Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosi në Kongresin e Partisë Socialiste:
100.915 Socialistë Aktiv, ju drejtuan kutive te votimit për të zgjedhur me votë Delegatët e Kongresit.
– Një numër jashtëzakonisht kuptimplotë, për të dëshmuar forcën, vitalitetin, organizimin, disiplinën dhe frymën fituese të FAMILJES SONË TË MADHE, PARTISË SOCIALISTE.
– 5200 Organizata Socialiste u AKTIVIZUAN, ORGANIZUAN DHE U RIENERGJIZUAN, duke qenë sot qeliza proaktive të motorit tonë fitues, të shtrirë thellë brenda komunitetit që i përkasim dhe i shërbejmë.
TË NDERUAR DELEGATË TË KONGRESIT,
Më lejoni që edhe në emrin tuaj, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, të falenderoj këta mijëra Socialiste dhe Socialistë të përkushtuar që ju përgjigjën thirrjes së kryetarit, Edi Rama, në kongresin e 8 Dhjetorit për të filluar një proces qelizor Riorganizimi të Partisë.
Për ta shndërruar Partinë Socialiste jo vetëm në një organizatë fituese të pathyeshme Elektorale, por edhe në instrumentin më të besueshëm dhe praktik për çdo shqiptar, që ka vullnetin dhe dëshirën për të mbështetur vizionin e përcaktuar nga lidershipi ynë për Shqipërinë 2030.
Për të ndjekur këtë vizion, ne kuptuam nevojën për të rinovuar dhe gjallëruar partinë tonë. Më 8 Dhjetor, filluam këtë udhëtim me nisjen e një Reforme gjithëpërfshirëse të Rienergjizimit, e projektuar me përpikmëri inxhinierike në një platformë që përfshiu shtatë shtylla kritike dhe që u zhvilluan në katër faza nga Janari në Korrik 2024.
Realizimi i kësaj reforme ishte një përpjekje kolektive dhe një pasqyrim i vërtetë i vlerave tona demokratike.
Filluam një tur prezantimi kombëtar, duke mbuluar të 12 qarqet e vendit. Në një prezantim që nuk ishte një formalitet, por një hap thelbësor që për platformën tonë të re të informoheshin dhe pasuroheshin dhe zërat e strukturave tona lokale.
Dëgjuam, u konsultuam dhe integruam njohuritë dhe opinionet e mbledhura nga anëtarët tanë në hartimin përfundimtar të platformës sonë, që konsistoi në:
– RIENERGJIZIMIN QELIZOR TË ORGANIZATAVE SOCIALISTE
– ANTARËSIMET E REJA
– PROFESIONALIZMIN NË PARTI
– FORUMET MBËSHTETËSE
– FORUMET E HAPURA
– DIGJITALIZIMIN E PARTISË
– PSSH NJË PARTI EUROPIANE
7 shtyllat që u zbatuan përmes katër fazave të planifikuara me përpikmëri, secila duke u ndërtuar mbi sukseset e të mëparshmes, duke siguruar një ripërteritje gjithëpërfshirëse dhe sistematike të partisë sonë.
Ndërsa vazhdojmë të ecim përpara me Reformën tonë ambicioze të Rienergjizimit, jam i kënaqur të ndaj hapat konkretë dhe piketa të rëndësishme që kemi arritur përmes zbatimit të përpiktë të platformës sonë.
Faza I përfshinte një vlerësim të plotë të gjendjes aktuale të çdo Organizate Socialiste (OS).
Anëtarët e Asamblesë sonë Kombëtare luajtën një rol kryesor në këtë fazë, duke vepruar si monitorues dhe duke ofruar raporte të detajuara online për situatën reale të çdo OS nën mbikëqyrjen e tyre.
Për të siguruar saktësi dhe qëndrueshmëri, anëtarët tanë të Asamblesë Kombëtare iu nënshtruan një trajnimi të gjerë dhe u pajisën me një manual përdorimi për platformën e raportimit online. Nëpërmjet portalit tonë të sapokrijuar, detyra.ps.al, u dokumentuan me foto dhe komente statusin e 5,138 Organizatave Socialiste kudo në Shqipëri.
Objektivi parësor i kësaj faze ishte raportimi i saktë i statusit aktual operativ të Organizatave tona Socialiste. Kjo fazë na lejoi të rivlerësojmë funksionalitetin e këtyre organizatave si njësi themelore, duke siguruar njohjen, përfaqësimin dhe antarësinë aktive të tyre.
