Kryetari i PSSH Edi Rama në takimin me gratë dhe vajzat socialiste të qytetit të Korçës:
Shumë faleminderit! Është jo vetëm kënaqësi, por është dhe një nder i veçantë kjo mikpritje e jashtëzakonshme këtu e grave dhe vajzave të Korçës dhe doja të ndaja me ju një shqetësim, sepse sot posaçërisht kam pasur disa ankesa dhe mesazhe nga disa burra, shokë partie që janë shqetësuar pse unë lavdëroj gratë dhe sipas tyre iu bie burrave.
Edhe dikush që më shkruante, përpara se të vija këtu, thoshte, po çfarë ke mo burrë i dheut, ti gratë lavdëroji sa të duash. Po ne gratë i kemi, po duke i rënë burrave, do na ikin burrat.
Unë nuk e di si mendoni ju. Unë personalisht mendoj që ata burra që na ikin se nuk kuptojnë pse gratë duhen lëvduar më shumë, nuk na duhen, e para.
E dyta unë nuk shaj burrat. Absolutisht jo. Kurrë! Po pse ma shkel syrin, apo?!- Burrin tënd vetëm ti ke të drejtë ta shash. As unë, as askush tjetër kur vjen vonë, pasi ka dalë dhe është kapardisur nëpër kafene që ai është ai që vendos, vjen te dera me kokën ulur, jep llogari, por e vërteta është kjo, unë nuk shaj burrat, unë mendoj kështu.
Sot është fakt që Partinë Socialiste në rang vendi e mbështesin 56% e grave dhe e vajzave. Ka qarqe që kjo mbështetje shkon deri në 65%. Kjo do të thotë, që kur vjen puna te burrat në rang vendi, diferenca është shumë e vogël. Unë them që ata burra, të cilët njësoj si shumica dërrmuese e grave, mbështesin Partinë Socialiste, janë, jo vetëm të zotë në punën e tyre, por janë dhe mendje hapur, por janë dhe të mençur politikisht. Kurse ata burra që rrinë dhe pllaquriten në kënetë, ata mund të jenë shumë të zotë në punën e tyre, por për mua janë çyrykë. Politikisht çyrykë. Nuk i duhen askujt. Dhe nëse mërziten, më vjen keq, por unë nuk mërzitem.
Unë besoj që kjo që Partia Socialiste ka bërë për Shqipërinë në këto vite, na jep shumë arsye për të qenë krenarë, por arsyeja për mua, kryesore, për të qenë krenar është se kjo parti ka bërë një detyrë të madhe, kombëtare dhe shoqërore, duke krijuar hapësira që deri dje grave ose i kishin shumë të ngushta, ose ju mungonin fare. Dhe kjo nuk është një çështje bukurie vetëm, se dhe bukuria është e rëndësishme, apo jo?! Shikoji këta të 4 këtu, shiko këta të 4, shiko të gjithë çfarë vijnë mbrapa, kë zgjedh, më thuaj? Shikoji, shikoji. Për bukuri. Kë të kapësh dhe kë të lësh nga këta. Kështu që, bukuria është shumë e rëndësishme, por nuk është vetëm çështje bukurie. Është çështje virtytesh dhe aftësish e mbi të gjitha çështje vullnetesh.
Gratë duke pasur më shumë mundësi, kanë bërë të mundur që vendi të ketë më shumë mundësi. Gratë duke pasur më shumë mundësi, kanë bërë të mundur që për të gjithë të rriten mundësitë, sepse përfshirja e grave në vendimmarrje ka rritur përgjegjshmërinë dhe cilësinë e vendimmarrjes.
Ne kur kemi nisur këtë rrugë, le një herë që kishte zona të tëra, organizata të tëra dhe nuk kishte asnjë grua. Fare! Dhe kur i pyesja, ku i keni grate? “S’ka gra këtu shef”. “Si ore nuk ka gra?!” Kush ju ushqen, kush ju lan, kush ju pastron?! Aaa, aaa s’kemi gra këtu ne. Dhe në total në Partinë Socialiste kishte më pak se 15% gra dhe vajza, turp i madh.
