Berati mirëpriti sot një takim të posaçëm me fokus rrugëtimin dhe sfidat për Shqipërinë drejt integrimit në Bashkimin Europian në vitin 2030, me theks të veçantë te sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, ministrave të kabinetit qeveritar, drejtorëve të përgjithshëm të agjencive shtetërore, si dhe përfaqësuesve kryesorë të industrisë së teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve nga Shqipëria dhe diaspora, u diskutua mbi eksperiencat dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen, duke vënë theksin në nevojën për politika mbështetëse, akses në tregje ndërkombëtare dhe investime të qëndrueshme në kapital njerëzor dhe infrastrukturë digjitale.

Takimi synon të krijojë një tryezë të përbashkët bashkëpunimi ndërmjet qeverisë dhe aktorëve strategjikë të industrisë TIK, për të bashkëkrijuar vizionin dhe politikat e zhvillimit për periudhën 2025–2030.

Sektori TIK në Shqipëri po konsolidohet si një faktor kyç në pozicionimin e vendit në zinxhirët globalë të vlerës, me kompani shqiptare që tashmë ofrojnë produkte dhe shërbime të avancuara në tregje të zhvilluara si Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Jemi shumë mirënjohës për dispononim tuaj. E pamë të arsyeshme që t’ju shqetësojmë në kushtet kur besojmë se falë jush në radhë të parë si protagonistë të spikatur të kësaj botës së re të teknologjisë, natyrisht ka dhe të tjerë që nuk janë këtu dhe dua t’i siguroj që nuk kemi dashur të bëjmë ndonjë klasifikim por duke konsideruar që së bashku të gjithë keni krijuar një ekosistem goxha inkurajues dhe me një potencial shumë të madh dhe nga ana tjetër duke qenë shumë të bindur  që sado që ne të përpiqemi të kuptojmë dhe të mësojmë për mënyrën se si duhet ta shohim edhe ta qasim edhe ta mbështesim këtë botë të re, na është e pamundur që të jemi në lartësinë e këtij potenciali në rast se nuk arrijmë të ngremë një urë komunikimi me komunitetin tuaj dhe të përpiqemi të mësojmë dhe të kuptojmë sa më shumë nga brendësia e jetës dhe sfidave të komunitetit tuaj, pasi jam i bindur që nëse krijojmë një sinergji duke u përpjekur të vëmë në dispozicion mjetet që kemi, atëherë patjetër që mund të krijojmë edhe më shumë hapësirë, edhe më shumë ‘’brumë për të pjekur në këtë furrë të re’’, kështu që ç’ka unë  i kam kërkuar ministres për Sipërmarrjen, është pikërisht që duke ftuar një numër prej jush edhe patjetër duke përfshirë edhe një numër prej nesh, të kemi një ditë si kjo dhe të trajtojmë në një mënyrë sa më shteruese problematikat e kësaj bote të re që është krijuar në vendin tonë, duke folur për kapitalin njerëzor dhe për përshtatjen e aftësive, duke folur për transformimin digjital dhe qeverinë elektronike, duke folur për të gjitha segmentet sektoriale dhe patjetër dhe pozicionimin konkurrues, duke folur për incentiva dhe financimin sektorial, duke folur për integrimin ndërkombëtar,  aksesin në tregje dhe gatishmërinë për eksport; këto pak a shumë si shtylla dhe duke u përpjekur të kuptojmë se si këtë ndërveprim mund ta ngremë në një nivel të një komunikimi konstant, ku të mos i mbetet as rastësisë, të mos i mbetet as një pikë takimi në kohë, mundësia për të shprehur qoftë shqetësime, qoftë ide, qoftë edhe propozime për bashkëpunim.

Nga ana tjetër ne kemi filluar të përpiqemi të kuptojmë se si mund të bëhemi partnerë të drejtpërdrejtë me ju; partnerë të drejtpërdrejtë në funksion të interesave që ne përpiqemi të mbrojmë edhe të mishërojmë në të mirë të rritjes së cilësisë së qeverisjes, por edhe partnerë në sensin e financimit të nismave tuaja.

