The Socialist Party of Albania

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama: Faleminderit shumë për mundimin për të ardhur deri këtu dhe për mundimin për të qëndruar nën këtë diell në këtë orë kështu që ju jam shumë mirënjohës, por nga ana tjetër më vjen mirë që Ndreca e ka menduar që ta bëjmë këtu këtë takim, këtu ku deri përpara pak kohësh nuk kishte asgjë dhe sot është një lagje e re që strehon familjet e goditura nga tërmeti dhe i strehon në kushte shumë më dinjitoze se ato që kishin më përpara, pranë qytetit dhe me një jetë komunitare të re.

Kjo është ajo që kemi bërë ne kudo dhe kështu e kemi transformuar jetën e mijëra e mijëra njerëzve, të cilët përndryshe nuk do kishin asnjë shans që me të ardhurat e tyre të mund të hynin në një shtëpi të re.

Ndërkohë që, me fuqinë tonë të përbashkët ne i kemi dhënë atyre një shtëpi të re dhe një shtëpi më të mirë, një shtëpi shumë më të fortë, një shtëpi më të bukur se ajo që kishin, por mbi të gjitha një shtëpi falas që është prona e tyre e paluajtshme.

Mirëpo, duhet të keni parasysh që me fondet që janë dashur për t’i dalë përballë fatkeqësisë që goditi gjithë ato mijëra e mijëra familje, na është dashur që të mbajmë projekte të tjera, të vonojmë projekte të tjera, të spostojmë fonde në mënyrë që t’ja dalim kësaj ndërmarrjeje kaq të jashtëzakonshme, në një kohë kaq të shkurtër.

Nuk ishte vetëm tërmeti, por ishte dhe pandemia që përsëri na bëri që përsëri të mbartim fonde të përcaktuara për të tjera punë, për të tjera projekte dhe t’i përdorim për vaksinat falas, t’i përdorim për gjithë përballimin e asaj flame që preku aq shumë njerëz deri me jetën e tyre, por që kërcënoi ekzistencën e shumë bizneseve dhe shumë vendeve të punës.

Sot, ajo është një kujtim i të shkuarës dhe është një kujtim për të cilin, përsa na ka takuar, ne jemi shumë krenarë sepse, jo vetëm nuk lamë njerëzit pa vaksina, por nuk lanë as bizneset të falimentonin masivisht, as ata që i humbën përkohësisht vendet e punës nuk i lanë që të mbeten në rrugën e papunësisë, por i rikuperuam dhe i tejkaluam ato vende pune të humbura dhe patjetër, nuk lejuam që më të moshuarit dhe më të dobëtit të mbeteshin vetëm, por i mbështetëm me gjithë ato pakot e rezistencës.

Pastaj erdhi lufta, erdhi rritja katastrofike e çmimit të energjisë, gjë për të cilën ne bëmë gjithçka dhe vazhdojmë e bëjmë dhe sot që fatura e elektrikut në shtëpitë e të gjitha familjeve shqiptare të mos ketë asnjë qindarkë më shumë seç kishte përpara se të fillonte lufta, por në çdo faturë është dora e qeverisë që paguan diferencën.
Të gjitha këto i them për t’u kuptuar që nëse do kishim pasur një rrugë më të lehtë, nëse ne nuk do ta kishim pasur imponimin e këtyre forcave të paparashikuara të natyrës që na dolën përballë dhe që do kishin gjunjëzuar edhe një elefant e jo një Shqipëri të vogël dhe ende jo aq të fortë sa për të përballuar goditje të kësaj natyre njëra pas tjetrës, sigurisht ne do kishim bërë shumë më tepër e megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre, ne sot e kemi sjellë ekonominë shqiptare në pikën që mundet të bëjmë rritjen më të madhe historike të pagës, duke bërë që paga mesatare në sektorin publik nga 530 euro që ishte përpara se të fillonte rritja që ka filluar tani në fund të prillit dhe në fillim të majit, deri në prillin e ardhshëm të bëhet 900 euro dhe patjetër kjo do të shoqërohet edhe me rritjen e pagës në sektorin privat, ku ne e kemi çuar pagën minimale në 40 mijë lekë, përtej parashikimit tone, por edhe më programin e atyre të tjerëve që ju e dini shumë mirë si i shkruajnë programet, tamam si ky këtu që thotë “Jam djalë i mire”
Muhabet kot domethënë, djalë i mirë, ne nuk kemi ardhur këtu për të dhënë nuse, ne kemi ardhur këtu për të thënë që në 14 maj nuk po shkojmë në dasëm dhe nuk po kërkojmë dhëndër, por po kërkojmë njeriun që do të marrim në punë për katër vite që do vazhdojë të punojë për Mirditën.

