The Socialist Party of Albania

Komunikim me gazetarët i Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH Edi Rama, pas mbledhjes së kryesisë:

– Cilat janë projeksionet e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 14 majit? Kujtoj memorandumin e Kuçit.

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Zakonisht këto memorandumet bëhen në Vlorë kështu që duhet të prisni dhe pak, por unë besoj që do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë dhe mbi të gjitha një rezultat që aq sa do të na shpërblejë për punën që kemi bërë, aq do na motivojë për punën që do bëjmë.

– Ku prisni që kundërshtarët të kenë një fitore në bashki të caktuara?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe për të zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim nga një kthesë e madhe e fortë në planin ekonomik. Ju besoj e ndoqët dhe raportin e fundit të Bankës Botërore për rajonin edhe vlerësimet shumë domethënëse për ekonominë shqiptare, ashtu sikundër përtej raportit të Bankës Botërore apo analizës së strukturës dhe të qëndrueshmërisë së ekonomisë, fakti që ne jemi në një moment ku kemi nisur rritjen më të lartë të pagave historike në këto 3 dekada, flet qartë për rritjen e mundësisë të ekonomisë. Fakti që në harkun e një viti, prill me prill, ka filluar dhe do të përfundojë e gjithë kurba e një rritjeje që do ta çoje pagën mesatare në sektorin publik 900 euro. Fakti që kemi një rritje të pagës minimale përtej parashikimeve në programet elektorale jo vetëm në programin elektoral të 2021, por dhe në programin elektoral të Partisë Demokratike të asaj kohe ku paga minimale parashikohej të arrinte në 38 mijë lekë brenda 2025, ndërkohë që sot jemi në 40 mijë lekë dhe brenda 2025 duam të shkojmë në 45 mijë lekë, por ambicia jonë është që më shpejtë se vonë të arrijmë 60 mijë lekë pagë minimale. Fakti që jemi në kushtet kur thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë nga 3300 euro që i kishim kur e nisëm këtë udhëtim në 6400 euro, por ambicia jonë është që patjetër të prekim 10 mijë eurot në rrugën drejt Shqipërisë 2030, flasin këto fakte për një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe për domosdoshmërinë për të shkuar vetëm përpara sepse pavarësisht se këto janë zgjedhje vendore në 14 maj do të vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe qeverive vendore, do të vendoset aftësia materializuese e shumë planeve që ne kemi për të gjitha bashkitë dhe patjetër këto zgjedhje kanë dhe një komponent tjetër që nuk mund ta anashkalojmë dhe askush nuk mund ta fshehë dhe të përpiqesh ta fshehësh është njësoj si struci, kur fut kokën në rërë, që në 14 maj njerëzit duhet absolutisht të qëndrojnë në krahun e duhur të historisë dhe krahu i duhur i historisë nuk është thjeshtë në këtë moment Partia Socialiste, por është të qëndrosh në krah të aleancave strategjike të Shqipërisë.

– Zoti Rama, gjatë takimeve elektorale ju i keni thënë qytetarëve që nëse do votoni kandidatë demokratë apo kandidatë të opozitës ju nuk do të bashkëpunoni me këto bashki. A është kjo një formë presioni ndaj votuesve?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: E para, unë nuk kam folur as për kandidatë kundërshtarë dhe as për kandidatë të opozitës, kam folur për kukulla të një çifti ku kemi një nongrata të shpallur nga aleati ynë më i madh strategjik. Kemi thirrje të përsëritura të aleatit tonë të madh strategjik të Shteteve të Bashkuara për të bërë shumë kujdes në këtë pikë sepse natyrisht zgjedhja është e shqiptarëve, por edhe cilësia e marrëdhënieve dhe natyra e raporteve me Shqipërinë është e aleatëve tanë.

Ata e vendosin se çfarë natyre kanë raportet e tyre me ne në momentin kur një individ i shpallur nongrata, jo një individ dosido dhe as një individ që ka pasur pak pushtet, por një nga individët më të rëndësishëm të historisë së këtij vendi në këto 30 vite, mban damkën e personit që është i padëshirueshëm dhe kuptohet që kjo e bën shumë të vështirë ndërveprimin, por ka dhe një komponente tjetër. Ky nuk është presion. Kjo është një mënyrë për t’ia thënë drejtpërdrejtë njerëzve që shikoni se do të jetë i pamundur bashkëpunimi, jo se nuk do donim ne që të mbështesim komunitetet, por sepse këta kandidatë nuk janë vënë aty për të zgjidhur hallet dhe problemet e komunitetit dhe për të çuar më tutje punën që ne kemi bërë në këto bashki, por janë vënë aty për të krijuar oaze të luftës politike, për të ngritur barrikada me qeverinë qendrore dhe për t’i trajtuar bashkitë si pengje lufte.