Natyrisht që kur them këtë, kam parasysh jo thjesht financimin nga buxheti por kam parasysh edhe krijimin e instrumenteve të tjerë në funksion të financimit të iniciativave tuaja dhe këtu kemi nevojë për një hapje komplet tjetër të sektorit; kemi nevojë për të krijuar instrumentet tërësisht të rinj financiarë në shërbim të sektorit dhe besoj që ju keni çfarë të na mësoni, çfarë të na sugjeroni dhe çfarë të na propozoni konkretisht mbase në ecurinë e punës tuaj.

Kam vënë re me shumë admirim që nj pjesë e juaja janë të lidhur ngushtë me tregun edhe me aktorë domethënës në tregun ndërkombëtar. Kjo do të thotë që janë të lidhur edhe me punë, me produkte të cilat nëse janë të vlefshme iu shërbejnë situatave të administrimit publik jashtë  Shqipërisë, nuk ka asnjë arsye pse të mos shërbejnë edhe brenda Shqipërisë. Ne kemi nevojë për, praktikisht çdo gjë në këtë aspekt dhe duke mos u e njohur si duhet sektorin nga brenda, i referohemi vetëm çfarë dimë nga vitrina globale e sektorit, por ndërkohë kemi të gjitha arsyet të besojmë që së bashku mund edhe të angazhohemi për produkte të dedikuara që nuk janë ekzistuese, por që mund të krijohen bashkërisht në vend se të shkojmë të paguajmë për produkte ekzistuese që vijnë nga jashtë dhe në ketë aspekt, sigurisht që nuk duhet ta neglizhojmë në asnjë mënyrë çështjen e sovranitetit që është kthyer me shumë forcë në  tryezën e diskutimit në të gjitha vendet, ku tendenca për tu pavarësuar nga shërbimet globale, është gjithmonë e më fortë në funksion të mbrojtjes nga boshllëqet ku mund të penetrojnë aktorë me qëllime të këqija ndaj vendit nëpërmjet sulmeve kibernetike dhe faktikisht, unë jam shumë krenar që ne kemi bërë goxha progres në këtë aspekt. Kemi sot që flasim cloud-in tonë në shërbimet tona digjitale, pra jemi të pavarur, por jam njëkohësisht edhe i vetëdijshëm që sa shumë boshllëqe kemi sidomos në sektorin privat ku ka një mungesë të madhe jo thjeshtë informacioni, por edhe vetëdije se çfarë dëmesh mund të vijnë nga ekspozimi karshi sulmeve kibernetike. E ndërkohë që forcojmë dita-ditës mbrojtjen tonë në sektorin publik, jemi të shqetësuar që sektori privat nuk po ecën në të njëjtin ritëm. Dhe këtu përsëri ne mund të ndërtojmë mekanizma të sensibilizimit edhe njëkohësisht mund të kemi një ofertë për sektorin privat duke pasur parasysh talentet që ju keni arritur të mblidhni, duke pasur parasysh cilësinë e produkteve tuaja.

Ajo që unë do ju kërkoja shumë sinqerisht është që të jeni totalisht të hapur, nuk kemi ardhur këtu të bëjmë një mbledhje ose një takim siç kemi bërë raste të tjera që ka një sebep për të dhënë ca certifikata, ka një sebep për të shpallur fituesit e një raundi aplikimesh për startup-e dhe takohemi, dëgjoni fjalët e rastit, çohen disa nga ju thonë ato fjalët e tyre. Këtu ne iu kemi ftuar që të na flisni shumë hapur.

Juve keni edhe lirinë që të thoni atë që doni dhe që mendoni sepse nuk keni asnjë lloj varësie nga ne dhe jo vetëm nuk keni asnjë lloj varësie nga ne, po dispononi edhe instrumenta që mund të na bëni dëm, në rast se doni të merrni hak për ndonjë  komunikim të pa përshtatshëm nga ana jone dhe madje, madje na e bëni dënimin dhe pa e kuptuar që jeni ju që po e bëni dëmin dhe ta shijoni bashkë me ato talentet që keni duke parë se si na bllokoni.

Kështu që ju lutem shumë do të doja maksimumin e lirisë në këtë komunikim se na intereson të kuptojmë ekzaktësisht se çfarë ne mund të bëjmë më mirë dhe çfarë ne mund të bëjmë më shumë, nga këndvështrimi juaj që na shikoni nga një nivel i ndryshëm interesash edhe nevojash dhe patjetër ndihuni të lirë edhe për çfarëdo lloj rezerve që ju keni apo shqetësimi, apo ça do qoftë që lidhet me ato pjesë të qeverisë apo institucioneve që janë të lidhura me punën tuaj.

