Kryetari i PSSH Edi Rama: Shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje për kët takim kaq të madh që besoj është takim që ia vlen, pak ditë përpara se sa edhe Lezha bashkë me të tjerët të vendosin se kë do marrin në punë për katër vitet e ardhshme.
Unë besoj sinqerisht që këtu në Lezhë nuk duhet të ketë asnjë dilemë sepse nëse ka një vend ku kontrasti midis të shkuarës e të sotmes është kaq i freskët, është ka i prekshëm, është kaq i afërt, është kaq domethënës, ky vend është Lezha. Kur Lezha zgjodhi Pjerinin ishte një nga qytetet e një nga bashkitë më të papastra në Shqipëri. Plehrat rrinin me ditë rrugëve, për të mos folur për grumbullimet e plehrave jashtë qytetit apo në zonën bregdetare në Shëngjin, në Tale e me radhë, male me plehra!
Sot Lezha, jo vetëm qyteti, por bashkia Lezhë është ndër bashkitë më të pastra të Republikës së Shqipërisë. Po shikoja sheshin qëparë dhe sikur ai aty mos kishte pirë një cigare që e hodhi në tokë, asnjë bisht cigare nuk do kishte në shesh. Herë tjetër kije parasysh!
Natyrisht që pastrimi është gjëja më elementare, por pikërisht tek kjo gjë që është më elementarja, është ende ndarja më e thellë midis nesh dhe atyre që unë nuk e kuptoj çfarë kërkojnë akoma e si vijnë në Lezhë për të kërkuar vota e për tu kthyer në bashkinë e Lezhës kur e kanë të shkruar në ballë që janë të paaftë e janë të padenjë për ti marrë Lezhës besimin.
E keni vënë re ndryshimin që ka ndodhur mes 2021 dhe 2023 sepse besoj është një ndryshim për të kuptuar që ndërkohë që ne vetëm punojmë, ata vetëm degradojnë. Në 2021 në Lezhë ata kishin në krye dy njerëz, dy individë me të cilët unë kam pasur debat e të cilët me thënë të drejtën nuk i kam pasur fare përzemër, por sido që të vijë puna ishin dy personazhe që vinin nga bota akademike, që përfaqësonin Lezhën e familjeve të persekutuar, që u përfshinë me partinë Demokratike sipas meje me naivitet të madh, por sidoqoftë u përfshinë jo për karrige, por për të vazhduar atë që e quanin të gjithë bashkë, luftën me regjimin. Ku është Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj? E me kë janë zëvendësuar këtu? Pse nuk janë këtu? Sepse ishin të parët që e kuptuan që kishin hyrë në vathën e gabuar dhe ndryshe nga delet e tjera, ngritën krye, e thanë publikisht atë që menduan dhe i lanë shëndenë tufës së deleve të një gërdalle non grata që vazhdon vjen vërdallë nëpër Shqipëri edhe pse është bërë 80 vjeç e në vend që të rrijë në shtëpi e të mos lërë nam rrugëve vazhdon kërkon vota, vazhdon flet për fitore.
Kjo që thashë duhet ti bëjë të mendojnë të gjithë ata që janë në anën tjetër sepse Agron Gjekmarkaj dhe Mark Marku i përkasin shpirtërisht, tradicionalisht asaj ane. Anës së familjeve historia e të cilëve u shkrua me gjakun e konfliktit me regjimin komunist. Anës së familjeve që e trashëguan idenë e të djathtës, jo nga jeta akademike apo nga Librat por e trashëguan nga kujtimi i stërgjyshërve e i gjyshërve të tyre, të cilët komunizmi i sakatoi, i vrau, i burgosi, i syrgjynosi e i persekutoi tek çdo qelizë e familjes. Kjo është e djathta!
