Gjirokastër, 3 maj 2025 – Kryetari i PSSH Edi Rama në takimin elektoral në Gjirokastër, ku ndau me shifra dhe fakte, disa të dhëna mbi situatën e sotme në vend dhe në mënyrë specifike në qarkun e Gjirokatrës.
Faleminderit shumë!
Falënderoj Mirelën për parathënien e bukur që bëri dhe dëshiroj të ndaj me ju disa fakte, disa të dhëna në mënyrë të përmbledhur për situatën e sotme të vendit dhe patjetër të qarkut të Gjirokastrës, sepse gjatë kësaj periudhe të fundit kam pasur një moment vërtet të veçantë, po e quaj të veçantë se nuk di çfarë emri t’i vë.
E kam thënë edhe në vende të tjera kur më thanë që do dilnin sondazhet e sondazhistit të Presidentit Trump, i cili është një personalitet në këtë fushë, isha shumë kurioz. Unë nuk shoh lajme dhe nuk shoh debatet televizive që nga viti 2009.
Lajmet i marr natyrisht në mëngjes nga punonjësit përkatës në kryeministri, në mënyrë shumë të përmbledhur, por në ato berberhanet e mbrëmjes, unë nuk hyj prej 2009-ës, edhe nuk më mungojnë të them të drejtën dhe nuk shoh se çfarë humbet dikush që nuk hyn aty. Edhe me siguri shoh që kush hyn aty nuk fiton asgjë, përkundrazi shpeshherë del i çoroditur, i dizinfomuar, i shkatërruar nga nervat.
Mirëpo për të ndjekur sondazhin ishte pas mesnate, hyra dhe pashë në Youtube disa copëza, edhe nuk e di domethënë, kam mbetur pa fjalë. Kam mbetur pa fjalë se nuk arrija dot ta imagjinoja që ajo që po dëgjoja ishte reale.
Paraqiteshin ato grafikët e gjetjeve të anketimit të atij tipit dhe bëheshin komente në studion përkatëse.
Paraqitej grafiku për drejtimin e vendit. Është një nga pyetjet më të rëndësishme në një anketim, “nëse vendi po ecën në drejtimin e duhur apo në drejtimin e gabuar”. Edhe përgjithësisht është vërtet, jo shumë e zakonshme që shumica, sidomos në kohërat ku kalojmë, se unë ndjek edhe vende të tjera, ndjek sondazhe në vende të tjera. Jam shumë jo thjeshtë kurioz, por i interesuar që shumica të thotë “vendi po ecën në drejtimin e duhur”.
Edhe aty ishte qartësisht “shumica mendon që vendi po ecën drejtimin e duhur”. Kthehej biseda në studio, edhe fillonin komentatorët analistë quhen këta dhe në mënyrën më të habitshme, më tronditëse për mua, interpretimi i tyre ishte “që populli ishte i sëmurë”. “Populli është i sëmurë”, se është e pabesueshme që të mendojë shumica që këtu gjërat ecin drejt në dorë.
Pastaj vinte grafiku tjetër, shumica mendonte “që do të votonte Partinë Socialiste”, atëherë situata u bë edhe më e rëndë aty në bebrahane, edhe komenti ishte “populli është çmendur”. Përfundimisht, “o sondazhi është çmendur”, “o populli është çmendur”.
Edhe i bënim pyetje atij tipit, ai, unë nuk e di se çfarë ka menduar, por me siguri, nuk ka menduar mirë për pyetjet që i vinin nga studioja nga berberania në Shqipëri.
Pastaj kaloi në një pikë tjetër. Kush mendoni se do fitojë? Edhe aty ishte një shumicë edhe më e madhe se ata që votonin ne, që thoshin “do fitojë Partia Socialiste”. Aty pastaj u përshkallëzua analiza ishte “e po atëherë, ky popull është i shitur”, “Rama i ka blerë të tërë”.
Edhe njëri më i zgjuar se të tjerët tha, shikoni, tha këtu kam përshtypjen që duhet të jetë një situatë që ne nuk arrijmë dot ta prekim deri në fund, se sa e rëndë është tha se këtu jetojmë mesa duket në një vend ku kanë frikë njerëzit të thonë ca mendojnë, edhe nga frika – tha – thonë “që vendi po ecën në drejtimin e duhur”, “mbështesim Partinë Socialiste”.
Mirëpo gjëja më interesante për mua ishte si nuk shtronte asnjëri pyetjen mos vallë unë që jam këtu për të komentuar, jam gabim. Mos vallë shumica e popullit ka drejtë? Mos vallë ka diçka këtu që unë s’e di, që unë s’e shoh, që unë s’e kuptoj? Mos vallë unë dhe kolegët e mi në këtë rrjetin e berberhaneve që hymë e dalim ne dhe pastaj jetojmë gjithë ditën me llafet e njëri-tjetrit në të vërtetë, jemi të shkëputur nga Shqipëria reale.
Absolutisht, asnjë lloj reflektimi në këtë drejtim. Domethënë, një gjë e pabesueshme shkëputja totale midis çfarë mendon populli shqiptar dhe çfarë i thuhet çdo natë e çdo natë, paska qenë vërtetë një popull i jashtëzakonshëm nga pikëpamja e instinktit politik, paska qenë vërtetë njësh si popull në kapacitetin për ta kuptuar dhe për ta ndjekur politikën pa u manipuluar dhe pa u çorientuar nga një, kënetë që kur imagjinon që është për natë e për natë e për natë, e përditë, e përditë, e përditë, hyn nëpër ekrane, nuk merr vesh i pari, i dyti, dëgjon vetëm, vetëm gjëra, që janë në rastin më të mirë, gjysmë të vërteta, që siç thotë një fjalë e mençur, janë edhe gënjeshtrat më të mëdha.