Përpjekjet tona nxorën në pah disa të dhëna kryesore, jo pak shqetësuese:
– U identifikuan 570 organizata me më pak se 4 anëtarë,
– 3,417 organizata me më pak se 3 gra dhe
– 3,891 organizata me më pak se 3 anëtarë të rinj.
– Gjithashtu, kemi mbledhur rreth 8,500 fotografi të takimeve, duke treguar pjesëmarrjen aktive brenda këtyre organizatave.
Duke patur një pasqyrë të qartë të situatës, kaluam në Fazën II, duke u fokusuar në korigjimin e çështjeve të identifikuara, sidomos mospërputhjet midis antarësimit tonë real dhe atij elektoral.
– Çdo Organizatë Socialiste mori si detyrë të rekrutonte të paktën katër anëtarë të rinj, duke siguruar që 2 prej tyre të ishin shoqe dhe një të ri të moshës 18-30 vjeç.
Kjo fazë ishte vendimtare për rinovimin dhe zgjerimin e bazës sonë të anëtarësimit, duke përmirësuar gjithashtu anëtarësinë ekzistuese.
Rezultatet e Fazës II ishin të jashtëzakonshme.
– Ne mirëpritëm 34,000 anëtarë të rinj në radhët e Partisë Socialiste, duke e çuar anëtarësimin tonë aktiv në mbi 100,000 në fund të kësaj faze.
– Midis anëtarëve të shtuar rishtas ishin 12,000 të rinj dhe 15,000 shoqe, duke rritur ndjeshëm diversitetin dhe përfaqësimin brenda partisë sonë.
– Kjo fazë na lejoi gjithashtu të pastronim bazën tonë të të dhënave nga anëtarësimet fiktive, duke siguruar një regjistrim të saktë dhe të besueshëm të anëtarëve të partisë sonë.
– Ne krijuam lidhje reale OS-QV dhe verifikuam detajet e anëtarësimit, të cilat tani janë pjesë përbërëse e proceseve tona zgjedhore dhe shërbimeve të patronazhimit.
Fazat III dhe IV theksojnë angazhimin tonë ndaj parimeve demokratike dhe forcimit të strukturave tona partiake.
Faza III u përqendrua në procesin e zgjedhjeve demokratike për postet e kryetarit dhe të bashkëkryetarit brenda çdo Organizate Socialiste. Këto zgjedhje u zhvilluan për të rifreskuar drejtuesit dhe për të siguruar që strukturat tona organizative të mbeten dinamike dhe efektive.
Sipas statutit dhe pas përfundimit të mandateve të drejtuesve tanë aktualë, ishte e domosdoshme mbajtja e zgjedhjeve në të gjitha organizatat socialiste në mbarë vendin.
Zgjedhjet u raportuan në mënyrë të përpiktë online nëpërmjet platformës detyra.ps.al, në një masë të suksesshme prej 90%. Kjo nënkupton se 4,694 Organizata Socialiste dokumentuan proceset e tyre zgjedhore, duke ofruar foto, video dhe informacion shtesë mbi pjesëmarrjen.
Përafërsisht 15,000 foto dhe video u raportuan online.
Nëpërmjet këtij procesi, u zgjodhën 10,274 vajza dhe djem bashkë-kryetare, duke sjellë një kombinim drejtuesish me përvojë dhe të rinj për të drejtuar organizatat.
Kjo fazë ishte vendimtare pasi jo vetëm që siguroi respektimin e kërkesave tona statutore, por solli edhe një përtëritje të lidershipit të organizatave socialiste.
Pas përfundimit të suksesshëm të zgjedhjeve për kryetar dhe bashkëkryetare, kaluam në Fazën IV, e cila përfshinte zgjedhjen e delegatëve të kongresit. Këto zgjedhje u zhvilluan sipas parimit një anëtar, një votë, siç përcaktohet në Statutin e Partisë Socialiste.
Në 2024 në zgjedhjet e delegatëve kemi qenë dëshmitarë të një pjesëmarrjeje më të madhe krahasuar me ato të mëparshme.
Nga 100915 anëtarë partiakë në listat zgjedhore, votuan 79.350 anëtarë ose 78.6%.
