Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste
Pas një seance të mbyllur për çështje të brendshme krejtësisht, dua t’ju drejtohem duke adresuar të gjithë familjen socialiste dhe patjetër dhe të gjithë ata që na ndjekin, qofshin ata që na kanë mbështetur dhe votuar, qofshin ata që nuk na kanë votuar.
Ka momente në jetën e një vendi kur politika duhet të ngrihet mbi valët e zhurmave të ditës dhe duhet të shohë përtej tymit të përplasjes së radhës.
Ndërkohë që kush udhëheq, siç është rasti ynë, i Partisë Socialiste, duhet të kuptojë se ku ndodhet vendi pikërisht atëherë kur zhurma dhe tymi ngrihen më lart sesa zakonisht. Duhet të kuptojë se çfarë është e rëndësishme në ato që janë arritur, çfarë rrezikon të humbasë vendi nën presionin e zhurmës dhe pengesën e tymit dhe si duhet ushtruar përgjegjësia e drejtimit pa e humbur kthjelltësinë e shikimit. Ky është ekzaktësisht një moment i tillë.
Në raportin më të fundit për zgjerimin, Komisioni Europian ka shkruar një frazë, e cila nuk ka zënë vend se s’ka se si zë vend asgjë që ka një rëndësi domethënëse për ecurinë e vendit në kushtet kur vendi po jeton një presion të brendshëm përmes instrumentalizimit politik të një proteste të nisur për arsye krejt të tjera dhe të degraduar në një ofensivë dhune, kundër qeverisë në dukje po në fakt kundër mënyrës se si ne duam që Shqipëria të shkojë përpara.
Komisioni Europian ka bërë një rekomandim historik për Shqipërinë, i cili në vetvete është dhe konfirmimi më kuptimplotë, më i padiskutueshëm, jo vetëm i faktit që vendi ecën në drejtimin e duhur, por dhe i ndodhjes së Shqipërisë në pikën e saj më të lartë si shtet dhe si shoqëri në ngjitje drejt majës së bashkimit përfundimtar me familjen e shteteve dhe shoqërive europiane.
I rekomandohet Këshillit Europian të nisë gjatë vitit 2027, pra për pak muaj, përgatitjet për të hartuar traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe dua ta dëgjojë çdo shqiptar dhe çdo shqiptare që na ndjek. Është një togfjalësh që shfaqet për herë të parë në rrugëtimin europian të Shqipërisë: Traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Faqja e fundit e historisë që po e shkruajmë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, me besimin e shumicës së shqiptarëve, e paarritshme deri dje, por sot e prekshme. E prekshme jo si ëndrra që prindërit ua përcillnin fëmijëve, shpesh teksa përcillnin vetë fëmijët, për në Europë, e prekshme jo si një premtim që përsëritej nga njëra fushatë në tjetrën, nga të gjitha forcat politike, ndërkohë që largësia e Shqipërisë sonë dhe Europës së Bashkuar dukej sikur nuk zvogëlohej kurrë, të paktën jo aq sa për ta rrokur me sy.
Pikërisht kështu sot Europa është e prekshme me sy përmes vetë gishtit të Komisionit Europian që tregon se ky është momenti për të nisur përgatitje për traktatin historik që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.
Si mundemi ne, në këtë moment historik të mos i mbledhim të gjitha mendjet, të gjitha vullnetet, të gjitha energjitë tona për ta bërë realitet edhe këtë faqe të fundit të një libri që ka nisur të shkruhet qysh se nuk mbahet mend dhe që ne e gjetëm në fund të një kapitulli që ishte si një libër borxhesh, borxhe në të gjithë sektorët, dështime, kërcënimi i një kolapsi financiar të menjëhershëm dhe mungesë shprese që Shqipëria mund të bëhej ndonjëherë shtet europian.
Ju kujtohet besoj, se si në 2013 njerëzit na kërkonin gjëra krejt elementare dhe se si kur ne filluam reformën e energjisë, Shqipëria filloi të zgjohej me ndjesinë që kishte filluar një faqe e re e shtet bërjes.
Prandaj jemi ne këtu të parët që nuk kemi të drejtën ta harrojmë se pas togfjalëshit “traktati i anëtarësimit të Shqipërisë”, janë vite pune që nuk numërohen siç numërohen vitet në kalendar, po janë shumë më tepër se aq sepse janë vite të një pune kolosale. Janë vite reformash, përplasjesh, përpjekjesh si për shembull ajo e reformës në drejtësi, që sot më të rinjtë këtu mbase nuk e kanë dot idenë se me çfarë tensioni e kemi çuar përpara. Përplasje me interesa dhe me tabiate të rrënjosura që tek drejtësia kishin atë sintezën e vet më të neveritshme. Vite ndryshimesh që dukeshin krejt të pamundura.