Çdo gjë e kisha dëgjuar por një kandidat që thotë “Jam djalë i mirë, më jepni votën” kjo është hera e parë që e dëgjoj dhe kur mua më thonë “Ky është djalë i mirë” them “Nuk kam motër për të martuar, kështu që është i zoti apo nuk është i zoti” se djalë i mirë është për veten e vet, është për familjen e vet, bukuri shumë por a është i zoti, a mban ngarkesë, a e tërheq karrocën, a është “kalë” i mirë se djalë i mirë… por mësa shoh unë, ai i paska gjunjët copë.

Unë natyrisht nuk dua të merrem sepse nuk e njoh fare kush është por kam qeshur shumë tani që po vija dhe më thanë “Është njëri që thotë jam djalë i mirë” por përtej djalit të mirë unë mendoj që ky djali, si dhe të gjithë ata djemtë e tjerë që kanë dalë rrugëve për të kërkuar vota për t’u bërë kryetarë bashkie nuk janë mirë këtu (në mendje) mund të jenë këtu (në zemër) ose me ndonjë vend tjetër, por këtu nuk janë mirë sepse të marrësh përsipër t’i japësh fytyrën, t’i japësh emrin, t’i japësh zërin një gërdalle nongrata dhe një tjetri që i madh dhe i vogël e njeh që është i pakorrigjueshëm do të thotë që të mos jesh mirë, që të mos kesh aftësi të arsyetosh se çfarë është mirë dhe çfarë është keq për vendin tënd, në radhë të parë.
Shqipëria sot është në pikën më të lartë që ka qenë ndonjëherë në historinë e vet në sytë e botës, kurrë nuk është respektuar, aq sa respektohet sot dhe asnjëherë nuk e kemi pasur vëmendjen, mbështetjen e miqve, aleatëve dhe partnerëve tanë, sa e kemi sot.
Shqipëria sot, ashtu siç nuk do ia kishte prerë mendja askujt deri disa vite përpara është e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, bashkë me 15-16 vende nga të cilat pjesa më e madhe janë superfuqi, janë fuqi të mëdha dhe aty, bashkë më flamujt e tyre është dhe ky flamuri ynë kombëtar, i cili asnjëherë nuk është valëvitur më lart se sot ndërkombëtarisht.

Shqipëria drejtoi OSBE, një organizatë vendesh që shtrihet nga Kanadaja deri në anën tjetër të botës në Rusi.

Shqipëria priti të parin Samit që Bashkimi Europian bëri në historinë e tij jashtë kufijve të vet, erdhën nga andej të gjithë në Tiranë për të bërë Samitin e Bashkimit Europian,