Kështu që, ne do bëjmë tonën në çdo bashki, por do bëjmë të tonën siç e kemi bërë për shembull për Shkodrën ku e kemi pasur zero bashkëpunimin me bashkinë, jo për faktin që ne nuk kemi dashur të kemi bashkëpunim në gjithë këto vite, por për arsye që ka dhe një element tjetër që kandidatët e këtyre forcave i përkasin një familjeje po themi të shthurur politike, e cila kurrë nuk ka pasur aftësinë të drejtojë në funksion të njerëzve dhe në funksion të komuniteteve sepse nuk ka një rast. Urdhëroni juve që jeni, ma thoni, më tregoni. Thoni, jo, e keni gabim sepse ka një rast, është kjo bashki këtu në terrorin e republikës së Shqipërisë apo është ajo ish komunë aty që kur këta e kanë pasur drejtimin kanë sjell ndonjë ndryshim. Jo, përkundrazi kanë sjell vetëm degradim.

Shkodra sot është i vetmi qytet i Shqipërisë dhe këtë ua u them me përgjegjësi dhe ju i keni kamerat, shkoni dhe shikoni çfarë bëhet në qytetet e Shqipërisë, ku plehrat rrinë mbi kazanë me ditë të tëra dhe nuk mblidhen. Njësoj siç ishin nëpër tërë Shqipërinë kohë më parë, përpara se ne ta vendosnim prioritet të prioriteteve pastrimin e Shqipërisë dhe pastërtinë e mjediseve tona urbane. Kështu që është një situatë e jashtëzakonshme sepse zgjedhja është midis një force të madhe politike e cila ka treguar se çfarë di të bëjë, jo se i kemi bërë të gjitha mirë, absolutisht jo dhe që ka treguar mbi të gjitha se ka vullnetin të bëjë edhe më shumë akoma në një Shqipëri e cila siç thashë ekonomikisht po hyn më në fund në një cikël të ri dhe politikisht është një vend që s’ka qenë kurrë më i respektuar, s’ka qenë kurrë më i rëndësishëm në rajon dhe në tryezën e madhe të përbashkët të komunitetit politik europian.
Kështu që për të gjitha këto arsye, unë besoj që siç hoqa unë apendicitin tim, shqiptarët duhet të heqin këtë apendicit të Shqipërisë, siç i thonë në shqip zorra qorre me dy vrima apo me dy koka.

– Zoti Kryeministër, ju thatë demokratëve që nëse nuk votoni PS në 14 maj të mos dalin të votojnë fare. Pavarësisht kundërshtarit tuaj politik, a është etike, ligjore që kryeministri i vendit ta bëjë këtë thirrje?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Ç’do me thënë kjo që a është etike, ligjore ?

– Që kryeministri i vendit të bëjë thirrje që qytetarët të mos dalin për të votuar?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Jo qytetarët të mos dalin për të votuar. Unë i kam folur një porcioni elektorati të palës tjetër për të cilin kam shumë respekt, atij porcioni të një të djathte që vjen nga historia, vjen nga inercia e një historie të caktuar dhe që ka bllokimin e vetë psikologjik për të imagjinuar se mund të votojë PS dhe ndërkohë ajo është një e djathtë, e cila ka në ADN-në e vet një lidhje shumë të fortë me SHBA, por nga ana tjetër është një e djathtë e cila ka në ADN-në e vetë dhe një komponent shumë të fortë besnikërie ndaj historisë së PD, e cila sot nuk ekziston më dhe nuk ka për të ekzistuar më as nesër në formën që e kemi njohur deri dje dhe unë kam dhënë thjesht një këshillë që ku do dilni në datën 14? Ku do shkoni? Do shkoni të merrni fletën e votimit dhe të vini shenjën e aprovimit për Liken? Kështu që kjo ka qenë. Ndërkohë që, patjetër opsioni i parë ka qenë që të votojnë dhe do të ketë shumë nga ata, jam i bindur, që do të votojnë për kandidatët tanë sepse është një zgjedhje shumë thjeshtë, kë do marrim në punë për 4 vitet e ardhshme për t’i shërbyer komunitetit, për të pastruar rrugët.