Sot qytetet tona kanë probleme, Tirana ka probleme, por Tirana sot është kryeqytet europian. Qytetet tona janë qytete me probleme, nuk janë vendbanime pa qytet. Ishin vendbanime pa qytet, aty ku sot njerëzit shijojnë në turma turistësh bashkë, Shkodrën, Beratin, Lezhën, Vlorën e me radhë të gjitha qytetet përfshirë dhe Belshin e vogël. Aty kishte vetëm parkingje të mëdha makinash përzierë me lopë dhe viça që rrinin për t’u shitur dhe gjithçka i ngjante një vendi të harruar nga Zoti. Si mundet ne t’i harrojmë këto?
Pas atij togfjalëshi “traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian’’ nuk jemi vetëm ne këtu, një pafundësi njerëzish, ndër ata pikërisht edhe njerëz të administratës së shumë anatemuar dhe që goditet përditë e përditë e përditë, ndërkohë që ka në gjirin e vet mijëra e mijëra punonjës të dinjitetshëm, shërbëtorë të padukshëm të shtetit dhe të publikut shqiptar. Si mundet ne këtu mos shohim pas atij togfjalëshi ‘’traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian’’ faqja e fundit e një libri të shkruar me mundime të jashtëzakonshme në shumë e shumë e shumë dekada që mos them shekuj.
Korridoret e spitalit’’ Nënë Tereza’’ me biçikleta brenda, ecej me biçikletë në korridorin e spitalit jo në 1913 po në 2013 dhe nuk dallohej mjeku, i sëmuri, i afërmi, shitësi i farave apo i të brendshmeve nga kalimtari që e priste rrugën Bardhyl me rrugën matanë duke u futur përmes spitalit.
Po shkollat? Po shkollat? Qindra e qindra e qindra!
Erdhi një gazetar për të ndjekur flamingot dhe shkoi në Kamëz aty ku zakonisht janë kërkuar gjithmonë revolucionarët më të gatshëm për të djegur Tiranën dhe kur u takuam më tha: ‘’shkollat që kam parë në Kamëz nuk janë në lagjen më të pasur të qytetit tim’’. Nuk po ju them cilin qytet.
Po infrastruktura e Shqipërisë sot? Po shërbimet publike të Shqipërisë sot? Po vetë ky proces për të cilin unë e kam thënë, e dinë tani më plot se e kam thënë dhe publikisht, unë vetë kam qenë i tmerruar se dhe unë vetë isha pre e idesë që administrata jonë nuk kishte kapacitete për të përballuar jetën e re, përballjen me Europën dhe thosha po mirë po luftojmë, po luftojmë, po luftojmë të hapim negociatat. Po me kë do t’i bëjmë negociatat ne, kur të ulen këta tanët përballë atyre robotëve të Brukselit që janë si ata kompjuterat që mundin Kasparovin, jo një e dy, as 10, as 20, as 30, as 50, as 100, 1.000 vetë.
Por përfshirë të gjitha këto të cilat janë baza, janë arsyeja themelore pse sot njerëzit kanë një pritshmëri shumë më të madhe dhe pse sot njerëzit nuk gëzohen më se po shtrohet një rrugë apo se po rregullohet një urë. Është një vërtetë e madhe politike tamam dielli që nuk mbulohet me shoshë në këtë togfjalësh “traktati i anëtarësimit të Shqipërisë”.
Ajo që është pikërisht kjo vërtetë e madhe politike është se nuk mund të jetë në të njëjtën kohë e vërtetë, s’ka sesi të jetë në të njëjtën kohë e vërtetë që Shqipëria po bie në një humnerë pafund dhe që Shqipëria po hyn në faqen e fundit të historisë së anëtarësimit në Bashkimin Europian duke përgatitur traktatin e anëtarësimit. Këto të dyja nuk rrinë bashkë. Hyrja në atë faqe nuk bëhet duke u rrokullisur në humnerë, por duke kaluar nga një ekonomi me më pak se 10 miliardë euro si ajo që kishim kur ne nisëm këtë rrugëtim, në një ekonomi që sot ka prekur tavanin e 30 miliardë eurove.
Nuk bëhet hyrja në atë faqe duke u zhytur në korrupsion, po duke krijuar dhe duke mbështetur pa kushte organe të pavarura drejtësie, të cilat e luftojnë korrupsionin deri në nivelet më të larta të pushtetit politik.
Prandaj unë e kam thënë dhe them ndryshe nga çfarë nxjerrin bulçitë e grykëve publike: shqiptarët janë mjaftueshmërisht të mençur që ta kuptojnë, se fakti që sot dhe prej kaq vitesh ka organe të pavarura drejtësie që godasin këtu brenda është rrjedhojë e të vërtetës së madhe se këtu është garancia e paprekshmërisë së pavarësisë së drejtësisë.