Dhe pastaj hyn nëpër portale një çmenduri tjetër, shkon nëpër ato socialet një luftë atje, bam e bum e bam e bum. Mirëpo pyetja që vjen natyrshëm është, po pse votojnë njerëzit?
Dhe faktikisht, unë besoj që njerëzit votojnë në shumicë, sepse kur ne themi gjëra me të cilat të tjerët qeshin, këta të berberaneve përqeshin, o më “kjo është propagandë”, “kjo është propagandë”, “kjo është propagandë”, edhe pse shumë nga gjërat që bëhen nuk dalin nëpër këto pasqyra dhe këneta faktikisht prekin drejtpërdrejt njerëz, edhe arrin drejtpërdrejt te njerëzit.
Për shembull, kur ne themi që Gjirokastra, kur ne morëm detyrën, kishte 6 mijë turistë në vit, 6 mijë, ndërkohë që vjet kishte 600 mijë, këtë berberhatet e përqeshin. Ndërkohë që gjirokastritët e dinë, E jetojnë për ditë, e shohin për ditë në faktin që ky qytet, i cili të cilit i ishte vënë shqelmi në fyt dhe ngjante sikur po jepte shpirt, sot merr frymë, rritet, zhvillohet dhe shkëlqen hap pas hapi në pjesë të caktuara të tij dhe për këtë arsye thashë çfarë mund të bëjmë ne në këto ditë që kanë mbetur dhe mendova do ishte e udhës, kështu në situata bashkëbisedimi duke shfrytëzuar praninë e mediave për t’ju treguar sa më shumë njerëzve disa fkate dhe disa të dhëna që nuk i dinë.
Ja këto “Ja prapë ujë i pijshëm, s’ka ujë, s’ka drita, s’ka bukë” dhe nxjerrin ato që kam thënë unë dikur dhe me demek ja “ujë i pijshëm, prapë s’ka”. Është çmenduri. “Nuk ka rrugë nëpër fshatra, kur do filloni ju rrugë nëpër fshatra”. Çmenduri! Ndërkohë që njerëzit që jetojnë në fshat e dinë. E dinë ata që se kanë akoma rrugën të përmirësuar, por ka shumë që e dinë që rruga është përmirësuar. Dhe kur vijmë te ekonomia, ekonomia nuk është diçka që ti mund ta mbulosh me lule propagandistike. Është që ti fol sa të duash, nëqoftëse njerëzit nuk e ndjejnë në shtëpinë e tyre që ekonomia po fillon të japë frute dhe po e ndryshon mendimin për të nesërmen të njerëzve, ata nuk shkojnë pas berihait, thonë po, vendi po shkon në drejtimin e duhur.
Për më tepër, dhe e mbylla këtë parathënie mbi parathënie të Mireles, për më tepër ka dhe diçka tjetër. Që nëse sot ne jemi tek pragu i derës së shtëpisë së familjes së madhe europiane, kjo nuk është rezultat i asgjëje tjetër përveçse i besimit, i vlerësimit dhe i respektit që ata në atë shtëpi kanë krijuar ndaj nesh dhe nuk e kanë krijuar se kanë rënë në sevda me atletet e mia, e kanë krijuar se BE kanë një makineri që është makineria më e madhe burokratike e botës, që ndjek 24 orë në 7 ditë të javës çdo gjë që ndodh në një vend që pretendon të hyjë në atë shtëpi, çdo gjë. Dhe aty nuk të falin ata as për sytë e bukur, as se iu pëlqen deti jonë, as se kanë dëgjuar për Gjirokastrën. Por se duan të dinë saktësisht, ky shteti i ri që po fusim ne brenda a i përmbush standardet. Dhe këtë gjë nuk e llogarit njeri, shumë interesante, nuk e llogarit njeri.
Deri para 10 vjetësh ne ishim një vend që më besoni, ishte shumë e rënde për mua kur takoja udhëheqësit e Europes sepse e ndjeja që kishte në brendësinë e tyre një ndjesi që në rastin më të mirë ishte keqardhje, në rastin më të keq ishte përçmim për vendin tonë. Dhe jo pa faj se ishim një vend qesharak, komplet qesharak që s’kishte asnjëlloj pozicioni, nuk gëzonte asnjë lloj respekti, thjeshtë formalitet dhe ishte tamam sikur takon dikë që ti e sheh që ai po të dëgjon, por ndërkohë po të shikon në një mënyrë që të thotë “mbaro tani se kam punë, do iki”. Kjo ishte.
Dhe po të kthejmë sytë mbrapa Shqipëria kurrë në historinë e vet nuk ka qenë në pozicionin që është sot ndërkombëtarisht dhe kjo nuk ka ndodhur, e përsëris se kanë zbuluar ata detin dhe malin, ka ndodhur sepse procesi i shtetbërjes që ne e kemi pasur qëllimin tonë strategjik që në fillim po shkon drejtë përmbylljes së vet se në momentin që BE të fut brenda, ti je bërë shtet, kjo nuk diskutohet. Mund të kesh 1001 gjëra që duhen vazhduar të përmirësohen dhe që i ka Gjermania si ke ti, por ama që ti je bërë shtet, je bërë shtet. Nuk futesh atje ndryshe.
