Kryeministri Rama mori pjesë sot në punimet e Konferencës, Shqipëria: Horizonti i ri, u cila u mbajt në Vjenë, Austri dedikuar promovimit të Shqipërisë, si një destinacion kryesor për investime strategjike në sektorë si energjia, infrastruktura, turizmi dhe teknologjia, duke nxitur partneritete afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Në konferencën e organizuar nga Raiffeisen Bank International dhe Raiffeisen Bank Shqipëri, në bashkëpunim me Korporatën Shqiptare të Investimeve, u diskutua gjerësisht në disa panele paralele mbi “Zhvillimet makroekonomike dhe perspektivat e Shqipërisë”;  Shqipëria: Një Qendër Rritëse e Investimeve (Lehtësimi i Bërjes së Biznesit dhe Klima për Investitorët); (Potenciali i  përgjithshëm i Shqipërisë në sektorët kryesorë), etj.

Kryeministri Edi Rama iu adresua eventit në nisje të tij, pas fjalës së mirëseardhjes, e cila u mbajt nga Johann Strobl, Drejtor Ekzekutiv (CEO), RBI dhe Valerie Brunner, Anëtare e Bordit të Bankës Korporative dhe të Investimeve, RBI.

Më pas, një dialog me pyetje-përgjigje e moderuar nga z. Christian Wehrschütz dhe me pjesëmarrjen e audiencës, – vijoi agjendën e punimeve.

* * *

Christian Wehrschütz – I dashur Kryeministër, nëse ka një situatë të çuditshme në Gjermani apo në Austri, që s’ka qenë asnjëherë, në Shtetet e Bashkuara apo në Ballkan, por një figurë që ka ndikuar, ka sjellë këtë ndikim në Austri, në shumë kohë, Karl May. Ky libër në fakt është sjellë edhe nga ambasadori juaj, por është shkruar në vitin 1888. Karl May e shiti këtë libër. Në 200 milionë kopje në Austri e Gjermani, kështu që ky libër ka ndikuar tek të gjithë ata të brezit tonë. Ai shkroi për sistemin gjatë perandorisë osmane. Në librin e tij, thotë që ka specifikat e veta, mund të themi edhe anët e errëta, që theksohen më shumë, por kushtet lokale tregojnë që nuk është e çuditshme që shqiptarët, një fis, ndoshta edhe i pabindur, janë po aty. Pra, ideja është që në Strumica, ideja ishte që shqiptarët kishin rezidencat e tyre. Nuk kishte një ligj të mirëfilltë, por territori i këtyre shqiptarëve është  ndoshta i vetmi ligj ku i dobëti duhet t’i nënshtrohet të fortit , e kështu me radhë.

Në qoftë se e shikon Europën, kemi pjesën e zgjerimit, por çfarë mendoni se duhet bërë në vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të përmirësohet situata e negociatave, që jo vetëm që të përfundojë me sukses, por ndërkohë në Europë kemi edhe referendume apo situata si ajo që ndodh në Rumani. Çfarë duhet bërë në këtë, në këtë moment?

Kryeministri Edi Rama: Do të thoja që me gjithë respektin për ju ta nisësh këtë konferencë kaq entuziazmuese me pyetjen e mërzitshme se çfarë duhet të bëjmë me Bashkimin Europian për të hyrë atje, nuk është mënyra e duhur. Sa për të folur për stereotipet, kam sjellë këtu një mënyrë mjaft intriguese për të përshkruar Vjenën, nga kandidati tri herë për çmimin Nobel në letërsi, Karl Kraus, i cili thoshte në Berlin, “këta janë shqiptarë.’’ Në Berlin gjërat janë serioze, por jo të pashpresa. Në Vjenë gjërat janë të pashpresa, por jo serioze.

Kështu që jeni pa shpresë, po jo seriozë. Kam përshtypjen që nuk është serioze. Për t’iu kthyer pyetjes, sigurisht, sepse më duhet t’i përgjigjem. Dua thjeshtë të shpreh një falenderim nga zemra bankës ‘Raiffeisen, drejtuesve të bankës qoftë në Vjenë, ashtu edhe në Tiranë dhe dua po kështu, t’i shpreh një falënderim të madh drejtorit ekzekutiv në Tiranë, Christian Canacaris, një kombinim shumë i çuditshëm i greqishtes, a më mirë grekut, francezit, austriakut dhe shqiptarit në fund. Ai ka kontribuar që të vendosë “Raiffeisen’’në qendër të jetës tonë sociale-ekonomike. E ka mbështetur me shumë mirësi, së pari në kapacitete e me dije, aktorët lokalë të cilëve kurrë nuk u ka munguar pasioni dhe ambicia por kishin nevojë për shumë ndihmë sa i takon dijes, njohurive. Që të shkojmë një hap më tutje për Vjenën dhe Raiffeisen, nuk jam i sigurtë që të gjithë e dinë këtu, por enti i parë të cilit shteti i ri shqiptar iu afrua, po me cilin kontaktoi në 1912, ishte Ëienner Bank Verein. Pra, qeveria e parë e krijuar në Shqipëri, qeveria e parë e Shqipërisë së pavarur, pra, ju kërkua nga kjo bankë në qoftë se mund të ndihmonte Shqipërinë për të ngritur bankën e parë dhe një sistem bankar modern.