Prandaj ka hyrë Shqipëria në atë faqe dhe nuk bëhet hyrja në atë faqe duke i mbyllur gojën kritikëve të qeverisë, se edhe kjo është një tjetër legjendë e madhe urbane. Ndërkohë që ky vend jo sot, po prej vitesh statistikisht është një vend që prodhon në ditë në gjithë kanalet e veta mediatike: 60% përmbajtje kundër qeverisë, afër 30% përmbajtje neutrale dhe vetëm rreth 10% përmbajtje pro qeverisë.
Të gjitha këto të dhëna, kam dhe plot të tjera, mund t’ju vlejnë dhe atyre që u kuturisën të ngrinin një paralele mes Beogradit dhe Tiranës. Janë të gjitha përmbys në raport me situatën që ishte atje, sepse duan apo s’duan ata që s’duan dhe kurrë mos dacin, ky është një vend ku liria e kujtdo që është i pozicionuar kundër nesh është e atillë sa në asnjë vend tjetër nuk i gjen kore si ato të përnatshmet që u rreshtuan ekran me ekran për të glorifikuar dhunën. Ndërkohë që në të gjitha ekranet e Francës, të Italisë, të Spanjës, të Gjermanisë dhe të kujtdo vendi tjetër europian nuk ka shans të gjesh zëdhënës të dhunës që përfaqësojnë mediat.
Mund të vazhdoja deri nesër me të gjitha fushat e përparimit të Shqipërisë deri në pikën që Komisioni Europian të kërkojë fillimin e përgatitjeve të traktatit të anëtarësimit, por do të kemi kohën përpara për të gjithë përparimin e madh, për të gjithë problemet e shumta të vendit dhe të njerëzve gjatë një debati kombëtar, të cilin do ta propozoj pak më poshtë, por mësimi i parë i arritjes te ky rekomandim historik është se një vend me probleme dhe një vend pa perspektivë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Shqipëria e sotme jo ka një perspektivë, po ka një perspektivë më konkrete se kurrë dhe ndodhet sot më afër se kurrë takimit të shumëpritur me historinë. Mos harroni që kemi marrë një votë plebishitare me këtë kërkesë. Ju kujtohet? Kur gjithë këto grykët që nxirrnin nga bulçitë mediatike, fjalët e kundërta ndaj nesh gjatë fushatës thoshin për çfarë i duhet këtij një shumicë më e madhe se kjo që kishte? Do të bëhet si Putini, do të bëhet si Erdogani, për kë i duhet kjo? Parafytyroheni sikur populli shqiptar të ishte po aq i mangët sa këta që bënin këtë pyetje dhe populli shqiptar të mos na kishte dhënë mandatin që na dha. Ne sot do ishim të ngecur, do ishim pengje se nuk do kalonim dot asnjë nga shumë ligjet që kërkojnë pikërisht fuqinë e kësaj shumice që ne morëm dhe e morëm atë shumicë për Shqipërinë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Nuk e kemi marrë atë shumicë për asgjë tjetër, por e kemi marrë për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian dhe është përgjegjësi historike sot të cilën duhet ta ndjejë individualisht secili duke reflektuar ato që folëm më parë për të qenë atje në pjesën e tij të frontit aktiv.
Të gjitha qelizat e Partisë Socialiste duhet të mobilizohen.
I gjithë gjaku i organizmit të kësaj partie duhet të vlojë sepse ne na ka rënë barra, por na është shkruar dhe fati që të gjendemi në këtë moment të historisë me këtë përgjegjësi, ta përgatisim atë takim ku Shqipëria do të jetë ylli i ri i Europës dhe Europa do të flasë zyrtarisht edhe gjuhën e vjetër shqipe, siç flet të gjitha ato gjuhët e tjera atje.
Prandaj është përgjegjësi historike konkrete për të ulur kokën, për të ulur kokën individualisht dhe për të punuar pa pushim, për të komunikuar pa rreshtur me të gjithë rreth e rrotull dhe me ata të tjerët pas atyre rreth e rrotull, për të mbështetur pa u lodhur njerëzit, komunitetet që na e kanë dhënë ne këtë privilegj që të gjendemi sot në këtë moment të historisë, në këtë pozicion dhe që nesër të kemi mundësi të shohim në krenari të shkuarën dhe të themi isha dhe unë kur ndodhi ngjarja më e madhe e historisë së Shqipërisë, është ajo që është përpara dhe varet nga ne në radhë të parë ta sjellim atë në kohë.
