The Socialist Party of Albania

Edi Rama

Edi Rama është lindur në Tiranë, më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me Linda Ramën dhe kanë tre fëmijë, Gregun, Rean dhe Zahon.

Edi Rama ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave “Refleksione” në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe “Kurban”, botuar në vitin 2011, i përkthyer në turqisht, serbisht e rumanisht. Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë.

Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve.

Pas një largimi disavjeçar jashtë Shqipërie, ku iu përkushtua jetës artistike, por kritik aktiv në shtyp i qeverisjes së parë post-komuniste, Edi Rama hyri në politikë si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998. Gjatë periudhës që drejtoi këtë ministri, ai fitoi mbështetjen dhe vlerësimin e publikut shqiptar për mënyrën kreative dhe të efektshme të promovimit të artit dhe kulturës në vend.

Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Pas fitores, ai ndërmori një fushatë transformimi dhe rigjenerimi të kryeqytetit, duke rikthyer hapësirat publike të pastruara nga ndërtimet pa leje, duke shtuar hapësirat e gjelbra dhe përgjithësisht duke sjellë një vizion dhe frymë të re administrimi të punëve të kryeqytetit. Nën lidershipin e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një institucion modern evropian. Projektet e tij për futjen e ngjyrës në hapësirën publike përmes fasadave të rrënuara të banesave popullore të periudhës komuniste, rehabilitimi i shtratit të Lumit Lana, shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra në kryeqytet dhe rindërtimi me standarde të reja projektimi i rrjetit rrugor të Tiranës janë vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ku mund të përmenden, World Mayor Award (2004) dhe European Hero Award i revistës Time. Edi Rama u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007 dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë.

Në vitin 2005, Edi Rama u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi gjatë viteve të vështira në opozitë dhe në fitoren plebishitare të 23 qershorit 2013. Nën drejtimin e Ramës si Kryeministër, Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2014.

Nën këtë lidership nisi zbatimi i një reforme epokale në sistemin e drejtësisë, reformë që do të pastrojë nga sistemi të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që nuk mund të shpjegojnë burimin e pasurisë së tyre apo që kanë dhënë vendime arbitrare në të shkuarën. Gjithashtu, në periudhën 2013-17, u zbatuan një numër reformash të tjera thelbësore, si reforma në sektorin e energjisë elektrike, ajo e skemës së pensioneve, reforma administrativo-territoriale, reforma në administratën publike, etj.

Një prej treguesve më pozitivë, gjatë mandatit të parë të qeverisë “Rama” ishte nxjerrja nga puna në të zezë e punësimi real i më shumë se 200 mijë shqiptarëve dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike, nga niveli thuajse zero i gjetur në 2013-n, në mbi 3,5%. Institucionet ndërkombëtare vlerësojnë se rritja ekonomike do të kalojë barrierën e 5%, deri në 2020-n..

Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Edi Rama udhëhoqi socialistët drejt një mandati të dytë qeverisës. Pas rezultatit të thellë të shënuar në zgjedhje, për herë të parë në 25 vjet, një forcë politike do të drejtojë e vetme vendin, pa pasur nevojën e formimit të një koalicioni qeverisës.