Fjala e Kyetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama:
Faleminderit shumë! Tani një pyetje kam unë. E keni seriozisht që doni të dëgjoni akoma dhe një fjalim timin tani?
Tiranë e dashur, Shqipëri e shtrenjtë, shqiptar dhe shqiptare pa dallim feje, krahinë dhe ideje kudo ku jeni në Shqipëri, Europë dhe gjetkë nëpër botë,
Vëllezër dhe motra socialistë dhe progresistë të Shqipërisë, ju këtu shokë dhe shoqe të anëve nga Tirana që ne PSSH e nxorëm nga gërmadhat e anarkisë pa shtet të viteve 90 dhe pastaj e rilindem si shëmbëlltyrën e ambicies sonë për Shqipërinë evropiane.
Ju jam mirënjohës nga zemra për praninë tuaj në këtë fushë dhe u rikthyem këtu e gjithë skuadra e Tiranës tonë, jo thjeshtë e takimit përmbyllës të një tjetër beteje zgjedhore, por në kulmin e një tjetër rrugëtimi 4 vjeçar ngjitjeje lartë, drejt majës ku ndodhet Shqipëria e Europes së bashkuar.
Unë nuk besoj tek rastësitë. Unë besoj se nuk ka rastësi në faktin që ne sot jemi këtu në 9 maj në Ditën e Europës për të thënë fjalën e fundit të këtij rrugëtimi dhe pastaj për të shkuar së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, shumicën më të madhe ndonjëherë të shqiptarëve në kutitë e votimit dhe për të firmosur aty me njëri-tjetrin marrëveshjen tonë të madhe për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë në BE.
Kur ju më zgjodhët për t’ju udhëhequr këtu dhe plot dy dekada më parë, ajo majë ishte e paarritshme me sy për shqiptarët, ndërkohë që ne socialistet ishim shembur përtokë. Rruga jonë për të fituar zemrat dhe mendjet e Shqipërisë nisi nga një mjegull e ftohtë të një disfate të rënde. Na kërkoi kohë, energji, mund të madh dhe mbi të gjitha karakter të pathyeshëm dhe përballë thyerjeve më të forta.
Në ndërkohë Tirana u bë kështjella jonë, ku ne projektonim, ndërtonin, transformonim pa pushim qytetin, duke pasur në çdo hap vrazhdësinë e injorancës armiqësore të kundërshtarëve tanë politike.
Çfarë nuk bënë dhe çfarë nuk na bënë derisa e morën dhe Tiranën me pahirin e një grabitjeje të pabesueshme. Pasi u bënë të tërë bashkë me kuç, me maç dhe me minj. Ajo përmbysje e fitores sonë epike me 10 votat që na dhanë gjithë gëzim sa të jashtëzakonshëm, aq dhe të përkohshëm ishte në fakt testi më i vështirë i karakterit që ne farkëtuam hap pas hapi dhe ai rrëzim poshtërues ishte sprova e fundit përpara ngjitjes së pandalshme lartë të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Dy vjet pas atij poshtërimi, bashkësia jonë, familja jonë e madhe e rimori qendrën e skenës politike shqiptare, ku jemi kthyer në fuqinë e pandalshme të rilindjes së Shqipërisë dhe ku do të qëndrojmë më të fortë se kurrë më parë pas fitores historike të dielën në 11 maj të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Asgjë, asnjëherë nuk ka qene e lehtë për mua dhe për ju dhe ajo që kundërshtarët tanë nuk kanë për ta kuptuar kurrë është se kurrë nuk do të na mundin dot po nuk e kuptuan pse ne i mundim çdo herë e më thellë.
Ata thonë se ne nuk mundemi dot me vota dhe unë jam shumë dakord me ta në këtë pikë sepse të marrësh më shumë vota sesa ne, duhet të jesh më i mirë sesa ne, por dihet ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne, kështu si po shkojnë këto punë, kam frikë se do presin të dalin nga materniteti se në sheshe dhe në rrugët e Shqipërisë hë për hë, harroje.
