Durrësi dhe zonat përreth janë pasqyra kuptimplotë e transformimit nga themelet të një qyteti, falë punës dhe përkushtimit të bashkisë dhe zbatimit të një sërë projekteve të rëndësishme.
Eco Parku, në Porto Romano është një nga shembujt më domethënës të shndërrimit të një prej plagëve më të mëdha të qytetit, në një zonë ekologjike, e cila do të vijojë të transformohet në një hapësirë plot jetë e gjallëri dedikuar të rinjve sportdashës dhe jo vetëm.
Rrugëtimi i gjelbër drejt 14 majit vijoi sot pikërisht në këtë Park, hapësirës së të cilit iu shtuan sot pemë të reja, të dhuruara bashkisë së Durrësit, nga shkurtimi i shpenzimeve për fushatën elektorale.
Në një takim me të rinjtë durrsakë të zhvilluar në Eco Park, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë prezantoi kandidaten për kryetare bashkie Emiriana Sako.
* * *
Shumë faleminderit të gjithëve që jeni këtu. Është kënaqësi e veçantë të vij këtu sepse këtu është një pasqyrë kuptimplotë e transformimit që duam kudo, që duam për Durrësin, që duam për Shqipërinë. Këtu është një vend që deri pak vite më parë gjendej një plagë e madhe e qytetit të Durrësit, fusha e mbledhjes së plehrave prej shumë dekadash, e cila ishte kthyer në një skenë ku trupat e televizioneve të huaja vinin për të xhiruar dhe për të bërë kronika tejet të zymta për Shqipërinë.
Sot është një realitet, jo 99 por 100% ndryshe, i transformuar tërësisht, i kthyer nga një hapësirë ku kishte vetëm plehra dhe kafshë që vinin rrotull mes tymit, në një hapësirë, e cila së shpejti do të gjallërohet nga gjithë ata të rinj dhe të reja që kanë dëshirë të aktivizohen në sport, por dhe nga familje në ditët e pushimit apo në orët e pasdites që do duan të kalojnë pak nga koha e tyre në një mjedis që është sa afër, aq edhe jashtë qytetit, në kuptimin që është mes gjelbërimit dhe i patrazuar nga zhurmat e makinave.
Po mbaron kolaudimi dhe Ani po përgatit të gjithë pjesën tjetër që është administrimi i kësaj hapësire, e cila ka nevojë ende për t’u lulëzuar dhe për këtë arsye jemi dhe këtu që të mbjellim disa prej pemëve që Partia Socialiste po i dhuron bashkive, duke shkurtuar shpenzimet elektorale, duke ulur përdorimin e tribunave, ekraneve, gjithë atyre mjeteve të propagandës zgjedhore, që faktikisht janë të përkohshme për t’i financuar këto pemë që aty pastaj do qëndrojnë pas shumë e shumë fushatave për t’i bërë hije tokës dhe njëkohësisht për të shtuar përmasën e gjelbër të qyteteve tona.
Besoj që nuk është e nevojshme të kemi gjithë ato mjete logjistike për t’u marrë vesh se çfarë po komunikojmë dhe unë nuk dua t’ju mbaj gjatë, dua thjesht t’ju them disa gjëra të thjeshta që lidhen drejtpërdrejtë me Durrësin dhe patjetër që lidhen drejtpërdrejtë edhe me interesin tuaj.
Kam gjithmonë frikën se kur flasim me të rinjtë dhe kur kufizohemi vetëm tek disa nga ato pjesë të punës sonë që lidhen shumë drejtpërdrejtë me ta, shkolla, palestra, aktivitetet pas shkollës, bëjmë një gabim sepse harrojmë që sot të rinjtë janë shumë më të përfshirë në atë që është realiteti i përgjithshëm i botës dhe i vendit dhe në kushtet kur globalizmi dhe produktet e tij tanimë janë të pranishëm në ekranin e celularit të çdo të riu, është bërë shumë më e vështirë për të mbyllur kornizën e komunikimit vetëm në disa çështje dhe nga ana tjetër, është bërë shumë më e vështirë për çdonjërin prej jush për të vendosur se çfarë do bëjë kur të rritet, ku do shkojë, do rrijë këtu, do ikë dhe tendenca për të menduar që është më mirë atje dhe atje do t’i gjejë gati ato që këtu do duhet t’i presë edhe për shumë vite të tjera sepse natyrisht Gjermania është Gjermani, Shqipëria është Shqipëri dhe nuk ka mundësi që të bëhet krahasimi me çfarë ofron Gjermania dhe çfarë ofron Shqipëria.
