“Hospitality Albania” është projekti i investimit, i cili synon ripërdorimin dhe modernizimin e rezidencave qeveritare, të cilat aktualisht janë struktura të amortizuara me përdorim sporadik dhe kërkesa të larta për mirëmbajtje, duke i kthyer ato në destinacione ekskluzive dhe tërheqëse për turizmin elitar dhe pritjen e personaliteteve të rëndësishme.

Kjo nismë synon të çlirojë dhe të maksimizojë potencialin e këtyre aseteve të veçanta, duke i integruar në tregun fitimprurës global të turizmit, një sektor kyç për të ardhmen e zhvillimit të Shqipërisë. Projekti do të luajë një rol të rëndësishëm në rigjallërimin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave, duke i kthyer këto prona në qendra tërheqëse që reflektojnë harmoninë mes inovacionit dhe peizazhit unik natyror. Përmes kësaj nisme, synohet krijimi i një precedenti për zhvillimin e qëndrueshëm dhe efikas të pronave shtetërore, duke kombinuar arkitekturën bashkëkohore dhe teknologjitë më të avancuara me një vizion të integruar për luksin, mikpritjen dhe qëndrueshmërinë.

Procedura konkurruese ndërkombëtare për realizimin e projektit të investimit “Hospitality Albania“ zhvillohet nëpërmjet dy fazave: faza e kualifikimit dhe faza e përzgjedhjes.

Sot, në një event të posaçëm me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, 7 Finalistët e Fazës II përfaqësues të studiove prestigjioze arkitekturore po prezantojnë përpara një Jurie ndërkombëtare projekt-idetë e tyre.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve dhe shumë shkurt sepse më e rëndësishme sesa çdonjëra nga fjalët tona këtu është gara e sotme, në të cilën përsëri janë përshirë një grup arkitektësh shumë të mirë dhe me eksperiencë dhe prestigj ndërkombëtar.

Sot, ne hapim një tjetër nga kapitujt e punës të Korporatës Shqiptare të Investimeve,  kapitull i cili ka të bëjë me rrjetin e rezidencave të dikurshme qeveritare, të cilat prej shumë kohësh kanë mbetur në një limbo si rezultat i mospërdorimit të tyre për shkak të humbjes së funksionit faktikisht dhe eksperienca e dy rezidencave këtu në Tiranë, që tanimë janë transformuar, njëra në një shtëpi pritjeje të shtetit shqiptar për personalitete të fushave të ndryshme dhe tjetra në një qendër për artistë të rinj nga e gjithë bota në bashkëpunim me fondacionin e njohur francez Art Explora, na kanë treguar që kjo është rruga për t’i kthyer këto asete në funksione me interes publik dhe nga ana tjetër për t’i rijetësuar duke e futur shtetin si partner dhe duke i dhënë mundësi sipërmarrjes që t’i transformojë në burim të ardhurash dhe ky është rasti i dy projekteve për të cilat bëhet konkursi i sotëm; njëri për vilën e udhëheqësit dhe diktatorit shqiptar në Vlorë dhe tjetri për një tjetër rezidencë qeveritare ne zonën e Velipojës.

Është një rrugë e re që ne po e shkelim, besoj unë  me sukses, po mbi të gjitha  ku po shikojmë praktikisht potencialin e madh që ka vënia në shfrytëzim e aseteve shtetërore për ta përfshirë publikun përmes shtetit si një palë e interesuar, duke ndryshuar praktikisht hap pas hapi edhe formulat e ndërveprimit me privatin, të cilat deri dje kanë qenë shumë bazike dhe të drejtpërdrejta dhe e kanë privuar shtetin nga shumë kapacitete për të krijuar të ardhura, kështu që, duke i bashkuar këto interesa dhe duke e vënë shtetin në rolin e një pronari të zakonshëm, si palë në sipërmarrje, ne po zhvillojmë një infrastrukturë të re, faktikisht financiare për shtetin, duke u bazuar tek modelet më të mira në Europë, që janë modele të simotrave të Agjencisë së Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe që në Itali apo në Spanjë zotërojnë asete dhe marrin të ardhura jashtëzakonisht mbresëlënëse, të cilat vihen në dispozicion të interesit publik për të investuar në infrastrukturë publike dhe për të përfshirë kapacitetet shtetërore në rritjen e ekonomisë, por edhe në përfitimin nga kjo rritje.

Kështu që, me kënaqësinë dhe me falënderimin për të gjitha studiot që janë përfshirë në këtë konkurs, duke qenë i bindur që konkursi do të jetë një tjetër vlerë e shtuar edhe në një aspekt tjetër, që është rritja e mëtejshme e koleksionit të kontributeve nga arkitektë ndër më të mirët sot në Evropë edhe në botë, si dhe duke falënderuar edhe anëtarët e jurisë që kanë ardhur nga jashtë për të na asistuar në vendimarrje, i uroj të gjithë pjesëmarrësve sukses.