Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Berat: 

Përshëndetje të gjithëve!

Përpara se sa të nisesha sot paradite, i thashë Ervinit “A je i sigurt që mund të bëjmë dy takime të mëdha, një në Kuçovë dhe menjëherë në Berat sepse në Berat është shumë i madh sheshi për të mos pasur dhe të tjerë që vijnë nga Kuçova dhe nga bashki të tjera” dhe Demo-ja tha, “Kryetar, ka ndryshuar edhe në këtë aspekt Berati. Nuk kemi nevojë për asnjë tjetër për ta mbushur plot e përplot sheshin” dhe në ndërkohë është vërtetë kënaqësia më e madhe që në të gjitha takimet, nga Skrapari kur patëm një takim fantastik, në Poliçan ku patëm një takim të shkëlqyer, pastaj në Dimal, në Kuçovë dhe këtu me një pjesëmarrje bio 100% nga çdo bashki kemi parë dhe unë personalisht kam parë energjinë më pozitive dhe vendosmërinë më të madhe për të marrë në garën tonë të 10, një fitore të 10, me notën 10!

Mbase është një mbrëmje shumë e bukur për të kujtuar pak të gjithë ju, se kur ne e kemi nisur këtë rrugëtim së bashku me mbështetjen e shumëkujt që këtu është në një moshë pak më të madhe, nuk kishte rrugë për të ardhur në Berat. Besoj që të gjithë atyre që e kanë jetuar atë kohë, ju kujtohet se vije deri në Lushnje dhe pastaj merrje kthesën dhe futeshe në një shteg pafund gropash, pluhuri që nuk të çonte drejt zemrës së një Shqipërie turistike, siç është Berati, por sikur të çonte drejt një vendi të humbur, të shkretë, të zymtë ku kur ne morëm detyrën numëroheshin rreth 30 mijë turistë dhe vizitorë, ndërkohë që vjet Berati e mbylli me 1 milionë turistë dhe vizitorë.

Kjo është një nga të dhënat më fantastike të transformimit dhe një nga faktet më kokëforta, nga 30 mijë turistë dhe vizitorë në 1 milionë.
Ashtu sikundër, vetë Shqipëria nga 1 milionë e pak turistë që ishin kryesisht vëllezër dhe motra nga trojet shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë apo shqiptarë nga emigracioni që ktheheshin në 12 milionë turistë vitin e shkuar dhe nëse sot ky qytet buzëqesh, nëse sot ky qytet ka një ndriçim të veçantë, nëse sot hyn në çdo rrugicë dhe gjen një derë të hapur ku ka një bujtinë të mrekullueshme kjo do të thotë se këtu në Berat dhe në të gjithë qarkun e Beratit është ndërtuar një ekonomi e re që bazohet tek turizmi dhe tek prodhimet që vijnë nga fshati në ndërkohë që Berati është edhe një nga stacionet më të rëndësishme të eksporteve bujqësore jashtë vendit.

Kështu, Shqipëria sot falë punës të madhe që kemi bërë së bashku nuk është më vendi i gjeneratorëve nga të katërta anët dhe i dritave që ikin orët e çast, në ndërkohë që gjysma paguan dhe gjysma vjedh apo lidh në mënyrë të paligjshme duke mos pranuar të paguajë. Sot të gjithë janë konsumatorë korrektë dhe të barabartë dhe në ndërkohë, ajo që deri dje ishte një gropë e madhe borxhesh, një gropë e madhe ku mungonin të gjitha shërbimet minimale, sot është një Shqipëri në pragun e shtëpisë së madje të familjes së bashkuar europiane.

Dua t’ju them diçka që besoj është shumë e rëndësishme.

