Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Bashkëbisedim publik me kryetarët e bashkive në vigjilje të sezonit të fundit të mandatit të qeverisjes vendore

Të reja

Bashkëbisedim publik me kryetarët e bashkive në vigjilje të sezonit të fundit të mandatit të qeverisjes vendore

23 Jul 2022    

Konkluzione nga bashkëbisedimi publik me kryetarët e bashkive, në vigjilje të sezonit të fundit të mandatit të qeverisjes vendore

Në përmbyllje të ditës së dytë të bashkëbisedimit publik me kryetarët e bashkive, në vigjilje të sezonit të fundit të mandatit të qeverisjes vendore dhe pas raportimit të situatës për bashkitë respektive, Kryeministri Edi Rama mori fjalën për të bërë konkulzionet e këtij takimi:

* * *

Le të bëjmë disa konkluzione të shkurtra, pas gjithë kësaj pune intensive. Fillimisht, falenderime të gjithëve, edhe kryetarëve të bashkive, edhe anëtarët e kabinetit për gjithë durimin. 

Natyrisht që, siç e thashë dhe në fillim fare kur erdhëm këtu, puna e bërë është shumë më tepër se puna e ditur dhe ky është një problem që secili prej jush duhet ta trajtojë me ata që merren me komunikimin për të zgjeruar hapësirën e informacionit dhe për t’i dhënë mundësi njerëzve që ta lexojnë sa më mirë atë që bëhet, pasqyrën e punëve të bëra. 

Padiskutim që të dhënat bazë, të cilat ne kemi kërkuar, që nga gjendja e financave, ku qëllimi kryesor ka qenë ulja e borxheve të rënda të së shkuarës e deri tek situata me të gjitha shërbimet, flet për përmirësim shumë të ndjeshëm në të gjitha bashkitë.

Ai që është shqetësimi është që jo në të gjitha bashkitë përmirësimi është aq sa duhet të jetë për të garantuar mesataren e sigurt që duhet të ketë Partia Socialiste kur merr besimin dhe çdo kandidat i Partisë Socialiste kur votohet, përtej personit. Personi mund të bëjë një diferencë mes mesatares së sigurt dhe pastaj ca ka më shumë lart, por ajo mesatarja e sigurt nuk duhet të vihet në diskutim.

Në këtë aspekt, nga të gjitha prezantimet është shumë e qartë që ne kemi një potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar ende, por ajo që ne duhet të bëjmë dhe që ka rëndësi është që në këtë komunitet kryetarësh bashkie dhe në këtë tërësi bashkish ka eksperienca shembullore që duhet të përcillen tek të tjerët, ka shumë arsye për të komunikuar dhe për të ndarë informacione lidhur me mënyrën se si në një bashki bëhet dicka e në një bahski tjetër bëhet dicka tjetër e me radhë. 

Pikat ku duhet vendosur fokusi shumë fort.

E para, dimensioni rural i cdo bashkie.  Kemi bërë një punë të madhe në dimensionin urban. Rilindja Urbane e ka prekur gjithë territorin e vendit, që nga Bajram Curri e deri në Konispol. Qytetet nuk njihen më po t’i krahasosh me nga u nisëm. Patjetër që kanë probleme, nuk diskutohet, sepse ka blloqe banimi që kanë nevojë për ndërhyrje, ka rrugë të brendshme, rrugica që akoma kanë nevojë për ndërhyrje, por në këtë pikë, është bërë gjëja e duhur. Ama, nuk mund të themi të njejtën gjë kur vjen puna tek dimensioni rural, dhe këtu nuk e kam fjalën për infrastrukturën. Infrastruktura rurale, rrugët, ujësjellësat, kanalizimet kanë avancuar dhe do vazhdojnë, është një progress, i cili diktohet edhe nga kapacitetet financiare, të cilave nuk kemi çfarë t’u bëjmë. Këtu e kam fjalën për dimensionin e zhvillimit në aspektin e forcave prodhuese, e forcave përpunuese, e forcave eksportuese të çdo bashkie që ka, dhe të gjitha kanë, një hapësirë rurale. 

