Peqin, Fjala e Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri:
Përshëndetje Peqini,
Kam kohë që se shoh këtë shesh kaq të mbushur. Ka një arsye të fortë, ne po mirëpresim Kryeministrin dhe më 14 Maj ne kemi një sfidë që duhet ta fitojmë patjetër dhe jam i bindur që nuk është rastësi, që ky shesh është mbushur kaq plot dhe kam vite që se kam parë të tillë, sepse ju tashmë ia keni dhënë përkrahjen Bukuroshit dhe Partisë Socialiste.
Ju e kuptoni shumë mirë se çfarë do të thotë të administrosh mirë Bashkinë, çfarë do të thotë të kesh një kandidat që i di problemet e njerëzve dhe që ka treguar, në të gjitha detyrat e tij, se di të administrojë.
Unë e kam thënë edhe një herë tjetër, e zgjodhëm Bukuroshin sepse në të gjithë karrierën e tij, sidomos në kohën që ka qenë drejtues i një prej shërbimeve më jetike në Elbasan, ka ditur të demonstrojë aftësi menaxhimi, marrëdhënie të mira njerëzore, e mbi të gjitha ka ditur të thithë projekte.
Atë që i ka munguar prej kohësh Peqinit. Bukuroshi do të dijë ta bëjë shumë mirë këtë punë dhe ai nuk është vetëm në këtë sfidë, në Peqin. Ai ka pas Partinë Socialiste, më ka mua si drejtues politik, ka deputetin, por mbi të gjitha ka Kryeministrin Rama. Ky është çelësi i suksesit, është kyçi që do të bëjë të mundur ecjen përpara të Peqinit.
Së fundi dua të jap dhe dy mesazhe shumë të rëndësishme. Më 14 Maj vlerësoni politikat e Qeverisë Rama, vlerësoni politikën e rritjes së pagave dhe hapja e “dritës jeshile” për pagën mesatare do të sjellë përfitime edhe për pensionistët.
Vlerësojeni në mënyrë masive sepse politika është arti i së mundshmes, është guxim, por ka nevojë për mirënjohje. Është momenti që Peqini dhe e gjithë Shqipëria të tregojnë mirënjohje. Prandaj jam i bindur që më 14 Maj, Bukuroshi dhe Partia Socialiste do të jenë kampionë në Peqin!
Suksese të gjithëve!