Prandaj, Shqipëria nuk mund të ndalet asnjë minutë pse nuk bien dakord kundërshtarët tanë me arritjet e saj. Ndërkohë që ne nuk mund të ndalemi te arritjet tona, po duhet të kthehemi me përulësi te njerëzit për tu përqendruar me përkushtim te hallet, problemet dhe kërkesat e tyre. Prania besnike e provon çdo të premte në orën 5:00 pasdite se është një nga shtigjet e duhura për të ndjerë nga afër pulsin dhe ndjesinë e çdo komuniteti dhe për t’i dhënë politikës atë frymëmarrjen e domosdoshme që ne duhet ta marrim atje në burim, sepse burimet këtu në Tiranë janë kundër nesh për 1001 arsye, por ne kemi atë burimin atje që nuk na ka lënë në baltë asnjëherë dhe prandaj ka ardhur koha tani e një pranie politike të shtrirë gjerësisht në territor edhe për faktin sepse në vazhdën e zhurmës dhe të tymit të ngritur në qiell ka ardhur radha jonë të flasim tani.
Kanë folur ata, i kanë thënë të tëra i kanë ulëritur të tëra, i kanë shkulur të tërë gurët e bulevardit, i kanë hedhur të tëra sasitë e molotovëve që nuk ishin hedhur në Shqipëri në 35 vjet liri, por fjala jonë nuk është thënë akoma. Tani është koha të flasim ne.
Po të flasim në çdo lagje dhe në çdo fshat. Të flasim me çdo shqiptar që nuk i friket dialogut, që e dëshiron debatin dhe e që nuk e ka harruar akoma atë që duan të na bëjnë ta harrojmë. Në vitin 2026 duan të na bëjnë të harrojmë që baza e bashkëjetesës është liria për të folur, por është dhe e drejta për t’u dëgjuar.
Një mandat si ky nuk është një mandat katërvjeçar i radhës. Një mandat si ky është një mision i ngarkuar nga një popull i tërë dhe nuk zhbëhet dot nga askush ky, por ama nga ana tjetër pikërisht se është më shumë se një mandat katërvjeçar, është një mision, nuk është një leje për t’i dëgjuar njerëzit një herë në katër vjet.
As një e drejtë për të mos dhënë shpjegime kur njerëzit i kërkojnë dhe aq më pak një e drejtë për të mos qenë tek njerëzit më shumë sesa çdo herë më parë.
Sa më i fortë mandati aq më të udhës bëhen dëgjimi i shpeshtë, shpjegimet e palodhura, gatishmëria e plotë për dialog dhe dua ndalem këtu një minutë sepse flitet për dialogun edhe ato grykët e errëta përsërisin pa pushim që nuk u dëgjuan flamingot, u përqeshën, u anatemuan, u neglizhuan e tjerë e të tjerë dhe është vonë tani për të bërë dialog.
Së pari, flamingot vetëm ne i kemi dëgjuar një herë si fillim dhe sot ne kemi fakte për këtë. S’kemi më vetëm reflektime.
Sot ne kemi disa instrumenta që nuk i kishim më parë dhe që i krijuam se dëgjuam ata, duke filluar që nga kryesori për ata, instrumenti i ndjekjes së hallit në ‘’Pasqyrë Albania’’ ku halli, kërkesa, ankesa kthehet në një pako postare në thonjëza, që ti e ndjek në kohë reale dhe aty është afati, aty është statusi, aty është edhe ‘’syri’’ i institucionit që duhet të sigurojë që ajo kërkesë, ajo ankesë do të marrë përgjigje në kohë dhe pjesë e saj është edhe legjislacioni që ne kemi bërë gati për përgjegjësitë që burojnë nga mosndjekja në kohë dhe nga mospërgjigja korrekte e asaj kërkese, ankese apo për atë hall.
Po ashtu ne nuk kemi qenë asnjëherë, përkundrazi, të pavëmendshëm ndaj tyre. Unë personalisht njëherë i kam dëgjuar ata më shumë se ç’ata kanë dëgjuar njëri-tjetrin, sepse të tëra ç’kanë pasur për të thënë, i kanë thënë poshtë dritares së zyrës.
Natyrisht që unë i kam ndarë, sepse të ndara kanë qenë dhe tani po duket gjithmonë e më qartë ajo që unë e kam thënë krye të herës, mbase pak më shpejt se ç’duhej, që aty në atë protestë kishte nga të gjitha dhe aty pjesa e rëndësishme për ne, për mua ishin të gjithë mijëra e mijëra qytetarë që i kishte sjellë aty pikërisht pritshmëria më e lartë për gjërat qe i shqetësojnë po që “sorrat dhe korbat’’ ishin pjesë aty, kjo besoj tani është shumë e qartë. Po që duart e huaja ishin pjesë aty, kjo është po kaq e qartë. Kështu që nuk ka qenë as përqeshje as anatemim. Ka qenë vetëm ndarje me publikun, e të vërtetës komplekse të asaj proteste dhe iluzioni i largimit tim me dhunë se ata nuk e kanë me mua, ata e kanë me ju, e kanë me Partinë Socialiste. Unë jam thjesht pengesa më e madhe dhe manipulimi i madh që e shoqëruan atë iluzion, kanë krijuar një shtresë toksike që ne duhet ta purifikojmë në të gjithë territorin, me fjalën tonë, me faktet tona, me përgjegjësinë dhe me angazhimin tonë për të dëgjuar njerëzit.