Sot janë 40% gra dhe vajza. Por unë mendoj që ne, ju nuk duhet të ndalemi këtu.
Ne nuk duhet të ndalemi deri kur Partia Socialiste të ketë një grua më shumë! Një! 50 mijë gra dhe vajza duhet të jetë objektivi ynë, pra janë dhe 10 mijë që duhen shtuar dhe 1 më shumë sesa burra dhe djem. Se bëhet puna më mirë, e kupton? Bëhet puna më mirë! Bëni një provë, mbyllini sytë për një moment, dhe parafytyroni sikur ju të gjitha të ikni nga Korça një muaj. Gjithë gratë e Korçës të ikin. Mbyllni telefonat dhe lërini ata këtu, një muaj! E imagjinoni kur të ktheheni çfarë do gjeni? Çfarë do të gjeni? Njerëz me flokë deri këtu, duke ardhur vërdallë nëpër Korçë. Po sikur të ikin ata, e të rrini ju, çfarë ndodh? Ja u them unë çfarë ndodh. Jo asgjë, jo. Ja u them unë çfarë ndodh. Nuk ka më asnjë të dehur në asnjë orë të natës në Korçë. Nuk dëgjon për asnjë sherr. Asgjë, asgjë fare. Asgjë nuk ndodh. Gjithë të mirat ndodhin. Nuk humbet më asnjë qindarkë në bixhoz në Korçë. Kështu që, të gjitha këto janë arsye për të kuptuar dhe unë besoj dhe një gjë tjetër, që të gjithë burrat dhe djemtë e mençur padiskutim që e kuptojnë, e besojnë dhe e mbështesin nevojën për të pasur në krah gratë dhe vajzat. Prandaj dhe unë kam shumë besim që dhe rritja e rezultateve tona, ka ardhur si rezultat i rritjes së pjesëmarrjes, të angazhimit dhe të fuqisë së grave dhe të vajzave.
Ju sot, keni 71 përfaqësueset tuaja në skuadrën tonë për në kuvendin e ardhshëm, por më e bukura është që në listat e mbyllura, 52% janë gra dhe vajza. Kjo ka qenë një rrugë jo e lehtë, ka qenë një rrug e gjatë, ka qenë një përpjekje e madhe. Shikoni si e kemi filluar. Në këshillat bashkiakë, ne kemi filluar në 2011 me 12% gra dhe vajza, në 2015 35% gra dhe vajza, në 2019 43% gra dhe vajza, në 2023 50% gra dhe vajza.
Sot, në administratën tonë publike gratë dhe vajzat janë më shumë sesa gjysma dhe në drejtim në administratën tonë publike më shumë se gjysma janë gra dhe vajza.
Sot në negociatat me BE ku janë të përfshirë rreth 1000 vetë, 1000 vetë në anën tonë, 1000 vetë në anën e tyre shumica dërrmuese janë gra dhe vajza dhe kryenegociatorja, zëvendës kryenegociatorja janë njëra grua dhe tjetra vajzë. Po ka dhe diçka tjetër që mua më gëzon.
Sot numri i grave që drejtojnë ndërmarrjet aktive në Republikën e Shqipërisë ka arritur në 30%.
E kam thënë dhe herë tjetër, nuk e di nëse ne do arrinim ta mbyllnim Tik-Tok nëse nuk do të kishim mbështetjen absolute të grave dhe nëse do ishte vetëm muhabet burrash kam frikë se nuk do kishte kaq shumë mbështetje mbyllja dhe marrja në mbrojtje e fëmijeve nga kanosja që i bën Tik-Tok.
Nga ana tjetër, unë besoj që ne nuk duhet të ndalemi dhe jo vetëm në rritjen e numrit të grave dhe vajzave në PS. Ne kemi bërë një risi tjetër absolute në politikën shqiptare, ku kemi përcaktuar në statut që organizatat e PS drejtohen nga burra dhe djem dhe nga gra dhe vajza.