Në fund të kësaj dite, unë do të doja që ne nga ana e qeverisë, të largoheshim nga këtu më të ditur se sa ç’erdhëm për atë që jemi mbledhur, edhe më të nxitur për të bërë më shumë, ky është qëllimi.

E fundit që kam, kemi diskutuar një herë me disa prej jush, unë mendoj që ia vlen të kemi një këshill, një kuvend, një hapësirë, një forum ku të mblidhemi të paktë tre herë në vit për të diskutuar mbi çështjet, edhe mbi të rejat, qofshin për mirë, qofshin për keq, të katër mujorit të mëparshëm. Natyrisht, nëse ju jeni dakord.

Dhe nga ana tjetër, do t’ju lutesha shumë të ndjeni tërësisht të lirë që të na sugjeroni nëse dikush që ju mendoni që duhet të jetë këtu, mungon, edhe si mundet që këtë lloj forumi ta bëjmë edhe më edhe më vibrant, duke vendosur edhe tema të caktuara edhe duke ju sugjeruar dhe të ftuar caktuar. Besoj që qëllimi nga ana jonë është që t’i vëmë në dispozicion qeverinë, shumë e thjeshtë.

Tani në dispozicion në aspektin e mundësive që ne kemi, në dispozicion në aspektin e kavjes që ne mund të jemi për ju, sepse kemi diskutuar me disa prej jush dhe e dimë shumë mirë që një nga gjërat kryesore sot ose në mos, kryesorja e punës dhe e mundësisë për të pasur një brumë të mirë për produktet janë të dhënat dhe nëse duam që të bëjmë progres të ndjeshëm duke i dhënë vetes gjithmonë e më shumë mundësi përmes inteligjencës artificiale, duhet që të kemi një ndërveprim ku ju të keni mundësi të keni sa më shumë të dhëna.

Për shembull, me dikë prej jush këtu kemi parë një punë shumë të bukur për një produkt për jashtë vendit, për parkimet. Tani, në qoftë se këtu është në Shqipëri prodhohet një produkt për administrimin e parkimeve si në Shtetet e Bashkuara, kjo është fantastike, por është njëkohësisht edhe shumë domethënëse që ky produkt mund të vlejë edhe për ne dhe ajo që unë mësova nga ai prezantim është që produkti varet nga të dhënat, dhe të dhënat janë të ndryshme.

Kështu që puna me të dhënat është e domosdoshme. Aksesi juaj në të dhëna për produkte të caktuara është i domosdoshëm dhe për këtë duhet ta dini që ne jemi në dispozicion plotësisht dhe patjetër, edhe për çfarëdo qoftë që juve e konsideroni të arsyeshme. Pra ju keni bërë shumë, ne jemi përpjekur të bëjmë shumë, nuk besoj që kemi bërë aq shumë sa mund të bëjmë dhe jemi në kushtet kur duam të bëjmë çdo gjë është e mundur dhe për këtë duhet të na ndihmoni ju, se ndryshe edhe me gjithë dëshirën e mirë nuk e dimë dot ne nëse nuk kuptojmë drejtpërdrejt prej jush dhe s’kemi pse humbasim kohë dhe s’kemi pse bëjmë gjëra të cilat janë të tejkaluara apo që janë të provuara si gjëra që mund të bëhen këtu.

Kështu që duke iu falënderuar dhe duke shpresuar që do të kemi një ditë pozitive të ndërveprimi të hapur po e kaloj fjalën Delinës, që e falënderoj për organizimin e këtij takimi dhe për qëndrimin shumë pranë jush në këtë fazë të qeverisjes, kur ajo ka pasur këtë detyrë, siç e shihni këtu, janë një pjesë e ministrave që kanë lidhje drejtpërdrejt me çfarë duam të bëjmë, mungojnë dy prej tyre që nuk gjenden në Shqipëri, por gjithsesi për çfarëdo qoftë tjetër që mund të mungojë këtë herë do të jemi të gatshëm që ta adresojmë në takimin e ardhshëm mbas tre, katër muajsh. Shumë faleminderit!