ajo e majtë apo e djathtë, cila është ajo ndjenjë, socialiste, demokrate, anti-komuniste apo çfarë të doni, e cila justifikon shkeljen me të dyja këmbët të çdo Kanuni, shkeljen me të dyja këmbët të çdo ligji të mësuar nga goja e gjyshërve dhe e stërgjyshërve nën çatinë e shtëpive tona, të çdo sjelljeje që i ka bërë shqiptarët aq të dallueshëm kur vjen fjala për të respektuar tjetrin, kur vjen fjala për të mos zënë vendin që i takon tjetrit, kur vjen fjala për të folur dhe për të lënë tjetrin të flasë?

Nuk ka as të djathtë, as të majtë, as përkatësi socialiste antikomuniste e çfarë të doni ju që justifikon harbutërinë, që justifikon rrugaçërinë, që justifikon dhunën verbale dhe që jusitifkon nxitjen e urrejtjes. Të gjitha këto bashkë nuk janë shqiptare, të gjitha këto bashkë nuk janë as të majta e as të djathta.

Të gjitha këto bashkë janë një hall i madh, një hall i madh për shoqërinë tonë që jo si socialistë, jo si demokratë, jo si të majtë, jo si të djathtë, të gjithë prindërit e këtij vendi që nuk kanë interesa politike duhet të bëhen bashkë dhe ta shporrin këtë hall nga tryezat e tyre, ta shporrin këtë hall nga hapësira ku edukohen fëmijët e tyre, ta shporrin këtë hall nga kornizat e televizorëve që janë bërë si frëngjitë e një çmendine nga ku përcillen vetëm valë negativiteti, urrejtje, ndasie, poshtërsie.

Nëse ju, shqiptarët e botës së lirë, do të merrni pjesë masivisht në zgjedhjet e ardhshme dhe do t’i shtoni peshën e vendimmarjes suaj shumicës të shqiptarëve të Shqipërisë, për “Shqipërinë 2030” shtet europian në Bashkimin Europian, atëherë po jua them, përballja e ardhshme elektorale nuk do të jetë vetëm vendimtare, por do të jetë përfundimtare, pa kthim të mundshëm mbrapa për shtetbërjen dhe progresin, për drejtësinë dhe ekonominë.

Fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme nuk duhet dhe unë kam besim që nuk do të jetë fitorja e radhës e një partie ndaj të tjerave, por duhet të jetë triumfi i një vizioni për botën, duhet të jetë triumfi i një kuptimi për vlerat njerëzore të respektit. Juve ju qëllon të jetoni në një lagje, të jetoni në një pallat, të jetoni ballë për ballë e njëri të jetë socialist e tjetri të jetë democrat, por kur shihni njëri-tjetrin nuk i turreni në fyt, as nuk e pengoni të shkojë në punë, por përkundrazi, i jepni dorën dhe e mbështesni. Kaq e pamundur është që këtë ta bëjë dhe Shqipëria që të çlirohet më në fund nga ky makth që e ndjek pas qysh kur Ismail Qemali krijoi qeverinë e parë.
Jo, nuk është aspak e pamundur, mjafton që të gjithë shqiptarët e zakonshëm, ata që jetojnë me punë, ata që i rrisin fëmijët me mund, ata që duan për ta më të mirën nesër ta përzënë djallin e ndasisë nga hapësira që i ndan shtëpitë e tyre dhe të përqafojnë atë alternativë që u jep fuqinë krenare që duan për veten dhe për fëmijët e tyre.
Prandaj fitorja jonë në zgjedhjet e ardhshme duhet të jetë jo një fitore vendimtare, por një fitore përfundimtare edhe për opozitën që duhet çliruar nga pengmarrësit dhe nga peng marrja për hallet e disa udhëheqësve të diskredituar nga historia. Kush do opozitë, kush do dialog, kush do proces ballafaqimi, kush do që kur ulet përballë ekraneve të shikojë palë që debatojnë ashpër, poe që nuk sillen si armiq që duan të eleminojnë njëri-tjetrin duhet të votojnë në zgjedhjet e ardhshme për ta çliruar opozitën nga pengmarrësit dhe për t’iu dhënë lirinë të gjithë atyre që nesër do duan t’i qëndrojnë ballë për ballë qeverisë që të flasin pa qenë të tmerruar se çfarë kove me ujë do t’i bjerë nga ballkoni.
Po drejtësia dje çfarë ishte? Ishte pazar! Çfarë ishte e drejta? Mall, shite, blije. Po pandëshkueshmëria e atyre me kostum apo me pistoletë, çfarë ishte dje? Ishte një shpullë në sytë e të gjithë njerëzve të zakonshëm. Sot ai realitet është i përmbysur. Sot Shqipëria pa dinjitet ndërkombëtar dhe pa respekt për drejtësinë dhe barazinë para ligjit i përket historisë.