Dhe sot në 95%-96% të organizatave ne kemi drejtuese gra ose vajza. Por duhet të shkojmë më tutje dhe duhet të bëjmë më shumë jo thjeshtë për t’i promovuar gratë dhe vajzat dhe për t’u dhënë atyre detyra e për t’i bërë ato pjesë të vendimmarrjes, por edhe për të shfrytëzuar këtë fuqi kaq të ekuilibruar vendimmarrëse mes burrave dhe grave për të bërë shumë më tepër për gratë dhe vajzat në shoqëri, për të bërë shumë më tepër siç kemi bërë për afro 10 mijë nëna të papuna, me tre ose më shumë fëmijë për të cilat kemi shpenzuar deri tani 25 milionë euro që t’ju paguajmë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore që ato nuk shkojnë dot në punë për shkak të fëmijëve të vegjël, por ama të mos iu mungojë pensioni.
Siç kemi bërë me bonusin e bebes nga i cili kanë përfituar 277 mijë fëmije bebe, por tani do të shkojmë një hap më tutje. Nuk do ta japim më bonusin e bebes me një dorë një çek ditën e lindjes, por do ta shtrijmë si një mbështetje financiare për nënat çdo muaj sipas numrit të fëmijëve.
Po ashtu, kemi bërë gati programin e garancisë për fëmijët. Një program, i cili synon, me mbështetjen dhe në bashkëpunim me BE që të mbështesë 100 mijë fëmijë për nevoja të ndryshme.
Ne duhet të shkojmë më tutje, duke mbështetur nënat e fëmijëve me aftësi speciale, e fëmijëve autikë, e fëmijëve që kanë nevojë për nënën gjatë gjithë kohës dhe e dyfishuar mbështetjen financiare për to.
Po ashtu, ne kemi nevojë të bëjmë më shumë edhe për të gjitha shërbimet shëndetësore për gratë, edhe për nxitjen e punësimit të grave, edhe për nxitjen e pjesëmarrjes së vajzave ta talentuara në programet e financimit të Start up-eve. Numri i tyre po rritet në mënyrë të vazhdueshme. Edhe për nënat rome, për fëmijët e tyre duhet të bëjmë më shumë.
Sot japim 3500 bursa për fëmijë që vijnë nga familje në ndihmë ekonomike dhe për shumë prej tyre që vijnë nga familje egjiptiane dhe rome dhe unë jam shumë krenar që për herë të parë PS bëhet promotore e një kandidature nga komuniteti rom, një vajzë nga Delvina, e shkëlqyer, e cila përfaqëson gratë dhe vajzat e margjinalizuara, e cila, jo vetëm që mund të jetë një zë shumë i nevojshëm në Kuvendin e Shqipërisë, por të jeni të sigurta që në rast se nuk do jetë në Kuvendin e Shqipërisë patjetër që do të jetë një zë në qeverisjen tonë mandatit të ardhshëm.
Ne kemi nevojë t’i mbështesim nënat më shumë për të rritur sigurinë për fëmijët.
Kjo është diçka që është e një rëndësie themelore dhe për këtë arsye, ne po nisim shumë shpejtë investimet, e kemi dakordësuar me qeverinë e Emirateve të Bashkuara për të vendosur në çdo shkollë kamerat inteligjente, por jo në oborrin e shkollës, por në çdo klasë, në mënyrë që çdo nënë kur do të shikojë sjelljen e fëmijës së vet edhe brenda në klasë të ketë mundësi ta shohë.