Edhe ata, që me demek janë prurje të reja, i keni parë, nuk ngjajnë me ne, ngjajnë me kundërshtarët tanë të kahershëm, dava humbësash. Janë larg me ne, janë larg e më larg, shumë larg. Ndërkohë që ne dhe artimetikisht, do të ngjitemi përsëri më lart, më e pakta 78 mandate.
“Ky është bllof”, “ky është truk”, “kjo eshte propaganda” – thanë disa duke komentuar memorandumin e Kuçit dhe pyetja ime është “po pse nuk qenka e vertete apo të paktën në mos e vërtetë pse nuk qenka e mundshme?
Ne kemi sot 74 mandate apo jo. A di kush të ma thotë ku, në cilin qark, pse ne do ta humbim një nga këto 74 mandate? Në Kukës, në mos e marrshim dhe një tjetër. Nuk kanë si na e marrin atë një që kemi apo jo? Se nuk i lejon aritmetika është problemi, aritmetika që unë kam mësuar në liceun Artistik, jo ajo 7×7=6 milionë apo ajo “50 mijë ranë në 60 mijë”.
Në Shkodër kemi tre mandate nga 11 që ka Shkodra, më pak nuk ka ku të shkojë. Pse do ta humbim dhe një tjetër apo mos vallë “Kryetari i Bashkisë antikomunisti lëkurë gri, Bardh hardhuca, ai që mundi Benet Becin, dy vjet më parë po e transformon Shkodrën nga një vend plehrash, ferrash dhe plehrash të mbledhura në tre dekada qeverisje të PS për Shkodrën, në një vend të denjë për vizionin europian të demokratëve dhe për statusin e kryeqytetit të veriut”.
Pra, unë them se me çfarë kemi bërë dy vjet për Shkodrën bashke më Benetin është fare normale që të pretendojmë minimumi një mandat plus dhe pse të gjitha sondazhet thonë dy.
Vazhdojmë në Lezhë. Tre mandate nga 7. Që ta humbim dhe një tjetër duhet që Lezha të dielën të gdhihet me bindjen se ndryshimet e mëdha në Lezhë, rilindja e Laçit pas tërmetit janë meritë e vjershëtorit personal të bufit të kënetës, kryebashkiakut faqekuq kameleon Gjekmarkaj. Kjo zor të ndodhë, por më e mundur është të ndodhë që “kameleon vjershëtori” ta humbë një mandat dhe ta marrim ne. Megjithatë nuk e llogaris këtë te minimumi, ta shohim.
Në Durrës kemi 8 mandate dhe mund të humbin një vetëm nëse njerëzit tani në fund do kuptojnë se fuqia e vërtete e ndryshimit të Durrësit, është kryebashkiaku “dyll i verdhë, Oerd gjinkalla”, i cili e ka kthyer Durrësin në kantier nga të katërta anët me mbushjen e veçantë të SHQUP-it dhe nën ku kujdesin e atit të tij shpirtërore bufit të kënetës. Shkurt 8 mandate në Durrës janë një mur që nuk i lëviz dot as topi, ndërkohë që tulla e gjashtë, e kënetës është duke rënë, ta shohim.
Mandati i 9-të i Elbasanit na shpëtoi për një fije para 4 vjetësh. Prandaj nëse zgjedhësit atje nuk do ta marrin vesh deri të dielën, që edhe Formula 1 do ta sjell në Elbasan, pasardhësi i Luciano fake Pavarotti, Ludovik Bej Alizoti, atëherë edhe një plus në Elbasan hynë pa asnjë zor tek minimumi ynë i 11 majit. U bënë dy!
Njëjtë edhe Fierin, nëse fierakët nuk do ia dinë për nder kënetës, që i shpëtoi nga kanceri i Gjanicës, Gazi i botës atje nuk ka asnjë shans ta ndalojë mandatin e 10-të që kthehet në shtëpinë tonë. U bënë tre apo jo?
