The Socialist Party of Albania

Faleminderit Lushnja

Lushnja është stacioni i radhës në turin e mirënjohjes, me falenderime për qytetarët që besuan dhe votuan kandidatët e Partisë Socialiste, si zgjedhjen më të mirë në krye të punëve të bashkisë.

* * *

Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit të gjithëve! Ishte një nevojë e madhe që unë kisha që pas rezultatit të 14 majit të rikthehesha këtu dhe në të gjitha bashkitë për t’iu parë të gjithëve drejtpërdrejtë në sy dhe për t’iu thënë vetë, jo nëpërmjet televizorit, shumë faleminderit për gjithçka. Shumë faleminderit të gjithë anëtarëve, anëtareve të Partisë Socialiste në të dyja këto bashki, shumë faleminderit koordinatorëve, patronazhistëve, aktivistëve të cilët që të gjithë bënë detyrat e tyre dhe falë tyre dhe natyrisht dhe falë zgjedhësve që na dhanë këtë besim shumë të madh, ne kemi arritur të marrim rezultatin më të mirë historik të Partisë Socialiste.
Kemi arritur të marrim një rezultat që është shumë kuptimplotë për shumë arsye, por që mbi të gjitha është shumë e rëndësishme dhe kur them ne nuk e kam fjalën për ju që jeni atje e kam fjalën për ne që jemi këtu përpara ta kuptojmë se nuk është pasqyra ku ne të shikojmë veten me vetë-kënaqësi por është shprehja e një besimi se gjërat që nuk shkojnë njerëzit presin nga ne që t’i kthejmë në rrugën e duhur.
Kjo është vërtetë një sfidë shumë e madhe që njerëzit na kanë bërë duke na dhënë këtë besim se nuk jemi as në vitin e parë, as në vitin e dytë e as në vitin e tretë të qeverisjen sonë; ne jemi në mesin e mandatit të tretë qeverisës dhe që në mesin e mandatit të tretë qeverisës të kemi këtë pritshmëri dhe këtë besim, është vërtetë një barrë shumë e madhe dhe do të ishte fatkeqësi e madhe që ne, të zgjedhur në të gjitha nivelet, të mos e kuptonim që ky besim nuk është shprehje e kënaqësisë së popullit me qeverisjen tonë, qoftë në nivel kombëtar e qoftë në nivel vendor sepse unë jam i bindur që edhe këtu askush nga ju nuk është i kënaqur, po ta pyesësh ose po të ulet dhe të të shpjegojë sesi e shikon qeverisjen tonë, sesi e shikon mënyrën sesi ne qeverisim qoftë në nivel qendror e qoftë në nivel vendor, nuk ka asnjë që është i kënaqur.
Edhe unë që jam këtu përballë jush ju them që nuk jam i kënaqur, jam shumë i pakënaqur sepse dua shumë më tepër sesa kaq por ama është shumë e rëndësishme që ne ta kuptojmë këtë gjë sepse vetëm duke e kuptuar këtë gjë ne do mund të bëjmë edhe më shumë për të përmbushur në mos të gjithë pritshmërinë një pjesë të rëndësishme të pritshmërisë së njerëzve.
Nuk ka asnjë familje që e përmbush dot pritshmërinë e gjithë anëtarëve të vet. Nuk ka asnjë qytet, asnjë fshat, asnjë shtet, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë më të fuqishmit nuk i përmbushin dot të gjitha pritshmëritë e njerëzve të tyre, por ama ka mënyra e mënyra për të ndërtuar marrëdhënien me njerëzit.
Ajo që ne pas këtyre zgjedhjeve duhet të kemi parasysh si domosdoshmërinë numër një është që të rrisim përulësinë ndaj njerëzve në çdo komunikim dhe çdo derë ku ata trokasin për ne. Prandaj, unë them që pika e parë e programit të 4 viteve të çdo kryetari bashkie të dalë nga vota e 14 majit duhet të jetë njerëzillëku, pastaj vijnë të gjithë të tjerat që janë shumë të rëndësishme, por pa njerëzillëkun shumë gjëra zerohen sepse në fund të ditës njerëzit meritojnë respekt, njerëzit meritojnë të dëgjohen pa paragjykime, njerëzit meritojnë të trajtohen të barabartë dhe për më tepër pa harruar faktin që nëse ne patëm një rezultat si asnjëherë më parë, tek ky rezultat kanë një rol