Dhuna policore një legjendë urbane e jashtëzakonshme, e cila përsëri na kthen tek biseda që bëmë paraprakishte për botën e re të rrjeteve sociale, në ndërkohë që mbetemi i vetmi vend siç thashë me një raport të përmbysur të të lënduarve.
Në Dublin përpara dy ditësh u prita nga një dyzinë motrash dhe vëllezër atje me axhitim të madh. Ishin në trotuarin tjetër. Rruga ishte bosh. Kalonin makinat. Policia ishte në trotuarin këtej ku ndodhte aktiviteti.
Atje s’kishte asnjë polic. Ata rrinin atje te trotuari dhe pashë një parrullë aty, “ne nuk pagujmë gjobë për lirinë e protestës. Në fakt, nuk paguante gjobë se rrinte në trotuar, po të prekte rrugën, e merrte policia dhe merrte dhe gjobën. Erdhi dhe një vezë irlandeze drejt meje. Ishte kështu si më e errët dhe mu duk kështu si, thashë paskan marrë ndonjë shqiponjë me vete. Polici nga këtej ku ishte i tha mos lëviz shqipes atje. Shqipja ngriu, ishte goxha burrë. Tak, shkuan dy policë e morën e lidhën aty. S’lëvizi fare. Mos lëviz, i tha polici dhe iku polici. Kaloi rrugën. Tani kjo është dhuna policore që të jemi të qartë.
Pra, as nuk mund të imagjinohet atje që të luash me kapelën e policit apo ta përdorësh kapelën e policit për të mbajtur vezët edhe pastaj t’i gjuash policit dhe të ankohesh pse polici po kërkon kapelën mbrapsht. Kështu që kthimi i ligjshmërisë është proces që duhet çuar deri në fund. Gjobat duhen ekzekutuar deri në fund. E drejta për të zënë rrugën pa leje nga policia duhet të mos ekzistojë pa pasojën e gjobës përkatëse për bllokimin e rrugës. Si mundet të marrim përsipër 50, 500, 5000, sa të jenë, të bllokojnë qarkullimin për gjithë të tjerët. Si, si munde të lejohet kjo? Në emër të çfarë të drejte? S’të pëlqen qeveria, je i nderuar dhe i respektuar ta thuash këtë gjë në format që nuk pengojnë askënd tjetër të vazhdojë jetën e vet. Këto janë gjëra shumë të thjeshta të cilat kemi menduar gabimisht se ishin ndarë, por kanë ardhur ca që duan të na bëjnë të besojmë se Shqipëria më e mirë bëhet duke u imponuar, Shqipëria më e mirë bëhet duke dhunuar online të gjithë ata që nuk i bashkohen kësaj kuturisjeje. Shqipëria më e mirë bëhet duke nxjerrë nëpër faqe, adresat e shtëpive të njerëzve për të shkuar edhe për t’i kërcënuar; Shqipëria më e mirë bëhet duke sulmuar gazetarët që nuk rezultojnë të jenë militantë të ‘’korit të dhunës’’. Duan të na bëjnë të besojmë ca gjëra që jo që s’kemi për t’i besuar, por që jemi këtu për t’i refuzuar dhe për t’i zmbrapsur sepse ai traktati i anëtarësimit të Shqipërisë është traktati për t’u bërë pjesë e një familjeje që nuk mund as t’i imagjinojë të tilla kërkesa.
Tani dua ta them edhe këtë për Partinë Socialiste sepse besoj që është shumë e rëndësishme që ne të mos e humbim asnjëherë këtë fokus në ndërkohë që kemi të gjitha arsyet për t’u shqetësuar, të gjitha arsyet për tu mërzitur, të gjitha arsyet për t’u ndjerë jo mirë të sëkëlldisur, kur gjëra të caktuara e lëndojnë e imazhin e Partisë Socialiste.
Unë dua t’ju them që unë sot jam shumë krenar për këtë parti. Jam shumë krenar për këtë parti, sepse pa këtë parti ai togfjalësh nuk do ishte shkruar, sepse ajo që nuk kuptojnë ose nuk duan të kuptojnë ata që bëjnë sikur s’kuptojnë apo realisht s’marrin vesh kur unë them që ne e kemi të ndaluar ta mendojmë se mund të ndalemi për një moment e të themi hajdeni të bëjmë ndonjë gjë tjetër. E kemi të ndaluar kategorikisht ta mendojmë këtë gjë, jo ta bëjmë sepse ne jemi një forcë e vetme këtu në këtë vend që funksionon me kronometër.
