Velipojë, 25 prill 2025 – Në Shkodër vijoi sot turi elektoral i Kryetarit të PSSH Edi Rama, me një ndalesë në aksin e ri Shëngjin – Velipojë, ku u takua dhe bashkëbisedoi me përfaqësues të bizneseve, për këtë fazë aktualisht shumë pozitive të ekonomisë kombëtare dhe vendore, falë hovit të turizmit po jo vetëm.
“Përfundimi i kësaj rruge të re, është vërtetë një moment lehtësimi sepse me këtë rrugë të re, si dhe me segmente të tjera të kësaj natyre, që kemi investuar apo po vazhdojmë të investojmë nëpër Shqipëri, i zbulojmë shqiptarëve, por edhe turistëve një pjesëz të magjishme Shqipërie, që deri dje ishte e pa aksesueshme.” – u shpreh Kryetari i PSSH Rama, ndërkohë që ftoi Ministren e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e biznesit Delina Ibrahimaj, të paraqiste fakte dhe disa nga projeksionet e qeverisë, lidhur me industrinë e re të turizmit.

* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë, shumë faleminderit! Ne sot jemi së bashku këtu edhe me ministren, e cila do të ndajë me ju disa fakte e disa projeksionet tonat, lidhur me industrinë e re të turizmit, ndërkohë që përfundimi i kësaj rruge të re, është vërtetë një moment lehtësimi sepse me këtë rrugë të re, si dhe me segmente të tjera të kësaj natyre, që kemi investuar apo po vazhdojmë të investojmë nëpër Shqipëri, i zbulojmë shqiptarëve, por edhe turistëve një pjesëz të magjishme Shqipërie, që deri dje ishte e pa aksesueshme.

Dhe patjetër që fuqizojmë mbështetjen për të gjithë ekonominë vendore të Shkodrës dhe të Lezhës, nuk diskutohet shtojmë të ardhura të tjera për ekonominë tonë kombëtare.

Unë jam shumë optimist, duke pasur parasysh dhe atë që preku pak Pjerini, stokun e projekteve të reja, të projekteve të reja tuajat, të sipërmarrjes në Lezhë dhe në Shkodër, por edhe të shumëkujt tjetër që s’është këtu me ju sot, sepse janë projekte të një gjenerate tjetër në të gjitha drejtimet.

Kemi mbledhur dhe krijuar një rrjet absolutisht unikal arkitektësh, të cilët do të jenë edhe pjesë e pavijonit të Shqipërisë në bienalen e arkitekturës në Venecia që hapet së shpejti dhe kush nga ju ka mundësi dhe dëshirë, unë do të sugjeroja të shkojë ta shohë.

Është diçka vërtetë spektakolare ajo bienale për të gjithë ata që merren me direkt ose indirekt me ndërtime dhe është krenari e madhe që Shqipëria në këtë edicion të bienales, do të përfaqësohet me një mozaik të jashtëzakonshëm arkitektësh.

Shumëkush s’e beson akoma. Fare, që kjo mund të ndodhë në Shqipëri, por ja që kjo po ndodh dhe një pjesë e juaja janë në kontakt me ta, punojnë më ta.
Janë projekte shumë ambicioze, por që do të tërheqin këtu, atë që ne na mungon sot, do tërheqin fuqinë e madhe të konsumit nga ana e kategorisë së turistëve që shpenzojnë shumë. Natyrisht ata kanë nevojë për këtë lloj infrastrukture të re mikpritjeje që po krijojmë dhe pastaj të ardhurat rriten në mënyrë të jashtëzakonshme, ashtu sikundër rritet shumë ndjeshëm dhe mundësia, por edhe nevoja për të paguar shumë më tepër edhe stafet, sepse e gjitha lidhet me cilësinë.

Unë do t’ju thosha thjesht dhe vetëm që të synoni maksimumin e cilësisë.