Në Berat, Korçë, Gjirokastër, nuk i lëviz topi mandatet tona. Në Vlorë, jo e jo, ku mund të ta marrim të 9-in. Po prapë i 9 i Vlorës nuk hyn tek minimumi, se minimumet tona janë llogari 100 % të sigurta, siç ishte 74 në zgjedhjet e kaluara, që rezultoi fiks minimumi i llogaritur.
Prandaj, të katërtin plus që na çon në 78 minimumi, ne do ta marrim në Dibër, ku gra, vajza, burra dhe djem të Dibrës do të bëhen për herë të parë në një palë zgjedhje politike shumicë shumë bindëse për Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Tani disa çyrykë nga ata të berberhaneve mediatike, ku të vërtetat “rruhen dhe qethen” sipas orekseve interesave dhe truri i tyre të dhjamur, siç do ta quante Majakovski, thonë: Rama i bën llogaritë me votat që blen, sepse sipas tyre këtu s’ka zgjedhje për sa kohë fiton PS-ja e Ramës, por ju, unë, të gjithë ne njerëzit e pararojës së kësaj armate të pandalshme elektorale dhe zëdhënësit e kësaj fuqie të pakonkurrueshme qeverisëse e dinë shumë mirë se ne nuk na ka mundur, nuk na mundn dhe nuk do të na mund dot askush për sa kohë do të sigurohemi të kemi me vete vizionin më modern dhe ambicien më të madhe për Shqipërinë, forcën më të madhe udhëheqëse dhe eksperiencën më të madhe qeverisëse, vendosmërinë më të madhe për ndryshim dhe nevojën më të pandashme për vetë ndryshim. Ne jemi bartësit e palëkundur të shpirtit europian të Shqipërisë në jetën politike shqiptare dhe për sa kohë ne do mbetemi të tillë, asgjë dhe askush nuk do ta ndalë dot ngjitjen tonë me Shqipërinë në krahë në Bashkimin Europian.
Disa thonë që unë kam lidhur me fat për kundërshtarët që kam, se përndryshe do të kisha ikur me kohë. Disa të tjerë thonë se ndryshimin epokal që ne kemi sjellë në Shqipëri, e cila sot mund të krahasohet me 12 vjet më parë, po aq sa ç’mund të krahasohet dita me natën, e ka sjellë koha.
Por ajo që as të parët dhe as të dytët nuk duan ta kuptojnë është se koha sjell njerëzit dhe njerëzit bëjnë ndryshimin për mirë ose për keq. Nuk e ka sjellë koha ndryshimin që ne kemi sjellë dhe do të sjellim deri në fund duke e ulur Shqipërinë si zonjë në sallonin e zotërve të shtëpisë të Europës së Bashkuar.
Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës ngjyrat e flamurit tonë kombëtar!
Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës zërin e nevojës shqiptare për dinjitet të pacënueshëm dhe identitet të pamohueshëm europian.
Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës krahët e etjes për drejtësi dhe shtetbërje europiane.
Koha na ka sjellë ne dhe ne i kemi dhënë kohës duart e kujdesit për barazi gjinore dhe për mbrojtjen shoqërore.
Koha na ka sjellë ne, dhe ne i kemi dhënë kohës këmbët për t’u ngjitur nga një lartësi në një tjetër dhe krenarinë e të qenit shqiptar dhe bij shqiptarësh, duke qëndruar drejt në skenën ndërkombëtare, si të barabartë mes të barabartësh, që japin besim dhe respekt dhe pretendojnë në këmbim, besim dhe respekt.