Sot shtet bërja europiane e Shqipërisë hap pas hapi ka sjellë dhe ftesën e Bashkimit Europian për tu ulur në tryezë për të negociuar dhe për të mbyllur anëtarësimin tonë në atë familje.
Në vetëm një dekadë ne e kemi rritur mbi dy herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Është rritja më e lartë në të gjithë rajonin. Kemi trefishuar pagën minimale dhe po ashtu pagën mesatare në sektorin publik. Nga 370 euro që e gjetëm, e kemi çuar në 900 euro. Kemi rritur angazhimin në punë të forcave të punës, nga më pak se 50 % në afro 70%. Jemi të parët në rajon edhe për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë. E kishim 3324 euro, sot e kemi 10 mijë e 383 euro. Edhe pagat reale në sektorin privat janë rritur dhe janë plotësisht konkurruese me rajonin sidomos në turizëm dhe në ndërtim janë tërësisht të ngjashme me Greqinë dhe shumë afër Italisë.
Prandaj dhe unë i them shqiptarëve që punojnë jashtë sot, në turizëm dhe në ndërtim në radhë të parë, por edhe atyre që punojnë në tokat e të tjerëve, ejani në Shqipëri jo vetëm që të merrni të ardhura ku e ku më të mira se ato që jepeshin kur ju ikët, por ku paguani shumë më pak taksa se këtu në Britani apo në vende të tjera të pasura të Europës ju e dini që është: hape taksë, hape xhep! Dhe që në fund të muajit për të rezistuar shpeshherë duhet të bëni dy punë se nuk mjafton një punë dhe kohë për familjen, kohë për fëmijët, kohë për shokët mezi gjeni. Se nuk dua t’ju gërvisht plagën e qiellit gri këtu mbi kokë dimër e verë që kur del dielli duket si bora kur bie në Tiranë dhe çdo shqiptari të Britanisë së Madhe që e ka lënë pas një shtëpi të vjetër a një truall në fshat, i them sot me plot gojën: investo tek ajo shtëpi, investo tek ai truall kursimet e tua. Të ardhurat që do marrësh nga ai truall, mund të vazhdosh të rrish këtu, do jenë shumë më të larta sesa të ardhurat që do të mbeten në fund të muajit nga dy palë punë këtu. Pikërisht nga Britania e Madhe është kthyer atje në tokën e të parëve, në Malësinë e Madhe Gëzim Olaj i cili sot mik pret në hotelin e tij në Bogë dhe pastaj në restorantin ca më larg aty te Buni Bajraktarit turistë nga gjithë bota, dimër, verë. Pyeteni! Si del më mirë llogaria?
Ashtu sikundër ju kam thënë më parë, mbase keni dëgjuar që ne jemi tani në fazën e konsultimit publik për të lançuar Paketën e Maleve. Paketa e Maleve do u japë mundësi çdokujt që e ka një truall, që e ka një shtëpi në malet e Shqipërisë që të mund të investojë pa pasur vështirësi të mungesës së tapisë dhe të letrave të tokës. Me një proces shumë të thjeshtë dhe pa taksa, asnjë taksë për 10 vjet, në mënyrë që të ndërtojë ekonomi të re, të shtuar për veten dhe të rrisë ekonominë e zonës nga ku vjen duke i hapur dyert e mikpritjes përmes një agro turizmi apo duke investuar në çfarëdolloj linje prodhimi bujqësor.
Ju e dini më mirë se të gjithë, më mirë se ata që e shikojnë Anglinë, Francën, Gjermaninë nga televizori apo nga Instagrami se sa më e vështirë është në realitet jeta dhe puna këtu, por unë di t’ju them një gjë, që baticës së gjatë të largimeve nga 1001 arsye që nuk kanë të bëjnë me ato që thuhen, por janë pjesë e trendit historik të lëvizjeve siç kanë lëvizur dikur irlandezët, apo siç kanë lëvizur dikur norvegjezet që ishin ndër më të varfrit e këtij kontinenti dhe sot hyjnë tek më të pasurit, asaj batice po i afrohet fundi dhe koha e zbaticës, koha e uljes së ikjeve dhe rritjes së kthimeve po vjen, pak e nga pak.
