35 vjet PS, Durrës – Krenar për Partinë Socialiste

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:

Së pari shumë faleminderit për këtë mikpritje edhe me keqardhjen që shumë njerëz ishin jashtë edhe në pa mundësi që të hynin brenda, pasi salla ishte e mbushur plot, por besoj që në këtë përvjetor janë shumë ata të cilët janë pjesë e kësaj historie, jam pjesë e këtij rrugëtimi, jam pjesë e këtij kremtimi, pavarësisht se sa mund të jenë në një sallë apo se sa mund të jenë përreth një salle.

Ky përvjetor për ne është një moment i rëndësishëm jo thjesht për të kujtuar një datë, por për t’u ndalur në një stacion dhe duke kthyer kokën pas për të vlerësuar të gjithë ata të cilët i dhanë Partisë Socialiste aq sa mundën, kurdo që mundën, kudo ku mundën dhe siç edhe doli nga fjalët e tyre këtu në një kohë dhe në momente të caktuara që për shumëkënd këtë sallë sot janë tërësisht të paimagjinueshme.

Është e paimagjinueshme sot për shumëkënd në këtë sallë që të duash të mblidhesh dhe të mos të lejojë policia që të mblidhesh, por ky ka qenë realiteti i atyre që morën kurajon ta themelojnë Partinë Socialiste, sidomos në territore ku thjesht emri i Partisë Socialiste krijonte reaksion negativ. E megjithatë sot ne ja vlen të ndalemi në stacion për faktin se gjatë gjithë këtyre viteve në një mënyrë dhe në një tjetër rrugëtimi i Shqipërisë u një njehsua me rrugëtimin e Partisë Socialiste dhe ky është fakt sepse nëse Shqipëria sot është një Shqipëri tjetër, kjo është në radhë të parë puna, vepra dhe merita e familjes së madhe të socialistëve dhe të progresistëve shqiptarë.

Historia e Partisë Socialiste është historia e një transformimi të brendshëm në funksion të një vendi që duhej dhe duhet transformuar dhe Partia Socialiste u bë zëdhënësja e nevojave të vendit dhe një njëkohësisht edhe fuqia që i adresoi ato nevoja.

Sot është e paimagjinueshme që të flitet për një vend në kërkim të një stabiliteti të arsyeshëm, dje nuk ishte kështu. Dje ishte një kërkesë dhe një nevojë themelore vendit për të pasur një stabilitet të arsyeshëm dhe kur Shqipëria pati nevojë për stabilitet ishte Partia Socialiste që e mishëroi dhe e garantoi atë stabilitet.

Kur Shqipëria pati nevojë për t’u ringritur nga rrëzimet e mëdha, ishte Partia Socialiste ajo që e ringriti dhe kur Shqipëria pati nevojë për kurajo për të ndërmarrë reformat e nevojshme, ishte Partia Socialiste ajo që ja dha kurajon dhe i ndërmori reformat e nevojshme. Dhe nëse sot Shqipëria është më pranë se kurrë Bashkimit Europian, ka vetëm një arsye të madhe dhe pastaj vijnë të tjera plot më të vogla, por kjo arsye e madhe është forca, përkushtimi dhe puna e Partisë Socialiste.

Sot ne jemi këtu edhe për mua është i pari takim në një sërë takimesh që kemi planifikuar për 35 vjetorin dhe e çelëm këtë cikël takimesh kremtimi dhe reflektimi këtu në Durrës, jo rastësisht, por sepse Durrësi është shëmbëlltyra e një transformimi të madh që ka në themelin e vet transformimin e vetë Partisë Socialiste nga një forcë e krijuar nga një grup njerëzish kurajoz në një atmosferë negative ndaj tyre dhe ndaj Partisë Socialiste në një forcë që hap pas hapi me vendosmëri, me durim, me organizim, me përkushtim u rrit, e u rrit, e u rrit, e u rrit dhe u kthye në një forcë jo vetëm fituese, por në një forcë dominuese në Durrës, në Krujë dhe në Shijak në të gjithë qarkun e Durrësit.

Në zgjedhjet që lamë pas, ne kemi marrë rezultatin më të mirë historik të Partisë Socialiste në qark, po edhe në Durrës. Për një numër shumë të vogël votash, ne nuk e morëm dot mandatin e 9-të, por ama garantuam një distancë nga kundërshtarët më të madhe se asnjëherë më parë.