– Zoti Rama keni evidentuar zona problematike ju si PS, sa i takon le të themi një acarimi gjatë ditës së zgjedhjeve dhe si do të veprohet, si do veprojë qeveria në këtë rast?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Këto historitë e acarimeve dhe të kërcënimeve janë histori të njohura. Ka vite që i dëgjojmë dhe i kemi parë që e vetmja pasojë që kanë sjellë është ndryshkja e dhëmbëve të atyre që përdorin dhëmbët për të kërcënuar për acarime për gjëra të kësaj natyre.

– Zoti Rama, do t’i ktheheshim edhe një herë kundërshtarit tuaj politik. Ju thoni që nuk konsideroni Berishën dhe Metën si kundërshtarë ndërkohë që në të gjitha banderola nëpër qytete kemi në postera po këto dy figura, e nga ana tjetër në retorikën tuaj në takimet elektorale gjithmonë e krahasoni veten tuaj me Berishën e 10 viteve më parë. Ju duket e drejtë kjo që krahasoni ende dhe ju premtoni shqiptarëve më të mira se në 2013 ndërkohë që…

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Jo zonjë, jo, jeni gabim shumë dhe nuk keni ndjekur si duket me vëmendje atë që ne themi. Unë s’bëj asnjë krahasim sepse është ofendim për mua dhe është ofendim për socialistët që unë të bëj krahasim mes meje dhe non gratave apo një zorre qorre që është në trupin e Shqipërisë si një torturë e vazhdueshme që Shqipëria po e adreson, sigurisht, por që duhet ta operojë përfundimisht në një moment të caktuar. S’bëj asnjë krahasim dhe unë flas për sot. Rrogat po rriten sot dhe po rriten siç nuk janë rritur kurrë dhe që Shqipëria do të kishte një rrogë mesatare 900 euro në një moment kur ka dalë nga një kthesë me tërmet, me pandemi, me luftën, inflacionin, këtë nuk besoj ta imagjinonte tjetër kush e jo më ta bënte, përveç PS kështu që s’bëj unë fare nga këto. Unë nuk krahasohem me postera, është e ardhmja dhe e shkuara. Kaq e thjeshtë është. Kjo nuk ka lidhje fare me asgjë tjetër. Ne nuk e zgjedhim se kush janë kundërshtaret tanë. Kundërshtarët tanë i zgjedh vota, kështu që ka një pjesë të shqiptarëve që fatkeqësisht vazhdojnë të zgjedhin njerëz të cilët duhet t’i kishin dërguar me kohë të shikonin hallet e tyre dhe të merreshim me problemet që kanë me drejtësinë të cilat janë probleme që nuk kanë për t’u zgjidhur kurrë si çudia që zgjat pak ditë, sepse drejtësia vonon, por gjithmonë e më pak ka shansin t’i harrojë këta a njerëz dhe do të shikoni që drejtësia do të veprojë me patjetër më herët se sa vonë, por ajo që mua më neverit më shumë, është që këta njerëz kanë vënë në pikëpyetje dhe kanë pasur kurajon dhe kanë arritur të marrin me vete një pjesë të shqiptarëve në raport me njësinë dhe me domosdoshmërinë strategjike të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët tanë dhe me partnerët tanë sepse vërtetë Bashkimi Europian nuk ka një normë të tillë si shpallja non grata e një individi, por të jeni të sigurtë që nuk ka derë që hapet askund për këta. Askund! Jo vota të marrin këta po të marrin nuk e di, domethënë kjo është një çmenduri që të diskutohet kjo gjë dhe njerëzit duhet të ndahen nga këta sepse nuk është puna e një njeriu , e dy njerëzve, është puna e një fryme, është mënyra e të bërit të politikës, është puna e një historie të dhimbshme që duhet patjetër të ndëshkohet nga shqiptarët dhe do të ndëshkohet.