Unë dje takova Kristo Papën, një mjek me një karrierë mbresëlënëse deri këtu në Londër i cili ka dëshirë të kthehet. Më tha dua të vij të kontribuoj për Partinë Socialiste të 2030. I thashë mendoje mirë se çfarë po vendos, se çfarë po lë mbrapa sepse mund të ndihesh i zhgënjyer. Politika është mision i vështirë për ata që e kuptojnë si shërbim dhe si sakrificë. Nuk kam çfarë të mendoj, tha, i kam arritur këtej ato që doja të arrija, tani çdo gjë është përsëritje.
Unë jam realisht i inkurajuar që doktor Kristo por jo vetëm ai, djem e vajza ndër të cilët jo pak intelektualë si doktori, që jetojnë jashtë Shqipërisë, në Europë, në Amerikë Deputeti që Duam, kanë dëshirën që të na bashkohen. Ata dhe të gjithë shqiptarët që nuk udhëhiqen nga mllefi, nuk udhëhiqen nga ndasia, nuk udhëhiqen nga revanshi e dinë mirë, e dinë shumë mirë se pavarësisht të gjitha të metave, pavarësisht të gjitha dobësive, pavarësisht të gjitha gabimeve, Shqipëria e kësaj faze të historisë së saj ka vetëm shtetëbërëse, Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Të tjerat janë dyqane, tezga, tezga të vjetra, tezga të reja që shesin qilima fluturues të markës Sude, Rrapushi, Vebiu që ju mbani mend mirë. Janë po ata, janë Sudja me fytyra të ndryshme, Sudja e plakur që ulërin nga maja e pallatit apo Sudja e re vjen vërdallë duke takuar emigrantë dhe që thotë “Shqipërinë e bëj unë’’. Të ishte për këta, Shqipëria nuk do e bënte kurrë reformën në drejtësi. Të ishte për këta, Shqipëria nuk do e godiste dot kurrë korrupsionin pa dallim ngjyrash dhe kurrë nuk do shikonin shqiptarët që një ministër apo një politikan i partisë në pushtet, të merrej nga drejtësia, të hetohej, të gjykohej dhe deri të dënohej sepse kurrë nuk e kanë parë shqiptarët qysh nga krijimi i shtetit shqiptar një ministër apo një politikan të lidhur me pushtetin e mëparshëm ose aktual, që të përgjigjet para drejtësisë. Kurrë! Nuk po llogarisim këtu ministrat që pushkatonte Enver Hoxha me urdhër. Po flasim për pushtete të ndara dhe po flasim për të zgjedhur nga populli që përpara ligjit janë të barabartë, njësoj si çdo zgjedhës.
Të ishte për këta, Shqipëria s’do ulej dot kurrë si e barabartë nëpër tryezat dhe forumet më të larta ndërkombëtare. Të ishte për këta, Shqipëria nuk bëhej kurrë histori ndërkombëtare suksesi me rritjen më të lartë të turizmit në Evropë. Të ishte për këta, Shqipëria nuk e priste dot kurrë të gjithë Evropën në një samit të parin në historinë e BE jashtë Bashkimit Evropian në Tiranë. Të ishte për këta, Shqipëria nuk e kryesonte kurrë OSBE-në dhe as nuk ulej dot kurrë në tryezën e Këshillit të Sigurimit dhe të ishte për këta, Shqipëria nuk kishte shans që të mik priste siç do të mik presë vitin tjetër Samitin e Komitetit Politik Evropian i cili u bë në Britani këtë vit dhe siç erdhën në Londër udhëheqësit e të gjitha demokracive të kontinentit, nga Spanja në Ukrainë, nga Britania në Turqi, do të vijnë në Tiranë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
Po kur thonë, “futëm Shqipërinë në NATO’’. Shqipërinë në NATO e futi SHBA, ndërkohë që Samitin e NATO-s në Shqipëri do ta bëjmë të mundur ne sepse e bën të mundur Shqipëria që ka fituar besim, ka fituar respekt, ka fituar reputacion ndërkombëtar dhe të gjithë liderët e NATO-s do të vijnë në Shqipëri në vitin 2027 ndërkohë që Shqipëria është ndër anëtaret më të reja të NATO-s dhe ka vende anëtare që akoma nuk e kanë mik pritur një samit. Ky është dallimi!
Tani do t’ju lutesha shumë që askush të mos mendojë se unë po ju them që Shqipëria është bërë bahçe me lule, se nuk është bërë bahçe me lule. Askush të mos mendojë se unë po ju them që në Shqipëri nuk ka probleme, sepse në Shqipëri ka plot probleme.
Askush të mos mendojë që edhe në këtë luftë kundër korrupsionit, nuk ka gjëra që nuk shkojnë sepse ka gjëra që nuk shkojnë si në çdo sektor tjetër, por ama ajo që kishim përpara një dekade, ishte një Shqipëri “mos o Zot”, e pafuqishme, e rraskapitur nga keqqeverisja dhe e parë më sy shtrembër nga e gjithë bota.