Ta mendosh sot Shqipërinë pa ne, Partia Socialiste e Shqipërisë në krye të punëve të saj të mëdha dhe të përpjekjes sonë për t’u ngjitur në majën 2030, është njësoj si ta mendosh Shqipërinë me flamurin ngjyrë kënete. Është njësoj si ta dëgjosh zërin e vendit me shkëputjet e fillit të një plaku të rraskapitur mendërisht, të dëshpëruar moralisht dhe të pashpresë politikisht, është njësoj si t’i shohësh krahët e drejtësisë të brejtura nga minjtë e kënetës. Është njësoj si t’ia presësh këtij shteti këmbët dhe ta rrokullisësh përsëri “kovë pusi poshtë”.
Po Tiranën! Tiranën e lënduar nga ngjarja e fundit, e harrova vallë që nuk e rendita në listën e qarqeve me mandatet e tyre, nuk e harrova, natyrisht. Po, pse atëherë e lashë jashtë listës së mësipërme? Ndërkohë që brenda nesh debati lidhur me sondazhet, lidhur me të dhënat nga terreni, është se në Tiranë ne do të marrim një apo dy plus, duke shkuar nga 18 në 20. Nuk e harrova, por e lashë veç, sepse “Tirana ha bukë veç”. Është jo vetëm kryeqyteti dhe qarku më i madh i Shqipërisë, me shumë diferencë nga i dyti, por Tirana është dhe krenaria jonë më e madhe, jo thjesht si qytetar të saj, po si shpëtimtarët dhe transformuesit e saj që i kemi dhënë këtij qyteti dikur të mbytur në llumin e kënetës, sharmin e pamohueshëm të Europës.
A ju kujtohet ça ishte këtu ku jemi mbledhur sot, edhe rrimë për qejf mbi gjelbërim? Kënetë! A ju kujtohet ça ishte nga do hidhje sytë nëpër Tiranë? Kënetë!
I kam parë zogjtë dhe minjtë e kënetës të shfaqen gjatë këtyre javëve nëpër ca rrugica të pashtruara pranë ca kazanëve të mbingarkuar për të lajmëruar ditën e qametit për mua dhe për ju, dhe ardhjen e sherbetit për ta dhe për bufin e tyre. Mjerë, mjerë, mjerë ky vend për ta.
Po unë këtu s’e kam me ta, po e kam me të gjithë ata tironsa dhe tiranas me rrënjë të vjetra dhe me degë të reja, në këtë Amerikën tonë të vogël, ku ka 1001 gjëra për të rregulluar, po ama ka një gjë të madhe për të mos e harruar, këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që e kthyen në jetë dhe që i dhanë identitet, i dhanë famë, i dhanë dinjitet domethënë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe askush tjetër!
Këtë qytet do ta bëjmë më të kamur, më të bukur, më solidar me më të dobëtit, më të sigurtë për më të vegjëlit dhe më krenarë për të gjithë. Vetëm ata që ia pastruan baltën nga fytyra, që ia larguan çibanët nga trupi, që e veshën e zbukuruan, ia shumëfishuan vlerën pa pushim pronës së qytetarëve të tij dhe shumëfishuan pa ndalim fuqinë e organizmit të tij. Këtë qytet mund ta bëjnë më të mirë vetëm ata që jo vetëm e duan por edhe e dinë ç’është e bukura dhe ç’është fuqia e të bukurës, vetëm ata që jo thjesht ndërtojnë kopshte, shkolla, palestra, çerdhe , kënde lodrash, parqe, lulishte, infrastrukturë, më shumë se të tërë tjerët bashkë në dekada të tëra, por që në çdo gjë që ndërtojnë, sjellin më shumë Europë në Tiranë dhe në Shqipëri.
Tironca dhe tiranas kam një mesazh për ju; anëtarësitë dhe simpatitë partiake mbajini për vete po Tironën ndajeni veç se Tirona ha bukë veç, mos e ngatërroni Tironën me ngjyrat e partisë se Tirana është e të gjithëve e mbi të gjitha, e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë dhe jo vetëm të Shqipërisë, po Tirana është e fëmijëve të Kosovës, Tirana është e fëmijëve shqiptarë të Maqedonisë, Tirana është e çdo fëmije që fjalën e parë e thotë ‘’oh, nan’’.
