35 vjet PS, Shkodër – Krenar për Partinë Socialiste

Kryeminstri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:

Mirë se ju gjeta dhe realisht kur po ngjisnim ato rrugicat e kalasë për të ardhur këtu dhe ndërkohë po më thoshte Enea me Benetin që ka shumë njerëz, thashë a po thonë çfarë dëshirojnë apo thonë çfarë është në realitet se nëse shumë njerëz kanë rezistuar deri në fund të asaj ngjitjeje atëherë i bie që, jo vetëm jemi të forte, por jemi më të fortë se asnjëherë tjetër.

Tani nuk diskutohen që do na hidhen në fyt menjëherë flamengot dhe do thonë “patronazhistët janë mbledhur atje, administrata është mbledhur atje, të gjithë janë mbledhur atje me zor të madh”.

Unë ju falënderoj shumë!

Ju falënderoj shumë për këtë dhe e çmoj shumë realisht mundimin për t’u ngjitur deri këtu së bashku. Një ngjitje që ka qenë jo e lehtë, por patjetër po të marrësh parasysh se nga e kanë nisur ata që e themeluan Partinë Socialiste dhe pastaj nga e kanë nisur ata, që morën guximin në Shkodër ta çelin degën e PS, atëherë besoj që, jo vetëm nuk kemi asnjë arsye për t’u qarë për vështirësitë apo për t’u ndjerë të lodhur nga vështirësitë kur i kemi të gjitha arsyet për të vazhduar të ngjitemi, për të ngjitur Shqipërinë aty në majën ku na e kanë lënë amanet rilindasit tanë dhe aty ku ia kemi borxh fëmijëve tanë, në Bashkimin Europian.

Duke u përpjekur të mbledh disa mendime për të ndarë me ju, po mendoja që pavarësisht se kjo skenë këtu dhe ky shesh është zgjedhur për bukurinë e vet të jashtëzakonshme dhe për hijen e magjishme që ka, gjithsesi më duket sikur sot, pikërisht ky takim na lind në të sotmen, në atë që është edhe legjenda e kësaj kalaje, legjenda e atyre që përpiqeshin të ndërtonin ditën dhe e atij që prishte natën. Ishin vëllezër! Ishin vëllezër dhe ajo legjendë në fakt ka reflektuar në vazhdimësi në jetën shqiptare shekull pas shekulli, ka reflektuar edhe në letrat e shkruara nga mendje të mëdha të kombit tonë, që nga Gjergj Fishta tek Faik Konica e të tjerë, që e kanë pasur të pamundur të mos ta lënë dhe me shkrim që halli më i madh shqiptarit i vjen nga shqiptari. Por, nga ana tjetër, lajmi i mirë për ne është që shumica e shqiptarëve tanimë është shumë e qartë edhe është shumë e vendosur për të çuar deri në fund, këtë mision historic, që fati e ka dashur që të vijë në dorën tonë dhe nderi ynë është që ta çojmë deri në fund.

Ajo është shumicë, ajo është shumicë, nuk është se është e lumtur me çfarë bëhet dhe me çdo gjë që bëhet. Nuk është se është e kënaqur me gjithçka që në jetën e përditshme ndesh. Nuk është se nuk i sheh boshllëqet ende të dukshme të prapambetjes së madhe, nga e cila ne po dalim hap pas hapi.

Nuk është se nuk i sheh dhe nuk i ndjen pengesat që ndesh.

Nuk është se nuk i sheh të gjitha ato probleme që kujtojnë se i shohin më mirë ata, të cilët prej vitesh tanimë, kërkojnë që të na vënë stërkëmbësha dhe në çdo stërkëmbësh ëndërrojnë që ai është stërkëmbëshi vendimtar kur ne më në fund do rrëzohemi. I sheh patjetër, por ndryshe nga ata shumica sheh dhe atë që ata nuk duan ta shohin.

Sheh atë që ne e kemi bërë për Shqipërinë.

Sheh atë që ne kemi bërë për qytetet tona.

Sheh ato që ne kemi bërë për zonat tona rurale.

Sheh atë që kemi bërë për flamurin tonë kombëtar.

Sepse është kollaj të flasësh për flamurin, është edhe më kollaj të marrësh një flamur edhe ta lidhësh në qafë për të bërë patriotin.