Kjo pjesëmarrje entuziaste është një dëshmi e dedikimit dhe përkushtimit të anëtarëve tanë. Gjithsej 1970 kandidatë konkurruan për postet e delegatëve dhe 952 delegatë u zgjodhën sipas parimit një anëtar-një votë, që është një rritje e ndjeshme prej 246 delegatë më shumë se në zgjedhjet e mëparshme.
Përbërja e delegatëve të zgjedhur pasqyron përkushtimin e partisë sonë për diversitet dhe gjithëpërfshirje.
43% e delegatëve janë shoqe, duke siguruar përfaqësimin gjinor.
Gjithashtu, 142 delegatë, ose 15%, janë të moshës deri në 30 vjeç, duke sjellë energji rinore.
Këtë herë 700 delegatë, zgjidhen për herë të parë, duke theksuar angazhimin tonë për të sjellë zëra të rinj në proceset tona vendimmarrëse.
Sot kongresi Voton Asamblenë e Re Kombëtare.
Delegatët e strukturave vendore të partisë propozuan 269 kandidatë për antarë të Asamblesë Kombëtare, nga këto:
– 132 janë kandidatura shoqe
– 242 kandidatë, 90%, kandiduan për herë të parë
– 16% janë të moshës deri në 30 vjeç
– Asnjë nga kandidatët e propozuar nuk mban post Drejtuesi Institucioni duke krijuar hapwsira tw reja nw angazhimet tona politike.
Sipas Statutit tonë, Kongresi përfshin delegatë ex officio dhe delegatë nga degët e PS-së në emigracion, kryesisht në Greqi dhe Itali.
Reforma e Rienergjizimit ka sjellë ndryshime të thella dhe të qëndrueshme brenda Partisë Socialiste të Shqipërisë duke rinovuar strukturat tona themelore. Ka promovuar barazinë gjinore, ka përqafuar pjesëmarrjen e të rinjve, ka shfrytëzuar mjetet digjitale, ka siguruar transparencë dhe ka forcuar bazën tonë të anëtarësimit.
Në qendër të kësaj reforme është rinovimi i qelizave tona bazë, Organizatave Socialiste. Nëpërmjet regjistrimit dhe rregullimit të përpiktë, ne kemi përafruar numrat tanë të anëtarësimit sipas statutit të PS-së. Ky proces ka siguruar që çdo organizatë të jetë e fuqishme dhe përfaqësuese, e aftë për t’i shërbyer në mënyrë efektive komunitetit të saj.
Përpjekjet tona për reforma janë shtrirë edhe në krijimin e një baze të dhënash gjithëpërfshirëse të emigrantëve socialistë, të kategorizuar sipas vendit të banimit. Kjo bazë të dhënash na lejon të qëndrojmë të lidhur me anëtarët tanë jashtë vendit dhe të sigurojmë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e tyre brenda partisë.
Takimet që Kryetari i Partisë organizoi në Athinë dhe Milano dëshmuan se sa urgjente është nevoja e organizimit partiak në diasporën shqiptare.
Entuziazmi, optimizmi dhe mbështetja për Edi Ramën dhe lidershipin e tij që dëshmuan këto tubime janë thirrje shumë e fortë për strukturat tona tashmë, kur falë vullnetit të forcës tonë politike, vizionit të lidershipit dhe votimit të deputetëve socialistë, Vota e Emigrantëve është një realitet Politik.
Të nderuar Antarë të Forumit të Lartë të Partisë,
kjo përpjekje titanike organizative nga vendimarrja e 8 Dhjetorit,
ky numër i madh antërësimesh të reja, këto forume partiake të rifreskuara,
kaq shumë mbështetje për vizionin politik Shqipëria 2030,
na kërkojnë që ne të marrim vendime shumë të rëndësishme për vazhdimin dhe thellimin e procesit të rienergjizimit. Të vazhdojmë demokratizimin dhe rifreksimin e forumeve tona,
Shtrirjen Territoriale dhe përgatitjen politike të organizatës sonë.
Hapjen dhe përfshirjen në strukturën tonë të çdo qëndrimi progresist në komunitet.
Përgatitjen e partisë tonë,
partisë më të madhe në vend,
jo vetëm të fitojë zgjedhjet e radhës por edhe të jetë e vetmja platformë politike dhe demokratike për këdo që mbështet vizionin europian të Edi Ramës, SHQIPËRIA 2030.