Ajo shtëpi, shtëpia e Europës së bashkuar është një shtëpi të pasurish, është një shtëpi anëtarësh të një familjeje që nuk pranon kurrë të të fusë brenda pa të marrë të gjitha analizat dhe pa marrë të gjitha garancitë që kur hyn brenda ti bëhesh një anëtar i denjë dhe jo një problem për atë shtëpi dhe fakti që sot ne jemi tek pragu i derës, fakti që sot ata kanë hapur derën dhe po negociojnë me ne duke na dhënë 3 vjet, një afat që nuk ia kanë dhënë askujt më parë nga vendet ish- komuniste dhe duke na thënë që “Deri në vitin 2027 jemi gati t’i mbyllim negociatat me ju dhe t’ju bëjmë anëtarë të Bashkimit Europian” nuk tregon që papritur ata janë bërë zemërgjerë dhe papritur ata po na fusin ne në shtëpi duke mbyllur sytë, por tregon, siç shkruhet në të gjitha letrat e Komisionit Europian kur na çon postën për hapjen e kapitullit të ardhshëm të negociatave “Shqipëria i ka kryer detyrat e veta në këtë fushë, fillojmë punën dhe vazhdojmë më tutje” që do të thotë se Shqipëria ka të dhëna që garantojnë seriozitetin tonë, Shqipëria ka një progres që garanton respektin për ne, Shqipëria sot ka një pozicion që garanton një vlerësim që ky vend dhe ky flamur i yni nuk e ka pasur kurrë.

Sot mbase e keni parë, mbase nuk e keni parë, unë bëra një prezantim të të gjithë atyre që janë bërë në të gjithë qarkun e Beratit dhe investimet e bëra në qarkun e Beratit, projektet e realizuara në qarkun e Beratit, transformimet falë gjithë këtyre projekteve dhe investimeve, në shumatoren e tyre nga pikëpamja financiare janë më shumë sesa ç’kanë bërë në Berat të tëra qeveritë të marra së bashku, në të tëra vitet të marra së bashku dhe e dëgjoni nganjëherë që ata që duan të mohojnë dhe të mbulojnë diellin me shoshë, thonë “E mo mirë se këto i solli koha po ju çfarë bëtë se këto do ndodhnin?” Po pse nuk solli koha në ’97-ën një Shqipëri më të mirë sesa ajo e ’92-shit?

Pse nuk solli koha në 2013 një Shqipëri më të sigurt në aspektin e sigurisë në rrugë apo në aspektin e sigurisë ekonomike apo në aspektin e sigurisë së bankave sesa ajo e 2005? Pse nuk i solli koha këto? Sepse koha sjell atë që njerëzit mbjellin dhe njerëzit korrin pikërisht atë që mbjellin dhe këtë e dinë më mirë se të tërë të gjithë ata këtu në këtë qark dhe në të gjithë Shqipërinë që jetojnë me punë dhe që përmes punës krijojnë të ardhurave dhe që përmes të ardhurave rrisin ekonominë e tyre dhe rrisin dhe ekonominë e vendit por për ata njerëz që janë populli shqiptar në punë nuk ka vend në ekranet e televizorëve, për ata njerëz nuk ka vend në pasqyrat e portaleve. Për ata njerëz këneta mediatike nuk do t’ia dijë dhe prandaj kur ju hapni televizorët në mbrëmje dhe shikoni sondazhet e bëra në mënyrë të pavarur që nga sondazhisti i Donald Trump deri tek sondazhistët e tjerë nëpër Europë për stacione të ndryshme që thonë njëzëri se PS ka shumicën e popullit shqiptar pa takseni kur dëgjoni komentatorët e kënetës që habiten, si ka mundësi që ky popull në shumicë mbështet akoma Partinë Socialiste. Si ka mundësi që ky popull në shumicë mendon që Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur. Si ka mundësi që ky popull në shumicën mendoka që në dy vitet e ardhshme ekonomia do jetë akoma më mirë. Dhe shpjegimi i tyre është populli qenka i sëmurë, populli qenka çmendur, populli qenka shitur, populli qenka blerë, popullit i paska hyrë frika në palcë dhe për këtë arsye ata përsëri do duhet të përjetojnë shijen e hidhur të humbjes së shumë merituar ndërsa populli shqiptar në shumicë dërrmuese do vazhdojë të mbështesë vetveten duke mbështetur PS. Do vazhdojë të mbështesë Shqipërinë duke mbështetur Partinë Socialiste, se Partia Socialiste nuk ka rënë nga qielli, PS nuk është një parti engjëjsh, është një parti shqiptare dhe shqiptarësh që mund të mos jetë më e mira por më të mirë se Partia Socialiste nuk ka, dhe PS nuk është e keqja më e vogël. Partia Socialiste është e mira më e madhe që shqiptarët mund të zgjedhin.