të veçantë edhe ata që nga e djathta kanë votuar për kandidatët tanë por edhe shumë prej tyre që nuk kanë ardhur fare të votojnë. Nuk kanë ardhur të votojnë sepse nuk kanë dashur ta ndyjnë dorën për të vënë kryqin aty ku i thërriste një koalicion hijesh të së shkuarës dhe kjo i bën ata të respektueshëm dhe ata meritojnë një falenderim për këtë sepse nuk ishin as të detyruar e as kishin një arsye që të na votonin ne por ama, qëndrimi i tyre në shtëpi i bën ata patriotë njësoj sepse duke qëndruar në shtëpi ata indirekt ia lanë shumicës në dorë të vendosë edhe për ta dhe ja ku jemi këtu, me numrin më të madh të bashkive që kemi fituar ndonjëherë në zgjedhje, me numrin më të madh të votave që kemi marrë ndonjëherë, me Partinë Socialiste forcë të parë jo vetëm në Këshillin Bashkiak të Lushnjes dhe Divjakës por edhe në Këshillin Bashkiak të Tropojës dhe Këshillin Bashkiak të Shkodrës, edhe në Këshillin Bashkiak të Kamzës, edhe në Këshillin Bashkiak të Kukësit dhe ky është një rezultat i jashtëzakonshëm, por është një arsye e jashtëzakonshme që ne të kërkojmë shumë më tepër nga vetja. Si mund ta shohim ne këtë rezultat si shprehje të kënaqësisë popullore kur ne kemi akoma borxhe të mëdha me njerëzit? Ne ia kemi njerëzve borxhin që akoma sot, në zyrat e Kadastrës njerëzit heqin picërrin.
Kadastra në shumë vende, por edhe këtu në Lushnje është një simbol i dështimit tonë dhe ne këtë nuk mund ta fshehim dot sepse njerëzit e kanë para syve, por nëse ne duam që atë ta ndryshojmë njëherë e mirë siç kemi ndryshuar shumë shërbime të tjera, ne duhet t’ia pranojmë vetes dhe ne duhet ta pranojmë përpara njerëzve që sot e gjithë ditën, shërbimi në Kadastër është fytyra e turpit për shumë zona të vendit dhe është turpi ynë, nuk është turpi i dikujt tjetër. Ashtu sikundër duhet ta pranojmë që në shumë aspekte të tjera ka shumë gjëra që ne duhet t’i bëjmë shumë më mirë.
Është e vërtetë që këtu po përjetojmë një moment shumë të mirë të bujqësisë, jo vetëm këtu, por në gjithë Shqipërinë, për njëmijë e një arsye ku natyrisht, kemi ne patjetër rolin tonë, por është po kaq e vërtetë që duhet të bëjmë shumë më tepër dhe duhet të ecim shumë më shpejt dhe të gjitha këto do t’i bëjmë vetëm duke pasur vetëdijen e plotë që ne ju kemi edhe më shumë borxhe njerëzve që na mbështesin pas 14 majit, jo më pak dhe nuk duhet për asnjë ditë të flemë mbi dafina apo të mendojmë se e kemi kryer detyrën. Nuk e kemi kryer detyrën, kjo është e vërteta.
Nuk e kemi kryer detyrën dhe duhet të bëjmë çmos që ta kryejmë atë shumë më mirë. Është shumë e rëndësishme kjo për të gjithë ata që Partia Socialiste i ka ulur në një karrige, jo në këto karriget këtu, por në karriget e përgjegjësive. Për të gjithë ata që i ka investuar besimi dhe mbështetja juaj dhe që e harrojnë që çdokush që i shkon te dera është një nga këmbët e karriges së tyre se ajo karrigia e tyre s’do ekzistonte pa njerëzit dhe po ashtu me radhë të gjithë të zgjedhurit, që tek anëtarët e këshillit tek deputetët, tek ministrat deri tek unë dhe patjetër kryetarët e bashkive.
Pa diskutim që ne kemi bërë shumë gjëra të mira dhe shumë ndryshime, por ne nuk mund të matemi më me atë që kemi bërë, ne duhet të matemi me atë që duhet të bëjmë. Ne nuk mund të matemi më me të shkuarën jo e jo, s’kemi çfarë të kujtojmë më. Sfida jonë tani është vetëm me të ardhmen. Nëse duam që ta bëjmë Shqipërinë ndër të tjera edhe kampione të Ballkanit për eksportet bujqësore, jemi në rrugë të mbarë, por koha vrapon, vitet ikin dhe duhet që ne ta garantojmë çdo vit rritjen e eksporteve bujqësore duke gjetur rrugë të reja, duke këmbëngulur për të zgjidhur çdo problem të vjetër. Nuk mund t’i zgjidhim dot të gjitha problemet, por ama duhet të këmbëngulim të zgjidhim çdo problem të vjetër.