Të tjerët, funksionojnë me kilometra në rastin më të mirë, se ka dhe nga ata si ai ballisti që funksionon me milje. Ne funksionojmë me centimetra, ne e kemi me kronometër.
Çdo ditë, ne duhet të përmbushim detyra, duhet të jemi vazhdimisht të mobilizuar për të çuar në Bruksel të gjitha ato që kërkohen, se nuk vjen ai togfjalëshi atje në kohën e duhur nëse ne nuk japim atë që duam. Dhe unë jam krenar për këtë parti sepse të zhytur këtu në këtë vorbullën tonë të Tiranës, të lagjes politike, të dhomave dhe kuzhinave të vetë Partisë Socialiste, ne rrezikojmë ta humbim sensin e perspektivës, të cilin e kemi shumë të thjeshtë Brukselin, Komisionin Europian.
Në atë vendin tjetër, ku ndodhi ajo përmbysja, Brukseli kishte lënë gjëra të shkruara shumë të rënda prej kohësh, ishte bllokuar gjithçka. Pse? Sepse nuk shkonin gjërat në drejtin e duhur.
Këtu, sot, tani që flasim çdo gjë shkon në drejtimin e duhur se ndryshe nuk vinte ai togfjalëshi. Kjo nuk do të thotë që s’ka qindra probleme, por ne, e përsëris, kemi ne detyrën të mos e hedhim beben bashkë me ujin e pistë. Ne duhet të merremi me ujin e pistë, por duhet të kujdesemi për beben çdo ditë. Askush tjetër nuk e merr dot përsipër këtë përgjegjësi dhe askush tjetër nuk e mban dot këtë përgjegjësi. Askush, asnjë forcë tjetër politike, njëri më daulle se tjetri. Kjo është e vërteta.
Prandaj, unë jam krenar, por në të njëjtën kohë krenaria ka një kuptim shumë përcaktues për atë që ti je dhe që ti mund të mbetesh, që është që s’ka vend për vetëkënaqësi, por ushqehet vijimësisht me kërkim tek vetja, të nxjerrjes së më shumë dhe më mirë nga vetja për ta mbajtur krenarinë aty, ku ajo ta mban kokën lart.
nuk mund ta ulë kokën për askënd dhe për as asnjë arsye.
Dhe vijmë tek një fakt tjetër se prapë dua ta lidh me përgjegjësitë që fola në pjesën e parë. Ne kemi bërë diçka që jo 10 vjet përpara, por edhe një vit më parë nuk e bënim dot dhe nuk është e vërtetë përralla që Edi Rama u kthye te e majta ideologjike me paketën. Jo. Ne kemi bërë një paketë fiskale, e cila është rezultat i arritjeve, nuk është rezultat i dëshirës a lëre pastaj i shtysës ideologjike. Dëshirën ne e kemi pasur gjithmonë. E kemi thënë në programin e Rilindjes Shqiptare përpara zgjedhjeve të para, që duam të ulim TVSH-në për shportën e kemi thënë, por nuk e kemi bërë dot derisa u krijua mundësia, sepse buxheti ka nevojë të financohet, sepse investimet duhet të vazhdojnë, sepse pagat duhet të vazhdojnë të rriten dhe “sepse, sepse, sepse”.
Si i heq ti 150 milion euro nga arka dhe i kalon tek xhepi i qytetarit? I heq duke i zëvendësuar dhe mundësisht shtuar. Nga? Nga ekonomia. E njëjta gjë me uljen e çmimit të naftës në pompë. E kemi thënë shumë herë që struktura e çmimit etj, por në kushtet kur kostoja e rritur e jetesës dhe presioni i madh mbi njeriun e zakonshëm i kësaj kostoje ka filluar të lëndojë psikologjikisht raportin e tij me institucionet dhe me shtetin, kjo është një tjetër masë që duhet bërë dhe diskutimi ka filluar përpara dy vjetësh. Kalkulime, kthehu këtej, kthehu andej. Merrnim dhe Blendi Gonxhën si “shoferi” më i sigurtë i gjithë kësaj shumica qeverisëse, – e kam fjalën për shofer, shofer, jo për shofer në kuptimin e timonit Gonxhe, mos u ngatërro – dhe bënim kalkulime. Nuk dilte llogaria.
Janë 450 milionë të tjera që duhen, që nëse ti i heq te pompa, duhet ti nxjerrësh ndryshe. Pse del llogaria sot? Sepse ekonomia është sot në nivelin e vet më të mirë, është rritur baza e të ardhurave, nuk është rritur borxhi.
Janë ato institucionet, janë ato pjesët e administratës që kaq kollaj ne i marrim nëpër gojë që i kanë të gjitha të metat e tyre, por janë ato që bëjnë këto se pa ato ne nuk i bëjmë dot.