Është edhe më kollaj të bërtasësh e të këndosh këngë patriotike, por nuk është aspak e lidhur me patriotizmin, nuk është aspak e lidhur me flamurin, nuk është aspak e lidhur me frymën e atyre këngëve që të gjitha këto, ti t’i përdorësh për të sulmuar dhe për të bërë çmosin që të hedhësh të gjithë baltën e mundshme, të mbledhësh dhe të lëshosh të gjithë gurët e mundshëm ndaj atyre që nuk mendojnë si ti dhe jo vetëm nuk mendojnë si ti, por janë me detyrën e udhëheqjes së vendit, sepse shumica që nuk mendon si ti, ka zgjedhur ata dhe nuk të ka zgjedhur ty.

Kjo nuk është patriotike dhe pastaj ajo që lind vetvetiu si pyetje kur sheh gjithë këtë që po ndodh sot është po çfarë duhen këta patriotët? Se realisht po të përpiqesh t’i dëgjosh çfarë nuk dëgjon.

Ishte një patriot dje, ma çuan, që thoshte “Edi Rama i ka ulur qëllimisht biletat e avionëve për t’i bërë që sa më shumë të marrin avionin dhe të ikin nga Shqipëria”. Çfarë do ky patrioti, që ne të rrisim çmimin e biletave të avionëve tani? Domethënë këtu jemi në një hapësirë ku thuhet gjithçka, po nuk dëgjohet asgjë dhe mbi të gjitha, askush nuk mban asnjë përgjegjësi për atë që thotë.
Shpërthyen papritur ethet ambientaliste të të gjithë “shqiptarëve” në thonjëza të të gjithë shqiptarëve, sepse në fakt janë vetëm ata të cilët thonë “ne jemi Shqipëria, ne jemi populli, ne jemi shqiptarët, çohuni nga kafet, mos rrini ulur”. Ata nuk duan me dit se njerëzit që janë në kafe mund të kenë qenë gjithë ditën në punë. “Jo, mos rrini ulur, hajdeni me ne, për Shqipërinë e re”. Po për ku? Për ku? Si papritur këta u zgjuan një ditë edhe të gjithë u bënë ambientalistë dhe ndërkohë po kërkojnë shpëtimin e Shqipërisë nga unë dhe nga ju.

Ku ishin këta kur në Shqipëri kërciste gjuetia ilegale dhe kur vriteshin përditë zogj e kafshë që normalisht janë specie të mbrojtura.

Ku ishin këta kur Shqipëria kishte në fuqi Ligjin e Importit të Plehrave.

Ku ishin këta kur pyjet ishin bërë vendi ku dëgjohej vetëm një zog, sharra elektrike. Ku ishin këta?

Nuk i kërkon askush llogari atyre që asokohe ishin 10 vjeç, por unë nuk e kam me ta dhe nuk e kam për ta, e kam me ata dhe për ata, të cilët po bëjnë çmos që ta marrin peng dhe ta çojnë në drejtim të paditur atë moment shqetësimi të natyrshëm dhe atë nevojë krejt legjitime të shumë njerëzve qytetarë, që papritur u ndjenë përpara një alarmi, përpara diçkaje që duhet të bëni çmos, të bënin diçka, duhet të dilnin në rrugë, duhet të thoshin ja ku jemi dhe ne për ta ndaluar, sepse papritur morën vesh që ka një plan djallëzor për të shitur Shqipërinë, që një plan djallëzor për të shkatërruar një habitat natyral dhe për të rrafshuar një zonë të mbrojtur e pastaj për të sjellë aty, “ca thoshin palestinezët”, “ca thoshin izraelitet”, “ca thoshin masiv betoni”.