Mua më vjen shumë mirë që ne këtu kemi dy kryetarë bashkie që janë ekzakt profili që na duhet në Lushnjë dhe në Divjakë për të adresuar pikërisht këto sfida dhe unë jam i bindur që Josifi do të çojë më tutje punën e mirë që është bërë aty ashtu sikundër kryetarja do të çojë më tutje punën shumë të mirë që ka nisur dhe për të cilën është vlerësuar kaq lart nga qytetarët e Lushnjës. Po e përsëris na duhet të gjejmë rrugë dhe mënyra që t’i bëjmë njerëzit të ndihen shumë më mirë. Na duhet të gjejmë me çdo kusht rrugë dhe mënyra që të bashkojmë sa më shumë energji. Partia Socialiste sot është në kushtet kur mund dhe duhet të shërbejë si një burim energjie për tej kufijve të saj dhe përtej kufijve të zgjedhësve të saj për të krijuar komunitet, një komunitet njerëzish të bashkuar në disa vlera dhe në disa qëllime, në vlera të thjeshta, në qëllime të thjeshta, por njerëz që po njësoj pavarësisht se çfarë i thonë vetes, të majtë të djathtë apo ku di unë duan që të jenë krenar për këtë vend, të jenë krenar për vendlindjen e tyre jo vetëm për historinë, jo vetëm për traditën, jo vetëm për kulturën, artin që kanë prodhuar të tjerët, por të jenë krenar për atë që vendi i tyre është sot.
Të jenë krenar se kur mik presin këdo qoftë që vjen nga jashtë kanë çfarë i tregojnë dhe kanë sesi ta mbajnë kokën lartë. Në shumë gjëra ia kemi dalë, kemi plot gjëra të tjera që duhet t’ia dalim për ta arritur këtë sepse po e shikojmë çdo ditë e më shumë që Shqipëria i ka të gjitha bekimet që mund të kthehen në mirësi për njerëzit. Mjafton të shikosh fushat e Divjakës për ta parë që kjo është e mundur.
Ashtu sikundër mjafton të shikosh dhe shumë të tjera dhe mjafton të shikosh se çfarë po bëhet me Shqipërinë turistike që është kthyer në një destinacion ku nuk mbarojnë kërkesat për të ardhur dhe ku faktikisht po provohet ajo kemi thënë vite më parë, që nuk na mjafton një aeroport, na duhen katër aeroporte. Aeroporti i Tiranës sot nuk ka më mundësi të presë të tjerë, është i stërmbushur me fluturime që shtohen e shtohen, me kompani të tjera që duan të hyjnë sepse numri i turistëve rritet çdo vit. Që do të thotë rritet numri i konsumatorëve që vijnë në Shqipëri, i atyre që shtohen për të blerë këtu ushqimin, për të pasur këtu akomodimin, për të konsumuar këtu të gjitha ato që mund të ofrojë Shqipëria dhe Shqipëria mund të ofrojë akoma shumë më tepër. Ka shumë gjëra për të bërë të cilat i shtohen kapaciteteve ekonomike dhe për të cilat duhet të punojmë shumë më tepër dhe bashkitë duhet të punojnë shumë më tepër dhe duhet të punojmë shumë më tepër bashkarisht dhe fatmirësisht ne kemi arritur të kemi një numër bashkish jo si qëllim në vetvete por për të krijuar lidhje midis tyre që të kenë, të ndajnë vizionin, të ndajnë programin, të ndajnë rrugën së bashku. Lushnja dhe Divjaka janë një. Nuk janë dy. Pavarësisht se janë dy bashki dhe duhet ta mendojnë dhe ta shohin si një të ardhmen dhe në vizion dhe në planifikim së bashku dhe me Fierin dhe së bashku dhe me të gjitha bashkitë e tjera atje për të rritur kapacitetet ekonomike. Është koha që të fillojë dhe ka filluar që në këtë kthesë gjithë këto reforma, gjithë këto përpjekje, gjithë këto mundime dhe edhe rrëzimet dhe dështime, kjo koha e kaluar ka filluar të japë rezultat që me rritjen e pagave e cila do vazhdojë e do vazhdojë dhe patjetër dhe me rritjen e të ardhurave nga ekonomia.
Sot fermerët kanë të ardhura që nuk i kanë pasur kurrë faktikisht, nuk i kanë pasur kurrë. Ato që deklarojnë dhe ato që nuk deklarojnë, që të jemi të qartë, por i kanë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme jo për tu ulur dhe për tu kënaqur, por për të parë që sa shumë akoma mund të bëhen. Nuk dua të zgjatem se kemi dëgjuar gjatë gjithë fushatës çfarë kemi bërë dhe çfarë duam të bëjmë. Ka ditë të tjera për këto.
Kjo është një ditë për t’iu thënë të gjithëve realisht shumë faleminderit. Unë e di shumë mirë që asnjëherë, unë të paktën personalisht nuk do jem në gjendje tua u kthej juve që jeni këtu dhe të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur na kanë dhënë besimin, na kanë dhënë mbështetje, na kanë dhënë kohë nga koha e tyre, na kanë dhënë energji nga energjia që ia kanë hequr familjes së tyre, kurrë s’do jetë e mundur për tua u shlyer plotësisht, por të jeni të bindur që gjithçka që unë kam mundësi ta bëj, do ta bëj, që të mund të shlyej sa të jetë e mundur nga ky besim. Sepse nuk ka privilegj më të madh, nuk ka nder më të madh sesa njerëzit të të besojnë gjërat shumë të rëndësishme për jetën e tyre dhe aq më tepër pastaj të besojnë drejtimin e partisë më të madhe të një vendi. Kështu besoj duhet të jetë për të gjithë, duhet të jetë dhe për deputetët. Nuk ka asnjë nder më të madh sesa të jesh një nga një grusht të zgjedhurish të një populli për të marrë vendime në emër të popullit. S’ka, nuk ekziston dhe kështu do të jetë për çdo të zgjedhur dhe për çdo njeri që merr një përgjegjësi falë këtij besimi, që e përsëris ne nuk e kthejmë dot kurrë të plotë, por ama nuk na falet që të mos bëjmë gjithçka për të kthyer mbrapsht sa më shumë prej tij.
Ju jam shumë mirënjohës dhe kam shumë besim që gjërat do vazhdojnë gjithnjë e më mirë, që më e mira është gjithmonë përpara kur i thonë fjalës, por duhet të kemi durim. Ka momente kur duhet të shtrëngojmë dhe dhembet kur na vjen të plasim se shikojmë njerëz që papritur e pa kujtuar shfaqen në një dritë tjetër, që besimin tuaj dhe mbështetjen tonë të përbashkët e abuzojnë. E abuzojnë dhe faktikisht në një farë mënyre na bëjnë të gjithë të skuqemi kur i shohim, por nga ana tjetër ama duhet të jemi shumë krenarë që i kemi dhënë këtij vendi mundësinë që të fillojë të bëjë një gjë që nuk e ka bërë kurrë në historinë e vet. Të bëjë drejtësi duke u sjellë ashpër me të fuqishmit, jo me të pafuqishmit. Nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij vendi që kur është folur për Arbëri e pastaj për Shqipëri që njerëz të fuqishëm të lidhur me pushtetin të shkojnë para drejtësisë, po ndodh sot!
E di që ka shumë gjëra që nuk shkojnë edhe me këtë drejtësinë e re. E di që ka shumë gjëra që ne do donim të shikonim ndryshe në shumë drejtime, por ama mos harrojmë asnjëherë këtë, që çfarë po ndodh sot nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe kjo mund të mos jetë mjaft për ne, por është mëse e mjaftueshme për ta parë me shumë optimizëm Shqipërinë e fëmijëve tanë.
Ne nuk mund të bëjmë dot në vitet që kemi në dispozicion, atë që nuk u bë në 500 vjet, por mund të bëjmë më shumë se ç’u bë në 500 vjet, pikërisht që fëmijët tanë të mos paguajnë kostot e të keqes në pushtet, siç paguajnë sot të rejat dhe të rinjtë kostot e faktit që reformat që ne i nisëm, nuk u nisën atëherë kur duheshin nisur.
Ndryshimet që ne po bëjmë, nuk u bënë atëherë kur duheshin bërë, mos harroni që e kemi filuar këtë rrugë nga një pikë që gjysma nuk paguante dritat ose ia vidhte gjysmës tjetër dhe sot as nuk mund të krahasohemi me ku ishim por përsëri nuk na intereson.