Ashtu sikundër, ne duhet të fillojmë me një program të ri, program që do ta nisim nga qytetet qendra qarku, domethënë nga Korça për të dhënë vaktin e drekës në shkollë për fëmijët, në mënyrë që nënat të çlirohen nga barra që duhet të lënë punën, të shkojnë të marrin fëmijët, duhet ti thonë burrit “ik lër punën, shko merr djalin, shko merr vajzën” dhe kështu të ketë dita e fëmijës një vazhdimësi: mësim, ushqim, detyrat e shtëpisë në shkollë, e kështu me radhë
Kemi hapur ose më saktë kemi rihapur faqen e mbyllur për shumë vite të sportit për fëmijët në shkollë. Kemi 12 mijë fëmije, vajza dhe djem, nxënës, nxënëse të angazhuar në lëvizjen sportive në shkolla, në skuadrat e volejbollit, në skuadrat e basketbollit, por tani ka ardhur koha ta shtrimë më tutje, ta shtrijmë më tutje dhe me disiplina të tjera se vjen njeriu në Korçë dhe i del Sotiraqi me kostum allafrënga, ku je Sotiraq apo s’ka ardhur fare? Shih, ke nxjerrë këmishën jashtë për tu dukur si trendi tani. Po lere se s’të shkon këmisha jashtë ty, lëre tani se ti je për okllainë. Të vjen Sotiraqi dhe thotë “kryeministër ne mirë jemi për këto lojërat me dorë, por ne jemi vendi i tenisit”, thotë. Ç‘faj kemi ne, ç‘faj ka Korça thotë që të tjerët nuk kanë haber nga tenisi. Ne kemi gjithë ata lojtarë të vegjël tenisi, vajza e djem, si do ja bëjmë!
Kështu që duhet të shtojmë numrin e disiplinave sportive në shkollë, ku sipas karakteristikave dhe nevojave, bashkitë të mund të përfshijnë fëmijë të tjerë në aktivitete të ndryshme. Por tani, të gjitha këto dhe të tjera si këto patjetër që janë shumë të rëndësishme, pa diskutim që ne do të vazhdojmë të bëjmë shumë për Korçën, edhe për Pogradecin dhe po mendoja Korça është grua, Pogradeci është burrë.
Korça shikojeni sa interesante, Korça është e vetmja grua që për të mbretëruar mes burrave ka Pogradecin, Maliqin, Devollin, Pustecin dhe ka mbajtur Kolonjën në krahë për të shkuar e për tu marrë pak me si po ecin burrat. Fati i Pogradecit është Korça dhe fati i Korçës është Pogradeci se i ka zgjedhur mirë Korça, i ka zgjedhur mirë burrat rreth e rrotull.
Patjetër që do të bëjmë shumë për të gjitha këto bashki, për të gjithë këtë qark por ama një gjë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku përtej punëve të 4 viteve të ardhshme sepse ka zgjedhje dhe shumica e zgjedhjeve janë zgjedhje kur njerëzit shkojnë për të votuar, për të vendosur kë ata dëshirojnë t’i qeverisë 4 vitet e ardhshme, për këtë e për atë dhe ka ndonjëherë zgjedhje në të cilat njerëzit nuk vendosin thjesht se kush do t’i qeverisë në 4 vitet e ardhshme por vendosin e cila do jetë historia e vendit të tyre dhe 11 maji nuk është një takim elektoral mes partish dhe mes mbështetësish partish, 11 maji është, në radhë të parë, takimi I shqiptarëve dhe shqiptareve me historinë.
Kam parë me kuriozitet çfarë ka ndodhur në mars të ‘92-shit edhe këtu në qarkun e Korçës. Të tërë kanë votuan masivisht Partinë Demokratike. Nuk e kam pyetur ndonjëherë Nikon por jam I bindur që edhe Niko Partinë Demokratike ka votuar në mars të ’92-shit, siç edhe Xhakolli nuk diskutohet, këta të dy nuk I diskutoj fare. Gëzimi nuk besoj, nuk besoj. Gëzimi ka qenë tek ajo pakica e luhatur ndërkohë që shumica dërrmuese e shqiptarëve, shumë njerëz si Niko, si Iliri e sit ë tjerë që nuk kanë qenë me Partinë Demokratike në kuptimin simpatizantë, mbështetës partiakë, në 22 mars shkuan dhe votuan masivisht për Partinë Demokratike. Pse? Sepse ishte koha dhe momenti i duhur historik për të bërë një zgjedhje që i vinte përfundimisht kapakun një historie të shkuar dhe hapte faqen e një historie të re të Shqipërisë. Aq e vërtetë është kjo saqë 6 muaj a nuk e di s amë mbrapa, në verë, kur u bënë zgjedhjet vendore, shumica votoi kundër Partisë Demokratike por ama e kishte mbyllur kapitullin me historinë, e kishte ndarë që sistemi i shkuar ishte e shkuara dhe Europa ishte e ardhmja.