Tani, këtu kam sjell disa të dhëna dhe po e filloj me këtë të dhënë që sipas meje duhet të mjaftonte. Duhet të mjaftonte për gjithë këta klientët e berberhaneve që minimalisht t’i jepnin popullit të shumicës një mundësi që ta konsideronin si arsyeshëm kur thotë “vendi po shkon në drejtimin e duhur” apo kur thotë “mbështesim PS” dhe mos ta etiketonin si të sëmurë. Ky është prodhimi. Sa herë dëgjohet, sa herë flitet nëpër ato kanalet e kënetës që këtu s’ka prodhim, që këtu s’ka fabrika, që këtu s’ka asgjë, por ja që shifra flet vet.
Prodhimi i brendshëm bruto ose prodhimi i përgjithshëm kombëtar është ajo çka një vend krijon si vlerë në tërësinë e vet dhe ajo matet me instrumenta që në fund nxjerrin shifrën. Sa e ke ti kapaciteti tënd financiar si vend. Më pak se 10 miliardë në momentin kur ne morëm detyrën. Kemi kaluar 25 miliardët dhe e kemi rritur si kurrë më parë me dy herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar. Aty është projeksioni për Shqipërinë 2030, 35 miliardë që nuk është si këto gjëra që lëshojnë si balonë ose si tullumbace të tjerët se kanë fushatë. Ajo shifër është rezultat i analizës së bërë nga Ministria e Financave në bashkëpunim me ekspertët tanë ndërkombëtar që na këshillojnë në vazhdimësi dhe është një shifër, dhe çdo shifër që do shikoni këtu në raport me Shqipërinë 2030 është mbështetur tek analizat financiare nuk është që “hajde se ne duam ta bëjmë pagën kaq dhe po e lëshojmë një herë pastaj shohim e bëjmë. Po punë e madhe fort në fund të fundit se nuk do fitojmë dhe s’kemi gjë në dorë dhe s’do merret vesh a do e bënim a s’do e bënim”.
Këtu jemi në një tjetër pasqyrë që tregon sipas meje ekzaktesisht se çfarë ka ndodhur me Shqipërinë në këtë dekadë sepse këtu rritjen e prodhimit të përgjithshëm se e keni parë besoj dhe e keni dëgjuar se tani kanë gjetur dhe një stil tjetër, thonë “e solli koha këtë gjë, e bëri koha këtë gjë, do e bënte koha”. Po mirë, pse nuk e beri koha Shqipërinë më të mirë në ’97-ën nga ajo që ishte në 92-in për shembull? Koha sjell me vete shumë mundësi, por ama qeverisja dallohet pikërisht këtu, a i shfrytëzon mundësitë e kohës apo i pengon dhe i neutralizon, i asgjëson shanset që të sjellë koha.
Këtu jemi tek koha e përbashkët e rajonit. Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit me radhë ku Serbia e cila konsiderohet një nga vendet me zhvillimin më të shpejtë të dekadës së fundit, shikojeni që faktikisht është gati 40 pikë përqindje larg nesh për rritjen e prodhimit të përgjithshëm kombëtar.
Ne jemi 109.6% rritje, mesatarja e rajonit është 64.9. Natyrisht që të gjitha këto janë të ardhura që janë krijuar këtu në Shqipëri, është vlerë që është krijuar këtu në Shqipëri dhe që duke u rishpërndarë ka krijuar një situatë më të qëndrueshme ekonomike për shumicën dërrmuese.
Këtu jemi tek të ardhurat për frymë. 3300 euro kur morëm detyrën, 10 300 euro në 2024, 3 herë më shumë dhe 15 mijë euro në Shqipërinë 2030 të ardhurat mesatare për frymë.
Vijmë tek një shifër tjetër, tek borxhi. Është shumë e rëndësishme që të kuptohet që e gjithë kjo rritje nuk është një flluskë, nuk është si rritja e piramidave që në fund fare të merr me vete dhe të hedh në humnerë, por është një rritje që nga ana tjetër mbështetet në themele shumë të forta të situatës financiare dhe patjetër që këtu hyn borxhi. Nëse ti rritesh me një borxh të lartë vjen një moment që borxhi bëhet problemi yt më i madh dhe në momentin që borxhi bëhet problemi yt më i madh situata mund të dalë nga kontrolli, ti nuk ke më kapacitete që të paguash rroga dhe pensione. Borxhi kur ne morëm detyrën, zyrtarisht ishte 70,4 por nuk ishte 70,4 në të vërtetë sepse ne gjetëm mbi 700 milionë euro borxh ndaj kompanive dhe prandaj unë them dhe dua ta përsëris sa më shumë në këto ditë që shqiptarët në 2013 kanë shpëtuar vendin me votën e tyre nga një katastrofë e dytë si ajo e piramidave por jo më për shkak të një Sudeje e të një Xhaferri që kishin bekimin e të parit të shtetit, por për shkak të një qeverisjeje totalisht të papërgjegjshme sepse të gjitha kompanitë që kishin kontrata me shtetin ishin praktikisht në situatë paralize, kishin ndaluar punën në ndërtimin e rrugëve, ato rrugët e famshme që ishin tendera por nuk ishin vepra sepse tenderoheshin rrugë pa lekë ose vendosej aty një vlerë qesharake, rruga bënte le të themi 10 milionë vendosej një vlerë 100 mijë euro, sa për të bërë tenderin, lidhej kontrata dhe i thuhej kompanisë “Vazhdo ti tani, financoje ti tani se ne do të t’i japim” dhe kompanitë çfarë bënin? Kompanitë merrnin kredi sepse ishin të sigurt që do t’ia jepte shteti dhe erdhi një moment që shteti nuk i jepte, ata nuk mund më të kreditoheshin dhe këtu do e shikoni më pas se çfarë ndodhi me kreditë e këqija, shikojeni këtu; ishin 25%. 25% kredi të këqija është momenti kur mund të fillojë llamba e kuqe e stabilitetit të bankave dhe e njëjta gjë ndodhte jo vetëm me kompanitë e investimeve kapitale, por me kompanitë e shërbimeve. Nuk kishte më ilaçe në spital dhe është e pabesueshme se sa keq mendojnë këta të kënetës për popullin shqiptar kur e trajtojnë si budalla dhe kur flasin këta për furnizim me ilaçe. Nuk kishte asgjë nëpër spitale dhe ju e dini shumë mirë, nuk kishte shkumësa nëpër shkolla sepse të gjitha kompanitë e kontraktuara nuk mund më të furnizonin sepse nuk paguheshin. Pra, 700 e ca milionë euro borxh të fshehura duheshin larë që të rifutej ekonomia në punë dhe sot ne kreditë e këqija shikojeni, i kemi ulur në 4,2% që është komplet normale ndërkohë që borxhin e kemi ulur në 54% dhe tendenca ulëse do të shkojë deri në 2030 tek 50% që është një nivel shumë i mirë dhe shumë inkurajues për këdo që do të investojë në ekonominë tonë.