Tani natyrisht qe kush nuk është pjesë e kësaj familje të madhe, kush nuk është i përfshirë në këtë rrugëtim tonin, kush nuk ka idenë se çarë do të thotë të jesh pjesë e strukturave, e organizimeve e përgatitjeve e fushatave mund të gjejë lloj justifikimesh pse humb, por kush është pjesë e kësaj familje dhe kush është protagonist i rezultateve tona që nga anëtarët e thjeshtë të partisë në qendrat e votimit, e di shumë mirë se rezultatet tona burojnë nga një punë, një organizim, një përkushtim dhe një besim i jashtëzakonshëm tek vetja, por edhe një vullnet i jashtëzakonshëm për të bërë më të mirën përmes Partisë Socialiste, qoftë për qytetin, qoftë për fshatin, qoftë për atdheun tonë të përbashkët.

Ndodh shpesh që në takimet tona ne ta sjellim si shembull Partinë Socialiste të Durrësit dhe prandaj për këtë shembull që Durrësi ka krijuar unë dua t’i falënderoj absolutisht që të gjithë ata që nuk janë këtu të pranishëm sepse është secili dhe secila prej jush burimi i energjisë së madhe që pastaj transformohet dhe materializohet në një fitore çdoherë e më të madhe për Partinë Socialiste.

Tani qëllon që edhe sot të jetë dita përpara mbledhjes së Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE në Bruksel nesër, ku do të vuloset përmbyllja e fazës hyrëse dhe hapja e fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.

Kjo do të thotë që Shqipëria pasi hapi të gjithë kapitujt për anëtarësim në një kohë rekord, me shpejtësinë më të madhe të regjistruar në të gjitha proceset e integrimeve që na kanë pararendur, tanimë konsiderohet e gatshme për të filluar nga mbyllja e kapitujve të negociatave dhe konferenca e nesërme, zhvillohet ekzaktësisht sipas kalendarit të paravendosur me Komisionin Evropian,me synimin e përbashkët që neegociatat e anëtarësimit të mbyllen brenda vitit 2027.

Prej pak vitesh tanimë, por gjithmonë e më shumë vit pas viti dhe muaj pas muaji, Evropa, BE nuk është një horizont siç jeni mësuar të shihni horizontin matanë detit dhe siç ishin mësuar me dekada ta shihnin Europën dhe BE, por është një majë që tanimë e prekim me sy dhe rrugën drejt së cilës, tanimë e kemi tërësisht të piketuar dhe ndërkohë edhe kohën për ta përshkuar atë rrugë, e kemi të planifikuar dhe jo ne,por ne së bashku me Bashkimin Evropian.

Jemi sot më afër se asnjëherë BE-së dhe si çdo herë edhe këtë herë, përpara sesa të vinte njoftimi zyrtar për thirrjen e konferencës, shqiptarët dëgjuan çfarë nuk dëgjuan nga ata që nuk duan, thjeshtë nuk duan ta shikojnë Shqipërinë në BE, nëse në Bashkimin Evropian, Shqipërinë e anëtarëson Partia Socialiste e Shqipërisë.

Por, duan apo s’duan ata që s’duan, Shqipërinë në BE, do ta anëtarësojë Partia Socialiste e Shqipërisë dhe duan apo s’duan ata që nuk duan, nuk ka asnjë forcë tjetër në Shqipëri që të ketë fuqinë, të ketë vullnetin, të ketë kurajon dhe përkushtimin e mbi të gjitha, të ketë vizionin e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Po të kthehemi në histori dhe të shikojmë Partinë Socialiste të Shqipërisë qysh në krijimin e saj, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe pavarësisht faktit që në krjimin e saj Partia Socialiste nuk ishte një forcë dominuese, është pak, por e sigurtë që PS qysh në krye të herës, e ka shënuar në ADN-në e vet, atë çka e bën Partinë Socialiste një forcë të patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme në skenën politike të Shqipërisë.

E ka të regjistruar në ADN-në e vet, raportin më të drejtë me të shkuarën, si asnjë forcë tjetër, ndërkohë që të tjerët sot e gjithë ditën, vazhdojnë me avazin e lodhur të prejardhjes së PS, Partia Socialiste qysh në themelimin e saj është kujdesur vetë që ta përcaktojë në ADN-në e vet, se është një parti antifashiste,se është një parti liberale dhe se është një parti e lidhur ngushtë me vlerat e asaj Lufte Nacional-Çlirimtare që e vendosi Shqipërinë në krahun e duhur të historisë.

Por, nga ana tjetër, PS e ka po kështu të regjistruar në ADN-në e vet, qysh në hapat e parë edhe raportin me atë pjesë të së shkuarës që lidhet me diktaturën komuniste dhe të tjerët kanë luftuar dhe vazhdojnë luftojnë sot komunistët, jo komunizmin, ndërkohë që PS i ka vlerësuar komunistët për atë që ata kanë qenë dhe ka refuzuar komunizmin për atë që komunizmi ka prodhuar dhe nuk është e rastit që sot e gjithë ditën në anën tjetër, vazhdon dhe mbijeton në krye të asaj që gabimisht quhet opozitë, një mbeturinë e komunizmit; e komunizmit në formën e vet më të neveritshme, e komunizmit që siç e përackton Vaclav Havel “formën e vet më të keqe e ka tek komunisti antikomunist”.

