Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama në takimin me përkrahës të Partisë Socialiste në Kuçovë:
Mirëmbrëma të gjithëve! Shumë faleminderit.
Është vërtetë kënaqësi që vij këtu edhe ju shoh kaq të shumtë edhe po ashtu kaq pozitivë për atë që na pret.
Dua ta rimarr edhe unë aty ku e la Kreshniku, duke e nënvijëzuar edhe unë faktin që në këtë rrugëtim drejt 11 majit së bashku me Ervinin, ne jemi përpjekur të bëjmë një skuadër sa më përfaqësuese të qarkut ë Beratit dhe padyshim që më vjen edhe mua shumë mirë, jo vetëm Kreshnikut, që për Kuçovën kemi dy djem të shkëlqyer, por pa pretenduar që t’i jap Ervinit certifikatën e gjendjes civile në Kuçovë, ju them që e kemi diskutuar edhe ai e di shumë mirë madje me shumë përgjegjësi edhe me shumë kënaqësi e ka marrë përsipër që të jetë drejtpërdrejtë edhe përfaqësuesi juaj në Kuvendin e Shqipërisë në kuptimin që të qëndrojë më pranë seç ka qëndruar gjatë kohës që ka qenë në krye të bashkisë së Beratit ku i ka tërhequr kërraba vetëm nga Berati.
Unë dua t’ju them disa gjëra, por në radhë të parë dua ta nis nga Kuçova.
Kuçova e ka mbështetur historikisht pa rezervë Partinë Socialiste dhe për hir të vërtetës më vjen mirë që nuk e kemi marrë mbështetjen tuaj si diçka që e kemi në xhep, por përkundrazi, kemi bërë jo aq sa do të donim, por pa diskutim aq sa kemi mundur që ky komunitet i mrekullueshëm ta ndjejë vëmendjen, ta ndjejë mbështetjen, ta ndjejë edhe ndryshimin që ka prekur gjithë Shqipërinë dhe sot edhe këtu ku jemi të gjithë së bashku jemi në një hapësirë publike vërtetë shumë të bukur.
Ka qenë një dëshirë, ka qenë një kërkesë e komunitetit tuaj për ta krijuar këtë hapësirë publike në rrënojat që ishin këtu deri disa kohë më parë dhe ju siguroj pa as më të voglin dyshim se ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë komunitet të mrekullueshëm, do vazhdojmë ta mbështesim bashkinë e Kuçovës me gjithçka që do të mundemi dhe do vazhdojmë të mbështesim qarkun e Beratit në tërësi sepse tanimë qarku i Beratit ka hyrë në një dinamikë të re dhe ka nevojë për mbështetje, por nga ana tjetër, si e gjithë Shqipëria edhe qarku i Beratit, edhe ky komunitet, edhe çdo familje ka nevojë nga mandati ynë i katërt për diçka ende më të madhe dhe ajo diçka-ja ende më e madhe është përmbushja e një misioni historik për popullin shqiptar, për Shqipërinë, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Dua t’ju jap vetëm 2 shifra për të kuptuar në aspektin financiar edhe pse në këndvështrimin tim nuk është aspekti më i rëndësishëm i këtij kapërcimi historik për Shqipërinë por gjithsesi dua t’ju jap 2 shifra.
Në rrugëtimin e këtyre 3 mandateve ne kemi pasur mbështetje nga Bashkimi Europian, pa diskutim, dhe ka qenë një mbështetje që ka ardhur në rritje, por nëse jua them si shifër, ne kemi marrë nga Bashkimi Europian diçka më shumë se 1 miliardë euro. Diçka më shumë se 1 miliardë euro, nga të cilat 90% janë kredi, kredi të buta, por sidoqoftë janë borxhe, ndërkohë që me anëtarësimin në Bashkimin Europian, Shqipëria do marrë të njëjtën shumë pak a shumë, 1 miliardë e diçka më shumë euro çdo vit dhe ndryshimi tjetër do të jetë që nuk do të jenë 90% kredi, por do të jenë 90% kontribut i asaj shtëpie të përbashkët për Shqipërinë.