O tirons demokrat, si të kom? Të dielën duhet të mendosh më shumë për Shqipërinë në BE sesa për rrugicën e pashtruar të fytit të Balli Fahriut apo të kazanit të gurmazit të Albana Saliut, ndërsa tiranasit të lëkundur i them; ‘’ti ke mllef dhe ke shpoti që s’gjen dot asnjë shenjë përmbarësi, por duhet të mendosh më shumë për pasaportën europiane të familjes tënde sesa partitë me gjasme të rinj. Tirana e gjithë duhet të mendojë të dielën për blunë e Europës dhe kuq e zinë e Shqipërisë, jo për llogoret partiake të njërit dhe të tjetrit apo për bojën e flamurit të njërit e të partisë së tjetrit, siç themi ne katunarët e Tironës nga mali i Dajtit.
Dhe Tirana duhet të ma besojë edhe një gjë, që kur ka ardhur dita që Kamza e arratisur nga këneta do ta sjellë në pako pjesën e vet për të 19, atëherë Tirona s’ka kuptim që të mos e paketojë të 20, a më kuptoni a s’më kuptoni?
O, tironas, a më merrni vesh apo s’më merrni vesh?
Duhet t’ju them se ky rrugëtim nëpër Shqipëri ka qenë i bukur, ka qenë i qetë, pozitiv, nuk ka pasur ndotje të mëdhaja akustike apo pamore përveç atyre grumbujve me leshterikë të kenetës nëpër sheshet e qyteteve, apo grushtave dhe shqelmave madhështore të tyre mes veti. Mua, për shembull, ato grumbujt e kënetës më hoqën mallin e Lulit. Ju kujtohet Luli në 2017 kur përhapte dritën e republikës së re? Këtë herë në vend të ‘’shokut‘’ tim me pantallona verore ngjyrë bezhë, si këngëtar në përvjetoret e maturës ishte bufi me kapelen e Donald Trumpit, i kërrusur dhe i rrrudhur si ai shtrigani i koncertit në vitin ’36, me Latifin që kishte ardhur të përhapte tymin madhështor të magjisë që do të na shkatërronte të gjithëve ne, e sot ne s’do ishim këtu fare dhe me syun e Qimit të Çulit, për lajmin madhështor që do ta bënte oqeanin Atlantik kos, por tanimë fushata mbaroi dhe në fushë do të hyjë sovrani, populli me votën e tij. Vazhdimin e dimë, bufi do ta falenderojë popullin për fitoren mbrëmjen e të dielës, pastaj do ta alarmojë për vjedhjen e votave drekën e të hënës dhe do ta thërrasë në revolucion pa kthim mëngjesin e së martës. Latifi do ikë andej nga erdhi. Natyrisht do të ikë më i pasur se sa erdhi, se në atë grumbull mbetjesh të pariciklueshme, ai është i vetmi rrotë same kur thonë kosovarët. Dhe do të harrohet dhe Latifi njësoj si kapelja trumpiste që ia rrasi bufit në kokë, duke e bërë dhe më qesharak se vetë Qimi mjekërpostiqja, i cili do të bjerë në dilemën madhështore; ‘’ta rruaj apo mos ta rruaj’’, ndërsa ne Partia Socialiste e Shqipërisë do të marrim mandatin e 4-ët, me të paktën 78 mandate dhe nuk do të humbim asnjë ditë për Shqipërinë 2030 në BE.