Shqipëria përgatitet të presë në tetor Samitin e Berlinit, që për herë të parë bëhen në Ballkan.
Të gjitha këto pse ndodhin? Pse nuk ndodhën përpara këto? Pse përpara erdhi puna që kryeministrin tonë dhe qeveritarët tanë nuk i takonte më askush? Pse ndodhin këto, apo ndodhin që Amerika dhe Europa e kanë kuptuar që ne jemi narkoshtet dhe vijnë këtu që ta kuptojnë sesi mund të bëhen dhe ata narkoshtet që të nxjerrin lekë nga droga, apo ndodhin ngaqë jemi vendi më i korruptuar në botë dhe vijnë të mësojnë nga ne sesi të bëjnë më shumë korrupsion?
Apo ndodhin ngaqë jemi bërë superfuqi ushtarake? Apo superfuqi ekonomike? Apo mos vallë jemi bërë më të mëdhenj dhe s’jemi 28 mijë kilometra, por jemi 280 mijë kilometra katror? Asgjë! Asnjë nga këto!
Ne jemi ata që ishim, një vend i vogël me problemet e veta, që forcohet çdo ditë, që ka shumë akoma për të bërë, por një vend që i kemi bërë vend vetes dhe ku në çdo tryezë ulemi si të barabartë, trajtohemi si të barabartë. Ama ne mund t’i kishim bërë vend vetes ose mund të kishim bërë mjaftueshëm për t’i bërë vend vetes, por nëse s’do kishim këtë mbështetje kaq të madhe, këtë besim kaq të madh të aleatëve tanë, të partnerëve tanë strategjikë, ne nuk do kishim pasur dot as ulësen në Këshillin e Sigurimit, as presidencën e OSBE, as samitin këtu, as samitin tjetër në tetor, që do të thotë që kemi arritur t’i japim Shqipërisë mbështetjen më të madhe të mundshme që ajo të rritet më shumë, që të forcohet më shumë dhe natyrisht falë asaj mbështetjeje vijnë dhe të gjitha gjërat e tjera. Vjen rritja e investimeve, vjen dhe rritja e turizmit, vjen dhe rritja e ekonomisë, patjetër të gjitha këto vijnë falë atij fakti që ka filluar bota të na shohë me sy tjetër.
Tani më falni, po kur këta miq të mëdhenj që na i hoqën nga duart e na i hoqën nga sytë për gjysmë shekulli kur na mbyllën brenda të gjithëve në një bunker të madh dhe këta miq, këta aleatë të mëdhenj, Amerika në radhë të parë që ka qenë ylli polar i të gjithë atyre në Mirditë që i kanë thënë vetes patriot dhe anti komunist, që janë paraardhësit e atyre që këtu në Mirditë sot i thonë vetes të djathtë. Pra kur këta na i bëjnë me shkrim, jo mua, s’ma bëjnë mua, nuk ia bëjnë as atij gërdallës, ia bëjnë shqiptarëve të gjithëve se po të ishte puna për një person s’kishim pse e bënim me shkrim. Sa njerëz dënohen, sa njerëz ndëshkohen, sa njerëz ekstradohen, sa njerëz përjashtohen nga mundësia për të kapërcyer pragun e Amerikës, por kur e bëjnë me shkrim, e thonë me zë, dalin me figurë dhe e përsërisin që ky individ që ju e keni pasur në krye me vite dhe që vjen vërdallë akoma dhe kërkon votën tuaj është i padëshirueshëm për ne ose shqip: nuk e shohim dot me sy prandaj na i hiqni nga sytë, dhe këta të djathtët të vazhdojnë e t’i shkojnë mbrapa e të vazhdojnë e të thotë do ta votojmë, e të nisen në 14 maj e të dalin nga shtëpia e të shkojnë te qendra e votimit, e të futen në radhe e të mbajnë radhën e kur tu vijë fleta e votimit aty të shënojnë me laps “Bashkë fitojmë me Like Floririn”, këta nuk janë të djathtë, këta nuk kanë lidhje me të djathtën dhe më e keqja akoma, këta s’kanë lidhje fare me ata stërgjyshërit e gjyshërit që u sakatuan, u