Shifra tjetër që dua t’ju jap lidhet me bujqësinë.
Ne kemi ecur më shumë se asnjëherë tjetër qysh se ndryshuam sistemin në sektorin e bujqësisë në këto vite, e tregojnë këtë të gjitha shifrat dhe të gjitha faktet e sektorit dhe edhe në këtë progres, Bashkimi Europian ka pasur kontributin e vet. Kemi marrë shumë më pak në të vërtetë sesa 200 milionë euro mbështetje, por sidoqoftë, duke pasur parasysh nevojat e bujqësisë, duke pasur parasysh dhe mundësitë tona, ka qenë një shumë e konsiderueshme, ndërkohë që me anëtarësimin në Bashkimin Europian për bujqësinë vetëm, për fshatin 300 milionë euro në vit dhe e gjitha mbështetje e drejtpërdrejtë dhe jo kredi.
Unë besoj që këto 2 të dhëna mjaftojnë për të kuptuar se me hyrjen në atë shtëpi, ne si vend, si anëtarë të rinjtë Bashkimit Europian menjëherë bëhemi me një buxhet ekstra, përveç buxhetit që krijojmë nga të ardhurat si rezultat i rritjes ekonomike brenda vendit, ne do të kemi çdo vit edhe një buxhet ekstra që është buxheti, që Bashkimi Europian jep për të gjitha vendet që hyjnë në kategorinë e përfituesve sepse ajo është një shtëpi të pasurish dhe aty janë dy kategori; janë kontribuuesit që janë shtetet e mëdha, shtetet e fuqishme, shtetet e zhvilluara më shumë sesa të gjithë të tjerët, Gjermania, Holanda, Franca e kështu me radhë dhe janë shtetet e tjera siç do të jetë edhe Shqipëria që janë përfituesit.
Kjo do të thotë që ajo shtëpi funksion tamam si një familje ku për ata që janë më të vegjël, për ata që janë më të dobët, që kanë nevojë të rriten, që kanë nevojë të forcohen, familja kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë.
E pra, për të kuptuar se sa e rëndësishme është zgjedhja që do bëjmë në 11 maj duhet kuptuar edhe diçka tjetër. Ajo shtëpi nuk e ka derën të hapur orë e çast. E thashë, ajo është një shtëpi të pasurish, janë 27 vende dhe dera nuk hapet, pavarësisht sa mund të trokasësh ti duke thënë “Dua të hyj, dua të hyj”. Ajo derë hapet vetëm kur të 27-të ata që janë brenda bien dakord që të hapin derën dhe ata të bien dakord kur kanë interes ta hapin derën.
Qysh nga dita e parë kur ne kemi hyrë në këtë rrugë të kalimit nga diktatura në demokraci dhe nga izolimi në Europë, ne kemi dashur të hyjmë në atë derë, por është hera e parë qysh nga dita e parë, që edhe Bashkimi Europian do që ne të kapërcejmë pragun e asaj dere dhe ka hapur derën për ne.
Ama, duhet pasur parasysh që ajo derë siç hapet edhe mbyllet, ajo derë është hapur, kanë hyrë anëtarë të rinj, është mbyllur për vite të tëra, është hapur prapë, ka hyrë dikush tjetër, është mbyllur dhe ne na është dhënë mundësia që të ulemi në tavolinë, të fillojmë negociatat me Bashkimin Europian dhe t’i mbyllim negociatat brenda vitit 2027. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë për asnjë shtet tjetër nga vendet ish komuniste, askujt negociatat nuk i kanë zgjatur 3 vjet.
Ne i kemi filluar vjet, kemi edhe 2 vite të tjera punë shumë intensive për t’i mbyllur, por për të tjerët kanë zgjatur shumë më tepër dhe kjo vjen si rezultatit i faktit që ne kemi bërë çmos që kur dera të hapet, ne të jemi gati, por i faktit që Bashkimi Europian, sot ka interes që të rrisë numrin e anëtareve të vet dhe Shqipëria gjendet sipas tyre, jo sipas meje më e përgatitura për të hyrë në atë shtëpi.