Ky është Alket Islami. Ky është prova e sigurtë e ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur se Alketi ka që në ’91 që e sheh Shqipërinë nga lart dhe duke e parë Shqipërinë nga lart është bërë një mbështetës i pa epur i Partisë Socialiste edhe më çon mua herë pas here foto nga lart dhe më thotë sikur të mund ti merrja ca nga këta që flasin përnatë në televizor ta shikonin Shqipërinë siç e shoh unë që të kuptonin sesi Shqipëria ndryshon në mënyre marramendëse dhe ndryshimi marramendës i Shqipërisë tregohet shumë qartë në shifra. Shqipëria në këtë rrugëtimin tonë është vendi në rajonin e Ballkanit Perëndimor që e ka rritur më shumë se tërë të tjerët prodhimin e përgjithshëm kombëtar. E kishim më pak se 10 miliardë euro, sot e kemi 25 miliard euro dhe në Shqipërinë 2030 do ta çojmë në 35 miliardë euro. Ashtu sikundër Shqipëria është vendi ku sot ka më shumë investime të huaja sesa në gjithë vendet e Ballkanit perëndimor.

Ashtu sikundër Shqipëria sot ka një nivel tjetër komplet edhe pagash, ka një nivel tjetër komplet punësimi, ka një nivel tjetër komplet eksportesh. Eksportonim dikur kur ne morëm detyrën më pak sesa 3 miliardë, sot eksportojmë më shumë sesa 9 miliardë. Kjo është Shqipëria që në 11 maj do të mbështesë veten duke mbështetur Partinë Socialiste, sepse në 11 maj nuk janë një palë zgjedhje si gjithë të tjerat. Do zgjedhje është shumë e rëndësishme. Në çdo palë zgjedhje ka shumë rëndësi se çfarë populli gjykon dhe sesi populli vendos por përgjithësisht në çdo palë zgjedhje vendoset për 4 vitet e ardhshme.

Në 11 maj vendoset për gjeneratat e tjera sepse në 11 maj shqiptarët të bashkuar duhet të marrin përsipër atë që ka përcaktuar dhe na ka përcaktuar neve, na ra neve në këtë moment, në këtë kohë të historisë së popullit tonë fati që të kemi në dorë të përmbushim një mision kombëtar historik dhe ta vendosim përfundimisht Shqipërinë e cila gjeografikisht është vendosur në mes të Europës edhe politikisht brenda Europës dhe jo vetëm me zakon por dhe me ligj Shqipëria të jetë e barabartë mes të barabartësh, shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartësh.

Kjo pasaporta europiane e shqiptarëve e cila vjen menjëherë pasi vendi bëhet anëtar në BE dhe i vjen çdokujt në dorë nuk është një dokument tjetër për të udhëtuar nëpër Europë, kjo pasaportë është një status i ri qytetarie europiane për çdo shqiptar dhe shqiptare. Kjo pasaporta është dhe fundi i të gjitha anktheve në Greqi për pensionin, është dhe fundi i të gjithë radhëve dhe pritjeve të shqiptarëve në Greqi për lejet e punës dhe për lejet e qëndrimit, është dhe fundi dallimit mes fëmijëve të Shqipërisë dhe fëmijëve të Europës në dyert e universiteteve ku me këtë pasaportë fëmijët e Shqipërisë nuk do të konsiderohen më të huaj në Europë por europianë në universitetet e Europës së tyre.

Edhe diçka tjetër motra dhe vëllezër, ne së bashku dhe falë mbështetjes së shumicës shqiptare që morëm një vendim shumë të fortë dhe që për dy mandate rresht i dhanë Partisë Socialiste fuqinë për të qeverisur e vetme ia kemi dalë në diçka që nuk imagjinohej, ia kemi dalë që të japin këtij vendi dhe t’i japim shqiptareve mundësinë që të shikojnë se barazia para ligjit është e mundur edhe në këtë vend, është e mundur edhe për njerëzit e këtij vendi sepse kurrë më parë, qysh kur Shqipëria doli më vete dhe u bë shtet, kaloi në sisteme të ndryshme, kaloi në regjime të ndryshme. Pa edhe mbretërinë, pa edhe kulmin e diktaturës, pa edhe një tentativë për të bërë republikë, pa dhe një tranzicion nga diktatura në demokraci, por kurë nuk pa dot shqiptari një prokuror apo një gjykatës të pavarur që të thërrasë përpara ligjit një njeri të pushtetshëm. Për të parë këtë u desh ajo që shumica e shqiptareve dhe falë mbështetjes tuaj ndodhi kur unë thosha ma jepni timonin pa të tjerë në prehër se ndryshe nuk e bëjmë dot reformën në drejtësi dhe ndryshe nuk e garantojmë dot një drejtësi që godet majtas dhe djathtas dhe sheh vetëm drejtë.