Nuk do të humbim asnjë dite për Shqipërinë me një PBB që do ta çojmë në 35 miliard euro në vitin 2030; për Shqipërinë me pagën mesatare të paktën 1000 euro nga 848 që e kemi sot dhe me pensionin minimal 200 euro; për Shqipërinë turistike me investime shembullore të nivelit të lartë nga veriu në jug, që do ta bëjnë vendin tonë një ‘’sy të kaltër’’ në mes të Mesdheut që të gjithë do të duan të shohin dhe nga i cili të tërë do të duan të shihen. Mbajini mend fjalët e mia dhe me Tiranën platformë e një koleksioni spektakolar të arkitekturës moderne; për Shqipërinë me një industri të rilindur ushtarake dhe një industri të zhvilluar agroushqimore; për Shqipërinë në një nivel edhe më të lartë sigurie dhe rrugë kombëtare, qytete të mëdha e shkolla të mbuluara të tëra me sistem kamerash inteligjente; për Shqipërinë me një qendër shëndetësore rajonale ekselence në kompleksin e QSUT-së dhe me një spital të gjeneratës së fundit në zonën e Durrësit; për Shqipërinë me një universitet europian mjekësie dhe me një nivel të ri mbrojtjeje të mjedisit dhe të administrimit të mbetjeve; për Shqipërinë me shërbime edhe më moderne online, me një arsim edhe më të zhvilluar digjital, me parqe të zhvilluara digjitale dhe me një ekosistem shumë më të gjerë digjital; për Shqipërinë me Korridorin Blu dhe me Korridorin e 8-të në operim, me Portin e madh Tregtar të Durrësit në operim, me portet turistike në operim, me të 4 aeroportet në operim dhe me hekurudhat në kantier.
Dhe po ndalem pa e thënë krejt listën e pafundme të punëve që nuk janë program elektoral, por janë planet tona të qeverisjes së çdo sektori sepse do të më duhej një natë e tërë ndërkohë që duhet ta përmbyll këtë pjese me punën e të gjitha punëve, për Shqipërinë që do të mbyllë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian brenda 2027-ës!
Të gjitha të tjerat, ato që thashë apo ato që s’thashë janë detyra ndërsa ky i Shqipërisë në BE brenda kësaj dekade është misioni ynë kombëtar, është fati europian i Shqipërisë, që ka ardhur në dorën tonë dhe ju thashë, unë nuk besoj tek rastësitë. Unë besoj që fati europian ka ardhur në dorën tonë dhe dora jonë është në fletën e votimit për ta mbajtur fatin në dorë dhe për të vendosur për fatin me duart tona më në fund.
Dora me 5 gishtat ka brenda mundësinë e një vote krenare, për një Shqipëri krenare në familjen evropiane, për një Shqipëri të re në një histori të re. Për një Shqipëri që ngrihet në lartësinë e ëndrrave dhe të shpresave të fëmijëve të saj, për një Shqipëri drejt finishit të një rrugëtimi të gjatë sa vetw ekzistenca e shqiptarwve në zemër të Europes. Për një Shqipëri ku barazia e ligjit kthehet në ligjësinë e bashkëjetesës mes shqiptareve dhe ku përkatësia europiane nuk është vetëm me zakon, por dhe me ligj, nuk është vetëm në fletët e histories, por dhe në fletët e pasaportës europiane të çdo fëmije të Shqipërisë.
Tiranë e madhe dhe e bukur, mos u mendo më, por bëhu të dielën lokomotiva e fuqishme e këtij misioni, për ty, për ne, për Shqipërinë dhe nxirr nga dora jote 20 mandate për majën e 2030-ës në Bashkimin Europian.
Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!
Rrofshi të gjithë ju që erdhët këtu. Dëgjuat, duruat, qëndruat. Ju jam shumë mirënjohës dhe rrofshin të gjithë socialistët, progresistët, gratë, vajzat, burrat, djemtë e kësaj familje të madhe që nuk është partia më e madhe e Shqipërisë, është forca më e madhe e shqiptarëve.
Në fund, qofshin të bekuar të bekuar të gjithë fëmijët e Tiranës dhe fëmijët e Shqipërisë, të prindërve me të gjitha bindjet politike dhe qofshin prindërit e tyre të vetëdijshëm se 11 maj është në radhe të parë i fëmijëve të tyre.
Shume faleminderit!