Këtu jemi tek rreziku i rënies në varfëri, shikojeni shifrën e dalë në 2023 dhe këto janë të gjitha të dhëna të organizatave ndërkombëtare, nuk janë të dhëna të shtetit shqiptar. Rreziku i rënies në varfëri matet nga EUROSTAT dhe po të shikoni, mesatarja e vendeve të BE-së në vitin 2023 është në ato shifra aty dhe 19,2% ynë qëndron në një pozicion shumë korrekt.
Këtu jemi tek pabarazia në të ardhura që ka qenë një tjetër problem shumë i madh, shifra këtu është e 2017 sepse i jemi referuar përsëri EUROSTAT dhe shikoni pabarazinë në të ardhura të 2023 dhe mesataren e vendeve të BE-së. Pra, në mesataren e vendeve të BE në pabarazinë në të ardhura dhe e përsëris, ky është EUROSTAT, nuk është qeveria shqiptare, është 4,7%. Ne jemi 4,9%, vende të tjera që janë në BE janë 5,8%, 6,6%, 6,3%.
Pra kemi krijuar një qëndrueshmëri të përgjithshme pozitive dhe kemi të gjitha arsyet të besojmë që në vitet në vijim do të kemi një rritje të mëtejshme të ekonomisë sonë.
Këtu jemi tek tregu i punës. Për herë të parë, Shqipëria ka papunësi nën 10% dhe dua ta sqaroj sepse shumëkush komenton kot që kjo del më e vogël, përqindja, sepse kanë ikur njerëzit. Kjo nuk ka lidhje fare sepse kjo është përqindje e dalë nga forcat e punës e jo nga i gjithë populli, pra nuk është përqindje ku futen edhe pensionistët edhe fëmijët, është vetëm forcat e punës.
Këtu në këtë pasqyrë unë ndaloj sa herë bëj këtë prezantim me shumë kënaqësi sepse kjo është një lloj, si të them, përplasje në fytyrë e faktit konkret për të gjithë ata që ndër shumë përqeshje të tjera bëjnë edhe atë përqeshjen “300 mijë vende pune, ku i ke 300 mijë vende pune?”. Kjo është shifra dhe këtu nuk jemi në kushtet e anketimeve, këtu jemi sa ekzaktësisht njerëz të punësuar ka pasur në librat e llogarive të shtetit në 2013 kur unë dhe ne thanë “Do ta shtojmë me 300 mijë”. 1 milion e 23 mijë, ajo është 2024 1 milionë e 327 mijë. Midis 1 milionë e 23 mijëshit dhe 1 milionë e 327 mijëshit unë kam përshtypjen, se këtu në Gjirokastër është vendi i duhur për të mbështetur aritmetikën sepse edhe aritmetika është në hall të madh, aritmetika ka hyrë në një situatë të panjohur për të sepse në Shqipëri është bërë e interpretueshme edhe aritmetika, 7×7=42. Ne habiteshim dhe qeshnim por nuk kishim parë gjë akoma sepse u bë 7×7 6 milionë tani me këtë kontratën e patriotëve që befasisht 3 patriotë nga e njëjta familje në Tropojë ju lindi në zemër të nxjerrin 6 milionë që të mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe nga ju dhe që të tregojnë në Amerikë se sa e bukur është këneta.
Është e habitshme se si pastaj, shikoja në një nga ato raportet që më vijnë, në kënetë thuhet: ‘’po ça kanë këto, ça janë këto 6 milionë? këto s‘janë asgjë në krahasim me ça ka bërë narkoregjimi; këto s’janë asgjë në krahasim me ç’ka bërë Edi Rama’’. Domethënë është fundi ky, fundi.
Këtu jemi tek përqindja dhe përqindja është shumë interesante. Përqindja e të punësuarve me pagë nën 40 mijë lekë. Shikoni sa kanë qenë shqiptarët që merrnin nën 40 mijë lekë dhe qëllimisht e kemi vënë 40 mijë lekë, që të mos thonë jo po se euro kështu, euro ashtu. 60% e shqiptarëve kur ne kemi marrë detyrën, merrnin nën 40 mijë lekë. Sot janë vetëm 14% dhe është një 14% që lidhet shumë me kontratat e pjesshme.