Megjithatë, historia zgjodhi të shkonte në një tjetër rrugë. U deshën shumë, shumë vite që Shqipëria të hynte në sistemin bankar modern. Dhe sërish ishte Viena përmes Raiffeisen, vitin 2000, drejtori ekzekutiv i Raiffeisen mbërriti në Shqipëri. Dhe ishte e jashtëzakonshme mënyra se si u pasqyrua mbërritja e tij në median shqiptare, sepse ai tha që ishte koha tashmë që shqiptarët t’i nxjerrin lekët nga poshtë dyshekut. Dhe gazeta kryesore shkroi; “Drejtori ekzekutiv i Raiffeisen është në Tiranë dhe fantazma e Luftës Civile është kthyer në Tiranë’’, që tregon se sa hezitim kishin shqiptarët kur bëhej fjalë për bankat. Një hezitim i cili nuk është se ka ikur përfundimisht nga jetët e shqiptarëve.

Mos harroni që pas kësaj, sigurisht që është mungesa e traditës, por po kështu edhe 50 vjet lavazh truri gjatë izolimit të madh, ku regjimi komunist na thoshte çdo ditë, “dy të këqijat më të mëdha që iu bën kapitalizmi njerëzve janë bankat dhe taksat”.

Kështu që të bindësh një popullsi që është i është bërë lavazh truri gjatë gjithë kësaj kohe për t’i thënë që jo, bankat dhe taksat janë pjesë përbërëse e jetës në një shoqëri e treg të lirë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh me vepra.

Thënë e gjithë kjo, dua që të falënderoj edhe një herë të gjithë ata që bënë të mundur këtë eveniment dhe të gjithëve atyre që gjenden këtu në këtë sallë dhe që vijnë nga Austria, pra vende të tjera të Austrisë dhe nga Shqipëria. Shpresoj fort që kjo ditë do të jetë rigjallëruese e një ditë frymëzuese. Për ata që ende nuk kanë qenë ndonjëherë në Shqipëri, ka ardhur koha të vini sepse është një vend që ia vlen ta vizitosh, qoftë edhe për kënaqësi.

Për t’iu kthyer pyetjes tuaj të mërzitshme tani. Jemi në një proces praktik që ka përparuar shumë praktikisht. Po çelim kapitujt e negociatave me një shpejtësi që s’është parë ndonjëherë më parë gjatë procesit të anëtarësimit, por më duhet të them që është një kombinim i meritës sonë dhe i qasjes së re të Bashkimit Europian, përkundrejt zgjerimit, falë ose për shkak të luftës në Ukrainë, që e ka tronditur fortë Europën dhe që i ka përçuar udhëheqësve të Bashkimit Europian, mesazhin që rëndësia gjeopolitike e Europës së Bashkuar është ekzistenciale dhe që Ballkani Perëndimor është natyrshëm është pjesë e së ardhmes së organit të Bashkimit Europian, pra falë asaj çfarë kemi bërë e po kështu edhe për shkak të asaj çfarë ka bërë Putin, jemi aktualisht në një proces tejet të intensifikuar të anëtarësimit dhe jam shpresëplotë që të do të ndodhë herët më shumë se vonë, ndërkohë që plani për të cilin është rënë dakord me komisionin është përfundimi i pjesës teknike, që do të thotë, të gjitha bisedimet në fund të 2027-s.

 -Zoti kryeministër, përmendet kohën e Enver Hoxhës.

Kryeministri Edi Rama: E përmenda Enver Hoxhën?

-Jo, përmendet 50 vitet e lavazhit të trurit. Duke qenë se e folëm për këtë, ka një ndërtesë që reflekton një ndryshim të thellë të shqiptarëve. Aktualisht është Piramida, e cila ka qenë mauzole e tashmë është për hapësirë publike për takime dhe negociata. Po të shohësh Raiffeisen kur erdhi në vend, që ishte një vend që funksiononte plotësisht me kesh, ndërkohë që tani ka digjitalizimin, tani kemi një ministre digjitale, inteligjenca artificiale, prokurimet publike, A mund të na shpjegoni pak se si do të veprojë tashmë kjo anëtare e re e kabinetit, si do të përdoret, çfarë nënkupton për prokurimet. A mund të na i shpjegoni pak më tepër se cili është synimi i Ministres së re?

Kryeministri Edi Rama: Mund të përpiqem. Po, është mjaft simbolike, po ndërkohë, ndryshimi simbolik është edhe i “Piramidës”, që nga hijet e territ të së shkuar në qendër të qytetit për shumë vite është kthyer tashmë në zemrën e ndryshimit, kur vjen fjala për teknologjitë e reja dhe novacionin. Pjesë është përfshirja mjaft e madhe dhe e rëndësishme e qeverisë me teknologjitë e reja dhe inovacionin, që në fakt ka krijuar një paradoks në Shqipëri, që qeveria ka ecur shumë më përpara se sa sektori privat, kur vjen fjala për novacionin dhe përdorimin e mjeteve të teknologjisë së re.

