Velipojë, 25 prill 2025 – Një investim i rëndësishëm në infrastrukturën energjetike po realizohet në Velipojë, me synimin për rritjen e fuqisë energjetike të kësaj zone me ngarkesë të madhe në sezonin turistik, si edhe në zhvillim të mëtejshëm me projektet e reja të hotelerisë me 5 yje.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vizitoi kantierin e OSSHE, ku po ndërtohet nënstacioni i ri me kapacitet të pesëfishuar krahasuar me të mëparshmin.

“Këtu jemi në nënstacionin e ri të Velipojës, nënstacion që ka filluar të ndërtohet në fund të 2023, fillim 2024 dhe pritet të përfundojë brenda korrikut 2025, përpara sezonit. Po përpiqemi që bashkë me kompaninë ta përfundojmë brenda qershorit që është dhe momenti, ku fillon dhe rritja e ndjeshme e kapaciteteve nga ngarkesat e rrjetit si pasojë e hapjes së sezonit turistik. Ky është nënstacion që ka ardhur si nevojë e zhvillimit shumë të fuqishëm urban që ka pasur kjo zonë pasi deri para 3 vitesh, kjo zonë furnizohej vetëm nga një nënstacion ekzistues, një nënstacion i vitit 1995 totalisht i amortizuar dhe që nuk i shërbente aspak ritmit dhe asaj çfarë ne do kishim në këtë rajon. Për pasojë, lindi nevojë e një nënstacioni të ri, nënstacion me pesëfish kapacitet nga ajo çfarë kemi sot. Këtu jemi me 50 megavat të instaluar, ndërkohë i vjetri është më 10 megavat i instaluar. Sot, ne operojmë me një rrjet në nivel 20 kilovolt. Kjo gjë ka ardhur si nevojë e rrjetit të amortizuar të të gjithë Velipojës, ndërkohë që pas përfundimit të këtij nënstacioni, ne do të kalojmë në gjithë zonën e Velipojës dhe fshatrat rreth e rrotull. Ky nënstacion garanton një furnizim të sigurt me energji elektrike, brenda parametrave që ne duhet të furnizojmë sepse ankesat këtu kanë qenë shumë të mëdha e të vazhdueshme.” – shpjegoi Drejtori i OSSHE, Blendian Dalipi, teksa shtoi se “Kemi menduar që përveçse të furnizojmë zonën e Velipojës, si pasojë edhe e zhvillimit që ne mendojmë që do marrë gjithë kjo pjesa ku kalon rruga e re, do lidhet dhe me një nënstacion tjetër që kemi menduar të ndërtojmë në Shëngjin shumë shpejt.”

Nga ana e tij, kryetari i PSSH Edi Rama tha se për Velipojën janë parashikuar një sërë projektesh të cilat kanë nevojë për mbështetjen me energji.

“Kemi disa projekte me shumë rëndësi këtu në Velipojë, kemi disa zhvillime me sipërmarrje vendase me hoteleri të nivelit të lartë që praktikisht janë shumë transformuese mirëpo duhet të ketë mbështetje me energji. Na janë rritur me këtë turizmin shumë kërkesa për energji, gjithsesi mendoj se jemi në rrugën e duhur për ta përballuar dhe kapërcyer madje këtë nivel nevoje në të gjithë Shqipërinë.” – u shpreh Kryeministri teksa shtoi se edhe në zonën e Shëngjinit janë parashikuar të ndërtohen projekte të rëndësishme. “Dhe aty kemi disa projekte të jashtëzakonshme që do sjellin shumë cilësi dhe do sjellin atë që ne po synojmë, konsumatorin e nivelit të lartë në turizëm, por duhet mbështetur shumë me energjinë.” – u shpreh Kryeministri.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci tha se Velipoja mban peshën kryesore të zhvillimit ekonomik të Shkodrës, sa i përket të ardhurave, sidomos nga turizmi.

“Ky investim është drejtpërdrejtë i lidhur me mbështetjen dhe gjithë hovin që po merr edhe nga kombinimet e infrastrukturës rrugore. Ka paraprirë dhe jemi shumë të kënaqur me investimet që po bëhen.” – u shpreh ai.

Ndërkohë punohet edhe me projektin e ngjashëm për Alpet, ku rritja e madhe e turizmit ka imponuar një investim të konsiderueshëm për rritjen e fuqisë së rrjetit të energjisë.

“Fokusi ynë i OSSHE në veçanti, përveçse zonës bregdetare që është Velipoja deri në Shëngjin, ne kemi dhe zonën e Alpeve. Jemi në tre projekte shumë të rëndësishme për t’i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë atyre zonave të nxehta që është Thethi, Boga, Razma, Tamara, Vermoshi dhe Lëpusha. Jemi në fazën e zhvillimit të një projekti me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i cila ka filluar një linjë 35 kilovolt nga nënstacioni i Koplikut deri në Bogë ku do të marrin zgjidhje shumë shpejt Boga dhe Razma dhe nga ajo pikë do determinojnë një linjë tjetër në drejtim të Thethit. Ndërkohë, e di që e ke me merak shumë zonën e Lëpushës pasi na kanë ardhur shumë mesazhe nga ana juaj dhe kemi miratuar me buxhetin e viti 2025 linjë të re, nënstacion të ri për zonën e Tamarës. Besoj se brenda vitit tjetër do kemi një situatë totalisht ndryshe.” – tregoi Drejtori i OSSHE, Blendian Dalipi, lidhur me projektet e reja që parashikohen në të ardhmen.