Universiteti Bujqësor i Tiranës shënon një kthesë të rëndësishme në sistemin arsimor shqiptar, falë partneritetit të suksesshëm me Universitetin BOKU të Vjenës, duke sjellë këtë shtator një ofertë të re akademike të njehsuar plotësisht me Universitetin BOKU, një universitet lider me një traditë të hershme në fushën e shkencave të jetës në Europë.

Në një event të posaçëm me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama, nxënës dhe studentë u informuan sot mbi 9 programet e reja që janë një ofertë e shkëlqyer për të rinjtë, që nesër do t’i duhen Shqipërisë në BE për shumë nga punët e lidhura me mjedisin, ushqimin, ujërat, etj.

* * *

Fjala e Kryeministrit Edi Rama: 

Përshëndetje të gjithëve dhe në radhë të parë studentëve, studenteve, maturantëve, maturanteve që janë këtu të pranishëm sepse ata janë arsyeja kryesore pse ne u mblodhëm këtu sot pasi është shumë e rëndësishme që të përpiqemi të informojmë sa më shumë maturantë dhe maturante që ka një zhvillim të ri në Tiranë.

Ka një zhvillim të ri të paprecedentë, asnjë universitet dhe e them me përgjegjësi këtë, shqiptar, në Shqipëri nuk ka bërë këtë që po bën UBT dhe në asnjë universitet në Shqipëri nuk mund të gjesh sot për sot këtë perspektivë që ka hapur kjo reformë reale europiane rrënjësore në Universitetin Bujqësor.

Universiteti Bujqësor për hir të së vërtetës ka kaluar dy faza në historinë e vet.

Ka pasur një fazë në historinë e tij kur Universiteti Bujqësor ishte një qendër ekselence reale, në kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi dhe kjo ishte koha përpara përmbysjes së regjimit, kur Universiteti Bujqësor ishte njëkohësisht dhe burimi më i rëndësishëm i dijes për atë zhvillim dhe për ato nevoja të bujqësisë dhe të fshatit që kishte atëherë vendi. Ama pedagogët e UB ishin akademikë dhe ishin dijetarë të jashtëzakonshëm, e pamohueshme.

Pastaj UB pati një fazë tjetre që ishte faza e rrënimit, e braktisjes dhe praktikisht e degjenerimit publik të tij, ku përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara, asgjë tjetër nuk mbeti aty. Dhe rektori përsëriti disa herë një telefonatë a thua se ishte një zë profetik nga mali, por në fakt ajo telefonatë ishte vetëm pasi së bashku me rektorin ne bëmë një ndërhyrje të rënde dhe të turpshme për nga nevoja të çlirimit të universitetit nga pushtues që e kishin marrë të gjithë territorin e universitetit për historitë e tyre që nga qoftet deri tek shitja e të brendshmeve.

Dhe ishte dramatike të hyje në atë universitet ku për të hyrë në klasë duhet të kaloje nëpërmjet një pazari ndërtimesh të paligjshme dhe aktivitetesh tregtare. Natyrisht që edhe për faktin që shumëkush mendoi se koha e fshatit mbaroi dhe erdhi koha e qytetit, koha e tokës mbaroi dhe erdhi koha e tavolinës së klubit, koha e prodhimit të ushqimit mbaroi dhe erdhi koha e sanduiçëve me salsiçe frigoriferi, natyrisht mbaroi dhe koha e autokombajnave dhe erdhi koha e Mercedez-ve të vjedhur dhe të gjithë i kthyen kurrizit UB, i cili u bë praktikisht një “Refugium Peccatorum” për ata nxënës dhe nxënëse që nuk kishin miq për të kapërcyer të gjithë ato shkallët e korrupsionit përmes të cilave hyje në universitete, universitetet prestigjioze ku të gjithë hynin për tu bërë juristë, kështu ne krijuam dhe popullatën me numrin më të madh të juristeve për metër katror.

Në ndërkohë që së bashku me rektorin, ne ishim faktikisht në një gjatësi vale, gjë jo shumë e zakonshme për një socialist dhe një demokrat, por mbase na ndihmonte të komunikonim valën duke qenë se të dy jemi pa flokë dhe mungesa e flokëve na e bënte më të lehtë kapërcimin e kufirit partiak, kështu që e filluam këtë aventurë kur rektori në dëshpërim tha “tani ne nuk kemi si e mbajmë këtë universitet nëse nuk e ulim dhe më poshtë atë mesatare”. Domethënë nga 6 ta çojmë 5, domethënë nga gjysmë të vdekur, t’i marrim të vdekur. Edhe unë i thashë kjo është faktikisht një mbijetesë për të gënjyer veten se kjo do çojë në rrënim përfundimtar ndërkohë që ne duhet të synojmë diçka krejt tjetër, duhet të synojmë ta bëjmë Universitetin Bujqësor trend dhe ta kthejmë në universitet ku vajzat dhe djemtë e këtij vendi të shikojnë të ardhmen dhe për këtë na duhet të lidhemi me një universitet europian.

