Partia Socialiste e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve! Së pari, më vjen shumë mirë që jeni bërë gati t’i jepni Blendi Klosit pasaportizimin. Unë i kërkova që të vij këtu, u nisa nga gjaku i ëmbël, po akoma s’po e besoj dot që e paska pas gjakun aq mjaltë saqë iu paska ndezur të tërëve.

Duke parë këto pamje, po mendoja që sa e pamundur do ishte që të bëhej një gjë e ngjashme përpara se ne të fillonim këtë punë së bashku sepse do duhej që kamera të qëndronte vetëm tek vija e detit dhe pastaj të kapërcente çdo gjë që ka të bëjë me njerëzit dhe shkonte nëpër kodra e male sepse faktikisht Vlora ishte, ju e dini shumë mirë, tërësisht e braktisur. Për të mos folur për Himarën, që ishte e lënë pas dore dhe faktikisht në mëshirën jo të fatit, por në mëshirën e disa zhvillimeve që kërcënonin ta shkatërronin seriozisht një herë e përgjithmonë, e për të shkuar më tutje, poshtë në Sarandë.

Ndërkohë që sot, përsëri unë them të njëjtën gjë si për çdo gjë tjetër. Nëse e shohim me sytë e momentit kur u nisëm, sot është dita me diell, me natën pa hënë, krahasuar me të shkuarën. Ndërkohë që, nëse e shohim më sytë e ku duhet dhe ku do të jemi patjetër, duke vazhduar të punojmë së bashku në vitet që vijnë, atëherë jemi akoma në të gdhirë, kur sapo ka çelur dita po ka ende për të bërë që të shkëlqeje dielli.

Përpara se të vinim këtu ishim në një takim me operatorët turistikë të Vlorës dhe me një grup të gjerë italianësh që banojnë në Vlorë, por edhe të ftuarish kryetarë komunash të Italisë përbri dhe pa diskutim që edhe ai takim nuk do mund të bëhej deri disa vite më parë sepse ju e dini shumë mirë që Vlora edhe pse quhej qytet turistik, vetëm qytet turistik nuk ishte, ishte rrugë kalimi dhe shumë pak njerëz vendosnin të qëndronin në Vlorë sepse dhe mundësitë ishin shumë të pakta.

Më parë akoma, ishim pamë rrugën e re që po hapet Orikum-Dukat, e cila është në rreth 70% të punimeve të kryera, pamë Tunelin e Llogarasë që aktualisht është në 4.6 kilometra dhe nëse vazhdon kështu ritmi i punës po, por edhe formacioni gjeologjik, atëherë ne do të jemi pa diskutim në fund të shkurtit në pikën bashkuese të të dyja skajeve, pra do të hapim dritën e tunelit dhe do vazhdojmë pastaj me punimet e tjera për ta pasur atë gati shumë përpara afatit.

Ndërkohë që në ditët që vijnë, fillojmë një tjetër investim shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm që është investimi për pjesën e tretë të Lungomares, e cila vazhdon nga tuneli deri poshtë në Radhimë.