Kini parasysh që kur ne e morëm detyrën Shqipëria ishte në fund fare, ishte kur i thonë “vrima e fundit e kavallit”.
Kur në fillimet e kësaj rruge kur unë takoja udhëheqësit e bashkimit Europian, ndjehesha tamam si kur takon dikë që gati sa s’ta thotë: Mbaro tani se kam punë tjetër. Shqipërinë nuk e besonin, Shqipërinë nuk e respektonin, Shqipërinë nuk e vlerësonin. Sot Shqipërinë e besojnë, e respektojnë dhe e vlerësojnë.
Tani pse unë them që 11 maji është një takim me historinë për popullin shqiptar dhe pse unë them që ky është momenti kur shqiptarët duhet të bëhen bashkë që t’i japin një shtysë shumë të fortë negociatave dhe që të hyjmë në Bashkimin Europian pa lënë që dera të na mbyllet dhe të mbetemi jashtë për vite të tëra.
Pse? Sepse negociatat nuk janë aspak një punë e lehtë. Ne kemi 1 mijë njerëz nga ana jonë që punojnë çdo ditë për negociatat. 1 mijë njerëz që të jenë të ndarë në shumë grupe dhe të mbulojnë çdo sektor, ekonominë, drejtësinë, arsimin, shëndetësinë, gjithçka, mjedisin, ajrin, ujërat, peshqit, zogjtë, të tëra.
Nga ana tyre, 1 mijë të tjerë në Bruksel, edhe ata të ndarë, ulur në tavolinë dhe janë mbi çerek milion faqe me rregulla, me standarde, me kritere, me masa, me ligje për të cilat ne duhet të biem dakord, dhe mbasi biem dakord atje, duhet të vijmë këtu në Tirane dhe duhet t’i bëjmë, t’i vulosim këtu si rregulla, si vendime, si masa, si kritere, si ligje.
Tani e parafytyroni ju që ne negociojmë në Bruksel, biem dakord atje, vijmë këtu, shkojmë në kuvend edhe duhet t’i shkojmë pas avazit disa të tjerëve atyre që do të nxjerrë këneta në breg, apo atyre që shfaqen nëpër Shqipëri si parti të reja, që të re kanë vetëm moshën e kryetarëve të tyre. Parti të reja që në listat e mbyllura kanë xhaxhallarë, kanë teze, kanë halla, kanë krushqira dhe thonë: I kemi vënë aty se s’kemi besim ne te njeri-tjetri. Parti të reja që thonë: nëse ne do të na vijë në dorë kjo punë, ne do shkojmë në zgjedhje të parakohshme, nuk do të lejojmë që Shqipëria të ketë qeveri.
Domethënë, nga njëra anë ne duam të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian, duke dëshmuar këtu vendosmëri, shpejtësi, unitet, nga ana tjetër çfarë do bëjmë, do i themi atyre që shikoni se kemi me kënetën disa probleme. Ça kënete do thonë ata? Po çfarë t’i bëjmë, kemi një kënetë me një specie të veçantë dhe kemi dhe ca të tjerë që duan zgjedhje të parakohshme.
Kjo gjë do të bëjë vetëm një gjë, do të mbyllet dera. Edhe pastaj, kushedi sa vite mund të presim. Prandaj po ua them shumë drejtpërdrejt ju dhe gjithë atyre që na ndjekin. Këto zgjedhje dhe ky mandat nuk është për mua personalisht, nuk është për karrigen time, nuk është për shumicën tonë të thjeshtë. Është për shumë më tepër se sakaq dhe arsyeja pse unë ju them që duhet një mandat i katërt për Partinë Socialiste është sepse këtu bëhet fjalë për të përmbushur një mision historik.