Në 11 maj zgjedhja është shumë e ngjashme, në 11 maj zgjedhja është mes interesit të një populli dhe kombit të tërë dhe hallit të një njeriu të vetëm qw është mes të mirës të përbashkët të një populli të tërë dhe interesit të një familjeje të vetme, është midis Shqipërisë me BE-në në Europë apo me kënetën dhe me bufin e kënetës prapë në gropë se kjo ka ndodhur për hir të vërtetës dhe kjo zgjedhje është shumë e qartë sepse sot për herë të parë qysh nga rënia e komunizmit, Bashkimi Europian nuk mjaftohet duke thënë “një ditë ju do jeni pjesë e jona”, por ka hapur derën duke thënë “Të mbyllim negociatat deri në 2027 që ju të vini dhe të bëheni pjesë e jona”. Pra, për herë të parë kemi një afat, një afat të vendosur bashkërisht dhe ju thashë, janë 1000 persona në anën tonë që drejtohen nga 2 gra dhe janë 1000 persona në anën e tyre që negociojnë çdo ditë, për gjithçka sepse negociatat janë që ne duhet të bëjmë marrëveshje dhe të biem dakord për mbi 250 mijë faqe ligje e rregulla që shkojnë nga drejtësia dhe ekonomia deri tek peshqit, zogjtë, tek mjedisi e gjithë llojet e gjërave me të cilat merret një shtet.
Që të kuptoni se çfarë do të thotë kjo, duhet të kini parasysh se asnjë vend, përjashto Finlandën por Finlanda është komplet gjë tjetër që atëherë kur hyri, hyri shumë shpejt, por ama , asnjë vend që ka dalë nga komunizmi nuk ka mbaruar negociata me shpejtësinë që kemi ne shansin t’i mbarojmë, vetëm 3 vjet.
Ky shans, ky fat na ka ardhur ne sepse Bashkimi Europian do të zgjerohet dhe ata që ka më afër pragut të derës janë Shqipëria me Malin e Zi. Kini parasysh, për ata që ju thonë “Çfarë është kjo punë me Edi Ramën? 3 herë ja dhamë votën”, këtë e thonë ata që nuk ma kanë dhënë votën por nuk ka rëndësi, dhe tani thotë “Dua edhe njëherë tjetër që t’ju fus në BE. Nuk i mjaftuan 3 mandate”. Po mirë, po Mali i Zi që i ka filluar negociatat në 2012 para se ne të merrnim qeverinë dhe ishte uhu ku e ku para nesh, ishte si Pavlina Evro dikur me mua po të bëja garë me Pavlinën.
Sot ne e kemi arritur Malin e Zi. Serbia i ka hapur negociatat në 2014. Në 2014 neve nuk na e fërshëllente njeri, ishim bezdi e Bashkimit Europian, një bezdi, një vend që nuk gëzonte asnjë respekt. Serbia sot është mbrapa nesh. Maqedoninë e Veriut e keni këtu. Ndërroi emër, quhej Maqedonia. Në 2005 këtu me siguri ka vajza që nuk kishin lindur akoma në 2005. U bë kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe akoma nuk i ka hapur negociatat. Kjo do të thotë që Zoti i shqiptarëve ka dashur që në këtë moment kur ne jemi në kohën dhe vendin e duhur të bashkojë fatin europian të shqiptarëve dhe fatin e Europës në një por ama, edhe Zoti thotë “Më ndihmo të të ndihmoj”. Po nuk bëre ti detyrën nuk ka çfarë të bën as Zoti. Detyra që duhet të bëjnë shqiptarët është t’i japin një shtysë shumë të fortë negociatave sepse të mbarosh ato negociata në 3 vjet është një çmenduri. Duhet çdo ditë e çdo ditë. Nuk e ekzagjeroj fare.