Në fakt, sot e qysh prej disa vitesh për të qenë i sinqertë, kemi hequr shërbimet fizike, zyrat e pritjeve dhe radhët e gjata të njerëzve në pritje për të marrë një shërbim. 95% të shërbimeve ofrohen tashmë përmes internetit dhe të gjithë mund ta marrin shërbimin përmes telefonit të tyre celular, qoftë nëse janë në Tiranë apo nëse janë në Australi, nuk ka rëndësi. Që është një ndryshim shumë, shumë i madh, duke pasur parasysh edhe sa kërkues ishte sistemi i mëparshëm i ndërveprimit fizik dhe sa shumë korrupsion të vogël apo ryshfete kishte në sistem, ndërkohë që sot është krejtësisht i  fshirë nga sistemi. Ana e mirë, apo le të themi, ajo e dobishmja për t’iu kthyer inteligjencës artificiale, është kapaciteti për të punuar mbi të dhënat për t’u shërbyer edhe më mirë qytetarëve.

Tani po përgatisim një hap të ri përpara në këtë platformë, ku praktikisht ministrja dhe ajo mund të jetë në vende të ndryshme në të njëjtën kohë, gjë që ne s’e bëjmë dot, do t’iu shërbejë njerëzve në këtë platformë vetëm përmes kërkesave të thjeshta. Për shembull, sot njerëzve u duhet të bëjnë disa hapa vetë për të marrë shërbimin, që do të thotë duhet të shkojnë nga një rubrikë në tjetrën, tek tjetra të shkojnë tek shërbimi dhe pastaj ta kërkojnë atë shërbim, ndërkohë që shumë shpejt ata thjesht do të ndër veprojnë me ministren në kohë reale, me zë, duke i thënë ‘kam nevojë për këtë, kam nevojë për këtë certifikatë, kam nevojë për këtë dokument, për këtë leje’, e kështu me radhë. Dhe ajo do t’ia u ofrojë, pra nuk do të ketë nevojë të bësh asgjë, thjesht të kërkosh “Më duhet kjo”.

Kështu që, domethënë, është klienti ai që është shefi dhe ministria do të jetë ajo që shërben. Kjo është një nga ato shumë gjëra që ajo do të bëjë, dhe kur vjen fjala për prokurimin publik, është një hap mjaft i madh përpara, diçka krejt e re, absolutisht. Vetëm pak muaj më parë, patëm një seminar të madh në Tiranë, me 16 përfaqësues të 16 vendeve të ndryshme të cilët ndër vepruan me agjencinë tonë të novacionit lidhur me prokurimin publik dhe mundësinë për ta transformuar prokurimin publik në një proces të bazuar të inteligjencën artificiale. Me sa kuptojmë, projekti ynë është i vetmi që ka një qasje gjithëpërfshirëse, sepse ka disa programe dhe mënyra të ndryshme për të përfshirë inteligjencën artificiale në prokurimet publike por vetëm në pjesë të procesit, pra është e copëzuar, jo një proces i tërë. Është ambicioz. Kërkon shumë punë. Po punojmë me Microsoft-in dhe me talente, disa talente të tjera. Shpresojmë shumë që do të realizohet sepse kemi punuar shumë për të pasur arkitekturën e duhur dhe në thelb ajo çfarë nënkupton kjo, është që në momentin që të nisë zbatimi, i gjithë procesi i prokurimit publik, do të administrohet nga inteligjenca artificiale. Do të jetë i shpejtë, do të jetë transparent, do të jetë një lehtësim shumë i madh edhe për kompaninë, sepse nuk do të duhet që të mbledhin letra lartë e poshtë, të bëjnë dosje të mëdha për të ofruar informacion që është shumë më e kushtueshme në kuptimin e kohës, të kostos. Thjesht duhet të shkruajnë emra, të shprehin interesin, të hedhin çmimin dhe të presin. Kjo është pak a shumë ambicia që kemi.

-Kur kemi bërë një intervistë me ju gjatë këtij viti, ju përmendët edhe që procesi i negociatave është procesi i harmonizimit apo përshtatjes, me legjislacionin shqiptar dhe ju po përdorni inteligjencën artificiale.

Kryeministri Edi Rama: Ajo, ajo, është ajo! Ajo po e bën dhe kjo po ndodh. Në fakt, vendet që kanë hyrë në bisedimet e anëtarësimit iu është dashur të kalojnë një kalvar të tërë, iu është dashur të rekrutojnë një ushtri përkthyesesh, juristësh, njerëzish që do të hartonin draftet, që do të bënin vlerësimin e ndikimit e kështu me radhë.

Kroacia, një shembull shumë i bukur i mënyrës se si shkon integrimi në mënyrën e plotë iu deshën shtatë vjet, thjesht duke bërë pjesën teknike të transpozimit. Pra, më shumë se 4000 e ca akte ligjore, nënligjore të korpusit ligjor të Bashkimit Europian në legjislacionin kroat. Iu deshën shtatë vjet, ndërkohë që ne po e përfundojmë.

E kemi nisur një vit më parë dhe do të na duhet më pak se një vit tjetër për të përfunduar gjithçka dhe jo vetëm përkthimin dhe hartimin paraprak, por edhe disa gjëra të tjera që ajo bën, duke na dhënë informacione për ndikimin, për efektet e një ligji, për shembull për mjedisin apo diçka tjetër në financat tona apo pjesë të tjera të legjislacionit tonë. Kështu që kjo është bërë, po bëhet.