Pyetja është, pse u ndanë ata nga komunistët? Çfarë donin ata? U ndanë sepse ata donin Amerikën, ata donin perëndimin, ata e donin Shqipërinë si në perëndim. Ta nuk donin Moskën, nuk donin komunizmin, kjo ishte ndarja. Tani më falni por sikur ata të çoheshin nga varri e të shkonin të votonin në 14 maj, a ka Zot që mund të ndihmojë të imagjinosh që mund të votonin për Like Floririn? Imagjinoni ju priftërinjtë katolikë, familjet e mëdha të traditës intelektuale perëndimore nga të cilat ka pasur plot në Lezhë, në Shkodër, në Mirditë, në gjithë veriun, që sot kur pikërisht Amerika për të cilën ata u masakruan, thotë me shkrim, me vulë, me zë, me figurë dhe e përsërit, “o shqiptarë, këtë tipin nuk duam ta shohim me sy, na e hiqni nga sytë sepse ne duam të ecim bashkë me ju e t’ju mbështesim të shkoni sa më përpara”. E ata t’i thonin Amerikës, “nuk ke prova. Ne jemi më këtë që na ka shaluar në rren 30 e kusur vite, që ka marrë peng 30 e kusur vite, të djathtën, ndjesë pastë Partinë Demokratike”. E që ka mbjellë sherr e shamatë, përçarje, ndasi nëpër Shqipëri e shqiptarë e ka dalë nëpër nuk di se sa fushata për të bërë thirrje për të zgjedhur kryetarë bashkie të asaj force, e sot ajo forcë nuk tregon dot një bashki, një komunë, ku kur e kanë pasur mundësinë ta drejtojnë, kanë lënë një gjurmë e të thonë këtë e bëmë ne.
Sot, këtu ku jam unë, është Pallati i Kulturës që ishte dukë rënë dhe sot fare mirë kryetari i bashkisë mund të thotë, “këtë e bëra unë”. Atje është Biblioteka që ishte copë e çikë, sot kryetari i bashkisë mund të thotë, “këtë e bëra unë” e të tjera e të tjera. Po ata, çfarë bënë ata? Çfarë bënë ata këtu në Lezhë? Hajde më thoni një gjë që bënë përveçse bënë çorap pronat në bregdet, përveçse shkatërruan kudo ku vunë vulën e tyre për të ndërtuar në bregdet dhe përveçse e çuan bashkinë e Lezhës në prag falimentimi duke e lënë në pikë të hallit. Më thoni çfarë bënë tjetër? Më thoni një gjë e më thoni, “ti nuk e njeh Lezhën se në X vend ata e bënë një gjë”. E tani për çfarë duhet t’i votojnë? Duhet t’i votosh për inat të Partisë Socialiste? Po si mund të votosh për inat të dikujt tjetër që të marrësh në punë, në krye të bashkisë dikë që pastaj rrugën ku ti del bashkë me fëmijët ta lë pa pastruar, dikë që pastaj çerdhja, kopshti, shkolla ku ti çon fëmijët nuk kanë ngrohje, nuk kanë shërbim, që pastaj pleqtë e tu që i çon në ambulancë apo spital për tu vizituar i presin me këmbët e para e spitali dhe ambulanca mbeten pa lyer e lërë më për të tjerat? Si bëhet kjo?
Çfarë borxhi kanë fëmijët? Çfarë borxhi kanë më të moshuarit për këta kokëshkëmbinj që i thonë vetes të djathtë dhe që përgjithësisht nuk kanë idenë se çfarë flasin dhe që janë duke menduar të bëjnë një turp shumë të madh për familjen e tyre, janë duke menduar të bëjnë një turp shumë të madh për emrin që u kanë lënë të parët e tyre, janë duke menduar të bëjnë një turp shumë të madh për ata që kanë shkuar në botën tjetër me 17 plagë në trup nga komunizmi dhe që kurrën e kurrës, atje në botën tjetër, nuk do mund të prehen të qetë nëse këta që kanë lënë mbrapa do shkojnë atje “Bashkë Fitojmë”, me Like Floririn. A jeni në vete apo nuk jeni në vete?