Dhe kështu shkuam në shkallët e BOKU-t i cili është një universitet i themeluar në vitin 1872 dhe parafolësi im nuk ishte një konsult i huaj që ka ardhur këtu me lekët e Bankës Botërore për të na treguar nga lidhet gomari por është ish rektori i universitetit BOKU që kur ne e takuam ishte në detyrë. Unë isha i pari kryeministër që hipja shkallët e atij universiteti që nga 1872 dhe sigurisht rektori ishte dhe pak i trembur se s’kishte faj se çfarë nuk kishte dëgjuar për Shqipërinë dhe për shqiptarët  dhe po i vinte personalisht shefi i madh i mafias shqiptare ne derë.

Aty filluam diskutimin e parë. Rektori, njeri civil i mirë sjellshëm dhe natyrisht s’mund të mos na priste por nga ana tjetër unë e ndjeja  që na shikonte me një çudi të përzier me frikë. Megjithatë ja ku jemi sot!

Për të mos e zgjatur falë këtij burri që rasti e solli që dhe të tërhiqej nga aktiviteti akademik pikërisht në këtë periudhë dhe të na bashkohej me shumë bujari, me shumë dashamirësi në këtë përpjekje tonën dhe kështu kemi jo një konsulent por kemi një bashkudhëtar që i di të gjitha ato për të cilat ne kemi nevojë dhe falë Bardhit, Sallakut domethënë se mos ngatërrohemi se këta Bardhët e djathtë janë lloj –  lloj por ky është Bardh i ndriçuar, ne arritëm që të kemi një reformë e cila ka bërë diçka radikale.

Faktikisht ka spostuar të gjithë procesin e bërjes së kurrikulave nga duart e shefave të departamenteve  dhe atyre që gjithmonë e kanë kontrolluar këtë proces për të mirë apo për të keq apo për të dyja bashkë, në duart e një komisioni të brendshëm dhe të vet studentëve dhe ajo që është arritur është diçka që mua personalisht më bind që në 2030 UBT dhe BOKU do të jenë një dhe UBT do të jetë antena e BOKU-t në rajonin tonë.

Gjëja që duhet ta kenë parasysh të gjithë është që për juristë nuk ka nevojë Shqipëria, që të jemi shumë realistë bashkë. Ka plot dhe i teprojnë. Mund t’i japë edhe Ballkanit, madje mund t’i eksportojë në kontinentet e tjera, por Shqipëria që së shpejti anëtarësohet në Bashkimin Europian, ka nevojë në radhë të parë për ata që përgatit Universiteti Bujqësor i Tiranës sepse Shqipëria njësoj si Europa, njësoj si gjithë bota përballet me ndryshime klimaterike, me degradimin e mjedisit, me rritjen e temperaturave, me motin ekstrem, me humbjen e ekosistemeve që ndikojnë drejtpërdrejt bujqësinë, ndikojnë drejtpërdrejt furnizimin me ujë, ndikojnë drejtpërdrejt biodiversitetin dhe këto janë ato që janë të pandashme nga jeta jonë mbi këtë planet dhe janë të pandashme nga rrugëtimi dhe nga qenia jonë në Bashkimin Europian. Aftësitë për të ndërtuar një bujqësi të qëndrueshme ndaj klimës, për ta shfrytëzuar tokën në mënyrë të qëndrueshme, për të adresuar plagët e mjedisit me dije dhe në funksion të jo varfërimit, por të mirëqenies së njerëzve, janë aftësi të cilat Shqipërisë sot i mungojnë. Ndërkohë që, për këto aftësi, Shqipëria ka shumë nevojë sot, por do të ketë nevojë shumë më tepër në vitet që vijnë.

Me anëtarësimin në Bashkimin Europian, numri i profesionistëve që vijnë nga fushat që mbulon UBT-ja dhe që duhet të rreshtohen në frontin e shtetit shqiptar, është shumë më i madh sesa ai i juristëve. Besojeni ose jo. duhen profesionistë që të dinë se për çfarë bëhet fjalë, të dinë se për çfarë kemi nevojë dhe si t’i rimodelojnë zhvillimet. Uji, mungesa e ujit, konfliktet për burimet po kthehen në konflikte deri dhe midis shteteve. Janë sot që flasim mbi 2 miliardë njerëz që përballen me mungesë domethënëse uji, me etje. Mbi 2 miliardë dhe ndërkohë, bujqësia konsumon rreth 70% të ujit të ëmbël, prandaj bota e gjitha tani flet për menaxhim të zgjuar të ujit. Dhe çfarë do të thotë menaxhim i zgjuar i ujit?! Do të thotë menaxhim i integruar i burimeve dhe teknologji ujitje, politika për ujin, për të shmangur kriza, për të shmangur konflikte, për të shmangur luajtje nga mendtë fare në kushtet e mungesës së ujit. Këto janë tema që janë pjesë e agjendës së punës dhe të kërkimit shkencor të universitetit BOKU dhe për rrjedhojë edhe të Universitetit të Tiranës.  Ushqimi, ushqyerja e popullit. Ushqyerja e një popullsie që rritet do të shkojë 9 miliardë në vitin 2050 dhe siguria ushqimore.

Pastaj janë të gjitha çështjet e mëdha të inovacionit dhe teknologjisë të lidhura me fshatin, me zhvillimin jo të fshatit si fshat, se ky është një problem këndvështrimi, që duhet zgjidhur me urgjencë. Nuk ka qytet dhe fshat, në kuptimin që ne të qytetit jemi të qytetit, ata të fshatit janë të fshatit. Pa fshat, s’ka qytet. Pa jetën në fshat, nuk ka jetë në qytet. Pa prodhimin në fshat, nuk mbijeton dot qyteti, e kështu me radhë, dhe në këtë kuptim, na duhen njerëz të ditur për të gjithë teknologjinë që ka filluar të hyjë me shpejtësi të madhe. Për satelitët, për dronët, përpunimin e imazheve, për të dhënat, për të dhënat, për kërkimet mbi të dhënat, jemi në kohë, por jemi në zgrip të kohës. Fatkeqësitë natyrore, menaxhimi i rrezikut nuk mundet dot më që ta kalojmë një fatkeqësi me idenë që e ka fajin qeveria se nuk e ka pastruar kanalin. Këtu duhen dije të reja, këtu duhen struktura dhe forca të reja dhe për të mos u zgjatur, këtu duhet dhe gjithmonë e më shumë, kapaciteti i shteteve, kapaciteti i qeverive, kapaciteti i institucioneve, kapaciteti i qyteteve për zgjidhjet e integruara ndërdisiplinore që bashkojnë në një suazë shkencën, inxhinierinë, ekonominë, politikën dhe njohjen e territorit.

Pra, pa asnjë diskutim, çfarë ne po bëjmë, ne, çfarë po bën stafi i drejtuar nga Bardhi së bashku me Hubertin dhe me pedagodët e BOKU-t, që janë më shumë se 15 të tillë që kanë zbarkuar më shumë sesa një herë në Tiranë dhe siç e tha Huberti janë të entuziazmuar nga kjo eksperiencë, është faktikisht mbjellja e një territori me fidanë të rinj të dijes dhe të profesioneve dhe natyrisht që ky territor ka nevojë për forcat e reja, që pa paragjykime, por përkundrazi me shumë qartësi dhe informacion e vetëdije, duhet të trokasin në derën e universitetin Bujqësor të Tiranës.

Në kapitullin e negociatave për anëtarësim, “Bujqësia dhe Zhvillimi rural” është një kapitull më vete, që është “o nëne, o nëne”, realisht. Ata  pedagogë  këtu që merren pak, ose shumë me pjesën e direktivave europiane, e dinë shumë mirë. “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” është kapitull më vete, “Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare” është kapitull më vete. “Ujërat dhe menaxhimi i mbetjeve” janë kapitull më vete, dhe të gjitha këto bashkë janë dhimbja më e madhe e kokës për një vend si ne. Dhimbja më e madhe e kokës, jo se ne kemi probleme që të tjerët s’i kanë pasur, po se ne na duhet dije. Na duhen shumë njerëz të ditur dhe patjetër që baza është ky universitet. Nuk bëhet kjo me miell të huaj, sado ne të marrim ekspertë, të marrim ndihmë e të tjerë. Na duhet ky brumë që kjo furrë po bëhet gati për ta pjekur, por ama prurjet janë shumë të rëndësishme dhe është interes kombëtar dhe prioritet mbështetja pa rezervë e kësaj reforme dhe këtij universiteti.

Të gjithë universitetet e Shqipërisë do ta kenë shumë të qartë që tani që ne e kemi shembullin, nëse duan mbështetje ekstra, duhet të bëjnë atë që po bën Universiteti Bujqësor i Tiranës,  duhet të gjejnë shokun apo shoqen në Europë, të ngjiten me të, të dorëzojnë “letrat e fejesës” që ne t’i mbështesim për ‘martesë’. Histori “jo kam një program këtu, jo thërritem këtu, jo do bëjmë këtë, do bëjmë këtë, do bëjmë atë”, mund t’i bëjnë, janë autonomë, por nuk kanë mbështetje nga qeveria. Qeveria do të ndryshojë komplet qasjen financiare dhe për sa kohë nuk do të ketë një të dytë, çfarë janë ekstra ne do t’i vëmë në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Do ta bëjmë Universitetin Bujqësor të Tiranës një rrezatim në të gjithë rajonin. Do ta fusim, pa diskutim, në listën e universiteteve të Europës për këto tema dhe do t’i japim Shqipërisë një burim të jashtëzakonshëm dhe të domosdoshëm dije.

Të tjerët janë tërësisht të respektuar, të inkurajuar, do marrin atë pjesën e buxhetit që iu takon, por më shumë nga gjithë kjo që ne kemi vënë ekstra, nuk ka për të marrë askush që nuk do bëjë të njëjtën gjë. Reformë reale. E tha pak Hubert, e preku, që ka një problem serioz. Universitetet tona nuk mund të vazhdojnë të jenë si shkollat e mesme me vite më shumë mësimi. Universitete tona duhet të jenë qendra kërkimore, duhet të jenë qendra ku studentët nuk dalin thjeshtë njerëz që dinë të përsërisin ato që iu kanë mësuar, por janë njerëz që janë vlerë e shtuar.

Kërkimi shkencor që është pika kyçe dhe më e dobët e UB, ne do ta mbështesim me gjithçka që kemi ne mundësi, së bashku me sigurisht BOKU-n.

Dhe Bardhi duhet të mbajë Hubertin, në momentin që Hubert largohet, problemet e Bardhit bëhen menjëherë probleme të opozitës.

Unë ju falënderoj shumë se mund të flisja dhe më gjatë, por sinqerisht besoj shumë te kjo reformë, besoj shumë tek mësimet që kemi marrë te kjo reformë se kemi mësuar dhe ne. Kemi mësuar dhe ne së shpejti do të fillojmë të shkruamë disa pjesë, jo gjithçka të ligjit për arsimin e lartë dhe do të marrim në konsideratë mësimet e këtij procesi reforme dhe do të marrim në konsideratë dhe këto ndryshime thelbësore që janë bërë në UB për sa i përket kurrikulave, për sa i përket përfshirjes reale të studentëve, jo përfshirja kot.

Hajde se po i fusim studentët 1/3-ën atje, kot. Përfshirja reale e studentëve në çështje që kanë të bëjnë me jetën e tyre universitare.

Dhe patjetër do të shqyrtomë një herë e mirë dhe çështjen e shumë kokave brenda një universiteti, problem i madh se bëhen zgjedhje, zgjidhet rektori, zgjidhet dekani, zgjidhen shefa dhe të gjithë thonë “unë kam vizionin tim”. Ndërkohë që universiteti ka një kokë, ka një drejtim dhe s’mund të ketë 17 koka me 17 vizione të ndryshme që duan të mbajnë atë kioskën e tyre. Kjo s’mund të ndodhë.

Dhe kjo që po bëjmë këtu do ta kthejmë në një rregull për të gjithë. Vizionarë në të katërta anët ka vetëm në çmendinë. Aty ku të gjithë mendojnë se janë Napoleoni, Skënderbeu edhe Papa Piu. Në jetën reale, në universitet, në një organizatë ka vizion, ka mision, ka edhe përgjegjësi, s’mund të thotë secili “unë kam vizionin tim” dhe kjo do të jetë temë e reforma së arsimit të lartë.

Ju falënderoj shumë!

Të gjithë maturantëve dhe maturanteve që janë ambiciozë, që janë me rezultate më të larta iu them që “juristë ka plot Shqipëria, por profesionistë për të gjitha këto tema që janë temat më të nxehta sot të botës dhe do bëhen temat përvëluese për botën, për Europën, për Shqipërinë nuk ka mjaftueshëm ose ka shumë pak dhe ata pak që janë, janë pedagogë në UBT. Kështu që së bashku me ta, çdonjëri nga vajzat dhe djemtë që do trokasë në derën e këtij universiteti mund të bëhet pjesë e asaj kategorie që do jetë kategoria më e nevojshme për shoqërinë. Me një diplomë të këtij universiteti nesër pa diskutim i ke të hapura dyert qoftë në shtet, qoftë në privat, qoftë në Shqipëri, qoftë në Austri.

Jurist? Harroje! Në rastin më të mirë do përfundosh në një sekser gjykatash. Shumë faleminderit!