pushkatuan, u burgosën, u syrgjynosën nga komunizmi pikërisht sepse donin perëndimin. Se për çfarë ishin kundër ata? Ku ishte kundërshtia e atyre që i pati halë në sy komunizmi këtu në Mirditë. Kundërshtia ishte se nuk donin me Moskën, donin me Perëndimin, donin me Amerikën dhe ata sot nuk jetojnë më, janë nderi i Mirditës, i historisë së saj për qëndrimet dhe për rezistencën e tyre. Përjashtoj këtu kë ka bashkëpunuar drejtpërdrejtë me fashizmin kuptohet, po flas për nacionalistët dhe ata do rrotullohen 7 herë në varr kur t’iu shkojë fjala që ata stërnipërit e stërmbesat, apo nipërit dhe mbesat e tyre kanë vajtur dhe votën e lirë për të cilën ata u vranë e kanë përdorur për Like Floririn dhe e kanë përdorur për SaLiken që është një individ i padëshirueshëm për SHBA dhe për BE, se BE nuk e ka mekanizmin ashtu, por derën ia ka mbyllur dhe nuk ka shans të takojë asnjeri, e keni parë të takojë njeri? I takon njeri këta?
Tani kur e gjithë bota thotë “o njerëz, jemi bashkë, ju kemi marrë në radhët tona, ju mbështesim, duam të bëheni më të fortë këtu në Ballkan, duam të bëheni më të pasur, duam që të ecni përpara, por na i hiqni këtë se nuk mund ta pranojmë dhe këtë këtu bashkë me ju”. Ne çfarë i themi? Jo? Ne nuk e duam makinën që na jepni ju për të shkuar përpara se kemi gomarin tonë e pa gomarin ne nuk hipim në makinë. A jeni në vete apo jo? A janë në vete këta? Po kjo s’ka lidhje fare me PS, unë nuk i them atyre hajde votoni PS, unë iu them atyre mos turpëroni Shqipërinë sepse në 14 maj do votohet dhe pastaj aleatët dhe miqtë tanë nuk do numërojnë votat e PS se nuk iu intereson kjo, do shohin sa shqiptarë nuk na kuptojnë akoma ne?! Dhe nëse shohin që janë shumë, janë shumë nuk do të thotë shumicë të kuptohemi, se shumica nuk kanë qenë as kur ishin grata jo tani që janë non grata, atëherë do thonë çfarë nuk shkon me këta, si nuk mbushin këta? E çfarë t’i themi ne? Jo po ishte një çun i mirë atje në Mirditë që doli e tha hajde se po e marr unë një herë bashkinë? Çfarë çunash të mirë janë këta? Për çfarë i duhen këta Mirditës dhe Shqipërisë? Këta janë njerëz pa gjykim! Këta nuk e kanë fare sistemin këtu që i funksionon dhe i çon informacionin që si është situata.
Kështu që, unë i bëj thirrje të gjithë atyre të djathtëve, që nëse nuk duan Partinë Socialiste, mirë bëjnë se po ta duan të gjithë Partinë Socialiste nuk janë mirë punët atëherë. Ca do ta duan, ca s’do ta duan. Nuk duan mua të më shohin me sy? S’ka asnjë problem, telekomandën në dorë e kanë, me një sustë me pushkatojnë direkt, më asgjësojnë, nuk i dal më përpara. Nuk duan të votojnë prapë për Ndrecën? Gabim e kanë, por të dalin nga shtëpia e të nisen për të votuar Liken këtu? E për të turpëruar historinë e Mirditës. Se juve nuk e di a e dini, se mua më thonë nuk e do veriun dhe nuk i do veriorët. Dhe tani kanë kaluar në ekstrem se shkojnë në veri dhe nuk dinë çfarë të tregojnë, se në fund të ditës çfarë keni bërë ju për veriun? Çfarë kanë bërë? Edhe në Tropojë bën peshqesh 11 hidrocentrale në Valbonë. U desh të vinim ne që nuk duam veriun që të shpëtonin Valbonën nga ata që e duan. Po në Mirditë çfarë bënë këtu, ju kujtohet? Se e kishin këtu Mirditën ata. Çfarë bënë në Mirditë? Unë kur kam ardhur në Mirditë këtu kemi filluar punën me Ndrecën, këtu nuk kishte pik uji në Rrëshen apo jo? Pikë uji! Dhe thonin, na sill ujin dhe s’duam gjë tjetër. I thoja “mos thoni s’duam gjë tjetër se kur të vijë uji hapet oreksi, nuk mbyllet”.