Çfarë do fitojnë këta me Like Floririn? Do fitojnë ndonjë vend pune në kanalizime? Do fitojë ndonjë vend pune për pastrim e për të mos punuar, por për te hipur nëpër autobusë që paguhen me lekët e taksave tuaja që të vijnë në Tiranë me dy gishta e të fillojnë prapë “Rama Ik”. Këtë do fitojnë këta? Akoma nuk e morën vesh këta që sa më shumë këta thonë ik, aq më shumë unë vij?
Shqipëria sot është aty ku nuk ka qenë kurrë në sytë e botës! Flamuri kombëtar kuq e zi sot është më lart se çka qenë kurrë në historinë e Shqipërisë në sytë e botës. Ky flamur sot është bashkë me flamujt e fuqive më të mëdha të botës në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku janë gjithë shtetet e botës dhe ku 15-16 shtete, ndër të cilat dhe Shqipëria, drejtojnë Kombet e Bashkuara.
Shqipëria drejtoi OSBE-në, një organizatë që shtrihet nga Kanadaja deri në Rusi!
Shqipëria u bë vendi i parë mikpritës i të parit samit që Bashkimi Europian bëri jashtë kufijve të vet në Tiranë. U çua nga Brukseli Europa dhe erdhi në Tiranë. I patë?
Shqipëria po përgatitet në tetor për të bërë këtu të parin samit të Berlinit jashtë në Ballkan, që do jetë në Tiranë.
Pse ndodhin këto? Si ndodhin këto? Papritur e pa kujtuar u kujtuan ata që jemi dhe ne dhe ranë në dashuri me ne se jemi të vegjël?
Këto ndodhin sepse Shqipëria sot i ka bërë vend vetes dhe i ka treguar të gjithëve që jep respekt dhe meriton respekt pavarësisht madhësisë së vendit, pavarësisht madhësisë së ekonomisë, pavarësisht të gjitha të tjerave dhe sot ne ulemi në tryezë me më të mëdhenjtë e kësaj bote dhe jemi si të barabartë mes të barabartëve, por ama, ne atje në Këshillin e Sigurimit në OSBE dhe në gjithë këto pozicione që as i kemi pasur kurrë në historinë tonë dhe kurrë nuk i ka shkuar mendja njerëzve deri para disa viteve, ulemi dhe qëndrojmë jo se jemi bërë ndonjë superfuqi ushtarake, as se jemi bërë ndonjë superfuqi ekonomike, as se jemi bërë narko-shtet dhe ata na marrin me të mirë që të mësojnë nga ne si të trafikohet droga, as se jemi vendi më i korruptuar në botë dhe na thonë, “aman na mësoni dhe ne sesi të vjedhim”. Jo! Por sepse ne kemi dhënë me forcën e shembujve konkretë provën që jemi të respektueshëm, jemi të besueshëm ama kijeni shumë të qartë që asgjë nga këto nuk do ndodhte nëse ata dhe në radhë të parë partnerët amerikanë, aleatët amerikanë, të gjithë aleatët tanë perëndimorë nuk do na mbështesnin ne dhe nuk do na besonin ne.
Tani, kur këta që na mbështesin, na besojnë, na ndihmojnë që të ngrihemi më lart dhe kjo do të thotë jo thjesht të ngrihemi më lart dhe të shkojmë të ulemi nëpër mbledhje. Kjo do të thotë të ngrihemi më lart dhe gjithmonë e më shumë sytë kthehen nga ne, gjithmonë e më shumë investimet vijnë tek ne, gjithmonë e më shumë turistë të vijnë tek ne. Na thonë, “ne ju kemi futur në shoqërinë tonë. Tani, ç’na e sillni me vete këtë? Çfarë do ky me ju këtu? Nuk e duam, mos e sillni me vete këtë”
E keni parë ju nëpër shoqëritë tuaja kur të thotë tjetri “Mos na e sill me vete atë se është i mbrapshtë. Mos na e sill këtu në shtëpi, e ke çfarë e ke, lërë në shtëpi, mos e sill këtu”. Tani, ne çfarë do t’i tregojmë këtyre?