Kjo që kemi sot është një Shqipëri që po rilind vit pas viti, e cila nga një emër i sikletshëm për çdo shqiptar kur i thoshin “nga je”, është kthyer në një emër krenarie që po fiton përditë e përditë një nam të mirë dhe një nam të mirë jo kot, por një nam të mirë falë miliona e miliona njerëzve që vijnë e vizitojnë. Jam i bindur që në çdo lagje ku ju jetoni, në çdo vend pune ku shkoni keni rreth e rrotull anglezë që ju thonë: “Dua të shkoj në Shqipëri për pushime’’. A mund ta imagjinonit këtë deri disa vite më parë? Kurrën e kurrës! Por ajo që mbase sot akoma nuk mund ta imagjinoni, por që ju inkurajoi ta besoni, është se ky ndryshim do të vazhdojë dhe ky ndryshim do të sjellë edhe atë që të gjithë shqiptarët jashtë do ta dëshironin; që dëshira për t’u kthyer të mos jetë thjesht një dëshirë, por të jetë një shtysë e madhe dhe e përsëris, jo domosdoshmërish për t’i ngritur të gjitha plaçkat nga këtu dhe për të ardhur e për të jetuar në Shqipëri, por për të pasur dy shtëpi, jo si sot, një shtëpi të lënë pas, shtëpinë e gjyshit të rrënuar; një tokë të lënë pas djerrë ose dikujt që e punon, por për të pasur kudo në Europë, kudo në botë një shtëpi të denjë falë punës dhe për të pasur atje në Shqipëri një shtëpi të denjë për ëndrrën tuaj për Shqipërinë dhe për ëndrrën tuaj që ata të vegjlit që lindin këtu dhe që flasin shkëlqyeshëm anglisht dhe shqip, rropaten siç rropateshit ju kur filluat të flisnit anglisht, kur t’i merrni përdore e t’i çoni atje, t’ju shohin në sy e t’ju thonë: “Dad, mom, I’m proud of you. I’m proud of my country’’.
Prandaj le ta vazhdojmë së bashku këtë rrugë të vetëdijshëm për të përpjetat, të vetëdijshëm për gabimet, të vetëdijshëm për të metat, të vetëdijshëm për gjithçka që na mungon dhe që duhet ta adresojmë me forcën e bashkuar të mendjes dhe të zemrave dhe ta ndajmë mendjen, që flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, flamurin e të gjithë atyre që i kujtojmë kur vijnë ditët e mëdha të festave, flamurin e të gjithë atyre me të cilët krenohemi, flamurin që na bën të këndojmë të gjithë bashkë ‘’ O sa mirë me ken shqiptarë’’ kur jemi në stadium, ta vëmë të gjithë çdo ditë në zemër, ta mbajmë të gjithë çdo ditë në mendje dhe të mos lejojmë askënd që ta ulë përsëri poshtë, por së bashku ta ngremë dhe ta rreshtojmë në oborrin e shtëpisë së familjes së bashkuar europiane.
Shumë faleminderit!
Nëse dëshironi të bëni pyetje, e di që është e diel, e di që ka ardhur dhe ka kaluar koha për drekë. Nuk dua që pastaj të thoni erdhi ai i gjati na la dhe pa dreke. Mbase dhe duke parë dhe që s’ka me të drejtë zell për të bërë pyetje do më lejoni t’ju falënderoj me shumë mirënjohje që morët rrugën për të ardhur deri këtu sepse vetëm në Shqipëri makinat të le të dera e shtëpisë e të ndalon të dera e çdo dyqani. Këtu është pak më e ngatërruar e di shumë mirë dhe rrugët e Londrës janë shumë të gjata.
Kështu që ju jam shumë mirënjohës dhe ju falënderoj shumë dhe ju siguroj nga zemra që qysh se falë votës së shqiptarëve kam hyrë në zyrën e kryeministrit dhe deri ditën e fundit kur do të jem në atë zyrë, kurrë, kurrë, nuk do të tradhtoj askënd që më ka dhënë besimin dhe nuk diskutohet që kam bërë edhe unë gabimet e mia dhe do të bëj gabime të reja mundësisht, jo gabime të vjetra sepse nuk ka njëri që është i pagabueshëm, por të jeni të sigurt që kurrë, kurrë, kurrë, as nuk e kam bërë, as nuk do ta bëj deri ditën e fundit fajin që t’ju ha prapa shpine.

Faleminderit!