Ndërkohë që, gjërat janë pak më ndryshe në shumë aspekte. Shumëkush bën një krahasim shumë të drejtpërdrejtë sa është rroga atje dhe sa është rroga këtu, por pakkush shkon pak më tutje që po atje sa janë shpenzimet dhe sa janë këtu, sa pjesë të rrogës atje ta mban shteti, ta marrin shërbimet e tjera dhe sa pjesë të rrogës këtu ta merr shteti dhe ta marrin shërbimet e tjera? Këtu fillon ndryshon pak raporti.
Pastaj, natyrisht, rritja e pagave këtu është një domosdoshmëri. Ne po e bëjmë dhe do vazhdojmë ta bëjmë,, ashtu sikundër këtu domosdoshmëri është dhe rritja e gamës të mundësive për një punë të denjë, jo thjesht për një punë, por për një punë të mirëpaguar, por dhe të mundësive për një jetë që ka shumë sesa shtëpi-punë dhe punë-shtëpi dhe që midis shkollës dhe shtëpisë apo punës dhe shtëpisë për një të ri nuk ka vetëm kafenenë.
Unë besoj se jemi në rrugën e duhur dhe sidomos këtu në Durrës unë jam i bindur dhe siç shoh dritën shoh dhe të ardhmen, jo shumë të largët të Durrësit me realizimin e planeve që kemi tanimë në zbatim dhe me ato plane që kemi në vijim. Për të folur që kemi në zbatim, besoj që plani i ndërtimit në Durrës të dy porteve që kanë një fuqi transformuese, jo thjesht për Durrësin, por për të gjithë rajonin, është një plan, i cili do t’i bëjë të gjithë që të shohin me shumë më tepër optimizëm të nesërmen në këtë qytet sepse me portin turistik dhe me portin e ri tregtar këtu pranë Porto Romano do të hapet një horizont komplet tjetër, një horizont i ri edhe për punësimin, edhe për shpërblimin më të mirë në bazë të punës, edhe për shumë mundësi të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës.
Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë edhe krahun tjetër, që është ai që i takon shtetit, që ka të bëjë me infrastrukturën e shkollave, që ka të bëjë me infrastrukturën e kopshteve, çerdheve, që ka të bëjë me infrastrukturën sportive, jemi duke u negociuar dhe jemi shumë afër së bashku me Anin një marrëveshje të re për të sjellë këtu në Durrës një nga akademitë më elitare të futbollit të një prej skuadrave më të rëndësishme të botës dhe duam ta sjellim në Durrës si një pol të ri sportiv, si një akademi rajonale e futbollit, e cila do jetë një derë e hapur për talentet që do duan të provojnë veten e tyre dhe pastaj që do të zgjidhen për tu përgatitur për arenën e madhe europiane dhe për të veshur fanellat e skuadrave të mëdha europiane kur talenti, puna dhe vlerësimi për talentin dhe punën do të përputhen natyrisht.
Paralelisht me akademinë e futbollit do jetë edhe një shkollë e futbollit për fëmijët, e cila do të jetë shumë më e gjerë sepse akademia do jetë një strukturë plotësisht e mbështetur tek garancia e talenteve kurse shkolla e futbollit do jetë një strukturë për shumë më tepër fëmijë dhe për të parë sesi ata zhvillohen në proces.
Ky nuk është një projekt për të cilin do presim vite, është një projekt të cilin po e negociojmë aktualisht; nuk mund të them emrin e skuadrës, por të jeni të sigurt që kur ta dëgjoni emrin do thoni “Ou është e vërtetë kjo apo është…” dhe prandaj nuk dua ta përmend emrin sepse derisa ta konkludojmë do ta mbaj veten.
Në fund fare, dua t’ju them të gjithëve ju që jeni këtu, që unë kam nevojë për ju, që së bashku të bëjmë të gjithë atë që duhet, që Ani të konfirmohet kryetare e bashkisë së Durrësit, po gjithë ajo që duhet është më shumë sesa juve të votoni për Anin.