Një mision i cili e ka zanafillën e vet tek profecia e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, i cili është profeti i historisë sonë dhe i cili duke vënë barrikadën për të mbrojtur perëndimin nga lindja, e përcaktoi edhe fatin tonë, si fat të lidhur me Perëndimin dhe jo me Lindjen. Dhe pastaj, shekull pas shekulli, profecia vajti në duart dhe në mendjet e rilindasve. Ata na e lanë me shkrim “për ne shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon” dhe pastaj kaluan të tjera kohëra shumë të vështira, derisa ne gjendemi sot këtu një hap larg realizimit të një ëndrre, e cila lidhet me diçka të drejtpërdrejtë, konkrete, shumë të thjeshtë, me dinjitetin.
Me dinjitetin e barabartë si europian, që jemi ndër popujt më të vjetër këtu në mes të Europës dhe që në jetë të jetëve, fati, rruga jonë, komplikimet e historisë sonë, mendjet e mbrapshta brenda nesh na kanë bërë që të mbetemi si populli i dorës dytë, i parë nga lart-poshtë nga të tjerët. Ndërkohë që, me hyrjen në Bashkimin Europian, ne bëhemi përfundimisht një popull i barabartë europian me popujt e tjerë europianë, jo vetëm me zakon, po edhe me ligj.
Ju dëgjoni ata që thonë, po mirë mo ç’është kjo histori, tre mandate nuk mjaftuan për të na futur në Bashkimin Europian, tani ka dalë Edi Rama nëpër Shqipëri, thotë, duhet dhe një mandat tjetër. Pse nuk mjaftuan tre mandate? E pse do të mjaftojë një mandat tjetër? Po këtë e thonë ata që ose nuk e dinë, ose nuk duan ta mësojnë se si funksionon ajo shtëpi, shtëpia e Bashkimit Europian.
Dhe ka një shpjegim shumë të thjeshtë nëse kjo do të ishte një çështje e imja dhe e jona, dhe nëse kjo do të lidhej me ndonjë mungesë aftësie nga ana jonë për të hyrë në Bashkimin Europian, atëherë do duhet t’i gjejmë një përgjigje pyetjes, po si ka mundësi që Mali i Zi, që i ka hapur negociatat përpara se sa ne të merrnim detyrën në 2012-ën, nuk është akoma anëtar i Bashkimit Europian.
Po si ka mundësi që Serbia, e cila i ka hapur negociatat në 2014-ën, kur ne nuk ishim ende kandidat, nuk është akoma në Bashkimin Europian.
Po si ka mundësi që Maqedonia e Veriut që ndërroi dhe emër dhe u bë kandidate në 2005-en, – këtu ka plot vajza dhe djem që nuk kishin lindur 2005-ën, – nuk ka hapur akoma negociatat.
Përgjigja është shumë e thjeshtë, sepse ajo shtëpi e hap derën, jo vetëm kur do ti apo kur je ti gati, po kur dhe ata që janë brenda 27, aty janë gati që të të fusin brenda.
Dhe sot, ne që e kemi nisur nga fundi dhe kur e kemi nisur ne, Mali i Zi nuk dukej, ishte shumë përpara. Serbia po ashtu e kemi lënë mbrapa Serbinë dhe jemi në pragun e derës, krah për krah me Malin e Zi.
