Vota e 14 majit është më shumë një test karakteri për zgjedhësit e djathtë sesa një test fitoreje për zgjedhësit e majtë
Fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në takimin e fundit elektoral në kryeqytet:
Shumë faleminderit! Lali Eri foli në emër të qytetarëve të Tiranës, unë do flas në emër të katundarëve të Tiranës dhe do mundohem që mos përsëris ato që tha lali Eri, por vetëm të shtoj disa gjëra, duke e nisur nga një detaj shumë i vogël por domethënës për këtë takim.
Sot prita presidentin e Polonisë e më tha, “kam qenë këtu në 2019 dhe nuk e besoj dot që është i njëjti qytet”.
E vërteta është që Tirana ka hyrë në shpejtësinë e një transformimi të jashtëzakonshëm të cilin patjetër që ata që kanë mundësi të shkëputen pak në kohë e lexojnë më shpejt, por e rëndësishme është që për të gjithë banorët e Tiranës, Tirana bëhet gjithmonë e më shumë vendi i mundësive të reja e për Shqipërinë, Tirana bëhet gjithmonë e më shumë motori i fuqishëm i zhvillimit të një ekonomie të re.
Ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme e shumë nga ju që jeni këtu e dini shumë mirë se nga ku ka filluar kjo përpjekje e se çfarë hendeku i madh e ndante Tiranën me të ardhmen, ndërkohë që sot Tirana ka ende shumë rrugë për të bërë por e ardhmja nuk është më një pikëpyetje, e ardhmja nuk është më diku pas mjegullës që pengon horizontin, por e ardhmja është përballë nesh e është gjithmonë e më afër.
Mua më vjen shumë mirë që në këtë fushatë, nga të gjitha fushata që unë mbaj mend, e kemi pasur jo më të lehtë, por e kemi pasur me vete pasqyrën kuptimplotë të punëve kudo ku kemi shkuar e punët konkrete, veprat konkrete, ndryshimet e prekshme që janë në sytë e të gjithëve, vetë mundësitë e reja që janë krijuar, na kanë ndihmuar që fjalët të mos jenë siç ishin në fillim, por të jenë të mbështetura në realitetin e jetës së përditshme që unë jam shumë i vetëdijshëm, nuk është e lehtë për askënd, por ama ka filluar që të bëhet gjithmonë e më shumë një jetë ku njerëzit përtej vështirësive shohin shpresë, përtej pengesave shohin mundësi dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur që përkoi me këtë moment të një dekade përpjekjesh, që ne të arrijmë me gjithë vështirësitë e jashtëzakonshme që kemi pasur, jo vetëm ato me të shkuarën por dhe ato të lidhura me të papriturat që na kanë dalë përpara, që nga tërmeti, tek pandemia, tek agresioni në Ukrainë, inflacioni, kriza e çmimit të energjisë, që sot të kemi hyrë në ciklin një vjeçar të rritjes më të lartë historike të pagave. Faktikisht kemi hyrë në procesin e përmbushjes së një ambicieje që ka qenë ambicia jonë e kahershme dhe ka qenë tortura jonë e brendshme gjatë gjithë kohës, për ta bërë Shqipërinë vendin ku pagat janë në nivelin më të lartë të rajonit, bashkë me vendet më të zhvilluara të rajonit e ku paga mesatare, nga 530 euro të shkojë në 900 euro në prillin e ardhshëm.
Për këtë janë dëshmitarë, në radhë të parë mjekët specialistë, ata të cilët sot janë më të domosdoshëm se kurrë për ta vënë me cilësi dhe me kompetencë të lartë profesionale në shërbim të njerëzve, të gjithë sistemin e transformuar të shëndetësisë sonë. Për ti vënë në shërbim të qytetarëve tanë të gjitha ato struktura të reja, të gjitha ato pavione të reja, të gjitha ato aparatura të reja, të gjitha ato qendra të reja shëndetësore që faktikisht kanë përmbysur një herë e mirë një histori të tmerrshme vuajtjesh, keqtrajtimi, niveli mizerabël shërbimi për njerëzit e këtij vendi që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë jashtë.