Tradita e bashkive ka qenë e tillë që bashkitë janë marrë me qytetet, komunat janë marrë me fshatin dhe komunat pas shpërbërjes së kooperativave dhe kalimit në njësi administrative të natyrës bashkiake nuk janë marrë me bujqësinë, janë marrë me “jo rruga, jo pastrimi”, pra kanë bërë në mikro atë që bashkitë kanë bërë në makro, në kuptimin e madhësisë. Bashkitë e reja, të dala nga Reforma Territoriale, duhet ta forcojnë këtë dimension me shpejtësi dhe këtë gjë do ta bëjmë ne, se nuk ka kush e bën tjetër.

Sic e thashë dje, kush do të kandidojë përsëri, dhe këtu nuk përjashtoj asnjë, brenda kësaj vjeshte duhet të sjellë në Ministrinë e Bujqësisë projektet për grumbullim, për përpunim, për riciklim dhe të garantojë që këto projekte të jenë të mbështetura nga bashkia dhe nga një grup fermerësh, jo thjeshtë projekte bashkie; që do të thotë që duhet bërë një punë me fermerët, me ato komunitete të vogla fermerësh që kanë nevojë për një pikë grumbullimi dhe atë nevojë për një pikë grumbullimi nuk mund t’ia plotësojë rastësia që erdhi apo jo një kompani private që të bëjë një pikë grumbullimi apo ishte apo jo një individ.... jo. Atë duhet t’ia plotësojë pushteti vendor, duke i kthyer ata në aksionerë dhe duke e aksesuar, qoftë Fondin e Garancisë Sovrane, që është vendosur në dispozicion për bujqësinë, qoftë edhe buxhetin në nivelin e bashkie, edhe pastaj çfarë duhet në nivel qëndror. 

Tjetra, që është themelore, e thashë pak dje. Agregimi i ujësjellësave nuk është diçka e negociueshme, por nga ana tjetër, agregimi i ujësjellësave nuk do të thotë që tani përgjegjësinë e mori qeveria. Do të thotë që duhet bërë punë shumë e madhe e përbashkët për të rritur cilësinë e këtij shërbimi, duke filluar nga transformimi i ndërmarrjeve të ujësjellësave nga vatra parazitare për qoka punësimi, në ndërmarrje reale, që bëjnë punën që duhet të bëjë një ndërmarrje.

Tjetra është çështja e mjedisit, e pastërtisë dhe e riciklimit, që ka filluar shumë mirë në këtë mandat të ri sepse e kemi vënë një super prioritet, por që duhet të vazhdojë. Edhe këtu problemi kryesor, se dëgjova prezantimet dhe disa u shprehën me shumë forcë dhe krenari “Kam qytetin më të pastër”; Kjo është gjë shumë e mire, por ama pyetja nuk është vetëm “Sa të pastër e ke qytetin” sepse bashkitë e reja nuk janë vetëm qytet, bashkitë e reja janë edhe fshat, por sa garantohet shërbimi i pastrimit edhe në zona rurale. 

