The Socialist Party of Albania

“DEPUTETI QË DUAM”

Takim i hapur me grupin e parë të aplikantëve në platformën digjitale, si një mirëseardhje inkurajuese dhe ftesë për të gjithë të tjerët që dëshirojnë të aplikojnë.
* * *

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë:
Mirëmbrëma të gjithëve dhe mirë se keni ardhur këtu!
Ne jemi këtu së bashku me Borën, me Evisin, me Rominën dhe me ndonjë tjetër që është pas jush, por që është pjesë e këtij grupi që ndjek platformën për të uruar mirëseardhjen të gjithëve ju, por njëkohësisht për të inkurajuar të gjithë ata si ju, që kanë dëshirë, kanë ambicie, por që mund të kenë ngurrim, mund të kenë dyshime, mund të kenë paragjykime për mënyrën sesi funksionon platforma dhe sesi funksionon ky proces.
Platforma nuk është një instrument që ne e përdorim për herë të parë, por është një instrument që për të parë, ne e kemi vendosur në qendër të një procesi që, – ndryshe nga hera e parë sepse kjo është e dyta, – fillon thuajse një vit përpara zgjedhjeve dhe afro 9 muaj përpara sesa të regjistrohen kandidatët që do të jenë pjesë e skuadrës përfaqësuese të Partisë Socialiste dhe ju jeni nga grupi i parë i aplikantëve që jeni këtu, por që do të zgjerohet, kam bindjen, nga aplikantë të tjerë, të cilët duke filluar nga ju, nuk duhet të presin që pasi u bë aplikimi dhe pasi ju i dhatë në atë aplikim arsyet tuaja dhe përmbushët ato kriteret e aplikimit, të ndodhë përzgjedhja.
Avantazhi i atyre që vijnë më parë është vetëm koha që kanë më shumë në dispozicion për të treguar sesa janë në gjendje të jenë një vlerë e shtuar në skuadrën tonë përfaqësuese. Vlerë të shtuar në skuadrën tonë përfaqësuese nuk të bën mosha më e re, nuk të bën as fakti që ke dëshirë apo as fakti që mund të dish të flasësh bukur apo as fakti që mund të kesh qenë më parë në rrethin më të gjerë që ka Partia Socialiste, por nuk të bën as lidhja apo lidhjet që mund të kesh me Partinë Socialiste sepse të gjitha këto janë krejtësisht të pamjaftueshme.
Vlerë të shtuar të bën çfarë ti je në gjendje të demonstrosh, duke treguar se je një kandidat apo kandidate që i duhesh skuadrës përfaqësuese të Partisë Socialiste dhe ta demonstrosh këtë çdo ditë. Për këtë, Bora dhe ekipi që po merret me të gjithë procesin e platformës janë duke përgatitur edhe një udhërrëfyes që është thjesht udhërrëfyes me sugjerime që pastaj ju do t’i ndiqni sipas dëshirës.
Askush nuk do t’ju vijë pas për t’ju thënë “Pse bërë këtë e pse nuk bërë ketë”, askush nuk do t’ju vijë pas për t’ju mësuar si bëhet kjo e si bëhet kjo. Ne do t’ju ndjekim me sy në distancë për të parë sesi ju promovoni kandidaturën tuaj, duke praktikisht, fuqizuar personin tuaj publik që sot është një person publik i panjohur dhe që nesër kur të vijë momenti për zgjedhje, do të jetë një person publik i njohur në komunitetin e tij, i njohur në një rreth të caktuar profesionistësh, i njohur në rrjetet sociale për një grup të caktuar njerëzish natyrisht, nuk po flasim për gjithë Shqipërinë e nuk po flasim për të gjithë qarkun, por për një grup të caktuar njerëzish dhe për një individ që ka provat se pas tij, ka zgjedhës që do të zgjedhin ta mbështesin dhe kështu të mbështesin Partinë Socialiste.
Kjo platformë, e thënë me fjalë të tjera është një platformë për të gjithë ata që, përndryshe nuk ju vjen radha. Dëgjova vajzën nga Novosela, unë nuk e kam takuar ndonjëherë në memorien time, mbase mund të kemi dhënë dorën në ndonjë nga takimet e Partisë Socialiste, por duke njohur Partinë Socialiste të Vlorës, unë mund të them me plot gojën që nëse vajza nuk do të kishte aplikuar, nuk do t’i vinte ndonjëherë radha që të merrej në konsideratë si një kandidate e mundshme e Partisë Socialiste. Kjo nuk do të thotë që do të jetë kandidate sepse këtë nuk e vendosim dot sot, por shembulli i saj është shembulli, faktikisht, i të gjithëve ju dhe shembulli i të gjithë atyre që i kanë të gjitha cilësitë për të qenë pjesë e kësaj familjeje të madhe politike në pozicione të caktuara, por që parakalohen nga të tjerë.