Kjo është rritja e pagave. Paga minimale më e ulëta në rajon se në Europë nuk bëhet fjalë, 157 euro. Sot është 400 euro. Është në mesataren e rajonit. Në janar të vitit të ardhshëm do të jetë 500 euro dhe në Shqipërinë 2030 do të jetë minimumi 650 euro. Ndërkohë që vazhdojmë, tek paga e përgjithshme mesatare është një dallim shumë i madh. Kjo është paga e kombinuar sektor publik-sektor privat dhe faktikisht çdo ditë ne shikojmë se si ka funksionuar shtytja e fortë që bëmë ne me rritjen e pagave në sektorin publik sepse e ka tërhequr me vete dhe sektorin privat dhe nga 322 euro pagë mesatare, jemi sot në 848 euro pagë mesatare.
Dhe projeksioni i pagës mesatare të përgjithshme në 2030 është 1000 euro ndërkohë që ky është projeksioni i pagës mesatare në sektorin publik, 1200 euro.
Këtu jemi tek pensionet. Tek pensionet dua të ndalem vetëm për një moment sepse tek pensionet kemi një tjetër pasqyrë shumë kuptimplotë të asaj që sjell koha dhe të asaj që sjell mirëqeverisja ose keqqeverisja. Në vitet kur u godit ideja e pensionit në mënyrën më barbare, ndodhi faktikisht fillimi i hapjes së një grope shumë të madhe që është akoma mes nesh. U shkatërruan shumë industri, u mbyllën shumë fabrika, ju e dini shumë mirë historinë dhe shumë njerëz u konsideruan pensionistë dhe në moshën 40 vjeç dhe u krijua një volum shumë i madh pensionistësh, të cilëve fatkeqësisht nuk iu dha pension, iu dha asistencë. Pse? Sepse u vendos një tavan 24 mijë lekë që ti mund të kishe punuar sa të dojë, mund të kishe paguar sigurimet, të kishe bërë ça të doje, nuk hipje mbi 24 mijë lekë dhe faktikisht u veprua kështu për 23 vite. Ne nuk kishim një sistem sigurimesh dhe një fond të qëndrueshëm por kishim në gropë që vetëm thellohej. Kur morëm detyrën, në bëmë reformën e pensioneve dhe e përmbysëm logjikën, nuk mund të vësh ti një tavan për pensionin sepse pensionin duhet ta lësh në funksion të investimit që bën secili duke paguar sigurimet shoqërore apo dhe duke investuar në fonde private pensionesh që ne nuk i kemi akoma por gjithë sesi logjika është kjo. Dhe ça ndodhi? Ça mund të shikohet sot? Sot ne kemi dy blloqe pensionistësh; një bllok pensionistësh që kanë dalë në pension para reformës sonë dhe që janë me pensione më të ulëta dhe një bllok pensionistësh pas reformës sonë dhe nuk janë pak, që kanë pensione më të larta. Dhe ke raste pa fund kur merr dy mësues, kanë punuar 35 vjet, kanë paguar njësoj në sigurime shoqërore, kanë dy pensione të ndryshme. Pse? Sepse njëri ka dalë para reformës, tjetri ka dalë pas reformës.
Tani në aspektin moral, kjo është e padrejtë, në aspektin e sistemit kjo është e vetmja rrugë sepse ndryshe ajo gropë nuk mbyllet kurrë, përkundrazi. Mirëpo nga ana tjetër është shumë e qartë për ne që ne gjithësesi duhet të gjejmë një mënyrë që dhe ndaj atyre që kanë dalë përpara reformës t’u vijmë më pranë sepse kemi situata pensionesh minimale që janë të papranueshme me thënë të drejtën. Si mund t’u vijmë ne më pranë pensionistëve? Ne së pari një herë filluam me rritjen e bonuseve sepse që tu vijmë më pranë pensionistëve, duhet të rrisim ekonominë. Unë e kam thënë dhe kjo është fushata e parë që unë flas për pensionet. Më parë ju e dini shumë mirë, unë nuk kam folur . Kam thënë kjo është pjesa më e vështirë dhe nuk e qasim dot në këtë fazë, do të duhet të rritemi ekonomikisht se po s’patëm më shumë para për të rishpërndarë, ça do japim? Pikërisht pse ekonomia ka filluar të japë rezultate pozitive, ne kemi më shumë të ardhura dhe pikërisht se kemi më shumë të ardhura dhe kemi një rritje ekonomike shumë të qëndrueshme, na u krijua mundësia që të rrisim bonuset. Fillimisht rritëm bonusin, pastaj na u krijua mundësia të japim dy bonuse, njëri në fundvit dhe tjetri në pranverë, gjë që duam ta bëjmë përsëri vitin tjetër, e vitin e tjetër dhe po të shikoni tek bonuset kemi dy nivele bonusesh; kemi nivelin nën 200 euro dhe nivelin mbi 200 euro dhe i japim më shumë atyre nën dhe ata nën, janë pensionistët që kanë dalë në pension para reformës. Si do t’i ndihmojmë më shumë ata dhe ç’do ndodhë me pensionistët pas reformës? Sepse sot kemi një pension mesatar 300 euro nëse i referohemi sigurimeve të plota. Atëherë për pensionin mesatar do të shkojë 400 euro në Shqipërinë 2030 ndërkohë që për pjesën tjetër, do të fusim më shumë nga arka e përbashkët për të arritur që të mos ketë në Shqipëri pension nën 200 euro, kjo është qasja, por ata të cilët e kanë këtë hall, duhet ta kuptojnë që janë në atë situatë, sepse ajo situatë ka një autor dhe autori është ekzaktësisht ai 80 e kusur vjeçar se ka dhe 80-vjeçarë që janë në super formë, ai 80 e kusur vjeçari që nuk di ça flet më edhe që do të bëjë çorap Shqipërinë sepse është i pashpresë dhe se nuk di të bëjë gjë tjetër. Ai është autori i situatës së atyre pensionistëve të bllokut të parë që fola.