Unë i kuptoj ata, por ama e kuptoj në momentin e parë, i kuptoj në ditën e parë, i kuptoj në ditën e dytë, nuk i kuptojnë më pastaj kur shkojnë mbas berihait dhe kur, ca nga fakti që nuk e dinë, ca nga fakti që nuk duan të dëgjojnë, harrojnë krejt se me kë kanë të bëjnë dhe kur them me kë kanë të bëjnë, kam parasysh ekzaktësisht veten time, qeverinë tonë, shumicën tonë qeverisëse, Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Harrojnë që kanë të bëjnë me një force, të cilën mund ta kritikosh për shumëçka për dje edhe për sot. Po kanë të bëjnë me një forcë, të cilës, kurrë askush, nuk mund te çohet dhe të marrë kurajën t’i tregoj gishtin, si një forcë që ka tradhëtuar ndonjëherë interesin kombëtar, nuk e ka bërë dje, nuk e ka bërë sot dhe nuk mund ta bërë kurrë. Sepse interesi kombëtar ka qenë për Partinë Socialiste qysh në krye të herës një pikë e pa lëvizshme referimi dhe ju këtu, ata që janë më si ta themi të vjetër, si puna ime, e dinë shumë mirë se ne këto ujëra kalonin anijet, barkat, makinat e kontrabandës së naftës që furnizonte makinerinë vrastare të Sllobodan Millosheviç, kalonin këtu dhe kalonin këtu me bekimin e atyre, të cilët ditën flisnin për lirinë e Kosovës, flisnin për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, flisnin kundër diktaturës që po shkatërronte Jugosllavinë, e me radhë e me radhë me gjak, dhe natën furnizonin makinerinë që përdorej kundër të gjithë atyre që donin të shpëtonin nga kthetrat e regjimit fashist në Beograd.

Ndërkohë çfarë thoshin? Thoshin që ishte Partia Socialiste ajo që ishte krijuar nga Beogradi dhe që mbronte interesat e Beogradit. Kjo është e vërteta që historia e tregon sot shumë qartë, ashtu siç historia ka treguar, por nuk i ka treguar të gjitha lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, lidhur me cilët ishin dhe nga cilat forca vinin, ata që e mbështetën pa asnjë një reserve, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë që historia e ka shkruar në publikime, se si këta të tjerët e sulmonin ushtrinë shqiptare të Kosovës, bën çmos që të sabotojnë Rambujenë, i konsideronin ushtarët dhe udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës terroristë haptas në gjuhën shqipe.

Pra, ja sesi historia në momente të caktuara përsëritet në forma të ndryshme dhe për arsye të ndryshme, por që t’i thuash kësaj partie, që t’i thuash kësaj force politike, që t’i thuash kësaj shumice qeverisë se sot, që thuash kësaj qeverie dhe mua në krye të saj, çfarëdo qoftë që ka lidhje me tradhëtinë, duhet të jesh komplet i pafytyrë, pa fytyrë, pa dinë, pa iman, pa fe, dhe pa atdhe.

Mund të flasësh për atdheun sa të duash, por ata që i kanë bërë gjëmat më shumë këtij atdheu dhe çdo atdheu, janë ata, që atdheun e kanë mbajtur në gojë më shumë sesa të tjerët, por atdheu nuk është për t’u mbajtur në gojë me vend e pa vend.

Atdheu është për të mbajtur në zemër dhe atdheu është për të mbajtur në mendje kur ti flet dhe kur ti vepron mbi ato që thua. Se atdheu, të cilin kush e ka pasur më shumë nga të gjithë në historinë e Europës?
Atdheun, në gojë më shumë nga të gjithë në historinë e Europës e kanë pasur ata, që më shumë se kushdo tjetër në historinë e Europës vranë dhe shkatërruan njerëz, popuj dhe shkatërruan vetë Europën, se kështu funksionon.

“Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, është një parullë që ka qenë parulla që frymëzonte dhunën dhe frymëzonte atë hata që i ndodhi një vendi aq të madh dhe me aq shumë tradita sa Gjermania.

“Shqipëria e shqiptarëve vdekja e tradhtarëve, është diçka që sot të çon realisht lëkurën dhe ta bën mishin kokërr, kur i thonë fjalës. Sepse çfarë do na ndodhte ne shqiptarëve sikur italianët të thonin: “Italia është e italianëve, ikni të gjithë kthehuni nga keni ardhur”. Sikur grekët të thonin: “ Greqia është e grekëve, ikni të gjithë, kthehuni andej nga keni ardhur”, dhe kështu me radhë ta bënin të gjithë këtë gjë.