-Përmendët mjedisin, në procesin e zgjerimit në Kroaci një nga kapitujt më sfidues ishte zbatimi i rregullave mjedisore, sepse ka shumë kërkesa që kërkojnë para, kërkojnë shumë ndërtime. Cilat janë ato kapituj që shihni më sfidues në zbatim?

Kryeministri Edi Rama: Procesi ka një lloj elasticiteti që do të thotë vendet mund të negociojnë një shtyrje përtej datës së anëtarësimit, për shembull, Kroacia negocioi nëse nuk e gaboj për të pasur 10 vjet shtyrje përtej datës së anëtarësimit, pikërisht për pjesën e kapitullit të mjedisit, që është mjaft kërkues edhe për vendet që janë në BE dhe për vendet që i kanë këto standarde, që të vazhdojnë t’i ruajnë ato, është një betejë e përhershme. Ne kemi rënë dakord tashmë për një shtyrje dhe po do të jetë sfidë, por jeta është sfiduese.

– Në fakt ka dy vende në Ballkanin Perëndimor, që kanë shanset më të mira për t’u anëtarësuar shpejt Shqipëria dhe Mali i Zi. Mali i Zi do të jetë gati 2028 ndërkohë që në fushatën tuaj zgjedhore, ju keni përmendur 2030 për anëtarësimin. Sa e mundur do të jetë? Mendoni që këto vende të anëtarësohen së bashku, sepse mund të ketë edhe mjaft sfida në procesin e ratifikimit. Si e shihni, mund të anëtarësoheni bashkë?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, jam ca i vjetër në këtë punë dhe kam parë edhe të tjerë më parë, që ishin pararojë. Në fillim ishte Maqedonia, tani quhet Maqedonia e Veriut dhe nuk është kurrkund në atë hartë, ndërkohë që pastaj ishte Serbia, ndërkohë që nuk është gjëkundi, ndërkohë Shqipëria konsiderohej si “ndonjë ditë, kush e di, por jo për sa të jemi gjallë”! Ndërkohë, tani jemi shumë më përpara. Por nuk duhet të mendojmë në kuptimin e konkurrencës me vende të tjera, duhet ta mendojmë si një mënyrë për të bërë punën tonë dhe këtë në fakt mendonim edhe kur ishim shumë mbrapa, kur askush nuk mendonte që ne do të hynim gjatë “sa të ishim gjallë”, ndërkohë këtë duhet të vazhdojmë të bëjmë, dhe shanset janë të mëdha. Janë të mëdha, siç e thashë, për shkak të kontekstit, por me Bashkimin Europian nuk i dihet, mund të ndryshojë. Ndaj duhet të bëjmë maksimumin në këtë pikë në kohë, ku e gjithë yjësia është e rreshtuar si duhet në favorin tonë, që s’ka ndodhur ndonjëherë dhe të vrapojmë e të vrapojmë e të vrapojmë, për të mos ta lënë këtë mundësi të na shpëtojë. Mali i Zi, po kështu ka një shans të mirë, le të shohim. Me shpresë edhe vendet e tjera Bullgaria do ta bëjnë këtë me shpresë. Bullgaria do të jetë më elastike kur vjen fjala për Maqedoninë e Veriut dhe do t’i lërë të negociojnë, sepse ka diçka shumë të keqe, një zakon shumë të keq në Bashkimin Europian, kjo “marrja peng”, është, “një vend rrëmbim”, po themi “rrëmbim i një vendi”, për hir të politikës brendshme, pra për hir të politikës brendshme, një vend merr peng një vend tjetër dhe e bën “mish për top”, apo si të thuash, e gatuan në kuzhinën e vet në mënyrë të figurshme. Shpresoj që Maqedonia e Veriut të ketë një rrugëtim normal, së paku të çelë negociatat, sepse për mua është krejt e pakuptimtë që një vend në BE të bllokojë bisedimet me një vend që do të hyjë në BE për hir të disa çështjeve dy palëshe, të cilat mund të jetë mjaft legjitime, por nuk bllokon bisedimet, i lejon bisedimet të vazhdojnë dhe në momentin e fundit, kur vjen pika te vendimi i anëtarësimit, ti mund të thuash “jo”, ka një gjë që duhet ta zgjidhin, por është shumë politike, është shumë hipokrite, është marrëzi. Kështu që shpresoj që askush, as Mali i Zi, të mos përballet me gjë të tillë. Shpresoj që Serbia të drejtohet në rrugën e duhur, gjithashtu shpresoj edhe për Bosnjë-Hercegovinën, për Kosovën do të ishte mirë që të gjithë të anëtarësoheshin, megjithatë ne duhet të zgjidhim gjërat tona dhe të përqendrohemi tek vetja.