Unë nuk kam hallin e votave të Partisë Socialiste në 14 maj dhe ata nuk do numërojnë sa vota mori Partia Socialiste se as ju duhet fare, ama ata do numërojnë, – “sa vota i dhanë prapë këta këtij karagjozi që ne i themi hiqeni se nuk duam ta shohim me sy. Çfarë kanë këta njerëz? Janë mirë këta apo si e kanë hallin? Se ne i duam të gjithë”, thonë ata. Ata nuk janë me Partinë Socialiste; ata janë me Shqipërinë, janë me shqiptarët që nuk i ndajnë ata në parti.
“Ne i duam të gjithë, ne i themi duam t’ju ngremë, duam t’ju forcojmë, duam t’ju çojmë përpara e këta vazhdojnë vijnë vërdallë me këtë harushën që ne i themi hiqeni se nuk kemi punë me të?”
Pra, nga pikëpamja e respektit për stërgjyshërit dhe traditës të së djathtës, gërdalla nuk ka lidhje fare. Nga pikëpamja e interesit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në raport me miqtë dhe me aleatët e mëdhenj që ne i afrojmë dhe këta duan t’i largojnë, unë nuk e kuptoj, gërdalla nuk ka asnjë lidhje. Nga pikëpamja e punëve këtu në bashki nuk e ka e nuk ka lidhje dhe nuk ka rëndësi fare se çfarë kandidatësh sjell.
Atje në Kurbin ka sjellë një Behar. Behar që ata po votuan Beharin, iu bë dimër 4 vjet se nuk i ndihmojmë dot, një Behar që thotë “Po i jap fjalën këtyre të tjerëve se kanë shkollë më shumë se unë”, dhe kush është i dyti që merr fjalën? Salvatori! E imagjinoni tani se ku janë ata?
Atje në Mirditë, njëri që thotë, “unë jam djalë i mirë. Jam djalë i mirë, më jepni votën”, a thua se zgjedhjet lokale janë për të gjetur nuse.
Jam çun i mirë e çfarë pastaj se je çun i mirë për çfarë të duhet? Unë motër për të martuar s’kam e çfarë më duhet mua se je çun i mirë ti? A je i zoti, a je i punës, a je kalë që tërheq karrocën? Çuna të mirë ka plot, puna është çuna që mbajnë peshë. “Jam çun i mirë, më jepni votën”. Janë ca njerëz, një konglomerat i çuditshëm. Doktori këtu, unë doktorin e kam takuar, skam asnjë gjë për të thënë. Madje donin ta bënin drejtor në Tiranë, pastaj mori informacion që merr shumë lekë kur bën vizita dhe e la.
Nuk kam gjë, seriozisht, kështu e mori informacionin, e verifikuam, i bën hyzmet njerëzve, por ua u mat kokën me pe. E po në rregull, nuk ka rëndësi dhe sikur mos ta kishte këtë. Cc’punë ka ai këtu në bashki, çfarë do bëjë doktori në bashki? E keni parë cc’kemi hequr me doktorët, prapë me doktorë?
Ndonjëherë, se kemi pasur dhe ne doktorë, doktorët, janë shumë të mirë për të marrë votën, i futen në zyrë, nuk dinë të bëjnë punë. Janë shumë më të mirë të rrinë atje në spital, t’i bëjnë hyzmet pacientëve, por nuk ka rëndësi kjo.
Këta të gjithë kanë një problem mendor, këta janë kalamaj nga mendja e kokës që nuk kuptojnë se këtu nuk është çështje shakaje, këtu është çështje e interesit kombëtar.
Këtu është çështje e interesit strategjik, këtu është çështje e aleancave tona. Dhe ne nuk na duhet asnjë lëkundje, nuk na duhet në asnjë mënyrë, miqtë tanë të mendojnë: këta nuk janë akoma në rregull, nuk janë pjekur akoma për t’i ngjitur më lart këta.