Ne do të jemi shumë mbështetës, por dhe shumë rigorozë sa i përket gjithë zhvillimeve në këto hapësira të reja. Kemi bërë si vend shumë gabime në të shkuarën, normale, janë gabime të rritjes, i kanë bërë të gjitha vendet, nuk është se ne jemi ne të parët që i bëjmë. Kemi bërë gabime në zhvillimin e bregdetit tonë në të shkuarën pa llogaritur edhe ato furitë e ndërtimeve absurde që janë bërë në fillimet e tranzicionit, por kemi shumë akoma mundësi për të krijuar një infrastrukturë hotelerie dhe një infrastrukturë mikpritjeje shembullore, duke përfituar nga eksperienca e krijuar, por edhe nga eksperienca e atyre qe kemi tërhequr në këtë “vallen” tonë të europianizimit dhe modernizimit të Shqipërisë.

Pjerini e tha, jam shumë dakord, si gjithmonë në fakt me Pjerini, por në këtë rast jam shumë dakord që kjo është një nga zonat më të bukura të Evropës, nuk diskutohet dhe kjo meriton një zhvillim me standardet më të larta të Evropës dhe këtu ne, besoj biem dakord.

Ndërkohë që, përsa i përket rritjes së mëtejshme të mbështetjes nga ana jonë, ishim me Benetin, me Prefektin përpara se të vinim këtu, tek kantieri i nënstacionit të ri të Velipojës, është në përfundim. Do të jetë në funksion në fillim të sezonit sepse nevoja për të rritur kapacitetin e furnizimit me energji është shumë e madhe pasi ngarkesa është bërë shumë e madhe dhe ndërkohë, dua t’ju informoj juve të Lezhës, që projekti për nënstacionin e ri në Shëngjin, është gati dhe do të fillojë dhe ai nga ndërtimi, ashtu sikundër kemi me FSHZH edhe projektin e fuqizimit të rrjetit në Alpet që do të prekë të gjitha pikat, ku tanimë ka filluar të çelë dhe të lulëzojë si në Theth një turizëm me një të ardhme të jashtëzakonshme, kështu që plani është që këto dy nënstacione të mbështesin, jo thjeshtë nevojat e sotme, por të mbështesim nevojat për shumë vite, duke pasur parasysh edhe investime e reja që ju po përgatisni të bëni.

Ndërkohë është e vërtetë, me Milot-Balldrenin kemi pasur disa vështirësi, që kanë qenë të lidhura me procedurat pasi na është dashur ta ribëjmë garën për arsye të të gjitha standardeve dhe kritereve të vendosura. Urojmë dhe shpresojmë dhe besojmë që në ditët e ardhshme më në fund do të përmbyllet i gjithë procesi dhe do të duhet të bëhet dhe shpallja e kompanisë fituese për të firmosur kontratën dhe për të filluar puna dhe për Milot- Balldrenin.

Ndërkohë që kemi në proces edhe Milot-Murriqanin në mënyrë që të përmbyllim gjithë korridorin Blu. Është e vërtetë ajo që tha Beneti, nuk kemi pasur shumë sintoni me palën malazeze për urën. Vonesat, burokracira etj, se ankoheni ju për vonesat e burokracirat këtu po …

Domethënë mjafton të pyesni miqtë, shokët, familjarët qe keni ne Itali, t’ju thonë se sa kohë u desh për të arritur tek firma e fundit për çështjen e pensioneve me Italinë, pasi u firmos dhe u tha që kjo u krye. Sa u desh? Ça procesi u desh nga pikëpamja burokratike? Por do të vazhdojmë të shtyjmë për urën se është shumë e rëndësishme që të krijojmë një vijë të pandërprerë edhe kjo do t’ju sillte juve edhe shumë më tepër flukse dhe do të sillte dhe shumë turistë të ditës që shkojnë e vijën midis dy anëve të kufirit.