Më në fund, aeroporti  filloi dhe tani puna aty po vazhdon me ritme shumë të larta dhe po ecën çdo gjë në rregull, por një gjë dua të them këtu tek aeroporti sepse është shumë e rëndësishme. Aeroporti i Vlorës do të operohet nga Aeroporti i Mynihut dhe që aeroport i Mynihut të hyjë në një operacion të tillë duhet realisht që të ketë arsye, arsye të rëndësishme dhe unë mund t’ju them me plot gojën që gjermanët që kanë bërë të gjithë studimin e tyre përpara sa të bënin marrëveshjen për të operuar aeroportin e Vlorës, mendojnë që Vlora është një pikë strategjike për turizmin e të ardhmes në Mesdhe dhe ata besojnë që aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, do të jetë një nga aeroportet më të rëndësishëm të të gjithë rajonit tonë, jo vetëm për sa i përket periudhës së sezonit më intensiv turistik, por edhe përsa i përket të gjithë fluksit të transportit të pasagjerëve dhe kjo është shumë domethënëse për ta parë të ardhmen me një garanci më shumë sepse ata kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe njihen si një shtet edhe si një kulturë sipërmarrjeje që nuk bëjnë gabime, nuk hedhin asnjë euro kot asgjëkund. Thënë të gjitha këto, më vjen keq që Blendi u mërzit që ne nuk e bëmë dot këtë takim, aty ku ishte planifikuar për shkak të shiut, por që të them të vërtetën, unë sot jam shumë i kënaqur që sot bie shi sepse siç e dini shumë mirë, koha që ne jetojmë është një kohë që ka me vete një shqetësim shumë të madh dhe që ka sjellë një fatkeqësi të tretë radhazi për ne, pas tërmetit dhe pas pandemisë dhe tani vetëm mereni me mend se sa shumë më tepër mund të kishim bërë nëse nuk do na ishte dashur të ndalonim, të spostonim shumë fonde për të mbështetur familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti apo të ndalonim siç ndaloi gjithë bota për të përballur pandeminë.

Sot, kur lufta ka ardhur në të gjitha vendet, jo me bomba për fat, jo me shkatërrime për fat, jo me jetë të humbura për fat, jo me plagë njerëzore për fat, jo me detyrimin për t’u ngritur e për t’u shkulur nga shtëpia..

(Gjatë fjalës, Kryeministrit Rama i dhurojnë një buqetë me trëndafila)

Unë e kam ditëlindjen në 4 korrik kështu që këto (lulet) për ditëlindjen time nuk janë, Partia Socialiste nuk e ka ditëlindjen sot, atëherë i bie që këta trëndafila të jenë 10 plus të gjitha vitet e tjera që Partia Socialiste do vazhdojë të qeverisë dhe të jeni të bindur që kjo është e mundur, kuptohet, jo me mua deri atëherë, por rëndësi ka me Partinë Socialiste sepse asnjë tjetër nuk e bën dot atë që bën Partia Socialiste dhe asnjë tjetër nuk ka asnjë lloj kapaciteti që të investohet për këtë vend siç investohet Partia Socialiste.

Duke u kthyer tek lufta, ne sot jemi në kushtet kur lufta na kërcënon me të tjera armë, të gjithë Europën, të gjithë krahun perëndimor të Rusisë, me energjinë të kthyer në një armë përmes rritjes stratosferike të çmimit dhe me inflacionin e luftës, që është prezent në çdo moment kur njerëzit blejnë diçka.

Unë jam, sidoqoftë, i lehtësuar që, deri tani të paktën, qysh nga momenti që ka filluar kriza e çmimit të energjisë, fatura e energjisë elektrike, e cila hyn në çdo shtëpi nuk tregon asnjë shenjë dhe është një armë, deri tani, e neutralizuar plotësisht sepse çmimi i energjisë elektrike nuk është rritur asnjë qindarkë, është njësoj siç ishte përpara se të fillonte kriza dhe shifra në faturë është pjesa që paguan çdo familje siç ka paguar gjithmonë, ndërkohë që është vetëm, sipas rastit, 20% deri në 30% e çmimit të vërtetë; 70-80% të çmimit të konsumit për çdo familje e paguan qeveria përmes buxhetit të shtetit.

Po kështu, edhe për biznesin e vogël sepse në rast se ne do të rrisnim çmimin për biznesin e vogël, atëherë detyrimisht inflacioni i luftës do të ndjehej më shumë seç ndjehej sepse çdo dyqan që do të paguante më shumë për energjinë do të çonte më shumë peshën e çmimit të rritur të energjisë tek xhepi i secilit dhe i çdo familjeje. Duke mbajtur me një mburojë financiare, qysh nga dita e parë e krizës, familjet dhe biznesin e vogël, ne kemi bërë të mundur, që nga njëra anë, familjet tona të mos e ndjejnë stresin e tmerrshëm të rritjes së çmimit të energjisë dhe nga ana tjetër, inflacioni i luftës të jetë më i ulëti në rajon sot që flasim, që nuk do të thotë aspak që nuk është problem, por ama është më i ulëti në rajon. Mund të ishte shumë më i lartë dhe në ndërkohë, ne nuk po rrimë duarkryq; ne po punojmë intensivisht sepse siç e kam thënë edhe kur ra tërmeti, edhe kur ra pandemia që i dëgjonit të gjithë laraskat që thoshin “Ndërprit investimet”. Ne do t’i përballojmë këto të këqija të mëdha që nuk i kemi zgjedhur, nuk i kemi dashur, nuk kemi gisht në krijimin e tyre, por na kanë zgjedhur dhe na sfidojnë, por njëkohësisht nuk do të heqim dorë nga ambiciet dhe objektivat tona.

Shqipëria që ne e morëm në kujdes, kur morëm qeverinë me rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike të kohës së Enver Hoxhës, të viteve të elektrifikimit ku nuk ishte investuar kokërr leku dhe me humbje katastrofike mbi gjysmën e prodhimit, nuk do vazhdojë edhe për shumë kohë të dalë në tregjet ndërkombëtare për ta blerë energjinë. Ne do të arrijmë që energjinë ta prodhojmë të tërën atë që na duhet këtu në vend dhe madje, pjesë përtej asaj që na duhet për konsumin tonë, t’ia shesim ne të tjerëve, jo të na e shesin ata ne.

Natyrisht që, kjo kërkon kohën e vet, kjo kërkon durim, por ne jemi në ndërkohë duke i hedhur hapat.

Ka filluar ndërtimi i parkut më të madh me energji diellore në rajon, pranë këtu, në zonën e Karavastasë. I njëjtë me të është parku me energji diellore i Spitallës. Po ecim përpara me Skavicën, e cila do të na garantojë që të mos ketë më kurrë asnjë pikë ujë që derdhet për të përmbytur tokat kur ka më shumë reshje seç duhet dhe njëkohësisht që ne të mos detyrohemi që ta sheshim energjinë nga halli për 5 lekë dhe ta blejmë nga zori për 100 lekë.

Po kështu, TEC-in  e Vlorës, i cili është lënë gërmadhë prej shumë e shumë vitesh sepse u bë një investim totalisht i gabuar dhe totalisht i dështuar nga ata që flasin sot, që kanë gojë flasin akoma. Ne po e vëmë në punë me një ndër kompanitë më të mira amerikane me gazin e lëngshëm dhe në ndërkohë, po bëjmë dhe projektin për të lidhur Vlorën me TAP-in, në mënyrë që Vlora të kthehet, përmes TEC-it, në një pikë nevralgjike për energjinë.

Jemi në kushtet kur po ecim me shumë këmbëngulje për kërkimet për naftë dhe për gaz në territorin e vendit. Kemi tre pika kryesore, një ndër të cilat është më e avancuar dhe është pika në Shpirag, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme nafte dhe gazi dhe ku presim, në fillim të vitit të ardhshëm, që të dimë rezultatin përfundimtar sa i përket tregtimit.

Nga ana tjetër, sapo kemi rënë dakord me presidentin e Azerbajxhanit për të ndërtuar në Shqipëri një rafineri, e cila do t’i japë fund edhe varësisë që ne kemi përsa i përket naftës për konsum këtu në vend dhe sigurisht që pastaj do flasim prapë dhe për çmimin e naftës se si do e kenë të tjerët dhe si do e kemi ne, por të gjitha këto kërkojnë këmbëngulje të madhe dhe kërkojnë akoma durim sepse vitet që ne kemi pasur në dispozicion mund të jenë shumë për jetën e një njeriu, por janë asgjë për ecurinë e një vendi që ishte realisht në fund të pusit kur ne filluam punën. Se e thashë dhe më përpara, nuk kishe ku të bëje një fotografi, një kartolinë nuk nxirrje dot nga mënyra sesi ishte shkatërruar gjithandej vendi dhe atyre që thoshin, “fasada, fasada”, tani ja ku e kanë përgjigjen. Mjafton që secili mos të shikojë të tjerët, të shikojë vlerën e shtëpisë së vet.

Sa ishte vlera e shtëpisë së vetë përpara se të fillonte ky revolucion i rilindjes urbane dhe sa është sot? Sa shitej përpara dhe sa shitet sot kudo qoftë në Vlorë një shtëpi? Kaq të shikojë, mos të shikojë asgjë tjetër për të kuptuar që është rritur vlera e pasurisë së patundshme të çdo familje shqiptare. Unë e di shumë mirë që ne jemi mbrapa, jemi mbrapa akoma me pagat edhe pse i kemi rritur dhe do vazhdojmë t’i rrisim, jemi akoma mbrapa. E di shumë mirë që ka akoma shumë nevojë për rritje pagash edhe në sektorin privat, por nga ana tjetër di dhe këtë, që në ndërkohë ne do bëjmë çmos që sidomos në këtë periudhe kaq të vështirë tu qëndrojmë afër të gjithëve dhe në radhë të parë pensionistëve, pavarësisht se na është vështirësuar në ekstrem situata e buxhetit.

Ne qysh në fillim të dhjetorit do fillojmë tu japim pensionistëve bonusin për vitin e ri dhe në paketën e re në Parlament kemi vendosur edhe një taksë të jashtëzakonshme për prodhuesit e mëdhenj të energjisë. U çua non grata bashkë me spiunët dhe e kundërshtuan siç kundërshtojnë çdo gjë tjetër, por është e papranueshme për ne që tre prodhues të mëdhenj të energjisë në Shqipëri janë të nderuar, janë të respektuar, nuk kemi asnjë gjë me ta, të përfitojnë nga kjo fatkeqësi e madhe për shkak se rritja e çmimit të energjisë iu jep mundësinë ta shesin dhjetëfish. E pra nga ai dhjetëfishi ne do marrim një pjesë të konsiderueshme dhe nuk do e marrim që ta fusim në buxhet për ta çuar kudo qoftë, por do ta marrim dhe do tua u japim direkt atyre që janë më në nevojë dhe patjetër duke filluar nga pensionistët, aq sa të jetë, nga pensionistët direkt. Do ta marrim dhe do ta ndajmë në mënyrën më transparente, sa të jetë, do ta marrin pensionistët të parët pastaj gjithë të tjerët sipas nevojës.

Tani, se nuk mund të mbaroj një fjalë këtu në Vlorë pa folur për anën tjetër të medaljes. Anën tjetër të medaljes në fakt Vlora e ka parë gjithmonë më shpejt se të tjerët dhe ka kuptuar më shpejt se të tjerët, gjithmonë. Këtë e dimë, historia e tregon, por sot ana tjetër e medaljes është realisht një arsye për të qëndruar shumë seriozisht sepse kemi ardhur në pikën që kemi këtu në vendin tonë një forcë të përbërë nga disa njerëz që është e shitur, thjeshte e shitur. Dhe që çdo ditë mbush me helm të gjitha ujërat që lëvizin në botën e komunikimit publik. Çfarë duhet më për tu bindur që një i damkosur non grata, nga dy aleatë të mëdhenj, SHBA dhe Britania e Madhe për të tëra të zezat të braktiset, çfarë duhet më? Kur del sot shumë e qartë që ka qenë dhe mbetet, se gjithmonë ka qenë, se ju kujtohet kur thosha unë, “Luli ndahu nga ata të dy”. E më thonin, “ç’ke me ata të dy? Njëri është plak në shtëpi, tjetri është atje në presidencë”. Ja ku i ke, Luli s’është më, ata të dy janë prapë. Janë për fatkeqësinë e madhe të këtij vendi, janë si vazhdim i atij mallkimi që ka nisur pikërisht në momentin që këtu në Vlorë është krijuar dhe shteti shqiptar dhe që nuk i është ndarë shqiptarëve këmba këmbës që nga 1912 dhe që na ka penguar të jemi aty ku duhet të ishim me kohë, ku fëmijët tanë e kanë merituar me kohë, fëmijët e këtij vendi, që të jetë atdheu i tyre. Ja këta janë! Emrat ndryshojnë, kohët ndryshojnë, fytyrat ndryshojnë, mënyrat ndryshojnë, por janë po ata. Janë mallkimi i bërë njeri dhe i futur për të bërë çorap Shqipërinë. Çfarë duhet më? Ma thoni pse? Le të dalë një njeri të ma arsyetojë çfarë arsye ka Rusia që të paguajë një parti shqiptare, dhe nuk paguan një, por unë flas për faktet sot. Çfarë arsye ka të derdhë gjysmë milioni dollarë për një parti shqiptare për të rrezuar qeverinë e këtij vendi dhe çfarë duhet të jesh, përveçse një i pafe, përveçse një i pabese, i pa din, i pa iman, i pa atdhe që të marrësh para nga të huaj, cilitdo qofshin ata, por këtë rast flasim për një lloj paraje, rublat që nuk janë paratë e një vendi miqësor ndaj nesh dhe të marrësh para nga të huaj për të bërë çorap vendin tënd, për të ngritur çadra e për të bërë thirrje për revolucione, e për të bojkotuar zgjedhje, vetëm e vetëm që vendi yt të hyjë në konflikt dhe në sherr.

Pse do t’i japin ato para, për çfarë? Sepse ke dhënë prova që ti i meriton. Ti e meriton besimin e atyre që e shohin këtë vend në mënyrë jo miqësore. Si e ke merituar këtë besim? Po çfarë duhet më shumë? A e imagjinoni dot ju për një moment sikur në zyrën time të kishte ardhur përfaqësuesi i Vladimir Putinit dhe unë ta prisja në zyrë me temena dhe pastaj një muaj më vonë të shkonim në Këshillin e Europës dhe të votonim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se çfarë do të ishte bërë ketë? A e imagjinoni dot, për të njëjtën gjë çfarë do ishte bërë? E pra, por ne nuk e votuam atë rezolutë turpi që është një akt tradhtie nda këtij vendi kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër Shqipërisë, sepse akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në Shqipëri ka shkulur organet e njerëzve për t’i shitur dhe vajtën atje, bedela të Putinit dhe e votuan. Ne nuk e votuam sepse e kam thënë dhe jam i gatshëm ta debatoj me këdo, por nuk ka burrë nëne që më del përballë në këtë pikë, që nëse ka një gjë që Partia Socialiste është një dhe e vetme, është se është e vetmja parti shqiptare që në asnjë moment nuk e ka shkelur dhe as lënduar interesin kombëtar, në asnjë moment që nga dita e krijimit të saj. Në asnjë sekondë. Mirëpo, edhe me aq pak ose shumë nuk e di gjak që mori nga kjo parti Shpëtim Idrizi, kur vajti atje në Strasburg me një parti tjetër, nuk e votoi rezolutën, as ai, kurse këta bedela i bashkuan votat atje me Putinin, votuan rezolutën. E si mos marrin këta gjysmë milioni. Po gjysmë milioni janë ato që dihen, se kur dolën në fillim i ka bërë Edvini me Sorosin. Po kur i nxorri CIA?! E tani fillon muhabeti, jo i bëri Luli. Cili Lul? Ku ka Lul? Ku ka pasur ndonjëherë Lul? Ku ka pasur Lul ndonjëherë?

Jo po ju kërkoj falje që ju solla Lulin. Cilin Lul mo?! Kur ka pasur Lul ndonjëherë? Ku ka njeri që e beson? Luli vetë nuk e beson që ka pasur Lul ndonjëherë! Ku ka Lul! E bëri Luli, se kjo është e kundërta e asaj. Ju kujtohet ajo: “Mos e ka bërë Mehmeti me kokën e vetë”. Kjo është sikur të thoshte Mehmeti: Ore se mos e ka bërë Pal Vata me kokën e vetë!

Ore jeni në vete?!  Luli apo jo?! Luli aksionist! Aksionist pa shall! Pa shall edhe në gjumë! Ashtu, çohu nga gjumi, firmos, merr lekët edhe çoji te non grata. Se që të të bëjë, që të të ngulë Amerika vulën në lule të ballit, si ato matrikullimet që i bëjnë deleve këta te Vullneti, këtej nga lumi, nga Selenica. Që të ta verë Amerika matrikullimin e të të thotë: Ti zotëri je i padëshiruar sepse je i korruptuar, sepse je minus i demokracisë, sepse me gjithë familjen tënde ke bërë gjithë të zezat. Tani, këtu një arsye e ka edhe që të vejë deri aty, se tjetër është të jesh një person deputet i zakonshëm, a kryetar bashkie a të tjerë, hajde, po një njeriu që ka qenë president, që e kanë pritur në Shtëpinë e Bardhë, që ka qenë Kryeministër, i kanë ardhur këtu në zyrë, t’i rrasin matrikullimin në lule të ballit. Po patjetër, sepse është rublaxhi. Për këtë, është rublaxhi dhe unë jam i bindur që megjithëse e vërteta shumë po vonon për këtë qafir, nuk ka për të harruar. E vërteta do dali deri në fund.

Të gjitha ato, se më ka thënë një fjalë shumë të bukur një grua e panjohur komplet kur i doli matrikullimi këtij. E zunë, tha, lotët e tërë hallexhinjve dhe e tërë asaj dynjaje që i ka rënë në qafë ky. Ai dhe ata mund të vazhdojnë të hedhin baltë sa të duan. Mund të vazhdojnë të sajojnë historira nga më të mëdhatë.

Sot, para rrugës, dje bëra një postim për një projekt të kompanisë që do bëjë portin e Durrësit, në Zagreb. Nuk e dija që projekti nuk kishte shkuar më tutje. Ishte një lajm që nuk e verifikova si duhet dhe e nxora. Më pas, doli që projekti nuk ka shkuar më tutje. Sot kërkova ndjesë! Pse? Sepse kush nuk është gënjeshtar nuk justifikohet. Thotë më falni, kështu ndodhi. Ajo ishte diçka që boll të bëjë një verifikim shumë të thjeshtë dhe dilte që s’kishte vazhduar. Nuk u bë ai verifikim, s’ka rëndësi si a qysh, kërkova ndjesë. Kush nuk është gënjeshtar, kërkon ndjesë! Thotë më falni, këtu ishte gabim. Kurse këta gënje-gënje, shpif e shpif se diçka do mbetet, rokanisin kokën.

 

Në Vlorë ka filluar porti. Unë po ju them, që kur porti turistik dhe porti tregtar dhe porti i peshkimit aty brenda portit tregtar të mbarojë dhe do të mbarojnë brenda pak vitesh, vlera e këtij qyteti do rritet dyfish saç është sot dhe periudha e dimrit, e cila është një periudhë më e vështirë për një qytet bregdetar që bazohet te turizmi dhe do ketë shumë më tepër gjallëri për shkak pikërisht të rritjes së madhe të aktivitetit dhe në portin turistik dhe në portin tjetër.