– 5 tetori i këtij viti shënon 25 vjetorin e rënies së Slobodan Miloševićnë Beograd, e megjithatë problemi midis Kosovës dhe Serbisë nuk është zgjidhur. Kemi një situatë të paqëndrueshme në Bosnjë-Hercegovinë. Si i shihni zhvillimet e të ashtuquajturit Ballkan Perëndimor e të gjithë rajonit?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, më trishton, më trishton të shoh që nuk ka aspak përparim në këtë drejtim. Unë kam qenë dhe vazhdoj të mbetem i bindur se Kosova ka një rrugë, shumë të qartë. Kosova nuk duhet të mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet t’ia dijë se çfarë bën Serbia, por duhet të bëjë pjesën e vet, duhet të bëjë detyrat e veta dhe duhet t’i japë Bashkimit Europian, të gjitha atë fletoren me detyrat e bëra të shtëpisë dhe duhet të kërkoj të ec përpara. Domethënë, kjo nuk ka të bëjë me përmbushjen apo pranimin e asaj çfarë kërkon Serbia. Kjo ka të bëjë me pranimin e asaj çfarë kërkon Bashkimi Europian dhe ky dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja, që është një dështim i madh, është dështim i madh sepse formati është i gabuar. E kam thënë që prej ditës së parë dhe kjo ndodh sepse është i bazuar në një parim shumë të thjeshtë. Vendet duhet të përmbushin kushtet që lidhen me vlerat, parimet dhe mënyrën e jetesës së Bashkimit Europian. Pra, në qoftë se Kosova do ta bëjë këtë, do të jetë në interesin e saj më të mirë, për të mos ta lidhur veten me Serbinë, për të mos menduar sa të kënaqur apo të pakënaqur do të jenë serbët, po thjesht ta bëjnë këtë gjë. Në të kundërt do të vazhdojë ta izolojë veten gjithmonë e më shumë dhe është për t’u ardhur keq.

– Po, Bosnjë-Hercegovina, si e shihni situatën atje?

Kryeministri Edi Rama: Kjo është pyetje për një tjetër forum, vitin tjetër.

– Pyetja ime e fundit është duke qenë se e keni përmendur në të gjitha intervistat, por edhe tani, luftën e agresionit rus kundër Ukrainës, si e shihni tashmë rolin e faktorëve të jashtëm apo të ashtuquajtur faktorë të jashtëm në Ballkan, nga Rusia, Kina, e të tjerë vendet që duan të kenë një prani më të fortë në Ballkan, e kryesisht Kina, e cila e ka shfrytëzuar lodhjen nga zgjerimi për të rritur ndikimin, si e shihni këtë rol faktorësh të jashtëm përtej e përpos Bashkimit Europian në Ballkan.

Kryeministri Edi Rama: Nuk do t’i vija në të njëjtin klub. Rusia është agresore, është një lojtar agresiv dhe ka një agjent për krimin e trazirave, ndërkohë që Kina është një tjetër lojtar dhe dallimi i madh është po kështu në faktin që Kina nuk ka asnjë objektiv për të universalizuar mënyrën e vet të jetesës. Objekti i Kinës është të bëjë biznes dhe mundësisht të ketë një dorë që zgjatet në të gjithë botën. Janë dy lojtarë krejt të ndryshëm, nuk e shoh Kinën si kërcënim apo si një lojtare agresive apo ku e di unë çfarëdo qoftë. Por edhe këtu ka nuanca sepse kur vjen fjala për infrastrukturën kritike, kur bëhet fjalë për gjithçka që ka të bëjë me sigurinë tonë qoftë ushtarake apo siguri energjetike apo siguri e telekomunikacioneve ne e kemi marrë vendimin tonë qysh prej kohësh dhe nuk do ta ndryshojmë. Do t’i qëndrojmë e do të vazhdojmë të rrimë me partnerët tanë perëndimorë. Ndërkohë që kur vjen fjala për pjesën tjetër, ne jemi të hapur.

Kjo sa i takon Kinës, me Rusinë s’kemi asnjë lloj pune për të bërë. Nuk na ka marrë malli, kemi qenë shumë afër një herë e një kohë. Nuk na ka marrë malli, nuk kemi asnjë para ruse në ekonominë tonë dhe nuk është se mezi presim të kemi. Për ne mjafton që të jemi në marrëdhënie të mira me Dostojevskin, Kandinsky dhe të gjithë të mëdhenjtë. Dhe kur vjen fjala për ata të mëdhenjtë e Moskës, sot nuk është shoqëri e mirë për ne dhe nuk presim që të rrimë me ta.

-Edhe një titull e Chernyshevsky është ajo pyetja, ç’të bëjmë, është një pyetje e përjetshme e historisë ruse. Ka qenë një pyetje e përhershme, çfarë të bëjmë, të jemi europianë apo jo, por është një pyetje ndoshta për njëherë tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Ka një proverb rus që i thotë të gjitha. Thotë “E ardhmja është e qartë, e shkuara është problem”. Kështu që derisa ta zgjidhin këtë gjë, nuk do duhet të merremi. Dhe në fund të fundit më duhet të them që ne jemi vend i vogël, nuk jemi një lojtar i madh. Ne jemi të bekuar që nuk na duhet të marrim vendimet e mëdha, ashtu siç edhe jemi të bekuar që jemi miq me vende mjaft të mëdha, kështu që iu takon atyre të marrin vendimet e mëdha.