Kemi dhe një projekt tjetër që kemi dakordësuar , domethënë më saktë Pjerini ka urdhëruar dhe unë kam pranuar të zbatoj, projekti që i ka ardhur koha për hir të së vërtetës, i lidhjes së zonës së Tales, gjithë zona prapa, me bregdetin përmes rrugëve, si t’i quajmë? Perpendikulare po i quajmë, të brendshme ku faktikisht s’ka infrastrukturë që të mbështesë këto zhvillime, ndërkohë që deri dje s’ka qenë as nevoja për të pas se s’kishte. Dhe By Passi i Shëngjinit që është që është një kërkesë e vjetër e Markut, desha të them e shokut Mark, po është zotit Mark se shok nuk bëhet ky, është nga ata të pa epurit e liri demokracisë, po ne i duam të gjithë, sepse këtu na bashkon partia e punës apo jo Mark. Ne jemi me punën.
Këto janë pak a shumë ato që unë desha të bëj si një përmbledhje. Në ndërkohë që ministria do të hyjë në disa detaje dhe pastaj nëse do ketë akoma durim nga ana juaj, se jeni dhe përballë diellit, jemi të gatshëm që t’i përgjigjemi çdo pyetje.
* * *
– Faleminderit zoti kryeministër, iu shoh një dashuri të shtuar për zonën tonë, Lezhën.

Kryeministri Edi Rama: Jo mor nuk është dashuri është hall që më ka zënë.

– Na u bë pak si ters Milot Balldreni, a thua do të ishte më mirë Milot-Lezhë se kemi një emergjencë të jashtëzakonshme në verë. 2 orë me shku, 2 orë me hy, e dy orë me dale, deri te ura e Milotit është trafiku në verë.

– Na rezulton se BNB buxhetit të shteti i mungojnë shifra pothuajse aq sa bëjnë hotelet, çfarë mund të bëhet që këta njerëz të disiplinohen dhe të mos na sfidojnë hotelet dhe të çojnë të ardhura te buxheti i shtetit, sepse vërtet është një problem jo i Lezhës, po i gjithë vendit.

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, ta filloj nga kjo e dyta. Është e vërtetë që një pjesë e madhe e të ardhurave nga turizmi sepse tha ministrja me të drejtë që e kemi nis me gati 1 milion turistë, ku ne e dimë shumë mirë që 95% kanë qenë patriotë, domethënë njerëz që kanë ardhur nga Kosova, nga Maqedonia, vende të tjera ose emigrantë që ktheheshin për turizëm patriotik.

Sot kemi 5 miliardë të hyra me ekonomi që është një shifër e jashtëzakonshme dhe që praktikisht kërkon një analizë dhe ne e kemi bërë analizën, se si janë shpërndarë këta 5 miliardë.

Ndërkohë që, siç e tha ministrja, kur vjen puna te të ardhurat e deklaruara, duke filluar nga të ardhurat e deklaruara të biznesit formal, është dyfish, po nuk është aq sa është.

Një pjesë e konsiderueshme këtu është pikërisht Airbnb, pra janë ata që japin shtëpitë me qera ose një dhomë, është plot kudo, Tirana është plot dhe janë para ekstra për familjet, të cilat nuk deklarohen askund. Ne kemi qenë të vetëdijshëm për këtë dhe nuk kemi dashur të hyjmë akoma në këtë pjesë, për një arsye thjeshtë, se nuk i kemi ne akoma kapacitetet hoteliere të atilla që të mund të mund të fillojmë shtrëngimin në anën tjetër dhe nuk ka, sado që, Airbnb është shumë e përhapur, nuk ka filluar të cenoje hotelet, pra faktikisht hotelet mbeten plotë, plotë, plotë në sezonin kur dhe Airbnb merr pjesën më të madhe.
Por tanimë, kemi planifikuar ndërhyrjen që do ta nisim me qetësi, me butësi.

Eksperienca na ka mësuar që aty ku bëhet fjalë për të marrë pjesën e shtetit nga privati është më e mirë qasja konstruktive dhe qasja mirëkuptuese sesa presioni që bën më shumë dëm se sa sjell të ardhura prej të vërtetës.