Dhe po kështu skema e re e bonusit të bebes. Rakip Suli donte më shumë dhe ka të drejtë, por mungojnë sot ato mundësi për të bërë skemën që kërkonte Rakipi dhe ja ku jemi sot. Kemi një skemë të bonusit më të zgjeruar. Pse? Se janë rritur mundësitë e ekonomisë. Tani natyrisht që ne duam të bëjmë shumë më tepër për pensionistët. Kemi dashur ta bëjmë gjithmonë, por tani po bëjmë atë që s’e bënim dot deri dje.
Në janar pensionistët do të kenë përsëri dyfishimin e shtesës që ju bë janarin e kaluar dhe ne do t’i qëndrojmë janar për janar, vit për vit atij premtimi. Pse? Se na jep mundësinë ekonomia.
Tani dua t’ them njerëzve që po, na duhet më shumë ekonomi sepse ka më shumë nevoja. Ama për të bërë më shumë ekonomi, na duhen më shumë investime.
Na duhen më shumë sipërmarrje, për të bërë më shumë ekonomi, na duhen edhe ato miliardat që janë plotësisht të mundshme tani dhe nuk flas vetëm për një investim, flas për disa, janë bllokuar disa investime të mëdha, sepse janë disa grupe të mëdha që janë sot në pritje. A do pranojë Shqipëria të vazhdojë të rritet përmes këtyre investimeve dhe të jetë kaq e hapur për investitorët apo do stepet e do kthehet në një pikë ku do ishte fatale. Do ishte fatale. Dhe në këtë pikë ne duhet të flasim me shqiptarët. Debati për Shqipërinë është ky: duhet të diskutojmë nga sot deri në 9 maj që të merremi vesh ‘’ore çfarë Shqipërie duam’’ përtej kësaj zhurmës së tmerrshme të këtyre ‘’tenxhereve’’ dixhitale, çfarë Shqipërie duam dhe si bëhet ajo Shqipëri nëse duam një Shqipëri ku të kemi shumë më tepër për të rishpërndarë. Nuk rishpërndahet varfëria! Këtë ka bërë Shqipëria deri përpara shtatë-tetë vjetësh. Rishpërndante varfërinë gjithë kohës. Nuk rishpërndahet varfëria, rishpërndahet pasuria dhe pasuria duhet krijuar e pasuria nuk krijohet duke parë me dyshim paranë dhe duke parë me dyshim çdokënd që sjell para. Këto janë të thjeshta, por tani këtu kanë vënë në pikëpyetje edhe a duhet thënë mirëdita apo duhet thënë ajo fjala tjetër kur e sheh tjetrin në mëngjes.
Të gjitha këto mbyllen tek një pikë: disiplina. Nuk ka skuadër që fiton trofe pa disiplinë; nuk ka skuadër që fiton finale të mëdha pa disiplinë; nuk ka skuadër që nxjerr rezultatin nëse topin e duan të tërë dhe nëse disa duan të xhonglojnë që t’i duken bukur stadiumit, e disa të tjerë duan të marrin trofeun pa bërë këpucët pis në fushë dhe përballë gjithë kësaj furie balte, manipulimi, dizinformimi dhe maskarallëku, ne kemi vetëm dy gjëra: të vërtetat tona dhe gojën tonë. Jemi pushteti më i pambështetur mediatikisht nga mediat tradicionale që mund të gjeni në rajon e kudo. Në vendet e tjera më demokratike mediat janë të barazlarguara etj, etj. Në këto kushte duhet sy më sy, goja dhe të vërtetat. Të vërtetat që duhet të prekin çdo lloj fushe pa asnjë paragjykim.
U ngrit një teori e tërë, një furtunë e tërë se si unë mbrojta Belinda Ballukun nga drejtësia. Dua ta them këtë se nuk më është dhënë rasti ta them dhe ndërkohë e kam dëgjuar të përsëritet në pafundësi e të kthehet në një të vërtetë të krijuar artificialisht. Po cila është e vërteta e vërtetë? E vërteta ime që unë e kam ndarë me ju? Është e njëjta gjithmonë: raporti ynë me drejtësinë ka qenë, është dhe mbetet një raport pushtetesh të ndara dhe kush ka një problem me drejtësinë e ka personal, të vetin me avokatët e vet. Unë dhe Partia Socialiste nuk bëjmë avokatinë e askujt.