Ashtu sikundër, kemi dhe një element tjetër për të cilin u fol pak ose thuajse fare, që është transporti. Ministrja e Infrastrukturës, së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit kanë nisur një proces, së bashku me bashkinë e Tiranës, në mos gabohem, por këtu do përfshihen edhe bashkitë e tjera që kanë transport publik urban të rëndësishëm, por dhe të tjerat që duan ta kenë, në mënyrë që ta adresojmë edhe këtë komponent se nuk mund të kemi bashki, të cilat kanë autobusë në qytet dhe pastaj gjithë zona e fshatit s’ka asnjë autobus, është pakuptim. Ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës e lejon këtë gjë, s’po them e gjitha, por e lejon këtë gjë dhe do vazhdojmë me këmbëngulje nga ana jonë, qoftë ministria e financave qoftë ministria e mjedisit të bëjnë monitorimin hap pas hapi të buxhetit që vihet në dispozicion qoftë në aspektin e qëndrueshmërisë financiare që të mos krijohen borxhe të reja, por përkundrazi të vazhdojë ulja e borxheve, qoftë në aspektin e disponibilitetit për të garantuar pastrimin. Nuk u bë ndonjë heroizëm, u bë vetëm puna e organizuar dhe e koordinuar dhe kemi një Shqipëri shumë më të pastër sot sesa e kishim përpara një viti. Shumë më të pastër, por duhet ta bëjmë të qëndrueshme prandaj operacioni që kemi filluar ka vazhduar çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë dhe do vazhdojë çdo ditë, çdo ditë, derisa të behet e qëndrueshme situata. Pjesa e sportit është një pjesë shumë e rëndësishme, e sporteve për të gjithë, nuk flas për klubet e futbollit se ato janë një histori më vete me të cilat nuk dua të merrem tani, por e sportit për të gjithë dhe është shumë e rëndësishme që i gjithë programi i sportit në shkolla duhet të përqafohet fort nga ju dhe duhet të bëhet një lëvizje e madhe me energji të madhe sportive në të gjithë territorin, për t’ju dhënë fëmijëve dhe më të rinjve mundësinë që të përfshihen në një hapësirë të re shoqërizimi që ka të gjitha të mirat.

Dhe paralelisht me këtë patjetër që ka një dimension që çdo bashki duhet ta konsiderojë me shumë më tepër vëmendje që është dimensioni i turizmit dhe i kulturës. Çdo bashki në Shqipëri duhet të synojë të jetë turistik, dhe kjo vlen, jo vetëm për ata që i kanë bashkitë në brigje uji, qoftë liqene qoftë det, as vetëm për ata që i kanë në male dhe kanë atraksion, por edhe për ata që i kanë në hapësirën fushore të Shqipërisë ose kodrinore.

Nuk po i kthehem prapë rasteve konkrete, por po them që duhet thelluar kjo gjë dhe duhet bërë e kombinuar me kulturën, me trashëgiminë kulturore dhe me aktivitetet, qoftë tradicionale, qoftë bashkëkohore që duhen organizuar ngushtësisht me ministrinë  e kulturës.

E fundit, por kjo është më e rëndësishmja. Unë kam një lajm për ju sot. Sot, energjia, sot shitej çmimi më i ulët 492.7 euro, çmimi tavan 600 euro megavat. Sot e një vit përpara është shitur midis 90 dhe 98 euro dhe ajo që ka ndodhur sot, tani është që Shqipëria, ne, nuk kemi arritur dot të marrim, të blejmë të gjithë sasinë që kishim nevojë. Kjo është sfida e përditshme dhe kush thotë “dua dhe këtë, dhe këtë, dhe këtë’, investime, investime, investime”, duhet të ketë parasysh që në ndërkohë, ne vazhdojmë që këtë diferencën e tmerrshme midis 90 dhe 600 ta paguajmë ne, domethënë ta paguajë buxheti i shtetit që të mos e paguajnë familjet që të mos e paguajnë bizneset e vogla, të cilat janë në të gjithë territorin. Flasin me shumë të drejtë njerëzit për stresin që krijon rritja e çmimeve, presioni i inflacionit, shumë  e vërtetë.

Ne bëmë një paketë, e cila i lehtësoi, por unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur që në ditën e parë që nëse do vijë dita që ne do duhet të prekim energjinë dhe do duhet të fillojmë t’i themi njerëzve që “shiko se kjo fatura t’u rrit” aty do ta kuptojnë të gjithë se çfarë do të thotë kjo kohë që jetojmë, dhe fakti që kjo nuk ndodh është sepse qeveria jonë nuk po e lë të ndodhë se në momentin që do vijë kjo gjëja e tmerrshme me të cilën përballemi çdo mëngjes duke parë çmimet që vetëm rriten, rriten, rriten dhe do futet nëpër shtëpi atëherë të gjitha të tjerat do harrohen. Do duken “nuk ishim mirë por ishim në rregull’, se kjo të merr frymën.