Natyrisht, politika është si jeta dhe jeta kudo, së paku në rajonin dhe pellgun e Mesdheut është e njëjta me ndryshime relative dhe të gjitha vlejnë, të gjitha ndikojnë, pa diskutim, aq më tepër që Shqipëria është një vend i vogël, ku të gjithë i njohin të gjithë dhe ku njohjet dhe lidhjet kanë rolin e tyre.
E pikërisht për këtë është shumë e rëndësishme që dhe këto t’i merrni në konsideratë dhe këto të merren në konsideratë për të arritur që ky rrjet lidhjesh dhe njohjesh që është mes nesh, brenda një familjeje kaq të madhe politike, të jetë një rrjet edhe më i madh lidhjesh dhe njohjesh që çojnë ujë në mullirin e Partisë Socialiste. Kur unë erdha në krye të Partisë Socialiste, ne e nisëm një proces në një kohë tjetër, në kushte të tjera, me instrumente të tjerë. Në atë kohë nuk kishte rrjete sociale dhe faktikisht, e filluam një ndryshim të gjeneratës që zinte vendin kryesor të gjithë nivelin vendimmarrës të Partisë Socialiste dhe faktikisht Paria Socialiste e cila fitoi zgjedhjet e 2013 ishte një parti që vinte me fuqinë e atij ndryshimi gjenerate dhe ajo gjeneratë për gjithë këto vite ka qenë një gjeneratë dominate në Partinë Socialiste. Natyrisht Partia Socialiste e vitit 2013 kishte shumë të rinj dhe të reja që për hir të vërtetës patën edhe fatin, se unë e quaj fat, për ata që kanë ambicie dhe realisht e kanë thirrjen e brendshme të politikës që t’i krijonin muskujt e tyre në opozitë. Ndërkohë që për Partinë Socialiste 2030 sfida është që ndryshimi i gjeneratës të bëhet ndërkohë që ne jemi në qeverisje.
Partia që fitoi zgjedhjet e para dhe që fiton prej atëherë çdo zgjedhje është një parti që ka bërë jashtëzakonisht shumë për këtë vend përmes fuqisë në qeverisje, përmes fuqisë që i është dhënë nga njerëzit edhe në nivelin vendor. Sot Shqipëria është një vend tjetër nëse ne nismi nga pika ku filloi kjo periudhë në udhëheqjen e vendit.
Shqipëria ishte një vend, thjeshtë për t’ju dhënë një shifër shumë të thjeshtë, me një prodhim të përgjithshëm kombëtar 12.7 miliardë euro apo dollarë në atë kohë dhe sot është një vend me afro 25 miliard dollarë. Për të qenë besnik ndaj pasqyrimit të Përgjithshëm Kombëtar në Google nga burime që nuk janë burime të Partisë Socialiste është faktikisht 25.4 që do të thotë fiks dyfishi. Po kështu edhe Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar për frymë, pothuajse dyfishi, e po kështu në të gjitha drejtimet dhe sektorët, por ama kjo është Shqipëria në raport me aty ku ne u nisëm, me një vend që ishte në buzë të humnerës, me një vend që ishte i zhytur në borxhe dhe në halle, me një vend ku sipërmarrja po kolapsonte për shkak se nuk po paguante më, në një vend ku kantieret publike ishin një plagë me gropa të hapura për të cilat na u desh një periudhë e gjatë që t’i mbyllim dhe kur them gropa të hapura, flas për gropa fizike dhe për gropat financiare.
Sot është shumë pak për të bërë këtë krahasim dhe për tu kënaqur, sepse ne sot nuk matemi me ku ishim, sot matemi ku duam dhe ku duhet të jemi në 2030 dhe prandaj na duhet një energji ende më e madhe, na duhet një Parti Socialiste që të jetë pasqyra e ambicies, jo thjeshtë të vetvetes, por të shoqërisë, të pjesës dërrmuese të shoqërisë për Shqipërinë. Na duhet një parti, e cila të jetë pasqyrë edhe e të gjithë forcave të progresit në shoqëri. Forca të progresit të mishëruara në fytyrën, emrin, zërin, mendjen, zemrën, shpirtin e të gjithë atyre individëve që janë pjesë e këtyre forcave. Forcave të sipërmarrjes, forcave të botës universitare, forcave të shoqërisë civile, forcave të punës në fshat, forca të cilat në një pjesë të konsiderueshme janë forca mbështetëse të Partisë Socialiste, sepse anëtarësia jonë është së fundmi nga regjistrimi dhe nga pastrimet e të gjithë të dhënave të dhjetëra verifikimeve e të dhënave të reja, prej rreth 100 mijë anëtarësh, zgjedhësit tanë janë mbi 700 mijë.