Po ky s’është problemi jonë dhe ne nuk na intereson kjo, thjesht për ilustrim m’u desh ta sjell në vëmendje ndërkohë që PS ka të regjistruar po ashtu, qysh në krye të herës në ADN-në e vet, një raport me interesin kombëtar që e bën të vetmen forcë politike në historinë e këtyre 35 viteve, që për asnjë moment nuk ka ceduar kur ka qenë fjala tek mbrojtja e interesit kombëtar.

Dhe shembulli më ulëritës i këtij fakti, është që ata, të cilët e mallkonin PS në krye të herës, si një parti e Beogradit, ishin po ata që “bekuan” thyerjen e embargos për Slobodan Miloshevicin dhe që bënë para, duke i shitur naftë makinerisë së spastrimit etnik të Slobodan Milosevic ndërkohë që PS ishte ajo që në krye të vendit, qysh në krye të herës, mbështeti pa rezervë në të gjitha format, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Dhe e fundit, Partia Socialiste, duan apo s’duan, ata që s’duan, është partia që mund të krenohet sot për faktin e thjeshtë se ua ka ngritur kokën shqiptarëve në të gjithë botën, pasi për ne, respekti është çështje reciprociteti. Ne mund të jemi një vend i vogël dhe jemi një vend i vogël; ne mund të mos jemi ende një vend i pasur, por sado të mëdhenj sado të pasur janë ata me të cilët ne ndodhemi në hapësirën e përbashkët, në marrëdheniet ndërkombëtare ne i shohim me respekt dhe pretendojmë prej tyre vetëm respekt.

Dhe respekti i krijuar nuk është thjeshtë një çështje pretendimi për të pasur respekt nga tjetri, por është një çështje transformimi, është një çështje transformimi dhe përfaqësimi i një vendi që sot, as nuk krahasohet me asgjë me vendin që ishte përpara sesa PS të merrte detyrën për ta udhëhequr dhe këtu nuk kam parasysh vetëm periudhën për të cilën unë kam pasur dhe kam përgjegjësinë e udhëheqjes.

Kam parasysh edhe periudhën e mëparshme, kur pavarësisht të gjithë atyre që mund të thuhen me sy kritik, si mund të krahasohej Shqipëria e fundosur në humnerën e piramidave, Shqipëria e armatosur në marrëzinë e verbërisë së shkaktuar nga mashtrimi më i madh në historinë bashkëkohore të Europës, i një populli të tërë me Shqipërinë e mëpastajme, e cila nuk kishte si të ishte një Shqipëri pa 1001 gropa dhe boshllëqe, por ishte një Shqipëri që u riangazhua me të ardhmen, u riangazhua me botën dhe riangazhuam veten për të rivendosur rregull në tokën që deri në atë moment dhe ishte bërë humnerë.

Këto raporte të PS me të shkuarën, me interesin kombëtar, me botën vet janë raporte themelore, thelbësore, të cilat janë të shkruara aty në ADN e PS, për të cilat ne duhet të kujdesemi që të mbeten në vëmendjen e të gjithëve dhe duhet të garantojmë që të gjithë ata që vijnë pas, të kujdesen për PS si një aset kombëtar i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm dhe i paçmueshëm.

Ata që flasin për ne, as nuk e kanë idenë se çfarë flasin. Ata që përgatiten për të na u përballur me ne, as nuk e kanë idenë se me kë përgatiten të përballen.
PS nuk është përrua, PS nuk është lum, PS është një oqean që e ngre dallgën çdo herë e më lartë sepse PS është e vetëdijshme për sfidën që ka.

Është e vetëdijshme për malin që duhet ngjitur dhe është e vetëdijshme që këtë sfidë dhe këtë mal për t’u ngjitur nuk ja delegon dot askujt tjetër dhe o e bën PS, Shqipërinë Europë ose Europa nuk e merr kurrë Shqipërinë.

Çfarë nuk thanë për këtë që nesër bëhet një tjetër fakt, ku nuk shkuan e çfarë nuk sajuan e mbi të gjitha për turpin e madh, por turpi është një fjalë që nuk ka lidhje me ta, morën rrugët e me molotov dhe gëzoheshin që fotografitë e kazanëve me plehra që digjeshin apo të flakadanëve që qëllonin mbi kryeministrinë apo mbi xhaminë e madhe dilnin nëpër mediat e botës.