Sigurisht që qeveritë gjykohen përgjithësisht për atë që ndodh, dhe rrallë mund të pretendosh që s’po të gjykojnë për atë që ti spo le të të ndodhi, por kjo që ne s’po lëmë të ndodhi ka një kosto.

Nëse ne nuk do kishim këtë, të jeni të sigurte që jo të gjitha ato që kërkuat, por pjesa më e madhe do thoshin “nuk do diskutohet që do i bëjmë”. Tani kjo kohë e ka këtë të keqe, por ka dhe një të mirë nëqoftëse ne duam që ta shohim të mirën, që na jep mundësinë të bëhemi më të zgjuar në mënyrën sesi shpenzojmë, na jep mundësinë të bëhemi më të prerë ne mënyrën sesi nuk lejojmë shpenzimet të tepërta, për shembull 6 herë më shumë punonjës në sistemin e ujësjellës kanalizimeve sesa duhen, për shembull. Që do të thotë duhet filluar për të bërë disa prerje dhe duhen filluar të mblidhen disa fonde nga aty ku shpenzohen ne mënyrë jo eficente dhe na jep mundësinë të kuptojmë që ok të gjitha duhen, por janë disa gjera që nuk mund të bëhen përgjysmë, që nga pastrimi dhe ja ku jemi sot, faktikisht fondi që u shtua nga ju dhe që u vu në dispozicion nga ne nuk është ndonjë qamet, por shikoni çfarë diference ka bërë dhe të jeni të sigurtë që kjo diferencë është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme sesa diferenca që do bënte një rrugë  rurale diku ose një rrugë lagjeje, shumë më e madhe dhe më e rëndësishme.

Ne nuk mundet që t’i lëmë fëmijët e këtij vendi të rriten në pisllëk, ne nuk mund t’i lëmë fëmijët e këtij vendi të mësohen me idenë që shtëpia e pastër mbaron kur dal nga dera e shtëpisë ku kam mamin dhe babin dhe jashtë është një “toka e askujt”, ku secili hedh plehra.

Po marr një shembull, mund të marr dhe shembuj të tjerë. Kjo nuk është për t’ju thënë që ne nuk do bëjmë më shumë, por kjo është për t’ju thënë që të gjithë duhet ta keni parasysh këtë gjë. Dhe kur thonë që këta po indeksojnë çmimet e punëve publike, po ja japim paratë oligarkëve që bëjnë pune publike që në fakt janë një numër shumë i madh kompanish, që janë një numër shumë i madh familjesh që ushqehen me atë punë, se dakord ta ndalojmë kantierin e Llogarasë, po marrim një shembull, po e ndalojmë, nuk po e indeksojmë, U dy apo trefishua hekuri, u dy apo trefishua çimentoja, ne po themi stop. Çfarë ndodh? Ndodh që do çojmë në shtëpi gjithë ato familje, ndodh që do zgjasim kohën kur nga ai tuneli, ne mund të marrim shumë me tepër të ardhura në ekonomi dhe faktikisht do humbasim bashkë me vendet e punës, po marr vetëm një shembull, edhe ata njerëz, ato burime të specializuara që janë se ato diku do shkojnë , inxhinierët, teknikët, nuk do rrinë të ikin dhe imagjinoni këtë në gjithë Shqipërinë.

Dhe nuk do mund të kemi të ardhura për buxhetin e shtetit nga këto punë, se është edhe kjo ana tjetër, se dakort po i mbyllim të gjitha dhe ça marim nga taksat po ia japim njerëzve. Po pastaj, si do gjejmë pjesën,  ku do e gjejmë pjesën, kjo dhënia çfarë  do gjenerojë për të vazhduar të japim?  Se po të ishte kështu atëherë çdo familje nuk do shkonte në punë. Pse do shkonte në punë? Për të fituar më shumë. Pse do bënin njerëzit nga 2 punë e 3 punë? Do merrnin ato të ardhura që kanë, do hanin e do pinim e do prisnin ato tjerat. Po si vijnë ato tjerat pastaj?