Dhe pastaj kulmi vjen kur na quajnë ne shkatërrimtarë. Domethënë kanë dalë, se më thonë: “shiko se atje kanë dalë dhe njerëz që janë tanët”, shiko se atje kanë dalë dhe njerëz që votojnë për ne”, “shiko se atje kanë dalë dhe vajzat dhe djem që janë vajza dhe djem familjesh që votojnë gjithmonë Partinë Socialiste”. Po çfarë bëjnë akoma sot, atje, nëse janë të tillë dhe nuk dyshoj që janë; mbrojnë Shqipërinë nga unë, nga ju, nga Partia Socialiste, mbrojnë natyrën nga unë, nga ju, nga Partia Socialiste.

Por ne kemi me vete një histori 10 vjeçare e pak më shumë të luftës për të mbrojtur natyrën, nga ata që ishin rreziku më i madh i saj. Ne nuk jemi shkatërrimtarët, ne jemi shpëtimtarët. Sepse duket një fjalë e madhe dhe e tepruar, por po të kishin gojë dhe të flisnit flamingot, që këta po i dalin për zot, do të tregonin historinë e tyrë të hidhur. Ata janë zogj shtegtarë, ata nuk kanë një habitat të përhershëm në Shqipëri; do të tregonin historinë e hidhur se si ata nuk vinin në Shqipëri, sepse i priste çiftja, i priste pushka, e atyre që bënin stërvitje, stërviteshin për të marrë shënjestër dhe vrisnin zogj.

Sikur pelikani kaçurel të çohet dhe të tregojë historinë e tij me Shqipërinë, me parkun kombëtar të Divjakës, atëherë sigurisht që do t’ju tregonte të tërëve se sot, pelikani kaçurel është një specie e mbrotjur që qëndron dhe shtohet në Shqpëri, ndërkohë që përpara ndalimit të gjuetisë, moratoriumit 10-vjeçar që ne bëmë, edhe pelikani kaçurel ishte shënjestër.

Sikur të shikohen të gjitha numrat e popullsisë së shpendëve dhe të kafshëve që ka sot Shqipëria krahasimisht me çfarë kishte kur kërciste pushka në çdo pyll e në çdo lagunë, atëherë do të shikohet shumë qartë që ne sot kemi një popullsi, një faunë të ripërtërirë; sikur të shikohen sot pyjet, ne i kemi dhe do t’jua bëjmë me dije kujtdo, që është i interesuar, sikur të shikohet sot Shqipëria nga lart, të shikohen fotot satelitore të Shqipërisë, ato të atëhershme dhe ato të tanishmet.

Kemi bërë 10 vjet ne, moratorium për mos prerje pyjesh. 10 vjet. Po plehrat kush ishte që u mblodh në Parlament edhe shfuqizoi importin e plerave sapo mori mandatin nga populli? Partia Socialiste.
Tani ne dalim shkatërrimtarët, po për të na vënë këtë akuzë, duhet të na tregojnë çfarë shkatërruam?
Shkatërruam Shkodrën që sot pas kaq shumë vitesh e mbetur si dele e zezë, jashtë të gjithë bashkësisë së qyteteve, po merr frymë edhe është bërë një destinacion turistik, që vetëm rritet vit pas viti.
Rritet vit pas viti si destinacion turistik dhe pastaj sjell vit pas viti më shumë të ardhura për ata që kanë aktivitetet e tyre këtu; shkatërruam Vlorën apo shkatërruam Tiranën? Kë shkatërruam?
Shkatërruam rrugët që të çojnë në thellësi të maleve dhe ku i dhamë mundësi njerëzve edhe në Malësi të Madhe, edhe lart në Theth, edhe në Valbonë, edhe në Lurë së fundmi, e kështu me radhë që të jetojnë dhe të bëjnë lekë dhe të duan të kthehen gjithmonë e më shumë.
Po me Paketën e Maleve ça kanë ata, se ja, këtu jemi,këtu është Tonini, kryetari i bashkisë.
Këtu me siguri janë dhe disa nga Malësia e Madhe dhe sa herë jemi ulur dhe sa herë është thënë në të gjitha takimet, që “na zgjidhni çështjen e marrëdhënies së investimit me pronën, ne nuk e kemi njohur 7501-shin, nuk e duam 7501-shin, i kemi ndarë tokat sipas kufijve të parë, kemi dakordësi me njëri –tjetrin, por as nuk bëjmë dot investim se s’marrim dot leje, as nuk marrim dot subvencion për të bërë një fermë apo për çfarëdoqoftë se s’kemi letrat e tokës dhe as nuk kemi shans që t’i drejtohemi fondeve të BE apo edhe bankave, qoftë sepse nuk na jep njeri kredi’’ dhe ne kemi zgjidhur këtë me Paketën e Maleve. Këta do vijnë ta marrin oligarkët, këta thonë “ta mbrojmë Shqipërinë nga të huajt’’. Këta thonë “ta shpëtojmë Shqipërinë nga Paketa e Maleve’’.
Pra, këta thonë që emigrantët, të cilët duan të investojnë kursimet e tyre në të gjitha ato zona, të cilat janë zona, ku ata kanë pronat e stërgjyshërve, por nuk e kanë njohur 7501-shin, duhet ta harrojnë që ta bëjnë këtë gjë sepse nuk ka për ta, asnjë zgjidhje tjetër përveçse të futen tek 7501.
Kështu thonë këta. Ka kohë më Shqipëria të humbasë me këto broçkulla e me këto pallavra?
Po si mund të humbasë kohë Shqipëria ndërkohë që ja ku është këtu, se shumë nga ju Malin e Zi nuk e keni një emër në hartën e Ballkanit, as nuk e keni thjesht një vend ku keni shkuar 2 herë, por e keni një vend ku keni hyrë e keni dalë qysh nga viti 1991. Tani kujtojeni pak Malin e ZI si ishte në ‘91 dhe shikojeni si është sot. Pse nuk jemi dhe ne sot ashtu, akoma? Dhe pse nuk duan që të na lënë jo ashtu, po të jemi ku e ku më mirë se ashtu, sepse duhet të nxjerrim të huajt jashtë? Sepse duhet ta bëjmë Shqipërinë? Çfarë duhet ta bëjmë Shqipërinë? Rezervat për blogera dhe për influencera?
Se më thoshin “po ça bëre ashtu dje” Si ça bëra ashtu dje? Më tregonte një nga ato punonjësit e rinj: “Ishte njëra te kulla Eifel, te kulla Eifel e kishte bërë një foto kështu edhe dukej tre herë më e gjatë se unë’’, aq sa kur e pashë, thashë po më bie kështu sipër, edhe thoshte “shyqyr u hap koha në Paris”.
Natyrisht, nëqoftëse ti i ke te gjitha mundësitë të shkosh çdo fundjavë sa në Paris e sa n’Dubai, e sa ku e di unë ku, ty për hajër të daltë, po ti nuk ke pse t’i thuash shqiptarëve që “atje e dua komplet të virgjër bregun e detit; atje nuk dua të shoh asnjë ndërtim, atje dua rërën, dua flamingot, dua dhe pemët se atje do dal me bikini dhe bikini dhe do dal kështu në profil’’.
Kjo tjetra kishte një stil tjetër, para se të fliste për natyrën dhe për flamingot, edhe për “Shporru, Edi Rama’’, kjo nxirrte kremëra, që ti kur futesh atje që të bësh solidaritet me zogjtë, kapje dhe ndonjë krem që i bënte reklamë kjo, kremëra fytyre. Dakord, shumë mirë, unë kam shumë respekt për të gjithë ata që e bëjnë fytyrën me krem po Shqipërinë nga çfarë duan ta mbrojnë këta? Rrezikun e Shqipërisë ku e shohin këta? Kjo është gjëja që pyes unë dhe si munden këta t’i kthehen Partisë Socialiste, t’i kthehen qeverisë, t’i kthehen vullnetit të të gjithë atyre njerëzve që kanë votuar.
Ndërkohë që, ja ku është këtu drejtuesi politik i Shkodrës, ne ishim ata që nxorrëm Shqipërinë nga një errësirë ekstreme, ku kërciste gjeneratori në të katër anët. Imagjinoni këto atëherë, duke bërë nga këto Reels me gjeneratorin këtu poshtë grrrrr edhe duke dalë kështu thua çfarë po luan, grrrr, grrrrrr edhe s’bëheshin dot, po këto video e këto selfie e këto foto e këto të gjitha bëhen në këtë Shqipëri, bëhen në këto qytete, natyrisht edhe ne këtë natyrë e duhet pak me e pas kujtesën më të gjatë, sesa postimi i fundit që sheh se nuk ecet kështu.
Nuk shkohet kështu përpara dhe nuk punohet kështu mbi të gjitha.
Ne jemi vërtetë një forcë e përsëris që nuk kemi asnjë arsye që të pretendojmë se kemi bërë çdo gjë mirë, por ama askush nuk mund të dali dhe të thotë që ne jemi tradhëtarë, që ne jemi shkatërrimtarë, sepse ne jemi patriotë dhe jemi shpëtimtarë.
Mjafton të mendosh se sa mijëra e mijëra njerëz i shpëtuam nga vetmia nën qiell të hapur edhe nga gërmadhat e jetës së tyre që ju shkatërrua për 30 sekonda kur ra tërmeti.

Ashtu sikundër, mjafton të kthesh kokën pas edhe të shohësh se çfarë ishte Shqipëria.

Sot mua më vjen shumë mirë që i shoh vajza e djem që dalin me flamuj në Milano, në Bruksel.

Po i parfytyroni ju shqiptarët para 10 vjetësh duke dalë si zogj kudo të lirë, por më shumë se të lirë krenar, me shumë sesa krenar të sigurtë, sepse nuk i sheh më njeri si dele të zeza.

Nuk shkojnë t’i kapi policia t’i thotë hajde këtu se juve çfarë keni bërë, ku jeni, dokumentat me çfarë merreni? Po si ndodhi kjo apo e solli koha, me Fevziun?

Si ndodhi kjo?

Kjo ndodhi sepse këtë e solli puna jonë me të gjithë ata shqiptarë që na kanë besuar dhe që nuk i kemi tradhëtuar asnjëherë. I thashë një personazhi kishte dalë dhe ai, atë e njoh. Ore i thashë më hiq një kuriozitet. Pse dole? Pse dole mo vëlla? Pse del? Ç’ke? Çfarë shqetësimi ke? Hajde se ti ke muhabet pyet. Hajde më pyet. Çfarë shqetësimi ke? Ç’po ndodh këtu? Ta shpjegoj unë pastaj, po s’besove dil.

Po jo burrë tashi le, se s’është punë ambienti ajo, po ti ç ke? Po shiko se ata kanë shqetësim. Ata i kuptoj ti çfarë ke? Ti çfarë ke mo vëlla?

Jo tha, – shiko tani – tha unë kam vëlla Instagramin, po aty bëhet nami me like me followers si t’i lej unë ata. Këta rrinë, dalin atje që të marrin më shumë followers, më shumë “like” nga këto se është konkurrencë atje shkojnë të mbledhin misër atje.

A e kuptoni se ku jemi?

Dhe unë nuk dua fare të them që s’ka arsye për të protestuar sot në Shqipëri.

Patjetër që ka arsye për të protestuar, por mbi të gjitha sot në Shqipëri ka arsye për të punuar.

Patjetër ka arsye për të protestuar, por mbi të gjitha ka arsye për të ndërtuar.

Patjetër ka arsye për të protestuar, por mbi të gjitha, ka arsye për t’u bashkuar sepse dera që na është hapur për të hyrë në fund në atë shtëpi ku përfundimisht shqiptarët do jenë të barabartë, jo vetëm me zakon, por edhe me ligj. Jo vetëm me ligj, por dhe me zakon, është një derë që ne nuk mund ta lejojmë kurrë që ta mbylli po shqiptari.

Atë që kemi ndërtuar në gjithë këto vite, ne nuk mund ta lejojmë kurrë që të bëhet si kalaja e Rozafës. Dhe të gjithë atyre që e kanë seriozisht shqetësimin për mjedisin, që e kanë seriozisht shqetësimin për Zvërnecin, që e kanë seriozisht shqetësimin për mënyrën si do zhvillohet Shqipëria nesër, ju them, bujrum, dëgjoni argumentat, bujrum të ndajmë bashkë faktet.