Tani, nëse prindërit e sotëm që kanë një votë në 11 maj, marrin parasysh diçka që thuhet në një shprehje të mençur që kush voton, voton dhe për ata që nuk kanë mbushur ende moshën për të votuar dhe e marrim parasysh se çfarë i duhet nga vota e tyre, fëmijëve të tyre, atëherë nuk do të kenë më asnjë dyshim se çfarë mund të bëjnë ata sot për fëmijët me votën e tyre. Më e mira që mund të bëjnë është që ta investojnë atë votë, që fëmijët e tyre të marrin pasaportën europiane të Shqipërisë dhe që fëmijët e tyre, duke marrë atë pasaportë, nuk marrin një dokument udhëtimi tjetër si ai që kemi, që kur hymë në Europë, na ndalojnë edhe na vënë anash, e fillojnë na bëjnë pyetje. Ku po vete? Sa lekë ke me vete? A do rrish në hotel? Ku e ke rezervimin? Sa do rrish? Kur do ikësh? Por një dokument që është një status i ri qytetarie evropiane dhe që do t’i bëjë shqiptarët që të gjithë që për herë të parë në historinë tonë të mos jenë më të huaj në Europë por të jenë europainë të barabartë me të gjithë evropianët e tjerë. Ka disa që thonë ‘’po ç’na duhet ne pasaporta europiane. Ne jemi ne Europë’’.Flasin nga jashtë kufijve. Nuk e kuptojnë që jo, kjo nuk është e vërtetë. E para se mund të vlejë vetëm për ata që kanë marrë pasaportën jashtë kufijve, por që përsëri kanë qenë të detyruar të marrin pasaportën e një shteti tjetër, të marrin nënshtetësi të huaj ndërkohë që pasaporta evropiane e Shqipërisë, bën që në çdo vend të Europës ti të jesh i barabartë me çdokënd që ka pasaportën e atij vendi dhe konkretisht ju e dini shumë mirë, se jam i bindur që ju keni familjarë, keni miq, keni të afërm, fqinj në Greqi për shembull. Në Greqi sot, ata që morën rrugët në fillim, janë në ankthin e pensionit dhe duan me çdo kusht dhe me shumë të drejtë që tërë vitet e punës, e sakrificave, e mundit të kaluara në emigracion, t’u njihen edhe të mund të marrin pensionin. Për të bërë këtë njohje të pensionit duhet që qeveria jonë të merret vesh me qeverinë greke siç u morën vesh me qeverinë italiane më në fund dhe që mori aq shumë vite. Dhe ne kemi filluar të negociojmë me qeverinë greke. Është një marrëveshje shumë e vështirë sepse shqiptarët janë shumë atje, Greqia nuk është Italia, nuk i ka kapacitetet e Italisë dhe fatura financiare nuk është e vogël, por ka një rrugë tjetër që mund të jetë shumë më e shpejtë. Rruga është që shqiptarët të marrin pasaportën evropiane të Shqipërisë.
Në momentin që ti zotëron atë pasaportë që shkruan Bashkimi Evropian-Republika e Shqipërisë, ty të njihet automatikisht çdo vit pune që ke bërë ne Europë pavarësisht se je ne Greqi, në Itali, në Finlandë apo në Portugali. Dhe jo vetëm të njihet çdo vit pune, por ti je në gjendje që të bësh menjëherë njohjen e pensionit në vendin tënd dhe anasjelltas, pra çdo gjë funksionon automatikisht dhe me atë pasaportë shkurt fjala, shqiptarëve të Greqisë iu marrim fund të gjitha llojet e radhave dhe të pritjeve për lloj-lloj dokumentash, lloj-lloj letrash, jo qëndrimi, jo puna, jo pensioni sepse janë qytetarë europianë në truallin e Europës dhe nuk rëndësi se është Greqi, se është Shqipëri, se është Spanjë, se është Itali. Pra e thënë ndryshe, siç niseni ju nga Kuçova e shkoni në Berat apo nga Berati në Tiranë, apo nga Tirana në Shkodër dhe askund, askush nuk ju ndalon t’ju thotë ku po shkon, askund askush nuk ju ndalon të qëndroni sa të doni, askund askush nuk ju ndalon të kërkoni punë , kështu ndodh kur ke pasaportën evropiane. E njëjta gjë, që do të thotë me anëtarësimin në BE, ne kemi një Shqipëri të re, një Shqipëri të madhe sa BE dhe një BE të vogël sa Shqipëria.