Në Rubik jo ujë nuk kishte, por ata në Rubik e kishin humbur shpresën fare që do vinte uji ndonjëherë. Sot këtu ka ujë 24 orë të pijshëm apo jo? Në Rubik është në përfundim vepra. Natyrisht ka pika të ndryshme ku s’ka aq sa duhet, po ata ça bënë ata? Ça bënë? Ata iu morën dhe ato tuba që kishit me vete dhe i çuan për skrap, morën dhe ca lekë. Po rrugët ku ishin këtu? Po, aty kishte aty te sheshi në qendër.
Ça hekurash? Ata s’ishin as hekura. Ato ishin si ato që vinin në kohën e komunizmit që po të vinin ata parashutistët të ngeleshin aty. I ka pas vënë, nuk e dini ju kalamajtë, mos qeshni kot, mbani mend tek vreshtat?
E ua kishin bërë peshqesh një nga ato këtu në mes të Mirditës që kur të vinin mirditorët me parashutë se me rrugë s’vihej këtu, të ngeleshin aty. Atë bënë ata.
Unë nuk di çfarë kanë bërë tjetër. Ma thoni. Shkolla? Ku ishin shkollat? Shkollat e Mirditës ishin stalla, tmerre, mos them kopshtet e çerdhet. Po pallati i sportit? Po pallati i kulturës?
Tani të gjitha këto nuk mjaftojnë, unë e di, po pa këto njëherë as nuk bëhet llaf dhe këto ua them që të pyes. Po mirë, shkon ua jep votën, po mirë, çfarë do bëjnë? Jo, do bëjnë ata, ua them unë, do bëjnë një gjë tjetër. Do futen aty brenda, siç e kanë bërë gjithmonë, marrin mbledhin gjithë atë tarafin e vet, e fusin brenda në bashki, mbyllin derën dhe thonë, “shëndet tani se kemi ca punë’’, i marrin fondet nga taksat këtu se nga qeveria…Jo se s’duam t’i japim ne po se si marrin dot. Nuk dinë të bëjnë projekte, s’dinë dhe i ndajnë mes njëri-tjetrit , pastaj lënë dhe ca veç e shkojnë marrin autobusa dhe ata 10 veta që ka Ndreca këtu për pastrim dhe ca të tjerë për gjelbërimin, ndriçimin e ku di unë, me kanalizime dhe 30 të tjerë, kapin dhe dy autobusa , i fusin 50 e 50 në dy autobusë dhe i nisin në Tiranë që te thonë “Rama ik’’ me dy gishta. Tani unë s’kam hallin tim se mos kujtojë njeri se do them aman mos i votoni ata se kam hall se do më vinë me autobusë me dy gishta, se sa më shumë vijnë ata me dy gishta tek unë, aq më shumë vij unë këtu me dy këmbë, kështu që ata ik e unë hajde.
E mbani mend që thonin, “Rama ik, Rama ik” ? E iku Luli. Mbani mend fjalën time, do bëhen zgjedhjet në 14 maj, është punë orësh, po hajde dhe punë 2-3 ditësh kur të thonë “ i vodhi, çohuni, Rama ik’’. Po këtë herë do të ikin ata të dy përfundimisht.
Ata të dy do ikin po me një ndryshim se Luli iku, po Luli është rehat, shkoi të flerë, Lulin e keni në gjumë tani. Luli pret tani ta zgjojnë e t’i thonë “hajde o Lul tani se paske qenë ti në rregull po ne s’kuptuam gjë’’. Këta nuk do ikin me fjet, këta s’flenë dot se këta kanë punë të tjera, kanë hesape të tjera dhe këto hesape të tjera do t’i lajnë në këtë botë, nuk i lajnë dot në botën tjetër, të jeni të sigurtë.