Si një ndër ata që ka marrë shërbim në spitalin publik, mund të them që nuk ka asnjë dallim dhe se sot rritja e pagave për mjekët specialistë, rritja e pagave për mjekët e përgjithshëm e për gjithë të tjerët, rritja e pagave për infermierët që në harkun e një viti do të vazhdojë e do të bëjë që bluzat tona të bardha të jenë në nivelin më të lartë të pagesave të rajonit, është një rritje plotësisht e merituar. E njëjta gjë për të gjitha forcat tona të sigurisë. E njëjta gjë për të gjitha forcat tona të dijes, për mësuesit dhe mësueset. E njëjta gjë për të gjithë shërbëtorët e tjerë publik.
Nga ana tjetër, rritja e pagave në sektorin publik, për ne është një ambicie që po materializohet por është një ambicie e pandarë nga rritja e pagave në sektorin privat. Ne sot kemi rritur pagën minimale përtej parashikimeve të programit tonë elektoral 2021 – 2025 dhe përtej parashikimeve të programeve të tjera elektorale, të atyre që ngaqë e dinë që asnjëherë nuk kanë gjë në dorë, premtojnë gjithçka!
Nëse edhe në programin e tyre imagjinar paga minimale në 2025 shkonte 38 mijë lekë, sot që flasim paga minimale është 40 mijë lekë të reja, do të bëhet 45 mijë brenda këtij mandati e pa shkuar në 60 mijë lekë, ne nuk e konsiderojmë detyrën tonë të përmbushur.
Sot ne kemi rritu të ardhurat për frymë e kjo është një shifër që vlen për të gjithë ata të cilët këndojnë avazin e përditshëm të mjerimit e të varfërimit dhe të shkatërrimit dhe të shpopullimit që na e lanë këtë vend me të ardhura për frymë 3300 euro, sot jemi në 6400 euro dhe pa i çuar të ardhurat për frymë në 10 mijë euro ne nuk e konsiderojmë të përmbushur detyrën tonë.
Fola për këtë aspekt sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojmë që ndërveprimi i qeverisë me Bashkinë e Tiranës dhe me bashkitë e tjera nuk është thjeshtë një ndërveprim punësh publike, nuk është thjeshtë një çështje financimi për projekte, por është një ndërveprim mes forcash dhe nivelesh qeverisjeje që janë të bashkuara nga i njëjti vizion, që ndër veprojnë me vetëdijen e të njëjtit mision dhe që shkojnë së bashku përpara të angazhuar për realizimin e të njëjtave qëllime, në mënyrë që çfarë investohet për qytetin të kthehet në mirëqenie, të kthehet në rritje të ekonomisë familjare, të kthehet në rritje të punësimit, të kthehet në rritje të dëshirës për ta jetuar qytetin, për ta jetuar vendlindjen.
Juve ju kujtohet shumë mirë kur ne filluam programin e Rilindjes Urbane dhe të gjithë ata që gjithmonë gjejnë një arsye për të sulmuar menjëherë dhe për të përqeshur dhe për të degraduar menjëherë atë që ne bëjmë, thonin që këto janë shpenzime për fasada, këto janë shpenzime për propagandë, por investimi në bukurinë e hapësirës publike, investimi në krijimin e kushteve që njerëzit ta jetojnë së bashku qytetin e tyre jo si një fjetore, as si një hapësirë e përbashkët që nuk e kanë zgjedhur, as si një vend ku vetëm parkojnë makinat dhe nisen për në punë dhe pastaj kthehen nga puna, por si një hapësirë ku ndihen pjesë e një komuniteti. Nuk është kurrë fasadë, nuk është kurrë propagandë, por është ekonomi dhe sot flasin më mirë sesa asgjë tjetër shifrat, të ardhurat.
Korça kur ne kemi filluar këtë përpjekje të fasadave dhe të propagandës me fasada sipas tyre kishte vetëm një hotel. Sot ka mbi 160 hotele që janë bujtina të standardeve më të larta që kanë punësuar 3000 vetë, por ajo që është më e rëndësishme është që Korça e cila kur ne nisëm këtë përpjekje kishte disa mijëra turistë, sot numëron vitin e shkuar 400 mijë turistë dhe vizitorë. Dhe kështu Berati, dhe kështu Vlora, dhe kështu Puka që ishte një vend i humbur, sot është një vend ku shkojnë vizitorë, shkojnë turistë dhe kështu në të katërta anët e Shqipërisë, por Tirana që kur ne e nismë këtë përpjekje ku sigurisht vinin njerëz nga jashtë sepse kishin vizitat zyrtare, sepse kishin biznese për të bërë, por ama Tirana nuk ka qenë asnjëherë një destinacion turistik, nuk ka qenë asnjëherë vendi ku nëpër faqet e revistave në ëebsite-t e agjencive të specializuara të gjeje Tiranën si destinacion turistik dhe sot Tirana është fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve, që do të thotë më shumë ekonomi, që do të thotë më shumë të ardhura.