Pa dashur t’ju lodh më shumë, dua t’ju them dhe një arsye tjetër shumë të rëndësishme pse na duhet anëtarësimi në BE. Ju e dini shumë mirë që një nga argumentet ose një nga pretendimet e kënetës edhe të moçalishteve rrotull saj, është se ne nuk e meritojmë konsideratën e një mandati të 4-të sepse paskemi gjysmën e qeverisë në burg. E para një herë që kjo nuk është e vërtetë, por dhe sikur të ishte e vërtetë, nuk po i hyj diskutimit është a s’është e vërtetë, është e vërtetë plotësisht që qysh se ne i hymë detit në këmbë për të bërë reformën në drejtësi, shqiptarët po shohin diçka që nuk e kanë parë që nga viti 1912, që kur u krijua shteti shqiptar pati një princ që e sollën nga jashtë, pastaj pati një tentativë për të bërë një republikë, pastaj u bë një mbretëri, pastaj u bë diktaturë komuniste, pastaj filloi një tranzicion demokratik dhe të gjitha këto kalime shqiptarët nuk panë kurrë një njeri të lidhur me pushtetin që të shkonte para një prokurori të pavarur dhe të jepte llogari dhe të dilte para një gjykatësi të pavarur dhe të merrte një dënim, kurrë, sepse që nga 1912 dhe deri pak vite më parë kur reforma në drejtësi filloi të japë frutet e veta, drejtësia në Shqipëri ka qenë e çarmatosur dhe shpata e ndëshkimit të drejtësisë ka qenë në zyrën e të parit të qeverisë. Për herë të parë një forcë politike, me një kurajo shumë të madhe, çarmatosi veten, dorëzoi shpatën dhe tërhoqi duart nga sistemi i drejtësisë, duke, faktikisht e kthyer barazinë para ligjit nga një slogan në një fakt dhe ju kujtohet kur unë në një fushatë tjetër ju thosha “ma jepni timonin vetëm. Mos më lini të tjerë në prehër sepse ndryshe nuk e bëjmë dot reformën në drejtësi’’. Ishte koha kur na ishin mbledhur të tërë poshtë tek kryeministria në çadër për të mos lënë drejtësinë që të merrte pushtetin e vet dhe për të mos lejuar që pushteti politik të zhvishej nga pushteti i drejtësisë. Koha tregoi që timoni ia vlejti sepse koha tregoi që kur unë thosha atëherë që na duhet një drejtësi që të shohë drejt dhe të godasë majtas-djathtas, domethënë nuk bëja propagandë sepse sot kemi një drejtësi për herë të parë në historinë tonë që pavarësisht të gjitha çfarë ne mund të diskutojmë, po godet majtas dhe djathtas. Tani kjo është një përpjekje e parë, barazia para ligjit nuk është diçka e lehtë, se po të ishte e lehtë do e kishin bërë të tjerët përpara. Barazia para ligjit është themelore për tu ulur në tryezën e BE, është themelore për ta çuar Shqipërinë si zonjë në sallonin e Europës dhe kur dëgjon bufin e kënetës që thotë ‘’në 12 maj unë do shkrij SPAK-un’’ apo kur sheh disa të tjerë sikur e duan votën që të mbrojnë SPAK-un nga ne, që ky është fundi i botës, kupton që këta lloj politikanësh akoma nuk duan të pranojnë që drejtësia është në punën e saj dhe rreziku që drejtësia të kthehet mbrapsht, është real. Sot për sot SPAK, institucionet e tjera të drejtësisë, barazia para ligjit kanë garant PS dhe mua në krye të saj, falë mbështetjes suaj, por nesër pas disa vitesh, mund të dalë dikush tjetër e të thotë ‘’jo, prit se nuk është ide e mirë ajo. Ta kthejmë dhe një herë siç ishte’’ dhe ta groposë Shqipërinë për kush e di sa vite të tjera. që kjo të mos ndodhë, motra dhe vëllezër, ka vetëm një rrugë; Shqipëria në BE. Vetëm duke hyrë në atë shtëpi, vendi ynë i përbashkët nuk del dot më këtu që të bëjë interesantin edhe që të kthejë mbrapa atë që ne po arrijmë së bashku duke bërë histori, një drejtësi të pavarur nga pushteti politik. Unë dua që me shumë besim, me shumë bindje, me shumë vendosmëri të gjithë ju që jeni këtu se ju që keni ardhur këtu ju e keni ndarë mendjen se çdo bëni në 11 apo jo se s’besoj se këtu ka ardhur ndonjë njeri që…, por ama të gjithë ju që jeni këtu duhet të kuptoni dy gjera. E para, nuk na mjafton një fitore aritmetike e Partisë Socialiste, nuk na mjafton. Na duhet një fitore e madhe popullore dhe politike.