Dhe prandaj kemi filluar me këtë marrëveshjen me ju, me gjithë hotelet. 65%, ju e dini shumë mirë që është një shifër qesharake, në raport me ça keni ju në sezonin e pikut. Qesharake domethënë është shumë më pak, por ama ne jemi shumë të lumtur që ju të pranoni 65% e pa deklaruar bazuar mbi shtretërit, 35 % i pjesë të tjetër të sezonit është më i lartë sesa normaliteti.

E dimë edhe këtë, por është një lloj balance.

Dhe jemi shumë të kënaqur që mbi 1 mijë hotele i janë afruar derës tonë, kanë trokitur dhe kërkojnë marrëveshje dhe kështu nuk keni më inspektime historira kontrollesh, shko bjeri derës, ka njeri brenda, s’ka njeri brenda, dhe ju dini shumë mirë pastaj “se sa shumë akullore duhet të jepni për të fresku inspektorët”. Kështu më mirë hiç inspektime, marrëveshje, shteti e di çfarë do marri në fund dhe ju e dini çfarë do merrni në fund. Dhe paralelisht me këtë do fillojmë procesin me Airbnb, kështu që kështu do adresojmë.

Paqen fiskale është mirë ta shihni me shumë seriozitet, sepse ka disa avantazhe.

Së pari, përllogaritja paraprake e të ardhurave vjetore, bazuar në tre vitet e fundit dhe bazuar në rritjen ekonomike, është shumë e drejtë, shumë e ndershme për dy palët, edhe bie dakord me tatimet. Kjo është shuma që unë i detyrohem shtetit, s’ke aty as kontrolle të thelluara, as telefonata, as historia. E dyta, që besoj juve ju intereson është mundësia për të rishikuar veten, duke u kthyer 5 vjet mbrapa për të nxjerrë në dritë disa nga ato që keni harruar, jo se keni dashur të mos i deklaroni, po i keni harruar nga nxitimi, nga puna, nga stresi, nga gjithfarë lloj situatash që ju i keni, dhe ne ju qajmë hallin se me thënë drejtë jeni në vështirësi të madhe. Se është e bukur shumë; unë sa herë pyes ndonjë nga njerëzit e biznesit si po të duket? Ekonomia. Ore, po ti? Jo mo, unë jam mirë për nga ekonomia. Domethënë të gjithë janë mirë, por ekonomia dhe mundësia për t’i rishikur, duke deklaruar mbi fitimin e dakordësuar, por ama duke paguar vetëm 5% për këtë ekstra, besoj që ju jep një mundësi të madhe që të krijoni një bazë më të qëndrueshme, më të madhe të ardhurash të deklaruara që do t’iu vlejnë shumë edhe për bankat, do t’iu vlejnë shumë edhe për kolateralet, do t’iu vlejnë shumë edhe për gjithë proceset e tjera që keni, sepse oreksi vjen duke ngrënë, thotë populli, dhe ambicia juaj ka ardhur, duke u rritur. Unë shoh projektet që vijnë, janë projekte që thua “zoti ju dhëntë ymër edhe iu shtoftë inatin që t’i bëjnë këto projekte”, por ato duan mbështetje financiare të fortë. Dhe natyrisht, ju e dini shumë mirë që është mbyllur pothuajse fare gryka e financimeve të paqarta, kështu që ju intereson kjo gjë. Plus edhe e treta pastaj, e faljeve me kusht të detyrimeve ndaj shtetit.

Përsa i përket pjesës tjetër, tashi Milot-Balldre, Milot-Lezhë, unë them që është e njëjta gjë. Edhe policia këtë mendim ka. Tani, se si e njeh policia këtë punë se njeh njeri, se sa herë i ka gjëmuar të tjerëve shteg më shteg e rrugë më rrugë e di mirë ku del.