Numri i hoteleve në Tiranë që janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen është mbresëlënës, por ka një element shumë të rëndësishëm që shumëkush që bën ato kritikat në hava nuk do ta shikojë. Fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve në Tiranë nuk janë hotelet, por janë apartamentet dhe janë mijëra e mijëra apartamente që sot shërbejnë për të mikpritur turistë dhe familjet që i kanë ato apartamente fitojnë të ardhura që kurrë nuk i kishin imagjinuar nga apartamentet e tyre apo nga një dhomë në apartamentin e tyre që e vënë në dispozicion të turistëve.
Kjo shifër është ende një shifër që nuk është pjesë e ekonomisë së formalizuar sepse ne nuk kemi dashur dhe nuk duam të ngacmojmë në këtë fazë delikate të zhvillimit këto të ardhura sepse do të duhej pastaj të fusnim një numër shumë të madh familjesh në Tiranës në këtë proces që do të nënkuptonte ngarkesë fiskale. Nuk kanë asnjë ngarkese fiskale dhe nuk do të kenë edhe për një periudhë të caktuar sepse ne na duhet që të kthejmë Shqipërinë në një destinacion turistik në të katra anët dhe Tirana është qendra e gravitetit të këtij destinacioni.
Ajo që dua të shtoj këtu është fakti që Tirana sot nuk është më Tirana që kam drejtuar unë, sot Tirana është shumë më e madhe. Nuk është më vetëm qyteti i rrethuar nga komunat në vijën e vjetër të tij. Mos harroni që Tirana mbaronte tek Astiri. Tirana mbaronte në Kinostudio, Tirana mbaronte aty ku sot mbaron Bulevardi i Ri, Tirana mbaronte këtu ku jemi ne. Më mbrapa nuk ishte Tirana, ishte Farka. Sot Tirana shtrihet deri në Ndroq. Tirana shtrihet deri në Zall Bastar, deri lartë në Dajt dhe potencialet e kësaj Tirane janë ende për tu zbuluar dhe për tu vënë në dispozicion të një rritjeje ekonomike që të jeni të bindur, në 4 vitet e ardhshme do të jetë shumë më e madhe për banorët e kryeqytetit, qoftë për ata që banojnë në qendër, qoftë për ne katundarët që e kemi vendbanimin në periferi dhe si banor periferish, unë ju them që ky kryeqytet sot nuk është më kryeqyteti që ishte. Një qytet në fillim komplet i varrosur nën paligjshmërinë dhe nën pluhurin e një rrëmuje të paparë që u quajt kapitalizmi demokratik. Nuk është as kryeqyteti që filloi të dilte nga ajo situatë dhe filloi të ecte përpara. Ky kryeqytet sot është kryeqyteti i krenarinë sonë kombëtare dhe unë dua t’ju them banorëve të Tiranës që do shkojnë të votojnë në 14 maj, që sot është shumë e rëndësishme që ata të kenë parasysh se vota e 14 majit nuk është vetëm një votë për kryetarin e bashkisë. Vota e 14 majit nuk është vetëm një votë për të vendosur se cili është njeriu që do marrim në punë për të na drejtuar dhe shërbyer në 4 vitet e ardhshme. Kjo patjetër është shumë e rëndësishme, por vota e 14 majit është po kaq e rëndësishme për të vendosur edhe si do jetë e nesërmja e vendit tonë në raport me vetveten dhe në raport me miqtë, aleatët, partnerët tanë, që do të thotë në raport me të ardhmen tone, e cila dihet, është një shtet i barabartë mes të barabartësh në familjen e bashkuar europiane dhe për mënyrën sesi kanë ardhur gjërat, vota e 14 majit është më shumë një test karakteri për zgjedhësit e djathtë sesa një test fitoreje për zgjedhësit e majtë.