-Zoti Kryeministër, faleminderit shumë. Dua të pyes njerëzit nëse kanë pyetje. Kemi dhjetë minuta. Nuk e di në qoftë se ka ndonjë pyetje nga auditori. Tani keni hapësirën për t’i bërë këtë pyetje.

– Faleminderit, zoti kryeministër, për prezantimin. Unë përfaqësoj një kompani investuese rajonale në energji të ripërtëritshme. Dua t’ju them që Shqipëria ka një kombinim mjaft unik të energjisë. 95% a më shumë vijnë prej energjisë hidrike, si e shihni diversifikimin e prodhimit të kësaj energjie? Pra, 10 vjet, pas 10 vjetësh sa parashikoni që të keni prodhim energjie nga dielli, nga era apo nga burime të tjera të përtëritshme?

Kryeministri Edi Rama: Energjia ka qenë një prej problemeve më të mëdha me të cilat na duhet të merreshim, sepse trashëguam një situatë mjaft problematike me praktikisht shoqërinë tonë shpërndarjes së energjisë, që ishte praktikisht një fantazmë, me një borxh shumë, shumë të madh, 50% e njerëzve nuk e paguanin energjinë, ndërkohë që 50% tjetër paguante më shumë. 1.2 miliard ishte borxhi i shoqërisë sonë së shpërndarjes dhe mbështeteshim tërësisht tek energjia hidrike, që është edhe një tjetër problem, sepse varet tërësisht nga humori i Perëndisë, kur Zoti nuk derdhte lot, derdhnin dhe lot shumë.

Jemi tashmë në një vend krejt, apo në një pozitë krejt ndryshe. Kemi shumë burime të reja, të cilat janë vënë në funksion apo do të vihen në funksionim. Më shumë 10% të energjisë sonë tani prodhohet nga energjia diellore. Synimi ynë është ta çojmë deri në afro 30%. Kemi shumë besim, jemi shumë bindur që do të arrijmë sovranitet të plotë përpara 2030-s, çfarë do të thotë që do të kemi, do të jemi të aftë prodhojmë të gjithë energjinë që na duhet gjatë gjithë vitit, pa nevojën për të importuar, çka nuk është kështu sot.

Po investojmë në energji diellore, në atë të erës dhe po investojmë po kështu edhe në një teknologji të re së bashku me Statkraft, që është sistemi hidrovor apo pompave të sistemit ekzistues të energjisë hidrike, që do të thotë që do të jemi në gjendje që përmes riciklimit të ujit, për ta thënë thjeshtë, të mund të marrim energji nga i njëjti ujë dhe praktikisht të rrisim sasinë e energjisë së prodhuar me impiante 800 megavat në mënyra të cilat ishin krejt të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë.

Unë mendoj se jemi në një pozitë të mirë dhe do të jemi në një pozitë edhe shumë më të mirë, shumë shpejt gjithashtu, falë marrëveshjes që kemi bërë me Emiratet e Bashkuara dhe Italinë për ndërlidhjen e Shqipërisë dhe Italisë me një kabull nënujor dhe për një paketë të re investimesh në energji të ripërtëritshme që i shtohen të gjitha këtyre gjërave për të eksportuar në Bashkimin Europian.

Kështu që jemi në një pozitë shumë të mirë.

– Ne jemi investues në prona, si për shembull në hoteleri-turizëm, dhe kemi filluar që të blinim tokë në Shqipëri për para rreth 10 vitesh. Pra ju sezonin e keni rreth 180 ditë dhe së bashku me qeverinë, ne duhet të krijojmë ide të reja se si mund të arrijmë të bëjmë diçka edhe për 180 ditët e tjera të vitit, sepse ky sezon me vetëm 180 ditë nuk arrin dot që të marrësh nga investimi atë që investon. Për shembull, me ide të ndryshme, si mund të arrijmë këtë gjë? Pra, kërkesa ime është që a mund të bëhen disa njerëz bashkë që ta zgjerojmë turizmit dhe që të ketë më shumë investues.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është e vërtetë, sepse në fakt sezoni po zgjatet tashmë. Në fakt, sivjet ka qenë shumë e qartë. Numrat janë shtuar tashmë. Sigurisht, në terma relative, duke i krahasuar me vitin e vjetshëm, prillin, majin, qershorin, por edhe shtatorin. Do ta shikojmë se si do të jetë edhe shtatori, por do të thosha që pyetja që ju bëtë ose sfida që përmendet është sfida e vërtetë. Në mënyrë absolute, na duhet që të bëjmë më shumë në këtë drejtim. Gjithashtu, unë besoj që vetë investuesit mund të bëjnë më shumë në këtë fushë. Në veçanti, investuesit që vijnë nga Austria, Gjermania, Spanja në fakt jo Spanja, po do të thosha më shumë vendet veriore të Europës, pasi ju mund të na ndihmoni që të ndihmojmë vetë strukturat qeveritare edhe ato vendore në mënyrë që, siç e përmendët edhe ju, për shembull, të jenë edhe personat që kanë dalë në pension, të vijnë të kalojnë më shumë kohë në Shqipëri, ose të kalojnë shumë kohë në Shqipëri. Dhe mendoj që do të ndodhë kjo gjë edhe për arsye se sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtet përpara dhe ka goxha hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende. Kështu që ajo që do t’u thosha të gjithëve atyre që kanë likuiditet, para, dhe ju keni shumë para këtu në Austri që një pjesë të këtyre parave t’i shpenzoni duke blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë një investim vërtetë shumë i mirë, sepse çmimet po rriten dhe do të rriten gjithnjë e më shumë, edhe kur ne të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Europian. Një gjë që është kaluar edhe nga vendet që tashmë janë shtete anëtare, sepse kur bëhesh shtet anëtar, çmimet rriten pothuajse dyfish. Kështu që blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite dhe e shisni me çmimin e dyfishtë. Kështu që mos i lini paratë vetëm tek Raiffeisen, mos ia jepni Raiffeisen gjithë kohës, po ama ejani në Shqipëri dhe blini prona.

