Luxemburg 14 prill 2025 – Shqipëria çeli grup-kapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”, në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri – BE, e cila u mbajt në Luksemburg.

Kryeministri Edi Rama, kryesoi delegacionin shqiptar në këto bisedime, i shoqwruar nga ministra, zëvendësministra dhe drejtues të punës për kapituj përkatës.

Kryeministri Rama vizitoi fillimisht Brukselin, ku do u prit nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë, e më pas udhwtoi drejt Luksemburgut për të marrë pjesë në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku ishte e pranishme edhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE, dhe komisioneren për zgjerim Marta Kos, Rama u shpreh:

Ëndrra jonë është të jemi pjesë e këtij Unioni në 2030 ndaj plani është që të përmbyllim të gjitha negociatat në 2027, që është kohë shumë e shkurtër ndaj na duhet që çdo ditë, të punojmë pa reshtur dhe ndaj na duhet të kemi edhe më shumë punë për të bërë. Është vërtetë super ambicioze, por jemi këtu sot për të rikonfirmuar vullnetin tonë të fortë. Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është shumë më tepër sesa një ambicie politike apo ekonomike, është një zgjedhje ekzistenciale jete, nga një vend, ku kurrë nuk jemi lejuar të zgjedhim për shekuj e breza të tërë tek një e ardhme, të cilën gjithmonë kemi dashur ta kemi”.

Për Komisioneren për Zgjerim në BE, Marta Kos, Shqipëria është më pranë se kurrë për të hyrë në BE.

“Sot kemi hedhur një tjetër hap drejtë anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zgjerimi për mua është më shumë sesa t’i shtosh BE-së një vend. Ai ka të bëjë me bashkimin e Europës dhe është lajm i mirë dhe për qytetarët e Shqipërisë, si qytetarë të ardhshëm të BE-së. Unë do të jem avokati juaj më i mirë në Bruksel dhe në të gjitha shtetet anëtare, kështu që mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është padyshim në BE”, theksoi ajo.

Ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslaë Sikorski, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, bëri me dije se, Presidenca polake mbështet një zgjerim bazuar në meritë të BE-së dhe tashmë më shumë se kurrë mirëpritja e anëtarëve të rinj është një investim gjeostrategjik në paqe, prosperitet e siguri.

Grupkapitulli përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare)  dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).