Dhe sot i dëgjoni kur thonë “çfarë mandati të katërt kërkojnë këta që kanë gjysmën e qeverisë në burg”. Ndërkohë që unë nuk i hyj fare a është gjysma a s’është asnjëri sepse ata që janë përpara drejtësisë, kanë qenë pjesë e qeverisë sonë por në mandatet e mëparshme, po edhe sikur gjysma të ishin, është kjo një arsye që ne të ulim kokën apo është një arsye shumë e fortë për të qenë shumë krenarë përpara të gjithë shqiptarëve që na dhanë besimin sepse ju thamë, ‘’na besoni që të keni nesër një drejtësi që godet majtas e djathtas dhe sot unë do të isha kokëulur nëse do të kishim një drejtësi që do godiste vetëm kundërshtarët dhe që nuk do guxonte të hynte në oborrin e ‘’shtëpisë’’ sonë apo brenda ‘’shtëpisë’ sonë për të bërë detyrën dhe punën e saj e patrazuar, e pa intimiduar dhe e pashantazhuar apo luftuar siç ndodhte jo shumë vite më parë kur nga dritaret e kryeministrisë vriteshin protestues të pafajshëm dhe kryeministri ndalonte drejtësinë që të thërriste aty 3 policë për t’i marrë në pyetje dhe dilte dhe klithte prokurores së përgjithshme, lavire bulevardi. E parafytyroni dot sot këtë? Jo, nuk e parafytyroni. E pra, pse nuk e parafytyroni dot? Sepse Shqipëria sot është një hap larg derës së BE; sepse Shqipëria sot nuk është ajo që ishte, por është një vend që po përmbyll ciklin historik të shtetbërjes demokratike; sepse BE nuk pranon anëtarë që nuk kanë kryer ciklin e shtetbërjes demokratike dhe prova më e fortë, prova më e padiskutueshme nuk janë as fjalët e mia, as fjalët e Ervinit, as fjalët e askujt tjetër, por janë faktet dhe është fakti që sot ne jemi tek dera së bashku me Malin e Zi që i ka filluar negociatat përpara se ne të vinim në qeveri dhe që kur ne erdhëm në qeveri Mali i Zi nuk dukej fare, ishte aq shumë para nesh ndërkohë që ne kemi arritur dhe jemi bashkë më Malin e Zi, dy anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Europian. Ndërkohë që Serbia që i kishte hapur negociatat në 2014 kur ne nuk ishim bërë akoma kandidat dhe kur shkoja unë nëpër Europë, më shikonin si dikush që të shikon dhe të thotë “mbaro tani se kam një punë tjetër’’. Sepse Shqipërinë nuk e llogariste njeri, nuk e besonte njeri, nuk e vlerësonte njeri, nuk e respektonte njeri.

