Kryeministri dhe Kryetari i PSSH Edi Rama me asambletë socialiste të Kamzës dhe njësive 7, 10
Shumë faleminderit. Është kënaqësi që jam këtu, realisht është kënaqësi dhe më vjen shumë mirë që gjithë rreshtat e parë të sallës janë të pushtuar nga gratë dhe nga vajzat.
Është dashur një përpjekje e madhe këmbëngulëse dhe më vjen jashtëzakonisht mirë se nëse ka një vend në Shqipëri, ku përputhja mes pritshmërive nga vota dhe punëve të bëra është thuajse 100%, ky vend është Kamza.
Kamza është prova e një qeverisjeje dhe një mbështetjeje nga qeveria qendrore, që nuk i ndan njerëzit në majtas e djathtas, as në përkatësira krahinore, as në ndasira të asnjë lloj forme tjetër, por përkundrazi u shërben të gjithëve me të njëjtin përkushtim dhe vetëm po të llogarisësh se çfarë kanë fituar fëmijët e Kamzës nga puna këmbëngulëse, programi ambicioz, përkushtimi i kryetarit të bashkisë dhe mbështetja e pakursyer që unë dhe qeveria i kemi dhënë bashkisë Kamëz, që po të jesh prind këtu në Kamëz të jesh i qetë edhe nëse ke votuar Partinë Socialiste, edhe nëse nuk e ke votuar Partinë Socialiste. Madje, unë them që qytetarët demokratë kanë lindur me këmishë sepse edhe kur nuk na votojnë na e shohin hajrin.
Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që, së bashku ne të ndajmë një bindje që ndryshe nga të gjitha zgjedhjet e tjera, 11 maji është një zgjedhje ku, jo vetëm për ne si Parti Socialiste ka shumë rëndësi rezultati, por kur rezultati ka një rëndësi historike për Shqipërinë sepse në 11 maj Shqipëria duhet të marrë të gjithë energjinë e nevojshme dhe duhet të pajiset me të gjithë forcën e nevojshme për të kryer procesin e negociatave në Bashkimin Europian dhe për ta shfrytëzuar dritaren e hapur të një mundësie historike, që është rezultat të përputhjes së rrethanave të brendshme të vendit tonë me rrethanat e Europës.
Është një dritare e hapur që ne duhet ta shfrytëzojmë për të hyrë përpara se të mbyllet.
Nuk është një dritare që është e hapur përgjithmonë dhe që do të na presë ne kur ne të jemi gati sepse ne mund të bëhemi gati, por dritarja mund të jetë mbyllur, siç ka qenë më përpara.
Ne kemi qenë gati për t’i hapur negociatat, i ka rekomanduar Komisioni që bën vlerësimin e detyrave dhe tre herë rresht kur ka shkuar puna për të marrë vendimin politik tek udhëheqja politike e Bashkimit Europian e të gjithë shteteve, ka dalë një shtet ose një shtet tjetër e ka thënë “Jo”. Sot të gjitha shtet duan që të thonë “Po”, jo se i lindi ndonjë dashuri e befasishme për ne, por sepse nga njëra anë, ne kemi krijuar besimin dhe respektin që meritojmë të merremi seriozisht dhe nga ana tjetër, lufta në Ukrainë, turbullirat gjeopolitike, rrethanat e përgjithshme kanë krijuar nevojën brenda Bashkimit Europian që të rritet numri i shteteve dhe Bashkimi Europian të përfshijë brenda vetes anëtarë të rinj dhe për këtë arsye kemi vendosur bashkërisht që brenda 2027 do ta mbyllim këtë negociatë, që nëse realizohet është negocimi më i shpejtë në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Kjo do të thotë që nuk ka mundësi që ne të humbasim, jo më një vit, por asnjë muaj, nuk ka mundësi që ne të shkojmë në zgjedhje dhe të dalë nga aty një rezultat që mund të kompromentojë gjithçka, mund të kompromentojë gjithçka, prandaj nuk duhet thjesht një fitore aritmetike e Partisë Socialiste, duhet një triumf i Partisë Socialiste, duhet një fuqi e investuar me votën e shqiptarëve që në 11 maj nuk duhet të mendojnë të parën partinë me logon që do të zgjedhin, por duhet të mendojnë Shqipërinë në tryezën e negociatave, që duhet t’i mbyllë këto negociata brenda 2027 dhe janë 1000 veta që janë të ulur në të gjitha tryezat që bëjnë negociatat, 1000 në total, ndërkohë që janë rreth 40 persona që merren vetëm me këtë punë “ik e eja” Bruksel-Tiranë, Tiranë-Bruksel, në ndërkohë që, nga ana e tyre çdo javë e çdo javë ata ndjekin ecurinë e detyrave.
Gjithë kjo makineri që është ngritur dhe që po shtyn shumë fort përpara dhe gjithë ajo gatishmëri që është nga ana tjetër nuk duhet të kenë asnjë ndërprerje dhe futja në Bashkimin Europian është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, është ngritja e dytë e flamurit shqiptar që i jep sovranitetit tre vlerave të garantuara dhe të sigurta njëherë e mirë që përndryshe nuk janë as të garantuara e as të sigurta për fëmijët tanë. Së pari, lirinë individuale, së dyti barazinë përpara ligjit dhe së treti standardet europiane të bashkëjetesës demokratike. Këto të treja nuk i garanton dot askush, askund përveçse nëse është pjesë e asaj familjeje.
Të gjithë duhet ta dëgjojnë që kush hyn në atë familje menjëherë bëhet më i rëndësishëm, bëhet më i fortë sepse në atë familje shtetet më të zhvilluara mbështesin shtetet më pak të zhvilluara, shtetet më të pasura mbështesin shtetet më pak të pasura dhe ata që hyjnë të rinj hyjnë në kategorinë e përfituesve, ata që janë më të vjetrit aty, janë kontribuuesit, njësoj si në çdo familje ku më të mëdhenjtë kujdesen për më të vegjlit.
Këtë panorama, që unë po ju shpjegoj, e cila deri dje do të tingëllonte si një përrallë dhe për të cilën deri dje ëndërronim e kemi në dorën tonë, njësoj siç kemi në dorën tonë të ndezim dhe të fikim dritën kur hyjmë në shtëpi ose kur dalim nga shtëpia, njësoj kemi në dorën tonë këtë tani.
Sigurisht që, e thashë, njerëzit janë në të drejtën e tyre që të kërkojnë më shumë dhe ne jemi këtu që ata të kenë më shumë e jo që ata të kenë më pak, por ama, kur ne e morëm detyrën, këtu në të njëjtën datë të 10 viteve më parë po ta bënim këtë mbledhje do ta bënim me gjenerator. Jo Kamza, por zemra e Tiranës në këtë orë, në këtë periudhë të vitit zhurmonin nga gjeneratorët. Lokalet dhe trotuaret ishin të mbushur me gjeneratorë, ju e kujtoni shumë mirë.
Sot është komplet situatë tjetër. Furnizimi me energji elektrike është në tërësi i garantuar dhe kemi ulur dhe çmimin. Për herë të parë në të gjithë rajonin tonë, se Europën nuk flasim fare se aty vetëm rriten çmimet, është bërë një ulje e çmimit të energjisë dhe mjafton ata që kanë parë faturat dhe ndjekin faturat e energjisë nëpër shtëpi të shohin faturën vjet me faturën sivjet, për të njëjtin konsum do shohin që do paguajnë më pak dhe më pak është më pak.
Kaq e thjeshtë është kjo.
Më shumë është më shumë. 117 mijë subjekte biznesi kishte kur ne morëm detyrën, sot ka 150 mijë. Nëse subjektet e biznesit janë më shumë sesa dyfishuar, por po them dyfishuar, atëherë janë më të mira kushtet ekonomike apo janë më të këqija dhe të mos harrojmë një gjë, 117 mijë subjekte biznesi që paguanin taksa, paguanin 10% taksë dhe u fillonte TVSH që në xhiron 40 mijë euro. Sot 0 taksë deri në 140 mijë euro xhiro, që në atë kohë nuk quhej as biznes i vogël fare, në atë kohë ishte biznes i madh dhe 0 TVSH deri në xhiro 140 mijë euro dhe taksa zero. Nuk e ka asnjë vend i rajonit dhe do të qëndrojë kështu deri në fund të mandatit tonë të katërt sepse kështu e kemi premtuar.
Tani, çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që paratë që biznesi i paguante shtetit, sot i mban në familjet e tij, biznesi i vogël, për familjen e tij dhe nga ana tjetër, në atë kohë kur ne nisëm këtë rrugëtim, 10% ishte taksa mbi çdo pagë, mbi çdo pagë. Pastruesja në Kryeministri paguante 10% nga paga e vet, njësoj si kryeministri. Sot pastruesja në Kryeministri nuk paguan asnjë lek nga paga e vet, ndërkohë që kryeministri paguan shumë më tepër se 10% taksë dhe kështu në të gjithë sistemin. Që do të thotë që 57% e shqiptarëve që marrin një pagë në sektorin publik ose privat paguajnë zero dhe 36% paguajnë nga 4-10% taksë. E dini se çfarë është kjo? Kjo është që, çdo vit krahasimisht me kur ne nisëm detyrën, 140 milionë euro ne nuk i marrim më t’i fusim në buxhet, siç merreshin më përpara, por ia lëmë njerëzve që janë 1,4 miliardë euro në 10 vjet dhe këto 1,4 miliardë euro në 10 vjet janë para që i kanë mbetur në arkë të gjithë atyre që kanë një pagë dhe natyrisht kanë shtuar frymëmarrjen e familjeve.