Ne, Partia Socialiste, testin e fitores jemi të bindur që e kapërcejmë pa ndihmën e të tjerëve, vetë dhe në 14maj, Lali Eri do bëhet kryetari ynë i bashkisë përsëri, me diferencën më të thellë të tre mandateve të tij.
Por, kjo nuk mjafton. Kjo mjafton për Lali Erin, kjo mjafton për Partinë Socialiste por kjo nuk mjafton për Tiranën, nuk mjafton për Shqipërinë. Për Tiranën dhe Shqipërinë ka shumë rëndësi dhe testi i karakterit të njerëzve që janë të rreshtuar djathtas, të atyre që thonë “Ne kurrë nuk e japim votën tonë për socialistët, ne kurrë nuk votojmë majtas”. Dakord!
Unë nuk ju bëj thirrje atyre të bashkohen me Partinë Socialiste, unë as nuk ju bëj thirrje atyre të vijnë të votojnë Partinë Socialiste. Normalisht që mirë do ishte për atë që ata kanë si qytetarë të Tiranës, në raport me bashkinë, në raport me shërbimet, në raport me fëmijët, në raport me të tjerët, ta votojnë Lali Erin. Do të ishte mirë për ta bërë këtë, jo për një kandidat që është kandidat i Partisë Socialiste, por për një kryetar bashkie, i cili e ka treguar në dy mandate rresht se nuk e drejton Tiranën duke anuar majtas dhe duke kthyer kurrizin djathtas, por edhe sikur kjo të jetë e tepërt dhe ata të thonë “jo, harroje. Lali Fikun nuk e votoj”. Dakord, mos e voto. Problemi është cfarë do bëni në 14 maj sepse në 14maj përtej bashkive, përtej kandidatëve për kryetarë bashkish, përtej garës për Këshillat Bashkiakë, përtej Partisë Socialiste dhe partive të tjera, është në test karakteri i shqiptarëve, në raport me flamurin e tyre, në raport me këtë flamurin kuq e zi që ju sot e keni në dorë dhe që ne e kemi udhërrëfyesin tonë në punën e përditshme dhe e kemi udhërrëfyesit tonë në punët e jashtme.
Për këtë flamur që e kemi ngritur më lart se ç’ka qenë kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, për këtë flamurin tone, i cili sot që flasim, tani që flasim, qëndron bashkë me pak të tjerë në tryezën më të lartë të politikës botërore, në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për këtë flamurin tonë që është flamuri, që ishte flamuri i Presidencës së OSBE-së, një organizatë shumë e madhe, nga Kanadaja deri në Rusi, për këtë flamurin tonë që u bë simboli i mikpritjes së Samitit të Bashkimit Europian, që për herë të parë u ngrit, doli nga kufijtë e vet dhe erdhi në Tiranë për të bërë një takim historik për të ardhmen e përbashkët të Europës së bashkuar dhe vetë Ballkanit, për këtë flamurin tonë që do të ngrihet për të mikpritur Samitin e Berlinit në tetor, po këtu në Tiranë.
Është shumë i rëndësishëm 14 maji sepse ata që i thonë vetes apo që janë të rreshtuar djathtas, e kanë shumë të lidhur rreshtimin e tyre me këtë flamur dhe në fakt, ata e kanë pasur këtë flamur pa yll kur mbi këtë flamur u vu një yll dhe qysh atëherë u bë ndarja e madhe mes shqiptarëve, një ndarje që në periudhën e diktaturës ishte një ndarje e shënuar me një vijë të kuqe gjaku, me gjakun e viktimave të diktaturës, me gjakun e atyre që diktatura vrau, pushkatoi, torturoi, burgosi, syrgjynosi, persekutoi sepse i thonin vetes të djathtë dhe ajo vijë gjaku u rikthye, jo më si vijë gjaku, por si vijë ndarjeje politike kur komunizmi ia la vendin tranzicionit demokratik.
Ajo vijë ndarjeje u thellua ditë për ditë nga ata, të cilët e morën peng traditën dhe historinë e të djathtës dhe e kthyen në një histori përçarjeje, urrejtjeje, ndasish që kaq shumë na ka penguar dhe kaq shumë na ka turpëruar në sytë e botës në të gjitha marrëdhëniet me miqtë tanë ku jemi dukur gjithmonë si një zonë ku jetojnë dy tribu që përplasen për vdekje me njëra-tjetrën.