Këtu jemi tek taksimi. Ça ka ndodhur me taksimin dhe pse impakti ekonomik në jetën e njerëzve është i ndjeshëm? Pse është i ndjeshëm impakti ekonomik në jetën e gjithë këtyre tregtarëve të vegjël të Gjirokastrës? Jo vetëm sepse është rritur fluksi etj, por se ka ndodhur diçka tjetër që vazhdon të ndodhë. Ne kemi pasur një sistem kur morëm detyrën që të gjithë ngarkoheshin me 10% taksë mbi fitimin, si një pastruese, si kryeministri, si një furrë buke, si 15-katëshi në Tiranë, 10% që është një sistem skandaloz sepse 10% në rrogën e një sanitareje janë shumë më shumë se 10% në rrogën e një kryeministri. Apo 10% në të ardhurat e një furre buke janë shumë për atë që duhet t’i japë shtetit sesa 10% e të ardhurave të 15-katëshit dhe plus kësaj, biznesi i vogël që kishte këtë 10% po kishte TVSH dhe kishte dhe taksat vendore specifike, apo jo?
Ndërkohë që biznesi i madh gjithë ata që këta i thonë oligarkë, se oligarkët dje me këta paguan 10% taksë me ne paguanin 15%, ndërkohë që biznesi i vogël paguan zero. Dhe çfarë bëmë ne. E bëmë sistemin kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak, paguan më pak.
Dhe shikon çfarë ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë. Ajo viza e zezë është çfarë paguanin të tërë me atë taksën e sheshtë, e zeza. Kjo tjetra tregon se si paguajnë sot njerëzit dhe po të shikojmë 57 % e të punësuarve paguajnë zero tatim mbi pagën. Dhe 93% e të punësuarve paguajnë më pak sesa 10 %. Që ndërkohë të gjithë paguanin 10% më përpara. Më fal dhe kursimi 145 milion në vit është shuma e parave që me atë vizën e zezë të taksës së sheshtë i merrte shteti çdo vit, që në 10 vjet janë faktikisht 1.4 apo jo, miliard. 1.4 miliard ne nuk i kemi marrë nga xhepat e njerëzve, i kemi lënë në arkën e familjeve në 10 vjet.
Këtu jemi tek biznesi i vogël. Shikojeni tani si ka qenë dhe shikojnë aty ku jemi ne, zero taksë për fitimin, zero tatim mbi vlerën e shtuar. Dhe rezultati cili është?
Rezultati është që bizneset e vogla deri 100 mijë euro, ndërkohë që ky pragu në kohën e kënetës, ishte rreth 35 mijë euro. Mbi 35 mijë euro quheshe biznes i madh. Pragu deri 100 mijë euro nuk paguajnë as TVSH, nuk paguajnë as tatim fitimi janë komplet gjithçka që krijojnë e çojnë në shtëpi.
66 milion euro në vit që ne vendosëm nuk do ti marri qeveria, do i marrin njerëzit.
Vijmë tek ata deri në 140 mijë. Pra 66 milion janë 660 milion në një dekadë. Ata deri 140 mijë, këta paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar, TVSH-në, por nuk paguajnë mbi fitimin, 58 milion euro të tjera në vit. Pra të dyja bashkë 1.1 – 1.2 miliard. Po 1.2 miliard kjo, 1.4 ajo tjetra në 10 vjet janë një shumë e konsiderueshme, prej rreth 2.5 miliardësh që ne ia kemi lënë njerëzve, ia kemi lënë të punësuarve në sektorin publik apo privat, ia kemi lënë kompanive të vogla të biznesit të vogël.
Kjo më pëlqen shumë, këtu jemi tek pabarazia gjinore. Shikoni se ku kemi qenë ne në klasifikimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vendi i 83-të, shikoni ku jemi sot, vendi i 23-të. Dhe kemi mbrapa shumë vende të tjera, për shembull Greqia për pabarazinë gjinore është në vendin e 73-të në botë, ne jemi në vendin e 23-të dhe nuk e them unë këtë e thotë Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Shikoni tani efektet e kësaj. Kjo është shkalla e papunësisë, për gratë ka rënë dhe kjo nën 10% për herë të parë është një shifrore.
Vazhdojmë me tjetrën, se është edhe më domethënëse. Shikoni pjesëmarrjen e grave në forcat e punës. Domethënë nga 100% kanë qenë vetëm gjysma që merrnin pjesë në forcën e punës, shikoni se kanë shkuar 70%.
Këtu jemi tek paga mesatare e grave. Është vetëm 28 euro më e vogël se sa e burrave.
Këto janë investimet e huaja që edhe këtu i kemi vënë në kontekstin e rajonit. Shqipëria ka nivelin më të lartë të investimeve të huaja në raport me prodhimin e përgjithshëm, gjë që flet për besimin që ka krijuar vendi dhe për kapacitetin atraktiv për kompanitë.
Këtu jemi tek eksportet, meqë Shqipëria nuk prodhon asgjë. Shqipëria që prodhonte gjithçka kishte më pak se 3 miliardë euro eksporte. Shqipëria që s’prodhon asgjë ka më shumë se 9 miliardë euro eksport.
Këtu jemi tek pagat. Janë disa paga që kemi marrë. Paga e mjekëve, 490 euro ishte, 1670 euro mesatarja, se ka dhe më shumë, dhe 2000 euro do të jetë mesatarja e pagës së mjekëve.