Ambicia jonë është tanimë që votojnë të gjithë shqiptarët, edhe ata jashtë Shqipërisë, ne të synojmë që Partia Socialiste e 2030 të jetë partia e 1 milionë shqiptarëve aktiv, gjë që sigurisht do të kërkojë kohën e vet, por një gjë duhet të lexohet qartë, një rritje e fuqisë sonë përfaqësuese qysh në zgjedhjet e ardhshme. Ama midis 100 mijë anëtarëve dhe thuajse ose mbi 700 mijë zgjedhësve, që mos them thuajse 800 mijë ka një diference shumë të madhe dhe që këta njerëz që nuk janë të regjistruar në Partinë Socialiste janë njerëz që e mbështesin Partinë Socialiste, e besojnë Partinë Socialiste dhe duan suksesin në Partinë Socialiste dhe nëpërmjet suksesit të Partinë Socialiste kërkojnë suksesin e tyre. E pra këtyre njerëzve i drejtohemi ne dhe i themi faleminderit 1 mijë herë nëse dëshironi të afroheni më pranë, nëse dëshironi të dilni në vijën e parë, vijnë e dytë apo të tretën të udhëheqjes së këtij vendi, ne jemi këtu jemi gati. Jemi gati t’ju presim krahapur dhe t’ju ofrojmë dhe afrojmë drejt destinacionit që ju mendoni për veten tuaj.
Tani Bora tha që muajin e parë ne patëm mbi 100 mijë aplikantë, besoj se ne mund të kemi në fund të këtij procesi disa qindra, numri i deputetëve të skuadrës së Partisë Socialiste është shumë më i vogël se ky numër dhe skuadra e partisë Socialiste ashtu siç ishte ajo e 2013 dhe ashtu siç ka qenë gjithmonë qasja dhe vëmendja, por edhe mençuria dhe urtësia jonë do të vazhdojë të jetë një skuadër që do të ketë brenda eksperiencën shumë të çmuar të një pjese që e kanë përfaqësuar Partinë Socialiste në Kuvend.
Kështu që jo të gjithë ata që do të vijnë drejt nesh, që do të aplikojnë për të qenë deputet të Partisë Socialiste do të mund të jenë kandidat për deputet, por beteja e pranverës dhe ardhshme dhe përpjekja për tu ngjitur drejt majës të 2030 ka nevojë për shumë më tepër njerëz sesa thjeshtë për grupin parlamentar.
Sot ne kemi disa që janë në vijnë e parë apo në vijnë e dytë dhe që vijnë nga praktika shumë më e thjeshtë dhe shumë më e shkurtër në kohë e platformës “Deputeti që duam” të vitit 2021. Bora vjen nga ajo praktikë dhe sot është ministre e Shtetit edhe pse nuk u bë deputet hyri në skuadrën përfaqësuese, por nuk i mori të gjitha votat për të qenë deputete. Po ashtu ne kemi Alfred Muharremin, i cili ishte dikush që nuk kishte asnjë lidhje nga ato lidhjet e shkurta në Partinë Socialiste. Erdhi nga një territor krejt i veçantë i jetës shoqërore si një jetim që kishte investuar energjitë dhe kishte investuar aftësitë e tij në mbrojtje dhe në mbështetje dhe në ndihmë të jetimëve dhe sot ai ka një pozicion të caktuar në nivelet e larta të administratës. Shpresa është deputete e qarkut Lezhë dhe vjen nga eksperienca e platforms, pra. Besjana Ajazi po ashtu. Janë raste të ndryshme, pak por domethënëse, që të gjithë të kuptojnë dhe të gjithë të dijnë qysh në krye të herës se kjo nuk është një rrugë e shkurtër, kjo nuk është një rrugë që fillon sot me një aplikim dhe mbaron domosdoshmërisht me uljen në parlament.
Natyrisht për disa po, do të jetë kështu, por për shumicën nuk ka se si të jetë kështu, përderisa bëhet fjalë për qindra e qindra njerëz. Ama nga ana tjetër, kjo është një rrugë, e cila iu jep të gjithëve mundësinë që të kuptojnë më shumë nga jeta e brendshme e PS, të mësojnë më shumë nga dinamika e ndërveprimeve me komunitetet, me grupet e interesit, të përfitojnë nga eksperienca në pozicione të ndryshme, në punë të ndryshme dhe ndërkohë të vazhdojnë të ushqejnë ambicien e tyre për të qenë një ditë përfaqëues të PS.