Pyetja që duhet t’i bëjnë zgjedhësit e djathtë vetes është “Po pse u ndanë në dy flamuj shqiptarët? Pse një flamur nuk kishte yll dhe tjetri kishte yll?”
Sepse ata që ishin stërgjyshërit, gjyshërit e këtyre që sot i thonë vetes të djathtë, që sot janë të rreshtuar djathtas, që sot thonë “Nuk votoj kurrë për Partinë Socialiste, nuk votoj kurrë për ju se ju jeni komunistë, ju vini nga komunizmi” e ku di unë se cfarë, ishte faktikisht një arsye e vetme, në bazë, ishte se ata donin Amerikën dhe Perëndimin dhe nuk donin komunizmin, Rusinë, Moskën dhe Kremlinin. E thënë kjo, kjo e thënë shumë thjeshtë.
Çfarë duhet të mendojnë, sipas meje, zgjedhësit e djathtë, në 14 maj, të djathtët e Tiranës, ata të njësisë 8 për shembull? Ata duhet të mendojnë që në 14maj nuk janë të detyruar të vijnë dhe të votojnë as Partinë Socialiste dhe as lali Erin, por ama duhet të kenë shumë kujdes që të mos vijnë të votojnë për ata të cilët janë jo problemi i menduar, por problemi i shkruar, problemi i vulosur, problem i thënë dhe i stërthënë me zë dhe me figurë i Amerikës dhe i Perëndimit sepse Amerika dhe Perëndimi, aleatët dhe miqtë, partnerët tanë, që na kanë mbështetur ne dhe që mbështesin jo Partinë Socialiste, por mbështesin këtë vend që quhet Shqipëri dhe që ka këtë flamur për të qenë në të gjitha ato pika deri dje të pamendueshme ku ne kemi arritur, e kanë bërë të ditur që këtë individ, që e keni pasur president dhe nuk e kemi zgjedhur ne largqoftë, e kanë zgjedhur të djathtët; që e keni pasur kryeministër dhe ne e dimë shumë mirë kush e ka zgjedhur, s’e kemi zgjedhur ne, ‘’ju lutemi shumë, mos na e nxirrni më përpara syve se na prishet qejfi” dhe unë ju jap një këshillë të gjithë atyre votuesve të djathtë, zgjedhësve të djathtë që nuk janë pjesë e kopesë së deleve blegëritëse që lëkurën e tyre që e kanë vënë në dispozicion të SaLike Floririt për t’u mbuluar dhe për t’u shfaqur si ai që nuk është. Jo! Po i them atyre që as kanë marrë dhe as do marrin ndonjë, as kanë kërkuar të marrin ofiqe në Partinë Demokratike të djeshme dhe as e kanë të djathtën dhe votën për të djathtën një qëllim që lidhet me të marrë ndonjë privilegj apo për të marrë ndonjë të mirë materiale; që përpara se sa të vendosin se ç’do bëjnë në 14 maj, të marrin fotografinë e gjyshit a të stërgjyshit, stërgjyshes, nuk ka rëndësi, të njërit anëtar të familjes që i ka vuajtur ato të cilat këta i kanë me të dëgjuar. Natyrisht stërgjyshi, gjyshi mund të mos jenë dhe përgjithësisht nuk janë më në këtë jetë, por fotografitë flasin. Kur fotografisë i drejtohesh me shumë lutje, “më trego se çfarë duhet të bëj”, fotografitë ta thonë. Unë ju them që asnjëri prej atyre nuk do çohej në asnjë mënyrë në 14 maj të shkonte në kutinë e votimit, të merrte fletën e votimit dhe ne emër të plagëve, ne emër të të vdekurve, në emër të të syrgjynosurve , në emër të persekutuarve të shkruante “Bashkë fitojmë’’ me Like Floririn. Këtë nuk do e bënte kurrë Mit’hat Frashëri. Këtë nuk do e bënte kurrë Abaz Ermenji, këtë nuk do e bënin kurrë ata të cilët janë pishtarët e asaj që quhet e djathta shqiptare. Po këtë nuk do e bënte kurrë asnjë tirans me pus e me carac që nuk e ka dashur komunizmin. Asnjë tirons nga ata që iu qepën mbrapa pas Berihait, atij qe sot është faqja e zezë e Shqipërisë, faqja e damkosur me vulën e personit të padëshirueshëm jo nga ne, se për ne ka qenë i padëshirueshëm që ditën e parë shyqyr Zotit, po i padëshirueshëm nga aleatët dhe miqtë tanë më të mëdhenj.