Kështu që na duhet patjetër se është tuneli apo jo, ne na duhet patjetër bypass i Shëngjinit, aty që e kemi në proces. Ai na duhet se ai është problem. Më ka ftuar para disa vitesh një mik i mirë në Francë për të kaluar dy ditë. Po ka shumë vite dhe kemi shkuar ekzaktësisht pasi kishim fituar zgjedhjet e para dhe s’kishim marrë akoma qeverinë. Atë verë me dy-tre kolegë se është një kokë e madhe atje që na këshillon dhe na ftoi të shkojmë te shtëpia e tij në jug të Francës.
Unë po ju them kilometrat e radhës sepse ata përgjithësisht, ata francezet, por edhe të tjerët rrugët turistike nuk i zgjerojnë, të kthehet bota përmbys nuk i zgjerojnë. Kjo është rruga turistike, këto standarde ka dhe në Francë dhe në Zvicër, nuk i zgjerojnë. Thonë, nuk kam unë pse i bie në qafë natyrës se do ti të ikësh më shpejt. Do ti të ikësh atje ec avash, e para.

E dyta dhe për një arsye tjetër, sepse nuk është gjithmonë përgjigja zgjerimi sepse nganjëherë ti zgjeron por nëse në fund ka një grykë të vogël, ti sjell më shumë makina në një kohë më të shpejtë pastaj bllokim. Kështu që kilometrat e radhës në vendet turistike, në vendet e shumëkërkuara janë pjesë e jetës. Pra nuk do ketë ndonjëherë një mundësi që ti dhe të kesh 20 milionë turistë dhe ta kesh rrugën si sot, edhe aty ku drejton Policia si në Lezhë. Lëre pastaj ku drejtojnë këto qeniet e buta ku nuk behet fjalë fare.

– Mirë se na erdhe në Shëngjin zoti kryeministër.

Kryeministri Edi Rama: Pse e nënvizon kështu o burrë? Unë erdha nga Velipoja, isha në Velipojë dy minuta këtu. Të shkosh në Shëngjin sa duhet? Që nga këtu sa duhet për të shkuar në Shëngjin?

Në rregull, kjo është historia e atyre që janë të dytët, duan gjithmonë të bëjnë sikur janë të parët e di. Po të dytët jeni, pas Shkodrës jeni.

– Falenderim për Benet Becin për Thethin. E kam jetuar atë rrugën që ka qenë atje, bllokimet. Të rri njeriu 6 muaj i bllokuar në Theth pa ilaçe, pa asnjë lloj mundësie dhe së fundmi rrugën e Dukagjinit se ishte hera e parë. Se të them të drejtë e kam pas frikë ti bija andej se rruga e keqe por kësaj radhe në shtator kur ishin duke bërë punimet kam kaluar dhe sinqerisht është kryevepër.

Kryeministri Edi Rama: Shiko të tregoj se mbase e kam thënë këtë gjë. Më duket e kam thënë atëherë kur kandidove ti por kur e thirra unë Benetin për të kandiduar se ty deputet nuk i rrihej fare, se kuptonte veten duke qenë se kishte një jetë neper kantier. I thashë do kandidosh dhe më tha më lër të mendohem. Siç duket bëri ato hulumtimet e veta dhe më vjen dhe më thotë, “shiko, nuk e kam kusht por të lutem a ma jep fjalën që unë ta them”, se ky e di që unë nuk e jap fjalën kollaj, e jap fjalën kur mendoj, kam bindjen që kjo gjë do bëhet. Ta them atë rrugën e Dukagjinit se ajo është, thotë, si gjë që është shumë. Por mua atë ma kishin thënë shumë herë por shumë volum i madh, nuk është i vogël. Dhe gjithmonë duhet matur mirë. 50 km rrugë. Pastaj flas me Fondin, flas me Ministrinë e Financave. Thashë ok. Të falënderoj që e solle. Ishte Beneti që të jemi të qartë, por jo me metodat e këtij se metodat e këtij janë më të ashpra. Beneti e ka me proces, ky e ka me stacion. Nga këtu deri atje nuk ka proces që shiko “ndalojmë, flasim”. Çfarë do flasim o burrë, ti e ke në dorë thuaje. Por në fund të ditës unë kam shumë respekt për të dy sepse nuk është se po ma kërkon për shtëpinë e vet, nuk më ka marrë një herë të kërkojë një gjë për interes të vetin, por të falënderoj që e preke për një arsye sepse e kam vërtetë bezdi kur më thonë ca veriun e latë, investoni në jug. Po të shikosh çfarë kemi bërë ne investime në zonën e veriut atëherë kupton dhe pse ka zhvillim turizimi dhe pse ka zhvillim ekonomia në veri.