Kjo është histori e njohur edhe për disa prej atyre që ju sot i shihni në pozicionet e larta udhëheqëse të PS. Elisa Spiroapli nuk ka qenë në listën e deputetëve qysh herën e parë dhe pse ishte shumë më e angazhuar dhe kishte shumë më tepër kohë në politikën e PS sesa të gjithë ju, mirëpo ambicia, përpjekja, rritja në dije dhe në eksperiencë bën të vetën dhe e bën të vetën, në një kohë që mund të kishte qenë dhe më e gjatë për të qenë sot, aty ku është.

E në fund të fundit ajo që është më e rëndësishmja, është që ne t’i japim politikës mundësinë që të përdoret nga sa më shumë duar të mira. Politika është bërë fatkeqësisht, jo vetëm këtu, por në të gjithë botën, sinonim i së keqes për shumë njerëz. Bëjnë gabimin më të madh, jo se politika nuk bën keq kur bie në duar të mbrapshta, politika ka prodhuar të këqia të proporcioneve apokaliptike si fashizmi apo si nazizmi, apo si diktatura komuniste, po politika ka bërë njëkohësisht të gjitha gjërat që e kanë ndihmuar njeriun të organizohet në shoqëri dhe që e kanë ndihmuar shoqëritë pastaj të lulëzojnë, se siç nuk do ekzistonte fashizmi dhe nazizmi dhe komunizmi pa politikën, nuk do të ekzistonin as BE dhe as SHBA. Nuk do ekzistonin të drejtat e njeriut, nuk do ekzistonin të drejtat e grave, nuk do ekzistonin shumë e shumë gjëra që i japin shoqërisë së sotme të vendeve demokatike të gjitha ato që ajo ka.

Nuk mjafton të thuash ‘’politikanët janë të gjithë njësoj’’ dhe as të thuash që ‘’unë s’dua të di për politikën’’ që ti të shpëtosh nga politika. Politika meret me ty, merresh apo s’merresh ti me të, sepse faktikisht është politika që i merr mendimin dhe prandaj sa më shumë njerëz të angazhohen dhe sa më shumë duar të afta dhe duar të pastra të marrin në dorë vendimmarrjen, aq më shumë gjëra të mira mund të bëjë politika.