E fundit që ju them është që në 14 maj, kur të mbarojë votimi, aleatët tanë nuk do numërojnë sa vota mori lali Eri, sa vota mori Partia Socialiste, nuk do rrinë të presin me ankth sa bashki fituam ne, por do shikojnë e do presin me shumë vëmendje, sa shqiptarë akoma nuk po e kuptojnë se ça po u themi, sa shqiptarë akoma nuk po e marrin vesh që kjo hija e të shkuarës që tani i ka hipur në qafë opozitës shqiptare së bashku me atë si kallami i domates, Liken, nuk është në asnjë mënyrë, në asnjë formë, për asnjë arsye i pranueshëm, nuk është i ngrënshëm, nuk është i gëlltitshëm, nuk është i tretshëm.
Tani ka ca që thonë po jo se ky është vendi jonë, sovraniteti, ku di unë se ça, liria e demokracia se nuk e ka Amerika , ambasadorja e ku di unë. Tani që këta janë të padenjë për miqtë, për aleatët dhe jo vetëm për Amerikën, por për gjithë Perëndimin se nuk ju hapet asnjë derë në Europë, asnjë derë në BE, asnjë derë asgjëkund. Të vetmet dyer që ju hapen, janë ato dyert familjeve të atyre komuniteteve që po kanë vështirësi të ndahen prej tyre, kjo nuk diskutohet, por nëse duan një provë tani këta të djathtët e flamurit kombëtar, këta të djathtët e flamurit pa yll, ja ku e kanë, e kanë në Himarë.
Shikojeni çfarë ndodh në Himarë. Në Himarë ku Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në vitet ’90 mos gabohem apo 2000, Pandi se ti je i partisë së vjetër që mbetesh gjithmonë i ri, u bashkuan bashkë, ndërkohë që në të gjithë Shqipërinë shkuleshin për flokësh, në të gjithë Shqipërinë ziheshin e përplaseshin me grushta, në Himarë vajtën bashkë. Vajtën bashkë për të gjithë të rinjtë që nuk e dinë, për të gjithë ata që nuk e kanë jetuar atë kohë. Imagjinojeni. Vajtën bashkë, çuan një kandidat të përbashkët. Është i pari dhe i fundit kandidat i përbashkët në historinë e pluralizmit shqiptar, kandidat i përbashkët që e kanë vënë PS dhe PD në Himarë. Pse e bënë këtë? E bënë sepse përballë doli dikush i cili krahasuar me këtë maskarain që ka dalë tani në Himarë, ishte një zotëri burrë, por ama që u shfaq me farën e përçarjes, me farën e një historie shumë të keqe, dalë nga skutat më të errëta të një shovinizmi që i përket të shkuarës dhe që s’ka lidhje fare me marrëdhëniet mes nesh dhe Greqisë. Grekët janë vëllezërit tanë. Greket janë motrat tona. Populli shqiptar dhe populli grek janë dy popuj vëllezër. Ndërsa këta që nxjerrin kokën si minj nga gjirizet e historisë dhe shfaqen në territorin e Republikës së Shqipërisë, kudoqoftë për t’i yshtur dhe për t’i fryrë zjarrit të një historie që s’duhet të përsëritet më, këta nuk kanë lidhje fare me atë që janë marrëdhëniet tona dhe atë që duhet dhe do të jenë gjithmonë marrëdhëniet tona, qoftë në territor mes qytetarëve shqiptarë me kombësi shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi greke.
Si ka mundësi që këtë mi të dalë nga gjirizët e historisë më të keqe, e vënë kandidat këta të dy. E vë kandidat faqja e zezë e Shqipërisë. E vë kandidat Salike floriri dhe jo vetëm e vë kandidat, po e mbështesin që ai idjot të çojë përpara idenë e tij të marrë të helenizimit të Himarës dhe ai të marrë hak për 60 vjet dhe nuk e di sesi i ka numëruar vitet se është një analfabet funksional. 60 vjet që sipas tij është shkelur me këmbë minoriteti grek dhe janë grabitur pronat minoritetit grek.