Prandaj nuk duhet lënë askush nga mbështetësit, nga simpatizantët tanë që të mendojë se ne e kemi të fituar dhe më mirë të shkojë në plazh në 11 maj ose më mirë të shkojë te vjehrra. Të marrë edhe vjehrrën dhe të votojë një herë pastaj të kthehen te shtëpia e vjehrrës e të hajë ushqimet e mira që bëjnë vjehrrat.
E dyta, miqtë e mi është shumë e rëndësishme që edhe këtu ku është një bastion i socialistëve ju të gjeni rrugën dhe të komunikoni me ata qytetarë, prindër, bashkëfshatarë, që nuk na votojnë ne historikisht dhe që iu ka mbetur zemra te PD. Dhe t’ju thoni që 11 maji është shumë-shumë i ngjashëm me 22 marsin e ’92, kur shqiptarët shumë më tepër se ata që ishin me PD, vajtën votuan PD. Pse? Se ai ishte një moment takimi me historinë, nuk ishte thjeshtë të zgjedhim një parti apo një parti tjetër por ishte një moment kur shqiptarët duhet ta ndanin përfundimisht e shkuara është e shkuar, e ardhmja është tani e sotmja jonë.
Pak muaj më vonë kur u bënë zgjedhjet lokale, një shumicë dërrmuese votoi kundër PD por ishin zgjedhje për çështje të komunave ndërkohë që zgjedhjet e 22 marsit ishin zgjedhje për çështje të vendndodhjes strategjike të vendit tonë. Në Europë dhe pikë. Kështu është dhe 11 maji. Nuk duhet ta humbim shansin e derës së hapur, nuk duhet ta djegim afatin e 2027 për të përmbyllur negociatat.
E treta, e kam me gratë dhe vajzat, e dini ju e kam me gratë dhe vajzat që janë pjesa më mbështetëse e Partisë Socialiste. 56% e grave dhe vajave mbështesin PS në shkallë vendi dhe këtu në Kuçovë mbështetja është 65% e grave dhe e vajzave, shumë më tepër se burrat. A e kuptoni ju burra apo jo? Shumë më tepër se burrat.
Megjithatë dhe burrat këtu janë më shumë ata që na mbështesin se ata që s’na mbështesin, patjetër por ama nuk mjafton. Kështu që gratë duhet të flasin me gratë. Duhet ta pleqërojnë mirë këtë punë me gratë demokrate dhe t’iu kërkojnë grave demokrate që të afrohen më shumë tek 5-sa dhe nga ana tjetër ata burra që janë mërzitur se kam thënë unë, unë flas politikisht, nuk merrem me njerëzit personalisht, secili ka jetën e vet dhe është i nderuar në punën e vet, por që kam thënë unë që gjysma janë çyryk se shkojnë dhe votojnë, hedhin votën në kënetë e kanë mundësinë në 11 maj që të tregojnë që nuk janë, duke mos shkuar ta hedhin votën në kënetë por ta hedhin votën për Shqipërinë me BE në Europë. është shumë e thjeshtë se po qeshnim me Ervinin para se të vinim këtu. Po më tregonte një video të njërit, është një personazh, unë i them Ludovik, e mbani mend ka qenë një film me një spiun, një Ludovik, ju kujtohet me xhakete me kuadrate e kështu i them unë atij Alizotit.