Dhe ju po e shikoni në spitalin e Gjirokastrës dhe kjo që ndodh me spitalin e Gjirokastrës po ndodh edhe në vende të tjera. Po funksionojnë kontratat me mjekët e rinj specialistë që vijnë për të punuar këtu. Dhe me përfundimin e investimit të madh që po bëhet te spitali dhe me rritjen e mëtejshme të pagave ne do të garantojmë që të kemi një shërbim të plotë në të gjitha spitalet. Gjë që me thënë të drejtën, ishte në një rrezik shumë të madh kur ne e morëm detyrën, sepse ishin ndërprerë specializimet, një nga gjërat më absurde që kanë ndodhur në historinë e keqqeverisjes së këtij vendi dhe praktikisht ne nuk e kemi problemin e largimit të mjekëve apo të infermierëve në pikën që të mos kemi për nevojat tona, nuk e kemi, faktikisht nuk e kemi.
Këtu jemi tek programet mbrojtjen sociale dhe janë një sërë programesh që ne i kemi hapur rishtas. Ai i pari është programi për fëmijët me nevoja të veçanta, dua ta them specifikisht që për gjithë këta fëmijë autik ose me të tjera aftësi të veçanta, ne do të dyfishojmë që në buxhetin e vitit të ardhshëm mbështetjen për nënat e tyre.
Nuk po i shkoj të gjithave, por dua të them që janë shumë programe dhe
Ndërkohë kemi të shtrirë në 100 % të programit të mbështetjes rrjetin e pushtetit vendor. Pushteti vendor përpara s’kishte asnjë gjë në dorë për këto programet sociale, sot 100% e bashkive kanë shërbime sociale.
Patjetër që duhet akoma më shumë, nuk diskutohet, por është vendosur baza. Kemi thuajse përgjysmuar se dhe kjo është e rëndësishme, thuajse përgjysmuar numrin e familjeve në ndihmë ekonomike sepse kanë hyrë në një tjetër kategori, ndërkohë që, me gjysmën e familjeve kemi trefishin e buxhetit të ndihmës ekonomike.
Këtu jemi tek një pikë që dua të ndalem posaçërisht.
Janë 9200 nëna në Shqipëri që janë të papuna dhe kanë tre ose më shumë fëmije. Ne prej disa vitesh japim 23 milionë euro për të mbështetur këto nëna, duke iu paguar sigurimet shëndetësore dhe sigurimet shoqërore, që do të thotë që kur t’ju vijë dita e pensionit nuk do të mbeten pa pension për shkak se s’kanë paguar sigurimet shoqërore, por do të marrin një pension dinjitoz sepse kanë rritur tre ose më shumë fëmijë.
Dhe në ndërkohë, të njëjtën gjë dhe për shërbimin shëndetësor.
Bonusi i bebes ka kaluar 200 mijë, është 227 mijë, janë thuajse çerek milionë bebe që kanë marrë bonusin, i cili është rritur në mënyrë të ndjeshme.
Ka qenë 50 mijë lek të vjetra, është bërë 400 euro për fëmijën e parë, 800 për fëmijët e dytë, 1200 për fëmijën e tretë, por duke filluar nga viti i ardhshëm do të ndryshojmë sistemin e dhënies së bonusit. Nuk do ta japim menjëherë me ccek në maternitet, për fëmijën e parë çdo muaj, për fëmijën e parë në një hark kohor dy vjeçar, për fëmijën e dytë në një hark kohor tre vjeçar për fëmijën e tretë në një afat kohor 5 vjeçar. Pra do ta shtrijmë në mënyrë që të jetë një mbështetje më sistematike.
Këtu jemi të pagat e mësuesve. Sot mësuesit kanë një pagë mesatare 950 euro dhe ajo do shkojë 1250 euro.
Këto janë investime në buxhetin e mbrojtjes. Ky është një kapitull më vete. Është shumë i rëndësishëm dhe për kohën që jetojmë dhe besoj që shifra flet vet. E kemi 10 fishuar buxhetin për mbrojtjen dhe po të shikoni pagën mesatare për ushtarakët është 1550 euro.
Kemi pasur ushtrinë më të keqadministruar, më të keqpajisur, më të keqpaguar në Europë dhe në rajon, sot kemi ushtrinë më të mirëpaguar të rajonit dhe ambicia jonë është që deri në 2030 paga e ushtarakëve të shkojë në mesataren e ushtrive të NATO-s. Kjo ka sjellë që të ketë shumë më tepër interes për të hyrë në akademinë ushtarake për të hyrë në forcat e armatosura dhe ne duam ta fuqizojmë shumë këtë interes. Ndërkohë që paralelisht kemi nisur të punojmë shumë fort për industrinë e re te mbrojtjes.
Tani këtu jemi te qarku i Gjirokastrës. Është shumë e rëndësishme që ta bëjmë këtë pasqyrë që ju që jeni në Gjirokastër dini çfarë ndodh në Gjirokastër, por s’dini çfarë ndodh në një zonë rurale të Gjirokastrës.
Ashtu sikundër ata që janë në Tepelenë nuk dinë çfarë ndodh në Përmet etj. Dhe fatkeqësia është që me përjashtime shumë të rralla nuk gjen dot asgjë nga këto në pasqyrat e kënetës mediatike, nuk e merr vesh fare as si shkon ekonomia, as si shkojnë financat, as si shkon bujqësia, nuk merr vesh asnjë gjë për arsye për këtë. Flas për fakte. Pastaj komente mund të bëjmë sa të duan, opinione mund të japin sa të duan por fakte nuk merr vesh.