Duke ikur e kthyer kurrizin, duke i qëndruar larg, nuk i shpëton dot. Duke iu afruar, duke i vënë gjoksin, duke qëndruar afër dhe duke ndarë me të tjerë qëllime të përbashkëta, ide të përbashkëta, sakrifica të përbashkëta, punë të përbashkëta, pa diskutim që sjell ndryshimin për të mirën e të gjithëve.
Sot, jemi në pikën kur alternativa e qeverisjes së PS, apo alternativat po të doni, ushqehen nga urrejtjet ndaj nesh, nga mllefi apo nga të dyja këto bashkë që degëozhen ose në qasje dhe veprime destruktive ose në disa degëzime ku njerëz që i thonë vetes të rinj, që përveç moshës së re, nuk kanë asgjë të re për hir të së vërtetës, në këndvështrimin tim, përpiqen të mbingopin të tjerët me iluzione, por qeverisja nuk është një burim iluzionesh. Qeverisja është një përgjegjësi e madhe për të çuar vendin dhe njerëzit në drejtimin e duhur, duke arritur objektiva që kërkojnë punë të jashtëzakonshme, kërkojnë dije, eksperiencë, kërkojnë energji, kërkojnë harmonizimin e të gjtha gjërave bashkë.
Nuk mjafton të thuash që “do t’i çoj pensionet kaq’’ për t’i çuar pensionet aq.
Nuk mjafton që ta kesh me gjithë mend kur e thua “do t’i çoj pensionet kaq”, madje nëqoftëse e ke megjithëmend “do t’i çojmë kaq” , duke dëgjuar lloj-lloj shifrash, atëherë je dhe më i rrezikshëm sepse pensionet janë pjesa më e vështirë e të gjithë këtij procesi transformimi, janë pjesa më e vështirë sot për të gjithë politikën në të gjitha vendet, qofshin të pasura, qofshin më pak të pasura, qofshin më të zhvilluara, qofshin vende në zhvillim sepse pensionet janë faktikisht ajo që shoqëria përmes shtetit arrin të rishpërndajë në funksion të kontributeve që mbledh.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm që misioni ynë është i përmbushur në momentin që ne i kemi dhënë rritjes ekonomike të pamohueshme, dimensionin e saj gjithëpërfshirës dhe nga një rritje ekonomike që shihet qartësisht në shifra, në fakte të ekonomisë, tek një rritje ekonomike që ndihet në arkën e të gjitha kategorive, flas për arkën familjare ka një distancë për të përshkuar në mënyrë që të gjithë të marrin pjesën e tyre nga ekonomia gjithëpërfshirëse, por në ndërkohë shteti të qëndrojë mbi themele të forta, në mënyrë që për të bërë një shembull shumë banal, të mos harxhojmë të gjitha në fillim të muajit dhe pastaj të kolapsojmë të gjithë bashkë, por të garantojmë rritjen e qëndrueshme në një perspektivë shumë më të gjatë.
Solla pensionet si shembull sepse është një pikë shumë e dobët e të gjithë zinxhirit të rritjes dhe pensionistët janë pika më e dobët në të gjitha kuptimet e shoqërisë, siç janë gjyshërit dhe gjyshet pika më e dobët e familjes në aspektin shpirtëror, por dhe në aspektin e vazhdimësisë së jetës dhe prandaj meritojnë shumë më tepër gjithmonë sesa ç’jemi ne në gjendje t’u japim, qoftë dhe kur jemi aty dhe i kemi aty në shtëpi dhe nuk u japim të gjithë atë vëmendje që meritojnë sepse kemi dhe shumë gjëra të tjera për të bërë.
E pra, në këtë kuptim është e domosdoshme, është absolute, është një sfidë e sfidave, që nga njëra anë, ne të bëjmë çmos për t’i rritur pensionet, por nga ana tjetër, ne mos të biem asnjëherë në kurthin e ushqimit të iluzioneve sepse ne nuk mundet dot t’i gënjejmë gjyshërit dhe gjyshet duke iu thënë: nëse ne na jepni votën, ne do t’ua u bëjmë pensionin 500 euro. Kjo do të ndodhë një ditë, por s’mund të ndodhë sot nëse ne na jepni votën. Nga ana tjetër, nuk diskutohet që ne nuk mund të rrimë pa bërë gjithçka që duke filluar që këtë vit, bonusi i fundvitit të jetë më i lartë seç është ai tradicionali aktualisht, të cilin ne në fakt e kemi rritur nga ai që ishte më parë dhe pastaj dhe nga ai tjetri që ishte më parë, por nuk mjafton më ndërkohë që nuk ka mjaftuar kurrë, ama këtë moment ne kemi një ekonomi, e cila mund të na e japë atë që ne duhet të marrim prej saj për t’ia kaluar pensionistëve.
Dhe këtu është dallimi i madh midis nesh dhe atyre të tjerëve që vijnë vërdallë sepse ata dinë vetëm një gjë, duan që të rrezojnë qeverinë e PS, duan të largojnë PS. OK, shumë normale, por se çfarë të bëjnë pastaj me pushtetin nuk është e vështirë ta parashikosh kur shikon se çfarë bëjnë me të vërtetën, kur e shikon se çfarë bëjnë me fjalën, kur e shikon se çfarë bëjnë me veprimet e tyre. Ashtu sikundër, nuk është e vështirë të parashikosh se çfarë mund të bëjnë të tjerë që nuk kanë asnjë eksperiencë, nuk kanë as idenë sesi fillohet e si mbaron një ditë pune në qeverisje.
Mbase u zgjata pak, jo mbase, por siç e tha dhe vajza nga diaspora unë flas gjatë, por mu duk e nevojshme sepse hapi që ju keni hedhur është një hap i guximshëm, është një hap për të dalë nga radha sepse nëse do të pyesnit për këtë hap, të gjithë ata që keni rreth e rrotull do t’ju thonë: rri këtu në radhën e gjithë atyre që thonë “s’ka çtë duhet kjo puna”, “je në terezi ti, do shkosh të aplikosh, po pse të shkon mendja ty se të vjen radha ty që të merresh në konsideratë” dhe prandaj unë desha që së paku si fillim ne t’ju shohim në sy, të na shihni në sy dhe t’ju themi se çfarë është kjo platformë dhe çfarë duhet të prisni dhe çfarë nuk duhet të prisni.