Ndërkohë që sot, jo vetëm e llogarisin por e besojnë, e respektojnë dhe e vlerësojnë aq sa 5 ditë pas 11 majit, në 16 maj në Sheshin “Skënderbej’’, nën këmbët e heroit tonë kombëtar do të rreshtohen të gjithë udhëheqësit e Europës për Samitin e të gjithë Komunitetit Politik Europian, jo vetëm të BE por edhe të vendeve të tjera, të shteteve të tjera demokratike të Europës nga Britania e Madhe tek Turqia, nga Azerbajxhani tek Zvicra e nga Norvegjia tek Armenia. Pse? Si ka mundësi? Sepse sot Shqipëria nuk është ajo që ishte, sepse sot Shqipëria është po aq e vogël sa ç’ishte, por ama ka imponuar reciprocitet në respekt.
Nuk është më një Shqipëri servile, një Shqipëri servile me pantallonat në fund të këmbëve që e shqelmonin nga të 4 anët, por është një Shqipëri krenare që i shikon në sy, i respekton dhe e shikojnë në sy dhe e respektojnë. Ama, miqtë e mi, që barazia para ligjit të mos vihet më kurrë në diskutim për gjenerata, që barazia para ligjit të jetë një standard i palëvizshëm për fëmijët tuaj, për fëmijët tanë, ne nuk mund t’ia besojmë këtë arritje thjesht dhe vetëm atyre që do venë e do vijnë në qeveri në Tiranë. Ne duhet t’ia besojmë këtë arritje Shqipërisë anëtare në BE, se vetëm duke hyrë në atë ‘’shtëpi’’ s’do ketë kurrë që në Tiranë do t’i shkojë mendja siç i shkon mendja sot bufit të kënetës, ‘’do shkrij SPAK-un, do kthej përmbys drejtësinë’’ sepse kur hyn në atë ‘shtëpinë ‘’ e madhe atje, nuk të lë më njeri të luash me liritë dhe të drejtat e njeriut, nuk të lë më njeri të luash me parimet e shtetit demokratik, nuk të lë më njeri të luash me barazinë para ligjit.
Prandaj duhet të jemi shumë të frymëzuar nga fakti që fati e deshi që të jemi ne ata që në këto palë zgjedhje të kemi një votë që mund ta investojmë për historinë, jo thjesht për qeverinë; që mund ta investojmë për të përmbushur atë që nisi si një profeci nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur vuri barrikadën dhe na e përcaktoi si ‘’profeti’ i historisë sonë se ku është drita e fatit tonë, jo në Lindje, në Perëndim. Dhe pastaj rilindasit e rimorën dhe na e lanë me shkrim amanet për brezat; ‘’dielli për shqiptarët lind andej nga perëndon’’. Dhe pastaj gjëra shkuan ashtu siç shkruan. Rruga e fatit dhe historisë sonë u ngatërrua nëpër shtigje e nëpër hone dhe më shumë për faj të të këqijve brenda nesh sesa dhe për faj të armiqve tanë, ne e humbëm disa herë trenin e historisë. Sot e kemi përpara syve, ama duhet ta shohim dhe duhet ta marrim atë tren sepse duke investuar votën për Shqipërinë me BE në Europë dhe duke kontribuar me një votë secili, që ky vend më në fund ta përmbushë plotësisht profecinë e Gjergj Kastriotit, ne kemi bërë atë që bëjnë njerëzit e zakonshëm kur fati i mbledh bashkë dhe iu kërkon që të bëjnë diçka të gjithë së bashku për gjithë kombin, një gjë të jashtëzakonshme. Besojeni që Shqipëria në BE është një Shqipëri e re, është në forcë e re, është një organizëm i ri dhe duke qenë pjesë e atij bashkimi, Shqipëria bëhet e madhe sa BE dhe BE bëhet e vogël sa Shqipëria. Dhe mos e vini ne dyshim që në këtë rrugëtim, ne do të bëjmë për qarkun e Beratit dhe për të gjitha qarqet e tjera edhe më shumë se ç’kemi bërë. Dhe kujt thotë ‘po për ça e kërkon ky Edi Rama një mandat të 4-ët’’? Pikërisht se ka akoma shumë për të bërë. Ekzakt. Dhe kujt do ia lëmë, kush do ta bëjë? Këneta me bufin? Me bufin që i fiket llampa në çdo 3 minuta dhe që do gjenerator? Po ku t’ia gjejmë gjeneratorin? Apo me këto partiçkat e reja, që të re kanë vetëm moshën e tyre.

Ju këtu në qarkun e Beratit e keni paguar shtrenjtë ekzistencën e një partie të re, ju kujtohet besoj?

Ju kujtohet se ç’keni hequr nga një parti e re që nuk e zinte vendi, sa andej sa këtej, sa andej sa këtej dhe që e kishte oreksin më të madh seç kishte stomakun deri sa i plasi stomaku.