Në 2016, se është një shifër e atij viti, aksesi në aviacion i shqiptarëve rezidentë në Shqipëri ka qenë 6,7%. Kishim aeroportin më të shtrenjtë të Europës, biletat ishin, kush i mban mend dhe ankoheshin të gjithë me të drejtë, tmerr dhe numri i fluturimeve dhe pasagjerëve ishte shumë i ulët. Sot kemi një aeroport që është aeroporti me rritjen më të lartë në Europë, është aeroporti numër 1 i rajonit, kemi tejkaluar Beogradin me numër pasagjerësh dhe aksesin në aviacion e kemi 32%, sepse ka një pjesën dhe këneta sidomos, që thonë “Po këto i bëri koha, pse çfarë donit ju që të ishte prapë kështu? Sikur çfarë keni bërë, këto i ka bërë koha”.
Po mirë, pse i bëri koha kur qeverisim ne dhe nuk i bëri koha më përpara? Pse, për shembull, koha dhe jo koha e 10 viteve përpara se të vinim ne në detyrë, por koha e 100 vjetëve përpara se të vinim ne në detyrë, pse bëri vetëm 4 zona furnizimi me ujë 24 orë në Shqipëri? 4 zona 24 orë, aq kishte kur morëm ne detyrën.
Pse sot janë 43 zona urbane dhe 98 zona rurale që kanë 24 orë ujë? Pse nuk i bëri koha këto më përpara? Po pse nuk i bëri koha 53 spitale të reja që janë bërë në këto vite dhe 43 prej tyre janë bërë në spitalet që ishin ndërtuar në vitet ’60- ’70 që u shembën dhe u bënë nga e para ndërkohë që 10 janë komplet nga e para?
Pse nuk bëri koha disa spitale të reja, për shembull, deri kur erdhëm ne në detyrë, por të gjithë çfarë ishin spitale që ne gjetëm ishin bërë në vitet ’60 dhe ’70? Pse nuk i bëri koha disa nga këto 53? T’i kishte bërë më përpara.
Një nga gjërat që duhet të na bëjë krenarë ne, që ju mund të habiteni, është pikërisht gjëja për të cilën duan të na ulin kokën dhe duan të na tregojnë me gisht si njerëz që duhet të ndjehemi keq që do të thotë pikërisht çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit dhe me zhvillimet e kësaj lufte. ne duhet të jemi krenarë për këtë. Pse duhet të jemi krenarë? Jo sepse dikush apo disa nga njerëzit që kanë qenë në të njëjtën barrikadë me ne dalin me hije në radiografi, por sepse po të mos ishim ne dhe po të mos ishte kurajoja jonë dhe vendosmëria jonë për të bërë një shtet shqiptar të denjë për të qenë i barabartë në tryezën e Bashkimit Europian, këto ngjarje dhe kjo histori nuk do vinte ndonjëherë në aktualitetin e Shqipërisë nuk do vinte. Thjesht nuk do vinte sepse nuk e solli as Amerika, as Evropa, as koha sepse e dëgjoni besoj shpesh, se kur nuk kanë agumenta thonë “hë mo, se këto i solli koha”. Jo, nuk e solli koha fare, e sollëm ne se po të ishte koha, koha e sillte më përpara po koha nuk e solli 100 e ca vite, përkundrazi solli gjëra të tjera sepse të bësh këtë, është diçka që në fjalë të thjeshta të dorëzosh shpatën, e dorëzon një pushtet shpatën? Ky është dorëzimi i shpatës. E kam sjellë këtu prapë këtë zonjën se më pëlqën shumë kjo zonja.
