Dishnicë, 21 prill 2025 – Gjatë një takimi me banorët e Dishnicës, drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, theksoi rëndësinë e projekteve madhore që pritet të nisin në këtë mandat, duke vënë në qendër të vëmendjes ndërtimin e spitalit të ri rajonal të Korçës, një nga investimet më të mëdha dhe më moderne në fushën e shëndetësisë në Shqipëri.
“Brenda këtij viti fillon dhe brenda këtij mandati përfundon ndërtimi i spitalit të ri rajonal të Korçës, jo thjesht një rikonstruksion, por një ndërtim i tërësishëm i ri, me teknologjinë më të avancuar dhe standarde europiane. Një super model për të gjithë juglindjen,” u shpreh Peleshi.
Në fjalën e tij, ai theksoi se kjo betejë elektorale nuk është thjesht mes partish, por mes dy vizionesh për Shqipërinë: një vizion që ndërton dhe e çon vendin përpara, dhe një tjetër që kërkon ta kthejë pas.
“Partia Socialiste është forca që ndërton, që hap rrugë të reja zhvillimi, që investon në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. E kemi dëshmuar dhe do të vazhdojmë ta dëshmojmë,” tha Peleshi.
Nga Dishnica, ai përcolli thirrjen për një mbështetje të fuqishme më 11 maj, për të mos ndalur transformimin e nisur dhe për të garantuar një të ardhme europiane për Korçën dhe gjithë Shqipërinë.