Dhe porti turistik, se këta janë dhe fare janë dhe gdhë, dhe porti turistik që do sjelli jahte këtu e që thonë këta i hoqën jahteve këtë i hoqën atë. Jahtet kur vijnë këtu, nuk vijnë që njerëzit të rrinë brenda atje. Jahtet vijnë, njerëzit zbresin dhe konsumojnë. E çfarë konsumojnë? Konsumojnë ato që blejnë këtu nëpër restorante, nëpër dyqane, nëpër pika të ndryshme shërbimi dhe këtu do rritet dyfish vlera. Ndërkohë që, ai porti i Durrësit atje, që këta vazhdojnë flasin, flasin këta që e bënë Shqipërinë 1 euro. 1 euro! Normalisht, me politikën e këtyre të ligjëruar ne mund ta kishim dhënë me 1 euro. T’i thoshim paguaj 1 euro këtu, merre për 99 vjet, bëj çfarë të duash!

Jo! për herë të parë shteti shqiptar është ortak në një investim kaq të madh. Për herë të parë shteti shqiptar nuk merr vetëm taksa, por merr dhe pjesën e fitimit. Dhe e dini përse e merr pjesën e fitimit shteti shqiptar, 33%?  Pikërisht, se as unë, as ata që punojnë me mua për këtë projekt të madh apo për projekte të tilla, nuk janë për ta marrë atë 33% për vete.

E kur del ndonjëri pastaj që ndryshon rrugë, ju e dini që s’ka punë me ne. Kjo është e vërteta dhe është ende më e vërtetë që në momentin që porti turistik i Durrësit hap një tjetër perspektivë komplet për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë, vetvetiu rritet edhe vlera e Vlorës, e Sarandës, e Himarës e vlera e të gjithë Shqipërisë.

Ju kam thënë që do bëjmë për Vlorën në çdo mandat dyfishin e asaj që është bërë përfshirë edhe mandatet tona. Sot nuk kemi ardhur për të bërë zgjedhje këtu as kemi ardhur për të bërë fushatë. Kemi ardhur vetëm për të ndarë me ju qoftë çfarë është bërë në funksion edhe të zgjedhjeve që vijnë, qoftë edhe situatën ku jemi.

Unë e di që situata është e vështirë, por di po ashtu që ne do t’ia dalim dhe kur thosha “Do t’i gjejmë lekët nga dheu dhe ne do t’i ndërtojmë shtëpitë, ne do të dalim më të fortë nga tërmeti”, shumëkush mendonte që bëja propagandë. Tani më thoni, a ka familje që humbi shtëpinë nga tërmeti dhe nuk ka dalë më e fortë se ka marrë një shtëpi shumë më të mirë se ajo që kishte dhe që kurrë nuk do ta kishte marrë dot po të mos kishte pasur në krah këtë qeveri dhe aftësinë tonë për të kthyer një krizë në një mundësi?

Unë po iu them që ne do të dalim më të fortë edhe nga kjo dhe e thashë, ne nuk kemi ardhur këtu për fushatë. Fushata është në pranverë dhe është fushatë vendore ndërkohë që për tjetrën kemi kohë plot por po ju them që jo vetëm në pikëpamjen e infrastrukturës dhe në të gjitha këto pikëpamje sepse të gjitha këto kanë shërbyer për të rritur numrin e turistëve. Numri i turistëve i rritur sot në mënyrë eksponenciale do të thotë rritje e të ardhurave për njerëzit që jetojnë në vendin ku vijnë turistët sepse turistët vijnë dhe konsumojnë këtu ama pjesa tjetër për të cilën ne do të luftojmë dhe unë nuk do ti ndahem është pjesa që kjo që vijë ehe më shumë dhe të vijë në mënyrë edhe më kuptimplotë në familje tek pagat dhe tek pensionet.

Koha do ta tregojë se siç ndryshoi, siç po ndryshon ekonomia e Vlorës, do të ndryshojë dhe ekonomia e familjeve.

Faleminderit shumë!