E para e punës, dhe e them këtë jo për ju, po për ata atje dhe e them për të gjithë që ta dëgjojnë dhe e them mbi të gjitha për këta të djathtët që ta dinë, çështjen e pronave në Himarë e bëri “lesh dhe li” faqja e zezë e Shqipërisë, kur ishte në pushtet dhe në atë kohë u shfaqën në Himarë pronarë, të cilët e shihnin detin për herë të parë dhe paraardhësit e të cilëve s’kishin shkelur kurrë në Himarë.
E dyta, çështja e pronave në Himarë është trajtuar nga ne. Është zgjidhur nga ne. Është vendosur pikë për pikë në ligjet tona dhe ka filluar të kthehet në certifikata pronësie për banorët e Himarës falë bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë, edhe me banorët, edhe me përfaqësuesit e komunitetit himariot në Amerikë të cilët ndjehen me origjinë greke, të cilët janë grekë me origjinë nga Himara më saktë dhe në atë bashkëpunim pengesa më e madhe, problemi më i madh, ishin shpifjet, ishin ngatërresat, ishin fabrikimet e këtij maskarai që me një grup pseudohimariotësh, thoshte pa pikën e turpit po e zgjidhi Edi Rama dhe po e zgjidhën këta, domethënë ne, çështjen e pronave të Himarës, ne nuk e marrim dot kurrë pushtetin dhe nuk e helenizojmë dot Himarën.
Tani po i them këtu dy njerëzve që quhen Spiro Koka dhe Napolon Çakalli – që janë sekserë të këtij dhe që marrin në telefon emigrantët që duan të vijnë të votojnë, ose duke i kërcënuar që po erdhën të votojnë për Jorgo Gorën dhe për Partinë Socialiste do t’iu grisin letrat e qëndrimit atje ose po nuk erdhën të votojnë për këtë maskara dhe për platformën e tij të poshtër, do t’i kthejë mbrapsh – se pas 14 majit unë do të merrem personalisht me ata të dy.
I them të gjithë emigrantëve që duan të vijnë të votojnë në Himarë, jeni të lirë të vini të votoni për kë të doni. Është e drejta juaj! Nëse do ta hani sapunin me dhjamë të atij maskarai për djathë, është e drejta juaj, por askush nuk duhet ta çojë as nëpër mend se ka çakall, e ka kokë, e ka bejlerë e agallarë që ju prekin atyre letrat e emigracionin sepse avokati dhe mbrojtësi më i madh i minoritetit grek në Shqipëri jam unë, qeveria shqiptare dhe Partia Socialiste dhe avokati dhe mbrojësi më i madh i komunitetit shqiptar në Greqi, jam unë, qeveria dhe Partia Socialiste, jo një maskara! Një honxho-bonxho! Një njeri i akuzuar për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në Peshkëpi, një injorant që nuk meriton të jetojë në Himarë, jo më të votohet në Himarë, por megjithatë për të jetuar le të vazhdojë të jetojë, se çdo fshat ka budallain e vetë, por votën e dinë vetë himarjotët.
Këtë sot e them këtu për të djathtët e Tiranës, për nacionalistët e Tiranës. Për ata që kanë vajtur mbas berihait për 30 vjet se luftonin me ne, me ne që ishim me Jugosllavinë, me ne që vijmë nga komunizmi, me gjithë ato dokrra.
E pra, ja ku është faqja e zezë, Salike floriri. Mbrojnë Kosovën nga unë, me Facebook. Luftojnë me Serbinë, me Facebook. Mbrojnë Ballkanin, me Facebook dhe kur vjen puna te e vetmja gjë që kanë në dorë, ja japin firmën një personazhi të dalë nga skutat më të errëta të historisë.
Kjo është fytyra e vërtetë e Salike floririt. Kjo është faqja e zezë që asnjë shqiptar nuk duhet ta pranojë, jo më ta votojë në 14 maj.
O ju “hëngsha zemrën” ju të gjithëve.
Faleminderit shumë dhe fitorja e 14 majit nga Tirana dhe deri në alpe, e deri poshtë në kufij me Greqinë, do të jetë një fitore që nuk do ta harroni kurrë!