Drejtësia vonon, thotë populli, por nuk harron. Unë po ju them, drejtësia këtu në Shqipëri ka vonuar sa ia ka plasur shpirtin të gjithëve, por çdo ditë që kalon e ka një shans më pak të harrojë, kështu që të jeni të sigurt për këtë. Dhe të gjitha këto besoj vlejnë për të kuptuar, që mirë, çfarë do dalin të votojmë për ata? Se duhet të më japin një arsye. Një të vetme. “Do luftoj korrupsionin”, thotë Likja. Ore jeni në vete apo jo? A e kuptoni kur thotë Like Floriri do luftojë korrupsionin apo jo? A jeni në vete apo jo?
Kjo tregon që ruani ujësjellësit se erdhi ua mori tubat këtu. Se ujin harroje që e devijuan komplet. Do bëjnë transparencë, thotë Likja. Ça transparence? Likja do të shkojë të bëjë transparencë për ato kontot sa lart poshtë nëpër ato bankat e huaja të fshehta.
Mbani mend kur thoshin për mua “Edi Rama me konto offshore. Ka 200 milionë euro, ka 500 milionë euro, ka 1 miliardë, i ka në Qipro, i ka në Spanjë, i ka këtu’’? Gjithë adresat e veta! Se unë e kam thënë, njeriu normal nuk të akuzon kot pa prova, po qe se nuk e ka bërë vetë atë që të akuzon. Se duhet ta kesh bërë vetë. Se mua s’më shkon mendja t’i them njeriu ‘’ore ti ke konto offshore’’. Sa më shumë ma thonin, i thoja këtyre, ore më duket se kanë konto këta.
Po jo pse? Ore më dëgjo mua, se i bien vetë kësaj. I bie që kanë konto vetë, ka mundësi, ka dhe ky kështu që po i biem këtij. Tak, kontot filluan duke dalë. Kështu që ata janë në rregull nga ajo anë. Po këta këtu në Mirditë që nëpër zona jashtë qytetit që mendojnë që do t’u japin votë?
Për ça do t’ia japin? Vetëm për turp. Për turpin më të madh të të parëve të tyre, për turpin më të madh të Mirditës dhe e kam thënë dhe herë tjetër këtu që nëna imë është nga Vunoi i Himarës, por është nga ajo pjesë himariotësh që vijnë nga Mirdita sepse siç është Robert Ndrenika. Të parët e Robert Ndrenikës nuk janë andej , janë këtej. Se nga doli emri Ndrenika? Nga doli? Doli nga Himara? Jo, doli nga këtej. Ose mbiemri i nënës time, Koleka.
Kështu që edhe për këtë, mos ma bëni këtë tani që të na turpëroni fare se mirditorëve nga të gjithë këta që janë këtej se s’ka gjë më të zgjuar se këta këtej, nuk ia ka hedhur njeri kurrë. Ça është kjo? Kjo është ta hash llokumin gabim , jo një herë, po ta hash për të gjitha herët e tjera që s’e keni ngrënë.
Kështu mendoj unë. Nuk po ju lodh më. Faleminderit që rezistuat në këtë diell. Ndreca është shalqi me shtatë prova. Ai tjetri, as mos i hyni fare kësaj punë, më dëgjoni mua, se e keni jeshil brenda komplet.
Po me këtë nuk them që s’duhet me i dhënë nuse. Të jetë mirë, të jetë me shëndet, të jetë me grua e me fëmijë, por bashkisë ama t’i rrijë larg se kemi nevojë për çuna të zotë e të mirë, jo për çuna të mirë që shkojnë pas Likes e pas SaLikes. Ata janë çuna të mirë që kanë humbur rrugën. E mirë është edhe delja kur humb rrugën, po ç’e do kur humb rrugën. E ha ujku. Kurse këta janë dele që u gjëmojnë ujqërve prapa se delet janë më të zgjuara se këto. Delet mund të humbin rrugën po nuk i shkojnë ujkut pas e i thonë ‘’aman , më ha’’. Ky dhe kandidatët e tyre janë dele që shkojnë pas ujqërve “aman mor kur do na hani, se vdiqëm’’?
Shumë faleminderit dhe ju siguroj që me Ndrec Dedën, 4 vitet e ardhshme për shkak se gjërat do shkojnë gjithmonë e më mirë dhe të mirën e kemi vetëm përpara, do bëjmë për Mirditën më shumë se ç’kemi bërë këto 8 vjet! Faleminderit!