Që ju do votoni për Anin kjo s’ka diskutim, se përderisa keni ardhur që andej deri këtu dhe pse keni pasur orë të lirë nga mësimi, se disa prej jush e kanë pasdite e disa të tjerë nuk janë më në shkollë, po derisa keni ardhur deri këtu, domethënë e keni ndarë mendjen që do votoni për Anin, po unë nuk e konsideroj një gjë të mjaftueshme për atë që po ju kërkoj. Ajo që po ju kërkoj është që ju të merrni shumë më tepër vota sesa votën e familjes tuaj për Anin, që juve të angazhoni shumë më tepër të tjerë të vijnë të votojnë për Anin. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse shumë nga ju, si ky i gjati këtu për shembull që ka ardhur edhe është shumë e qartë pse ka ardhur këtu, ka ardhur sepse ka një shoqe këtu që e ka sjellë edhe për Anin do votojë se shoqja e vet do votojë për Anin, por ky mendon se vota është kot, që s’ia vlen.
Mirëpo kjo është kaq e pavërtetë sa ju s’ia keni idenë sepse po të mos ishte, këtu do ishin akoma derrat dhe dosat dhe ato buallicat që hanin mes plehrave dhe ajo pamje ferri. Po mos ishte vota, këtu s’do ishim duke mbjellë pemë po do ishim duke bërtitur, duke sharë edhe duke ndotur akustikisht mjedisin me atë politikën e sherrit dhe të konfliktit dhe mund t’ju numëroj plot gjëra të tjera po të mos ishte vota. Se po të mos ia vlente vota, atëherë s’do kishte ndryshim. Ndryshimi vjen sepse është vota e cila përcakton se kë marrim në punë për interesat e përbashkëta dhe nuk besoj se është e njëjta gjë se merr në punë për interesat e Durrësit Anin apo merr në punë atë tjetrin, i cili mund të jetë djalë i mirë, unë s’kam asnjë problem me këtë po unë e para njëherë jam i martuar, e dyta nuk kam motër për të martuar, e treta nuk jam këtu për të bërë krushqi me djalin e mirë se djali i mirë për veten e vet. Nuk i hy fare kësaj.
Këtu çështja s’është se sa djalë i mirë je apo sa djalë i keq je. Fare! Këtu çështja është a ma bën punën, a s’ma bën punën dhe siç nuk është çështja a është djalë i mirë, a s’është djalë i mirë, a ma bën punën, a s’ma bën punën, është edhe s’ka rëndësi fare kush është i majtë dhe kush është i djathtë, fare.
Për të pastruar duhet pastrues. Për të lëvizur nga këtu deri në Durrës duhen shoferë dhe për të gjitha punët duhen të gjithë ata që dinë ta bëjnë punën më mirë. Ti nuk merr në timon një të majtë që s’ka patentë meqë shoferi i vërtetë është i djathtë. Ti shkon me atë që është shoferi i vërtetë.
Ti s’merr për të pastruar një që është i djathtë dhe që i ka duart e thara dhe që nuk i bën përshtypje fare pisllëku, po merr një të majtë që ka treguar që di të pastrojë gjithmonë dhe në fund fare të ditës për kryetarin e bashkisë së Durrësit, ti s’merr një burrë, merr një grua kur ke një zgjedhje mes një burri dhe një gruaje, si mund të shkosh te burri, s’e kuptoj dot?! Sepse në këtë rast kryetarja e bashkisë është aty dhe është e provuar. Durrësi sot është një nga qytetet më të pastër të Shqipërisë gjë që nuk ishte e vërtetë deri kur Ani mori detyrën. Nuk ishte.
Durrësi sot ka një kryetare bashkie që di shumë mirë çfarë bën, që flet pak, punon shumë, nuk merret me politikë gjithë ditën, nuk është kukull e askujt dhe tani ta marrësh në konsideratë se mund të votosh për dikë që sado çun i mirë të jetë, minimumi ka një problem; nuk është mirë që i vë në dispozicion fytyrën, emrin, reputacionin, traditën e familjes së vet ‘’zorrës qorre’’ e që për ata që nuk e dinë, se meqë unë hoqa apendicitin, mësova që në shqip quhet zorra qorre, është një zorrë qorre në trupin e Shqipërisë, një zorrë me dy koka ose me vrima ku futesh nga njëri e del te tjetri.