Por ama pasojat i paguat ju, i paguan njerëzit kudo. Dhe dëgjojeni se çfarë thonë këta: nëse na vjen ne në dorë, ne do kwrkojmë zgjedhje të parakohshme.
Tani imagjinojeni ju ne shkojmë negociojmë me Bashkimin Europian çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë sepse duhet të kapim 2027-ën dhe çfarë biem dakord këtu duhet të vijmë ta bëjmë ligj, ta bëjmë vendim, ta kthejmë në rregull dhe parafytyroni atje biem dakord, vijmë këtu edhe duhet të shkojmë te këneta, i lutemi kënetës hajde se duhet të bëjmë këtë ligj, e pastaj duhet të rrimë të merremi me këta të tjerët që duan zgjedhje të parakohshme. Pse? Duan zgjedhje të parakohshme se duan të marrin peng popullin, duan të marrin peng vendin, deri sa të lodhur e të rraskapitur njerëzit të dorëzohen e të thonë: po mirë hajde t’ia lëmë këtyre, se janë të rinj.

Nuk ka forcë më të re sesa Partia Socialiste e Shqipërisë, po ama nuk ka dhe forcë më të vjetër sesa Partia Socialiste e Shqipërisë. Ne jemi energjia e re dhe eksperienca e kohërave. Ne jemi zemra dhe mendja e shumicës.

Dhe që ta mbyll unë tani, aty ku kam pikën e dobët, nuk është rastësi që ne na mbështesin 56% e grave dhe e vajzave të Shqipërisë. Nuk është rastësi?
Ça ke mo? Ke ndonjë vërejtje, shiko mos ki vërejtje, se ti je në rresht të parë të kap kamera, të shikon gruaja, edhe kur të shkosh në shtëpi do të thotë si e kishe hallin, ashtu, ja e sheh, po i drejtohem gruas, burri është në rregull, te 5 mbështet ty.

Nuk thotë kot një shprehje e urtë shumë e vjetër, “pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e mençur dhe e fortë”. Nuk e thotë kot është urtësi popullore dhe pas suksesit të Partisë Socialiste qëndron forca e madhe e grave dhe vajzave të mençura të Shqipërisë.

Edhe prandaj shumica e burrave na bashkohen. Ku do venë? Se janë të mençur. Dhe përtej të gjitha shakave që janë më shumë se gjysma e të vërtetës në këtë rast, dua të shtoj dhe diçka.
Janë prekur disa, se unë thashë që gjysma janë çyryk, pse u prekën? Unë nuk flas për individ, çdo individ në jetën e vet është i nderuar, respektuar, po unë flas për fushën e betejës politike.

Tani, kur zgjedhja është për Shqipërinë, me BE-në në Europë dhe me bufin në kënetë për t’u kthyer në gropë. Ai që shkon me bufin në kënetë për t’u kthyer në gropë, ça është? Ça është?

S’ka pse fyhet, mjafton që mos shkojw me bufin, të vijë me ne, edhe është në rregull, s’ka asnjë problem. Është shumë e thjeshtë, shumë e thjeshtë.

Madje ky është test shumë i mirë. S’ke pse fyesh fare. Në qoftë se të duket sikur dikush e ka me ty, ti shko, çoje votën me Shqipërinë në BE, edhe je në rregull, nuk të fut njeri fare te çyrykët hiç, s’ka shans.
Ndërkohë të gjitha grave dhe vajzave këtu, ju lutem që deri në 11 maj të bëjnë çmos që të bëjnë sa më shumë shoqe demokrate me vete, se kush bën shoqe demokrate me vete, minimalisht i vënë gjumë burrat e tyre demokratë, minimalisht.

Por në të gjitha rastet, sido që të vijë puna ne në 11 maj këtu në Berat, jo vetëm do konfirmojmë 5 deputetët, por do t’i konfirmojmë me diferencën më të thellë të mundshme.

Çdo bashki e Beratit do t’i japi Partisë Socialiste deputetin e vet dhe deputeten e vet, dhe ne jemi shumë krenarë se në listën e mbyllur kemi 52% gra dhe vajza.

Ama, fitorja duhet nxjerrë nga kutitë dhe për ta nxjerrë nga kutitë, duhet të mobilizohemi të gjithë.

Ne do të fitojmë, por ama të fitorja është e kryer kur numërohet vota e fundit.

Ju falënderoj nga zemra!

Me shumë respekt, me shumë mirënjohje, me shumë dashuri dhe rroftë Berati, rroftë Skapari, rroftë Dimali, Kuçova dhe natyrisht, natyrisht rroftë edhe Poliçani!
Shumë faleminderit!