Kjo platformë nuk është një tapet i shtruar për të ecur dhe për të hyrë në derën e PS si deputet, kjo platformë është një mundësi, po! Është mundësi për të hyrë në derën e PS për deputet, por nuk është një tapet i shtruar për këdo që aplikon. Pra, nga momenti i aplikimit deri në momentin e përzgjedhjes do t’ju duhet të gjithëve të tregoni kush jeni. Jo me fjalë, jo me një video, jo me një letër motivimi, as me një fjalim ku thoni që “kryeministri i Shqipërisë, kryeministri i Shqipërisë”. Kështu që, gjëja e parë që unë do sugjeroja është: hiqeni Kryeministrin e Shqipërisë nga fjalimet për ta lartësuar, por thuaju njerëzve se çfarë do besh ti që kryeministri i Shqipërisë të bëhet edhe më i mirë për ta. Për këtë kemi nevojë ne nga ju ose më saktë ka një kohë për brohoritje dhe ka një kohë të tërë për të luftuar dhe ka dhe një kohë për të kundërshtuar.

Kështu që, ju uroj sukses të gjithëve dhe ju inkurajoj që të vazhdoni. Ju paralajmëroj që është një rrugë e përpjetë. Por është rruga ku në fund ia del ai që është i gatshëm t’i durojë të gjitha. Në fund ia del ai që kur rrezohet dhe gërvishtet pak nuk thotë “hë varja se më shtyu ky”, “ma zunë rrugën këta”, “ma bëri me hile”, “jo po se s’më njihte njeri”, por është ai që thotë “po s’ka problem, do çohem dhe do vazhdoj prapë dhe do vazhdoj e do vazhdoj”.

Dhe pastaj secili dhe secila duke treguar se çfarë bëri, sa njerëz angazhoi, me sa njerëz i komunikoi mesazhet e PS, sa njerëzve iu tërhoqi vëmendjen dhe i bëri që të ndër veprojnë me të në rrjetet sociale, në territor, sa njerëz regjistroi në gjithë rrjetin e atyre që u angazhuan ose që janë gati të angazhohen si aktivistë të PS. Sa është në gjendje që t’i thotë Borës, ose Evisit ose edhe mua “kur të kalosh nga lagja ime ose nga qyteti im ose nga fshati im, më njofto një ditë para se do të pres me një grup njerëzish që nuk e kanë votuar kurrë PS dhe duan këtë herë ta votojnë sepse unë i kam bindur”, etj.

Shumë faleminderit dhe një herë dhe realisht mirënjohje dhe respekt që e keni hedhur këtë hap. Mirënjohje që keni besuar dhe nuk do zhgënjejmë askënd në dhënien e vëmendjes edhe te vlerësimit sa më objektiv dhe patjetër respekt sepse keni bërë një hap kurajoz.
Nëse shokë dhe shoqe që mund tju shohin në televizor do t’ju thonë “a je në vete”, thjeshtë buzëqeshini, përqafojini dhe mos i kundërshtoni me inat se duhet të llogarisni që duhet t’i bindni që të votojnë për ju, jo t’i bëni menjëherë kundërshtarë që të mos keni as votën e tyre.
Faleminderit!