Nuk na duhen fare këto. A nuk duan të shohin me PS? Punë e madhe fort! Sikur po i them unë “hajdeni në PS”. Nuk duan ta shohin Pjerinin me sy se bërtet se e ka zakon, bërtet, punë e madhe fort, mos e dëgjo fare. Mua jo e jo, s’duan të më shohin me sy. Çfarë pastaj, unë e thashë unë s’kërkoj nuse, kërkova, kërkova, kërkoja, më në fund e gjeta, nuk kërkoj më. As krushqi nuk dua të bëj me njeri. Nuk më shohin dot me sy, sustën, shko tek Syri i zorrës qorre, mos më shih mua fare, por ama kur do japësh votën do thuash: kush do mi bëjë punët e shërbimit këtu? Kur shkon në pazar për të blerë kalë se të ka ngelur karroca pa kalë, rri mendon që ai që po të jep kalin është komunist? Ty të duhet kali, c’të duhet ty se kush e ka kalin. Merr kalin, lidh karrocën, ec përpara.
Kur shkon në spital. Çfarë i thua atij të zemrës, shiko më dhemb zemra, por më thuaj një herë ti je komunist apo demokrat? Dhe pastaj nëqoftëse ai është komunist, ti shkon te gjinekologu demokrat për zemrën? Jo, ti shkon dhe i thua “doktor më bëj derman”.
Dhe kur çon fëmijën për mësim, do t’i mësosh anglisht do shkosh te mësuesi i anglishtes, s’ka rëndësi se çfarë partie është mësuesi i anglishtes. Nuk i thua, “ti qenke komunist, po e coj fëmijën tek mësuesi i fizkulturës t’i mësojë anglisht se e kam demokratin tim”.
E për më tepër se thoni kërcënon Edi Rama, i thotë që po votuat për ata, s’ka fonde.
Nuk është kërcënim ky, është fakt. Nëse ata futen në një bashki, ata ta bëjnë malore të pamundur bashkëpunimin. Shihni Shkodrën, e keni këtu. Qyteti më i bekuar në Shqipëri, patjetër nga Zoti, patjetër por edhe në Europë nuk di a ka ndonjë qytet tjetër që t’i ketë liqenin, detin, lumin, malin, alpet, nuk ka.
Bashkia më e prapambetur, më e papastër, më pa lidhje që ka Shqipëria. Pse? Se që prej 1992 e drejtojnë ata. Dhe e forta është që të duash të bësh punë atje është çfarë të them unë, luftë.
Pastaj kur thonë nuk do Edi Rama Veriun, ajo pastaj është siç thoshte e ndjera gjyshja e një shokut tim: të kesh dy, një ta çash e një ta ndash. Se Thethi është në veri, unë e di në veri Thethin, nëqoftëse e dini në jug është në jug. Rrugën e Thethit e kam bërë unë dhe e ka bërë qeveria jonë, në bashkinë e Shkodrës, por aty nuk kishim nevojë ti merrnim leje bashkisë se është rrugë kombëtare.
Velipoja unë e di që është në veri, nuk e di që është afër Ksamilit.
Rrugën Shkodër-Velipojë e kam bërë unë dhe qeveria jonë dhe ata vetëm e kanë penguar.
Shëngjin-Velipoja është përsëri drejt veriut, nuk është drejtë jugut dhe në anën andej ka ngecur, pse? Se nuk bëjnë shpronësimet dhe janë kaq pa lidhje sa kishte dalë ai tjetri atje Behari tjetër atje, me letra ‘i kemi çuar shkresat”. S’dinë fare se për çfarë bëhet fjalë dhe ka ngecur ana andej.
Këtu me Pjerinin i kemi zgjidhur të gjitha, problemi është andej. Rruga e Arbrit unë e di se është në veri. Rruga e Lurës, unë e di që është në veri dhe të gjitha këto janë rrugë strategjike për zhvillimin e turizmit. Se kur unë them ta bëjmë Shqipërinë kampione të Ballkanit në turizëm në 2030, nuk kam parasysh vetëm bregdetin, kam parasysh të 28 mijë kilometra katrorë të Shqipërisë që duhet të vihen në funksion të turizmit.
E si do vihen këto në funksion të turizmit, nëse ne në bashki nuk kemi njerëzit që e kuptojnë këtë punë dhe që luftojnë përditë për këtë punë? Nuk vihen dot, është e pamundur. Prandaj këtu në Lezhë unë nuk e diskutoj fare një herë, që tua them shumë qartë, nuk e diskutoj fare që këtu Lezha e ka gjetur kalin, tani është budallallëku më i madh ta zgjidhesh kalin e ta kthesh karrocën mbrapa dhe pastaj ta lidhesh me qen. Nuk e tërheqin dot. Le që të më falin të gjithë qentë e Lezhës se këta nuk kanë lidhje as me qentë, qeni është një kafshë shumë fisnike, por realisht është e pamundur. Është të krijosh një vështirësi nga hiçi ku tani gjërat janë shumë të qarta.
Pjerini foli pak për bregdetin. Po a ju kujtohet si ishte? Ishte tmerr, ishte Bathore. Ishte Bathorja buzë Adriatikut. Sot është një bregdet si të jesh në bregdetin e Italisë, pavarësisht gjithë problemeve që janë të trashëguara dhe ca nga ato tmerret që i kanë lënë ata nga mbrapa. E patjetër, ja doli një atje se po prisja se gjithmonë del një fëmijë që thotë “Rama ik”, në çdo miting, se i thonë “na 5 mijë lekë, ik bërtit Rama ik”, hajde merr 5 mijë lekëshin tjetrin. Ik merre tani 5 mijë lekëshin. Por tani kanë ngelur vetëm kalamajtë e vegjël ose ndonjë super pijanec që i merret goja. Të tjerët s’dalin më se e kanë kuptuar se sa më shumë të thonë ik, aq më shumë ikin vetë. E patë si iku Luli? Dhe Luli shkretë doli më i forti mesa po shoh. E hoqën Lulin, por Luli paska qenë i fortë. Faleminderit shumë për të gjitha këto. Unë di t’ju them që kemi tani ambicien, Pjerini tha një shifër. Është e shkruar , nuk është një shifër e sajuar që është volumi më i madh i investimeve që janë bërë në Lezhë 4 vitet e fundit, krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme por ne pa bërë lidhjen e Lezhës me Tiranën nëpërmjet Milot-Balldrenit dhe pa e çuar një lezhjan për 15-17 minuta në Tiranë, nuk e kemi bërë detyrën. Tani këtë projekt e kam thënë dhe më përpara, edhe mund të thotë shumëkush; “lëre, e kemi dëgjuar shumë herë, nuk e ke bërë’’.
E vërteta është që projekti ka patur shumë vonesa, por ndërkohë sot që flasim Thumanë- Kashari është në kantier, janë duke u lidhur të gjitha kontratat në segmentet e tjera që shkojnë deri në Fier dhe pastaj lidhen me Vlorën dhe Milot -Balldreni, by- passi i Shëngjinit, plus Shëngjin-Velipoja që tani do të zgjidhet në një mënyrë ose në një tjetër, janë tre veprat që unë dëshiroj shumë që brenda mandatit të dytë të Pjerinit të bëhet realitet dhe jam i bindur që do t’i bëjmë realitet. Ju i dini vetë të tjerat, shihni e bëni vetëm aman, mos na krijoni probleme kot pa lidhje dhe të gjthë të djathtëve që kanë dy pare mend dhe ka plot që kanë dy pare mend, se më e bukura me ta është edhe kjo, që ata kanë plot njerëz të zotë, por nuk i vjen rradha kurrë.
Edhe kur i vjen radha përfundojnë si Agron Gjekmarkaj me Mark Markun.
Kështu që ju them mbani në mend Agronin me Markun, mbani në mend stërgjyshërit tuaj dhe nëse e keni komplet të pamundur që të vini të votoni në 14 maj për Pjerinin, rrini në shtëpi, futjani gjumit si Luli, mos bëni turpin e madh t’i pështyni varrit të atyre që u vranë e u sakatuan për Amerikën e për Perëndimin, duke shkuar e duke votuar Like Floririn.
Faleminderit shumë! Ju hëngsha zemrën edhe juve!
Shumë faleminderit!