– Zoti Kryeministër, cili kryetar bashkie në gjykimin tuaj ka punuar më mirë sesa ju kur ishit kryetar bashkie?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Më mirë sesa unë? Janë kohë të ndryshme, është njësoj si të bësh krahasime mes sportistësh kohësh të ndryshme, shumë e vështirë t’i bësh krahasimet po se kush ka punuar më mirë do ta tregojnë qytetarët me votën e tyre.

– Zoti Rama, ju keni zgjedhur një formë ndryshe të të bërit fushatë

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Po dhe për këtë formën ndryshe kemi qenë sot këtu dhe kryesisht kemi bërë një bilanc të pemëve që janë mbjellë dhe pemëve që do mbillen dhe synimi jonë është të arrijmë të mbjellim në këtë fushatë mbi 25 mijë pemë në të gjithë Shqipërinë. Shoh që ka disa që tallen me këtë, “ç’është kjo, se politika”. Ça është politika? Zhurmë, luftë, rrëmujë, shpenzime për t’u kthyer pastaj në mbeturina? Kështu që është një fushatë për ne e pastër, e gjelbër. Të them të drejtën është fushata më e qetë që ne kemi bërë dhe kështu do ta bëjmë deri në fund. Nuk ka sharje, nuk ka zhurma, nuk ka konflikt.

– Duket se ka një pikë të përbashkët me kundërshtarët e opozitës përsa i përket..

Kryetari i PSSH, Edi Rama: A vërtetë? Pse, po mbjellin dhe ata pemë?

– Jo, për sa i përket publikimit të posterave në kryeqytet dhe në qytete të tjera. Nuk e di nëse keni një koment nga posteri që është publikuar gjatë ditës së djeshme nga kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Belind Këlliçi, me dy gishtat lart?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Nuk kam asnjë koment sepse është humbje kohe edhe është vërtetë edhe një lloj ofendimi për votuesit që të merren në konsideratë dhe të analizohen dhe të trajtohen individë të cilët përtej të gjithave, përtej dëftesave të shkollës që mungojnë, përtej gishtave të mesit që i ngatërrojnë me nuk e di se çfarë dhe nuk e di se me cilin mision. Këto janë gjëra që mua nuk bëjnë shumë përshtypje për faktin se këta njerëz kanë një problem shumë më të madh. Këta njerëz janë vënë në dispozicion si parfum për zorrën qorre, janë vënë në dispozicion si maska për zorrën qorre, janë vënë në dispozicion si kukulla për zorrën qorre dhe jo për një zorrë qorre që thjeshtë përfaqëson një alternativë të kalbur, por për një zorrë qorre që thashë, është një apendicit në trupin e Shqipërisë që i shkakton trupit të Shqipërisë shqetësime të herëpashershme dhe mbi të gjitha që e ka bërë Shqipërinë shqetësim për shkak të tyre edhe të partnerëve tanë dhe aleatëve tanë strategjikë. Kjo është gjëja më e rëndë. Domethënë, mund të mos kesh dëftesën, punë e madhe shumë, mund të ngresh edhe gishtin e mesit në një moment dhe mund të gjykosh se kjo është gjëja e duhur për të treguar nuk e di se çfarë, mirë, keq, këto janë gjëra që si të thuash kalojnë, por të japësh fytyrën surretërve të së shkuarës që janë në sheshin e betejës për të marrë peng të ardhmen e vendit për hallet e tyre personale, kjo është e pajustifikueshme, kjo është e papranueshme dhe kjo është e pavotueshme.

– Zoti Rama, në Durrës ju thatë që do të ketë një akademi sportive për të rinjtë. A lidhet kjo me forumin e ditës së sotme në Britani dhe a është kjo një skuadër angleze?

Kryetari i PSSH, Edi Rama: Do ta them në momentin që do ta firmosim sepse akoma nuk e besoj dot që do ta firmosim këtë marrëveshje. Dhe nëqoftëse doni të bëni hamendje, keni deri sot në mbrëmje, mundësinë që të hyni në garë, ta bëni domethënë atë hamendjen tuaj, do të bëjmë një short pastaj edhe 11 bluza të lojtarëve të preferuar të asaj skuadre, kush do të fitojë nga shorti, do t’i marrë të firmosura me dedikim, me emër, nga filani apo nga filani, kështu që është një nga skuadrat më të mëdha të botës, kjo nuk diskutohet. Faleminderit!