I them këto që të tërë ta kuptojnë, jo ju, po edhe ata që na ndjekin që kjo është një fazë shumë e vështirë dhe që në këtë fazë qeveria jonë po bën diçka që asnjë qeveri nuk zgjodhi ta bënte.

Të gjithë  kanë rritur çmimet, ne nuk e kemi prekur çmimin, por çmimi nuk është prekur për ata që marrin faturat, po çmimi vetë është tjetër. Ai nuk shfaqet nëpër faturat që u shkojnë nëpër shtëpia e nëpër bizense dhe gjithë atë pjesë e paguan buxheti i shtetit me vullnetin e kësaj qeverie.

Shpresojmë që gjërat do të normalizohen, por ne nuk duhet të mendojmë me idenë që gjërat do të normalizohen, ne duhet të punojmë me idenë që gjërat mund të shkojnë më keq dhe ajo që është më e keqe se kaq është që të shkojë çmimi edhe më shumë dhe të mos ketë. Domethënë si sot për shembull, ne nuk patëm mundësi të blejmë sot aq sa na duhej sot energji.

Qielli është xixë, shi nuk duket në horizont, viti i 4-t me thatësi esktreme, ka përfunduar edhe Hollanda edhe Danimarka me temperaturat e Mesdheut, edhe në Britaninë e Madhe  po përjetojnë temperatura që s’i kishin parë ndonjëherë. Kjo do të thotë që për ne që jemi 100% të varur nga hidro duhet të dalim në treg. Tregu po fillon të lëngojë nga mungesa.

Ministria bashkë me aktorët e tjerë e ka përgatitur hapin tjetër për fashën më të lartë, po përsëri edhe kjo është diçka që po e bëjmë me shumë kudjes se bëhet fjalë për goditje dhe ndërkohë po është përgatitur dhe plani i shkurtimeve.

Gjermania po heq ujin e ngrohtë nga shkollat. Republika Federale e Gjermanisë, vendi më i fuqishëm i Europës.

Atëherë, kur Gjermania heq ujin e ngrohtë dhe ka hyrë tani gjithë sistemi politik gjerman në një garë se kush gjen idetë për të shkurtuar dhe për tu mbrotjur, parafytyro vendet e tjera dhe flasin deri edhe  për shkurtime tërësore të orëve të furnizimit me energji elektrike.

Ne e kemi bërë këtë plan, por është plan emergjence, nuk është sot. Gjëja që njerëzit duhet të kuptojnë është se duhet të fillojnë të kursejnë.

Për çfarë arsye tani në këtë orë duhet të jenë ndezur dritat në këtë hotel? Ma gjeni arsyen.

Ja ku janë. Sepse pronari këtu nuk i vjen fatura e merituar, se po t’i vinte fatura e merituar, edhe librat do t’i lexonte me neonin e rrugës në darkë.

Ja. Kjo është gjëja me të cilën duhet të merremi  dhe po e bëj këtë fjalë këtu edhe për ju, sepse edhe ju duhet të përfshiheni në këtë gjë. Jo vetëm kur kërkoni dopio ura, të kuptoni që vizioni është i duhuri, por momenti nuk është i duhuri, por edhe që njerëzit të kuptojnë edhe të sensibilizohen.

Po që nga bashkitë. I keni parë shpenzimet e energjisë elektrike nëpër bashki? Shikojini.  S’po them bëni si unë që i gjëmoj atyre çelsave për t’i mbylur ditën nëpër kryeministri  edhe kur nuk ka krizë energjitike, por po them që disa gjëra duhet të bëhen dhe kjo kulturë ose ky mentalitet i të jetuarit në një kohë të vështirë, për gjithë botën jo vetëm për ne, duhet të kultivohet pak në këtë fazë që të bëjmë ca mundemi. Jo se duke mbyllur dritat nëpër institucione ka ndonjë ndikim fatal në konsumin e përgjithshëm, por ata që janë në instiucione dhe që ju shikojnë ju që kërkoni që të mos harxhohen dritat kot, janë familjarë që shkojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe ky zinxhir vetëdije duhet të forcohet.

Këto kisha, faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm