The Socialist Party of Albania

Fjala e Kryetarit të PPSH, Edi Rama, në Sarandë:

Shumë faleminderit për këtë mikpritje shumë të veçantë!
Është hera e parë që bëjmë një takim këtu në këtë bulevard të ri dhe besoj që megjithëse takimet që kemi bërë edhe aty mbrapa kanë qenë plot me njerëz e plot me entuziazëm, unë nuk kam parë ndonjëherë kaq shumë njerëz bashkë këtu në Sarandë.
Më vjen jashtëzakonisht mirë dhe dua të besoj që edhe kjo prani e madhe është shprehje e vetëdijes që 14 maji ka një rëndësi jo të vogël për të ardhmen e Sarandës dhe në 14 maj, ka shumë për të humbur nëse të gjithë ata që janë këtu e të gjithë të tjerët që nuk janë këtu, nuk bëjnë një detyrë të vogël fare që është që me votën e tyre, të vendosin si duhet se kë do të marrë Saranda në punë për 4 vitet e ardhshme e natyrisht se kë do të marrin të gjitha bashkitë në punë në 4 vitet e ardhshme sepse tanimë historia e zhvillimit të bashkive tona nuk është një histori e veçuar në secilën bashki por është një histori e përbashkët sepse gjithmonë e më të përbashkëta janë rrugët e zhvillimit dhe gjithmonë e më shumë bashkitë duhet të ndërveprojnë me njëra tjetrën për të arritur maksimumin në shërbimin ndaj qytetarëve dhe për të arritur maksimumin në krijimin e mundësive për individët, për familjet, për çdo komunitet në funksion të rritjes së ekonomisë familjare, të ekonomisë vendore e pastaj të ekonomisë kombëtare pa diskutim.
Unë dua të them që ne sot, kemi një fushatë pak më të lehtë se sa herët e tjera për shkak se sot kudo ku shkojmë ne jemi të mbështetur nga punët që flasin. Flasin punët tonë më shumë se sa kanë folur çdo herë tjetër sepse tanimë përpjekja jonë po ka gjithmonë e më shumë frute e besoj që fruti më domethënës i kësaj përpjekje është se me gjithë të papriturat e mëdha që kemi pasur rrugës, që nga tërmeti që la për pak sekonda pa çati me mijëra e mijëra familje e na detyroi që një pjesë të punëve ti ngadalësojmë e një pjesë të fondeve që do duheshin për ato punë e punë të tjera t’i çojmë për të rindërtuar shtëpitë. Pastaj erdhi pandemi që na detyroi përsëri që një pjesë të punëve ti ngadalësojmë e një pjesë të fondeve për ato punë e për punë të tjera t’i çojmë për të garantuar vaksinimin falas të të gjithëve, për të garantuar rritje të kapaciteteve nëpër spitale, për të garantuar mbështetjen e bizneseve të vogla sidomos, por dhe të të gjithë individëve e familjeve me ato pakot e rezistencës. Pastaj erdhi agresioni i befasishëm në Ukrainë me inflacionin e luftës dhe me rritjen marramendëse të çmimit të energjisë e përsëri edhe sot që flasim, ne jemi të detyruar që fonde që mund t’i çonim për punë të tjera t’i vazhdojmë t’i përdorim në mënyrë që fatura e elektrikut në shtëpitë tuaja e në çdo shtëpi shqiptare e në çdo derë biznesi të vogël të mos ketë asnjë qindarkë më shumë se sa kishte përpara se sa çmimi i energjisë të rritej. Po kjo nuk do të thotë që çmimi në atë faturë është ai që ju paguan sepse që ju të paguani atë çmim, qeveria çdo muaj investon para për të kompensuar diferencën e të gjitha këto, prap se prap, nuk na penguan dot më, na vonuan por nuk na penguan dot më që të bëjmë rritjen më të madhe historike të pagave e që duke filluar nga prilli që lamë pas, deri në prillin e ardhshëm, ta çojmë pagën mesatare nga 530 euro në 900 euro e të bëjmë që të gjithë ata që punojnë në shërbim të qytetarëve në të gjitha frontet. Të gjithë ata që vënë në dispozicion punën e tyre për këtë shtet të mund të shpërblehen shumë më mirë e ta kenë shumë më pak mendjen për tu larguar e shumë më tepër mendjen për të punuar të gjithë këtu së bashku.
Nga ana tjetër edhe kjo rritje do të bëjë që sektori privat të lëvizë shumë më shpejt, që pagat të rriten shumë më shpejt, gjë që ka filluar të ndodhë e do të shikoni që ky vit do të jetë një vit që do të sjellë shumë rritje në kompanitë e në bizneset, për të ecur me të njëjtin ritëm që po ecën qeveria dhe nga ana tjetër, për të siguruar që forcat e punës vihen në dispozicion të çuarjes përpara të kësaj kthese të madhe që kemi bërë.
Banka Botërore përpara pak ditësh nxorri një raport ku e konsideron ekonominë e Shqipërisë më të qëndrueshmen në rajon. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që ne e kemi ndërtuar më në fund shkallën tjetër dhe tani do të fillojmë të ndërtojmë shkallën tjetër të rritjes, sepse nëse të ardhurat për frymë kur ne morëm detyrën ishin 3300 euro, sot janë 6400 euro, por pa i çuar 10 000 euro të ardhurat për frymë, ne nuk mund ta konsiderojmë të përmbushur detyrën tonë.
Pagën minimale e kemi çuar në 40 mijë lekë. Do ta çojmë në 45 mijë lekë brenda këtij mandati, por pa e çuar në 60 mijë lekë pagën minimale ne nuk e kemi përmbushur detyrën tonë.
Megjithatë këto nuk kanë ardhur nga hiçi e të ardhurat në rritje për shtetin nuk kanë ardhur nga asnjë rritje taksash. Ne nuk kemi rritur taksa. Ne kemi rritur ekonominë dhe falë rritjes së ekonomisë janë rritur edhe të ardhurat e nga kjo rritje e të ardhurave janë rritur dhe mundësitë dhe ne nuk do të flemë rehat deri kur përveç mbështetjeve të herëpashershme me pako të caktuar që i kemi dhënë pensionistëve, të bëjmë edhe rritjen e pensioneve, por një rritje pensionesh domethënëse, jo thjesht indeksim, por për të arritur aty na duhet ende shumë punë, na duhet ende shumë përpjekje.
Sigurisht që të gjitha këto kanë pasur të bëjnë me vënien në lëvizje të qyteteve. Me kthimin e qyteteve si motorë të këtij zhvillimi. Nëse e kthejmë kokën pas, e koka mbrapa duhet kthyer vetëm për të kujtuar se nga je nisur e jo për tu nisur prap mbrapa, ne nuk kemi asnjë dyshim besoj që Saranda sot nuk krahasohet me Sarandën dje, jo vetëm në atë që shohim por dhe në atë që nuk shihet por që ne e dimë, ju e dini. Saranda sot po mbyll përfundimisht një plagë të tmerrshëm të të gjitha kanalizimeve që mungonin e të të gjitha ujërave të ndotura që derdheshin ku të mundeshin. Me këtë investim të madh të mbyllur, ne po garantojmë që gjithë kjo pasuri e madhe të rritet në vlerë. Kjo pasuri e dhuruar nga zoti por dhe kjo pasuri e krijuar nga njeriu.
Ashtu sikundër kjo është fushata e parë në kujtesën time që kur janë bërë zgjedhje vendore që ne nuk flasim më për ujë të pijshëm sepse kemi bërë një transformim shumë të madh. Unë e di që këtu në Sarandë ka edhe një gjë tjetër për të bërë, ndërkohë që sot uji i pijshëm është shumë herë më i garantuar se sa ishte, duhet të bëjmë edhe atë investimin e fundit për të rritur burimin e ujit për Sarandën atje në Tatzat e Saranda do të garantohet jo vetëm jashtë sezonit por edhe brenda sezonit që të ketë ujë 24 orë duke pasur një burim të sigurt sepse tanimë ujësjellësi është i shtruar kudo por na duhet burimi plus.
Nga ana tjetër gjithë ky zhvillim që ka ndodhur në Sarandë do të vazhdojë. Ju e dini se çfarë tmerri kishin këtu një numër i konsiderueshëm familjesh që kishin marrë ato letra, por nuk i kishin marrë ato si quhen këtu, trojet.
Ato u bënë dhe të gjitha ato familje i zotërojnë ato, që do të thotë që është një tjetër potencial i madh zhvillimi ashtu sikundër porti i ri turistik që po bëhet në anën tjetër, unë besoj që duhet shoqëruar edhe me transformimin e portit turistik këtu brenda në gjirin e qytetit, për ta bërë Sarandën përfundimisht një nga magnetet më të forta tërheqëse të Mesdheut pavarësisht se sot Saranda edhe pa i pasur këto infrastruktura, ka një forcë tërheqëse shumë të madhe, por me këto infrastruktura të reja do të ketë një nga fuqitë më tërheqëse të Mesdheut.
Tani unë dua të falenderoj nga zemra kryetarin ende aktual të bashkisë. Doktori është djalë shumë i mirë, punëtor dhe ka bërë detyrën e tij. E kam falënderuar, por arsyeja pse duhet të ndërrojmë stafetën, është sepse duhet të bëjmë ende shumë më tepër akoma dhe duke qenë se ky është mitingu i fundit i doktorit si kryetar bashkie, po ia jap mikrofonin se i takon të thotë dy fjalë dhe natyrisht me 4 vjet shkollë që ka bërë në menaxhimin e Sarandës, do të na duhet për të tjera punë të rëndësishme pa diskutim.
Shumë mirë edhe ti e kalove testin, se me mjekët Shqipëria s’ka pasur gjithmonë fat kur ju ka dhënë këto punë. Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë këtu një sarandiot, piluriot, që është një socialist 24 karat të pastra të provuar në të gjitha llojet e lëvizjeve të dyshemesë. Shpesh i vlerësua, ndonjëherë jo i vlerësuar sa duhet, herë në ballë e herë në fund të rreshtit, por gjithmonë në gatishmëri të plotë për Partinë Socialiste.
Stefani ka qenë kryetari i bashkisë. Kam kujtime shumë të mira me Stefanin sepse më ka dhënë mundësinë të provoj fortësinë e kokës sime duke e përplasur me kokën e tij që është shumë e fortë dhe ka qenë shumë i rëndësishëm në këtë proces ndryshimesh herë shumë të vështira e herë më të lehta sepse ka qenë kryebashkiaku që solli një kulturë pune dhe pastërtie për Sarandën, por unë Stefanin e çmoj shumë për atë që thashë më parë.
Stefani është në këmbë ditën, natën, kudo ku ka nevojë për një dorë më shumë, kudo ku ka nevojë për një njeri më shumë dhe kurrë nuk e kam parë që të ulet e të thotë lodha ose të ktheje kokën matanë i hatërmbetur e lëre më pastaj të lërë shtëpinë e të dalë në rrugë duke nxjerrë inatet e tij, po gjithmonë dhe e thashë, ka pasur periudha kur ka qenë shumë i vlerësuar, ka pasur periudha kur nuk e ka marrë vlerësimin ashtu siç duhet dhe ka pasur momente madje që është nënvlerësuar. Kështu që ky është modeli i anëtarit perfekt të familjes sonë politike.
Stefan nuk po të kërkoj të flasësh se e di që s’je përgatitur, por kam dy fjalë për Gjergj Mërkurin. Gjergj Mërkuri është një djalë idealist, është një djalë i ndershëm, është një njeri i drejtë dhe Gjergj Mërkurit njerëz këtu të PS-së i kanë rënë në qafë. Kjo është e vërteta. I kanë rënë në qafë dhe kanë bërë një gabim shumë të madh, por kjo nuk është arsye për të bërë atë që Stefani nuk e bën kurrë. Kjo nuk është arsye për t’u çuar e për të dalë matanë rrugës dhe për të kërkuar vota të cilat i bëjnë dëm PS-së në këtë betejë. Nuk ka asnjë këtu që është në këtë shesh dhe nuk ka asnjë që nuk është në këtë shesh dhe që nuk e do kthimin prapa, që është dakord me atë që po bën Gjergji aktualisht. Asnjë!
Hatërmbetja nuk është këshilltar i mirë dhe aq më pak pastaj, dalja në anën tjetër të rrugës pavarësisht se të kanë rënë në qafë. Gjergjit i kanë rënë në qafë, por tani Gjergji nuk duhet t’i bjerë në qafë të gjithë Partisë Socialiste, të gjithë atyre që janë këtu dhe mbi të gjitha nëse askush këtu nuk gëzohet për atë që bën Gjergji, janë ata të tjerët që gëzohen, kështu që unë Gjergjin do ta ftoja të gjejë arsyen brenda vetes e nëse për një arsye apo një tjetër e ka të pamundur që ta uli pak kokën e piluriotit, të paktën ta mbylli fushatën.
Ta mbylli fushatën dhe të presë përfundimin e fushatës në 14 maj, të presë fitoren e Oltit dhe të PS dhe pastaj të kthehet në PS, të ulemi në tavolinë t’i diskutojmë gjërat. Ata që i kanë rënë në qafë të pranojnë fajin që kanë bërë. Gjergji të pranojë fajin që po bën, të bashkohemi dhe të vazhdojmë përpara.
Ndërkohë të gjithë atyre që i kanë thënë, Gjergji, vazhdo ti përpara se ne do vijmë mbas teje dhe që janë të majtë dhe që janë njerëz që duan Sarandën pa diskutim, u them: ndihmojeni Gjergjin të mbyllë fushatën dhe ka vetëm një drejtim në 14 maj. Drejtimi është tek kandidati ynë dhe tek PS, nuk ka asnjë drejtim tjetër. Çdo gjë tjetër është një gabim i madh, që për një njeri si Gjergji bëhet dhe faj në një moment të caktuar.

Unë e kuptoj shumë mirë Gjergjin, i kuptoj shumë mirë dhe ata që kanë arsye për të qenë të hatërmbetur sepse e vërteta është që në zyrat tona të qeverisë qendrore nëpër qytete ne kemi edhe njerëz për të cilët nuk jemi dot krenar, kjo është e vërteta. Dhe ata njerëz, jo vetëm nuk janë të denjë për PS, jo vetëm nuk janë të denjë për qytetarët që e kanë besuar PS por ata njerëz janë një arsye për tu skuqur ne gjithë. Ama zgjidhja nuk është ajo që ka gjetur Gjergji bashkë me ata që e mbështesin, zgjidhja është të vazhdojmë të këmbëngulim këtu së bashku dhe t’i përmirësojmë gjërat së bashku sepse edhe një herë po ta kthejmë kokën mbrapa, kur ata që duan të kthehen ishin atje në pushtet në Tiranë dhe ishin në pushtet këtu, ju e dini shumë mirë se ç’ishin zyrat e shtetit këtu.

Sot, kjo nuk ka asnjë krahasim, por ka vend për të përmirësuar, patjetër dhe ne jemi këtu për ta bërë këtë të gjithë së bashku.
Kandidati ynë nuk është një njeri i papunë, nuk është një njeri, i cili erdhi dhe na kërkoi të vinte këtu, është një njeri, të cilit i kemi kërkuar ta pranojë këtë sfidë. Ia kemi kërkuar ta pranojë këtë sfidë për dy arsye shumë të rëndësishme. E para, sepse është një ndër njerëzit më të suksesshëm në industrinë e turizmit në Shqipëri dhe jo vetëm ka një biznes të suksesshëm në industrinë e turizmit, por është dhe një nga taksapaguesit më të rregullt në atë industri. Dhe e dyta, sepse për shkak të thirrjes së gjakut dhe për shkak të kokës së fortë që edhe ai ka, unë kisha shumë besim që ai do thyhej dhe do vinte këtu me atë thirrje gjaku, me atë kokë të fortë, me atë eksperiencë që ka bërë atje është ekzakt menaxheri i duhur për Sarandën që mbi këtë shkallë të re që ne kemi ndërtuar, me mbështetjen tonë në Tiranë, me mbështetjen time personale si kryeministër për Sarandën ta ndërtojë një shkallë tjetër brenda 4 vjetësh.

Dhe kjo nuk është një lojë dhe kjo nuk është një ndeshje për të nxjerrë inate, për të nxjerrë kunja, për të marrë haqe, për të fryrë atë hatërmbetje apo për të treguar kush jam unë e kush je ti, kush jemi ne e kush jeni ju.

Kjo është strategjike për Sarandën sepse Saranda sot është në kushtet që, jo vetëm mund të bëjë më shumë për veten e vet, por mund të bëjë shumë më tepër për ekonominë shqiptare dhe na duhet dikush në bashki që, jo vetëm të jetë djalë i mirë si doktori, jo vetëm të jetë vullnet mirë si doktori, por të jetë shumë më agresiv në raport me problemet dhe shumë më këmbëngulës në raport me punën sesa doktori. Kjo është gjëja që na duhet.

Në vetvete, unë nuk kam asnjë vërejtje për doktorin, por për të shkuar deri këtu, doktori ishte ai që na duhej, tani për të shkuar nga këtu tutje ka ardhur Olti dhe e kemi kërkuar ne, nuk na ka kërkuar ai, se ka shumë rëndësi kjo, për t’i dhënë Sarandës një njeri, i cili di të hapë shtigje të reja dhe i cili nuk pret t’i thonë se çfarë duhet të bëjë.

Natyrisht që na duhet Saranda, na duhet Konispoli dhe dua ta thërras këtu doktorin tjetër, doktorët ju kanë qëlluar të mirë këtu. Ja ku është ky, këtij i ranë flokët duke bërë socialistin këtej dhe tani ka të drejtë të thotë; mbarova, tani vetëm mos mbill flokë të lutem, pranoje fatin siç e ke, siç e pranoj unë. Thuaj dy fjalë këtyre sarandjotëve.

Dhe dua ta kujtoj këtu se kur unë u zgjodha kryetar i PS dhe ne ishim në opozitë dhe përgatitshim për të marrë qeverinë dhe për të bërë punët, mësuesin e parë dhe atë më kryesorin sot e kësaj dite për çështjet e bujqësisë unë e gjeta këtu në Mursi Dhimo Koten dhe realitetin e parë ku unë pashë që Shqipëria bëhet edhe në bujqësi, e gjeta këtu në Konispol. Ndërkohë që, individë dhe grupe të vogla njerëzish që kishin ndërtuar shembuj të tillë kishte në gjithë Shqipërinë. Por, këtu ishte shembulli i shembujve dhe sot falë PS, falë qeverisë së PS, falë njerëzve tanë në qeveri dhe në bashki dhe falë njerëzve të punës në territor dua t’ju them të gjithëve atyre që fshatin e shikojnë vetëm nga televizori që ne kemi kapërcyer pothuajse trefish eksporte bujqësore, jo të këtyre që duan të vijnë këtu dhe që dogjën gjithë agrumet, shkatërruan serat dhe i vunë tokës zjarrin, por të asaj kohe përpara. Dhe ky është fakt, këto janë shifra.

Ashtu sikundër, në atë kohën përpara kishte pothuajse 1000 hektarë sera, të cilat u shkatërruan të gjitha, sot ne jemi mbi 2500 hektarë sera dhe çuarja e eksporteve bujqësore vitin e kaluar në gjysmë miliardi flet shumë, për të gjithë ata që thonë “nga vijnë lekët këtu, si ka mundësi që këtu s’kanë bukë të hanë njerëzit dhe blejnë shtëpi e bëjnë këtë e bëjnë atë, restorantet janë plot”, sepse këtu ka një Shqipëri që punon shumë fort, por nuk del në televizor, nuk del në televizor se në televizor dalin vetëm lajmet që vetëm flasin për gjëra të këqija. Nuk ka rëndësi kjo, nuk po e them për televizorët, por e them për faktet. Natyrisht që, ne na intereson shumë që Saranda, Konispoli, Finiqi, Delvina të jenë bashkë sepse kjo industri turizmi që do të ngjitet në një nivel tjetër ka nevojë për gjithë atë fuqi mbështetëse që vjen nga toka, që vjen nga prodhimi, që vjen nga agropërpunimi që do ta rrisim ende me shumë më tepër. Dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që edhe në Konispol, edhe në Finiq dhe dua ta thërras dy minuta Kicon. Ky është greku më i mirë që kam njohur unë, unë nuk di kë keni njohur ju të tjerë, ky është greku më i mirë që njoh unë, i cili drejtoi Finiqin për 4 vjet dhe njësoj si doktori është një investim, është një aset shumë i rëndësishëm për ne dhe e kemi dhe për punë të tjera.

Shumë faleminderit dhe dua të them dhe pak fjalë lidhur me rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe me rëndësinë e faktit që këto zgjedhje janë aq sa konkrete, sepse në fund të ditës, në 14 maj të gjithë do shkojnë të zgjedhin se kë do marrin në punë për komunitetin dhe nuk do shkojnë të bëjnë aty ndeshje në stadium për fanellën, por nga ana tjetër, janë shumë të rëndësishme, jo për fanellat, as për flamurin e Partisë Socialiste, janë shumë të rëndësishme për flamurin tonë kombëtar. Flamuri ynë kombëtar nuk ka qenë kurrë më lart seç është sot në sytë e botës. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e repsektuar seç është sot në sytë e botës.

Sot, Shqipëria është e ulur në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me 15-16 vende, nga të cilat pjesa më e madhe janë fuqi të mëdha.

Shqipëria drejtoi OSBE-në, një organizatë që shtrihet nga Kanadaja deri në Rusi, Shqipëria u bë vendi ku Bashkimi Europian u ngrit nga Brukseli, doli për herë të parë në histori nga kufijtë e vet dhe u ul në Tiranë për Samitin e Bashkimit Europian, Shqipëria në tetor do presë Samitin e Berlinit, do vijë këtu kancelari bashkë me të tjerët.

Të gjitha këto nuk kanë ndodhur dhe nuk ndodhin se ne jemi bërë ndonjë superfuqi ushtarake, as se jemi bërë ndonjë superfuqi ekonomike, as se jemi bërë 60 mijë kilometra katrorë nga 28 mijë kilometra katrorë që ishim, por kjo ka ndodhur sepse me vullnet, me dinjitet, me krenari kombëtare, ne i kemi bërë vend vetes dhe i kemi bërë vend vetes, do të thotë që kemi mbështetjen dhe besimin si asnjëherë tjerët të aleatëve tanë më të mëdhenj, të aleatëve tanë perëndimorë, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Unë dua t’i drejtoj një pyetje të gjithë atyre që thonë “jam i djathtë” dhe të gjithë atyre që kanë në mend që në 14 maj të bëjnë turpin që të votojnë për dikë që aleatët tanë më të mëdhenj na e kanë bërë me shkrim, na e kanë thënë me zë, na e përsërisin sa herë kanë mundësi: “Është një person i padëshirueshëm për ne”. Tani çfarë do të thotë që një personi të padëshirueshëm për aleatët tanë dhe jo për teka, por për korrupsion madhor dhe korrupsionin madhor kush nuk e di se ku është të kthejë pak kokën mbrapa dhe e gjen korrupsionin madhor që nga 26 viktima të hedhura në erë për të bërë kontrabandë municionesh, tek 4 të vrarë në Bulevard për të vazhduar ushtrimin e një pushteti të korruptuar tek hidrocentralet e grabitura dhe të çuara në drejtim të interesave private, ndërkohë që prodhonin energji elektrike për popullin shqiptar si prona shtetërore dhe një nga eksportuesit e mëdhenj të energjisë elektrike që ne u detyruam t’i vëmë taksë të jashtëzakonshme dhe pastaj taksën e jashtëzakonshme e morëm dhe ua shpërndamë pensionistëve është përfitues i atyre hidrocentraleve.

Pra, në vend se ato hidrocentrale t’i kishte populli shqiptar, t’i kishte shteti shqiptar dhe të mos ta shisnin energjinë sa frëngu pulën dhe pastaj ne do detyroheshim ta hiqnim taksën e jashtëzakonshme.
Ato hidrocentrale u grabitën ditën për diell, u dhanë, kompleksi “Partizani” atje, aferat me shitblerjen e energjisë dhe kontot bankare të fshehura nëpër Qipro dhe ofshore që vetëm sapo kanë filluar ta nxjerrin kokën mbi sipërfaqe. Për ata që nuk e dinë, “si”, “pse”, provat janë të gjitha.

Në ndërkohë, është dhe minimi i demokracisë dhe minimi i demokracisë është i lidhur me korrupsionin, është i lidhur me ato kontot offshore, është i lidhur dhe me aleancat e pabesa ndaj Shqipërisë.

A e kuptojnë këta të djathtë që ky njeri, bashkë me floririn se këta janë një, Salike floriri i them unë? A e kuptojnë këta që Salikja është një turp dhe a e kuptojnë këta që është një karshillëk i madh t’i thuash atyre pa të cilët ne nuk do ishim sot këtu, pa të cilët Kosova nuk do të ekzistonte si shtet më vete? Pa të cilët, pa të cilët e të tjerë, pa të cilët nuk do ishim as në NATO e as gjëkundi.

Për çfarë e duan këta këtë? Për çfarë? Çfarë i lidh këta të djathtë, njerëz që njësoj si të majtët punojnë nëpër këto biznese? Njerëz që njësoj si të majtët jetojnë nëpër këto apartamente? Njerëz që njësoj si të majtët punojnë tokën atje matanë. Çfarë i lidh këta me këtë pocaqi? Çfarë i lidh? I lidh historia e gjyshit? E stërgjyshit? Kanë qenë të persekutuar këta? E kishin stërgjyshin apo gjyshin ballist? Zogist? I ka syrgjynosur komunizmi nëpër internime? I ka pushkatuar xhaxhain? I ka burgosur dajën? Të gjitha këto nuk janë arsye për tu bërë me këtë. Janë arsye për tu bërë me Amerikën kundër këtij, se nuk po them me Partinë Socialiste se gjyshërit e stërgjyshërit e dajallarët që e kanë pësuar nga komunizmi e i kanë bërë këta të thonë nëpër bulevardin e Sarandës, “jemi të djathtë”, do rrotullohen në varr 7 herë kur tu shkojë fjala që nipërit vajtën tek kutia e votimit dhe firmosën atje bashkë fitojmë me Like Floririn. Bashkë firojmë çfarë? Çfarë fitoni bashkë me ata? Se sa herë keni vajtur pas tyre keni fituar Noc Rrokun, por këtë herë do fitoni vetëm turpin kur të dilni para pasqyrës e të shikoni fotografinë e gjyshit apo stërgjyshit, vetëm atë do fitoni, asgjë tjetër.
Apo do ju pastrojnë Sarandën ata? Do vijnë të pastrojnë plehrat këtu? Likja me SaLiken! Apo do ju rregullojnë kopshtet dhe shkollat që kanë mbetur pa rregulluar akoma. Apo do ju sigurojnë ngrohjen në dimër fëmijëve. Apo do vijnë t’ju bëjnë prap librat e shkollës fëmijëve minoritarë. Çfarë do bëjnë këta? Se mbase ka disa që mendojnë edhe kështu.
Arsye për të mos qenë të kënaqur me qeverinë, me bashkinë e Sarandës, me të gjitha bashkitë kemi të gjithë. Edhe unë për qeverinë, për veten time! Po këta, çfarë do bëjnë?
Nuk e di fare kush është kandidat këtu, më thanë, “është nga familje e mirë”. Aq më keq, aq më turp. Se familja e mirë nuk e meriton të përzihet me një non grata. Me një kusar të damkosur nga shtetet e Bashkuara të Amerikës si kusar. Ç’punë ka familja e mirë me një kusar të damkosur si kusar? Me një zhele që del përditë rrugëve e merr nëpër gojë gjithë dynjanë, sikur është i çmenduri i lagjes këtu. Derë më derë, “shiko se pash gruan e këtij me atë tjetrin. Shiko se pash atë zonjën atje, zonja ambasadore bashkë me atë tjetrin, se erdhi ai, kam ca video për ata atje”. Kush i bën këto? Po ta kishit këtu në lagje njërin që bënte nga këto, do i kishit thënë familjes ta mbyllte në shtëpi. Çfarë është ky? Ç’lidhje ka ky me ata që i kanë pasur aspiratat e djathta dhe me ata që kanë sakrifikuar e me ata që kanë përfunduar në ferrin e komunizmit. Çfarë lidhje ka ky?
E po qe puna për pastrimin, shkoni në Shkodër, merrni në telefon në Shkodër, pyesni si pastrohet Shkodra. Kanë që në ’92 këta që e mbajnë bashkinë e Shkodrës, e drejtojnë. Asnjëherë nuk kemi pasur ne shansin të drejtojmë Shkodrën. Shkoni në Shkodër e pyetini. Është i vetmi qytet i Shqipërisë ku ka akoma siç kishte këtu dikur e siç kishte në Tiranë dikur, kazanë të mbushur me plehra, që i mbulojnë plehrat, e që rrinë me ditë të tëra qelben deri sa të vijë kamioni i bashkisë një herë në javë. E është tipike.
Kur unë dola nga bashkia dhe erdhi Luli, u rikthyen kazanët e mbushur nga plehrat që mbulohen nga plehrat. Se këta vijnë bashkë me kazanët me plehra e nuk i pastrojnë. Shkoni në Shkodër e shikoni. Mund të na thonin, “shiko se edhe ne kemi bërë”. Po të na tregojnë një bashki, një komunë në gjithë Shqipërinë ku ata e kanë qeverisur dhe kanë lënë një gjurmë. Ne mund të tregojmë në çdo qytet, në çdo qendër administrative, mund t’ju tregojmë vepra deri sa t’ju lodhim. Ata të na tregojnë një bashki! Një komunë! Vetëm kanë shqyer prona, kanë copëtuar dynjanë e asgjë tjetër nuk kanë bërë.
Tropoja njësoj si Shkodra, por në Tropojë na ngeli ne në dorë para 4 vitesh. Në 4 vite drejtim të Partisë Socialiste në Tropojë me mbështetjen e qeverisë dhe timen, në Tropojë është bërë sa në vite. Çfarë bënë ata për Tropojën gjithë ato vite? Një gjë bënë dhe e bëri personalisht ky. Leje hidrocentralesh në Valbonë. Kjo pra është, se çfarë doni ju? Ky është kusari non grata, babëzia e të cilit ka qenë, është dhe do të mbetet problemi kryesor i të djathtës, se i Shqipërisë nuk bëhet më problem. Sido që të rrotullohet vota, në Shqipëri vota e shumicës është vetëm për të ecur përpara. Ju hëngsha zemrën të gjithëve e në 14 maj jepini Oltit një lumë votash si lumi këtu e të jeni të sigurt që jo nuk do pendoheni por do thoni ku e gjetën që na e sollën, e kjo është meritë e Blendi Klosit!