Arritën deri në pikën që nxorën flamujt e Gjermanisë në bulevard, për herë të parë në historinë e pluralizmit – kishim parë flamujt e Amerikës kur thoshin Amerika është me ne, ju kujtohet? Po flamujt e Gjermanisë nuk i kishim parë ndonjëherë që të dilnin në bulevard për të rrezuar qeverinë. Këtej molotovët, këtej flamujt e Gjermanisë dhe e mbushën dynjanë që Gjermania na ka ndëshkuar.

E para, nesër në Bruksel janë të gjithë, është dhe Gjermania.

E dyta, mbas disa ditësh do t’ju coj si përshëndetje një informacion të detajuar nga takimi që do kem me Kancelaren e Gjermanisë. Do ma falni vanitetin, por kjo është një pjesë që edhe më argëton pak dhe duhet të argëtohemi nganjëherë, me argëton pak me ta sepse i bien grepit po njësoj dhe nuk ka nevojë për karrem fare edhe unë kam shumë qejf të them të drejtën kur i shoh që shkojnë te grepi dhe thonë e këputem dhe pastaj e gjejnë veten në grep.

Unë nuk dua të zgjatem më tutje, dua të them vetëm që sot ne përfaqësojmë Shqipërinë me forcën e transformimit, e përfaqësojmë Shqipërinë me forcën e imazhit të transformuar jo thjesht sepse kemi restauruar fasada, as se kemi mundësinë që të paraqitemi me atlete, por sepse ky është nje vend që para një dekada kishte më pak se 10 miliardë euro prodhim, sot ka kaluar 27 miliardë.

Ky është një vend, ku paga mesatare një dekadë me parë ishte e papërfillshme, sot është 912 euro.

Ky është një vend ku paga mesatare në sektorin publik tanimë është 1086 euro. Ky është një vend ku borxhi publik ka zbritur nën 50% dhe të ardhurat janë rritur përsëri e përsëri pa rritur taksën.

Ky është një vend, ku sot kreditë bankare janë 10 miliardë euro, ndërkohë që kreditë e këqija një dekadë më parë ishin 25%, sot janë 3% në nivelin më normal. Ky është një vend, ku investimet e huaja direkte ishin 300 milionë euro, 400 në rastin më të mirë në vit. Vitin e shkuar u mbyllën me 1.63 miliardë euro dhe do vazhdojnë të rriten investimet e huaja, do vazhdojnë të rriten investimet e brendshme, do vazhdojë rruga e transformimit. Dhe në mbyllje, dua të sjell një imazh për rrugën e transformimit, duke u nisur nga plazhi i Durrësit, i cili u bë një territor, ku për shkak të ujërave të zeza mbinin bimë e mbinin pemë nëpër rërë, sot plazhi i Durrësit i është nënshtruar një tjetër transformimi dhe ndërkohë që kemi zgjeruar vijën e rërës, rreth 80% të projektit do të bëjmë dhe zgjerimin tjetër dhe vija e rërës së plazhit të Durrësit do të jetë 100 metra më e gjerë se sa ç‘ishte.

Ndërkohë që, paralelisht me njërën prej studiove më të mëdha të botës kemi planifikuar edhe gjithë rigjenerimin e plazhit me pjesërisht pyllëzimin e tij për ta kthyer në një vijë bregdetare të denjë për ambicien tonë për Durrësin.

Natyrisht që janë dashur disa vite, natyrisht që do të duhen disa vite të tjera, por ajo që ka treguar zhvillimi në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë është se ne nuk kemi ndalur asnjë ditë. Nuk kemi bërë çdo gjë shumë mire, kemi bërë edhe ne gabimet tona, jemi munduar të mësojmë prej tyre, por në fund të ditës bilanci ynë është shumë i thjeshtë, jemi sot më afër ëndrrës së madhe historike të shqiptarëve për t’u bërë më në fund pjesë e barabartë mes barabartësh e familjes europiane, apo jo?

Dhe për sa kohë çdo muaj, ne jemi më afër asaj ëndrre, për aq kohë ne duhet të ndjehemi krenarë për Partinë Socialiste, duhet të ndjehemi edhe më të motivuar për ta çuar përpara projektin e madh transformues të Partisë Socialiste dhe duhet të jemi mbi të gjitha edhe më të bindur se nëse ka sot një front ku mund të japësh diçka më shumë për Shqipërinë, ky është fronti i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Edhe njëherë ju faleminderit shumë dhe do më do më lejoni vetëm që, duke qenë se e filluam takimin me emrat të përveçëm ta mbyll dhe unë me emrat të përveçëm sepse janë dy emra që sot nuk ishin pjesë e protokollit të Blend Klosit, por janë pjesë e patjetërsueshme e transformimit dhe suksesit Partisë Socialiste në Durrës, Ani dhe Luani.

Shumë faleminderit!