– A mund të shtoj edhe një çështje për sa i përket turizmit?

Kryeministri Edi Rama: Ah, mendova që do të thoshit: A ta mund ta blej edhe unë një apartament në Tiranë.

-Sigurisht që po! Po ndoshta.

Kryeministri Edi Rama: Po pse nuk e blen një apartament në Tiranë?

– Në fakt, do doja të shkoja në Shkodër më shumë.

Kryeministri Edi Rama: Jo, unë po them në Shqipëri nuk e kam fjalën vetëm për Tiranën, po mund të blesh në Shkodër, sepse në Shkodër kemi lidhjen që ka ekzistuar edhe me Perandorinë Austro-Hungareze.

-Epo atëherë do duhet që të flas me Raiffeisen. Po si e shikoni zhvillimin e veriut të Shqipëri, sepse kjo është një çështje që ka të bëjë pra me turizmin, sepse është një zonë e shkëlqyer dhe shumë e bukur e Shqipërisë, jo vetëm ajo detare.

Kryeministri Edi Rama: Duhet në fakt, është një bindje që duhet vërtetuar, por besoj që ende njihemi kryesisht për bregdetin, e po kështu edhe ne shqiptarët jemi më së shumti peng i mendësisë sonë që bregdeti është vendi ku është e ardhmja dhe pasuria jonë, por nuk është e vërtetë. Mendoj që kur të shkyçen malet, kur të gjithë investuesit do të fillojnë të investojnë në male, aty do të jetë thesari i vërtetë dhe jam i bindur që kush po fillon që tani të investojë paksa dhe praktikisht kemi edhe disa para austriake të përfshira në një projekt që shpresoj fort të nisë të shpejti për resortin e parë të skive në vend, do të jetë një fitim i jashtëzakonshëm, kështu që është e mrekullueshme. Në male mund t’iu them që deri tani jemi Austria e Mesdheut.

-Është e vërtetë. Kemi kohë edhe për dy pyetje të tjera, në qoftë se ka.

– Përshëndetje, ne jemi investues turk, që jemi në Shqipëri tashmë. Ne kemi investuar tashmë në sektorin energjetik e njihni, besoj. Dua të pyes se si do të mbështeten investimet në infrastrukturë, nga investuesit e huaj dhe nuk e di ku i shihni mundësitë më të mëdha në infrastrukturë për investuesit e huaj, për të tërhequr investuesit e huaj.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit! Po bëjmë disa punë të mëdha, vepra të mëdha në infrastrukturën rrugore, të cilat lidhen me interesin dhe kapacitetin e sektorit privat që të përfshihet dhe të mbështetet tek rrugët me pagesë. Ideja është që për momentin po hartojmë, po zhvillojmë një sërë projektesh, të tjera do të pasojnë dhe mund të jetë me interes që t’i eksplorojmë këto mundësi, sepse ne jemi të pozicionuar në një vend, ku, trafiku nuk është vetëm brenda vendit apo në hyrje drejt vendit, por edhe në kalimin e kufirit përtej vendit. Kjo është situata dhe me lëvizshmërinë e madhe si dhe me rritjen e turizmit, parashikimet ndërkohë janë të jashtëzakonshme në përgjithësi se si do të rritet turizmi europian, çfarë do të thotë që do të ketë shumë lëvizshmëri, e çfarë do të thotë që rrugët do të jenë një pjesë thelbësore e kësaj. Ky është një aspekt i infrastrukturës ku mund të shihni mundësitë, pastaj janë dhe hekurudhat, por është një sektor më i ndërlikuar për kompanitë private që të përfshihen. Pastaj sigurisht energjia. Ne kemi shpallur thirrje ndërkombëtare për investime në burime të ripërtëritshme, kështu që në momentin që këto thirrje shpallen, jeni më se të mirëpritur që të aplikoni. Thirrjet janë shumë transparente, bëhen në bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare dhe deri më tani kanë qenë të një cilësie shumë të mirë dhe nuk ka pasur asnjë ankesë.

-Pyetja e fundit.

– Faleminderit shumë që jeni me ne sot dhe që po ndani mendimet me ne dhe përgëzimet për formimin e qeverisë së re. Një pyetje për konvergjencën europiane. Europa, e shpiku këtë motor të konvergjencës, por ndërkohë që sipas shumë njësive matëse, Ballkani Perëndimor, rajoni nuk ka pasur një afrim, por më shumë një divergjencë nga motori i zhvillimit i BE-së, cili është përbërësi apo përbërësit që mungojnë sipas jush gjatë viteve të shkuara?