Kjo shpata ka qenë që nga 1912 në duart e atyre që kanë pasur pushtetin politik. Zonja e drejtësisë këtu ka qenë “hajde ta marrim në telefon e ta thërrasim se kemi ditëlindjen”, “hajde ta marrim në telefon e ta thërrasim se kemi një vaki”, “ta marrim në telefon e ta thërrasim se na kanë ndaluar njërin”, etj. Pra zonja ka qenë si një lloj mantenute e pushteteve. Shpatën e ka pasur pushteti politik. Ne këtë shpatë me reformën në drejtësi, ia dorëzuam zonjës dhe patjetër që në momentin që ke dorëzuar shpatën duke qenë pushteti, ti në fakt nuk ke dorëzuar thjesht shpatën e t’i thuash merre ti shpatën dhe tani do ta përdorësh ku të të them unë se nuk funksionon kështu. Vetëm injorantët dhe ligësirat dhe shpifësirat e kënetës mund ta interpretojnë kështu. Nuk funksionon kështu. Edhe sikur të duash ta bësh kështu, nuk e bën dot. Në momentin që e ke dorëzuar me firmë, me vulë, me inventar, ke thënë merre shpatën,është e jotja. Ku ta dorëzon tjetri shpatën mo? Ku ke gjetur ti ta përdorë tjetri shpatën, siç thua ti, kur ai e ka shpatën të vetën dhe për më tepër, shqiptarët, nuk ndodh kjo. Por ama, duke i dhënë shpatën, i ke hapur sytë që të shohë dhe qafën tënde se shpata është për t’u përdorur, nuk është për t’u mbajtur në dollap.
Pra, PS duke qenë një parti në pushtet është bërë organizmi mbi të cilin bëhen dhe opracionet kundër korrupsionit. Tani në këto operacione, sigurisht që ka në organizmin e përgjithshëm të pushtetit ekzekutiv në Shqipëri, ka tumore për të pastruar, por ndodh që, siç ishte ajo historia ju kujtohet,që mjekët e harruan çadrën brenda në stomak kur e happen, ndodhin dhe aksidente në këtë proces sepse është një praktikë e re dhe natyrisht që është e dhimbshme, patjetër është e dhimbshme, është e rëndë, është stresuese të përjetosh gjëra të cilat nuk është e vështirë që të kuptosh që janë gabim. Dhe të mbyllësh gojën,të mbyllësh gojën 5 vjet me radhë po jo unë, të gjithë, po jo, po ju them të gjithë dhe jo me kënaqësi, asnjëri, por ama të gjithë me një vetëdije që po bëjmë gjënë e duhur ama.
Kemi pasur shumë debate, kemi pasur momente që “ore, po mirë mo tani shikohet se tani bën mu, nuk është kështu”, jo lëre sepse na ka interesuar që atë shpatën që e kemi dorëzuar,ata që e kanë marrë ta besojnë deri në fund që është e tyre dhe kjo është një sakrificë shumë e madhe në kuptimin e pushtetit, s’është kollaj.
Po diskutoja me Fatmirin sot, një bisedë kur vajtëm atje në Spanjë që na dhanë atë kandidaturën për Kongresin Botëror të Ligjit dhe ata aty thoshin që kjo që ka bërë Shqipëria është unikale, në aspektin e kurajos dhe të vullnetit politik dhe trupa e Kongresit Botëror të ligjit që janë njerëzit e reputacionin më të lartë ndërkombëtar në fushën e ligjit, do ta shoqërojnë këtë proces dhe do bëjnë një raport në fund të procesit të negociatave, do t’i dorëzojnë një raport BE për të nxituar ratifikimin e vendeve anëtare,vetë ata, pa ia kërkuar njeri fare, sot ma përcollwn, – që do të thotë që sot për sot ky është një proces me lëkundje, me luhatje, me gabime, me faje po të doni ju, me shkelje, por në pikturën e madhe, përveç gjërave shumë pozitivie që kanë ndodhur, është gur themeli për të pasur një pushtet drejtësie të pavarur, por edhe profesional, por edhe garant të lirive dhe të drejtave, pra një drejtësi europiane dhe do kërkojë kohë, por ama në këtë pikë unë habitem kur sinqerisht habitem, gjëja që e kam menduar, po jo deri këtu, që të të kërkojnë hesap sikur të kanë kapur në faj pse ke bërë një reformë të tillë, ndërkohë që e kundërta është komplet e vërtetë se e ne e dinim që bëmë reformë në drejtësi, ne jemi në pushtet. Tani me kë do meret kjo drejtësia, me të vdekurit? Apo me kënetën? Me kënetën aq sa ka dhe ça ka, dhe me kënetën nuk është marrë me gjënë e madhe që e dini shumë mirë kush është. Nëqoftëse ka një gjë për t’u marë më kenetën , është ajo, gjaku që është në kënetë nga vrasja e njerëzve të pafajshëm, por përsa i përket korrupsionit e përsa i përket problematikave të tjera,këto janë çështje që kanë të bëjnë me adminstrimin e pushtetit, që kanë të bëjnë me institucionet, që kanë të bëjnë me ça lëviz gjatë gjithë kohës dhe në këtë pikë ka dhe një gjë tjetër që duhet pasur parasysh, që sa herë ka një luftë të tillë, është e studiuar, është e shkruar, paralelisht për shkak se bëhet zhurmë, zhurmë, zhurmë, krijohet dhe një perceptim sikur këtu plasi peshku, në fakt e kundërta është e vërtetë. Këtu ka filluar pastrimi. Dhe për shkak të këtij perceptimi, për shkak të kësaj zhurme, përfytyroni një gjë shumë të thjeshtë, se si kjo zhurmë riprodhon vetveten dhe se si gjithë këto burime informacioni, gjithë këto altoparlante, gjithë këta tellallë duan vetëm të ripërtypin të njëjtën temë, sepse është një lloj spektakli me jetët e njerëzve.
Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë niset për një shkak thelbësor shëndetësor në Itali. E marrin e fusin në sallën e operacionit, bën 3 bypass-e për shkak të bllokimit të koronareve dhe rrezikut imediat për jetën, pas një operacioni shumë të rëndë kalon në një ndalesë të funksionit të mushkrive dhe e fusin në frymëmarrje të drejtuar. Ditë të tëra nuk thoshte asnjë mjek që ky do bëhet prapë, “nuk e dimë, ja ta shohim, nuk e dime”, domethënë mund të ndodhte hataja nga momenti në moment. Nxjerrin një njoftim- ku do të dijë kjo kënetë e madhe për njeriun, për respektin minimal për një njeri të sëmurë, për familjen?! A ka një nënë a një baba, a ka një grua a një vajzë, a ka një djalë? Jo more! “U arratis nga drejtësia, i morën laptopin,vajti BKH, vajti SPAK, u futën në kryeministri’’ . Kuptoni tani se ça bëhet këtu? Dhe vazhdon. Bëhen debate. Ka ndodhur apo s’ka ndodhur? Të vijë njëri nga PS, të vijë dhe njëri nga PD, nga këneta. Po si mund të shkojë tani të bëjmë debat politik parti me parti për një fakt konkret të dikujt që është në spital dhe që tani që flasim duhet të vazhdojë të rekuperojë mushkritë që i janë lënduar rëndë nga ndalesa. Kuptoni tani se ça ndodh? Nuk e di unë tani se Luli iku po aritmetikën e la prapa. Sinqerisht iku Luli, ngeli aritmetika. Tani ne kemi pasur 60 ministra. Dy ministra të dënuar janë deri tani, dy. Të mandatit të parë, njëri i PS, tjetri i aleatit strategjik, ndjesë pastë, partia aleate; një tjetër në paraburgim, akoma mbahet në paraburgim, nuk po bëj komente dhe një i arratisur nga Shqipëria për t’i ikur drejtësisë. Ka dhe kryebashkiakë dhe deputetë, ok, po ça do me thënë kjo? Kjo do me thënë që ne i kemi dhënë drejtësisë pavarësinë, i jemi disponuar për të ndërtuar këtë shtet me pushtete të ndara dhe me drejtësi të pavarur. Kjo është gjëja. S’mund të themi kurrë që të gjithë janë njësoj se po të ishin të gjithë njësoj, do ishte njësoj kjo punë. Nuk do kishte drejtësi të pavarur,nuk do kishte reformë në drejtësi. Tani kanë që,jo kanë dalë, e thoshin prej kohësh, po tani reformën e paska bërë Sorrosi. Po si e bëri Sorrosi? Në çfarë forme? “Futi Sorrosi liderin e opozitës në burg”, vdeksha unë. Vdeksha unë. Një miliarder nga më të mëdhenjtë e botës, ia kushtoi jetën kapjes së bufit të kënetës në Shqipëri. Kuptoni apo jo? Të ishte ndonjë sorkadhe, të ishte ndonjë fazan, hajde se thotë njeriu edhe këta miliarderët kanë dhe këta tekat e veta, gjahtar tjetri edhe kjo sorkadhe e bukur që e la pa mend dhe i shkoi nga mbrapa.
Dhe së fundmi janë plot gjëra që ne duhet të jemi vërtetë të vetëdijshëm që kemi bërë shumë edhe kemi vendosur të gjitha bazat me këtë manadatin e katërt, finalen e një gjenerate po themi, se historia vazhdon, se është një përpjekje që i takon PS ta përmbyllë.
Shumë faleminderit!