Po t’ju them, sot është ditë pushimi, në Tiranë ata që merren me negociatat, një pjesë e tyre janë në zyra, punojnë pa orar sepse përndryshe nuk e kapim afatin dhe nëse ne nuk e kapim afatin mund të mbyllet dera siç i është mbyllur Maqedonisë, siç i është mbyllur të tjerëve, siç i është mbyllur Malit të Zi për kaq shumë vite.
Mund ta lejojmë ne këtë? Jo, nuk mund ta lejojmë dhe dera mund të mbyllet dhe për një arsye shumë të thjeshtë. Edhe sikur të mos ishte këneta në anën tjetër, edhe nëse do ishin disa burra normalë e jo çyrykë, prapë vetëm koha sa të vijë një qeveri tjetër, sa të bëhet qeveria, gjithë çoroditja e gjithë historia, ikin 6 muaj, nuk kapet më 2027, mbyllet dera. Edhe sikur, jo më, nuk ndodh por imagjinoni ju që shqiptarët të votojnë për t’i dhënë mandat bufit të kënetës, të shkojë në BE e të flasë me ata, pasi ata kanë ndryshuar komplet bindje për Shqipërinë, kanë ndryshuar komplet vlerësim për Shqipërinë pasi sot Shqipëria është një vend i respektuar ndërkombëtarisht si kurrë më parë, shqiptarët t’i thonë ‘’prit se keni bërë gabim që na keni respektuar se ne jemi këta’’ edhe t’ia çojnë bufin atje t’i thotë ‘’do t’ju ngre tavanin’’. E patë? ‘’Do t’ju ngre tavanin’’ – i tha atij. Është diçka që nuk mund ta bëjmë dhe BE na duhet, na duhet shumë. Na duhet e para një herë, Niko bëri gjithë atë prezantim, të gjithë gjërat që kishin ndodhur për herë të parë në Korçë, domethënë me fjalë të tjera tha ‘’po të mos ishte Korça kush e di kur do shikonit ju të tjerët me sy shkencë edhe art’’.
Por ama për t’i shkuar kësaj vije, unë i bëj thirrje të gjithë asaj që është në ADN e këtij qarku, e Korçës, e Kolonjës dhe e tërë të tjerëve nga historia që ta ndjekin fillin e historisë. Skënderbeu ‘’profeti’’ ynë i historisë kombëtare na e përcaktoi rrugën dhe fatin në Europë, me Europën, me Perëndimin dhe jo me Lindjen. Pastaj erdhën rilindasit dhe na thanë ‘’dielli lind andej nga perëndon’’ për ne dhe pastaj të tërë të tjerët këtë punë kanë bërë e këtë kanë thënë dhe ne sot e kemi në dorë këtë amanet sepse ajo pasaporta atje nuk është një mjet udhëtimi. Ajo atje është status dinjiteti, barazie në dinjitet me çdo europian. Dhe nga ana tjetër BE na duhet sepse nëse sot për herë të parë Shqipëria, populli shqiptar po shikon një përpjekje për barazi për të gjithë, kjo erdhi si rezultat i angazhimit të PS me reformën në drejtësi; kjo erdhi si rezultat i bindjes sonë që për të hyrë në BE ne duhet të kalonim detin në këmbë dhe duhet ta bënim reformën në drejtësi, duhet ta dorëzonim shpatën e ndëshkimit që , që nga 1912 e ka mbajtur qeveria tek drejtësia dhe kur unë thosha dua një drejtësi të godasë majtas e djathtas, e thosha sepse e besoj edhe sot e gjithë ditën që vetëm kështu mund të kemi një drejtësi të drejtë dhe të barabartë.