Po ta filloj nga rruga e Valbonës, Tropojë dhe po ta marr nga Bajram Curri. Kur kemi marrë ne detyrën, Bajram Curri ishte çfarë të të them. Ishte një vend ku unë thoja cila mund të ishte arsyeja që njeriu mund të rrijë këtu një minutë, jo më të jetojë këtu. Dhe sot rruga e Valbonës ka gjeneruar gjithë atë turizëm në Valbonë dhe shih sa do shtohet. Bajram Curri është bërë ai që është qytet i vogël por është bere një qytet i vizitueshëm, i pëlqyeshëm. Ta vazhdojmë me rrugën e Vermoshit, gjithë ajo rrugë nuk ekzistonte. Tamarën që ishte një vend ku vetëm plehra dhe qen kishte aty dhe disa njerëz që ishin të shkretët, mbijetonin, e bëmë pikë turistike që ndalojnë të gjithë dhe nisen nga Tirana për të shkuar në Tamarë dhe shkojnë dhe të huajt atje. Vazhdojmë me rrugën e Dukagjinit, me Komanit. Vazhdojmë me këtë njëherë, Shkodër- Velipojë, nuk ishte kjo. Vazhdojmë me pjesën e zonës nga vijnë këta udhëheqësit e vërtetë të gjithë veriut, nga Puka, do ta prekim? Reps- Fushë Arrëz. Puka vetë, se e përmendëm Thethin, Thethi nga lart e Thethi nga poshtë. Po rri në qark nuk po iki nga qarku se mund të shtyhem më tutje që të të fillojë të flas për qarkun e Dibrës, por pjesa tjetër që do lidhë Rrëshenin me zonën mbrapa dhe rrugën e Lurës edhe rrugën e Arbrit dhe të tjera. Domethënë, po ta shohësh në hartë, është bërë një infrastrukturën e cila praktikisht ka hapur qarkullimin e gjakut dhe i ka dhënë gjithë këtë energji organizmit në veri. Këtu çështja është shumë e thjeshtë, nuk ka një vend të bukur në këtë pjesë të Shqipërisë ku ti të ndërtosh një agroturizëm dhe të mos ketë njeriu si të vijë, nuk ka.

E dini atë shprehjen time “Nuk keni parë gjë akoma”? Unë e them gjithmonë, bregdeti normal është bregdet, patjetër, por miniera e arit shqiptar të turizmit është çfarë ka matanë bregdetit dhe fillon nga kjo zonë lart dhe shkon deri tek malet poshtë në jug. Malet tona janë një mrekulli edhe për një arsye tjetër shumë të thjeshtë; sepse tjetër është male në një shtet pa det dhe tjetër është male me detin afër, janë dy gjëra komplet të ndryshme. Kanë filluar të huajt ta zbulojnë se ka shumë, por kur të fillojnë investimet me 5 yje nëpër male, atëherë do flasim se nuk jemi akoma aty. Kur të fillojnë investimet siç kanë filluar në Tiranë dhe në bregdet investimet me 5 yje, kur të fillojnë nëpër male, aty do flasim bashkë se çfarë do jetë ekonomia e maleve. Nuk e ekzagjeroj fare, Zvicër, Austri pa asnjë diskutim fare, por kjo do t’i përkasë dekadës tjetër kur të jemi dhe në Bashkimin Europian, por ama kjo është e ardhmja.

– Kam vetëm një kërkesë që na bashkon si Lezhën dhe Shkodrën. Pas kësaj rruge unike, panoramike dhe funksionale, gjithçka nevojitet dhe sidomos porta kryesore e Europës tokësore që ne na shërben pa masë, nëse është e mundur për të planifikuar pjesën tjetër të infrastrukturës, kanalizimet e çdogjë tjetër pas tyre e sidomos korridorin kryesor që kjo punë unike të mos ripreket, të mos ribëhet edhe njëherë. Të planifikohet kjo sepse për një turizëm luksi na ndihmon pa masë dhe kjo i ndihmon të dy qytetet në mënyrë jashtëzakonisht të veçantë sepse me gropa septike nuk mund të kemi një turizëm elitar.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është shumë e vërtetë, në këtë drejtim është punë e bashkive që e kanë nisur. Ne kemi marrë masa shumë të forta për ujërat dhe sezoni i kaluar, ju e dini, ka qenë goxha më i mirë nga kjo pikëpamje sidomos për ndalimin e derdhjes në det të çdo lloj uji të ndotur, por sistemet tani janë të domosdoshme sidomos në këtë zonë ku akoma nuk ka filluar të ketë ngarkesë, këtu janë pak aktorë,por kur të ketë më shumë, ngarkesa do rritet dhe do jetë e domosdoshme. Ka filluar puna nga të dyja anët me fizibilitetin dhe në momentin që do kemi gati projektin nga bashkitë patjetër që do t’i mbështesin fort për këtë punë, nuk diskutohet.

– Sot keni ardhur me faqe të bardhë dhe si burrë shteti që dini të mbani vetëm fjalën. Të thurim lavde është e kotë sepse e meriton sepse flet dhe i kthen në vepra. Ne si operatorë turistikë në Velipojë do përgatisim një paketë turistike sepse investimet që keni arritur me në krye kryetarin e Bashkisë Benet Beci i cili e ka transformuar totalisht Shkodrën dhe kush nuk ka qenë 2 vitet e fundit besoj nuk e njeh Shkodrën sepse Shkodra ka qenë një vend që doje 2 orë të futeshe dhe tani po hapet. Zoti kryeministër, na keni hapur punë, duhet të shesim gjeneratorët tani me këtë investimin energjetik dhe na mbetet që t’ju themi dhe kolegëve tanë të Lezhës, nuk na tremb fare sfida sepse ne i konkurrojmë denjësisht duke ju ofruar një paketë turistike marramendëse çdo pushuesi.

Kryeministri Edi Rama: Ky tani quhet kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë. Unë nuk dua të bëj as arbitrin, por e vërteta është që të dyja këto pjesë të bregdetit janë shumë përrallore, por të dyja janë goditur në të shkuarën nga zhvillime të rënda, qoftë Velipoja e qoftë Shëngjini ama ka akoma, siç thashë, dhe nëse të gjitha këto që the janë të vërteta, ka dhe një të vërtetë tjetër sepse turistët duan patjetër vende të bukura, por turistët duan dhe të hanë. Këtu tani këta janë të parët, jo në raport me Shkodrën, në raport me gjithë Shqipërinë, kuzhina në Lezhë, domethënë këtu janë, unë di nja 7-8, mund të jene dhe me shumë po 7-8 di se kemi bërë një takim dikur dhe i kemi vizituar me Pjerinin, 7-8 restorante këtu janë nivel Champions League europiane kështu që keni punë për t’i kapur këta, por bazën e keni të mirë. E ngrëna është gjysma e arsyeve pse turistët vijën kështu që.

Mirë, shumë faleminderit. Tani unë mendoj që ka ardhur koha që ta shoh dhe unë këtë ballkonin se mbeta duke dëgjuar sa bukur është por s’e kam parë akoma.

Shumë faleminderit!