Edhe shikoj unë Ludovikun që bërtiste “do t’ju hamë të gjallë”. Ludoviku:do t’ju hamë të gjallë”. Domethënë, se më vijnë tani lloj – lloj mendimesh të çuditshme. Do t’ju hamë të gjallë. Tani çfarë quhet ky? Çyryk? Po patjetër, çfarë t’i bëjmë, si mund ta quash normal? Ishte një tjetër thoshte nën këtë qeveri të poshtër kanë ikur 1 milionë lek, donte të thoshte 1 milionë njerëz. Domethënë ata thonë jemi njisha. Ata në fakt janë njisha, është absolutisht e vërtetë për janë njisha në atë sensin që po diskutojmë këtu. Njeri më jashtë loje se tjetri, njëri më i lodhur se tjetri. Njëri më i mbaruar se tjetri. Çohen që në pik të sabahut, pinë uji kënete dhe fillojnë hedhin spërkla nga të katra anët deri natën. Kur hapni televizorët ju dhe i shikoni shtrire atje, dalin sondazhet, tërë sondazhet thonë fiton PS, këta thonë epo populli është i sëmurë. Sondazhet thonë shumica mendon që vendi po shkon në drejtimin e duhur, këta thonë epo populli është i çmendur. Shumica thotë që në dy vitet e ardhshme ekonomia do vazhdojë të përmirësohet, këta thonë populli është i shitur. Tani çfarë janë këta?
Por askush prej tyre, jo këtyre njishave që dalin nëpër televizorë se ata janë të pashërueshëm, por askush nga të tjerët nuk duhet ta marrë këtë personale. Kjo është politike. Kush e merr personale duhet të na e tregojë se nuk është i tillë dhe të vijë bashkë me ne të votojë 5. Shumë e thjeshtë.
U mërzitën dhe për një gjë tjetër, se thashë unë që vajzat socialiste dhe progresiste që patjetër që janë në lirinë e tyre që të kenë simpati dhe për djem demokratë, nuk diskutohet, por unë thashë 11 maj është një test shumë i mirë që të provoni që a janë mirë ata çunat, a janë të kthjellet, a e shohin drejtë të ardhmen. Dhe duhet ti thoni shumë thjeshte. Më do ti mua? Po. Do vish me mua në 11 maj të shkojmë të investojmë votën për BE? Jo, nuk vij se do shkoj ta hedh në kënetë. Po mirë ik pra, mirupafshim. Me një që hedh votën në kënetë mund të vazhdosh të pranosh të shikohesh me ëmbëlsi?
Mund të shikohesh në rrugë, mirëmëngjesi, mirëmbrëma por kaq kam thënë unë, nuk kam thënë ndonjë gjë më shumë. Këta i marrin me të madhe. Por në 11 maj këta do marrin mësimin më të madh që kanë marrë në të gjitha zgjedhjet që kemi bërë. Dhe unë do doja që të gjithë të derdhen lumë në kutitë e votimit se në 16 maj në Tiranë vijnë të gjithë udhëheqësit e Europës, vijnë jo vetëm ata të BE-së por vijnë edhe ata të tjerët që nuk janë në BE, nga Britania e Madhe, Turqia e të tërë udhëheqësit dhe prandaj kur ata të vijnë këtu, rezultati duhet të ketë dalë i qartë që shumica dërrmuese e shqiptarëve do të hyjë tani në Bashkimin Europian. Nuk mund të rrimë tani e tu shpjegojmë të huajve kush është bufi, çfarë është bufi, si ka mundësi bufi ka hyrë në jetën e njerëzve. Nuk mund tua shpjegojmë dot këto. Kështu që, t’i biem shumë shkurt, tek 5-sa, me Partinë Socialiste, me kandidatët tuaj dhe të shkojmë aty ku e kemi misionin. Fati e ka dashur të na vijë ne në dorë kjo dhe ne nuk mund dot ta hedhim në kënetë fatin europian të shqiptarëve.
Shumë faleminderit!