Na intereson vetëm për të marrë kuraje për të vazhduar, por s’na intereson më shumë se kaq.

Ne duhet të shohim të ardhmen dhe të vrapojmë drejt së ardhmes të gjithë së bashku dhe nëse ka një arsye shumë të fortë për të besuar, jeni ju që jeni aty të gjithë.

Dhe të gjithë ata si ju, që janë gati për të mbështetur pa rezerva këtë parti në të gjitha përpjekjet e veta, unë i mirëkuptoj ata, që nuk e marrin vesh se si iu ndodh, që thonë fitore, fitore deri të dielën dhe pastaj të hënën gdhihen dhe kanë fituar “noc rrokun”.

Unë i kuptoj ata. Ata s’kanë si e kuptojnë se si ndodh kjo se ata nuk e dinë se kush jemi ne, ata nuk e kanë idenë se çfarë organizimi kemi ne dhe se si punojmë dhe ne dhe ata mbi të gjitha nuk e kanë idenë ç’do të thotë të jesh një anëtar i Partisë Socialiste që mund të jesh edhe pa punë edhe të punosh shumë më tepër se sa dikush tjetër që ndoshta dhe mund të ketë edhe një punë shumë më të mirë. Nuk e di, nuk e kuptoj.

Dhe më mirë që s’e kuptojnë, them unë. Ne na del më mirë që s’e kuptojnë. Por një gjë dua t’ua them; mund t’ju ndodhë, mund t’ju ketë ndodhur që ndërkohë që ju keni bërë gjithçka, atë që keni pasur mundësi, dhe nuk keni krysyer, të gjendeni përballë dikujt që ka qenë aty me ju, që s’ka bërë aq sa ju dhe i është dhënë mundësia të ulet në një karrige edhe t’ju shikojë nga lart poshtë, mund t’ju ndodhë. Mund t’ju ndodhë që diçka që ju takon, mos ta merrni për shkak të njërit apo të tjetrit. Mund t’ju ndodhë që të shikoni se si një tjetër, pikërisht se ka marrë një karrige, arrin të ulë në karrige edhe krushqinë e tij dhe nuk gjen dot një vend për ju. Mund t’ju ndodhin këto. Por mos lejoni kurrë që çfarëdo nga këto që t’ju dodhin, në nivelin personal t’ju cënojë krenarinë për atë që ju jepni për Partinë Socialiste, e cila po ndryshon Shqipërinë.

Nuk do ta ndryshonim dot Shqipërinë pa secilin dhe secilën prej jush dhe është secili dhe secila prej jush që na japin mundësinë ta bëjmë këtë gjë.

Prandaj kurrë asnjëherë mos e lini një dru të shtrembër, apo 2, apo 3 apo 4, se ky është pyll i madh i joni, edhe drutë e shtrembër nuk i mungojnë, që t’ju shtrembërojnë pamjen për atë që kjo parti bën për vendin në tërësi.

Unë jam i bindur që, ju e dini shumë mirë këtë, por ashtu jam i bindur që ka momente që ua sjellin në majë të hundës, jam i sigurtë edhe për këtë, por në fund të ditës përsëri falë jush, ne vazhdojmë të bëjm atë që mudnemi për këtë vend.

Dhe unë desha t’ju shoh edhe t’ua them në sy, shumë faleminderit.

Dhe në fund fare dua t’i bëj një falenderim shumë special, – të më falin burrat, – grave dhe vajzave të Lushnjës dhe të Divjakës. Fakti që ne jemi partia që votohet më shumë nga gratë se nga burrat, tregon që jemi në rrugë shumë të mbarë.

Dhe i falenderoj shumë gratë dhe vajzat se kanë patur rol shumë të madh dhe në fushatë, ashtu siç falenderoj dhe gratë e atyre që s’kanë dalë në votim.

Shumë faleminderit!