Durrësi është një qytet që ka demokratë, është një traditë që e ka pasur që në krye të herës që të pozicionohet në anën e lëvizjes demokratike, e pastaj të asaj që lindi nga lëvizja demokratike etj, etj. Tani unë demokratët e Durrësit që janë qytetarë, në sensin që janë njerëz që s’janë fanatike, nuk janë njerëz që djegin e shkatërrojnë, nuk janë njerëz që sherrosen, që kanë bindjet e tyre të forta iu them; po mirë si do shkoni ju atë ditë në votim? E dini ju që në fletën e votimit keni Like floririn? Si do shkoni ju? Se mirë hajde, unë se kuptoj. Fare. Se si mund të jesh akoma me ‘’non gratën’’ unë këtë s’e kuptoj po them që ju vjen keq; thonë ‘’ hë mo mirë se tani, Baca i ka ca të zeza po mbetet Baca’’.
Po s’ke as Bacën aty, ke Like floririn në fletën e votimit. Dhe për çfarë do ta votosh? Do ta votosh që bashkia e Durrësit të kthehet nga një bashki që është aty për punë, që është aty për të vënë në jetë projektet që ngremë se bashku, që është aty për të ndërtuar një të ardhme së bashku me mbështetjen e qeverisë dhe timen personalisht, se jam deputeti i Durrësit, në një bashki që kthehet në një kështjellë për të marrë peng punët e për të filluar nga politika dhe nga lufta me qeverinë në Tiranë?
Për çfarë ju duhet kjo? Kjo nuk i duhet askujt. Kjo nuk i duhet asnjë demokrati të vetëm. Fare! Asnjë qytetari të Durrësit qoftë që jeton tek piaza, qoftë që jeton tek Durrësi i ri ose ish-këneta nuk i duhet fare.
Ne jemi në një proces që po bëhen punë të mëdha, kemi një kantier gjigand në plazhin e Durrësit i cili është vetëm në hapat e parë, 1/3 dhe që do ta transformojë komplet gjithë zonën e plazhit. Çdo bëjmë? Do i ndalojmë të gjitha këto? Sepse edhe me dash me bashkëpunu me ta, është e pamundur. Nuk dinë. Është shumë e thjeshtë. Nuk dinë. Plus edhe nuk duan edhe kompletohet e gjitha.
Unë them që durrsakët, të majtë e të djathtë s’duhen të shohin fare majtas-djathtas. Këto janë zgjedhje për të bërë më shumë punë për qytetin dhe për fshatin dhe për ta çuar bashkinë gjithmonë e më lart në cilësinë e shërbimeve dhe gjithë hapësirën e bashkisë, për ta bërë gjithmonë e më shumë një hapësirë ku ka mundësi të reja, për të gjithë.
Kjo është zgjedhja! Kjo nuk është zgjedhje, a je me PS-në, a je me PD-në, se s’ke dhe PD, apo je me atë ‘’zorrën qorre”? kjo është zgjedhje a je për të ardhmen apo je me të shkuarën, a do të shkosh përpara apo do të kthehesh prapë mbrapa e të fillosh nga avazet e vjetra? Është shumë zgjedhje e thjeshtë.
Së shpejti kemi konkursin ndërkombëtar për stadiumin e ri të Durrësit që do të jetë një tjetër projekt masiv. Nuk do jetë thjesht një stadium, po do jetë një lagje e re, aty tek stadiumi, me 3 studio të mëdha që kanë hyrë në fazën finale dhe të tjera plot që nuk po rri t’i numëroj se s’dua t’ju mbaj më gjatë. Kështu që kjo e 14 majit në Durrës është një votë shumë, shumë e thjeshtë. Pse u zgjata unë Ani? U zgjata unë tani që juve këto gjëra t’ua thoni atyre e të shkoni të kërkoni votën për Anin dhe unë jam i bindur qe edhe këtij mendja filloi t’i mbushet pak, por filloi me pune dhe me atë shoqen që ke në krah, do shkosh larg. Mos e lër atë të të ikë, se ka për të ikur.
Shumë faleminderit edhe të shkojmë të mbjellim disa nga pemët me respekt dhe me mirënjohje për të gjithë ju që keni ardhur deri këtu.