Gjejeni një fjalë timen ose të kujtdo këtu, që ta ketë bërë këtë gjë në rastin e Belinda Ballukut dhe ma thoni; nuk e gjeni dot për asnjërin dhe për asnjërën. Po, do të gjeni fjalë të miat për paraburgimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Është një paraburgim absurd dhe mbetet një çështje e demokracisë. E kam thënë këtë gjë, e përsëris këtë gjë: pse? Nuk mund t’i marrësh ti kryeqytetit kryetarin e zgjedhur dhe t’ia mbyllësh brenda pa gjyq, por nga ana tjetër nuk mund të thuash që ky nuk mund të zëvendësohet se është në detyrë? Tani, o njëra, o tjetra, të dyja bashkë janë një nonsens, por asnjëherë nuk kam thënë dhe asnjëherë nuk do të them asgjë në lidhje me meritën e çështjes. Nuk është puna ime. Në rastin e Belinda Ballukut çfarë kam thënë? Kam thënë nuk ka arsye për të ngritur ne, se erdhi puna tek ne, jo tek mendimi im apo i joni për çështjen se kjo s’është çështja jonë. Por erdhi puna tek ne, ta ngremë kartonin për të paraburgosur një tjetër koleg pa gjyq kur hetimet vazhdojnë.
Sot e vërteta është aty e gjitha: hetimet vazhduan, u kryen, çështja shkoi në gjyq. Pra nuk ishte pengesë, ishte pjesë e një qasjeje të cilën unë personalisht dhe ne të gjithë bashkë do ta kundërshtojmë me ligj. E kemi thënë këtë, kemi punuar më shumë se një vit apo dy vjet me gjithë paketën e masave për paraburgimin, jemi vendi më absurd i Europës me dyfishin e të paraburgosurve të Rusisë ku mund të futesh në burg dhe me telefon. Dyfishin! 63% e njerëzve që sot paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe nuk kushton pak një njeri që rri brenda, janë të paraburgosur. Ndodhin çudira, i mbarojnë afatet dhe dalin pa u gjykuar fare. Çfarë është kjo? Ça jemi ne, barbarë jemi ne? Patjetër që ne jemi për hetime, për gjykime të pavarura, por këtu ka disa balanca, ka disa të drejta dhe liri të njerëzve. Këtu ne nuk jemi në Mesjetë ku turma kërkon gjak edhe kërkon turra drush se nesër vjen te tjetri e te tjetri dhe ligji nuk ka lidhje fare me figurat e larta. As me veprat që lidhen me SPAK-u. Ka lidhje me shumë bij nënash atje që janë sipas zakonit të demokracisë dhe sipas Kushtetutës së Shqipërisë, të pafajshëm deri në momentin kur gjykohen, e rrinë në burg. Po pse? Pse? Mbajmë në burg ne pa gjyq edhe turistë të huaj, kalamaj që i kapin me hashash dhe rrinë atje brenda presin që të gjykohen. Ça janë këto? Ky ka qenë qëdnrimi dhe ky është qëndrimi. Të tjerat janë dokrra hini, kur thoshte At Gjergji, dhe paketa e re është në konsultim.
Dua të bëj një falënderim shumë të veçantë, aspak formal për Etildën, e cila është e kundërta e modelit për të cilin folëm në pjesën e parë. Ka qenë minsitre e Drejtësisë, ka qenë deputete, nuk mori dot mandatin dhe punon me ua si këshilltare ligjore dhe është si të kesh një komision ligjesh në godinën e qeverisë. Pa orar, koordinon projekte si ky projekt për paraburgimin dhe të tjerë dhe nuk ngurron asnjëherë për t’i kthyer kësaj familje politike sa më shumë nga ai besim dhe nga ajo mbështetje që kjo familje i ka dhënë dhe kur ishte e re. Të gjithë ata që sot thonë nga vijnë, këta janë fiks ata për të cilët është thënë nga vijnë. Nuk çohet as ai shoku im atje, as ai shoku tjetër atje të thonë nga vijnë këta? Jo, këta që kanë ardhur pikërisht nga e njëjta rrugë, këta tani thonë “jemi socialistë”. Nga vijnë këta të tjerët? Nejse!
Këto ishin gjërat që unë doja të ndaja dhe publikisht dhe misioni ynë është i qartë. Këto muaj janë absolutisht vendimtarë për të folur me të gjithë ata që deri sot ose nuk na kanë dëgjuar sepse mediat dhe rrjetet kanë qenë shumë të zëna me glorifikimin e dhunës ose nuk na kanë dëgjuar sepse nuk kanë fare qasje në rrjetet sociale që nga gjyshërit dhe gjyshet deri te fermerët e te të gjithë të tjerët me radhë, te ata që e bëjnë Shqipërinë vendin ku ekonomia rritet nga puna, nga djersa, nga sakrifica, vendin ku transformimet bëhen nga përpjekja e kësaj partie, e kësaj force, e kësaj qeverie, e kësaj shumice qeverisë.
Kështu që, me ftesën që të gjithë së bashku të mos lejojmë që uji pistë të mbysë beben, por nga ana tjetër të kujdesemi që mos hedhim beben bashkë me ujin e pistë, ju falënderoj shumë për vëmendjen!