Ju nuk mund të thoni “anullo projektin” kur projekti është duke u punuar dhe projektin nuk po e punojnë influencerat me blogerat edhe me ca të tjerë që bëjnë sikur i dinë të gjitha dhe s’dinë asgjë.

Projektin po e punojnë një grup i madh njerëzish dhe projekti nuk do të vijë në Shqipëri as për të shkatërruar Shqipërinë dhe as për të lënë fytyrën këtu dhe reputacionin këtu ai grupi investitorësh që mund të shkonte dhe mund ta bënte ku të donte projektin dhe edhe nesër mund të iki mund ta bëjë ku të dojë.

Po e hëngrëm njëherë ne, që na iku investitori nga Durrësi, shkoi dhe bëri Port of Montenegro, që do ishte Port of Duraco edhe urdhëro tani ne duhet të gjëmojmë Malin e Zi akoma sepse ja bëmë vetes.

Jo, nëse do duam të flasim për projektin, flasim për projektin, po duhet durim kur projekti të prezantohet.

Duam të flasim për si do mbrohet mjedisi, flasim si do mbrohet mjedisi, por duhet durim për të parë se si ata që do vijnë për të bërë projektin do tregojnë dhe si do mbrojnë mjedisin, si do flasim kështu në ‘hatla’ dhe do ta lëmë Shqipërinë.

Shqipëria, sot ka 27 miliardë e diçka më shumë euro prodhimin e vetë kombëtar dhe ne do i themi: “jo, ne nuk na duhen 4 miliardë euro, s’na duhen”.

Po kur thoshin disa, nuk na duhen ato mbajeni vetë ato, ne nuk na duhen. Po çfarë të duhet ty, çfarë do ti? Çfarë të duhet ty? Në qoftë se nuk të duhet ty, i duhet popullit shqiptar. Në qoftë se nuk i duhet një pjese që, as kuptojnë se çfarë flasin, i duhet të gjithë pjesës tjetër dhe i duhet nesër edhe atyre që s’kuptojnë çfarë flasin, siç ju desh stadiumi, se dolën atje protestonin te stadiumi që po prishej ajo ‘hale’ atje që quhej stadium kombëtar, dhe pastaj kur u bë stadiumi që erdhi edhe finalja e konferencës, e ligës finale europiane vinin atje edhe me kapele, kështu që, mos dukeshin se kishin dalë kundër.

Nuk ka asnjë projekt të madh, nuk ka asnjë ide të madhe, nuk ka asnjë ëndërr të madhe që nuk ndesh në kundërshti të madhe, por ama nga ana tjetër nuk ka asnjë kundërshti të madhe që ndalon Partinë Socialiste.

Unë dua t’ju falenderoj sinqerisht që morët mundimin, bëtë gjithë këtë ngjitje këtu në kala. Uroj shumë që të bëjmë shumë më tepër edhe për Shkodrën. Shkodra tani po hyn në një fazë tjetër, por ajo që është më e rëndësishmja është që duhet të gjithë së bashku të bëjmë çdo gjë që këtu në këtë vend të sjellim sa më shumë sa më shumë fonde të mëdha për investime të mëdha.

Të gjitha vendet maten me sa e kanë volumin e investimeve të huaja. Të gjitha vendet. Këta thonë nuk duam të huaj ne. Po çfarë doni ju? Çfarë doni ju? Se do vijë një moment që edhe flamingot do mërziten, do ikin fare, po qe se kjo punë u bë nga kështu. Të jeni të bindur që jemi, jo vetëm në rrugën e duhur, por kemi me vete të drejtën dhe jo vetëm të drejtën që na jep vota e popullit shqiptar më bindëse se asnjëherë tjetër, por të drejtën që na jep misioni ynë historik. Asgjë më fisnike se ky mision s’ka që ne brenda kësaj periudhe, brenda kësaj dekade ta përmbushim një ëndërr të madhe, ta përmbushim një amanet të madh dhe ta bëjmë Shqipërinë vendin, ku askush më nuk do të ndjehet as i përjashtuar nga Europa dhe as i nëpërkëmbur nga Europa, po gjithkush do të ndjehet, jo vetëm shpirtërisht, por edhe ligjërisht qytetar i barabartë i Bashkimit Europian.

Shumë faleminderit!