Në Gjirokastër kemi infrastrukturën rrugore. Të gjitha këto që shikoni me jeshile janë infrastrukturë e ndërtuar në këto mandate në qarkun e Gjirokastrës dhe ato që shikoni me të verdhë janë përsëri infrastrukturë rrugore ne zonat e thella me rrugë të bardha që janë të aksesueshme dhe që komuniteti i ka mirëpritur jashtëzakonisht shumë.
Në rrugë të asfaltuara dhe rrugë të bardha në qarkun e Gjirokastrës kemi krijuar akses duke investuar në 331 kilometra. Janë 108 milionë euro të investuara për 95 projekte.
Këtu jemi tek ai që ne e quajmë regjenerimi urban. Janë 10.3 milionë euro për 52 projekte që kanë sjellë transformime të rëndësishme, i keni parë vet në Gjirokastër, në Përmet, në Tepelenë, në Libohovë, në Këlcyrë, në Dropull patjetër edhe në Memaliaj.
Këtu jemi tek turizmi, mjedis dhe zonat e mbrojtura. Për të gjetur për të bërë bashkë 17 milionë euro për turizëm, mjedis dhe zona të mbrojtura përpara se ne të merrnim detyrën ju siguroj që duhet shkuar përpara sesa të vinte diktatura. Nuk ka bërë vaki të investohej një shumë e tillë për turizimin, mjedis dhe zona të mbrojtura.
Këtu jemi tek një tjetër pikë për të cilën flitet shumë. Ujësjellësit, uji i pijshëm. Dhe flitet aq shumë dhe aq keq sa thua, se vërtetë nëse ti propagandon gjithë kohën një gënjeshtër, siç bëjnë ata të berberhaneve e beson dhe vet, e komenton dhe vet dhe e kthen pastaj në faj për tjetrit, natyrisht pastaj kur ti mendon se këtu gjithë populli po vdes për ujë, atëherë të duket populli i sëmurë që voton në shumicë një qeveri që e ka lënë të vdesë për ujë. Por e vërteta eshtë ndryshe. E vërteta është që në të gjitha qarqet është investuar në ujësjellës kanalizime më shumë se në të gjitha qeveritë të mara së bashku dhe kini parasysh një gjë. Ujësjellës kanalizimet ekzistuese të trashëguara nga koha e mëparshme janë investime që janë bërë në vitet ‘60, në vitet ‘70, nuk janë investuar më dhe ujë 24 orë dhe në atë kohë ka pasur në pak pika.
Kështu që volumi i investimeve që kemi bërë ne për ujin e pijshëm është i pakrahasueshëm me gjithë çfarë kanë bërë të tjerët bashkë. 35 milionë euro vetëm në qarkun e Gjirokastrës.
Këtu jemi tek energjia. Ju e dini shumë mirë çfarë problematike ka pasur dhe kemi investuar gati 90 milionë euro për të përmirësuar shpërndarjen e energjisë dhe për të rritur cilësinë.
Këtu jemi tek bujqësia janë 27 milionë euro mbështetje për bujqësinë, ku hyjnë agroturizmat, agro përpunimi e kështu me radhë.
Këtu jemi tek arsimi dhe tek sporti te qarku i Gjirokastrës që kanë marrë 12 milionë euro për 35 projekte.
Këtu jemi te shëndetësia dhe kujdesi social ku hyjnë qendrat shëndetësore. Janë 8 milionë euro dhe ju e dini mirë si kanë ndryshuar qendrat shëndetësore.
Këtu hyn kultura. Shikoni sa ka marrë vetëm për kulturën qarku i Gjirokastrës. 25 milionë euro. Që të gjesh 25 milionë euro t’i bësh bashkë për kulturën në qarkun e Gjirokastrës duhet të ikësh shumë larg dhe të mbledhësh gjithë festivalet folklorike që bëheshin përpara dhe prapë unë them që nuk arrihen 25 milionë euro.
Kjo është e përgjithshmja dhe në një dekadë me të gjitha vështirësitë që kemi pasur për qarkun e Gjirokastrës kemi realizuar 475 projekte dhe kemi investuar 331 milionë euro.
Dua ta mbyll duke ju thënë që tanimëështë shumë e qartë sepse nga një anë turizmi, nga ana tjetër zhvillimi i agroturizmit, nga ana tjetër agro-përpunimi për të cilin ne do të vendosim mbështetje të veçanta, Paketa e Maleve që është për të gjitha malet, nuk është vetëm për veriun, do t’i japë një dorë shumë të mirë sidomos zonave më të thella dhe aeroporti i Gjirokastrës që sot është një aeroport funksional për aktivitetet sportive, për fluturime sportive, ka rezultuar që të jetë pika më ideale për të bërë atë aeroportin turistik të jugut. Ne u nisëm me projektin e Sarandës, atje bëmë edhe garë, nuk rezultoi e suksesshme, kemi marrë konsulencë ndërkombëtare, kanë parë të gjithë ato parametrat e korridoreve të ajrit etj, dhe duke pasur tani këtë lidhjen e shkurtër dhe të shpejtë midis Gjirokastrës dhe bregdetit, rezulton nga ekspertiza ndërkombëtare që pika më ideale për të ndërtuar aeroportin është Gjirokastra dhe projekti, koncepti i përgjithshëm është gati dhe ne kemi shumë besim sepse nuk është një aeroport i madh si Vlora, është një aeroport sezonal turistik dhe kemi shumë besim që në Shqipërinë 2030 do të ketë fluturime që ulen dhe ngrihen nga aeroporti i Gjirokastrës.
Ju falënderoj shumë për durimin. Ishte kënaqësi e veçantë sepse përveç të tjerash ju jeni edhe mjeshtra të lapsit dhe e dini shumë mirë se çfarë janë llogaritë e financave.
Faleminderit shumë.