Por ama harrojeni se ajo drejtësi e drejtë dhe e barabartë është e garantuar nëse mbetet në dorë të kujt do qëverisë në Tiranë. Ajo garantohet vetëm duke qenë në BE, vetëm duke e bërë Shqipërinë një zonjë të ulet si ato zonjat korçare në sallonin e Europës. Dhe në mbyllje, dua t’ju them të gjitha nënave që kanë fëmijë nxënës çfarëdo moshe, që në 11 maj, vota është një investim i drejtpërdrejtë për ata fëmijë sepse nëse prindërit u japin fëmijëve të tyre atë pasaportë, u kanë dhënë diçka shumë të madhe që kurrë ne shqiptarët s’ e kemi pasur, kurrë ne që jemi këtu s’e kemi pasur; iu kanë dhënë dinjitetin europian dhe iu kanë dhënë lirinë dhe mundësinë që përballë kujtdo, francez, gjerman, italian, ça të jetë, mos t’i ulë sytë kurrë dhe askush të mos i shohë nga lart poshtë se janë shqiptarë. Ju keni shumë të njohur miq, të afërm, familjarë në emigracion në Greqi. Iu ra goja letrat, letrat, dokumentat, kur do marrim dokumentat, kur do na njihet pensioni, kur do na bëhet kjo e kur do na bëhet ajo. Kemi bërë përpjekje dhe do vazhdojmë të bëjmë me qeverinë greke por të gjitha këto i zgjidh ajo. Në momentin kur ti ke atë pasaportë, ti nuk ke nevojë fare, fare për asnjë favor nga shteti i BE ku je, Greqi, Finlandë e ça të jetë sepse me atë, ti jo vetëm gëzon të gjitha të drejtat që gëzojnë ata që jetojnë atje, por me atë, shqiptaren në Greqi ti mund të kandidosh për t’u bërë kryetar bashkie, mund të kandidosh për t’u bërë anëtar këshilli, mund të kandidosh për t’u bërë deputet i PE si shqiptar, dhe e vetmja gjë që s’bën dot dhe do të të duhet pasaporta greke apo italiane për t’u bërë deputet. Të gjitha të tjerat i ke njësoj, pra shikoni se sa e lartë është steka e 11 majit dhe porosinë e dini; mos lini shoqe, mos lini fqinje, mos lini kushërirë, kujdes kunatat, kunatat sigurohuni mirë që s’po ju thonë ‘’e mirë,mirë’’ , mos lini grua, mos lini vajzë pa bashkuar për këtë qëllim dhe ndërtoni konspiracionin më të madh kundër burrave, burrave demokratë. Burrat demokratë duhet të kenë shansin që të shpëtojnë nga këneta dhe atë shans duhet t’ia jepni ju përmes grave të tyre. Burrat demokratë duhet të kenë shansin që të dalin nga kategoria e atyre që s’mbushin dhe në rastin më të keq, kur nuk mbushin, t’i vënë burrat në gjumë që të mos votojnë fare.
Tani prite se ç’do thonë tani, se ç’do thotë Edi Rama. Më kishin sulmuar se i thosha ca vajzave, votuese të para. I thosha; ‘’ore shiko, nëse keni ndonjë djalë demokrat që iu buzëqesh, që iu shkel syrin etj, keni rastin ta provoni a vlen a s’vlen, a vjen me ju të votojë 5-ën apo do mbetet me gishtin e tij. Nëse nuk vjen me ju të votojë 5, është koha për ta lënë në punën e vet”.
‘’Edi Rama predikon ndarjen e çifteve të reja për parti e politikë’’…
Po patjetër, patjetër. Nuk diskutohet fare. Vajzat tona nuk mund të pranojnë çyrykë, patjetër. Pa diskutim, por pa i paragjykuar, duhet të punojnë deri ditën e fundit t’i shpëtojnë. Po nëqoftëse ai çyryku thotë ‘’unë do shkoj të hidhem në kënetë, do vejë vajza të hidhet në kënetë? Po në asnjë mënyrë, vajza do shkojë në BE. Ça kuptimi ka kjo? Dhe fakti që ju jeni dakord me mua, mua më mjafton se thashë se mbase kam dhe unë ndonjë gabim. Mua më mjafton. Shumë faleminderit kështu që krushqia me çdo demokrat bazohet tek ‘’je me BE apo je me kënetën’’. Nëse je me BE, të trashëgoheni, nëse je me kënetën, nuk ka vajzë për ty.
Shumë faleminderit dhe gëzuar Pashkët.
Gëzuar Pashkët! Faleminderit!
Rrofshin gratë e Korçës, Devollit, Maliqit, Pustecit dhe të Kolonjës!