Kryeministri Edi Rama: Është e vërtetë dhe në fakt, divergjenca ka qenë e theksuar dhe u theksua gjatë dhe pas pandemisë. Kjo për arsye se pse, siç e dini edhe ju, Bashkimi Europian u angazhua në paketa të mëdha të asaj që quhet ndihma që jepte vetes dhe që natyrisht ishte një mbështetje e mrekullueshme që na u ofrua nga Bashkimi Europian. Pra, kjo është një çështje në vetvete, sepse Bashkimi Europian pra ndihmoi veten dhe ne pamë që edhe ne kishim nevojë për atë ndihmë, prandaj duhet të jemi pjesë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse që të arrijmë konvergjencën pa u bërë pjesë e Bashkimit Europian është e vështirë, është matematikë e thjeshtë, por duke u bërë shtet anëtar, muzika do të ndryshojë. Kështu që ne në fakt e kemi dyfishuar PBB-në tonë gjatë këtyre viteve, por nuk mjafton kjo në vetvete. Nuk mjafton dhe kur sheh vendet e tjera, të cilat janë bërë tashmë shtete anëtare dhe sa shumë ndihma marrin nga Bashkimi Europian është pothuajse tronditëse dhe mund t’ju jap edhe një shembull. Po të shikojmë për qytetarë, paratë që vende si Kroacia, që është afër nesh gjeografikisht dhe prandaj e mora si shembull, ose Bullgaria apo Rumania, paratë pra që ata marrin nga Bashkimi Europian, fondet, janë mbi 4 mijë euro për krye. Kur shihni se çfarë marrim ne për frymë? Kjo do të ndryshojë ndoshta pak me planin e rritjes, por ajo që ne kemi marrë ka qenë 132 euro për frymë, pra 4 mijë për frymë si shtet anëtar i BE-së dhe 132 euro për frymë. Pra, edhe ky boshllëk, hendek tregon edhe këtë divergjencë, por gjërat po ndryshojnë me planin e ri të rritjes. Me integrimin gradual, i cili më në fund po ndodh, sepse ne kemi bërë thirrje në Bruksel që nuk mund të jetë “o asgjë, o gjithçka”. Kështu që, që deri kur të hysh në Bashkimin Europian dhe je shtet anëtar, nuk mund të kesh asgjë. Thjeshtë, duhet të përmbushësh të gjitha standardet, pra duhet t’i përmirësosh standardet dhe duhet të bësh gjithçka si një shtet anëtar, por ndërkohë, ti nuk merr asgjë dhe kur të bëhesh edhe anëtar, do të marrësh gjithçka, po duhet të jetë diçka në mes të këtyre të dyjave, ndërkohë që ne po i afrohemi Bashkimit Evropian dhe tashmë shikojmë këtë integrim gradual. Për shembull, më shumë qasje te tregu i vetëm i BE-së, më shumë qasje tek financat, gjë e cila po ndihmon, pra të gjitha këto gjëra po ndihmojnë, sigurisht që kanë të bëjnë me reformat, sigurisht që kanë të bëjnë me një plan, detyra shtëpie. Sigurisht, po e pranojmë. Ne do të bëjmë detyrat e shtëpisë, do të marrim më shumë fonde, më shumë para, edhe më shumë qasje. Dhe në rregull, pra, gjërat po ndryshojnë, por për t’iu përgjigjur drejtpërsëdrejti pyetjes tuaj, ka vetëm një përgjigje: Bëju shtet anëtar i Bashkimit Europës, bëju pjesë e kësaj familjeje. Përndryshe, kur je jashtë kësaj familjeje, je si një kushëri i cili vjen gjithnjë te dera e shtëpisë dhe i bie derës dhe e ke parasysh vetë, që pavarësisht dashurisë që ekziston për kushëririn, thjeshtë në momentet caktuara, i thua kushëririt të vazhdojë punën. Pra, ne duhet të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Europian dhe do të bëhemi. Me dëshirë, me dhunë, do të bëhemi shtet anëtar i BE-së, me të gjitha dashurinë dhe forcën e dashurisë.

– Zoti Kryeministër, faleminderit më lejoni që në fund të përmend që gjatë 25 viteve në Ballkanin Perëndimor, unë nuk kam parë një vend që ka ndryshuar kaq shpejt, sa ç’ka ndryshuar Shqipëria gjatë këtyre 20 e ca viteve.

Kryeministri Edi Rama: Shqipëria është i vetmi vend, është që ka edhe artistët më të mirë tek kryeministrat dhe kryeministrin më të mirë tek artistët. Askush s’mund të ma heqë këtë gjë.

–  Këto ishin fjalët më të mira përmbyllëse. Faleminderit shumë për gjithçka. Faleminderit edhe për Raiffeisen që ka marrë pjesë edhe në këto ndryshime që kanë ndodhur në Shqipëri dhe me shumë kërshëri presim të dëgjojmë diskutimet në panelet e tjera. Faleminderit shumë, i nderuar Kryeministër.